Letër Presidentit të Republikës Islame të Iranit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Shkëlqesia e tij,
President i Republikës Islame të Iranit
Mahmoud Ahmadinejad
Tehran
7 mars  2012

I dashur Z. President!

Es-selam alejkum ue rrahmatullahi ue barakatuhu

Duke studiuar gjendjen e rrezikshme të botës, e cila po shpaloset dita-ditës, kam menduar se është e detyrueshme për mua që t’ju shkruaj këtë letër.  sepse duke qenë President i Iranit, ju gëzoni autoritet për të marrë vendime që do përcaktojnë ndjeshëm jo vetëm të ardhmen e shtetit tuaj po edhe të botës në përgjithësi. Sot, turbullirat dhe nervozizmi janë përhapur kudo në botë. Nëse në disa vende lufta ka plasur në shkallë të vogël, në vendet e tjera po ndërhyjnë superfuqitë me pretekst për të vendosur paqe. Çdo shtet është angazhuar për të mbështetur ose për të kundërshtuar shtetin tjetër, ndërsa kriteret që nevojiten për paqen e gjithanshme po shkelen nëpër këmbë. Duke parë rrethanat në të cilat ndodhet bota sot, me keqardhje duhet pranuar se baza për një Luftë tjetër Botërore tashmë është përgatitur. Duke qenë se mjaft shtete, të mëdha apo të vogla qofshin, kanë përvetësuar armë bërthamore, dhe armiqësia e shemëria midis tyre po përshkallëzohet dita-ditës, kërcënimi i Luftës së Tretë Botërore në një situatë aq të pleksur, është më se real. Siç jeni në dijeni se disponimi i armëve bërthamore nënkupton se Lufta e Tretë Botërore do të jetë një përballje bërthamore. Pasojat e saj përfundimtare do të jenë katastrofike, ndërsa rrjedhojat e saj afatgjata mund të na shpien në situatë, ku brezat e ardhme do të lindin të gjymtuar e me të meta trupore.

Unë besoj se duke qenë ndjekësit e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), i cili ishte dërguar për të vendosur paqe në botë dhe ishte Rrahmatul-lil A’alamin – mëshirë për mbarë njerëzimin, ne kurrë s’mund të dëshirojmë se bota të pësojë një përfundim të tillë. Prandaj, dua t’jua shtroj sinqerisht këtë kërkesë timen se meqë Irani gjithashtu përbën një fuqi të rëndësishme në botë, ai duhet të përmbushë përgjegjësinë e tij për të shmangur Luftën e Tretë Botërore. Është pashmangshmërisht e vërtetë se fuqitë e mëdha veprojnë me standarde të dyfishta. Megjithatë, ne s’mund të injorojmë faktin se disa grupe muslimane veprojnë padrejtësisht dhe në kundërshtim të hapur me mësimet e Islamit. Fuqitë e mëdha kanë përdorur këtë si pretekst për të arritur interesat e tyre të ulëta e për t’i shfrytëzuar vendet e varfra muslimane. Prandaj, unë ju lutem edhe një herë, se duhet të përqendroni përpjekjet dhe energjitë tuaja në shpëtimin e botës nga Lufta e Tretë Botërore. Kurani Famëlartë porosit muslimanët se armiqësia ndaj një shteti nuk duhet t’i pengojë ata për të vepruar drejtësisht. Allahu i Lartësuar na urdhëron në suren el-Maidah:

Të mos nxiteni nga armiqësia ndaj ndonjë populli që ju pengoi të vizitoni Qaben, për t’i shkelur kufijtë. Ndihmoni njëri-tjetrin në vepra të mira dhe me devotshmëri, dhe jo me gjynahe e armiqësi. Frikësojuni Allahut, sepse Ai është i rreptë në ndëshkim. (Kurani Famëlartë 5:3)

Në mënyrë të ngjashme, në të njëjtën sure, ne gjejmë porosinë vijuese drejtuar muslimanëve:

“O besimtarë! Mbahuni të palëkundur për hir të Allahut duke dëshmuar me drejtësi. Dhe le të mos ju nxisë armiqësia ndaj një populli për të vepruar padrejtësisht. Veproni me drejtësi sepse ajo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut. Allahu është i dijshëm për ato që bëni ju.” (Kurani Famëlartë 5:9)

Prandaj, ju nuk duhet të kundërshtoni shtetin tjetër, thjesht nga armiqësia dhe urrejtja. Unë pranoj se Izraeli i ka tejkaluar kompetencat e tij, dhe ka ngulur sytë mbi Iranin. Vërtet, nëse një shtet hidhet në sulm kundër shtetit tuaj, natyrisht ju keni të drejtë për t’u mbrojtur. Megjithatë, aq sa është e mundur, konfliktet duhen zgjidhur përmes përpjekjeve diplomatike dhe bisedimeve. Ju parashtroj kërkesën time modeste, se në vend të forcës, përdorni dialogun për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Arsyeja përse po ju bëj këtë kërkesë është se unë jam ndjekës i atij personi të përzgjedhur prej Zotit, i cili erdhi në këtë kohë si shërbëtor i vërtetë i të Dërguarit të Allahutsa dhe deklaroi se është Mesih i Premtuar dhe Imam Mehdi. Ai kishte qëllim për t’i afruar njerëzit pranë Zotit dhe për të vendosur të drejtat e popullit duke iu përgjigjur atij modeli që udhëheqësi dhe mësuesi ynë, Rrahmatul-lil A’alamin – mëshirë për mbarë njerëzimin – i Dërguari i Allahutsa na la neve. Allahu i Madhërishëm e mundësoftë umetin musliman që ta kuptojnë këtë mësim të shkëlqyer.

Juaji sinqerisht

Mirza Masrur Ahmedi
Khalifatul Masih V (Kalifi i Pestë i Mesihut)
Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp