Si mund të ndalet lufta mes izraelit dhe palestines? Mesazhi i Kalifit të Xhematit Musliman Ahmedia
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Si mund të ndalet lufta mes izraelit dhe palestines? Mesazhi i Kalifit të Xhematit Musliman Ahmedia

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Tani, dua t’ju bëj thirrje për një lutje për situatën aktuale të botës. Prej disa ditëve po vijon lufta mes Hamasit dhe Izraelit, për shkak të së cilës, janë vrarë dhe po vriten banorët e të dyja anëve duke përfshirë gra, njerëz të moshuar, fëmijë, pa dallim.

Feja Islame na jep mësimin që edhe në kohë lufte nuk ke të drejtë të vrasësh gratë, fëmijët dhe këdo që nuk merr pjesë në luftë. Këtë porosi e dha Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe e theksoi fuqimisht.

Sipas burimeve, të cilat duken se janë të vërteta, ishte Hamasi ai që e bëri i pari sulmin dhe vrau qytetarë të Izraelit pa dallim. Pa marrë parasysh faktin që vetë ushtria izraelite ka vrarë shumë herë në këtë mënyrë palestinezë të pafajshëm, muslimanëve u duhet që patjetër të veprojnë sipas mësimit të Islamit. Pra, kishte rrugë të tjera që ata të përballeshin me ushtrinë Izraelite. Sepse nëse ekziston një motiv i drejtë për të luftuar, ajo luftë bëhet vetëm kundër ushtrisë dhe jo kundër grave, fëmijëve dhe njerëzve të pafajshëm. Kështu që, Hamasi bëri një hap të gabuar, dhe kjo u solli më shumë dëm sesa dobi. Trimëria e Hamasit do të shihej atëherë kur do të përballej me ushtrinë.

Nga ana tjetër, edhe ajo që po bën Izraeli si kundërpërgjigje, është tepër e rrezikshme. Duket se kjo luftë tanimë nuk do të ndalet shpejt. Do të vriten në mënyrë të panumërt njerëz të pafajshëm, gra e fëmijë, deri në masën që nuk mund të imagjinohet. Izraeli deklaroi se do ta asgjësojë tërësisht Gazën dhe me këtë qëllim ai e bombardoi jashtë mase deri tani. E shkrumboi qytetin.

Tani po krijojnë një situatë duke thënë se më shumë se një milion njerëz të largohen nga Gaza dhe një pjesë prej tyre kanë filluar të largohen. Shyqyr Zotit që OKB-ja të paktën foli nën zë se Izraeli kështu po ua minon të drejtat themelore dhe se kjo do të jetë e padrejtë dhe do të sjellë vështirësi të mëdha dhe se Izraeli duhet të reflektojë për këtë vendim. Pra, në vend që t’i jepte ultimatum dhe ta shtrëngonte për gabimin, po i bën kërkesë. Gjithsesi, civilët që nuk janë të angazhuar në luftë, nuk kanë asnjë faj. Nëse bota i pandeh qytetarët e Izraelit si të pafajshëm, edhe qytetarët palestinezë janë të pafajshëm. Realisht, u thotë edhe Libri i tyre ithtarëve të Librit se nuk u lejohet të bëjnë gjakderdhje të tillë. Pra, ata duhet të shohin edhe veten e tyre, kur i fajësojnë muslimanët. Sidoqoftë, ne duhet të lutemi shumë këto ditë.

Ambasadori palestinez në Angli duke dhënë një intervistë ose në mos gabojë duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit të BBC, pohoi se Hamasi është një grup militant dhe nuk është shteti dhe se shteti palestinez nuk ka lidhje me të, por megjithatë, ai me të drejtë ngriti çështjen se po të ishte bërë drejtësi e vërtetë, nuk do të ndodhnin këto ngjarje. Nëse superfuqitë nuk do të kishin standarde të dyfishta, bota nuk do të shikonte luftëra dhe gjakderdhje të tilla. Andaj, jepuni fund standardeve të dyfishta, luftërat do të marrin fund vetvetiu. Pikërisht këto gjëra unë ua them prej vitesh në dritën e mësimeve të Islamit. Por këta të thonë në fytyrë – po ke të drejtë – por nuk tregojnë vullnet për të vepruar.

Tani fuqitë e mëdha ose fuqitë perëndimore duke e lënë anash drejtësinë, po mbledhin forcat për t’i shtrënguar palestinezët dhe po flasin se do t’i dërgojnë përforcime Izraelit. Edhe media po i tregon fuqishëm pamjet e atyre që u është bërë mizori, dhe disa herë rezultuan se ishin lajme të rreme. Një ditë jepet lajmi duke treguar se si u masakruan gratë dhe fëmijët izraelitë, ditën tjetër del që bëhej fjalë jo për izraelitët por për palestinezët, dhe për këtë media jo vetëm që nuk kërkon falje, por nuk shfaq më as dhembshurinë e mëparshme për viktimat. Këta ndjekin parimin “i forti ka të drejtë”. Përulen vetëm përpara atyre që i mbajnë me bukë.

Nëse bëjmë një analizë, del që superfuqitë duan që lufta të mbetet e ndezur, në vend që ta shuajnë atë. Pra, nuk kanë vullnet për t’i dhënë fund luftës. Pas Luftës së Parë Botërore, superfuqitë themeluan Ligën e Kombeve që të mos e shihnin më një luftë të tillë. Por ajo dështoi për arsye se nuk e mbajtën standardin e drejtësisë dhe insistuan epërsinë individuale. Atëherë shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, e cila, thuhet se, shkaktoi më shumë se 70 milionë viktima. Pikërisht një situatë e ngjashme po i vjen edhe OKB-së. OKB-ja ishte themeluar që të vendosej drejtësia në botë dhe t’i jepej mbështetje atij që i është bërë padrejtësi, të bëheshin përpjekje për t’u dhënë fund luftërave, por këta objektiva nuk po dallohen asgjëkund. Secila [superfuqi] kërkon vetëm interesin e vet. Dhe lufta që do të bëhet për shkak të kësaj padrejtësie, pasojat e saj as nuk mund t’i imagjinojë dot njeriu i thjeshtë. Dhe superfuqitë e dinë shumë mirë se çfarë shkatërrimi do të bëhet, por prapëseprapë ato as nuk janë gati dhe as nuk kanë vullnet për të bërë drejtësi.

Në këtë situatë, shtetet islamike duhet t’i thërrasin mendjes. Duhet t’u japin fund ndasive të tyre dhe duhet të krijojnë një unitet të tyren. Allahu i Madhërishëm u dha muslimanëve një mësim për të gjetur përbashkësi edhe me ithtarët e Librit duke thënë – “Thuaj: “O ithtarët e Librit! Ejani te një fjalë e përbashkët midis nesh dhe jush”[1] dhe ajo fjalë është Qenia e Zotit të Madhërishëm. Kurse vetë muslimanët që praktikojnë të njëjtin shehadet, pse vallë nuk mund t’u japin fund ndasive dhe nuk bashkohen! Andaj, reflektoni dhe krijoni unitetin tuaj, pasi kjo pikërisht mund të bëhet një mjet për ta larguar trazirën nga kjo botë, dhe pasi të bëheni bashkë, duhet të ngrini zërin fuqishëm për të vendosur drejtësinë dhe për t’u dhënë të drejtat të persekutuarve, kushdo qofshin ata. Nëse muslimanët janë bashkë, edhe zëri i tyre do të ketë fuqi. Përndryshe, edhe shtetet islamike do të kenë përgjegjësi për humbjen e jetëve të muslimanëve të pafajshëm. Gjithmonë duhet ta keni parasysh porosinë e Profetit Muhammed s.a.v.s. ku ai tha – Ndihmoni edhe atë që i është bërë padrejtësia, por edhe mizorin [duke e ndalur atë nga mizoria]. Muslimanët duhet ta kuptojnë këtë porosi të rëndësishme.

Allahu u dhëntë mend shteteve islamike që ata të bashkohen dhe të vendosin paqe! Po kështu, u dhëntë mend edhe superfuqive, që të punojnë për ta shpëtuar botën, dhe jo ta shpien atë në shkatërrim, duke synuar vetëm egon e tyre! Superfuqitë kurrë nuk duhet të harrojnë që as ato nuk do të shpëtojnë, nëse do të vijë shkatërrimi.

Sidoqoftë, ne kemi vetëm armën e lutjes, të cilën çdo ahmedian, pra çdo anëtar i Xhematit tonë duhet ta përdorë më shumë se përpara. Në Rripin e Gazës ka edhe familje ahmediane. Allahu i mbrojttë edhe ata dhe i mbrojttë të gjithë ata që po u bëhet padrejtësi dhe që janë të pafajshëm, në cilëndo anë qofshin ata! Allahu i dhëntë mend edhe Hamasit në mënyrë që ata jo vetëm të mos i bëjnë padrejtësi ndokujt, por as të mos bëhen përgjegjës për dhunën që u bëhet vetë palestinezëve! Nëse ata janë të detyruar të luftojnë, të luftojnë në përputhje me mësimin e Islamit. Është urdhri i Allahut që “Nuk duhet t’ju nxisë armiqësia e ndonjë populli, që ju të mos bëni drejtësi”[2]

Allahu u dhëntë mend edhe superfuqive që të punojnë me paanësi për të dyja palët që të vendosin drejtësi dhe të mos shtojnë padrejtësinë akoma më shumë! Allahu na mundësoftë të shohim paqe dhe siguri në botë!

(Hutbja e së xhumasë, e mbajtur më 13 tetor 2023)


[1] Kurani i Shenjtë 3:65
[2] Kurani i Shenjtë 5:9.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp