Përurimi i xhamive në Amerikë dhe përgjegjësia e anëtarëve
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Përurimi i xhamive në Amerikë dhe përgjegjësia e anëtarëve

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

قُلْ أَمَرَ رَبِّى بِٱلْقِسْطِ ۖ وَأَقِيمُوا۟ وُجُوهَكُمْ عِندَ كُلِّ مَسْجِدٍ وَٱدْعُوهُ مُخْلِصِينَ لَهُ ٱلدِّينَ ۚ كَمَا بَدَأَكُمْ تَعُودُونَ۞‏

فَرِيقًا هَدَىٰ وَفَرِيقًا حَقَّ عَلَيْهِمُ ٱلضَّلَٰلَةُ ۗ إِنَّهُمُ ٱتَّخَذُوا۟ ٱلشَّيَٰطِينَ أَوْلِيَآءَ مِن دُونِ ٱللَّهِ وَيَحْسَبُونَ أَنَّهُم مُّهْتَدُونَ۞

يَٰبَنِىٓ ءَادَمَ خُذُوا۟ زِينَتَكُمْ عِندَ كُلِّ مَسْجِدٍ وَكُلُوا۟ وَٱشْرَبُوا۟ وَلَا تُسْرِفُوٓا۟ ۚ إِنَّهُۥ لَا يُحِبُّ ٱلْمُسْرِفِينَ۞

Përkthimi i këtyre ajeteve është si vijon:

“Thuaju: Zoti im ka urdhëruar drejtësinë; në çdo xhami të drejtoni vëmendjen tuaj dhe t’i luteni Atij, duke ia përkushtuar besimin vetëm Atij. Siç ju ka krijuar Ai për herë të parë, (pas vdekjes) ashtu do të ktheheni. Një grup Ai e udhëzoi, kurse grupi tjetër e meritoi humbjen. Vërtet, ata i morën djajtë për miq, duke e lënë Allahun, dhe mendojnë se janë të udhëzuar. O bijtë e Ademit! Merrni bukurinë tuaj (pra, veshjen e druajtjes ndaj Zotit) në çdo xhami. Hani e pini dhe mos e teproni. Sigurisht, Ai nuk i do tepruesit”. (Kurani Famëlartë 7:30-32)

Sot Allahu ju ka mundësuar të përuroni xhaminë tuaj. Ndonëse xhamia ishte përfunduar para disa kohësh, sot ajo po përurohet zyrtarisht. Në fillim këtu ishte ndërtuar një sallë që të përdorej si xhami, por tani ju keni ndërtuar përfundimisht një xhami funksionale. Tashmë kemi një xhami të bukur dhe madhështore, e cila është gjithashtu e mjaftueshme në kapacitet. Allahu ua mundësoftë të gjithë atyre që kanë kontribuuar në ndërtimin e kësaj xhamie që t’i përmbushin të drejtat e saj! Dashtë Allahu! Ata që e kanë ndërtuar këtë xhami të kenë synuar vetëm kënaqësinë e Allahut dhe që të përfitojnë nga thënia e mëposhtme e Profetit Muhammed s.a.v.s.: “Ai që ndërton një xhami për të fituar kënaqësinë e Allahut, Allahu do t’i ndërtojë një shtëpi të ngjashme në Xhenet”.

Një xhami që ndërtohet për të fituar kënaqësinë e Allahut, misioni i saj nuk përfundon vetëm me punën e ndërtimit. Njeriu mund të arrijë kënaqësinë e Allahut vetëm kur ai ndjek urdhrat e Tij, përmbush të drejtat e adhurimit, u përgjigjet të drejtave të të afërmve, i jep sinqerisht epërsinë besimit krahas dëshirave të kësaj bote dhe përmbush besnikërisht betimin e tij të bejatit. Ne jemi me fat që kemi pranuar imamin e kësaj kohe i cili është shërbëtori më i devotshëm i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ne duhet të kujtojmë gjithmonë se pranimi i Mesihut të Premtuar a.s. dhe hyrja në zotimin e tij të besnikërisë na mbart me një përgjegjësi shumë të madhe.

Detyra jonë nuk përfundon vetëm me lidhjen e zotimit me Mesihun e Premtuar a.s. përkundrazi, ajo vetëm zgjerohet dhe shtrihet më shumë. Vetëm duke i përmbushur këto detyra, mund të shpresojmë se meritojmë ato shpërblime që Allahu ia ka premtuar Mesihut të Premtuar a.s.. Secili prej nesh duhet të kuptojë përgjegjësinë e tij. Është përgjegjësia jonë ta mbushim dhe të gjallërojmë këtë xhami. Është përgjegjësia jonë të jetojmë së bashku me frymën e dashurisë dhe harmonisë. Është përgjegjësia jonë të përhapim tolerancën dhe vëllazërinë në mbarë botën. Është përgjegjësia jonë t’i paraqesim botës mësimet e bukura të Islamit. Është përgjegjësia jonë të përqendrohemi në reformimin tonë nëpërmjet lutjeve të vazhdueshme. Është përgjegjësia jonë të kujdesemi për edukimin e pasardhësve tanë. Nëse, jemi të vetëdijshëm ndaj këtyre përgjegjësive, mund të përmbushim edhe të drejtat e kësaj xhamie.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. një herë tha:

“Nëse dëshironi të përcillni mesazhin e Islamit në një vend, ndërtoni një xhami atje”.

Tashmë me ndërtimin e kësaj xhamie, me siguri Islami do të bëhet i dukshëm dhe i njohur në këtë zonë. Madje, disa fqinjë kanë ardhur në xhami dhe kanë dhënë përshtypje mjaft pozitive. Pavarësisht numrit të madh të vizitorëve e mysafirëve që kanë ardhur këtu këto ditë, dhe pavarësisht kësaj atmosfere të zhurmshme, para disa ditësh erdhi një fqinj i afërt dhe tha: “Ne me të vërtetë jemi të kënaqur që tani jeni pjesë e lagjes sonë”. Megjithatë, ne gjithmonë duhet t’u kushtojmë vëmendje fqinjëve tanë dhe duhet t’i shmangemi zhurmës së panevojshme. Çdo punë apo veprimtari duhet kryer brenda normave ligjore.

Fqinjët si dhe kalimtarët që përdorin këtë rrugë, do ta shohin xhaminë tonë dhe kjo gjithashtu do të çelë rrugë të reja të njohjes dhe thirrjes. Prandaj, çdo musliman ahmedian duhet të bëhet pishtar i mësimeve islame. Bota duhet të shohë një ndryshim të qartë se edhe në këtë shoqëri materialiste, ka njerëz të cilët në një anë u përgjigjen detyrave të përditshme që lidhen me këtë jetë, dhe megjithatë i japin epërsi çështjes së besimit. Njerëzit e tillë gëzojnë një lidhje të gjallë me Zotin e Plotfuqishëm. Kini dhembshuri për krijesën e Zotit dhe jini gjithmonë të gatshëm në ndihmë të njerëzve. Kur njerëzit e shohin këtë, u ngjallet kureshtja për të mësuar më shumë për këta njerëz dhe kjo hap shtigje të reja për përhapjen e Islamit. Prandaj, çdo ahmedian duhet të orvatet akoma më shumë, për t’u bërë shembull praktik i mësimeve islame.

Në ajetet që ju kam recituar në fillim, Allahu ka vënë në dukje disa nga cilësitë dhe tiparet e njerëzve që kanë lidhje me xhaminë. Para së gjithash, Allahu thotë se duhet vendosur drejtësia. Për sa i përket drejtësisë, është thënë në një vend të Kuranit se armiqësia ndaj një populli tjetër nuk duhet t’ju pengojë për të vepruar me drejtësi. Po të zbatohet ky standard drejtësie, asnjë person nuk mund të ketë mendime të këqija për të tjerët. Le pastaj që dikush të mendojë për t’i sjellë dëm dikujt. Madje, një person i tillë do të kërkojë ndonjë mënyrë për të qenë i dobishëm për njerëzit e tjerë. Kur një njeri i përgjigjet drejtësisë në këtë mënyrë, sigurisht ai ka për t’u lënë njerëzve që e rrethojnë përshtypje të mira. Ky ndikim pozitiv hap rrugën për tablig.

Në lidhje me xhaminë, Allahu i këshillon besimtarët e sinqertë ose ata që e frekuentojnë atë rregullisht që të kujdesen për të përmbushur të drejtat e njëri-tjetrit. Për këtë arsye, çështja më e rëndësishme është vendosja e drejtësisë. Aty ku Allahu jep urdhër për të vepruar me drejtësi ndaj të huajve dhe armiqve, sa duhet të kultivohen marrëdhënie të dashura me ata që i njeh. Kur mbizotëron kjo gjendje, atëherë edhe Allahu i shikon këta njerëz me dashuri. Kur këta njerëz hyjnë në xhami për të adhuruar Zotin, Allahu ua pranon adhurimin. Mirëpo, nëse njeriu nuk sillet mirë me bashkëshorten e tij në shtëpi, gjithmonë e kritikon atë, po ashtu edhe fëmijët i tremben atij, atëherë një njeri i tillë bëhet shkak që fëmijët të largohen nga besimi. As detyrat e xhematit të një personi të tillë dhe as adhurimi nuk i pranohen tek Allahu. Me një sjellje të tillë, ai nuk po i mashtron të tjerët, por vetëm veten e vet.

Një besimtar i vërtetë është ai që i përmbahet drejtësinë si brenda vetes po ashtu dhe jashtë. Fjalët dhe veprimet e tij duhet të gjejnë një ekuilibër të qëndrueshëm, e të mos kenë asnjë kontradiktë. Janë këta njerëz që realisht e përmbushin të drejtën e xhamisë sepse zemrat e tyre janë të mbushura me frikën ndaj Allahut. Detyra jonë është ta arrijmë këtë gradë, përndryshe ndërtimi i një xhamie dhe më pas falja e namazit në të me nxitim sikur të shkarkosh një barrë është e pakuptimtë. Kur njeriu arrin këtë shkallë besimi, ai është sikur një fëmijë i pafajshëm para Allahut. Ai pret një fund të mbarë sepse krahas të drejtave ndaj Zotit, ai përmbushi edhe të drejtat e njerëzve.

Njeriu që e fal namazin, vjen pesë herë në xhami apo kryen punët e Xhematit, kurrsesi nuk duhet të tregohet krenar. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: Njeriu që nuk respekton të drejtat e njerëzve, nuk i respekton as të drejtat e Allahut. Askush nuk duhet të krijojë këtë iluzion. Me të vërtetë, një adhurues i sinqertë është ai, i cili gjallëron xhaminë duke e vizituar shpesh, që i druhet Allahut dhe i cili u përgjigjet urdhrave të Allahut. Më tej Allahu përsëri thekson se nëse nuk i zbatoni urdhrat e Tij, nuk i kushtoni besimin tuaj plotësisht Allahut, nuk bëni asnjë përpjekje për të ndryshuar gjendjen tuaj dhe nëse nuk përqendroheni në pendim e kërkim falje, atëherë djalli do t’ju mbizotërojë. Prandaj, përkuluni para Allahut dhe përqendrohuni gjithmonë në pendim dhe falje. Në shoqërinë e sotme materialiste, ne duhet të fokusohemi në mënyrë të veçantë drejt kësaj çështjeje dhe vetëm atëherë njeriu do të ketë sukses dhe do të paraqitet para Allahut si një fëmijë i pafajshëm.

Periudha e rënies së Islamit, përputhet pikërisht me gjendjen e keqe të muslimanëve sepse pikërisht në këtë kohë filloi dekadenca e muslimanëve. Kur ata vepronin me drejtësinë dhe i përgjigjeshin adhurimit të Zotit vetëm për sy e faqe, dhe nuk i përmbushnin ashtu siç duhej, atëherë çdo gjë mori fund. Ndonëse, ata kanë ndërtuar xhami të bukura por, ata gjithashtu po tentojnë të rrënojnë xhamitë e Xhematit dhe këmbëngulin që xhamitë tona të mos u ngjajnë xhamive të tyre, pra të mos kenë as minare e as harqe. Me këto veprime ata synojnë të na privojnë nga “Ibadurrahman”  pra adhuruesit e gjithmëshirshmit.

Kundërshtarët tanë po krenohen duke bërë zullum e padrejtësi ndaj nesh, dhe mendojnë se në këtë mënyrë mund t’i përudhin ahmedianët në rrugën e drejtë. Në të kaluarën, rënia e Islamit kishte zanafillën edhe në xhamitë që ndërtoheshin vetëm për t’u dukur. Historia na tregon se  edhe në të kaluarën, bota islame ka pasur disa besimtarë të vërtetë, por në përgjithësi bota islame kishte marrë një tatëpjetë të madhe. Shkurt, kjo duhej të ndodhej, pasi vetë Profeti Muhammed a.s. e kishte parashikuar këtë ngjarje. Por pas kësaj kohe të errët të historisë islame, erdhi edhe një herë koha e shkëlqimit, domethënë koha e Mesihut të Premtuar a.s., pra të shërbëtorit të vërtetë të Profetit s.a.v.s.. Ne jemi me fat se kemi lidhur betim me Hazret Mesihun e Premtuar a.s., dhe jemi zotuar se gjithmonë do t’i japim epërsi besimit dhe urdhrave të Kuranit krahas çështjeve të dynjasë. Megjithatë, kjo kërkon përpjekje të vijueshme. Ne duhet t’i mbrojmë xhamitë tona që ato t’i mos përngjajnë gjendjes së xhamive të muslimanëve të tjerë. Për këtë Hazret Aliu r.a. ka përcjellë një hadith nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. se ai ka thënë: “Së shpejti do të vijë një kohë kur Islamit nuk do t’i mbetet asgjë përveç emrit dhe Kuranit asgjë përveç fjalëve. Xhamitë e asaj kohe, nga dukja të ngjajnë të mbushura, por ato do të jenë të zbrazëta nga udhëzimi. Dijetarët e tyre do të jenë krijesa më sherrxhi nën kupën e qiellit. Ngatërresat do të dalin prej tyre dhe tek ata do të kthehen”.

Dhe kjo është pikërisht ajo që shohim sot në shumicën e xhamive muslimane. Kjo gjendje që shohim sot duhet të na bëjë më të ndërgjegjshëm. Në këto xhami nuk ka gjë tjetër veç trazirave. Nëse kanë një qëllim të përbashkët, për të cilin ata po punojnë bashkërisht, siç e kam thënë edhe më parë, ai është vetëm shembja e minareve të xhamive të Xhematit. Xhamitë tona, nuk i quajnë as xhami, madje i quajnë faltore dhe thonë: “Shkatërroni harqet e tyre”. Ata nuk bëjnë asgjë për fenë dhe janë të privuar nga drejtësia۔ Gjithsesi, nga gjendja e tyre ne mësojmë se si t’i përmbushim të drejtat e xhamive dhe si të bëhemi njerëz plotësisht drejt dhe pastër.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shtjellon ajetin e parë të këtyre vargjeve dhe thotë:

“Islami ka pësuar një rënie edhe në formën e tij të jashtme dhe fizike. Shteti islamik nuk ka më forcën apo madhështinë e dikurshme, madje edhe në aspektin shpirtëror, nuk shohim një shembull të asaj që është përshkruar me fjalët مُخْلِصِينَ لَهُ ٱلدِّينَ  pra të ketë ndjekës që i përkushtohen besnikërisht atij. Për sa i përket gjendjes së Islamit së brendshmi, shohim se ai është dobësuar shumë, ndërkohë sulmuesit nga jashtë synojnë ta asgjësojnë atë. Në sytë e tyre muslimanët janë më të poshtër e më të këqij se qentë dhe derrat. Qëllimi i tyre i vetëm është që të zhdukin Islamin dhe të asgjësojnë muslimanët. Nuk është e mundur që t’u kundërpërgjigjemi pa pasur librin dhe Ndihmën e Zotit dhe në mungesë të shenjave të Tij. Pikërisht për ta arritur këtë qëllim, Zoti i Madhërishëm ka themeluar këtë ndërmarrje me duart e Tij”.

Nëse në këto rrethana ne, që pretendojmë se jemi ndjekës të Mesihut të Premtuar a.s. nuk përmirësojmë gjendjen tonë, dhe nuk i përmbushim zotimet tona me besnikëri, në përputhje me mësimet e Kuranit Famëlartë, atëherë as ne nuk jemi prej atyre njerëzve, të cilët do të përmbushnin besëlidhjen e tyre në këtë epokë të ripërtëritjes së Islamit. Jemi vetëm ne që duhet të rivendosim shkëlqimin e humbur të Islamit. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e ka ilustruar gjendjen e Islamit me një përshkrim rrëqethës, i cili përputhet plotësisht me realitetin e sotëm. Ne duhet t’i themi botës që nëse i konsideroni Islamin dhe muslimanët si inferiorë dhe i cilësoni më keq se kafshët, duhet të kuptoni se shpëtimi i botës së sotme varet pikërisht nga zbatimi i mësimeve që u është dhënë këtyre muslimanëve. Pra, ne duhet të vazhdojmë veprimtarinë tonë për të orientuar botën me vetëbesim të plotë dhe duke iu përkulur përulësisht Allahut.

Nganjëherë disa të rinj më shtrojnë pyetje. P.sh. një djalosh më pyeti se si mund të ballafaqohemi me këta njerëz që na përqeshin dhe na fyejnë. Unë i thashë: Zhvillo vetëbesimin dhe ji i bindur se çelësi i shpëtimit të botës sot është në duart tona. Sepse ne jemi ata që besojmë Mesihun e Premtuar alejhiselam i cili është shërbëtori i vërtetë i të Dërguarit të Allahut a.s. të cilin Allahu i Lartësuar e dërgoi për t’i dhënë botës mesazhin e jetës. Allahu i Madhërishëm e ka dërguar për të përhapur gjerësisht mësimet e sjella nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Njeriu mund të jetojë i lumtur në këtë botë si dhe mund të arrijë shpëtimin pas vdekjes vetëm nëse ai u përmbahet këtyre mësimeve të Islamit. Prandaj, thuajuni njerëzve që të mos ngazëllehen vetëm nga shkëlqimi dhe sukseset e kësaj jete, pasi jeta pas vdekjes është e përhershme, së cilës nuk i vjen fundi. Nëse njeriu kalon në jetën e përtejme, i zbrazur dhe duarbosh, ai do të tërheqë zemërimin e Zotit. Vetëm Allahu e di se si do të sillet Ai me të. Ne gjithmonë duhet të kemi parasysh faktin se gjersa po i bëjmë thirrje botës që të zgjohet dhe po alarmojmë atë me këshilla, nuk duhet të harrojmë edhe veten tonë, sepse çdo veprim dhe çdo fjalë e jona duhet të jetë në përputhje të plotë me këto mësime. Për këtë, duhet të arrijmë shkallën më të lartë të përkushtimit në adhurimin e Zotit dhe të tregojmë shembullin më të lartë për përmbushjen e të drejtave njerëzore.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka përshkruar gjendjen e Islamit dhe të muslimanëve në një vend tjetër me këto fjalë:

“Ajo që na ka mbetur tani nga Islami, është diçka që ka pësuar ndryshime dhe tashmë ai pasqyron vetëm cilësi e tipare të ulëta. Pra është privuar nga morale dhe cilësi të larta. Sinqeriteti i përmendur në shprehjen مُخْلِصِينَ لَهُ ٱلدِّينَ tashmë është ngritur në qiell. Cilësitë e besimtarëve si besnikëri nda Zotit, përkushtim, dashuri dhe mbështetja tek Ai tashmë janë zhdukur. Sot Zoti ka vendosur që t’i ringjallë këto fuqi edhe njëherë”.

Ne duhet të falënderojmë Zotin se Ai na ka mundësuar ta ndjekim atë të dërguarin e Tij, të cilin Ai ka caktuar për të mbrojtur Islamin nga një gjendje e rrënuar. Nëse jo-muslimanët dhe kundërshtarët e Islamit e kanë vënë atë në shënjestër të sulmeve dhe e quajtën këtë fe madhështore si diçka të ulët e të pavlerë, për këtë vetë muslimanët janë pjesërisht fajtorë. Nëse muslimanët nuk do të devijoheshin nga mësimet e Islamit dhe nuk do të pësonin rënie, armiku nuk do të gjendte kurrë guximin për t’iu vërsulur atij.

Megjithatë, sot kjo detyrë na përket neve t’i bindemi Allahut me besnikëri të plotë, siç ka thënë Mesihu i Premtuar a.s.. Sot ne duhet t’u përmbahemi urdhrave të Allahut të Madhërishëm me besnikëri dhe përkushtim. Sot ne duhet të përhapim dashuri në çdo kënd dhe të zhdukim ndjenjat e urrejtjes. Ne duhet t’i mbështetemi vetëm Allahut, se vetëm Ai ka fuqi për të ndrequr çdo punë dhe të besojmë fuqimisht se e vetmja fe e përsosur, e cila do të triumfojë në botë është Islami. Ne vetëm duhet të përqendrojmë të gjitha aftësitë tona në këtë drejtim dhe të bëhemi përkrahës të Mesihut të Premtuar a.s. në këtë mision. Ky është caktimi i Zotit, prandaj misioni i Mesihut të Premtuar a.s. si dhe premtimet që Ai i ka bërë atij do të përmbushen patjetër. Nëse japim kontributin tonë në këtë mision, do të trashëgojmë bekimet dhe mirësitë e Allahut të Madhërishëm. Por, nëse nuk hedhim asnjë hap në këtë drejtim, Allahu do të dërgojë një grup tjetër për të përkrahur Mesihun e Premtuar a.s., por ky mision do të kryhet me çdo kusht.

Prandaj duhet të jemi të vëmendshëm ndaj gjendjes sonë, dhe duhet të marrim hapat e nevojshëm për t’i larguar të metat dhe dobësitë tona. Cilat janë ato dobësi që duhet të largojmë? Lidhur me këtë Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Jetojmë në një kohë kur syfaqësia, narcizmi, vetëpëlqimi, egoizmi dhe mendjemadhësia janë përhapur gjegjësisht. Njeriu e konsideron veten si më të mirën. Pra cilësitë e ulëta si mendjemadhësi, inat, vetëpëlqim etj. janë shtuar jashtëzakonisht, ndërsa virtytet e larta si sinqeriteti etj. janë zhdukur nga toka. Mbështetja tek Allahu dhe meditimi, etj. nuk ekzistojnë më. Prandaj, vullneti i Zotit ka vendosur që këto morale të lulëzohen edhe njëherë”.

Kështu Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë se tashmë këto vese të shëmtuara janë përhapur gjithkund, ndërkohë cilësitë e mira dhe virtytet janë pothuaj zhdukur. Megjithatë, Allahu i Madhërishëm, i cili është shumë i mëshirshëm me robërit e Tij, nuk pëlqeu që njerëzit të përfundonin në humbje. Prandaj, Ai vendosi që virtytet të lulëzoheshin edhe njëherë, ndërsa veprave të liga t’u jepej fund. Kjo është arsyeja, përse secili prej nesh duhet të reflektojë nëse po bëjmë mjaftueshëm për ta përmbushur këtë mision të Mesihut të Premtuar a.s.. A po përpiqemi zellshëm për t’u dhënë fund ligësive? A po orvatemi aq sa duhet për të përvetësuar cilësi të larta? A po rrekemi fort për të arritur gradat më të larta të përkushtimit dhe adhurimit? Sigurisht, mundësi dhe aftësi për të bërë vepra të mira, na ka falur Allahu i Madhërishëm. Nëse ne nuk po përpiqemi me gjithë shpirt për të fituar mëshirën e Allahut, e cila fitohet vetëm përmes adhurimit. Megjithatë, ky adhurim duhet të jetë i tillë që kryhet duke synuar vetëm pëlqimin dhe kënaqësinë e Allahut dhe jo për t’i plotësuar dëshirat dhe interesat personalë. Nëse gjendemi akoma larg kësaj shkalle përkushtimi, përpjekjet tona janë të kota dhe dëshira jonë është larg realitetit. Prandaj, kemi nevojë për një reflektim më të thellë. Duhet të kërkojmë falje për gabimet e bëra, si dhe të bëjmë vepra që gjithmonë përputhen me vullnetin e Zotit.

Mesihu i Premtuar a.s. thotë: “Sinqeriteti e përkushtimi shërbejnë si parakusht për veprat. Siç Allahu i ka cilësuar ata me shprehjen مُخْلِصِينَ لَهُ ٱلدِّينَ  d.m.th. që i nënshtrohen Atij me besnikëri. Një përkushtim i tillë gjendet në sjelljen e njerëzve të druajtur dhe të devotshëm. Njeriu që i kushtohet tërësisht Zotit, dhe Zoti bëhet i tij.”

Pra, kjo është cilësi dhe parim që duhet përvetësuar. Jemi ne, që vetë nuk i përmbushim të drejtat e Zotit dhe themi se Allahu nuk u përgjigjet lutjeve tona. Disa njerëz ankohen në këtë mënyrë. Le të analizojmë se deri në çfarë mase kemi përmbushur të drejtat e Zotit. Megjithatë, Ai është kaq bujar dhe i mëshirshëm saqë pavarësisht gabimeve tona të shumta, Ai vazhdon të na bekojë. Pra, ne duhet të përqendrojmë vëmendjen tonë në mënyrën se si duhet të përmbushim urdhrat e Zotit. Porosia e Tij më e rëndësishme është që ta adhurojmë vetëm Atë.

Nëse kemi arritur të ndërtojmë një xhami, tashmë na takon të përmbushim të drejtën e saj. Ju duhet të hyni në këtë xhami, për të adhuruar Zotin me sinqeritet të plotë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka nënvizuar këtë çështje. Ai thotë:

“Allahu i Madhërishëm ka thënë: ‘Unë i kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm që të Më adhurojnë’. Por, adhurimi i tillë dhe përulësia e qëndrueshme para Zotit nuk mund të arrihen pa pasur një ndnjenjë dashurie që buron nga shpirti. Por kjo dashuri nuk duhet të jetë e njëanshme, por ajo duhet të jetë dyanshme që buron si nga Krijuesi po ashtu nga krijesa. Ajo i ngjan vetëtimës e cila e godet një trup të pajetë, ndërkohë prej atij gjithashtu shkrepet një dritë verbuese e cila bie mbi dobësitë e tij shpirtërore dhe i shkrumbojnë tërësisht. Këto dy vetëtima e zotërojnë plotësisht këtë qenie. Prandaj, ne duhet të mbrojmë namazet tona me një vëmendje të qëndrueshme dhe një përqendrim të vazhdueshëm. Megjithatë, kjo mund të ndodhë vetëm kur njeriu ushqen një dashuri të pastër për Zotin, pra një dashuri të tillë personale që nuk ndien për askënd tjetër. Kur dashuria për Zotin bashkohet me dashurinë për njerëzit, ajo sjell rezultate të tilla që shkaktojë një revolucion shpirtëror.

Ata njerëz që, vetëm pas një kohe të shkurtër që kanë harxhuar në lutje, shprehin lodhje, ose ata që duan të mësojnë thelbin e lutjes dhe ata që duan të krijojnë një lidhje me Zotin duhet ta thellohen në këtë aspekt. Ata nuk duhet të trokasin në derën e Allahut, vetëm kur kanë një hall, por të krijojnë një dashuri personale për Allahun, dhe vetëm atëherë Allahu e do atë. Për ta arritur këtë, është e nevojshme që urdhrat e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij s.a.v.s. të zbatohen plotësisht. Dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. është gjithashtu e rëndësishme si dhe bindja ndaj tij që buron nga kjo dashuri. Kur dashuria ndaj Allahut bashkohet me dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ajo tërheq bekimet e Tij, në përmasat përtej imagjinatës së njeriut.

Pastaj Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Meqë Zoti e ka krijuar njeriun nga natyra vetëm për veten, siç Ai ka thënë: وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ  se unë i kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm që të Më adhurojnë” (51:57). Prandaj Allahu ka ngulitur diçka në natyrën e njeriut që i përgjigjet vetëm Atij dhe përmes mjeteve të fshehta e ka bërë njeriun për veten e tij. Kjo tregon se qëllimin e vërtetë, për të cilin Allahu ju ka krijuar është që të adhuroni Allahun. Megjithatë, ata njerëz që e kanë harruar këtë qëllim të vërtetë dhe të natyrshëm, dhe mendojnë se qëllimi i tyre është të hanë, pinë dhe të flenë si shtazë, dhe kanë çuar veten larg nga bekimet e Zotit, duhet të dinë se as Zoti nuk kujdeset për ta. Jeta që tërheq mbrojtjen dhe kujdesin e Zotit është ajo që përshkruhet në fjalët Ata nuk veprojnë me përgjegjësi ndaj Zotit. Jetesa e përgjegjshme është si kjo: : وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ (Unë i kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm që të Më adhurojnë” Kurani 51:57). Njeriu duhet ta besojë parimin e përmendur në këtë ajet, dhe të ndryshojë korsinë e jetës dhe t’i përmbahet plotësisht kahjes së adhurimit duke e bërë qëllimin dhe synimin e jetës.

Ai shkruan: “Vdekjes nuk i dihet çasti. Duhet të kuptoni se qëllimi i Zotit përmes krijimit tuaj, është ju ta adhuroni Atë dhe t’i nënshtroheni Atij. Mos e bëni botën qëllimin dhe synimin tuaj parësor. Kjo është arsyeja që unë ju shpjegoj vazhdimisht këtë çështje. Sipas meje ky është i vetmi qëllim për të cilin është krijuar njeriu dhe pikërisht këtë çështje ai e ka lënë pas dore. Megjithatë, unë nuk dua as që ju të hiqni dorë nga punët e dynjasë, të ndaheni nga gratë dhe fëmijët tuaj dhe të jetoni në vetmi në pyll apo në mal. Islami nuk lejon jetë asketike apo murgëria nuk janë aspak qëllimi i jetës sipas Islamit. Përkundrazi, Islami synon të bëjë njeriun të shkathët, të papërtuar dhe të aftë, ndaj them që punët tuaja duhet t’i ndiqni me zell dhe vrull të plotë. Sipas një hadithi, njeriut që posedon tokë dhe nuk kujdeset për të, do t’i kërkohet llogari. Prandaj, nëse dikush arrin në këtë përfundim se Islami na nxitka të heqim dorë tërësisht nga punët e dynjasë, ai bën një gabim trashanik. Jo! E vërteta është që në të gjitha këto veprime që njeriu i bën, duhet parë se qëllimi kryesor të jetë kënaqësia e Allahut. Njeriu duhet t’i japë epërsi vullnetit të Zotit dhe jo interesit apo dëshirës personale. Pra, kjo çështje lyp vëmendjen dhe interesimin tonë.”

Ai shkruan me dhimbje të madhe: “Unë ju bëj thirrje vazhdimisht që të mos harroni se cili është qëllimi i jetës”.

Nëse deklarojmë se kemi bërë bejat (besëlidhjen) te Mesihu i Premtuar a.s. ndërkohë e kemi harruar qëllimin tonë në jetë, në këtë rast bejati ynë nuk na sjell asnjë dobi, dhe ato që kemi deklaruar janë thjesht fjalë goje.

Çdo musliman ahmedian duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë kësaj çështjeje. Le të mendojë e të kontrollojë gjendjen e tij dhe të shikojë se brenda një dite sa minuta ka harxhuar për të adhuruar Allahun e Plotfuqishëm. A mund të arrijmë qëllimin e jetës sonë, duke kaluar vetëm disa minuta në adhurim, madje edhe gjatë asaj kohe, kemi qenë shumë pak të vëmendshëm në namaz dhe pjesa tjetër pa menduar.

Allahu i Madhëruar nuk na ndalon nga punët e dynjasë, madje pret që një besimtar i vërtetë të arrijë majën më të lartë në profesionin e tij, në ndërmarrjen, në tregtinë apo në detyrën e tij. Por ai gjithashtu thotë: “Krahas punëve të kësaj bote, mos harroni qëllimin tuaj të krijimit. Duhet të kujdeseni për namazet tuaja. Kur të keni ndërtuar një xhami, mos u mburrni për bukurinë e saj fizike, pasi hijeshia e saj e vërtetë vjen përmes adhuruesve të sinqertë. Hidhni hapat në kërkim të takuas (druajtjen e Zotit) dhe bëni përpjekje për të arritur gradën më të lartë takuas. Nëse arrini këtë shkallë, ju mund të quheni me të drejtë, adhurues të vërtetë.

Pastaj Allahu i Madhëruar ka thënë se “Adhuruesit e vërtetë kujdesen për ruajtjen e pastërtisë së jashtme dhe të brendshme.” Prandaj, ata që falin namazin, janë inkurajuar që t’i mbajnë të pastra rrobat e tyre dhe të marrin abdes para çdo namazi, sepse higjiena e jashtme ndikon në botën e brendshme të njeriut. Përveç kësaj abdesi ndihmon të kthjellojë e të freskojë mendjen e njeriut. dhe mund t’i kushtojë më shumë vëmendje namazit.

Pastaj, krahas urdhërit për të falur, është gjithashtu dispozita e Islamit që të hamë e të pimë me përkore, dhe të mos kalojmë masën e duhur. Një kuptim i përgjithshëm i ushqimit të balancuar është se ai është një dietë e ekuilibruar, pra besimtari nuk tejkalon masën e lejuar dhe duke iu përmbajtur masës, ai gëzon shëndet të mirë dhe mbetet aktiv për të kryer ritet e adhurimit ashtu siç duhet. Po ashtu, një kuptim tjetër është se qëllimi i një besimtari nuk është vetëm të hajë, të pijë dhe të flejë siç Allahu e ka përshkruar këtë si tipar i një jete shtazore.

Sapo ju kam recituar një fragment nga shkrimet e Mesihut të Premtuar a.s., në të cilin ai gjithashtu shpjegoi se këto janë tiparet e kafshëve. Nëse e shtjellojmë akoma, ky shkrim gjithashtu tregon se njeriu nuk duhet të jepet vetëm pas gjërave dhe dëshirave të kësaj bote, por të kuptojë dhe të zbulojë kuptimin dhe qëllimin e krijimit të tij.

Ndonëse, një rob besnike i Zotit gjithashtu merret me çështjet e kësaj bote, por ai kurrë nuk e lë veten të zhytet kaq shumë saqë të mos kuptojë se është koha e namazit dhe ta kryejë namazin. Besimtari i sinqertë është gjithmonë i vetëdijshëm për kohët e namazit, dhe sa herë që vjen koha e namazit, ai kupton se koha e punëve të dynjasë ka mbaruar dhe ai duhet t’i përgjigjet thirrjes së Zotit. Po ashtu, njeriu duhet të falë namazin, duke përmbushur të gjitha porositë e Allahut. Njeriu nuk duhet të nxitojë në namaz, por ta kryejë atë me qetësi e vëmendje. Krahas pastërtisë dhe formës së jashtme, besimtari duhet të mbushë shpirtin me bukurinë e takuas.

Pastaj Allahu thotë se sigurisht, jeni lejuar të hani dhe të pini. Çdo gjë që është e pastër dhe e dobishme është krijuar për ju. Ju lejohet të bëni tregti, apo të merreni me punët e kësaj bote. Megjithatë, nëse përfshirja juaj në punët e kësaj bote, ju largojnë apo ju pengojnë nga adhurimi i Allahut, apo ju bëjnë të harroni përmendjen e Zotit, atehere ky quhet tejkalimi i kufirit, gjë që e urren Allahu. Disa njerëz ankohen dhe thonë: “Pse janë obliguar pesë namaze, pasi është shumë e vështirë të falësh namaze në ditët e sotme? Si duhet të shkëputet nga puna për të falur pesë namaze?”

Allahu i Madhërishëm thotë: “Kjo punë nuk është e vështirë. Por, kur përqendroheni vetëm në çështjet e dynjasë, ju e harroni Zotin, dhe ky është tejkalimi dhe mosrespektimi i kufirit. Një sjellje e tillë, dalëngadalë do t’ju largojë nga Allahu. Nëse njeriu shfaq një sjellje që është e papëlqyer tek Allahu, ai mbetet plotësisht i vetmuar e i pambrojtur dhe nuk i mbetet asgjë. Nëse ai dëshiron, mund të thotë: “Unë jam musliman. Unë jam ahmedian. Kam lidhur bejatin me Imamin e kohës sipas porosisë së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.”. Pra, nëse sjellja dhe praktika e tij i kundërvihen urdhrit të Zotit, ai tërheq pakënaqësinë e Tij.

Allahu i Madhërishëm na ka dhënë një mësim të qartë dhe të ekuilibruar. Sipas këtij mësimi, njeriu ka të drejtë fitojë botën, por gjithashtu duhet të mbajë parasysh çështjen e fesë. Ai nuk duhet të prishë ekuilibrin apo të shkelë kufirin. Besimtari i vërtetë është ai që i jep epërsi fesë krahas kësaj dynjaje. Nëse një person në të vërtetë i jep epërsi fesë krahas jetës së kësaj bote, Allahu i Madhërishëm gjithashtu i çel rrugë të reja të riskut dhe i jep begati në punë. Pra, ata që u nënshtrohen urdhrave të Zotit, ia nënshtrojnë jetën e tyre ligjit të Zotit dhe kërkojnë të lartësojnë nivelin e adhurimit të tyre, falë mëshirës së Zotit, nevojat e tyre të kësaj bote plotësohen gjithashtu. Por, nëse dëshirat dhe babëzia për botën e mbizotërojnë atë, ato kthehen në një zjarr flakërues, që nuk shuhet kurrë, dhe i cili e gllabëron dhe shkrumbon njeriun. Në një gjendje të tillë, njeriut nuk i mbetet asgjë në ahiret, i cili përbën jetën reale.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Xhamitë e Allahut i ndërton vetëm ai që beson në Allah dhe në ditën e ahiretit…”. (Kurani Famëlartë 9:18)

Pra, ne duhet të radhitemi ndër ata besimtarë që i ndërtojnë dhe popullojnë xhamitë. Tiparet e këtyre besimtarëve janë të tilla se pasi që përfundon një namaz, ata presin për namazin tjetër. Sikur pyeson se kur është koha për namazin tjetër dhe kur ata duhet të shkojnë në xhami. Ky është qëllimi i ndërtimit të një xhamie që ajo të frekuentohet dhe gjallërohet në këtë mënyrë.

Pas ndërtimit të kësaj xhamie, besimtarët që banojnë këtu, kanë për detyrë ta popullojnë atë. Kjo është mënyra për të përvetësuar bekimet e Allahut. Njeriu duhet gjithashtu të përmirësojë veten dhe të frymëzojnë gjeneratat e ardhshme për të krijuar një lidhje të gjallë me Zotin. Përndryshe, shkëlqimi sipërfaqësor i botës materiale do t’i largojë brezat tona nga rruga e besimit. Është e rëndësishme që fëmijët, që në moshë të re, të lidhen me xhaminë dhe t’u tregohet atyre rëndësia e besimit. Kjo është përgjegjësia e dy prindërve në mënyrë të barabartë, pra e nënës dhe e babait. Po ashtu, ata nuk duhet të harrojnë se me ndërtimin e xhamisë, siç kam thënë edhe më parë, dhe veçanërisht pas përurimit të saj, xhemati do të njihet më shumë. Kështu do të prezantohet xhamia dhe njësoj Islami dhe në këtë mënyrë do të çelen shtigjet e thirrjes dhe do të krijohen kontakte të reja. Andaj, çdo musliman ahmedian ka për detyrë të përfitojë nga këto mundësi dhe t’u përcjellë mesazhin e Islam-Ahmediatit.

Hazreti Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë:

“Në këtë kohë Xhemati ynë ka shumë nevojë për xhami. Ajo është shtëpia e Zotit. Nëse ndërtohet një xhami në një fshat apo qytet, është sikurse janë hedhur themelet e fitores së xhematit në të. Megjithatë, qëllimi pas ndërtimit të xhamisë, duhet të jetë i pastër e i sinqertë. Ajo të ndërtohet vetëm për hir të Zotit.”

Pra në fjalët e Mesihut të Premtuar a.s. bazat për suksesin e xhematit tashmë janë hedhur përmes kësaj xhamie. Nëse ahmedianët këtu do të përpiqen me sinqeritet, do të arrijnë nivelin më të lartë në adhurim, atëherë të jeni sigurt se në dashtë Allahu, themelet e suksesit të Xhematit janë hedhur edhe këtu. Tani, vazhdoni të ngrini shkallën e adhurimit dhe përkushtimit tuaj. Duhet të ngjallni rëndësinë e përkushtimit, lutjes dhe të adhurimit në zemrat e brezave të ardhshëm. Vetëm në këtë mënyrë, mund të shohim një ndryshim rrënjësor në këtë shoqëri materialiste.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë: “Bukuria e vërtetë e xhamive, nuk qëndron në godinat e tyre, por tek adhuruesit që falin namazin me përkushtim e sinqeritet”.

Allahu ua mundësoftë të gjithëve që të falin namazet e tyre me dëlirësi dhe në këtë mënyrë ta popullojnë këtë xhami! Allahu na i pranoftë lutjet dhe adhurimet tona!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem