Autori - Hazret Mirza Masrur Ahmedi
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Hazret Mirza Masrur Ahmediaba

Autori - Hazret Mirza Masrur Ahmed

Hazret Mirza Masrur Ahmed, Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia

Shenjtëria e tij, Hazret Mirza Masrur Ahmediaba është udhëheqësi suprem i Xhematit Musliman Ahmedia. Ai është Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Reformatorit Hazret Mirza Ghulam Ahmedas të Kadijanit.

Shenjtëria e tij lindi më 15 shtator të vitit 1950 në Rabvah të Pakistanit në shtëpinë e të ndjerit Mirza Mansur Ahmed dhe së ndjerës Nasirah Begum Ahmed. Pas përfundimit të studimeve të masterit për ekonomi bujqësore në Universitetin e Fejselabadit në Pakistan, në vitin 1977, ai ia dedikoi jetën shërbimit të fesë Islame. Po në vitin 1977, ai u dërgua në Ganë, ku për shumë vjet shërbeu si drejtor i shkollave të ndryshme të ndërtuara nga Xhemati Musliman Ahmedia. Ai dha kontributin e tij të vyer në hapjen e shkollës së mesme të Salagasë, ku shërbeu edhe si drejtor gjatë dy viteve të para.

Më vonë, Shenjtëria e tij u kthye në Pakistan për të shërbyer në pozita të ndryshme në Rabvah, në qendrën e Xhematit Musliman Ahmedia. Ai ka qenë edhe i burgosur për një periudhë të shkurtër për një akuzë krejtësisht të rreme se gjoja kishte fshirë ajete të Kuranit Famëlartë nga një tabelë.

Nga data 22 prill 2003, pasi u zgjodh në detyrën e përjetshme të Kalifit të Xhematit Musliman Ahmedia, Shenjtëria e tij shërben si udhëheqës botëror shpirtëror dhe administrativ i një bashkësie fetare ndërkombëtare me dhjetëra milionë anëtarë, të shtrirë në më shumë se 200 vende të botës.

Që nga zgjedhja e tij si Kalif, Shenjtëria e tij ka drejtuar një fushatë mbarëbotërore për të përhapur mesazhin paqësor të Islamit, përmes të gjitha formave të medias qoftë të shtypur apo dixhitale. Nën udhëheqjen e tij, strukturat kombëtare të Xhematit Musliman Ahmedia gjithashtu kanë nisur fushatën për të përhapur mësimet e vërteta dhe paqësore të Islamit. Muslimanët ahmedianë në mbarë botën, janë të angazhuar në shpërndarjen e fletëpalosjeve të paqes, me miliona në numër, midis muslimanëve dhe jo-muslimanëve, në organizimin e takimeve ndërfetare, të simpoziumeve të paqes dhe në çeljen e ekspozitave të Kuranit Famëlartë që promovojnë mesazhin e tij të vërtetë e fisnik. Këto fushata që tashmë kanë tërhequr mbulim mediatik botëror, demonstrojnë se Islami përkrah paqen, besnikërinë ndaj atdheut dhe shërbimin ndaj njerëzimit.

Në vitin 2004, shenjtëria e tij themeloi Simpoziumin Vjetor të Paqes, në të cilin miq nga fusha të ndryshme të jetës, bashkohen për të këmbyer ide për promovimin e paqes dhe të harmonisë. Çdo vit, ky simpozium tërheq mjaft ministra, deputetë, politikanë, liderë fetarë dhe personalitete të tjera të shquara.

Për të promovuar e për të përkrahur shërbimin ndaj njerëzimit, Shenjtëria e tij ka udhëtuar në mbarë botën. Nën udhëheqjen e tij, Xhemati Musliman Ahmedia ka ndërtuar një numër të madh shkollash e spitalesh, të cilat ofrojnë shërbime cilësore arsimore e shëndetësore në vende të largëta të botës.

Shenjtëria e tij orvatet të vendosë paqen në çdo nivel të shoqërisë. Ai vazhdimisht këshillon anëtarët e Xhematit Musliman Ahmedia për të ndërmarrë xhihadin ndaj vetes, për të reformuar veten, përpjekje e cila është xhihadi më i vërtetë dhe më i madh, në mënyrë që muslimanët ahmedianë të vendosin paqen në nivelin individual në radhë të parë dhe pastaj të bëhen të aftë për të ndihmuar edhe të tjerët në sigurimin e paqes.

Shenjtëria e tij ua jep këtë mesazh të gjithëve.  Në një pritje të veçantë të zhvilluar në Melbourne, duke iu përgjigjur pyetjes së një të ftuari jomusliman në lidhje me zhvillimin e paqes, ai tha: “Nëse keni paqe në veten tuaj, do të thotë se ju edhe e projektoni atë. Dhe nëse të gjithë ne kemi paqe, do të thotë se të gjithë do ta projektojmë atë te të tjerët”.

Në shkallë individuale dhe kolektive, në platforma lokale, kombëtare apo ndërkombëtare, Shenjtëria e tij orvatet për të këshilluar të gjithë për metoda praktike të vendosjes së paqes, të bazuara mbi mësimet e vërteta të Islamit.

Shenjtëria e tij, Hazret Mirza Masrur Ahmediaba aktualisht jeton në Londër. Si udhëheqës i muslimanëve ahmedianë të mbarë botës, ai përkrah fuqimisht kauzën e Islamit përmes mesazhit të paqes dhe dhembshurisë.

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem