Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Të ngjashme rreth kësaj teme

Z. Stephen Harper
Kryeministër i Kanadasë
Ottawa, Ontario

8 mars 2012

I dashur Kryeministër,

Për shkak të rrjedhës së ngjarjeve skajshmërisht shqetësuese që po ndodhin në botë, ndjeva se ishte e nevojshme për mua t’ju shkruaja, sepse jeni Kryeministër i Kanadasë dhe keni autoritet të merrni vendime që do të ndikojnë në të ardhmen e kombit tuaj dhe të botës më gjerë. Aktualisht ka shumë agjitacion dhe shqetësim në botë. Luftëra në shkallë të vogël kanë shpërthyer në disa zona. Fatkeqësisht, fuqitë e mëdha nuk kanë qenë aq të suksesshme, siç kishin parashikuar, në përpjekjet e tyre për të vendosur paqe në rajonet e goditura me konflikte. Globalisht, vërejmë se thuajse çdo vend është i zënë në veprimtarinë për të mbështetur ose për të kundërshtuar vende të tjera. Megjithatë, kërkesat e drejtësisë nuk po përmbushen. Është për të ardhur keq që nëse vërejmë rrethanat aktuale të botës, shohim që themelet e një lufte tjetër botërore janë hedhur tashmë. Sikundër kaq shumë vende, edhe të mëdha, edhe të vogla, zotërojnë armë bërthamore, mëritë dhe armiqësitë po thellohen ndërmjet kombeve. Në një situatë të tillë të trazuar, Lufta e Tretë Botërore po përhijon para nesh, thuajse për të mos u zhdukur. Një luftë e tillë do të përfundojë pashmangshmërisht në një betejë bërthamore dhe për këtë shkak, ne dëshmojmë se bota po përparon drejt një shkatërrimi të llahtarshëm. Po të ndiqej rruga e barazisë dhe e drejtësisë pas Luftës së Dytë Botërore, nuk do ta dëshmonim situatën aktuale ku bota është e gllabëruar nga flakët e luftës edhe një herë.

Siç gjithë jemi të vetëdijshëm, shkaqet kryesore që shkaktuan Luftën e Dytë Botërore ishin dështimi i Ligës së Kombeve dhe kriza ekonomike që filloi në vitin 1932. Sot, disa ekonomistë të shquar pohojnë se ka shumë paralelizma midis krizës ekonomike aktuale dhe asaj të vitit 1932. Vërejmë se problemet politike dhe ekonomike edhe një herë kanë çuar shtete të vogla në luftëra a konflikte të brendshme dhe pakënaqësia po bëhet gjithnjë e më mbizotëruese në këto vende. Kjo përfundimisht do të sjellë që qeverisjen ta marrin në dorë disa forca, të cilat do të na çojnë drejt një lufte botërore. Konfliktet në shtetet e vogla nëse nuk do të zgjidhen nëpërmjet politikave dhe diplomacisë, do të krijojnë blloqe dhe grupime të reja në botë. Kjo do të jetë shenjë pararendëse e shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore. Prandaj, unë besoj se tani, në vend që të përqendroheni progresin e botës, është më e rëndësishme dhe padyshim e nevojshme që urgjentisht të shtojmë përpjekjet tona për ta shpëtuar botën nga ky shkatërrim. Ekziston një nevojë e ngutshme për njerëzimin që ta njohë Zotin e tij të Vetëm, që është Krijuesi ynë dhe që është i vetmi garant për mbijetesën e njerëzimit, përndryshe bota do të vazhdojë të shkojë me shpejtësi drejt vetëshkatërrimit.

Kanadaja është një vend që gjerësisht njihet si shteti më i drejtë në botë. Shteti juaj në përgjithësi nuk ndërhyn në problemet e brendshme të shteteve të tjera. Përveç kësaj, ne, Xhemati Musliman Ahmedia, kemi lidhje të veçanta miqësore me popullin kanadez. Prandaj, do t’ju lutesha që të bëni maksimumin tuaj për të ndaluar fuqitë e mëdha e të vogla që të mos na çojnë drejt një lufte të tretë të tmerrshme botërore.

Kërkesa ime ndaj jush dhe padyshim ndaj të gjithë liderëve të botës është që, në vend të përdorni forcën për të nënshtruar kombet e tjera, përdorni diplomacinë, dialogun dhe urtësinë. Superfuqitë e botës, siç është Kanadaja, duhet të luajnë rolin e tyre për vendosjen e paqes. Ato nuk duhet të marrin veprimet e shteteve të vogla si pretekst për të prishur harmoninë e botës. Aktualisht, armë bërthamore nuk kanë vetëm superfuqitë e botës, por edhe shtete relativisht të vogla posedojnë armë të tilla që janë shkatërruese në masë të gjerë. Në vende të tilla, liderët që janë në fuqi, shpesh duken të papërgjegjshëm, të lumtur për sa kohë mbajnë gishtin te këmbëza e veprojnë pa menduar e pa konsideruar asgjë. Ndaj, ju kërkoj me modesti që të përpiqeni maksimalisht për të parandaluar Luftën e Tretë Botërore. Duhet të jemi të sigurt e të mos kemi dyshime se nëse do të dështojmë në përpjekjet tona, efektet e pasojat e një lufte të tillë, nuk do të kufizohen vetëm në vendet e varfra të Azisë, në vendet e Evropës apo të Amerikës, por kudo në botë, si dhe edhe brezave të ardhshëm do t’u duhet të përballojnë pasojat e llahtarshme të veprimeve tona. Fëmijët kudo në botë do të lindin të gjymtuar e të deformuar dhe ata  kurrë nuk do t’ua falin paraardhësve të tyre një katastrofë të tillë globale. Në vend që të shqetësohemi vetëm për interesat vetjake, ne duhet të mendojmë edhe për brezat që do të vijnë e të mundohemi për të krijuar një të ardhme të ndritur për ta. Zoti i Lartësuar ju bëftë ju dhe gjithë liderët e botës që ta kuptojnë këtë mesazh.

Juaji sinqerisht

Mirza Masrur Ahmedi
Khalifatul Masih V (Kalifi i Pestë i Mesihut)
Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia

Imagen Courtesy: Jamie McCaffreyLicence Creative Commons