Mbulimi i gabimeve të tjerëve dhe istigfari
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Mbulimi i gabimeve të tjerëve dhe istigfari

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Nuk ka njeri në botë që është i pastër nga çdo lloj dobësie. Është vetia e mbulimit  e Zotit të Madhërishëm (Set-tar) që na mbulon gabimet. Nëse njeriut do t’i zbulohen lajthitjet, gabimet dhe mëkatet, ai nuk do të ketë fytyrë që të dalë përpara të tjerëve. Zoti i Madhërishëm që është “Mbuluesi i dobësive” dhe “Falësi i gabimeve” na bëri mirësi duke na mësuar se si duhet t’i lutemi dhe si duhet t’i kërkojmë falje (istigfar) Atij, në mënyrë që të përpiqemi për t’u ruajtur nga gabimet dhe mëkatet. Gjithashtu, Ai na bëri mirësi duke na dhënë lajmin e mirë që Ai do të na falë gabimet, do të na mbulojë dhe do të na pranojë lutjet.

Allahu i Madhërishëm, në përgjithësi, i mbulon gabimet çdo njeriu. Falja e tij i mbulon në mënyrë të veçantë ata që i kërkojnë falje (istigfar). Fjala “gafara” do të thotë “fsheh” dhe “mbuloj” dhe pak a shumë ky është edhe kuptimi i fjalës “satara”. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Zoti që paraqet feja Islame dhe që e besuan muslimanët është i Gjithëmëshirshëm, Bujar, Falës dhe Mbulues i gabimeve. Ai që bën pendesë të sinqertë, Zoti ia pranon pendesën dhe ia fal gabimet. Por në botë edhe vëllai biologjik të jetë ose ndonjë i afërm, kur shikon një gabim të tjetrit, e quan gabimtar, edhe kur ky i fundit heq dorë nga gabimi i tij.

Pra, kur dikush heq dorë nga një mëkat a dobësi e caktuar, prapëseprapë njerëzit e botës e shikojnë dhe e gjykojnë atë si mëkatar dhe shkelës. Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Por sa i Mëshirshëm është Zoti i Madhërishëm, i cili e fal njeriun edhe kur ky i fundit gabon një mijë herë. Nuk ka njeri në botë që ngjyroset tërësisht me ngjyrën e Allahut, me përjashtim të profetëve. Pra, vetëm profetët arrijnë të tolerojnë njerëzit e tjerë siç toleron Zoti i Madhërishëm. Situata në përgjithësi është ajo që thotë Sa’di:

خداداند بپوشد و ہمسایہ نداند و بخراشد

Zoti i Madhërishëm edhe kur ia di gabimin njeriut, e mbulon, por fqinji e zbulon edhe sikur të ketë fare pak informacion rreth gabimit të tij.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., në një vend tjetër, e shpjegoi këtë varg të Sa’dit si më poshtë:

Zoti i Madhërishëm, për shkak të vetisë së Tij të të qenit Set-tar, i mbulon gabimet njeriut, edhe pse i shikon, derisa njeriu nuk e kalon masën. Por njeriu pa e ditur mirë gabimin e tjetrit, ia nxjerr në shesh. Andaj, mendoni pakëz se çfarë madhështie fshihet pas kësaj vetie të Zotit të Madhërishëm! … Nëse Zoti i Madhërishëm dëshiron, mund t’i ndëshkojë që të gjithë, por bujaria dhe mëshira e Tij janë aq të gjera, saqë ato e përfshin edhe zemërimin e Tij.

Nëse ne arrijmë ta kuptojmë këtë thelb dhe nuk qëndrojmë në kërkim të gabimeve të vëllezërve tanë, të shokëve tanë dhe të gjithë atyre që janë në shoqërinë tonë, mund të ndërtohet një shoqëri plot dashurie dhe paqeje. Ka shumë prej nesh, të cilët në vend që t’ua mbulojnë gabimet të tjerëve, janë në përpjekje për t’ua zbuluar. Kur dikush flet kundër tyre ose kur ata marrin vesh nëpërmjet dikujt se filani ka folur keq për ta, zemërohen dhe skuqen dhe bëhet gati për ta vrarë. Por kur vetë thonë diçka për dikë, e vlerësojnë si të vogël. Gjithmonë duhet të mbajmë në mend porosinë e Profetit Muhammed s.a.v.s.:

“Dëshironi për vëllain tuaj të njëjtën gjë që dëshironi edhe për veten!”

Andaj, nëse parapëlqeni mbulimin për gabimet e veta, duhet të keni të njëjtat ndjenja edhe për të tjerët. Ky është pikërisht ai parim i artë, që është i nevojshëm për paqen e shoqërisë.

Kështu që, duke parë gabimin, në vend që ta përhapim atë, duhet t’i kërkojmë falje Zotit. Zoti i Madhërishëm është i Vetëmjaftueshëm dhe duhet të kemi frikë se atë gabim mund ta kemi edhe ne dhe, në të ardhmen, edhe mund ta shfaqim atë. Nëse njeriu përpiqet me synim të pastër për t’ia mbuluar gabimet tjetrit, kjo gjë atij i sjell bekimet e Zotit të Madhërishëm. Gjithmonë duhet ta mbajmë mend porosinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.:

“Nëse Zoti i Madhërishëm dëshiron, mund t’i ndëshkojë që të gjithë”.

Andaj, në këtë çështje njeriu duhet të ketë shumë frikë ndaj Zotit dhe gjithnjë duhet të bëjë istigfar. Njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

“Ai që i mbuloi gabimin vëllait të tij musliman, Zoti atij do t’ia mbulojë gabimin ditën e gjykimit. Kurse ai që ia zbulon gabimin tjetrit, Zoti i Madhërishëm do t’ia zbulojë turpin aq shumë saqë ai do të turpërohet brenda shtëpisë së vet”.

Sa e rëndë është kjo! Sa shumë duhet të kemi frikë ndaj Zotit! Andaj, nëse duam bekimin e Zotit të Madhërishëm, në vend që të kemi sy te gabimet e të tjerëve, duhet të shohim tek vetvetja. Disa njerëz pohojnë

Nëse nuk do t’ia zbulojmë gabimin filanit, si mund të përmirësohet ai?!

Gjithmonë mbajeni mend! Nëse gabimi i ndonjërit e dëmton sistemin e Xhematit ose e përfshin një pjesë të shoqërisë në pasojat e tij, juve ju duhet vetëm t’ia çoni çështjen njerëzve që janë përgjegjës në Xhemat, pra Amirit ose Presidentit të Xhematit, ose mund të më shkruani mua, në mënyrë që t’i kushtohet vëmendja reformës. Edhe Zoti i Madhërishëm nuk do që sistemi i atij Xhemati, të cilin Ai Vetë e ka ndërtuar, të prishet. Ai nuk dëshiron që gabimi i një individi të shndërrohet në një të keqe shoqërore. Andaj, Vetë Zoti i Madhërishëm ua zbulon gabimet e tyre në një kohë të caktuar.

Siç e thotë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. që ai që këmbëngul që gabimi i dikujt patjetër të zbulohet, duhet të dijë se Zoti i Madhërishëm vëzhgon gabimet e njerëzve, por për shkak të vetisë së Tij të mbulimit, ua mbulon derisa ato nuk e kalojnë masën. Kur njeriu vetë e kalon masën, vetia tjetër e Allahut të Madhërishëm, që është ajo e ndëshkimit, fillon të veprojë. Dhe kur vetia e ndëshkimit vepron, Ai mund ta ndëshkojë që në këtë botë, duke ia shtuar edhe ndëshkimin e botës tjetër. Pra, është e ndaluar ta zbuloni e ta përhapni gabimin e dikujt, sepse ky veprim nuk i jep fund gabimit, përkundrazi e përhap akoma më shumë.

Në lidhje me këtë, gjithmonë duhet të kemi parasysh porosinë e Profetit Muhammed s.a.v.s., që thotë:

“Nëse ndjek gabimet e njerëzve, do t’i prishësh akoma më shumë”.

Të ndjekësh gabimet e njerëzve do të thotë që t’i përmendësh ato, të jesh në kërkim të tyre dhe t’i zbulosh ato. Nëse njeriu vepron në këtë mënyrë, ai do t’i përkeqësojë ato akoma më shumë, rrjedhimisht do të prishet edhe paqja e shoqërisë. Së dyti, njerëzit që kanë ato gabime, kur shohin po bëhet ndjekje e tillë e gabimeve të tyre, ata bëhen kokëfortë akoma më shumë dhe pastaj ata do të përpiqen që edhe të tjerët të bëhen njësoj si ata, në mënyrë që të zgjerohet grupi i tyre. Ata nuk do të kenë më ndonjë perde dhe pas kësaj, nuk do të ekzistojë mundësia e përmirësimit të tyre.

Andaj, këtu dua t’u tërheq vëmendjen atyre që kanë përgjegjësi në Xhemat, sidomos ata që kanë sektorin e edukimit dhe të përmirësimit, që ata ta bëjnë detyrën e tyre me kujdesin maksimal dhe me ndjenja dhembshurie. Asnjëherë askush duhet të ndihet që një gabim i caktuar i tij është zbuluar dhe është përhapur para njerëzve nga një përgjegjës i caktuar. Nëse krijohet kjo ndjenjë, reaksioni i saj do të jetë shumë i rëndë. Përgjegjësit e sektorit të përmirësimit, duke ua zbuluar gabimet të tjerëve, jo vetëm që do të cenojnë shoqërinë, do të tërheqin edhe mospëlqimin e Zotit të Madhërishëm. Allahu i Madhërishëm do t’u thotë: Unë ju kisha dhënë mundësinë për të shërbyer në Xhemat, që ju të përvetësoni sa më shumë vetitë e Mia, por ju po veproni kundër vetisë Sime të mbulimit dhe po shkaktoni shqetësime në shoqëri!

Se sa shumë e do Allahu i Madhërishëm mbulimin e gabimeve dhe se sa shumë e begaton atë që ua mbulon gabimet të tjerëve, në lidhje me këtë, njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

“Muslimani është vëllai i muslimanit tjetër. Ai nuk i bën padrejtësi e as nuk e lë vetëm”.

Çfarë fatkeqësie është për muslimanët, që vetë ata po i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, po vrasin njëri-tjetrin dhe nuk ka njeri prej tyre që t’i kushtojë vëmendje kësaj porosie të Profetit Muhammed s.a.v.s.. Sidoqoftë, thënia e Profetit s.a.v.s. vijon:

“Ai që angazhohet në përmbushjen e nevojës së vëllait të tij, Allahu i Madhërishëm angazhohet në përmbushjen e nevojës së tij. Ai që i largon dhimbje muslimanit tjetër, Allahu i Madhërishëm do t’ia pakësojë një dhimbje edhe atij ditën e kiametit. Ai që i mbulon gabimin muslimanit tjetër, Allahu i Madhërishëm do t’ia mbulojë gabimin edhe atij ditën e kiametit”.

Kështu që, mbulimi i gabimeve të tjerëve është jashtëzakonisht i nevojshëm për të tërhequr bujarinë dhe mëshirën e Zotit të Gjithëmëshirshmit. Po ashtu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. njëherë tjetër tha:

“Çdo rob që i mbulon gabimin robit tjetër në këtë botë, Zoti do t’ia mbulojë gabimin ditën e kiametit”. Pra, kjo do të thotë se Zoti i Madhërishëm nuk do ta lërë robin e tillë pa e shpërblyer. … Allahu i Madhërishëm kaq shumë është Mëshirëbërës ndaj robit të Vet saqë, në një hadith tjetër thuhet:

“Zoti do ta pyesë robin e Tij: A kishe bërë ti filan veprim?

“Po o Zot, unë e kisha bërë atë veprim”, do t’i përgjigjet robi.

Zoti do t’i thotë atij: “Unë ta mbulova dobësinë gjatë jetës sate, dhe bota nuk e ka ditur që ti e kisha bërë atë veprim të keq. Edhe sot, në ditën e gjykimit, po ta mbuloj gabimin dhe po të fal ty”.

Kjo është sjellja e Zotit me robin! Andaj, nëse edhe duam të përfitojmë nga vetia e mbulimit të Zotit të Madhërishëm, kemi nevojë t’ua mbulojmë gabimet të tjerëve. Le të mos mendojë askush që është i pastër nga gabimet dhe se tjetri ka gabime. Është vetëm bekimi i Zotit të Madhërishëm që Ai na i ka mbuluar gabimet tona.

Andaj, gjithmonë të keni parasysh këtë që tha Hazret Mesihu i Premtuar a.s.:

Në të vërtetë, Zoti i Madhërishëm ia mbulon gabimet njeriut, sepse Ai është Mbuluesi (Set-tar) dhe shumë njerëz quhen të dëlirë vetëm për shkak të mbulimit të gabimeve të tyre nga ana e Zotit. Po të mos i kishte mbuluar Zoti, do t’u dilte sheshit se sa shumë ndyrësi fshehin.

Robi këtë duhet ta ketë parasysh gjithmonë. Më pas nga njëra anë, t’i kërkojë falje Zotit për gabimet e veta e të përpiqet për t’u mbuluar me mantelin e mëshirës së Zotit dhe, nga ana tjetër, t’i tolerojë edhe gabimet e të tjerëve. Pra, le të mos përpiqet për të hetuar e për të zbuluar gabimet e të tjerëve, por ta shikojë vetveten se çfarë njeriu është. Njeriu gjithmonë duhet të mendojë se ashtu siç Zoti i Madhërishëm ia mbuloi gabimet, edhe ai duhet t’ua mbulojë gabimet të tjerëve.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Morali i njeriut përsoset atëherë, kur ai karakterizohet me karakterin e Allahut, që do të thotë, ai duhet të ndjekë maksimalisht atributet e Allahut dhe të përpiqet për t’u ngjyrosur me ngjyrën e Allahut. Për shembull, Zoti i Madhërishëm është shumë Tolerant. Edhe njeriu duhet të tolerojë shumë, duke falur gabimet të tjerëve. Po kështu, Zoti i Madhërishëm ka atributin e mëshirës, të durimit, të bujarisë, edhe njeriu duhet të jetë i mëshirshëm, i duruar dhe bujar ndaj njerëzve të tjerë. Zoti i Madhërishëm është Mbuluesi (Set-tar), edhe njeriu duhet të marrë pjesë në vetinë e të qenit Mbulues dhe t’u mbulojë gabimet dhe dobësitë vëllezërve të tij.

Disa njerëz e kanë zakon që kur shohin një gabim të dikujt, nuk qetësohen derisa nuk e përhapin mjaftueshëm. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha se ai që i mbulon gabimin vëllait të tij, Zoti i Madhërishëm e mbulon atë. Njeriu nuk duhet të jetë i pandërgjegjshëm, nuk duhet të bëjë padrejtësi ndaj njerëzve dhe duhet të sillet me dashuri e mirësi.

Njëherë në një takim me Hazret Mesihun e Premtuar a.s., dikush përmendi dobësitë e dikujt tjetër. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. iu drejtua atij dhe tha:

I paskeni numëruar dobësitë të gjitha, do të ishte mirë nëse do të na tregonit edhe të mirat e tij.

Kështu që, nëse duam të largojmë të këqijat e shoqërisë dhe të përhapim paqe e dashuri, është e nevojshme që njerëzve të tjerë t’ua mbulojmë gabimet dhe t’ua zbulojmë të mirat. Kur shfaqim të mirat e të tjerëve, shkaktojmë edhe nxitje për to. Roli i muslimanit të vërtetë në shoqëri është pikërisht të përhapë mirësi.

Të përhapni ligësitë e të tjerëve sa për kënaqësinë e gjuhës ose sa për të gjallëruar rrejshëm atmosferën e shoqërisë, është një mëkat shumë i madh. Çdo ahmedian duhet të ruhet nga një veprim i tillë. Ne e kemi pranuar Hazret Mesihun e Premtuar a.s. duke bërë bejtin e tij dhe jemi betuar: nuk do të trazojmë askënd, as me gjuhë e as me dorë.

Nuk duhet të harrojmë që plagët e shkaktuara nga gjuha mbesin gjatë. Gjithashtu, përqeshja ndaj të tjerëve dhe zbulimi i gabimeve të tjerëve nganjëherë shkaktojnë pasoja të përhershme. Andaj, duhet të kemi shumë kujdes dhe të ushqejmë në zemër dashamirësinë dhe dhembshurinë e vërtetë ndaj vëllait tjetër dhe kjo vërtetohet vetëm atëherë kur ia mbuloni dobësitë dhe të mos ia zbulojmë ato as me shaka e as seriozisht.

Po, është kërkesë e dhembshurisë së sinqertë që kur t’ia shihni dobësinë tjetrit, të përpiqeni që ai ta përmirësojë veten duke e larguar dobësinë, gjithashtu, të përpiqeni që ndikimi i tij të mos përhapet në shoqëri. Kjo mirësi tërheq bekimin e Zotit të Madhërishëm. Çfarë pret Hazret Mesihu i Premtuar a.s.  në lidhje me këtë, ai thotë:

Kur të shihni dikë të dobët, duhet ta këshilloni atë në fshehurazi. Nëse ai nuk ju pranon, të luteni për të. E nëse nuk shikoni dobi nga asnjëra prej këtyre dy përpjekjeve, kuptojeni se kjo është një çështje e caktimit të Zotit. Derisa Zoti i Madhërishëm e ka pranuar një njeri të tillë (në xhematin e tij), atëherë detyra juaj është të mos u nxehni duke parë dobësinë e tij.

Pra, derisa Zoti i Madhërishëm e ka pranuar atë dhe i ka dhënë mundësi të jetë pjesë e Xhematit të Mesihut të Premtuar a.s., dhe ai nuk po ndëshkohet për dobësinë e tij aq sa ju dëshironi, dobësia e tij po mbulohet në ndonjë farë mënyre dhe vetëm ju jeni në dijeni për të, atëherë ju aspak nuk duhet të nxeheni, përkundrazi, duhet të heshtni. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon: Zoti i Madhërishëm vetë do të hapë ndonjë rrugë për të dhe mundet që ai të përmirësohet në të ardhmen.

Kjo tregon që te Mesihu i Premtuar a.s. një njeri që është ahmedian dhe që ka hyrë në bejtin e tij, Zoti i Madhërishëm e ka pranuar atë. Dhe derisa Zoti i Madhërishëm e ka pranuar atë, atëherë dikush tjetër nuk ka të drejtë të kërkojë dobësitë e tij dhe t’i përhapë ato përpara njerëzve. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha “mundet që ai të përmirësohet në të ardhmen”. Më tutje, duke e vijuar të njëjtën temë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Kutbë dhe abdalë [njerëzit me pozitë të lartë tek Zoti, jo profetë a kalifë] nganjëherë bëjnë ndonjë gabim. Madje thuhet, “el-kutbu ked jezni”, edhe kutbi përfshihet në zina [kurvëri]. Gjithashtu, shumë të tjerë që ishin vjedhës dhe kurvarë, u bënë kutbë dhe abdalë.

Nuk është mënyra jonë të braktisim dikë nga nxitimi. Kur dikujt i prishet fëmija, ai përpiqet maksimalisht që ta përmirësojë atë. Në të njëjtën mënyrë, nuk duhet të braktisni vëllain tuaj. Ashtu siç përpiqeni për përmirësimin e fëmijëve tuaj, duhet të përpiqeni edhe për të larguar dobësitë e vëllezërve tuaj. Bashkë me përpjekje duhet të bëni edhe lutje. … Nuk është mësimi i Kuranit Famëlartë që, kur të shikoni dobësinë e dikujt, ta përhapni atë e ta diskutoni me të tjerët, përkundrazi, ai thotë:

وَتَوَاصَوۡاْ بِٱلصَّبۡرِ وَتَوَاصَوۡاْ بِٱلۡمَرۡحَمَةِ

“ata këshillojnë me durimin dhe me mëshirën”. (Kurani Famëlartë 90:18) Merhemet do të thotë të këshilloni tjetrin kur shikoni dobësinë e tij dhe të luteni për të. Lutja ka shumë fuqi. Vaj për atë njeri që njëqind herë përmend një dobësi të dikujt, por lutjen nuk e bën asnjëherë. Dobësinë e tjetrit mund ta tregoni atëherë, kur të keni bërë lutje me të qara për të, të paktën dyzet ditë.

Nuk do të thotë që pas kësaj, ju fitoni lejen për ta përhapur dobësinë e tjetrit, por do të thotë se edhe kur doni të ankoheni pranë përgjegjësve të sektorit të përmirësimit, të bëni përpjekjet dhe lutjet tuaja e më pas të ankoheni për të. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Nuk e kam fjalën që të bëheni përkrahës të dobësisë. Pra, do të thotë se nuk duhet ta lëvdoni dobësinë. Por e kam fjalën që të mos e përhapni dhe të mos e përgojoni atë para njerëzve të tjerë. Sepse Libri i Allahut e cilëson si mëkat përgojimin dhe përhapjen e dobësive të tjerëve… Shejkh Sa’diu kishte dy nxënës. Njëri prej tyre ishte shumë i aftë dhe i mençur dhe shfaqte mendime dhe fjalë të vërteta dhe të urta, kurse tjetrit ia brente zemrën zilia ndaj shokut të tij të ditur. Më në fund, i pari iu ankua Sa’diut që kur ai tregon diçka, shoku i tij ka zili. Sa’diu tha:

Njëri ndoqi rrugën e ferrit sepse ka bërë zili dhe edhe ti ndoqe të njëjtën rrugë sepse e përgojove.

Kështu që, të dy bënë mëkat. Duke e treguar këtë ngjarje, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shton:

Ky varg mëkatesh nuk mund të soset derisa nuk hyjnë në mes mëshira, lutja, mbulimi i gabimeve dhe dhembshuria e ndërsjellë.

Nga njëra anë ne betohemi që do të përpiqemi të sjellim ndryshime të pastra sepse kemi hyrë në bejtin e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe, nga ana tjetër, nëse ne jemi nën ndikimin e shoqërisë materialiste dhe nuk përpiqemi për të përvetësuar vetitë e Zotit dhe për të aplikuar porositë e Tij, do të quhemi mëkatarë duke e shkelur betimin. Në këtë rast, nuk do të jemi ata që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dëshironte të na shikonte. Si dëshironte ai të na shikonte? Që ne të kemi dashuri për njëri-tjetrin, që ne të lutemi për njëri-tjetrin, që ne t’i mbulojmë gabimet njëri-tjetrit.

Njëherë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

Xhemati ynë ka nevojë që kur të shohë dobësinë e një vëllai, të lutet për të. Por nëse ata nuk luten dhe e përmendin para të tjerëve, hyjnë në gjynah. A ka dobësi që s’mund të largohet?! Andaj, gjithmonë duhet ta ndihmoni vëllain tjetër përmes lutjes.

Dhe ne, në vend që të kërkojmë dobësitë e njëri-tjetrit, në vend që të zbulojmë gabimet e njëri-tjetrit, kur do të lutemi për njëri-tjetrin, kur do të ndihmojmë njëri-tjetrin, atëherë do të bëhemi xhemati i vërtetë që dëshironte Hazret Mesihu i Premtuar a.s.. Kjo pikërisht është edhe vlera e muslimanit të vërtetë sipas thënieve të Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe pikërisht kjo gjendja jonë do të bëhet mjet për faljen tonë dhe për mbulimin e gabimeve tona.

Për të hyrë në paqen e Allahut të Lartësuar dhe për të fituar bekimet e Tij, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na ka mësuar një lutje, të cilën shpesh duhet ta bëjmë. Ajo është:

O Allah! Të kërkoj paqe në këtë botë dhe në botën tjetër. O Allah! Të kërkoj falje dhe shëndet në besimin tim e në botën time, në familjen time e në pasurinë time. O Allah! M’i mbulo dobësitë dhe më dhuro paqe prej shqetësimeve të mia. O Allah! Mbromë nga para e nga mbrapa, djathtas, majtas e nga sipër dhe kërkoj mbrojtjen e madhështisë Sate nga prekja e ndonjë ndëshkimi nga poshtë. (Ebu Daud, Kitabul-adab, bab ma jekulu idha asbaha)

Kur do ta bëjmë këtë lutje për vete, le të kemi të njëjtat ndjenja edhe për të tjerët. E kur të do kemi këtë gjendje, Zoti i Madhërishëm do të na pranojë lutjet. Zoti na bëftë të fitojmë pëlqimin e Tij!

(Më pas, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, njoftoi martirizimin e z. Malik Selim Letif që ishte president i Xhematit të Nenkana Sahib, të Pakistanit. Ju lutemi, ndiqeni videon për këtë pjesë)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp