lufta-bërthamore-pasojat
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Simpoziumi i 9-të i përvitshëm për paqen
Londër, Mbretëri e Bashkuar, 2012

Hyrje

Më 24 mars të vitit 2012, u mbajt Simpoziumi i nëntë i përvitshëm për paqen, i organizuar nga Xhemati Musliman Ahmedia i Anglisë, në xhaminë Bejtul Futuh, xhamia më e madhe e Evropës Perëndimore, në Morden të Londrës. bërthamore - Baitul Futuh LondërKy event tërhoqi një audiencë prej më shumë se 1000 njerëzish, duke përfshirë ministra qeveritarë, ambasadorë të shteteve, deputetë të të dy Dhomave, asaj të Ulët (Komunëve) dhe asaj të Lartë (Lordëve), Kryebashkiakun e Londrës, titullarë të ndryshëm, profesionistë, fqinjë dhe mysafirë të tjerë nga të gjitha sferat e jetës. Tema e këtij simpoziumi ishte “Paqja ndërkombëtare”. “Çmimin e vitit për progresin e paqes, nga Xhemati Musliman Ahmedia” Hazret Mirza Masrur Ahmedi i dha shoqatës bamirëse “SOS Children’s Villages UK”, për të bërë të njohura përpjekjet e saj të vazhdueshme për lehtësimin e vuajtjeve të fëmijëve jetimë dhe të pastrehëve në mbarë botën dhe për të përmbushur vizionin e saj “një shtëpi e dashur për çdo fëmijë”. Ky çmim është dhënë për herë të tretë nga Xhemati Musliman Ahmedia.bërthamoreNdër mysafirët e tjerë, ishin të pranishëm edhe:

  • Znj. Justine Greening, deputete, Ministre e Transportit
  • Znj. Jane Ellison, deputete (Battersea)
  • Znj. Seema Malhotra, deputete (Feltham & Heston)
  • Tom Brake, deputet (Carlshalton & Wallington)
  • Virendra Sharma, deputet (Ealing & Southall)
  • Lord Tariq Ahmad, i Wimbledon-it
  • Wesley Momo Johnson, Ambasador i Liberisë
  • Abdullah Al-Radhi, Ambasador i Jemenit
  • Miguel Solano-Lopez, Ambasador i Paraguajit
  • Commodore Martin Atherton, Komandant Rajonal i Marinës
  • Councillor Jane Cooper, Kryebashkiaku i Wandsworth-it
  • Councillor Milton McKenzie MBE, Kryebashkiaku i Barking & Dagenham-it
  • Councillor Amrit Mann, Kryebashkiak i Hounslow-së
  • Znj. Siobhan Benita, kanditate e pavarur për Kryebashkiake për Londrën,
  • si dhe diplomatë nga shumë vende të tjera, duke përfshirë Indinë, Kanadanë, Indonezinë dhe Guinenë.

 

Pasojat shkatërruese të një lufte bërthamore dhe nevoja vendimtare për drejtësinë absolute

Simpoziumi i paqes kalifi

Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar duke mbajtur fjalën e tij në Simpoziumin e 9-të të përvitshëm për paqen.

Pas recitimit të tashahudit, t’avudhit dhe bismilahut, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuaraba tha:Ju përshëndes të gjithë ju miqtë tanë Es-selam alejkum ue rrahmatullahi ue barakatuhu: Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të gjithë ju!

Sot, pas një viti, edhe një herë kam kënaqësi t’ju mirëpres në këtë event të gjithë ju miq të nderuar. Ju jam shumë mirënjohës të gjithëve që keni ndarë kohën tuaj sot për të ardhur këtu.

Sigurisht, shumica prej jush janë njohur mirë me këtë event që quhet “Simpozium për paqen”, i cili organizohet çdo vit nga Xhemati Musliman Ahmedia dhe që është njëra ndër shumë përpjekjet për të përmbushur dëshirën tonë që paqja të vendoset në botë.

Mes pjesëmarrësve, sot kemi edhe disa miq të rinj, pra që marrin pjesë në këtë pritje për herë të parë, ndërsa të tjerët janë miq tanë të vjetër, që i kanë mbështetur përpjekjet tona për shumë vite. Pavarësisht nga kjo, të gjithë ju jeni mjaft të edukuar dhe ndani me ne dëshirën për të vendosur paqe në botë, dhe pikërisht nga kjo dëshirë keni ardhur në këtë event.

Të gjithë ju jeni këtu me dëshirën tuaj të përzemërt që bota të mbushet me dashuri, dhembshuri dhe miqësi. Pikërisht këtë qëndrim dhe këto vlera dëshiron shumica e botës dhe, të cilat janë kaq të nevojshme për të. Kjo është arsyeja, pse ju të gjithë, edhe pse vini nga bekgraunde, kombe dhe fe të ndryshme, keni ardhur këtu në këtë event.

Siç e thashë, këtë konferencë ne e zhvillojmë çdo vit, dhe çdo herë, e njëjta ndjenjë dhe shpresë pasqyrohet nga të gjithë ne, që paqja të vendoset në botë mu para syve tanë, prandaj, çdo vit edhe unë ju lutem të gjithëve të përpiqeni të promovoni paqe kudo dhe para çdokujt që njihni. Sërish, u lutem të gjithë atyre që kanë kontakte me parti politike ose me qeveri të ndryshme, t’ua përcjellin këtë mesazh paqeje rretheve ku ata mund të kenë ndikim. Është e nevojshme që secili të bëhet i vetëdijshëm që, për vendosjen e paqes në botë, ka nevojë shumë të madhe më shumë se kurrë për vlera të larta morale dhe parimore.

Sa i përket Xhematit Musliman Ahmedia, kudo dhe kurdo që lind mundësia, ne shprehim haptas dhe deklarojmë pikëpamjen tonë, që ekziston vetëm një mënyrë për të shpëtuar botën nga shkatërrimi dhe shkretimi, drejt të cilit ajo po shkon, dhe që është përpjekja maksimale nga gjithë ne për të përhapur dashuri, dhembshuri dhe një ndjenjë bashkimi. Më e rëndësishmja është që bota të arrijë ta njohë Krijuesin e saj, i Cili është Zoti i Vetëm, sepse pikërisht njohja e Krijuesit është ajo që na çon drejt dashurisë dhe dhembshurisë për krijesat. Kur ajo bëhet pjesë e karakterit tonë, vetëm atëherë ne do të bëhemi edhe përfitues të dashurisë së Zotit.

boris johnson

Kryebashkiaku i Londrës Z. Boris Johnson duke i dhuruar Shenjtërisë së tij një suvenir të autobusit urban të Londrës.

Ne vazhdimisht ngremë zërin duke bërë thirrje për paqe në botë, sepse dhimbja dhe ankthi që ndjejmë në zemrat tona na frymëzon të mundohemi të lehtësojmë vuajtjet e njerëzimit dhe ta bëjmë botën ku jetojmë një vend më të mirë. Sigurisht, kjo mbledhje është vetëm një nga përpjekjet tona të shumta në këtë drejtim.Siç e kam thënë më herët, të gjithë ju gjithashtu i keni këto dëshira fisnike. Për më tepër, unë vazhdimisht u kam bërë thirrje politikanëve dhe udhëheqësve fetarë që të përkushtohen për paqen. Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet, shohim se ankthi dhe trazirat vazhdojnë të shtohen e të përhapen në të gjithë botën. Sot, botën e gjejmë të mbushur me konflikte, shqetësime dhe çrregullime. Në disa shtete, njerëzit janë duke luftuar me njëri-tjetrin. Në vende të tjera, populli është duke luftuar kundër qeverisë ose anasjelltas. Grupe terroriste janë duke i fryrë zjarrit të anarkisë dhe çrregullimit për të përmbushur dëshirat e tyre vetjake dhe kështu janë duke vrarë në mënyrë arbitrare gra, fëmijë dhe njerëz të moshuar e të pafajshëm. Në disa vende, sërish për të përmbushur interesat e tyre, partitë politike luftojnë me njëra-tjetrën, në vend që të bashkëpunojnë për mbarëvajtjen e vendeve të tyre. Ka edhe shtete dhe qeveri, që janë vazhdimisht duke vëzhguar me zili resurset e shteteve të tjera. Superfuqitë e botës janë konsumuar për të ruajtur epërsinë e tyre dhe nuk po lënë zar pa hedhur për ta arritur këtë qëllim.

Duke pasur gjithë këtë në mendje, ne shohim se as Xhemati Musliman Ahmedia e as shumica nga ju që jeni anëtarë të publikut të gjerë, nuk kemi fuqi apo autoritet për të zhvilluar politika që do të sillnin ndryshime pozitive. Kjo, sepse ne nuk mbajmë ndonjë pushtet qeveritar apo autoritar. Në fakt, do të shkoja edhe më tej duke thënë se edhe politikanët me të cilët kemi lidhje miqësie, të cilët gjithmonë janë dakord me ne kur janë në shoqërinë tonë, nuk mund të bëjnë gjë. Madje, zëri i tyre mbytet dhe ata pengohen t’i shprehin pikëpamjet e tyre. Kjo mund të jetë ose për shkak se ata janë të detyruar të ndjekin politikat partiake, ose ndoshta nga trysnia e jashtme që u bëhet nga superfuqitë e botës apo aleatët politikë, që i mbajnë ata të përkulur.

Sidoqoftë, ne që marrim pjesë çdo vit në këtë simpozium për paqen, padyshim kemi dëshirë që të vendoset paqja dhe natyrisht shprehim opinionet dhe ndjenjat tona që dashuria, dhembshuria dhe vëllazëria duhet të vendosen ndër të gjitha fetë, kombet, racat dhe sigurisht, në mbarë njerëzimin. Por fatkeqësisht, jemi të pafuqishëm ta sjellim këtë vizion në jetë. Ne nuk kemi autoritet ose mjete për të arritur rezultatet që duam.

Më kujtohet që një ose dy vjet më parë, pikërisht në këtë sallë, gjatë simpoziumit tonë për paqen, mbajta një fjalim, duke trajtuar mënyrat dhe mjetet për të vendosur paqe në botë dhe fola gjithashtu për mënyrën se si Kombet e Bashkuara duhet të funksionojnë. Pastaj, miku ynë shumë i nderuar dhe i respektuar Lord Eric Avebury komentoi se fjalimi duhet të ishte mbajtur pikërisht në Kombet e Bashkuara. Sidoqoftë, kjo ishte një shfaqje e karakterit të tij fisnik që ishte kaq bujar dhe i sjellshëm në vërejtjet e tij. Megjithatë, ajo që dua të them është se thjesht mbajtja ose dëgjimi i një fjalimi apo ligjërate nuk mjaftojnë dhe nuk vendosin paqe. Në fakt, nevoja kyçe për të përmbushur këtë qëllim primar është drejtësia absolute dhe çiltërsia në të gjitha çështjet. Kurani Famëlartë, në ajetin 136 të sures 4, na ka dhënë një parim dhe mësim të artë, duke na udhëzuar për këtë. Ai thotë që, si mjet për të përmbushur kërkesat e drejtësisë, nëse juve ju duhet të dëshmoni edhe kundër vetes, kundër prindërve apo të afërmve tuaj, atëherë ju duhet ta bëni. Kjo quhet drejtësi e vërtetë, kur interesat personale lihen mënjanë për të mirën e përbashkët.

Nëse mendojmë për këtë parim në një shkallë kolektive, do të kuptojmë që teknikat e lobimeve të padrejta për të pasur pasuri dhe influencë, duhet të braktisen. Në vend të kësaj, përfaqësuesit dhe ambasadorët e çdo shteti duhet të dalin përpara me sinqeritet dhe me një dëshirë për të mbështetur parimet e drejtësisë dhe barazisë. Ne duhet të eliminojmë të gjitha format e paragjykimeve dhe diskriminimeve, sepse ky është i vetmi mjet për të sjellë paqe. Nëse shohim Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ose Këshillin e Sigurimit, shpesh vërejmë që deklaratat dhe fjalimet që mbahen atje, marrin njohje e lëvdata, por nderime të tilla janë të pakuptimta, sepse vendimet e vërteta janë të paracaktuara më herët.

Dame Mary Richardson

Znj. Dame Mary Richardson DBE, Presidente e shoqatës “SOS Children’s Villages UK” duke marrë “Çmimin nga Xhemati Musliman Ahmedia për progresin e paqes” nga Shenjtëria e tij.

Kështu që, atje ku vendimet merren në bazë të trysnisë ose lobimit të superfuqive, në kundërshtim me drejtësinë dhe demokracinë e vërtetë, fjalime të tilla janë boshe, të pakuptimta dhe me shtirjen e tyre vetëm e mashtrojnë botën e jashtme. Sidoqoftë, e gjithë kjo nuk do të thotë që ne të dëshpërohemi, të humbasim shpresën e të ndalim përpjekjet tona. Përkundrazi, objektivi ynë duhet të jetë që, duke qenë brenda ligjeve, të vazhdojmë ta rikujtojmë qeverinë për nevojat e kohës. Ne duhet t’i këshillojmë siç duhet edhe ato grupe që punojnë për interes të tyre, në mënyrë që drejtësia të mbizotërojë në një nivel global. Vetëm atëherë do të mund ta shohim botën një parajsë të paqes dhe harmonisë, gjë që të gjithë ne e kërkojmë dhe e dëshirojmë.Prandaj, ne nuk duhet të heqim dorë nga përpjekjet tona. Nëse ne do të reshtim së ngrituri zërin tonë kundër mizorisë dhe padrejtësisë, atëherë do të bëhemi si ata që nuk kanë fare vlera dhe standarde morale. Nuk ka rëndësi nëse dëgjohet apo jo zëri ynë, nëse do të ketë ndonjë ndikim apo jo, ne duhet të vazhdojmë të këshillojmë të tjerët për paqe. Unë gjithmonë gëzohem shumë kur shoh që, pa bërë dallimin fetar apo kombëtar, kaq shumë njerëz marrin pjesë në këtë mbledhje vetëm për të përkrahur vlerat njerëzore, për të mësuar dhe për të folur për mjetet e vendosjes së paqes dhe dashurisë në botë. Kështu që, do të doja t’ju kërkoja të gjithëve, të përpiqeni me të gjitha aftësitë tuaja, në mënyrë që të mbajmë gjallë regëtimën e shpresës, sepse do të vijë një kohë, kur paqja dhe drejtësia e vërtetë do të vendosen në të gjitha anët e botës.

Duhet të kujtojmë se kur përpjekjet e njerëzve dështojnë, Zoti i Plotfuqishëm shpall dekretin e Tij për të përcaktuar fatin e njerëzimit. Para se dekreti i Zotit të vihet në lëvizje e të detyrojë njerëzit për Të dhe për përmbushjen e detyrimeve ndaj njerëzimit, do të jetë shumë më mirë nëse njerëzit e botës vetë t’u kushtojnë vëmendje këtyre çështjeve të rëndësishme, sepse Kur Zoti i Plotfuqishëm detyrohet të marrë masa, zemërimi i Tij e ndëshkon njerëzimin në një mënyrë vërtet të rëndë dhe të tmerrshme.

Në botën e sotme, një manifestim i tmerrshëm i dekretit të Zotit mund të jetë në formën e një lufte botërore. Nuk ka dyshim që pasojat dhe shkatërrimet e një lufte të tillë nuk kufizohen në përfundim të luftës e as në kufijtë e një gjenerate. Në fakt, pasojat e saj të lemerishme do të shfaqen për shumë breza të ardhshëm. Pasoja të tilla prekin fëmijët e porsalindur, qofshin ata që lindin tani, apo ata që do të lindin në të ardhmen. Armët që gjenden sot janë kaq shumë shkatërruese, saqë mund të bëjnë që fëmijët, brez pas brezi, të lindin me defekte të rënda gjenetike fizike.

Japonia është një vend që ka përjetuar pasoja të rënda të luftës atomike, kur ajo u sulmua me një bombë bërthamore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhe sot, nëse vizitoni Japoninë dhe takoni njerëzit e saj, do të shihni një frikë dhe urrejtje të plotë për luftën në sytë dhe në fjalët e tyre, edhe pse bombat bërthamore që ishin përdorur në atë kohë dhe që shkaktuan shkatërrim të gjerë, ishin shumë më pak të fuqishme se sa armët atomike që kanë sot edhe shtete shumë të vogla.

Thuhet se në Japoni, edhe pse kanë kaluar shtatë dekada, pasojat e bombës atomike vazhdojnë të shfaqen te fëmijët e porsalindur. Nëse një person qëllohet me plumb, nganjëherë ka mundësi që ai të mbijetojë duke marrë trajtimin mjekësor, por nëse shpërthen një luftë bërthamore, atëherë ata që bien brenda vijës së zjarrit, nuk do ta kenë një fat të tillë. Madje, njerëzit befasisht do të vdesin dhe do të ngrijnë si statuja dhe trupat e tyre do të shkrihen tërësisht. Uji i pijshëm, ushqimi dhe bimësia do të ndoten e do të preken nga rrezatimi radioaktiv. Ne vetëm në imagjinatë mund të shohim se çfarë sëmundjesh mund të shkaktojë një ndotje e tillë. Edhe në zonat që nuk do të jenë të prekura drejtpërdrejt, ku pasojat e rrezatimit mund të jenë më të lehta, edhe atje rreziku i sëmundjeve do të jetë shumë i lartë, dhe edhe gjeneratat pasardhëse nuk do të jenë të sigurta.

Prandaj, siç e kam thënë, pasojat shkatërruese të një lufte të tillë nuk do të jenë të kufizuara brenda një lufte apo pas asaj, por do të pasojnë gjeneratë pas gjenerate. Edhe pse këto janë pasojat reale të një lufte të tillë, sot ka njerëz kaq egoistë e të pamend, që janë tepër krenarë për atë që shpikin në këtë drejtim dhe e cilësojnë sikur i kanë sjellë një dhuratë të çmuar botës.

E vërteta është që edhe të ashtuquajturat aspekte të dobishme të energjisë dhe teknologjisë bërthamore mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe mund të çojnë në një shkatërrim të gjerë, vetëm për shkak të neglizhencës ose për shkak të aksidenteve. Ne tashmë kemi dëshmuar katastrofa të tilla, siç ishte ajo që erdhi si pasojë e aksidentit bërthamor që ndodhi në vitin 1986 në Çernobil, sot pjesë e Ukrainës, ose ajo që ndodhi jo më larg se vitin e kaluar, pas tërmetit dhe cunamit në Japoni, e cila shkaktoi një tmerr saqë frika ishte ulur këmbëkryq në vend. Kur ndodhin ngjarje të tilla, bëhet i vështirë edhe ripopullimi i zonave të prekura. Për shkak të përvojës së tyre unike dhe tragjike, japonezët janë bërë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe ndjenja e tyre e frikës me të drejtë justifikohet.

Padyshim që njerëzit vdesin në luftë, prandaj, kur Japonia kishte hyrë në Luftën e Dytë Botërore, qeveria dhe populli i saj ishin tërësisht të vetëdijshëm që disa njerëz do të vriteshin. Thuhet se afërsisht 3 milionë njerëz vdiqën në Japoni, bëhej fjalë për 4% të popullsisë së atij vendi. Edhe pse disa vende të tjera mund të kenë vuajtur më shumë dhe në total mund të kenë pasur më shumë të, urrejtja dhe neveria për luftën tek japonezët është shumë më e madhe në krahasim me atë që kanë popujt e tjerë. Arsyeja e thjeshtë e kësaj janë, padyshim, dy bombat bërthamore që u hodhën në Japoni gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasojat e të cilave ata po i shohin edhe sot e kësaj dite. Japonia ka provuar madhështinë dhe aftësinë e saj ripërtëritëse duke arritur t’i ripopullojë dhe t’i rehabilitojë vendbanimet relativisht më shpejt. Por, të jeni të qartë, nëse armët bërthamore do të përdoren sot edhe një herë, është krejtësisht e mundur që zona të tilla të fshihen plotësisht nga harta, sikur të mos kishin ekzistuar më parë.

Në bazë të llogaritjeve të bëra, numri i viktimave gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte rreth 62 milionë dhe thuhet se 40 milionë prej tyre ishin civilë. Pra, me fjalë të tjera, njerëzit civilë u vranë më shumë sesa personeli ushtarak. Ky shkatërrim ndodhi pavarësisht nga fakti se, me përjashtim të Japonisë, në çdo vend tjetër u zhvillua një luftë tradicionale me armë të zakonshme.

Në Mbretërinë e Bashkuar do të humbnin jetën rreth gjysmë milion njerëz. Sigurisht, në atë kohë, ajo vazhdonte të ishte një fuqi koloniale dhe kolonitë gjithashtu luftuan për të. Nëse do t’i përfshijmë edhe humbjet e tyre, numri i të vdekurve do të kalojë në miliona. Vetëm në Indi, rreth 1.6 milion njerëz humbën jetën.

Megjithatë, sot situata ka ndryshuar. Të njëjtat vende, që ishin koloni të Mbretërisë së Bashkuar dhe që luftuan për të, sot, po të ndizet lufta, mund të luftojnë kundër saj. Për më tepër, siç e përmenda pak më parë, edhe vende të vogla kanë siguruar tashmë armë bërthamore.

Ajo që shkakton më tepër frikë është fakti që armët bërthamore mund të përfundojnë edhe në duart e njerëzve të tillë, të cilët ose nuk kanë zgjuarsi për t’i përdorur ato, ose nuk e lodhin mendjen për të menduar se çfarë pasojash do të kenë veprimet e tyre. Në të vërtetë, njerëzit e tillë as nuk e çajnë kokën për pasojat, madje janë të gëzuar derisa janë gati për të tërhequr këmbëzën.

Pra, nëse superfuqitë nuk do të veprojnë me drejtësi, nuk do të shmangin pakënaqësinë e vendeve të vogla dhe nuk do të përvetësojnë politika të urta dhe madhore, situata do të dalë jashtë kontrollit dhe shkatërrimi që do të pasojë, do të jetë përtej imagjinatës sonë. Edhe shumica e botës që me të vërtetë do paqe, gjithashtu do të gllabërohet nga ky shkatërrim.

Prandaj, dëshira dhe shpresa ime e zjarrtë është që liderët e të gjitha vendeve të mëdha të arrijnë ta kuptojnë këtë realitet të llahtarshëm dhe kështu, në vend që të përvetësojnë taktika agresive dhe të përdorin forcë për të arritur qëllimet dhe objektivat e tyre, të zbatojnë politika që nxisin e sigurojnë drejtësinë.

Ditët e fundit, një  komandant mjaft i vjetër i ushtrisë ruse lëshoi një alarm serioz për mundësinë e fortë të një lufte bërthamore. Sipas tij, një luftë e tillë nuk do të bëhej në Azi apo diku tjetër, por në kufijtë e Evropës dhe që kërcënimi mund të ndizet nga vendet e Evropës Lindore. Megjithëse disa njerëz do të thonë se ky është thjesht mendimi i tij, unë nuk besoj që pikëpamjet e tij të jenë të pamundshme, për më tepër, unë besoj se nëse ndizet një luftë e tillë, ka shumë mundësi që edhe vendet aziatike do të përfshihen.

Një tjetër lajm që i është dhënë vëmendje e gjerë mediatike kohëve të fundit, është opinioni i ish shefit të Mossad-it (Agjencia e Inteligjencës së Izraelit). Gjatë një interviste, në kanalin e mirënjohur televiziv amerikan CBS, ai tha se po bëhej e qartë se qeveria izraelite dëshironte të niste luftë kundër Iranit. Nëse do të ndërmerrej një sulm i tillë, tha ai, do të ishte e pamundur të dihej se ku dhe si kjo luftë do të merrte fund. Kështu që, ai këmbënguli në idenë kundër çdo sulmi të tillë.

Në këtë aspekt, mendimi im është që një luftë e tillë do të përfundonte në një shkatërrim bërthamor.

Ditët e fundit lexova edhe një artikull tjetër, në të cilin, autori thoshte se situata e botës sot është e ngjashme me atë të vitit 1932, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Ai shkruan se në disa shtete, popujt nuk kanë asnjë besim te politikanët e tyre ose në të ashtuquajturat demokraci. Ai gjithashtu tha se ka shumë ngjashmëri e paralelizma të tjera, të cilat janë bashkuar për të na dhënë të njëjtin imazh të botës që ishte dëshmuar vetëm para se të shpërthente Lufta e Dytë Botërore.

Disa njerëz mund të jenë kundër analizës së tij, por unë pajtohem me atë që tha ai dhe për këtë arsye, besoj se qeveritë e botës duhet të jenë jashtëzakonisht të shqetësuara nga situata aktuale. Po ashtu, udhëheqësit e padrejtë të disa vendeve muslimane, synimi i vetëm i të cilëve është që ta mbajnë pushtetin e tyre me çdo kusht dhe me çdo çmim, duhet t’i thërrasin mendjes. Përndryshe, veprimet dhe marrëzitë e tyre do të bëhen mjet për vetëshkatërrimin e tyre dhe do t’i çojnë vendet e tyre përkatëse në zallahi të tmerrshme.bërthamoreNe që jemi anëtarë të Xhematit Musliman Ahmedia, përpiqemi maksimalisht për ta shpëtuar botën dhe njerëzimin nga shkatërrimi, sepse ne kemi pranuar Imamin e kohës, të cilin Allahu e ka dërguar si Mesih të Premtuar dhe që erdhi si shërbëtor i Profetit Muhammedsa, i cili ishte dërguar pikërisht si mëshirë për tërë njerëzimin.

Ngaqë ne ndjekim mësimet e Profetit Muhammedsa, ndiejmë dhimbje të thellë për situatën ndërkombëtare të botës. Është kjo dhimbje pikërisht ajo që na nxit të përpiqemi për të shpëtuar njerëzimin nga vuajtja dhe shkatërrimi. Prandaj, unë dhe gjithë muslimanët ahmedianë të tjerë po orvatemi për të përmbushur përgjegjësitë tona, për të sjellë paqen në botë.

Pikërisht në këtë hulli, jam përpjekur të nxis paqen përmes letrave që u kam dërguar disa liderëve të botës. Para disa muajsh, i dërgova një letër Papës Benediktit, që i ishte dorëzuar në dorë personalisht nga një ahmedian, përfaqësues imi. Në atë letër, i thashë Papës që, duke qenë lideri i grupit më të madh fetar në botë, ai duhet të mundohet për të vendosur paqe.

Në të njëjtën mënyrë, vetëm para pak kohësh, duke vërejtur se armiqësitë midis Iranit dhe Izraelit po valojnë në një shkallë shumë të rrezikshme, i dërgova një letër edhe Kryeministrit të Izraelit Benxhamin Netanjahu, si dhe Presidentit Iranian Mahmud Ahmedinexhad, në të cilën u kam kërkuar që, për hir të njerëzimit, të heqin dorë nga të gjitha format e nxitimit dhe pamaturisë në vendimmarrjet e tyre.

Unë gjithashtu i shkrova edhe Presidentit Barack Obama dhe Kryeministrit të Kanadasë Stephen Harper, duke u bërë thirrje për të përmbushur rolet dhe përgjegjësitë e tyre për sa i takon zhvillimit të paqes dhe harmonisë në botë.

Në të ardhmen, mendoj t’u shkruaj edhe krerëve të shteteve të tjera për t’i vënë nën alarm në lidhje me situatën.

Nuk e di nëse, liderë të ndryshëm, të cilëve u kam shkruar, do t’u japin ndonjë vlerë letrave të mia apo jo, por pavarësisht nga reagimi i tyre, kam bërë vetëm një përpjekje duke qenë Kalifi dhe lideri shpirtëror i miliona muslimanëve ahmedianë që jetojnë në mbarë botën, duke ua përcjellë kështu ndjenjat dhe emocionet e tyre për situatën e rrezikshme në botë.

Le t’ju qartësoj që këto ndjenja nuk i kam shprehur nga ndonjë frikë personale, por në të vërtetë jam motivuar nga një dashuri e sinqertë për të njerëzimin.

Me këtë dashuri për njerëzimin ushqehen të gjithë muslimanët e vërtetë përmes mësimeve të Profetit Muhammedsa, i cili, siç e kam thënë më herët, ishte dërguar si mëshirë dhe dhembshuri për gjithë njerëzimin.

Ka shumë mundësi që ju të habiteni shumë, madje edhe mund të tronditeni duke dëgjuar që dashuria jonë për njerëzimin është rezultat i drejtpërdrejtë i mësimeve të Profetit Muhammedsa. Pyetja që lind në mendjen tuaj mund të jetë se pse atëherë ekzistojnë grupe terroriste muslimane, që vrasin njerëz të pafajshëm ose pse ka qeveri muslimane, të cilat, për ta mbrojtur karrigen e tyre të pushtetit, lëshojnë urdhra për vrasje masive të vet popujve të tyre?

Le të jetë absolutisht e qartë, që në realitet, akte të tilla makabre janë tërësisht kundër mësimeve të vërteta të Islamit. Kurani Famëlartë, në asnjë rrethanë, nuk e lejon ekstremizmin dhe terrorizmin.

Në këtë kohë, sipas besimit tonë, Zoti i Plotfuqishëm dërgoi themeluesin e Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Ghulam Ahmedas të Kadijanit si Mesih i Premtuar dhe Imam Mehdi, në nënshtrim të plotë ndaj Profetit Muhammedsa. Mesihu i Premtuaras u dërgua për të përhapur mësimet e vërteta dhe reale të Islamit e të Kuranit Famëlartë. Ai u dërgua për të krijuar një lidhje midis njeriut dhe Zotit të Madhërishëm. Ai u dërgua për të treguar dhe për të bërë të njohura detyrimet që një njeri ka ndaj tjetrit. Ai u dërgua për t’u dhënë fund të gjitha formave të luftës fetare. Ai u dërgua që të vendoset respekti, dinjiteti dhe nderi i çdo themeluesi dhe i çdo profeti të cilësdo fe. Ai u dërgua për ta tërhequr vëmendjen e njerëzve drejt arritjeve të vlerave më të larta morale dhe për vendosjen e paqes, dashurisë, dhembshurisë dhe vëllazërisë në mbarë botën.

Në çdo cep të botës, po të shkoni ju do t’i gjeni pikërisht këto vlera, të gdhendura tek të gjithë muslimanët e vërtetë ahmedianë. Shembulli për ne nuk janë as terroristët e as ekstremistët, as diktatorët mizorë muslimanë e as fuqitë perëndimore. Shembulli që ne ndjekim është ai i themeluesit të Islamit, Profetit Muhammedpaqja qoftë mbi të dhe porosia udhëzuese për ne është Kurani Famëlartë.

Me këtë simpozium paqeje, unë i dërgoj një mesazh gjithë botës, që porosia dhe mësimet e Islamit përmblidhen në dashuri, dhembshuri, butësi dhe paqe.

Shohim që një pakicë e vogël muslimane, fatkeqësisht paraqet një imazh krejtësisht të shtrembëruar të Islamit dhe vepron sipas besimeve të saj të devijuara. Më duhet t’ju them se ju kurrsesi nuk duhet ta besoni, ose të pandehni se ky është Islami i vërtetë. Madje, nuk duhet të përdorni as veprimet e gabuara të këtyre rrjeteve si “e drejtë” për të lënduar ndjenjat e muslimanëve paqësorë që janë në shumicë, apo për t’i bërë ata, shënjestër të mizorisë.

Kurani i Madhërishëm është libri më i shenjtë për të gjithë muslimanët dhe si i tillë, përdorimi i një gjuhe abuzive e të ndyrë ndaj tij ose djegia e tij, patjetër që lëndon thellë ndjenjat e muslimanëve. Kemi parë se çdo herë që bëhet një sulm i tillë, ai sjell një reagim krejtësisht të gabuar dhe të padenjë të muslimanëve ekstremistë.

Vetëm para pak ditësh dëgjuam dy ngjarje që ndodhën në Afganistan, ku disa ushtarë amerikanë treguan mosrespekt ndaj Kuranit Famëlartë dhe vranë gra dhe fëmijë të pafajshëm në shtëpitë e tyre. Po ashtu, një njeri i pamëshirshëm, pa asnjë arsye, qëlloi për vdekje disa ushtarë francezë në jug të Francës dhe disa ditë pas kësaj, hyri në një shkollë ku vrau tre fëmijë të pafajshëm hebrenj dhe një mësues të tyre.

Ne shohim që kjo sjellje është krejtësisht e gabuar dhe kurrsesi nuk mund të sjellë paqe. Sërish, shohim që ngjarje të tilla makabre vazhdimisht ndodhin në Pakistan dhe gjetkë dhe të gjitha këto janë duke u dhënë një nxitje kundërshtarëve të Islamit që ta thellojnë urrejtjen e tyre si dhe një pretekst për të realizuar qëllimet e tyre në një shkallë të gjerë. Akte të tilla barbare që kryhen në një shkallë më të vogël, nuk kryhen për shkak të mërisë dhe armiqësisë personale, por në fakt janë rezultat i politikave të padrejta që kanë disa qeveri të caktuara, si në shkallë kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare.

Pra, për të vendosur paqe në botë është thelbësore të zhvillohen standardet e duhura të drejtësisë në çdo shkallë dhe në çdo vend të botës. Kurani Famëlartë e gjykon vrasjen e një të pafajshmi, si vrasje e të gjithë njerëzimit.

media representatives

Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar duke biseduar me përfaqësuesit e medias së jashtme pakistaneze në lidhje me situatën botërore.

Pra, edhe një herë, si një musliman, dua ta bëj shumë të qartë se Islami nuk e lejon dhunën apo shtypjen në asnjë mënyrë, trajtë apo formë. Ky është një urdhër që nuk ka absolutisht asnjë përjashtim. Kurani sqaron akoma më tepër se nëse ndonjë shtet apo popull ka armiqësi ndaj jush, kjo nuk duhet t’ju ndalojë ju për të vepruar në mënyrë krejtësisht të drejtë e të ndershme me ta. Nuk duhet të ndodhë që ndonjë armiqësi apo rivalitet t’ju nxisë për të marrë hak ose për të vepruar në mënyrë të padrejtë. Një tjetër urdhër thelbësor, që na ka dhënë Kurani Famëlartë, është që nuk duhet të shikojmë me zili e lakmi pasuritë dhe resurset e të tjerëve.Unë kam përmendur vetëm disa pika, por ato janë shumë të rëndësishme dhe vendimtare, sepse hedhin themelin e paqes dhe të drejtësisë në shoqëri dhe në mbarë botën. Lutem që bota t’u kushtojë vëmendje këtyre çështjeve kyçe, në mënyrë që ne të shpëtojmë nga shkatërrimi i botës, drejt të cilit po drejtohemi nga njerëz të padrejtë dhe të pasinqertë.

Do të doja të shfrytëzoja rastin edhe për t’ju kërkuar ndjesë që ju mora pak më shumë kohë, por e vërteta është që tema për të vendosur paqe në botë është tejet e rëndësishme.

Koha po ikën, dhe para se të bëhet shumë vonë, ne të gjithë duhet t’u kushtojmë vëmendje të madhe nevojave të kohës.

Para se të mbyll fjalimin tim, dua të flas për një tjetër çështje të rëndësishme. Siç e dimë të gjithë, këto ditë po festohet jubileu i 60 vjetorit të Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabet II. Nëse kthejmë orën mbrapsht 115 vite, në vitin 1897, po festohej gjithashtu jubileu i 60 vjetorit të Mbretëreshës Viktoria. Në atë kohë, Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia i dërgoi një mesazh urimi Mbretëreshës Viktoria.

Në mesazhin e tij, ai i rikujtoi mësimet e Islamit dhe gjithashtu një mesazh lutjeje për qeverinë britanike dhe për jetëgjatësinë e Mbretëreshës. Mesihu i Premtuaras gjithashtu shkroi se cilësia më e mirë e qeverisë së Mbretëreshës ishte që nën sundimin e saj, të gjithë njerëzve u ishte dhënë liria fetare.

Sot, qeveria britanike nuk e sundon më Sub-kontinentin, megjithatë parimet e lirisë fetare janë të ngulitura thellë në shoqërinë dhe në ligjet britanike, të cilat çdokujt i mundësojnë lirinë fetare.

Padyshim, një shembull shumë i bukur i kësaj lirie po dëshmohet sonte këtu, ku ndjekës të besimeve dhe feve të ndryshme janë bashkuar të gjithë së bashku në një vend me një aspiratë të përbashkët dhe që është kërkimi i paqes në botë.

Prandaj, duke përdorur të njëjtat fjalë dhe lutje, që Mesihu i Premtuaras përdori, shfrytëzoj rastin t’i paraqes urimet e mia të përzemërta Mbretëreshës Elizabet, siç ai thotë:

“Urimet tona të mbushura me gëzim dhe mirënjohje i qofshin përcjellë Mbretëreshës sonë të dhembshur. Mbretëresha e nderuar gjithmonë qoftë e gëzuar dhe e kënaqur”!

Mesihu i Premtuaras u lut për Mbretëreshën Viktoria, ndaj sot, edhe unë përdor po fjalët e tij për t’u lutur për Mbretëreshën Elizabet:

“O Zot i Plotfuqishëm dhe Fisnik, tregoji mëshirë dhe jepi bekimet e Tua Mbretëreshës sonë. Bëje atë të jetë e lumtur gjithmonë, ashtu siç ne jetojmë me gëzime nën sundimin e saj të butë dhe dashamirës. Bëhu i Butë dhe i Dashur ndaj saj ashtu siç ne jetojmë me paqe dhe mbrothësi nën sundimin e saj të drejtë dhe bujar”.

Këto janë ndjenja mirënjohjeje të çdo muslimani ahmedian që është shtetas i Britanisë.

Në fund, do të doja t’ju shpreh edhe një herë falënderimin tim nga thellësia e zemrës të gjithëve ju, që dëshmuat dashurinë, dhembshurinë dhe vëllazërinë tuaj duke ardhur këtu.

Shumë faleminderit!

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp