Hyrje
Për shkak të ndryshimeve rrënjësore, ndodhur gjatë dekadave të fundit në sferat politike, ekonomike dhe kulturore, bota ka dëshmuar afrimin e popujve me qëndrime divergjente, por ngritja e disa epiqendrave të superfuqive që duan të dominojnë botën politikisht dhe kulturalisht, ka rezultuar në përplasje mes tyre. Pas 9/11 një përplasje e tillë po duket e pashmangshme midis kulturës myslimane e asaj Perëndimore. Nëse në një anë raportet mediatike për Lindjen e Mesme formojnë opinionin e publikut, po ashtu gjatë viteve të fundit, në shtetet myslimane kanë ndodhur disa ngjarje shokuese të barbarisë, mizorisë dhe injorancës, që kanë mbështetur perceptimin se Islami u kundërvihet vlerave moderne, dhe si i tillë myslimanët nuk mund të përputhen me kulturën Perëndimore.
Aq më tepër, çoroditja dhe hutimi e muslimanëve lidhur me disa çështje, ku pikëpamjet e tyre në disa raste nuk pajtohen as me Kuranin e as me Profetin Muhammedsas, kontribuojnë në krijimin e disa miteve e mistereve rreth Islamit, që e bëjnë atë akoma më vështirë për t’u kuptuar. Një prej këtyre iluzioneve, që është forcuar vetë nga sjellja e një pakice të vogël myslimane, është se Islami ndalon lirinë e shprehjes duke penguar kritikën dhe duke dënuar rëndë blasfeminë. Në të vërtetë reagimi i ashpër, protestat e dhunshme, kanosjet, madje edhe vrasjet e kryera nga një pakicë e vogël muslimane, me akuzën e blasfemisë me anë të shkrimeve, filmave dhe karikaturave etj, vetëm e kanë forcuar këtë perceptim.
Duke parë skena të tilla makabre e çnjerëzore, një pjesë e madhe e botës jomuslimane kanë krijuar opinionin, se Islami duke ndëshkuar individët që shprehin mendime të cilat konsiderohen si ofenduese, fyese apo edhe kontradiktore me mësimet e Islamit, e mbyt lirinë e shprehjes. Ndonëse të gjitha ato përpjekje që baltosin e njollosin mësimet e Islamit dhe figurën e Profetit Muhammedsas si dhe reagime të dhunshme ndaj blasfemuesve, dënohen paqësisht nga shumica dërrmuese e muslimanëve anembanë botës, këta zëra të arsyes mbyten nga reagime ekstreme dhe thirrje për hakmarrje të dhunshme nga një shtresë e vogël brenda botës muslimane. Këto reagime të ashpra, sigurisht, ngjallin aq shumë indinjatë në mendjet e jomyslimanëve, të cilët fatkeqësisht nxjerrin përfundimin se Islami është feja jotolerante, e prapambetur, madje e papajtueshme me vlerat perëndimore të lirisë së shprehjes.
Islami nuk përcakton asnjë dënim për blasfemi
Në fakt, Islami përkrah dhe mbron lirinë e shprehjes, por ai gjithashtu jep disa këshilla se si ajo liri t’i shërbejë paqes e harmonisë shoqërore. Përkundër perceptimit të shumicës, Islami nuk përcakton asnjë lloj dënimi për blasfeminë, madje kërkon që kjo çështje t’i nënshtrohet diskutimit intelektual.
Sipas Kuranit, Zoti qysh prej kohës së lashtë, ka dërguar profetë në këtë botë, dhe ata gjatë misionit të tyre, janë përballur me sharje, shpifje dhe akuza ndër më të pahijshmet nga bashkëkombësit e tyre.[1] Ata janë quajtur “magjistar”, “gënjeshtar”[2], “të marrë”[3], “trillues”[4] dhe “mendjelehtë”[5] etj., por në asnjë vend Kurani nuk përmend dënim fizik për blasfeminë, si me rrahje me kamxhik, vrasje apo diçka tjetër. Madje në asnjë vend të Kuranit, nuk thuhet se ata që përdorin fjalë të tilla të pahijshme kundër të dërguarve të Zotit, ndëshkohen për veprime të tilla nga njeriu. Përkundrazi, Kurani urdhëron besimtarët të mos përdorin gjuhën ofenduese ndaj kundërshtarëve të tyre. Ai thotë “Mos i shani ata që (idhujtarët) i thërrasin në vend të Allahut, ndryshe edhe ata do të shajnë Allahun armiqësisht nga padija.”[6] Ndërsa duke treguar sjelljen e besimtarëve, Kurani thotë: “Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata, që ecin përulësisht nëpër Tokë, dhe kur injorantët u drejtohen atyre, ata përgjigjen “paqe qoftë!”.[7] Këto ajete tregojnë se Zoti është Ai që do të gjykojë rastin e atyre që blasfemojnë armiqësisht kundër Profetit, por muslimanët nuk kanë asnjë të drejtë për të vendosur ndonjë dënim kundër tyre.
Hazret Mirza Tahir Ahmedi, Kalifi IVra pas një studimi të thellë rreth kësaj çështje, nxjerr këtë përfundim:
“Islami duke i garantuar njeriut lirinë e shprehjes, hedh një hap më tutje në krahasim me fetë e tjera. Edhe pse Islami e dënon blasfeminë mbi bazat morale dhe etike, ai karshi perceptimit të përgjithshëm të botës moderne, nuk lejon asnjë ndëshkim fizik për të. Edhe pse kam studiuar Kuranin Famëlartë hollësisht dhe vazhdimisht me përqendrim të thellë, nuk kam arritur të gjej as edhe një ajet, që e përkufizon blasfeminë si një krim i dënueshëm prej njeriut.
Ndonëse, Kurani Famëlartë e dënon sjelljen përbuzëse, fjalët e pahijshme, apo fyerjen dhe lëndimin e ndjenjave të të tjerëve, me ose pa argument e arsye, Islami as nuk e mbron dënimin e blasfemisë në këtë botë, por as nuk ia beson këtë autoritet dikujt tjetër.”[8]
Dënimet kundër blasfemisë janë anti-islame
Në botë, pothuaj 47% e shteteve kanë ligje që dënojnë blasfeminë, apostazinë, shpifjet dhe urrejtjen fetare, ndërsa pothuaj të gjitha vendet me shumicë myslimane kanë ligje të tilla kriminale.[9] Sa herë që publikohet diçka me përmbajtje blasfemike duke gojosur Zotin dhe Profetin Muhammedsas, klerikë, liderë politikë dhe në disa raste edhe qeveri të vendeve myslimane bëjnë thirrje për ta implikuar blasfemuesin me burgim, ekzekutim apo dënime të tjera të ashpra. Sigurisht, këto thirrje nuk kanë asnjë bazë në mësimet e Kuranit e as në jetën e Profetit Muhammedsas, por disa persona tentojnë t’i përligjin këto dënime të ashpra nga Islami.
Në këtë përpjekje dështake disa citojnë këtë ajet të Kuranit:
إِنَّ الَّذِينَ يُؤْذُونَ اللَّـهَ وَرَسُولَهُ لَعَنَهُمُ اللَّـهُ فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ وَأَعَدَّ لَهُمْ عَذَابًا مُّهِينًا
me të vërtetë ata që e fyejnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, i mallkon Allahu në këtë botë dhe në ahiret. Ai ka përgatitur për ta një ndëshkim poshtërues. [10]
Ky ajet tregon se ata që e fyejnë Allahun dhe vendosin pengesa në kërkim të së vërtetës, do të dështojnë në përpjekjet e tyre. Zoti i mallkon dhe shpreh zemërimin ndaj tyre, duke i privuar ata nga mëshira e mirësia e Tij. Megjithatë, askush nuk ka të drejtë të veprojë në emër të Tij, sepse dënimi i takon vetëm Zotit dhe ne Atij duhet t’ia besojmë këtë çështje.
Barazimi i blasfemisë me shpalljen e luftës kundër Zotit
Duke dështuar të gjejnë ndonjë mbështetje për dënimin ndaj blasfemisë, ata nxjerrin si “provë” këtë ajet:
إِنَّمَا جَزَاءُ الَّذِينَ يُحَارِبُونَ اللَّـهَ وَرَسُولَهُ وَيَسْعَوْنَ فِي الْأَرْضِ فَسَادًا أَن يُقَتَّلُوا أَوْ يُصَلَّبُوا أَوْ تُقَطَّعَ أَيْدِيهِمْ وَأَرْجُلُهُم مِّنْ خِلَافٍ أَوْ يُنفَوْا مِنَ الْأَرْضِ ۚ ذَٰلِكَ لَهُمْ خِزْيٌ فِي الدُّنْيَا ۖ وَلَهُمْ فِي الْآخِرَةِ عَذَابٌ عَظِيمٌ ﴿٣٣﴾ إِلَّا الَّذِينَ تَابُوا مِن قَبْلِ أَن تَقْدِرُوا عَلَيْهِمْ ۖ فَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّـهَ غَفُورٌ رَّحِيمٌ ﴿٣٤﴾
Pa dyshim se ndëshkimi i atyre që luftojnë kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe që tentojnë të bëjnë çrregullime në Tokë, është të vriten ose të gozhdohen, ose t’u këputen duart dhe këmbët tërthorazi, ose të dëbohen nga vendi. Ky është poshtërim për ta në këtë jetë, ndërsa në jetën tjetër, i pret një ndëshkim akoma më i madh. Përjashtim bëjnë ata që pendohen para se të vijë ky çast. Ta dini se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.[11]
Ata i barazojnë format fyese të shprehjes me shpalljen e luftës kundër Zotit. Kjo tentativë, për t’i veshur Kuranit një kuptim inekzistent është më dëmprurëse sesa një karikaturë provokuese ndaj Profetit Muhammedsas. Ky ajet nuk ka asnjë lidhje as me blasfeminë e as me apostazinë. Ky ajet shprehimisht u referohet atyre që hidhen në luftë të ashpër e barbare kundër myslimanëve për shkak të besimit të tyre, duke viktimizuar njerëz të pafajshëm, e duke bërë çrregullim, anarki dhe dhunë në Tokë, dhe jep porosi për kundërpërgjigje. Ky ajet flet shkoqur për një gjendje lufte, që nuk ka asnjë lidhje me ndërrimin e besimit apo çfarëdo forme fyese shprehjeje.
Le të dihet se Islami as për apostazinë (braktisja e fesë) nuk përcakton asnjë dënim, dhe ideja që ajo përbën një akt të dënueshëm, është shpikur disa dekada pas vdekjes së Profetit Muhammedsas, si një vegël politike, për të mbajtur popullin rreptësisht nën kontroll. Le të dihet gjithashtu, se sipas Islamit, askush nuk ka të drejtë, të etiketojë dikë si mysliman apo ta përjashtojë atë. Çdo individ është i lirë për të ushtruar të drejtën e tij, garantuar prej Zotit, që të ndjekë çfarëdo feje që i pëlqen atij, pa pasur asnjë frikë apo trysni prej dikujt. Kjo çështje qëndron midis Zotit dhe robit, e askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në të.
Çfarë thotë Islami për lirinë e shprehjes?
Liria dhe emancipimi janë dy slogane të rëndësishme, të cilat po influencojnë mbarë botën me intensitete dhe konotacione të ndryshme. Nuk ka asnjë dyshim se njeriu po vetëdijesohet gjithnjë e më shumë rreth rëndësisë dhe vlerës së lirisë. Por, prej kujt duhet të lirohet dhe emancipohet kjo botë? Nga zgjedha e huaj, diktatori, fashizmi, regjimet teokratike e totalitare, demokracitë despotike, burokracitë e korruptuara, robëria ekonomike e vendeve të varfra nga shtetet e pasura, nga injoranca, paragjykimi apo idhujtaria etj.
Debati për lirinë e shprehjes në Islam ka dy caqe ekstreme. Një grup kërkon të drejtën për të shprehur gjithçka që i pëlqen, gjë që përmendet edhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.[12] Ndërsa grupi tjetër kërkon kontroll mbi çdo shprehje dhe mendim. Qëndrimi i Islamit lidhur me lirinë e shprehjes gjendet midis këtyre dy caqeve.
Qëndrimi i Islamit lidhur me lirinë e fjalës dhe shprehjes është vetëm një element në ilustrimin e gjerë që pasqyron esencën e Islamit dhe misionin e tij në botë. Esenca e Islamit është misioni i pandalshëm për të vendosur paqe (ashtu si së brendshmi, po edhe së jashtmi), për të ushqyer dashuri dhe për të treguar kujdes ndaj të tjerëve. Këtë mision, e ka nënvizuar Profeti Muhammedsas, kur ai iu drejtua muslimanëve duke thënë:
“Ju nuk mund të hyni në parajsë, derisa nuk besoni, dhe ju s’mund të besoni, derisa nuk e doni njëri-tjetrin. A mos t’ju tregoj për diçka, që do t’ju ushqejë me dashuri për njëri-tjetrin? Shpërndani paqe.”[13]
Ky hadith tregon se detyra rrënjësore që i është dhënë çdo muslimani nga Zoti, është që të kultivojë një shoqëri paqësore, duke vendosur harmoni e dashuri midis të gjithë popujve. Duke barazuar shpëtimin me paqen, ai manifestoi fuqimisht, se misioni i muslimanit në këtë botë është t’i bashkohet me të tjerët me dashuri e paqe.
Qëndrimi i Islamit për lirinë e fjalës, ngulitet thellë në këtë mision. Pra, duke vlerësuar rëndësinë e së vërtetës, mirëbërësinë, drejtësinë dhe respektin reciprok, Islami na këshillon të shfrytëzojmë lirinë tonë për të bashkuar njerëzimin. Islami parashtron parimet e mëposhtme që forcojnë bazën e kësaj lirie në shërbim të misionit hyjnor të bashkimit.
Fjala e vërtetë
Për të bashkuar mbarë njerëzimin nën flamurin e paqes, Islami jo vetëm që u siguron të gjithëve të drejtën për të shprehur mendimin e tyre, por gjithashtu i përcakton fjalës disa caqe, që ajo të jetë e dobishme. Porosia themelore e Islamit për ndjekësit e tij është që në çfarëdo situate ata të kërkojnë dhe të shprehin vetëm të vërtetën. Kurani Famëlartë thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّـهَ وَقُولُوا قَوْلًا سَدِيدًا ﴿٧٠﴾
O besimtarë, druajuni Allahut dhe flisni qartë dhe drejt.[14]
Islami, jo vetëm që porosit për të thënë të vërtetën, por edhe fjalët duhet të jenë të qarta, që të mos krijohen ngatërresa dhe keqkuptime. Ndonëse diçka mund të jetë e vërtetë, por nëse shprehja e saj është e papërshtatshme apo e dëmshme, atëherë besimtari duhet t’i shmanget asaj, duke i dhënë epërsi ruajtjes së paqes e harmonisë. Po kështu, ekzagjerimi dhe teprimi janë shkelje ndaj principit të të shprehurit drejt. Pra, duhet thënë ajo që i përmbahet së vërtetës, urtësisë dhe drejtësisë.
Fjala e mirë
Duke hedhur një hap më tej, Kurani thotë:
وَقُل لِّعِبَادِي يَقُولُوا الَّتِي هِيَ أَحْسَنُ ۚ إِنَّ الشَّيْطَانَ يَنزَغُ بَيْنَهُمْ ۚ إِنَّ الشَّيْطَانَ كَانَ لِلْإِنسَانِ عَدُوًّا مُّبِينًا ﴿٥٣﴾
Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa midis tyre. Vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut.[15]
Kjo porosi i ngarkon besimtarët me një përgjegjësi që fjala e tyre duhet të jetë e këndshme, që u ngjall qetësi dhe prehje të tjerëve. Edhe pse ata përballen me situata të pakëndshme, besimtarët duhet të shprehen në mënyrën më të mirë të mundëshme, duke ofruar këshilla e urtësi. Kurani këshillon “Flisni butësisht me njerëzit.”[16] Kurani mbështet ndërtimin e një mjedisi ku liria e shprehjes përdoret në mënyrë të respektueshme dhe konstruktive që të promovohet paqja, drejtësia dhe uniteti.
Etika e të folurit në publik
Duke ngritur lirinë e shprehjes mbi baza të shëndosha, Islami këshillon edhe për rastet kur fjalët janë të rënda e të ashpra.
لَّا يُحِبُّ اللَّـهُ الْجَهْرَ بِالسُّوءِ مِنَ الْقَوْلِ إِلَّا مَن ظُلِمَ ۚ وَكَانَ اللَّـهُ سَمِيعًا عَلِيمًا ﴿١٤٨﴾
Allahut nuk i pëlqen që të thuhen hapur fjalë të këqija, përveçse nga ai të cilit i është bërë padrejtësi. Allahu është i Gjithëdëgjueshëm dhe i Gjithëdijshëm.[17]
Islami na këshillon t’u shmangemi fjalëve të këqija drejtuar personave të tjerë, sepse ky veprim do të ushqejë keqdashjen, mosmarrëveshjen dhe prishjen e rendit publik. Përjashtim bëjnë ata, të cilëve u është bërë padrejtësi, që ata të lëshojnë thirrje për ndihmë.
Islami e lejon dhe mbështet dialogun
Kjo nuk do të thotë se Islami kërkon vetëm bindje e nënshtrim, madje ai i nxit muslimanët për t’u shprehur kundër padrejtësisë, mashtrimit, korrupsionit e ligësisë. Ata janë të lirë për të mos u pajtuar, madje edhe për të argumentuar mendimin e tyre, megjithatë ata këshillohen për të vepruar në një mënyrë të denjë, dinjitoze dhe qytetare. Pra, Islami nënvizon se qëllimi thelbësor i të shprehurit duhet t’i shërbejë mirëqenies sociale, promovimit të paqes dhe unitetit ndërfetar.
Islami lejon për të shprehur mospajtimin në çështjet fetare. Ai nxit besimtarët që t’u përcjellin mesazhin e vërtetë edhe atyre që mund të jenë në gabim. Sigurisht, feja islame ka mospajtime të qarta me fetë e tjera, lidhur me mësime dhe çështje të caktuara. Për shembull, Islami absolutisht nuk pajtohet me hyjnizimin e Jezusit në fenë e krishterë, përkundrazi Kurani shprehet shkoqur se Jezusi (Isaias) ishte një profet madhor i Zotit, por nuk ishte as partner e as i biri i Zotit. Paraqitja e këtyre dallimeve dhe madje debati rreth këtyre çështjeve nuk përbën problem, derisa ajo bëhet me dinjitet, qytetërim dhe respekt reciprok, si dhe me një dëshirë të sinqertë për të zbuluar të vërtetën. Por, nëse biseda bëhet qëllimisht për të fyer figura, për të nxitur urrejtje, përçarje apo çrregullim, atëherë Islami porosit për t’iu shmangur asaj. Misioni themelor i Islamit është që të bashkojë njerëzimin, qëllim që s’mund të arrihet nëse popujt përbuzin e ofendojnë njëri-tjetrin. Publikimi i videove, karikaturave dhe reklamave provokuese dhe shpifëse, shërbejnë vetëm për të acaruar raportet njerëzore dhe për t’i djallëzuar ata.
Liria e shprehjes e pakufizuar v/s liria me përgjegjësi
Dallimi themelor midis parimeve që paraqet Islami për lirinë e shprehjes, dhe pikëpamjes së Perëndimit është pikërisht ky, që nëse njëri promovon vlerat bashkuese, tjetri mbështet individualizmin. Aktivistët e zëshëm të lirisë së shprehjes argumentojnë, se liria e tyre u garanton të drejtën për të shprehur lirisht mendimin e tyre për gjithçka, pa marrë parasysh ndikimin që mund të ketë ajo mbi segmente të caktuara të shoqërisë. Këta aktivistë deklarojnë guximshëm se kanë të drejtë edhe për të fyer të tjerët.
Slogani i lirisë absolute është i zbrazët, i pakuptimtë dhe joreale në kontekstin shoqëror. Në disa raste koncepti i lirisë është aq i keqkuptuar dhe keqaplikuar saqë principi fisnik i lirisë së shprehjes, transformohet në shëmtinë e lirisë së fyerjes, poshtërimit dhe blasfemisë.
Për një çast, merrni me mend një botë, ku njerëzit me të vërtet janë të lirë, për të shprehur gjithçka që kanë ndërmend, pa marrë parasysh se sa negative, fyese apo e pakuptimtë mund të jetë ajo. Duke mos pasur asnjë kontroll mbi përmbajtjen dhe mënyrën e të shprehurit, njerëzorja dhe mirësjellja do të gjunjëzohen nga provokimi, ironia dhe fyerja përmes fjalëve ofenduese. Jo vetëm që do të shfaqen të gjitha llojet e provokimeve, por sarkazma e ironi të tilla therëse do të shtohen e mbizotërohen nëpërmjet një loje të pabesë hakmarrëse, tashmë luajtur nga të lënduarit. Antagonizmi do të bëhet rendi i ditës, dhe njerëzit do të shndërrohen në qenie konfrontuese. Ky nocion nuk mund të funksionojë as midis dy individëve, le që të jetë norma e jetës shoqërore për miliona njerëz. Një përkufizim më i saktë dhe një manifestim më human i kësaj lirie, do ta quante “liri për t’u ofenduar”. Kjo është ajo botë, për të cilën po luftojnë me neps të madh “avokatët e lirisë”. Në shikimin e parë, ata shtiren si kampionë të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, por në realitet ata po luajnë me ndjenjat njerëzore, që nuk është as demokraci e as liria e shprehjes. Shprehjet brutale, mbjellin antipatinë, fyerjen dhe anarkinë.
Një liri e tillë nuk ekziston as në vendet më të zhvilluara të kontinentit të vjetër. Standarde të dyfishta shfaqen kur karikaturat rreth komuniteteve hebre, etiketohen si anti-semitike dhe pandehen si krim, ndërsa përbuzja e Islamit, Profetit Muhammedsas dhe muslimanëve në përgjithësi, ushtrim i së drejtës demokratike. Madje edhe në Amerikë, nëse dikush bën shpifje, nxit urrejtje ndërfetare, publikon komente raciste, mbështet dhunë etj., ai implikohet sipas ligjeve të shtetit.
Tani imagjinoni një botë tjetër, ku popujt janë të lirë për t’u shprehur, por kodi i tyre etik e moral, i ndihmon për të marrë një vendim të vetëdijshëm, që të përdorin lirinë e shprehjes në një mënyrë produktive dhe dinjitoze. Ata shprehin fjalë me mirëdashje që të kenë ndikim pozitiv mbi jetët njerëzore. Ata flasin për të mbështetur të vërtetën dhe drejtësinë, ndonjëherë edhe duke kundërshtuar idenë apo kritikën ndaj një ideologjie, ata i përmbahen mirësisë, respektit reciprok dhe etikës qytetare. Kjo është bota që Islami synon të ndërtojë, ku ndryshimet dhe mospajtimet janë sigurisht të mirëpritura, por me një sjellje të denjë e të respektueshme. Islami kërkon të ndërtojë atë botë, ku cilësia morale e shoqërisë të ngrihet deri në atë lartësi, që askush të mos trembet nga një reagim i dhunshëm apo provokues.
[1] Kurani 36:31
[2] Kurani 40:25
[3] Kurani 15:7
[4] Kurani 16:102
[5] Kurani 7:67
[6] Kurani 6:109
[7] Kurani 25:64
[8] Mirza Tahir Ahmed, Islam’s Response to Contemporary Issues, Islam International Publications Ltd, 2007, Londër, f. 38
[9] Laws Penalizing Blasphemy, Apostasy and Defamation of Religion are Widespread, Pew Research Center, Washington DC (2012)
[10] Kurani 33:58
[11] Kurani Famëlartë 5:34-35
[12] “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mbajtjes së mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve përmes çfarëdo mediumi, pa marrë parasysh kufijtë.” Neni 19, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut
[13] Muslimi, el-Mundhiri, el-Mukhteser Sahih Muslim, el-Mektebetul Islami, 1987, f. 18
[14] Kurani 33:71
[15] Kurani 17:54
[16] Kurani 2:84
[17] Kurani 4:149