Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Të ngjashme rreth kësaj teme

Kujdestari i dy vendeve të shenjta,
Mbreti i Mbretërisë së Arabisë Saudite
Abdullah bin Abdul-Aziz El-Saud
Rijad, Arabi Saudite

28 mars 2012

I nderuar Mbreti Abdullah

Es-selam alejkum ue rrahmatullahi ue barakatuhu

Sot, ju shkruaj për të ngritur një çështje shumë të rëndësishme, sepse ju si Kujdestari i dy Vendeve të Shenjta dhe Mbreti i Arabisë Saudite, gëzoni një pozitë të lartë në umetin musliman. Kjo sepse në shtetin tuaj ndodhen dy vendet më të shenjta të Islamit: Meka El-mukerramah dhe Medina El-muneuerah, dashuria ndaj të cilave është pjesë e besimit të muslimanëve. Këto vende janë edhe qendrat e progresit shpirtëror për muslimanët dhe respektohen shumë nga ata. Në këtë kontekst, të gjithë muslimanët dhe qeveritë muslimane ju japin status të veçantë. Ky status kërkon që ju, nga njëra anë, të udhëzoni siç duhet umetin musliman dhe, nga ana tjetër, të përpiqeni për të krijuar një atmosferë të paqes dhe harmonisë midis vendeve muslimane. Ju gjithashtu duhet të mundoheni maksimalisht për të zhvilluar dashuri e simpati të ndërsjellë midis muslimanëve, duke i edukuar me esencën e mësimit të Kuranit, ku thuhet:

(“janë të mëshirshëm ndaj njëri-tjetrit”)

Tek e fundit, ju duhet të mundoheni për të vendosur paqe në të gjithë botën për dobinë e gjithë njerëzimit. Si udhëheqës i Xhematit Musliman Ahmedia dhe Kalif i Mesihut të Premtuar dhe Imam Mehdiut (paqja qoftë mbi të), kam kërkesë ndaj jush se, pavarësisht nga mospajtimi doktrinar që ekziston midis Xhematit Musliman Ahmedia dhe sekteve të tjera të Islamit, ne duhet të mbetemi të bashkuar në përpjekjet për të vendosur paqen botërore. Ne duhet të bëjmë maksimumin tonë për të edukuar botën me mësimet e vërteta të Islamit, të cilat janë të bazuara në dashuri e paqe. Në këtë mënyrë, ne mund t’i largojmë keqkuptimet në përgjithësi, që janë të ngulitura te njerëzit e Perëndimit e të botës rreth Islamit. Armiqësia kundër kombeve a grupeve të tjera nuk duhet të na pengojë për të vepruar me drejtësi. Allahu i Plotfuqishëm, në ajetin 3 të sures El-Maidah të Kuranit të Shenjtë, thotë:

“…dhe të mos nxiteni nga armiqësia ndaj ndonjë populli që ju pengoi të vizitoni Qaben, për t’i shkelur kufijtë. Ndihmoni njëri-tjetrin në punë të mira e të takuasë, dhe mos ndihmoni njëri-tjetrin në gjynahe e shkelje! Frikësojuni Allahut! Me të vërtetë, Allahu është i ashpër në ndëshkim”.

Ky është parimi udhëzues që ne duhet ta kemi parasysh, në mënyrë që të përmbushim detyrën tonë për t’i paraqitur botës imazhin e bukur të Islamit. Me ndjenjat e dashurisë nga zemra e të dhembshurisë së thellë ndaj gjithë muslimanëve të botës, ju bëj kërkesë të luani rolin tuaj në lidhje me këtë.

Sot vërejmë në botë se disa politikanë e të ashtuquajtur studiues mbjellin farat e urrejtjes ndaj Islamit në përpjekje për të diskredituar Profetin e shenjtë (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Për të arritur synimet e tyre, ata tentojnë të paraqesin interpretime krejtësisht të shtrembëruara të mësimeve të Kuranit të Shenjtë. Veç kësaj, konflikti midis Palestinës dhe Izraelit po përkeqësohet dita ditës dhe tensionet midis Izraelit dhe Iranit janë rritur kaq shumë, saqë marrëdhëniet e tyre janë thyer keqas. Rrethanat e tilla ju kërkojnë ju si një lider jashtëzakonisht i rëndësishëm i umetit musliman, që të bëni çdo përpjekje për t’i zgjidhur këto konflikte me drejtësi e paanësi. Xhemati Musliman Ahmedia bën gjithçka që mund të bëjë për të larguar urrejtjen ndaj Islamit, kudo e kurdo që ajo shfaqet. Derisa i gjithë umeti musliman nuk bashkohet për t’u bërë një e për të bërë përpjekje në këtë drejtim, paqja kurrsesi nuk mund të vendoset.

Prandaj, kërkesa ima ndaj jush është që të bëni përpjekje maksimale në këtë drejtim. Nëse është e shkruar të bëhet Lufta e Tretë Botërore, ne të paktën duhet të mundohemi për t’u siguruar që ajo të mos burojë nga vendet muslimane. Asnjë vend musliman e as ndonjë musliman si individ kudo që jeton, sot apo në të ardhmen, nuk do të dojë ta ketë mbi shpatulla fajin e të qenët shkëndijë për një konflikt global, pasojat afatgjata e të cilit do të shfaqen deri në brezat e ardhshëm që do të lindin me defekte e deformime. Sepse, nëse do të shpërthejë një luftë botërore tani, ajo patjetër do të luftohet me armë bërthamore. Ne kemi përjetuar në të kaluarën vetëm një shfaqje të vogël të shkatërrimit të bërë nga një luftë atomike, kur bombat bërthamore u hodhën mbi dy qytetet e Japonisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Prandaj, O Mbret i Arabisë Saudite! Shpenzojeni të gjithë energjinë dhe ndikimin tuaj për të shpëtuar botën nga shkatërrimi total! Allahu i Plotfuqishëm ju mundësoftë Ndihmën dhe Mbështetjen e Tij! Amin. Për ju dhe për gjithë umetin musliman, lutem:

(“Udhëhiqna në rrugën e drejtë!”)

Ueselam

Juaji sinqerisht

 

Mirza Masrur Ahmedi
Khalifatul Masih V (Kalifi i Pestë i Mesihut)
Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia