Letër Presidentit të Republikës së Francës
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
parisi

President i Republikës së Francës
Shkëlqesia e tij François Hollande
Palais de l’Elysee
55, Rue du Faubourg Saint-Honore
75008 Paris, Francë

16 maj 2012

I dashur Z. President,

Në radhë të parë do të doja të shfrytëzoja rastin për t’ju uruar për zgjedhjen tuaj si President i ri i Francës. Kjo padyshim është një përgjegjësi madhore që juve ju është besuar, ndaj shpresoj dhe lutem që populli i Francës, madje e gjithë bota, të arrijë të përfitojë nga lidershipi juaj. Në kontekstin e përkeqësimit të shpejtë të situatës ndërkombëtare, kohët e fundit i shkrova një letër paraardhësit tuaj, Presidentit Nicolas Sarkozy. Në letrën time, i kujtova Presidentit Sarkozy përgjegjësitë e tij si një lider botëror që të mbështeste drejtësinë dhe iu luta të përdorte gjithë fuqinë dhe influencën e tij për të parandaluar shpërthimin e një lufte botërore. Mendoj se është e nevojshme që t’ju përcjell të njëjtin mesazh edhe juve si Presidenti i sapozgjedhur i Francës, sepse keni autoritetin për të marrë vendime, që do të ndikojnë në kombin tuaj dhe në botën më gjerë. Besoj se qeveritë e botës duhet të jenë jashtëzakonisht të shqetësuara për rrethanat aktuale të botës. Padrejtësitë dhe armiqësitë midis kombeve kërcënojnë të vlojnë për t’u kthyer në një konflikt global. Në shekullin e kaluar janë zhvilluar dy luftëra botërore. Pas Luftës së Parë Botërore, u themelua Liga e Kombeve, megjithatë kërkesat e drejtësisë nuk u përmbushën dot dhe si rrjedhojë, kjo shkaktoi Luftën e Dytë Botërore, e cila kulmoi në përdorimin e bombave atomike. Më pas u themelua Kombet e Bashkuara për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar paqen globale. Në këtë mënyrë ishin marrë masa për të parandaluar luftëra të tjera, por megjithatë, sot ne ndiejmë që themelet e luftës së tretë botërore janë hedhur tashmë. Shumë shtete, të vogla e të mëdha, zotërojnë bomba atomike. Ajo që është shqetësuese këtu është fakti se fuqitë e vogla bërthamore duken të papërgjegjshme dhe injorante ndaj pasojave shkatërruese të armëve të tilla. Nuk është e paperceptueshme që po qe se përdoren armë bërthamore, menjëherë do të shfaqen pasojat e tyre të llahtarshme, të cilat do t’i ngjajnë fundit të botës. Armët që gjenden sot janë kaq shkatërruese saqë ato mund të bëjnë që gjeneratë pas gjenerate të lindin njerëz me defekte serioze gjenetike dhe fizike. Thuhet se në Japoni, shteti që përjetoi pasojat shkatërruese të luftës bërthamore, edhe pse kanë kaluar shtatë dekada, pasojat e bombave atomike vazhdojnë të shfaqen te fëmijët e porsalindur.

Prandaj, kërkesa ime modeste ndaj jush është që të mundoheni deri në maksimum për të shuar armiqësitë dhe mosbesimin midis botës muslimane e asaj jo-muslimane. Disa nga shtetet evropiane mbajnë rezerva të forta në lidhje me mësimet dhe traditat e Islamit dhe u kanë vënë edhe disa kufizime, ndërsa të tjerët po mendojnë sesi të bëjnë të njëjtën gjë. Armiqësia që tashmë disa ekstremistë të ashtuquajtur muslimanë shfaqin kundër Perëndimit, mund t’i çojë ata që të reagojnë në mënyrë të papërshtatshme, e cila mund të shkaktojë jotolerancë të mëtejshme fetare dhe përçarje. Islami, gjithsesi është një fe paqedashëse, e cila nuk na mëson të veprojmë keq për të ndaluar një të keqe tjetër. Ne, Xhemati Musliman Ahmedia, ndjekim këtë parim dhe besojmë në zgjidhjet paqësore për të gjitha çështjet.

Mjerisht, shohim se një pakicë e vogël e muslimanëve paraqesin një imazh krejtësisht të shtrembëruar të Islamit dhe veprojnë sipas bindjeve të tyre të gabuara. Nga dashuria që kam për Profetin tonë të shenjtë, Muhammedin (paqja qoftë mbi të), i cili ishte mëshirë për të gjithë njerëzimin, dua t’ju them se ju nuk duhet të besoni se ky mund të jetë Islami i vërtetë e rrjedhimisht të përdorni akte të tilla të gabuara si një e drejtë për të lënduar ndjenjat e shumicës paqësore të muslimanëve. Kohët e fundit, një njeri i pamëshirshëm dhe i pashpirt vrau disa ushtarë francezë në jug të Francës, për asnjë arsye, dhe pastaj disa ditë më vonë, ai hyri në një shkollë dhe vrau tre fëmijë të pafajshëm hebrenj dhe një mësues të tyre. Gjithashtu, shohim se mizori të tilla ndodhin vazhdimisht edhe në vende të tjera muslimane dhe të gjitha këto akte u japin kundërshtarëve të islamit shkas për t’i fryrë zjarrit të urrejtjes e më pas edhe mbështetje për të realizuar synimet e tyre në një shkallë më të gjerë. Duke qenë musliman, dua t’ju bëj krejtësisht të qartë se Islami nuk lejon mizorinë ose shtypjen në çfarëdo mënyre, trajte a forme qoftë. Kurani Famëlartë ka hedhur mendimin se vrasja pa arsye e një njeriu të pafajshëm është e barabartë me vrasjen e gjithë njerëzimit. Ky është një urdhër absolut dhe pa përjashtime. Kurani thotë më tej që edhe sikur ndonjë shtet a popull tregon armiqësi ndaj jush, kjo nuk duhet t’ju ndalojë të veproni me të në një mënyrë krejtësisht të drejtë e të paanshme. Armiqësitë dhe rivalitetet nuk duhet t’ju çojnë në hakmarrje ose në veprime pabarazie. Nëse doni që konfliktet të zgjidhen në mënyrën më të mirë, mundohuni të kërkoni zgjidhje miqësore. Unë vlerësoj që shumë nga vendet perëndimore kanë lejuar bujarisht njerëzit e vendeve të varfra ose të atyre që janë nën zhvillim, të vendosen në vendet e tyre, ndër të cilët ka edhe muslimanë. Sigurisht, shumë muslimanë jetojnë edhe në vendin tuaj dhe janë gjithashtu shtetas të vendit tuaj. Shumica janë zbatues të ligjit dhe janë të sinqertë. Veç kësaj, Islami qartësisht pohon se dashuria ndaj vendit, është pjesë e besimit. Xhemati Musliman Ahmedia vepron mbi këtë mesazh dhe e përhap në mbarë botën. Ky është mesazhi im edhe për ju, që nëse ky mësim i vërtetë i Islamit do të përhapet gjithkund, kërkesat për të shfaqur dashuri dhe paqe ndaj shtetit të vet, do të mbeten të vendosura në çdo shtet dhe midis shteteve të botës.

Kërkesa ime modeste ndaj jush, edhe ndaj gjithë liderëve të botës padyshim, është që në vend që të përdorni forcën për të shtypur vende të tjera, përdorni diplomacinë, dialogun dhe urtësinë. Superfuqitë e botës si Franca duhet të luajnë rolin e tyre për vendosjen e paqes. Ato nuk duhet t’i përdorin veprimet e shteteve të vogla si shkas për të prishur harmoninë e botës. Andaj, unë edhe një herë ju kujtoj që të bëni maksimumin tuaj për të parandaluar fuqitë e mëdha e të vogla nga përfshirja në një luftë të tretë botërore. Nuk duhet të harrojmë që nëse do të dështojmë në këtë detyrë, atëherë efektet dhe pasojat e një lufte të tillë nuk do të shtrihen vetëm në vendet e varfra të Azisë, në Evropë dhe në Amerikë, por edhe gjeneratave të ardhshme do t’u duhet të përballen me pasojat e llahtarshme të veprimeve tona dhe edhe fëmijët që do të lindin kudo në botë, do të lindin me defekte. Lutja ime është që liderët e botës të punojnë me urtësi e të mos lejojnë armiqësitë e ndërsjella midis shteteve e njerëzve nga një shkallë e vogël të kalojnë në një konflikt botëror. Zoti i Lartësuar mundësoftë që ju dhe të gjithë liderët e botës ta kuptojnë këtë mesazh.

Me urimet më të mira dhe me lutje

Juaji sinqerisht

Mirza Masrur Ahmedi
Khalifatul Masih V (Kalifi i Pestë i Mesihut)
Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp