Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Muslimanët mirëpresin personin, i cili qëlloi mbi xhaminë e tyre në Connecticut

Zyra e shtypit dhe e medias

Zyra e shtypit dhe e medias


Më shumë rreth autorit

“Ky është një moment i rrallë, kur shikoni dikë që ka aq shumë urrejtje ndaj jush dhe që vjen e ju kërkon falje”

Të shtunën e kaluar, Ted Hakey, ish-marinar, u përkul në namaz, me ballë përtokë, bashkë me fqinjët e tij muslimanë brenda xhamisë në Connecticut.

Përmasat e këtij gjesti i lanë përshtypje çdokujt.

Vetëm para disa muajve, në natën e sulmeve terroriste në Paris, Hakey kishte shkuar në klubin lokal dhe kishte kthyer dhjetë kriklla. Në orët e para të mëngjesit, ai u kthye në shtëpi, piu prapë, dhe mbushi shotganin dhe pistoletën e tij 9mm. Pastaj, shkoi në oborr dhe zbrazi karikatorin në drejtim të xhamisë përbri shtëpisë së tij.

Faqja e tij e Facebook-ut ishte mbushur me komente të ndyra dhe shprehjet urrejtëse  anti-muslimane. Mesazhet që ai u kishte dërguar shokëve të tij, të zbuluara nga hetuesit, tregonin të njëjtën gjë.

Në një postim, ai kishte treguar se jeton ngjitur me një xhami që e mban nën vëzhgim përmes dylbisë së tij. Në një postim, ai shkroi: “Is Muslim season open yet? I’m in a target rish environment.” (A është hapur akoma stina muslimane? Unë jam në një mjedis të pasur me objektiva.)

Por në vend që t’i përgjigjej me urrejtje, dr. Mohammed Kureshi, president i xhamisë “Bejtul Aman” (Shtëpia e paqes), mendoi se ai mund të ishte një fqinj i mirë, dhe bëri një përpjekje për ta njohur nga afër Z. Hakey dhe bashkëshorten e tij. Ai arsyetoi se ndoshta në këtë mënyrë, Z. Hakey-it do t’i kalonte mëria dhe indinjata.

Kështu që, pesë muaj pas gjetjes së fishekëve të Z. Hakey brenda sallës së faljes, dr. Kureshi e ftoi në një event në xhami me titullin “Islami i vërtetë dhe ekstremistët”. Kur çifti Hakey mbërriti, të gjithë pjesëmarrësit i mirëpritën pa asnjë paragjykim. Z. Hakey i përlotur u kërkoi falje për shqetësimin që u kishte shkaktuar.

Z. Hakey kishte pyetur avokatin e tij për mundësinë e faljes, prandaj dr. Kureshi bashkë me disa të tjerë e takuan atë privatisht para një jave në të Premten e Madhe të Pashkëve. Dr. Kureshi, para se të dëgjonte kërkesën për falje nga Z. Hakey, i dhuroi atij vezët çokollatë të Pashkëve.

“Unë kurrë nuk kam pasur një takim të tillë”, u shpreh dr. Kureshi për takimin e parë.

“Ishte mjaft emocional. Ai ishte i përlotur dhe dridhej i tëri. Unë mund të shikoja në sytë dhe në zemrën e tij, se çdo gjë që thoshte ai, ishte e sinqertë. Unë po ndieja se gjithçka buronte nga shpirti i tij. Është një çast i rrallë, kur shikoni dikë që ka aq shumë urrejtje ndaj jush, vjen dhe ju kërkon falje”.

Megjithatë, disa besimtarë ishin akoma të kujdesshëm duke ditur se personi në fjalë u kishte shkaktuar dëm. Dr. Kureshi e ftoi Z. Hakey për të vizituar xhaminë, me qëllim që ai t’u kërkonte falje të gjithë besimtarëve.

Z. Ted Hakey duke iu drejtuar besimtarëve të xhamisë Bejtul Aman në një event

“Si një fqinj, unë kisha frikë. Por kemi gjithmonë frikë kur nuk dimë diçka. Jeni gjithmonë i frikësuar nga e panjohura”, u shpreh z. Hakey në eventin që u zhvillua më 2 prill, shkroi gazeta The Hartford Courant.

“Duke hedhur hapa përpara, unë dua ta shkrij këtë distancë, dhe dëshiroj të ndihmoj edhe dikë tjetër që të mos bëjë të njëjtin gabim që bëra unë”.

Z. Hakey, në një intervistë, u shpreh se “ishte shumë i emocionuar” dhe u prit me aq shumë dashuri dhe zemërgjerësi, pas gjithë asaj që kishte bërë. Ai gjithashtu tha se po merr mesazhe falënderimi nga muslimanët nga e gjithë bota për gjestin e tij që kërkoi falje.

“Ajo falje ishte aq shumë e sinqertë. Kam kuptuar se me të vërtetë ata janë njerëz të mirë, dhe mënyra sesi ata e menaxhuan këtë, ishte mbresëlënëse” u shpreh ai.

Z. Ted Hakey duke përqafuar një besimtar në xhaminë Bejtul Aman

Bashkëshortja e tij, Znj. Myra e cila gjithashtu e kishte shoqëruar, shtoi se ishte mahnitur nga dhembshuria e tyre dhe ngrohtësia e mirëpritjes. Ajo shtoi se edhe pse nuk i ka mbështetur qëndrimet e bashkëshortit të saj kundër muslimanëve, përsëri duke mos pasur njohuri (rreth Islamit) kishte ndierë frikë.

“Gratë ishin të përlotura dhe më falënderonin. Ato gjithashtu thanë se po luteshin që ne të shkonim atje… Ka aq shumë urrejtje, ndërsa këta duan vetëm paqe”.

Xhamia e dr. Kureshit i përket Xhematit Musliman Ahmedia, një bashkësi muslimane reformiste e cila beson se Mesihu ka ardhur. Themeluesi i këtij xhemati, Mirza Ghulam Ahmedi, tregoi se “Xhihadi me anë të shpatës” nuk është pjesë e Islamit, dhe tha se u duhet dhënë fund luftërave dhe gjakderdhjeve që bëhen në emër të fesë. Muslimanët Ahmedianë gjatë kësaj kohe po ndërmarrin vazhdimisht fushata sensibilizuese me parullën “Islami i vërtetë”, për të dalluar fenë nga ekstremizmi.

Kjo fushatë përmban 11 parime, të cilat nëse pranohen nga të gjithë muslimanët, nuk do të kemi asnjë terrorizëm. Këto pika përfshijnë besimin në Xhihadin paqësor, të drejtat e njeriut dhe në parimin se “asnjë fe nuk mund të monopolizojë shpëtimin”, tha ndër të tjera dr. Kureshi.

Ky ishte mesazhi, që ai ndau me Z. Hakey, i cili premtoi se do ta shpërndajë atë tek të tjerët.

hc-meriden-mosque-shooter-apology-0403-2016040-002

Në shkurt, Z. Hakey pranoi akuzën se kishte dëmtuar pronat fetare, një krim që konsiderohet vepër penale. Kjo çështje do të gjykohej në muajin maj, dhe ai rrezikon dënimin me burg për 14 muaj. Dr. Kureshi u shpreh se komuniteti i tij do të bëj gjithçka për uljen e dënimit.

Pas 11 shtatorit, krimet urrejtëse kundër muslimanëve janë rritur 10-fish, duke kapur 500 raste në 2001. Në 2014, viti i fundit për të cilin disponojmë të dhënat nga FBI-ja, u regjistruan 154 raste të tilla. Megjithatë, kjo shifër është pesë herë më shumë se para 11 shtatorit.

Sipas dr. Kureshi, ky paragjykim është rrënjosur te personat që janë të painformuar, madje sipas sondazhit të kryer nga Pew Research në 2015, më shumë se 60% e amerikanëve janë shprehur se nuk kanë asnjë kontakt personal me muslimanët.

Dr. Kureshi u shpreh se ai është shumë i ngazëllyer nga kjo miqësi e re me Z. Hakey, dhe shpreson se ky ish-antagonist mund të bëhet një zë i fuqishëm për t’u ballafaquar me qëndrimet negative kundër Islamit.

“Ishte shumë emocionuese ta shikoje atë” tha dr. Kureshi. “Imagjino, vetëm para disa muajve ai ishte armiku ynë. Ju duhet ta mendoni nga këndvështrimi i tij. Ai duhet të ketë shumë guxim të qëndrojë mes atyre personave, të cilët ai i kishte urryer më parë. Unë besoj se ai ka pasur një ndryshim në zemër”.

Z. Hakey – i cili ia atribuon këtë ndryshim edhe programit të trajtimit kundër alkoolizmit, që përmban meditim dhe kopshtari, që të gjejë kthjelltësi shpirtërore – tha se ai tashmë ka filluar t’u kundërpërgjigjej postimeve urryese në Facebook.

“Ju lutem, më dëgjoni, ju jeni plotësisht i gabuar në këtë pikë”, ai komentoi, kur shikoi se dikush po kritikonte muslimanët. Kur ata i kundërvihen, ai shkuran: “Unë kam qëlluar me armë në xhami, prandaj mos më trego mua. Ti duhet të mësosh dhe të edukohesh”.

“Çdo ditë ti bombardohesh me imazhet negative dhe postimet që citojnë keq Kuranin… Po bëhet mjaft katrahurë, që gjithnjë po e mjegullon dallimin midis terroristëve dhe muslimanëve në përgjithësi”, tha Z. Hakey.

“Në këtë aspekt, ai ishte i keqinformuar, dhe ishte pikërisht kjo situatë që e nxiti për të vepruar në këtë mënyrë. Por, kur ia prezantova besimin tim, ishte diçka që i bëri shumë përshtypje” , përfundoi dr. Kureshi.


Autor: Colby Itkowitz

Klikoni këtu për të parë videon.

U botua në gazetën “The Independent“, më 7 prill 2016.

Copyright The Washington Post

Send this to a friend