Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Të ngjashme rreth kësaj teme

Drejtësia, barazia dhe mirësjellja

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Përkthim në shqip i fjalimit të xhumasë së mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar (Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia), më 25.11.2016 në xhaminë Bejtul Futuh të Londrës.

drejtesia

drejtesia

Përkthimi i këtij ajeti është:

O ju që besuat! Si dëshmitarë për hir të Allahut, bëhuni të qëndrueshëm në vendosjen e drejtësisë, edhe sikur ju duhet të dëshmoni kundër vetes suaj, kundër prindërve apo të afërmve. Qoftë i pasur, qoftë i varfër, Allahu është kujdestari më i mirë për të dy. Mos ndiqni dëshirat e t’i shmangeni drejtësisë! Nëse dredhoni fjalën ose shmangeni, Allahu është i Gjithinformuar për atë që bëni. (Kurani Famëlartë 4:136)

Zgjidhja e problemeve të botës gjendet në mësimet e Kuranit të Shenjtë

Ne i themi botës se zgjidhja e problemeve të botës gjendet në mësimet e Islamit. Për këtë ne paraqesim mësimet e Kuranit.

Gjatë turneut tim në Kanada, një gazetar më pyeti – çfarë zgjidhjeje ju jepni për problemet që ka bota sot?

I thashë: Ju njerëzit e botës, superfuqitë e botës, keni bërë të gjitha përpjekjet e mundshme sipas jush, për t’i zgjidhur problemet që ka bota sot, për të vendosur paqen dhe për të parandaluar terrorizmin. Por problemet janë aty ku ishin. Nëse në një vend situata qetësohet për pak, shkënditë e konflikteve ndizen në vende të tjera. Kur i drejtoheni zonës së re për ta shuar zjarrin, zona e parë çrregullohet sërishmi. I keni shfrytëzuar të gjitha strategjitë tuaja për t’i eliminuar trazirat. Vetëm një përpjekje nuk u bë akoma dhe ajo është zgjidhja në dritën e mësimeve të Islamit.

Kur e dëgjojnë përgjigjen time, ata heshtin. Por ne duhet të kemi parasysh edhe faktin se edhe vendet islamike kanë ngritur sloganin e zbatimit të mësimeve të Islamit, por për fat të keq, nuk kanë vepruar sipas mësimit që dha Zoti i Madhërishëm, që dëshiron Islami dhe që vendosi Profeti Muhammed s.a.v.s. me modelin e vet dhe as nuk përpiqen për këtë. Si rrjedhojë, janë pikërisht vendet islamike sot që janë të përfshira më së shumti në trazira. Gjë më shqetësuese sesa kjo nuk ka.

Deri më tani, asnjë gazetar nuk më drejtoi pyetjen në mënyrë të drejtpërdrejtë duke thënë: Mësimet e Islamit po të kenë ndonjë realitet praktik, përse nuk e përmirësojnë veten vendet islamike, në radhë të parë? Por, ata do të ndeshen me këtë pyetje, ose duhet ta kenë menduar.

Për këtë arsye, në fjalimet e mia që mbaj para jomuslimanëve, së pari flas për gjendjen e muslimanëve dhe më pas u drejtohem atyre, për t’u treguar fytyrën e vërtetë të shteteve të tyre të fuqishme. Në intervistat e mia, ose në bisedat me gazetarët, u tregoj se edhe mosveprimi i muslimanëve në bazë të mësimeve të Islamit është shenjë e vërtetësisë së Islamit dhe të Profetit Muhammed s.a.v.s., sepse Profeti s.a.v.s. qartazi kishte parashikuar këtë gjendje të muslimanëve. Ai kishte thënë se muslimanët do të harronin mësimet e vërteta të Islamit, do të ndiqnin dëshirat vetjake dhe do t’u jepnin përparësi interesave vetjake, dhe në një kohë të tillë, do të shfaqej shërbëtori i tij i vërtetë. Për këtë shërbëtor të vërtetë përmendet edhe në Kuranin Famëlartë dhe gjithashtu, përmendet edhe shenjat e kohës, në të cilat ai do të vinte. Edhe Profeti Muhammed s.a.v.s. shumë qartë na i ka treguar shenjat e kohës në të cilën do të vinte shërbëtori i tij.

Për këtë arsye, në këtë situatë, për një musliman ahmedi, në një aspekt nuk është moment shqetësimi, por gëzimi e qetësimi. Sepse ajo që paratregoi Profeti Muhammed s.a.v.s., për sa i përket gjendjes së muslimanëve, sidomos asaj të dijetarëve, u përmbush dhe ne jemi bërë dëshmitarë të këtij fakti. Këtë gjë tashmë kanë filluar ta pohojnë edhe muslimanët joahmedianë. Madje, kanë filluar të ngrihen zëra, edhe pse të ulët, kundër dijetarëve. Gjithashtu, ne muslimanët ahmedianë kemi moment gëzimi edhe për faktin se po dëshmojmë edhe përmbushjen e pjesës së dytë të parashikimit të Profetit Muhammed s.a.v.s., sepse e kemi pranuar atë që dërgoi Zoti i Madhërishëm, pra, shërbëtorin e vërtetë të Profetit Muhammed s.a.v.s., Mesihun e Premtuar, Imam Mehdiun, përmes të cilit ka filluar epoka e dytë e Islamit.

Detyra jonë nuk është vetëm të ndikojmë te njerëzit thjesht përmes dijes

Por, vetëm kjo a do të na mundësojë neve synimin tonë? Kjo është një pyetje për të cilën gjithkush nga ne duhet të mendojë. Ajetin që kam recituar në fillim, e përmend në shumë prej fjalimeve të mia që mbaj para joahmedianëve dhe jomuslimanëve, duke u treguar se kur Islami porosit për të vendosur drejtësinë, e porosit me standardin që është përmendur në këtë ajet. Shumica e njerëzve marrin shumë përshtypje pozitive nga kjo, të cilën edhe e thonë para të tjerëve.

Por, detyra jonë nuk është vetëm të ndikojmë te njerëzit thjesht përmes dijes. Madje, për ta vijuar misionin e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., kemi nevojë të paraqesim shembuj praktikë të mësimeve të Islamit, përmes veprave tona. Ne nuk kemi ndonjë shtet, që të mund të tregonim shembuj të përmbushjes së drejtësisë në nivelin shtetëror. Kur do të vijë ajo kohë, inshaAllah, do të na duhet të tregojmë shembuj të tillë edhe në nivele të larta, por aktualisht kemi nevojë të tregojmë këta shembuj në nivelin e xhematit dhe në atë shoqëror.

Bota mund të na pyesë: Mirë, ju nuk keni forcat e një shteti, por keni një sistem në xhematin tuaj, ku ju pretendoni të ngriheni dhe të uleni nën komandën e një dore, ju keni marrëdhënie ekonomike dhe shoqërore me njëri-tjetrin, a i vendosni çështjet tuaja sipas këtij standardi të drejtësisë, ashtu siç ju kërkon besimi?

Në këtë ajet, Zoti i Madhërishëm në fillim përdori fjalën “kist” dhe në një pjesë tjetër fjalën “adl”. Dhe kuptimet janë: barazi, drejtësi absolute, standard i lartë i virtyteve, i pastër nga çdolloj animi, të veprosh në mënyrë të paanshme.

Cila është pyetja për ne?

Tani, gjithkush nga ne ka nevojë të shohë se a i zgjidhim çështjet tona sipas këtij standardi? A jemi gati të japim dëshmi kundër vetvetes, për hir të vendosjes së këtij standardi? A jemi gati të dëshmojmë kundër prindërve tanë për të vendosur këtë standard? A jemi gati të dëshmojmë kundër të afërmve tanë për të vendosur këtë standard? Këtu, në fjalën “të afërmit”, më së pari përfshihen fëmijët. Pra, a kemi guximin t’i mposhtim dëshirat tona e ta provojmë praktikisht këtë standard? Të gjitha këto pyetje nuk janë të vogla.

Shembulli i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. për vendosjen e drejtësisë

Në këtë kohë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s., shërbëtori i vërtetë i Profetit Muhammed s.a.v.s. na ka dhënë shembullin e tij, duke ngritur këtë standard. Do t’ju tregoj një ngjarje. Bëhet fjalë për një kohë, kur babai i tij ishte çifligar i tokave, ku përfshihet edhe Kadiani. Në një periudhë të caktuar, u ngrit një padi gjyqësore midis fisit të tij dhe bujqve. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dha dëshminë e tij për bujqit dhe kundër fisit të vet, pa marrë në konsideratë aspak humbjen ekonomike të fisit të tij. Madje, bujqit e varfër edhe pse dinin që ai ishte pronar ose bashkëpjesëtar i atyre tokave, kërkuan që çështja të gjykohet në bazë të dëshmisë së tij, sepse ata e dinin se ai gjithmonë flet për të vërtetën dhe drejtësinë. Kështu që, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dha dëshmi në mbështetje të bujqve.

Pikërisht këtë model ai dëshiron që ta kenë edhe besimtarët e tij, sepse ai synon të ndërtojë xhematin që zbaton porositë e Kuranit Famëlartë, një xhemat që ka standarde të larta të mirësive. Për këtë arsye, edhe në Kushtet e Bejtit, ai na kërkoi të betohemi “për të pranuar tërësisht sundimin e Kuranit Famëlartë mbi vete”. Në Kuranin Famëlartë, në një vend tjetër, Allahu i Madhërishëm thotë:

وَلَا يَجۡرِمَنَّڪُمۡ شَنَـَٔانُ قَوۡمٍ عَلَىٰٓ أَلَّا تَعۡدِلُواْ‌ۚ ٱعۡدِلُواْ هُوَ أَقۡرَبُ لِلتَّقۡوَىٰ‌

Nuk duhet t’ju nxisë armiqësia e ndonjë populli, që ju të mos bëni drejtësi. Bëni drejtësi! Kjo është më afër druajtjes (ndaj Allahut). (Kurani Famëlartë 5:9)

Në lidhje me këtë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Armiqësia ndaj popullit armik nuk duhet t’ju pengojë të bëni drejtësi. Kjo është takva (druajtje ndaj Zotit). Sinqerisht ju them të vërtetën. Është e lehtë të silleni mirë me armiqtë, por është shumë e vështirë t’i mbroni të drejtat e armiqve dhe të mos e lëshoni drejtësinë në çështjet gjyqësore kundër tyre. Këtë mund ta bëjnë vetëm ata që kanë burrëri të fortë. Shumëkush sillet me dashuri ndaj armiqve, u thotë fjalë të bukura, por nuk arrijë t’ua japë të drejtat. Vëllezërit e duan njëri-tjetrin, por nën petkun e vëllazërisë, edhe i marrin të drejtat njëri-tjetrit. 

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. pret nga anëtarët e xhematit të tij një standard shumë të lartë, pikërisht atë që gjendet në mësimet e Kuranit. Anëtarët e xhematit të tij nuk duhet të jenë ndër ata që i zaptojnë të drejtat njëri-tjetrit ose që bëjnë padrejtësi. Kur ata kanë në dorë të marrin ndonjë vendim, të marrin duke qenë larg çdo ndikimi familjar a lidhjeje shoqëror, edhe sikur ai vendim i shkakton dëm vetes së tyre, prindërve të tyre, të afërmve tyre a fëmijëve të tyre. Pra, në çdo kusht ta zbatojnë standardin e lartë të drejtësisë.

Këto modele kur do t’i vendosim në mesin tonë, atëherë mund t’i themi edhe botës: Po jemi ndër ata që kemi ndryshuar veten tonë, e kemi zbatuar mësimin e Islamit dhe kemi guximin të bëjmë drejtësi edhe me armikun. Po, ne jemi që mund të dëshmojmë edhe kundër vetes, edhe kundër prindërve, edhe kundër fëmijëve tanë dhe të afërmve të tjerë, nëse vjen momenti. Këto modele po i vendosim, sepse në të ardhmen, ne kemi për të udhëzuar botën. Nëse nuk i kemi këto modele, do të jemi larg porosive të Zotit të Madhërishëm dhe do t’u dalim të pabesë edhe përgjegjësive tona.

Detyra e përgjegjësve brenda xhematit

Andaj, çdo ahmedian, dhe dua të them, sidomos përgjegjësit, kanë nevojë të shohin se deri në çfarë mase ata i përmbushin amanetet e tyre, deri në çfarë mase kanë arritur ta ngrenë këtë standard të drejtësisë që çdo vendim i tyre duhet të jetë në standardin më të lartë të drejtësisë.

Kur isha në Kanada, disa njerëz më janë ankuar se disa nga përgjegjësit ose disa nga ata që nuk kanë ndonjë përgjegjësi zyrtare, por u janë besuar disa shërbime, nuk veprojnë me drejtësi. Disa japin gjykime duke anuar nga të afërmit. Është e vërtetë që vendimi, në fund të fundit, do të jetë në favor të njërës palë dhe kundër palës tjetër. Por të dyja palët duhet të jenë të bindur se u është dëgjuar ankesa, dhe gjykatësi e ka marrë vendimin sipas arsyetimit të tij, pasi i dëgjoi ato.

Këto çështje përfshijnë, në radhë të parë, sektorët që kanë marrëdhënie me publikun, pra, sektorin e kada-ut (gjykata), sepse përgjegjësit e këtij sektori gjykojnë mosmarrëveshjet e njerëzve. Më pas vjen sektori i umur-e-ama (sekretaria e punëve të brendshme). Edhe kjo ka lidhje me çështje të tilla, sado pak qoftë. Më pas vjen sektori i terbijatit (edukimi) dhe komiteti përmirësues. Pastaj, në disa çështje, ngrihen komisione. Edhe përgjegjësit e komisioneve ngarkohen me detyrë të dëgjojnë dy palët e një çështjeje. Andaj, çdo sektor e ka për detyrë të japë vendimin, pasi të ketë shfrytëzuar të gjitha aftësitë e tij, pasi të ketë menduar thellë çështjen dhe pasi të ketë marrë parasysh çdo gjë, sado të vogël qoftë. Gjithashtu, ata duhet të luten, duhet t’i kërkojnë ndihmë Zotit të Madhërishëm, që t’u japë mundësinë për të marrë vendimin e duhur. Duhet të bëni lutje, përpara se të merrni ndonjë vendim. Ka edhe nga ata, të cilët falin disa nafile për t’u lutur dhe pastaj marrin vendimin, por ka edhe nga ata që marrin vendim me pakujdesi ose anojnë nga diçka e caktuar në vendimmarrje.

Po kështu, edhe sekretaria e përgjithshme (General Secretary) mbulon marrëdhënie me publikun. Sekretari i përgjithshëm dhe çdokush që punon në zyrën e tij kanë për detyrë të sillen me respekt ndaj çdokujt që vjen në zyrë. Nuk duhet të ndodhë që të kenë një sjellje ndryshe për të dashurit dhe miqtë e tyre dhe ndryshe a negative për ata që janë të panjohur ose me të cilët ata nuk kanë marrëdhënie të mira.

Këtë gjë le ta analizojnë përgjegjësit e edhe sektorëve të tjerë. Të gjithë ata që kanë marrëdhënie me publikun, qoftë përgjegjësit, qoftë kolegët e tyre, duhet të analizojnë shërbimet e tyre për të parë nëse përmbushin kushtet e drejtësisë apo jo. Këto janë amanete, që u janë besuar përgjegjësve. Kushdo që shërben në xhemat, e ka për detyrë ta zbatojë drejtësinë, edhe nëse i kërkohet betimi që do ta realizojë detyrën e tij me të gjitha mundësitë e tij dhe duke zbatuar kushtet e drejtësisë, edhe nëse nuk i kërkohet një betim i tillë. Vetëm fakti që dikush e ka pranuar një shërbim të xhematit, e ngarkon me këtë betim. Madje, çdo besimtar është i detyruar t’i përmbushë amanetet dhe premtimet e tij, siç e thotë Zoti i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë:

وَٱلَّذِينَ هُمۡ لِأَمَـٰنَـٰتِهِمۡ وَعَهۡدِهِمۡ رَٲعُونَ

Besimtarët janë ata që i ruajnë amanetet dhe premtimet e tyre. (Kurani Famëlartë 23:9)

Por, ata që punojnë vetëm për hir të Allahut ose pretendojnë të punojnë për Të, sa shumë duhet të kujdesen për amanetet e tyre?! Pa dyshim, më shumë se sa një besimtar i thjeshtë.

Dua t’ju bëj të qartë se u drejtohem jo vetëm përgjegjësve qendror të xhematit, por edhe përgjegjësve presidentëve dhe anëtarëve të amilave të tyre. Të gjithë këta duhet të analizojnë veten se a e përmbushin standardin e drejtësisë. Po ashtu, nuk e kam fjalën vetëm për xhematin e Kanadasë. Ankesa të tilla më vijnë edhe nga Gjermania dhe edhe nga disa vende të tjera. Andaj, në çdo vend ka nevojë të përmirësojnë sjelljet. E nëse nuk e përmbushin standardin e drejtësisë, nuk do të kujdesen jo vetëm amanetet dhe përgjegjësitë e tyre, madje do të bëjnë pabesi. Kurse Zoti i Madhërishëm thotë se ai nuk i do ata që janë të pabesë. Pra, në këtë mënyrë, në vend që të fitojnë sevap duke shërbyer, do të marrin mospëlqimin e Zotit të Madhërishëm, duke bërë padrejtësi dhe duke u treguar mburravecë.

Kështu që, kur bëhen gabime, në vend që të kërkoni justifikime të padrejta, duhet të bëni istigfar (t’i kërkoni falje Zotit) dhe duhet të përpiqeni për ta përmirësuar vetveten. Andaj, përgjegjësit duhet të analizojnë se a po i përmbushin standardet e drejtësisë ashtu siç ka treguar Allahu i Madhërishëm apo jo? A po bëjnë drejtësi me shërbimin e tyre? A po bëjnë drejtësi me ata që ndeshen.

Nuk ka asnjë vlerë të jeni president, sekretar a emir; këto përgjegjësi nuk ju mundësojnë faljen e Zotit dhe ju as nuk po i bëni ndonjë favor Zotit të Madhërishëm dhe xhematit me to; pra, këto amanete dhe përgjegjësi nuk kanë asnjë dobi, nëse nuk i përmbushni me sinqeritet të plotë, ashtu siç Allahu i Madhërishëm ju kërkon t’i përmbushni. Andaj, çdo përgjegjës duhet të shërbejë duke iu përkushtuar tërësisht Zotit të Madhërishëm dhe në çdo vendim të tij, duhet ta përmbushë standardin e drejtësisë.

Nëse ndesheni me ndonjë çështje, për të cilën u mor një vendim i gabuar, atëherë, siç ju thashë, duhet ta pranoni gabimin dhe të përmirësoni sjelljen. Mbajeni mend edhe këtë porosi të Zotit të Madhërishëm:

وَقُولُواْ لِلنَّاسِ حُسۡنً۬ا

Flisni me njerëzit me mirësi dhe butësi! (Kurani Famëlartë 2:84)

Siç ju thashë, në çdo vend të botës, përgjegjësit e xhematit kanë nevojë të analizojnë veten e tyre. Ju kam dhënë shembullin e Kanadasë, ose më është kujtuar t’ju tërheqë vëmendjen nga shembulli i Kanadasë, sepse xhemati atje është shumë i njohur. Tani pas turneut tim, xhemati u njoh edhe më shumë dhe tashmë, jemi në sy të të tjerëve. Për këtë arsye, kemi nevojë të japim shembullin tonë në çdo çështje. Çdo përgjegjës i xhematit sidomos, dhe çdo anëtar në përgjithësi le të jetë shembull përpara botës.

Në një botë ku kemi rëndom shembuj të çrregullimeve, të nëpërkëmbjes së të drejtave, xhemati duhet të vendosë brenda xhematit shembuj të drejtësisë dhe të përmbushjes së të drejtave të tjerëve. Nga kjo bota do të interesohet për të parë se çfarë xhemati është ky, ku çdo anëtar është një shembull. Andaj, në këtë aspekt, kjo është përgjegjësi e çdo anëtari të xhematit, jo vetëm e përgjegjësve, që ai të jetë shembull në marrëdhëniet e tij me shoqërinë dhe të jetë i virtytshëm deri në maksimum. Pastroni veten nga çdolloj animi në marrëdhëniet tuaja. Dëshmia e një ahmediani dhe pohimi i tij të bëhet shembull, qoftë për nga drejtësia, qoftë për nga vërtetësia dhe bota të bindet se nëse ka dhënë dëshmi një ahmedian, dëshmia e tij nuk mund të sfidohet, sepse dëshmia e tij qëndron në standardin më të lartë të drejtësisë. Po e realizuam këtë, jemi të sinqertë në fjalimet tona, në bisedat tona dhe në tabligun tonë, përndryshe, jemi njësoj si të tjerët.

Çdo ahmedian duhet ta ketë në mendje se në premtimin e bejtit, jemi betuar për të qenë larg të gjitha llojeve të ligësisë dhe se pakujdesia ndaj betimit dhe shkelja e tij me vetëdije, është pabesi. Duke treguar shenjat e besimtarit të vërtetë, Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. thotë:

Zemra e njeriut nuk mund të ketë njëkohësisht edhe besimin, edhe mohimin, po ashtu, nuk mund të ketë njëkohësisht edhe të vërtetën, edhe të pavërtetën.

Në një hadith tjetër, Profeti s.a.v.s. na jep një porosi, të cilën duhet ta kenë parasysh edhe përgjegjësit, edhe anëtarët e tjerë të xhematit:

Zemra e muslimanit nuk mund të tradhtojë në tri gjëra: në sinqeritetin për punët e Zotit; në mirëdashje për çdo musliman, në të qenit bashkë me xhematin e muslimanëve.

Andaj, siç ju thashë: përmbushja e amanetit të Zotit është përmbushje e përgjegjësive të fesë së Allahut, duke zbatuar të gjitha kushtet e drejtësisë dhe duke pasur sinqeritet të plotë. Gjithashtu, për çdo njeri është e nevojshme të përmbushë detyrimin që ka ndaj tjetrit. Kur çdokush nga ne do t’i përmbushë detyrimet ndaj njëri-tjetrit, duke zbatuar të gjitha kushtet e drejtësisë, vetvetiu do të marrë fund gara për të marrë të drejtat. Nuk do të ketë njerëz që do të kërkojnë të drejtat e tyre, por do t’u japin të drejtat të tjerëve. Kjo pikërisht është një ndër shenjat e muslimanit të vërtetë, që na tregoi Profeti Muhammed s.a.v.s..

Gjithashtu, çdo ahmedian duhet të mbajë mend se pikërisht të qenët i lidhur me xhematin e muslimanëve, e bën musliman të vërtetë. Sot në botë ka vetëm një xhemat që quhet xhemati musliman ahmedia dhe është vetëm ky xhemat që njihet me një emër të vetëm. Përveç këtij xhemati, nuk ka xhemat në botë që njihet si xhemat ndërkombëtarisht.

Andaj, të qenët i lidhur me të, duke u bërë pjesë e sistemit të xhematit, sipas thënies së Profetit Muhammed s.a.v.s., ju bën musliman të vërtetë. Çdo ahmedian sado që ta falënderojë Zotin për këtë fatmirësi, pak është. Dhe falënderimi i vërtetë është që t’i bindeni tërësisht sistemit të xhematit dhe kalifatit. Zoti bëftë çdo ahmedian ta bëjë këtë falënderim! Zoti e bëftë çdo ahmedian zbatues të drejtësisë me të gjitha kushtet e saj! Le të mos dalë asnjëherë i pabesë, kur lind nevoja për të dhënë dëshmi. Zoti bëftë që çdo përgjegjës i xhematit t’i kuptojë përgjegjësitë e tij dhe t’i përmbushë amanetet e tij dhe këtë ta bëjë duke plotësuar të gjitha kushtet e drejtësisë! Zoti bëftë që ky mësim i bukur të rrjedhë edhe në pasardhësit tanë dhe për këtë kemi nevojë edhe të përpiqemi, në mënyrë që kur të vijë koha, ne vërtet të arrijmë ta vendosim drejtësinë në botë, atë drejtësi që e vendosi Profeti Muhammed s.a.v.s., shembuj të së cilës, në këtë kohë, na tregoi edhe shërbëtori i tij i vërtetë, drejtësinë që pret Mesihu i Premtuar a.s. nga ne! Zoti na e mundësoftë këtë!

(Pas kësaj, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, përmendi tre anëtarë të xhematit që ndërruan jetë, njëri prej tyre edhe dëshmor z. Adnan Muhamed Kurdija, nga qyteti Haleb i Sirisë. Ju lutemi, ndiqeni videon për të dëgjuar rreth jetës së të ndjerëve)