Shkëlqesia e saj
Kancelare e Gjermanisë
Znj. Angela Merkel
Bundeskanzleramt
Willy-Brandt-Str.1
10557 Berlin
15 prill 2012
E dashur Znj. Kancelare,
Për shkak të situatës alarmuese e skajshmërisht shqetësuese të çështjeve të botës në këtë kohë, konsiderova të nevojshme t’ju shkruaj juve. Si Kancelare e Gjermanisë, e një shteti që ka fuqi dhe ndikim të madh në botë, keni autoritet të merrni vendime, të cilat do të ndikojnë jo vetëm brenda vendit tuaj, por edhe në të gjithë botën. Në këtë kohë, kur bota po ndahet në dy blloqe, ekstremizmi po përshkallëzohet dhe situata ekonomike dhe politike po përkeqësohet, ka nevojë urgjente për të shuar të gjitha urrejtjet e për të vendosur themelet e paqes. Kjo mund të arrihet vetëm duke respektuar ndjenjat e gjithsecilit. Por, ngaqë kjo nuk është duke u implementuar plotësisht, sinqerisht dhe ndershmërisht, situata botërore po përdridhet me shpejtësi për të dalë nga kontrolli. Vërejmë se shumica e vendeve nuk po i përmbushin kërkesat e drejtësisë dhe rrjedhimisht, themeli i një lufte tjetër botërore është hedhur tashmë. Shumë vende, të mëdha e të vogla, zotërojnë tashmë armë bërthamore. Andaj, nëse do të shpërthejë një luftë botërore, ka të ngjarë që ajo nuk do të luftohet me armë tradicionale, por do të luftohet edhe me armët bërthamore. Shkatërrimi që do të vijë si rezultat i një konflikti bërthamor është i llahtarshëm dhe i paimagjinueshëm. Kjo luftë do të shoqërohet jo vetëm me efekte të menjëhershme, por edhe gjeneratat e ardhshme do të vuajnë pasoja afatgjata, duke lindur fëmijë me defekte serioze fizike e gjenetike.
Prandaj, për të vendosur paqen botërore, besoj se drejtësia e vërtetë dhe respektimi i ndjenjave dhe i praktikave fetare të të gjithë njerëzve janë të nevojshme. Unë vlerësoj se shumë nga vendet perëndimore kanë lejuar bujarisht njerëzit e vendeve të varfra e të atyre që janë nën zhvillim, të vendosen në vendet e tyre, ndër të cilët ka edhe muslimanë. Padyshim, ka një pakicë e të ashtuquajturve muslimanë, që veprojnë në mënyrë krejtësisht të papërshtatshme dhe krijojnë mosbesim në zemrat e njerëzve të vendeve perëndimore. Megjithatë, duhet të jetë e qartë se aktet e të ashtuquajturve muslimanë të tillë nuk kanë asnjë lidhje me Islamin. Ekstremistët e tillë nuk e duan në të vërtetë Profetin e shenjtë Muhammedin (paqja qoftë mbi të), i cili i solli botës mesazhin e paqes, të dashurisë dhe të pajtimit. Veprimet e vetëm një grushti njerëzish të devijuar nuk duhen përdorur si mbështetje për të kritikuar fenë tonë e për të lënduar ndjenjat e shumicës së sinqertë e të pafajshme të muslimanëve. Paqja në shoqëri është një proces i ndërsjellë dhe mund të vendoset vetëm nëse të gjitha palët bashkëpunojnë për pajtim të ndërsjellë. Për shkak të mosbesimit të krijuar në zemrat e njerëzve në Perëndim, në vend që marrëdhëniet midis shteteve dhe njerëzve të përmirësoheshin, reagimi i disa jomuslimanëve po ashpërsohet dita ditës dhe po krijon një humnerë midis botës muslimane e asaj jomuslimane.
Vërejmë se duke u mbështetur në aktet e disa grupeve dhe shteteve të devijuara muslimane, u është dhënë përparësi interesave vetjake të disa superfuqive, në mënyrë jo të ndershme e të drejtë. Disa nga shtetet e fuqishme të botës duan të kenë qasje të lehtë në pasuritë dhe resurset e disa shteteve të tjera dhe duan gjithashtu që rivalet e tyre të mos kenë qasje të plotë ndaj këtyre resurseve. Për të arritur këtë, shpesh merren vendime me pretekstin për të ndihmuar njerëzit ose për të vendosur paqen globale. Veç kësaj, një faktor kryesor që qëndron në krijimin e rrethanave aktuale politike në botë është kriza ekonomike, e cila na merr tatëpjetë drejt një lufte tjetër botërore. Po të veprohej me sinqeritet, disa nga këto shtete do të përfitonin nga njëra-tjetra në mënyrë të drejtë, duke krijuar lidhje të denja industriale dhe ekonomike, bazuar në marrëdhënie të ndershme. Ato nuk do të tentonin për të nxjerrë përfitime të paligjshme nga resurset e njëra-tjetrës, përkundrazi do të përpiqeshin të bashkoheshin e të ndihmonin njëra-tjetrën. Shkurt, çrregullimi që mbizotëron botën sot është bazuar në një faktor thelbësor, që është mungesa totale e drejtësisë. Pikërisht kjo shkakton ankth dhe shqetësim në një shkallë të gjerë.
Prandaj, kërkesa ime ndaj jush është që të mundoheni deri në maksimumin tuaj për të parandaluar luftën botërore. Përdorni të gjithë energjinë, resurset dhe ndikimin tuaj për të shpëtuar botën nga shkatërrimi i tmerrshëm që e përhijon. Sipas raporteve, Gjermania do t’i mundësojë Izraelit tri nëndetëse me teknologji të përparuara, të cilat mund të pajisen me armë bërthamore. Një profesor gjerman ka pohuar që një vendim i tillë vetëm do të shërbejë për të flakëruar akoma më shumë tensionin e ngritur midis Izraelit dhe Iranit. Ne duhet të mbajmë mend se armë bërthamore nuk zotërojnë vetëm superfuqitë e botës, por edhe vende relativisht të vogla. Ajo që është shqetësuese është se në disa nga këto vende, udhëheqësit janë të papërgjegjshëm e të lumtur për sa kohë e mbajnë gishtin në këmbëz dhe duken të shkujdesur ndaj pasojave të përdorimit të armëve të tilla. Prandaj, edhe një herë ju kërkoj me modesti që të përpiqeni deri në maksimum për të vendosur paqen globale. Nëse do të dështojmë në këtë detyrë, nuk duhet të dyshojmë se një konflikt bërthamor do të shkaktojë shkatërrim, të cilin do ta pasojë gjeneratë pas gjenerate, duke lindur me defekte dhe të cilat kurrë nuk do t’i falin paraardhësit e tyre për t’u prirë atyre drejt një katastrofe globale. Zoti i Plotfuqishëm mundësoftë që ju dhe gjithë liderët e botës ta kuptojnë këtë mesazh.
Me urimet më të mira dhe me lutje
Juaji sinqerisht
Mirza Masrur Ahmedi
Khalifatul Masih V (Kalifi i Pestë i Mesihut)
Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia