Lufta ka shkelur të gjitha parimet dhe kufijtë! Lideri Musliman
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Lufta ka shkelur të gjitha parimet dhe kufijtë! Lideri Musliman

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, në hutben e tij të së xhumasë, të mbajtur më 27.10.2023, tha:

Për shkak të përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës globale, do të doja t’ju kujtoja edhe një herë për lutje. Për shkak të luftës midis Izraelit dhe Hamasit, gra dhe fëmijë të pafajshëm palestinezë po bien dëshmorë çdo ditë e më shumë. Mënyra se si po përhapet lufta dhe politikat që po ndjekin Izraeli dhe superfuqitë, na sjell para syve një luftë botërore. Tanimë edhe udhëheqësit e disa prej vendeve islamike kanë filluar ta thonë hapur. Edhe Rusia, Kina dhe po kështu disa analistë perëndimorë kanë filluar të pohojnë e të shkruajnë se lufta duket se do të zgjerohet më tej dhe se nëse nuk do të ndiqet një politikë me urtësi, bota do të përballet me një shkatërrim të madh. Gjithçka po del qartë edhe në lajme. Për këtë arsye, anëtarët e Xhematit Musliman Ahmedia duhet t’u kushtojnë vëmendje të veçantë lutjeve. Mos pushoni. Të paktën një sexhde në çdo namaz, ose të paktën një sexhde në namazet e gjithë ditës, duhet të kushtoni për situatën aktuale dhe të luteni sinqerisht për të.

Udhëheqësit e botës perëndimore, të cilido shtet qofshin, nuk dëshirojnë të bëjnë drejtësi në këtë çështje, dhe nuk kanë guxim të thonë asnjë fjalë për këtë çështje. Ahmedianët le të mos hyjnë në biseda se kryeministri apo udhëheqësi i cilit shtet është i mirë dhe cili i keq, ose ai nuk duhet të thoshte kështu, ose muslimnaët nuk duhet të flasin kundër tij etj.. Këto janë fjalë pa lidhje. Për sa kohë që një kryeministër apo udhëheqës nuk shfaq guximin për ta ndalur luftën, ai patjetër është përgjegjës për ta çuar botën drejt shkatërrimit.

Andaj, duke i kërkuar Zotit ndihmë me anë të lutjeve, në shoqërinë tuaj përhapni të vërtetën që dhuna të ndalet. Nëse një ahmedian ka kontakt me një politikan, ta këshillojë atë. Ky pikërisht quhet guxim, dhe kjo pikërisht është standardi që tregon se po ndjek porositë e Allahut të Madhërishëm.

Përfaqësuesit e shtetit të Izraelit thonë se Hamasi u ka vrarë njerëz të tyre të pafajshëm, andaj do të hakmerren. Por tanimë kjo hakmarrje i ka kaluar të gjithë kufijtë. Aq sa vrau Hamasi izraelitë, siç tregojnë lajmet, deri më tani, Izraeli vrau palestinezë katërfish ose pesëfish më shumë. Nëse ata kanë në shënjestër Hamasin, siç pretendojnë, duhet të përballen vetëm me Hamasin. Pse po vrasin gra, fëmijë e njerëz të moshuar?! Madje, ua kanë ndërprerë ujin, ushqimin dhe ilaçet. Kur këto shtete arrijnë në këtë pikë, të gjitha parimet e tyre për të drejtat e njeriut dhe për luftën, asgjësohen.

Megjithatë, dalin disa zëra që edhe ua kujtojnë. Siç ditët e fundit ish-presidenti i Amerikës Z. Obama ishte shprehur se lufta duhet bërë duke zbatuar parimet e saj, dhe civilët nuk duhet të ishin shënjestër e sulmeve.

Foli edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Si kundërpërgjigje, shteti izraelit protestoi. Atëherë nga shtetet që pretendojnë të jenë flamurtarë dhe kampionë të paqes në botë, asnjëri nuk foli për të mbështetur deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm, përkundrazi shprehën pakënaqësi.

Sidoqoftë, situata është tejet e rrezikshme. Media perëndimore po paraqet lajmet e njërës palë në mënyrë të ekzagjeruar duke u treguar tërësisht e anuar. Për shembull, ditët e fundit një grua që ishte peng dhe që u lirua, rrëfeu që ata ishin sjellë mirë me të në burg, këtë pjesë të rrëfimit sikur e eklipsuan tërësisht, kurse fjalia e saj që burgu i Hamasit ishte një ferr, u vu si titull kryesor në mënyrë të vazhdueshme. Po të ishte e drejtë media, do ta jepte gjithë situatën dhe t’i linte publikut të gjykonte se kush është mizor dhe kujt po i bëhet mizori dhe se deri në ç’masë duhet të luftojnë palët dhe se kur mund të mbarojë lufta. Pra, detyra e medias është që bota duhet ta dijë situatën e plotë, dhe jo të njëanëshme.

Sidoqoftë, ne duhet t’u kushtojmë shumë rëndësi lutjeve. Gjithashtu, në rrethin tonë shoqëror duhet të bëjmë edhe përpjekje që dhuna të ndalet, por bashkë me lutjet. Lutuni që Allahu i bëftë ata muslimanë që janë të prekur nga padrejtësia, po kështu edhe shtetet islamike, të bëjnë një plan të përsosur dhe afatgjatë për këtë çështje. Ne duhet të lutemi në mënyrë të veçantë që muslimanët të dalin nga vështirësitë. Ne kemi pranuar atë Mesih të Premtuar, i cili pavarësisht se u lëndua ai u lënduam edhe ne si pasuesit e tij nga vetë muslimanët, por nuk duhet të harrojmë ndjenjat e tij për muslimanët, që ai shpreh në këto vargje:

اے دل تو نیز خاطر ایناں نگاہ دار
کاخر کنند دعویٰ حب پیمبرم

Ti o zemër prapëseprapë ki për ta dhembshuri
Fundja, pretendojnë për Pejgamberin dashuri!

Andaj, dashuria për Profetin Muhammed s.a.v.s. na kërkon që ne të lutemi shumë për muslimanët. Allahu na bëftë edhe neve edhe muslimanëve të tjerë ta realizojmë këtë detyrë! Allahu i dhëntë mendtë edhe botës!”

MË SHUMË:

Një thirrje e fuqishme dhe historike në OKB, për të drejtat e palestinezëve

Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem