Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Një trashëgimi për brezat e ardhshëm

paqja globale
Hazret Mirza Masrur Ahmed (aba)

Hazret Mirza Masrur Ahmed (aba)

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, kampion i paqes dhe lideri i grupit më të madh të muslimanëve në të gjithë botën që ndjekin një Imam.

Më shumë rreth autorit

Të shtunën, më 17 mars 2018, Shenjtëria e tij Hazret Mirza Masrur Ahmedi (Mirza Masroor Ahmad) a.b.a. (Allahu e ndihmoftë fuqimisht), udhëheqës botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, Kalifi V, mbajti fjalimin kryesor në Simpoziumin Vjetor të 15-të Kombëtar të Paqes, i cili u organizua nga Xhemati Musliman Ahmedia i Mbretërisë së Bashkuar. Kjo veprimtari u zhvillua në xhaminë Bejtul Futuh të Londrës, ku qenë prezentë më shumë se 550 mysafirë jo-ahmedianë, ndër ta ministra, ambasadorë shtetesh, deputetë nga të dyja dhomat e Parlamentit, personalitete dhe të ftuar të tjerë. Transkriptimi i plotë i fjalimit të mbajtur nga Shenjtëria e tij, po paraqitet si më poshtë:

“Bismil-lahi-Rrahmani-Rrahim – Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.

Të nderuar miq!

Es-selamu alejkum ua rrahmatullahi ua brakatuhu – Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ju të gjithë!

Së pari, dua të falënderoj mysafirët tanë, që janë mbledhur këtu me ne, në Simpoziumin tonë Vjetor të Paqes.

Në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, Xhemati Musliman Ahmedia, ka organizuar rregullisht këtë simpozium, për të promovuar paqen botërore. Ndoshta, disa prej jush mund ta vënë në dyshim dobinë e zhvillimit të kësaj veprimtarie çdo vit, duke pasur parasysh që gjatë kësaj periudhe, paqja botërore, si në vendet muslimane ashtu edhe gjetkë nuk është përmirësuar aspak, përkundrazi është përkeqësuar. Pjesa më e madhe e botës është kapluar nga më shumë përçarje, urrejtje dhe padrejtësi. Shoqëria është polarizuar, luftërat kanë shpërthyer, shtetet kanë kërcënuar njëri-tjetrin dhe pabarazia është thelluar kudo, si në vendet në zhvillim ashtu edhe ato të zhvilluara.

Në një situatë të tillë, dyshimi juaj është mjaft legjitim; megjithatë, besimi ynë kërkon që të përpiqemi dhe t’i nxisim njerëzit anembanë botës drejt paqes dhe drejtësisë, pavarësisht a janë të pasur a të varfër, të fuqishëm a të shtypur, fetarë a jofetarë. Prandaj, ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë për t’i ndërgjegjësuar njerëzit ndaj respektimit të vlerave themelore njerëzore. Mësimet themelore të Islamit kërkojnë që të përmbushim të drejtat e Krijuesit si dhe të respektojmë të drejtat e bashkëqytetarëve tanë.

Me këtë parathënie të shkurtër, dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të folur rreth disa çështjeve, të cilat i konsideroj të jenë me rëndësi të madhe, veçanërisht në këto kohë të trazuara.

Në botën e sotme, ne shohim shpeshherë që fuqitë e mëdha dhe institucionet ndërkombëtare hartojnë plane dhe strategji që synojnë përmirësimin e jetës njerëzore në të gjitha vendet e botës. Kohët e fundit, një nga çështjet që shumë politikanë dhe intelektualë kanë debatuar dhe që e kanë përdorur për fushatë, është ndryshimi i klimës dhe veçanërisht reduktimi në emetimet e karbonit. Sigurisht, përpjekja për të mbrojtur mjedisin dhe për t’u kujdesur për planetin tonë është një kauzë jashtëzakonisht e çmuar dhe fisnike. Megjithatë, në të njëjtën kohë, bota e zhvilluar, dhe sidomos udhëheqësit e botës, duhet të kuptojnë se ka edhe çështje të tjera që duhet të trajtohen me të njëjtën domosdoshmëri.

Njerëzit që jetojnë në vendet më të varfra të botës nuk kanë interes për mjedisin apo për shifrat e fundit mbi emetimet e karbonit, përkundrazi, ata zgjohen çdo ditë duke pyetur veten nëse do të jenë në gjendje të ushqejnë fëmijët e tyre. Gjendja e tyre ekonomike është me të vërtetë dëshpëruese dhe shkalla e varfërisë shkon përtej të kuptuarit tonë. Për shembull, ka mjaft vende, ku shumica e banorëve nuk kanë përdorim të mjaftueshëm të ujit të pijshëm, dhe për të mbijetuar e për t’u përgjigjur nevojave të tyre jetësore detyrohen të përdorin ujë të kontaminuar e të patrajtuar. Por, edhe ky ujë nuk është lehtësisht i disponueshëm. Gratë e fëmijët duhet të ecin përditë kilometra të tëra, për të mbledhur ujë për familjarët e tyre, me enë të mëdha, për t’i mbartur më pas për në shtëpi, të balancuara mbi kokë.

Këto nuk duhet t’i konsiderojmë si probleme të të tjerëve. Përkundrazi, ne duhet të kuptojmë se pasoja e një varfërie të tillë ka implikime të rënda për botën më gjerë dhe ndikon drejtpërsëdrejti në paqen dhe sigurinë globale. Fakti që fëmijët nuk kanë mundësi tjetër, përveçse të kalojnë ditët e tyre duke mbledhur ujë për familjet e tyre, do të thotë se ata nuk janë në gjendje të shkojnë në shkollë ose të sigurojnë ndonjë formë edukimi. Ata janë të mbërthyer në një cikël vicioz të analfabetizmit dhe skamjes që duket e pafundme dhe jashtëzakonisht e dëmshme për shoqërinë. Sot, varfëria dhe vështirësitë e tyre janë përshkallëzuar nga teknologjia moderne, përmes së cilës, popujt që jetojnë në vende të shkatërruara nga konfliktet apo në zona të deprivuara, mund të shikojnë rehatinë me të cilën jetojnë popujt e vendeve të zhvilluara, dhe mundësitë që ekzistojnë për ta. Duke parë këtë pabarazi të skajshme, e duke krahasuar kushtet e tyre me të tjerët, këto lokalitete trazohen edhe më shumë. Zhgënjimet e tyre përdoren si gjah nga ekstremistët, të cilët joshin të varfrit me shpërblime financiare dhe me premtime të një jete më të mirë për familjet e tyre. Në të njëjtën mënyrë, shënjestrimi i të rinjve analfabetë do të thotë se ekstremistët kanë mundësi të lirë për t’i rekrutuar dhe për t’i radikalizuar ata. Ekstremistët përfitojnë edhe nga fakti që regjimet e atyre vendeve, në përgjithësi e kanë zhgënjyer popullin e tyre.

Me keqardhje të madhe, klasat sunduese, në vende të deprivuara apo të shkatërruara në luftë, janë shqetësuar më shumë për ruajtjen e pozicionit apo fuqisë së tyre, se sa për lehtësimin e vuajtjes së popullit të tyre. Për rrjedhojë, ata që nuk kanë asgjë, fillojnë t’i vështrojnë liderët e tyre të korruptuar me përbuzje, ndërsa fuqitë e mëdha të botës i konsiderojnë armiq. Fatkeqësisht, ne po i shohim pasojat e frikshme të kësaj dukurie edhe në vendet muslimane. Disa muslimanë të rritur në botën Perëndimore, pasi kanë parë gjendjen dëshpëruese në vendet e tyre të origjinës, janë radikalizuar dhe kanë kryer akte të tmerrshme terrori këtu në Perëndim.

Prandaj, unë besoj fuqimisht që nëse me të vërtetë ne duam ta mbrojmë botën dhe t’u lëmë një trashëgimi shpresëdhënëse atyre që do të vijnë pas nesh, është thelbësore që të bëhet çdo përpjekje për të rritur standardet e vendeve në zhvillim. Shtetet e varfra nuk duhet të nënvlerësohen, por duhet t’i konsiderojmë si pjesë të familjes sonë, vëllezërit dhe motrat tona. Duke i ndihmuar këto vende që ato të qëndrojnë në këmbët e tyre dhe duke u dhënë njerëzve të tyre mundësitë dhe shpresën, ne do të ndihmojmë veten tonë dhe do të mbrojmë të ardhmen e botës. Përndryshe, po e shohim se si varfëria dhe skamja në vendet në zhvillim, po ndikon negativisht në gjithë pjesën tjetër të botës.

Po kështu, si rezultat i sulmeve të fundit terroriste dhe emigracionit të përhapur në Perëndim, ka pasur një rritje të rrezikshme të nacionalizmit në shumë vende perëndimore, duke na kujtuar frikën e ditëve të errëta të së kaluarës. Është mjaft shqetësues fakti që grupet e ekstremit të djathtë janë bërë gjithnjë e më të zëshme, duke rritur numrin e të anëtarësuarve dhe duke rritur edhe rezultate politike. Edhe ata janë ekstremistë, që kërkojnë të helmojnë shoqërinë perëndimore, duke nxitur masën kundër atyre që kanë një ngjyrë tjetër të lëkurës ose besim tjetër.

Përveç kësaj, retorika e disa liderëve të fuqishëm botërorë është bërë gjithnjë e më nacionaliste dhe luftënxitëse, duke premtuar të vënë të drejtat e qytetarëve të tyre mbi të gjithë të tjerët. Unë nuk e kundërshtoj faktin se është përgjegjësi e qeverive dhe udhëheqësve të kujdesen për popullin e tyre dhe të mbrojnë interesat e tyre. Sigurisht, për sa kohë që udhëheqësit veprojnë me drejtësi dhe nuk cenojnë të drejtat e të tjerëve, përpjekjet për të përmirësuar jetën e qytetarëve të tyre janë një virtyt i madh. Megjithatë, politikat që kanë në themel egoizmin, lakminë dhe gatishmërinë për të minuar të drejtat e të tjerëve janë të gabuara dhe hedhin farën e mosmarrëveshjeve dhe të ndarjes në botë.

Në vijim, një çështje tjetër shqetësuese është tregtia ndërkombëtare e armëve. Sot, bota e quan veten më të civilizuar si kurrë më parë në të kaluarën. Megjithatë, akoma në 2018, ka vende të shkatërruara dhe të rrënuara nga armë çnjerëzore. Në vendet si Siri, Irak dhe Jemen, forcat qeveritare, rebelët dhe organizatat terroriste po luftojnë kundër njëri-tjetrit. Pavarësisht interesave të tyre të ndryshme, ata kanë një gjë të përbashkët: shumica e armëve të tyre janë prodhuar jashtë, në vende të zhvilluara. Armët që përdoren për të vrarë, për të gjymtuar dhe për të terrorizuar njerëz të pafajshëm,  po tregtohen mjaft hapur e krenarisht nga fuqitë e mëdha.

Fatkeqësisht, këto vende synojnë vetëm rritjen ekonomike dhe maksimizimin e kapitalit, pa u ndalur as për një çast. Po kërkojnë dëshpërimisht kontrata sa më të mëdha të mundshme për shitjen e këtyre armëve shkatërruese, të cilat veprojnë njëlloj si mbi fajtorin dhe mbi të pafajshmin. Prodhojnë krenarisht armë, që nuk kursejnë fëmijët, gratë, të pafuqishmit. Sheshin paturpësisht armë që gllabërojnë dhe asgjësojnë pa dallim fshatra dhe qytete. Ndërkohë ekonomitë e këtyre vendeve tregtuese mund të shënojë fitime afatshkurtra, por dyert e tyre janë njollosur me gjakun e qindra mijëra njerëzve. Fëmijë të panumërt shohin t’u vriten prindërit në mënyra nga më çnjerëzoret dhe gjithçka që mund të bëjnë është vetëm t’i kërkojnë ata papushim. Mijëra gra kanë mbetur të veja, të pashpresa dhe të cenueshme.

Çfarë dobie mund të nxirret nga një rrënim i tillë?

Gjithçka që shoh unë është një brez i tërë fëmijësh, që është shtyrë në krahët e atyre që synojnë të shkatërrojnë paqen e botës.

Kush mund ta fajësojë atë fëmijë apo adoleshent për të reaguar, kur ai ka parë se si prindërit i qenë rrëmbyer në mënyrë barbare? Siç e përmenda, dhe më parë, ekstremistët u drejtohen atyre që janë zhytur në skamje dhe shënjestrojnë fëmijë apo të rinj që janë brutalizuar nga lufta. Ata rekrutojnë të rinj, që nuk janë pjekur, dhe që mund të manipulohen kollaj për të kërkuar hakmarrje të përgjakshme përmes terrorizmit. Në vend që të frekuentojnë shkollat e të arsimohen, në mënyrë që të rriten si qytetarë të denjë që respektojnë ligjin, e gjithë kjo gjeneratë po merr vetëm një mësim: si të hedhin granata dhe si të lëshojnë raketa, si të organizojnë sulme vetëvrasëse dhe si të shkaktojnë kërdi në botë. Madje, disa shtete po përfshihen në mënyrë të panevojshme në konflikte që zhvillohen mijëra kilometra larg, duke vendosur ushtrinë e tyre apo duke goditur tokën e huaj me sulmet ajrore.

Në mjaft raste të tilla, duket sikur bota nuk ka marrë asnjë mësim nga gabimet e saj të mëparshme. Është pranuar gjerësisht që lufta e Irakut në 2003 ishte e padrejtë dhe e bazuar në pretekste të paqena. Po ashtu qëkur fuqitë perëndimore ndërmorën aksionin ushtarak kundër Libisë, para disa vjetësh, ajo ka rënë në kaos dhe është shndërruar në vatrën e terrorizmit. Pavarësisht nga kjo, fuqitë e mëdha nuk kanë nxjerrë asnjë mësim. Qytete dhe fshatra janë bërë rrafsh me tokën dhe mijëra ndërtesa janë kthyer në pluhur.

Në fillim, përmenda se një ndër prioritetet e komunitetit ndërkombëtar është çështja e ndryshimit të klimës dhe dëshira për ta mbajtur të pastër ajrin që marrim. A ka ndonjë që mendon se bombardimet e rënda nuk ndikojnë në atmosferë? Po ashtu, nëse paqja do të mbizotërojë ndonjëherë në vendet e shkatërruara nga lufta, qytetet dhe fshatrat e tyre do të duhet të rindërtohen nga e para, dhe kjo në vetvete do të kërkojë një industri të madhe që do të rrisë emetimet e dëmshme dhe ndotjen. Kështu, me një dorë, po përpiqemi ta shpëtojmë planetin, por me dorën tjetër, po e shkatërrojmë me pamëshirë. Në dritën e gjithë kësaj, unë besoj fuqimisht se fuqitë botërore janë verbuar nga interesat e shkurtra dhe nga vizioni i mbyllur.

Një ndër argumentet kryesore që shtrohet në mbështetje të industrisë së armëve është që ato shërbejnë si mjet parandalimi dhe për të ruajtur paqen. Për të kuptuar që këto argumente janë mashtruese e plotësisht të gabuara, mjafton vetëm të ndezësh TV e të ndjekësh kronikat e lajmeve, qoftë edhe për një minutë. Pa dyshim, ata mijëra fëmijë të pafajshëm që kanë humbur prindërit e tyre apo kanë mbetur të gjymtuar nga lufta, ato mijëra gra të mbetura vejusha dhe miliona njerëz të shpërngulur nga shtëpitë e tyre, nuk do të binden kurrë nga kjo logjikë. Nëse duam të lëmë pas një trashëgimi të shpresës për fëmijët tanë dhe një botë paqësore për brezat tanë të ardhshëm, ne të gjithë, pavarësisht nga feja dhe bindjet tona, duhet të ndryshojmë urgjentisht prioritetet tona.

Çdo komb, qoftë i pasur apo i varfër, në vend që të konsumohet nga materializmi dhe nga dëshira për pushtet, duhet të ketë prioritet, mbi çdo gjë tjetër, paqen dhe sigurinë botërore.

Në vend që të hyjmë në një garë armësh, që çon në vdekje dhe shkatërrim, duhet të bashkohemi në garën për të shpëtuar dhe për të mbrojtur njerëzimin.

Në vendet që janë në luftë, në vend që të mbyllin kufijtë dhe portet, duke braktisur fëmijë të pafajshëm në uri dhe të sëmurë që privohen nga trajtimi mjekësor, duhet të hapim zemrat tona për njëri-tjetrin, të rrëzojmë muret që na ndajnë, të ushqejmë të uriturit dhe të ndihmojmë ata që vuajnë.

Për sa u përket rivaliteteve politike, mosmarrëveshja midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, vazhdon të kërcënojë paqen e botës. Çdo konflikt i mundshëm midis këtyre dy vendeve do të ketë ndikim të rëndë për shtetet si Koreja e Jugut, Kina dhe Japonia. Ndonëse, ditëve të fundit po flitet për thyerjen e akullit midis dy shteteve, sepse presidenti i Shteteve të Bashkuara në mënyrë të papritur ka shfaqur gatishmërinë për të takuar udhëheqësin e Koresë së Veriut, nuk ka asnjë garanci që do të mbizotërojë paqja. Akoma nuk është e qartë se në çfarë kushtesh ata do të takohen, dhe kur e ku do të mbahet ky takim. Edhe nëse arrihet një marrëveshje midis dy shteteve, vetëm Zoti e di se sa do të zgjasë ajo, përderisa mbizotëron urrejtja në të dy anët. Marrëveshja bërthamore e Iranit, e cila u realizua para disa vitesh pas bisedimeve midis Iranit dhe Perëndimit, sot, fare pak vite më vonë varet nga në fije të perit.

Ka mjaft çështje të cilat në brendësi kanë mbetur pezull në mënyrë të rrezikshme, dhe secila prej tyre mund të shpërthejë në çdo kohë, duke sjellë pasoja të paimagjinueshme. Megjithatë, Islami na mëson që paqja mund të arrihet vetëm atëherë kur asgjësohen të gjitha gjurmët e keqdashjes dhe ligësisë nga zemra e njeriut dhe zëvendësohen me frymën e mëshirës, dashurisë dhe dhembshurisë ndaj të tjerëve.

Shpeshherë, Islami kategorizohet si fe ekstremiste që nxit dhunë, dhe pretendohet që një pjesë e madhe e muslimanëve nuk janë besnikë ndaj shtetit të tyre apo synojnë të përhapin rrëmujë në shoqëri. Megjithatë, unë i konsideroj këto akuza të rreme dhe të padrejta. Edhe pse terroristët, të ashtuquajtur muslimanë, pretendojnë se veprojnë në emër të Islamit, unë nuk besoj se jemi duke përjetuar një luftë fetare; përkundrazi, luftërat që po zhvillohen dhe mizoritë që po bëhen, janë vetëm për përfitime gjeopolitike. Terroristët, të ashtuquajtur xhihadistë, dhe klerikët ekstremistë shërbejnë vetëm për të shkatërruar emrin e Islamit dhe për të dëmtuar përpjekjet e shumicës dërrmuese të muslimanëve që janë qytetarë paqësorë dhe që respektojnë ligjin. Padyshim, që nga fillimi, Islami ka dënuar të gjitha format e ekstremizmit dhe ajetet e Kuranit që janë recituar pak më herët, japin prova të qarta. Këto ajete na tregojnë se në fillim luftërat e Islamit janë zhvilluar për të mbrojtur të gjitha fetë dhe për të ruajtur parimin e shenjtë të lirisë së besimit. Këto ajete vendosmërisht shprehen për mbrojtjen e kishave, sinagogave, tempujve dhe xhamive.

Unë e kam ngritur këtë çështje në mënyrë të përsëritur, dhe sërish theksoj se kushdo që i shkel vlerat universale të lirisë së shprehjes dhe të ndërgjegjes është larg Islamit. Madje, ka botime në mediat perëndimore që e pohojnë këtë dhe unë i përgëzoj për qëndrimet e tyre për të mbrojtur të vërtetën dhe drejtësinë. Për shembull, gazeta The Guardian kohët e fundit ka botuar një artikull, në të cilin autori ka shkruar:

“Terrori islamik kurrë nuk synuar dhe as tani nuk synon zgjerimin e Islamit. Ai ka qenë pothuajse gjithmonë i përqendruar rreth të drejtave të pronës, gllabërimit të burimeve natyrore e ekonomike dhe politikës monetare globale që çoi popullsinë e vendeve muslimane në mjerim e skamje”.

Këto fjalë përshkruajnë me përpikëri realitetin e terrorizmit që kryhet nga të ashtuquajturit muslimanë. Në një shkrim të botuar në një gazetë kombëtare, gazetari Peter Oborne përmes fakteve të pamohueshme argumenton që radikalizimi i një numri të konsiderueshëm muslimanësh, të paktën deri në njëfarë mase, ka ardhur si rezultat i ndërhyrjes së agjencive të caktuara të inteligjencës Perëndimore. Për ta mbështetur këtë, gazetari citon një ish-oficer të inteligjencës britanike, i cili ka thënë:

“Nuk është e drejtë që në njëra anë, organet e policisë së brendshme të mos lënë gur pa lëvizur për të luftuar terrorin e për të mbrojtur shoqëritë tona, e nga ana tjetër elementë të policisë sonë dhe asaj amerikane të armatosin dhe të trajnojnë xhihadistë dhe duke bashkëpunuar kështu me trerrorin”.

Përveç kësaj, në një shkrim në gazetën The Boston Globe, prof. Jeffrey Sachs, drejtor i Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm, pranë universitetit Columbia shkruan:

“Ka raste të panumërta, kur CIA ka rrëzuar qeveritë në Lindjen e Mesme. Ekspertët e medias e kanë shpërfillur rolin e Shteteve të Bashkuara në këtë situatë të paqëndrueshme”.

Duke mbështetur zgjidhjen paqësore e shumëpalëshe të konflikteve, Prof. Sachs ka shkruar:

“Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund menjëherë luftës së tyre në Lindjen e Mesme dhe për të gjetur sigurinë dhe zgjidhjet konkrete duhet t’i kthehen diplomacisë së bazuar në OKB”.

Kohët e fundit, janë botuar mjaft shkrime nga jomuslimanët që mbështesin faktin që grupet terroriste si Daesh nuk do të kishin lulëzuar pa pasur përkrahjen e jashtme. Unë nuk po them që ndërhyrja gjithmonë është e gabuar, megjithatë aksioni duhet të jetë i drejtë,  proporcional dhe i pastër nga çdo interes personal. Ajeti 10 i sures 49-të i Kuranit Famëlartë tregon qartë se qëllimi i çdo ndërhyrjeje duhet të jetë gjithmonë vendosja e paqes së qëndrueshme dhe i nxit muslimanët për të qenë të drejtë edhe ndaj kundërshtarëve të tyre. Prandaj, nëse Islami u dha leje muslimanëve të parë për të luftuar në vetëmbrojte, si mundësi e fundit, ai gjithashtu i porositi që të përmbushin kërkesat e nevojshme për drejtësi dhe të mos rrëmbehen nga interesat e tyre apo bëjnë shkelje pasi vendosjes së paqes.

Sigurisht, ky parim i përsosur është i dobishëm edhe sot, si për muslimanët ashtu edhe për jomuslimanët. Nëse nevojitet përdorimi i forcës për të ndaluar agresorin nga mizoria, veprimi duhet të jetë i përmbajtur dhe kurrë nuk duhet të kthehet në hakmarrje apo në plaçkitjen e pasurisë së të shtypurve. Nëse agresori pranon paqen, atij nuk i duhen mohuat e drejta e tij dhe as nuk duhet të përfitohet nga situata.

Profeti i Islamit (paqja qoftë mbi të), përgjatë jetës së tij, u përpoq të bashkonte njerëzit në paqe dhe ishte gjithmonë i gatshëm për të dorëzuar të drejtat e tij për hir të të tjerëve. Mjaft autorë e akademikë jomuslimanë, të cilët kanë bërë studime të hollësishme rreth Islamit, vërtetojnë faktin që Muhammedi (paqja qoftë mbi të) kërkoi të bashkonte komunitete dhe mbrojti lirinë e besimit. Për shembull, Peter Frankopan, kërkues shkencor në Universitetin e Oxfordit, ka shkruar rreth Profetit të shenjtë (paqja qoftë mbi të) në librin e tij “The Silk Roads”. Autori ka shtjelluar që Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) kërkonte harmoninë dhe dialogun ndërfetar dhe bashkëpunoi ngushtë me komunitetet e krishtera dhe hebraike të asaj kohe.

Ai flet për “të përbashkëtat” midis komuniteteve fetare në atë periudhë dhe tregon se si mesazhi i Profetit të shenjtë (paqja qoftë mbi të) ishte për “pajtim”. Në një paragraf, autori i referohet periudhës kur Profeti i Islamit (paqja qoftë mbi të) ishte zgjedhur kryetar administrativ i qytetit të Medinës. Ai shkruan:

“Në këmbim të garancisë për mbrojtjen e përbashkët, figurat kryesore hebreje u zotuan për t’i dhënë mbështetjen e tyre Muhammedit. Këto u paraqitën në një dokument zyrtar, i cili shpallte që besimi dhe pronat e tyre tashmë e në të ardhmen do të respektoheshin nga muslimanët”.

Ai gjithashtu shkruan:

“Me zgjerimin e sundimit të muslimanëve, Muhammedi dhe ndjekësit e tij bënë lëshime të mëdha për t’ua larguar frikën hebrenjve dhe të krishterëve”.

Kështu, në të vërtetë, Islami gjithmonë ka qenë kategorikisht i prerë kundër çdo lloj terrorizmi a ekstremizmi. Ndërkohë që pranoj se veprimet e liga të disa muslimanëve e kanë dëmtuar rëndë shoqërinë, nuk pranoj që duhet të fajësohen vetëm muslimanët për paqëndrueshmërinë me të cilën po përballet bota sot. Mjaft analistë dhe ekspertë tani po pohojnë hapur se roli i disa grupeve dhe fuqive jomuslimane ka kontribuar gjithashtu për minimin e paqes dhe bashkëjetesës shoqërore.

Mjafton të them se tani është koha që njerëzimi të distancohet nga ideja, se vetëm muslimanët duhet të fajësohen për problemet që ka bota.

Veç kësaj, është koha e duhur që në vend t’i japin përparësi avancimit të partive të tyre politike apo qeverive, liderët tanë duhet t’u japin epërsi paqes dhe mbarësisë së njerëzimit për të ardhmen.

Kjo është rruga për të sjellë paqen e vërtetë në botë.

Në nivel ndërkombëtar, ne duhet të pranojmë faktin se rrallëherë forca sjell një fitim afatgjatë. Prandaj, duke gjatë marrëveshjes me Korenë e Veriut, Iranin apo me ndonjë shtet tjetër, fuqitë e mëdha duhet të veprojnë me maturi e urtësi, dhe të përpiqen t’i dëgjojnë me vëmendje shqetësimet e secilës palë, ashtu edhe si një analist, të cilin e kam cituar më parë, ka thënë që fuqitë botërore duhet të ndjekin rrugën e diplomacisë dhe t’i japin prioritet uljes së tensioneve. Ato duhet të përpiqen për t’i negociuar ujditë dhe marrëveshjet e paqes të cilat nuk janë të njëanshme, por shprehin shqetësimet e të gjitha palëve. Veç kësaj, nëse kemi arritur paqen, ne duhet të lëmë pas urrejtjen dhe armiqësitë e së shkuarës, dhe të marshojmë bashkërisht përpara me frymën e respektit dhe të kujdesit të ndërsjellë.

Sigurisht, kam bindje dhe besim të fortë që shembulli më madhështor i faljes, dhembshurisë dhe mëshirës në gjithë historinë njerëzore është shembulli i bekuar i Profetit të Islamit Muhammed (paqja qoftë mbi të). Për trembëdhjetë vjet, ai dhe ndjekësit e tij, iu nënshtruan persekutimit më të ashpër të imagjinueshëm, u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u detyruan të shpërnguleshin nga qyteti i Mekës. Gjatë kësaj periudhe, muslimanët u martirizuan brutalisht, u torturuan fizikisht e mendërisht dhe iu nënshtruan privimit më të ashpër shoqëror. Muslimanët lidheshin me forcë mbi thëngjij të ndezur për kohë të gjatë.

Gra muslimane lidheshin nga këmbët me deve të ndryshme të cilat shtyheshin të lëviznin në drejtime të kundërta, duke ua ndarë trupat në dysh. Megjithatë, kur Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) u kthye në Mekë si triumfues, ai nuk derdhi asnjë pikë të vetme gjak në hakmarrje, përkundrazi, sipas urdhrit të Allahut të Plotfuqishëm, ai deklaroi se i kishte falur të gjithë ata që i kishin shkaktuar vuajtje sfilitëse dhe që e kishin kundërshtuar dhunshëm Islamin. Ai shpalli që nën sundimin e Islamit, të gjithë njerëzit do të jenë të lirë për të praktikuar fetë dhe besimet e tyre dhe nuk do të hasin asnjë ndërhyrje apo frikë. Kushti i tij i vetëm ishte që çdo anëtar i shoqërisë të mbetet i angazhuar për paqe.

Ai udhëzoi që të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh kastën, besimin ose ngjyrën, do të kenë të mbrojtura të drejtat e tyre dhe do të trajtohen me respekt në çdo kohë. Ky ishte shembulli i përjetshëm dhe madhështor i Profetit të Islamit (paqja qoftë mbi të) dhe është ky shpirt i dhembshurisë, butësisë dhe mëshirës që muslimanët dhe jomuslimanët duhet ta përvetësojnë sot në botë. Është pikërisht kjo frymë e faljes dhe e dashamirësisë, që duhet ta zhvillojnë të gjitha kombet, qoftë të mëdha apo të vogla, të pasura apo të varfra. Vetëm atëherë paqja afatgjatë do të jetë e arritshme.

Me gjithë shpirt, unë lutem që njerëzit të arrijënë t’i njohin detyrat e tyre ndaj njëri-tjetrit, me qëllim që ata që do të vijnë pas nesh, të na kujtojnë me krenari e mirënjohje.

Le të shohim të nesërmen dhe jo vetëm të sotmen! Le t’i shpëtojmë gjeneratat tona të ardhshme! Allahu na dhëntë mençuri!

Dua t’ju falënderoj edhe njëherë të gjithë ju që u bashkuat me ne, në këtë mbrëmje. Faleminderit shumë!

(Përktheu në shqip: Shahid Ahmad Butt)

Burimi: http://www.reviewofreligions.org/13661/leaving-a-legacy-for-future-generations/

Send this to a friend