Letër Madhërisë së saj, Elizabeth II Mbretëreshës së Mbretërisë së Bashkuar
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Londra

Madhëria e saj, Mbretëresha Elizabeth II,
Mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar dhe e Komonuelth-it
Buckingham Palace
Londër SW1A 1AA
Mbretëria e Bashkuar
19 prill 2012

Madhëria juaj,

Si udhëheqës i Xhematit Musliman Ahmedia dhe në emër të miliona anëtarëve të Xhematit Musliman Ahmedia të mbarë botës, ju shpreh urimet e mia të përzemërta Madhërisë suaj, me rastin plot gëzime të Jubileut të 60 vjetorit të marrjes në trashëgim të fronit (përvjetorit të diamantë). I jemi jashtëzakonisht mirënjohës Zotit të Plotfuqishëm që na mundësoi të merrnim pjesë në kremtimin e lavdishëm. Gjithë muslimanët ahmedianë që janë shtetas të Mbretërisë së Bashkuar janë të gëzuar e krenarë në mënyrë të veçantë, me rastin e përvjetorit të diamantë. Prandaj, në emër të tyre, ju përcjell urimet e sinqerta e të përzemërta Madhërisë suaj. Zoti i Madhërishëm e mbajttë Mbretëreshën tonë bujare me gëzime e kënaqësi të përjetshme!

I lutem Zotit Bujar, që krijoi qiejt dhe Tokën dhe i mbushi me bekime të panumërta për jetën tonë, gjithmonë i dhëntë paqe, qetësi dhe siguri Mbretëreshës sonë, sundimi i së cilës përfshin shumë shtete sovrane dhe të komonuelth-it. Ashtu siç ju duan dhe ju respektojnë Madhërinë tuaj të gjithë nënshtetasit tuaj, qofshin të mëdhenj apo të vegjël, lutja jonë është që ju të arrini të gëzoni të njëjtën dashuri edhe prej engjëjve të Zotit. Zoti i Madhërishëm dhe i Plotfuqishëm ju spërkattë bujarisht Madhërinë tuaj me bekime dhe dhurata të Tij të panumërta shpirtërore, ashtu siç Ai ju ka dhënë me shumicë bekimet e kësaj bote. Përmes këtyre bekimeve, të gjithë shtetasit e këtij kombi të madh paçin mundësi ta njohin Zotin Suprem e të arrijnë të jetojnë me dashuri dhe dhembshuri të ndërsjellë. Pa dallim ngjyre, besimi, shtetësie apo fetare, të gjithë shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar i tregofshin respekt dhe nder njëri-tjetrit, deri në atë masë, saqë impakti pozitiv dhe ndikimi i këtij qëndrimi, të kapërcejë kufijtë e të përhapet edhe në vendet e tjera të botës. Bota, një pjesë e madhe e së cilës sot është e përfshirë në luftëra, trazira dhe armiqësi, u bëftë një parajsë e paqes, e dashurisë, e vëllazërisë dhe miqësisë. Kam besim të madh që vizioni dhe përpjekjet e Madhërisë suaj, mund të luajnë një rol të rëndësishëm për ta arritur këtë objektiv kritik e të brishtë.

Në shekullin e kaluar janë zhvilluar dy luftëra botërore, në të cilat miliona njerëz humbën jetë. Nëse provokimet midis shteteve do të vijojnë të shtohen, ato patjetër do të çojnë në shpërthimin e një tjetër lufte botërore. Përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore në një luftë botërore do të thotë se bota do të dëshmojë shkatërrime të frikshme e të patreguara më parë. Zoti e largoftë mundësinë e një katastrofe të tillë dhe i mundësoftë të gjithë njerëzit të përvetësojnë arsyen dhe urtësinë. Kam një kërkesë modeste për Madhërinë tuaj që të shfrytëzoni kremtimin plot gëzim të përvjetorit të diamantë si një mirësi për njerëzimin, duke kujtuar të gjithë njerëzit që të gjitha kombet, qofshin të mëdha apo të vogla, të jetojnë me dashuri të ndërsjellë, paqe dhe harmoni.

Në këtë kontekst, me rastin e eventit të mbarë të përvjetorit të diamantë, unë gjithashtu do të doja t’ju kërkoja me modesti që t’i jepni botës mesazhin, që ndjekësit e çdo feje, madje edhe ata që nuk besojnë në Zot, gjithmonë të respektojnë ndjenjat e njerëzve që i përkasin një feje tjetër. Sot, janë përhapur shumë keqkuptime rreth Islamit në botë. Kjo në njërën anë lëndon ndjenjat e muslimanëve paqedashës, ndërsa në anën tjetër, krijon mosbesim dhe neveri kundër Islamit në zemrat e jomuslimanëve. Prandaj, ky do të ishte një veprim shumë dashamirës dhe një favor ndaj ithtarëve të të gjitha feve, dhe padyshim ndaj të gjithë botës, nëse Madhëria juaj do të këshillonte të gjithë njerëzit, të respektojnë të gjitha fetë dhe ndjekësit e tyre. Zoti Fisnik ju ndihmoftë dhe jua mundësoftë realizimin e këtij objektivi.

Siç e përmenda në fillim të letrës, jam udhëheqës ndërkombëtr i Xhematit Musliman Ahmedia. Në këtë kontekst, do të doja t’ju jepja një panoramë shumë të vogël të Xhematit tonë. Xhemati Musliman Ahmedia beson fuqimisht se Mesihu i Premtuar dhe Reformatori, që duhej të vinte në këtë kohë sipas parashikimeve të Profetit të shenjtë Muhammed (paqja qoftë mbi të) dhe të Profetëve të mëparshëm, nuk është dikush tjetër përveç Hazret Mirza Ghulam Ahmedit të Kadijanit (paqja qoftë mbi të). Në vitin 1889, ai themeloi një bashkësi të sinqertë e të drejtë, Xhematin Musliman Ahmedia. Me formimin e këtij Xhemati, qëllimi i tij ishte që të vendosej një lidhje midis robit dhe Zotit dhe që njerëzit të motivoheshin për të përmbushur detyrimet e njëri-tjetrit, në mënyrë që të jetonin me respekt të ndërsjellë e me dashamirësi. Në vitin 1908, kur Hazret Mirza Ghulam Ahmedi (paqja qoftë mbi të) ndërroi jetë, ai kishte rreth 400,000 ndjekës. Pas vdekjes së tij, u vendos sistemi i Kalifatit në përputhje me Vullnetin Hyjnor dhe sot, ky shërbëtor modest i Zotit është  Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar (paqja qoftë mbi të). Kështu, Xhemati Musliman Ahmedia mundohet ta çojë përpara misionin e themeluesit të tij në mbarë botën. Mesazhi ynë është ai i dashurisë, i pajtimit dhe vëllazërisë dhe motoja jonë është “dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd”. Sigurisht, kjo moto mishëron mësimet e bukura të Islamit me pak fjalë.

Do të ishte me vend për ta përmendur këtu se është një koincidencë e bukur që gjatë kohës së Themeluesit të Xhematit Musliman Ahmedia, ishte kremtuar Përvjetori i Diamantë i Madhërisë së saj, Mbretëreshës Viktoria. Në atë kohë, Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia shkroi një libër, të titulluar “Një dhuratë për Mbretëreshën”, në të cilin i shkroi një mesazh urimi Mbretëreshës Viktoria. Në mesazhin e tij, Hazret Mirza Ghulam Ahmedi (paqja qoftë mbi të) e uroi Mbretëreshën për përvjetorin e diamantë të saj dhe përgëzoi për mënyrën e qeverisjes së saj, në të cilën të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe popullin e sub-kontinentit të Indisë, gëzonin drejtësinë dhe lirinë fetare dhe jetonin në paqe. Ai paraqiti mësimet e bukura të Islamit dhe sqaroi qëllimin e deklaratës dhe ardhjes së tij. Edhe pse popullit të sub-kontinentit tashmë i është dhënë pavarësia nga qeveria britanike, fakti që qeveria britanike ka lejuar popujt me prejardhje dhe fe të gjithëllojshme të jetojnë këtu dhe u ka dhënë të drejta të barabarta, lirinë fetare, lirinë e shprehjes dhe atë të përhapjes së besimeve të tyre, është një dëshmi e gjallë e tolerancës shumë të lartë të Britanisë.

Sot, ka mijëra muslimanë ahmedianë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Shumica prej tyre kanë mërguar këtu duke kërkuar strehë nga persekutimi me të cilin janë përballur në vendet e tyre. Nën sundimin bujar të Madhërisë suaj, ata gëzojnë jetë me paqe, gëzojnë drejtësi dhe liri fetare. Për këtë bujari, unë edhe një herë do të doja t’i shprehja mirënjohjen time nga zemra Mbretëreshës sonë fisnike.

Do ta përfundoj letrën time me lutjen që është në vijim për Madhërinë tuaj, e cila është e njëjta lutje që ishte bërë nga Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia për Madhërinë e saj, Mbretëreshën Viktoria:

“O Zot i Plotfuqishëm dhe Bujar! Me Mëshirën dhe Bujarinë Tënde bëje Mbretëreshën tonë të nderuar e të lumtur, ashtu siç ne jemi të gëzuar nën sundimin e saj mirëdashës. O Zot i Plotfuqishëm! Bëj mirësi me të, ashtu siç ne jetojmë me mirësi dhe favore të saj”.

Veç kësaj, i lutem Zotit të Madhërishëm të udhëzojë Mbretëreshën tonë të nderuar në mënyrën që i pëlqen Atij. Zoti e bëftë që edhe pasardhësit e Madhërisë suaj të jenë të vendosur mbi të Vërtetën dhe t’i udhëzojnë të tjerët drejt saj. Vlerat e drejtësisë dhe të lirisë gjithmonë u mbetshin parimet udhëzuese të Mbretërisë Britanike. Unë edhe një herë i uroj nga zemra Madhërisë suaj në këtë rast shumë të gëzuar. I paraqes urimet e mia të përzemërta e të sinqerta Mbretëreshës sonë fisnike.

Me urimet dhe lutjet më të mira
Juaji sinqerisht

Mirza Masrur Ahmedi
Khalifatul Masih V (Kalifi i Pestë i Mesihut)
Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem