Bixhozi - Mësimet e feve të ndryshme dhe studimet e fundit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Bixhozi – Mësimet e feve të ndryshme dhe studimet e fundit

bixhozi lojerat e fatit

Statistika

Bixhozi në këtë epokë, për disa është lojë, për disa është argëtim, për disa është tregti dhe për disa të tjerë është sëmundje që përhapet frikshëm. Ndikimi global i bixhozit mund të imagjinohet nga këto të dhëna të fundit.

Fitimi i bizneseve të lojërave të fatit, pasi i hiqet pjesa që bizneset ua jep atyre që luajnë, quhet gross gambling yeild.

Nëse shohim bizneset e lojërave të fatit të të gjithë botës, rezulton që vetëm në vitin 2015, fitimi i tyre neto kishte kapur shifrën 430 miliardë dollarë.

Në vitin 2013 e 2014, ky fitim ishte 445 miliardë dollarë. Kurse në vitin 2001, kjo shumë ishte afërsisht gjysma, pra 220 miliardë dollarë.

Nëse i hiqni të gjitha shpenzimet, prapëseprapë ky biznes ka fituar 385 miliardë dollarë në botë vetëm në vitin 2016.

Këto të dhëna tregojnë që bixhozi në 15 vitet e fundit po përhapet si një epidemi. Parashikohet që fitimi i këtij biznesi gjatë vitit 2018 do të jetë mbi 500 miliardë dollarë.

Njerëzit më përpara luanin bixhoz në mënyrë tradicionale, pra shkonin në kazino dhe luanin. Por tani kjo është e mundur edhe nëpërmjet internetit, madje edhe me aplikacione në telefon. Sipas një studimi, duke përdorur vetëm këto mjete, bixhozi që do të luhet gjatë vitit 2018, do të kapë shifrën 50 miliardë dollarë. Vetëm në Britaninë e Madhe këto mjete të reja e kanë shtuar volumin e bixhozit për 33%.

Njerëzit plotësonin dëshirën për të luajtur bixhoz në mënyrë tradicionale, pra me lojëra si poker, blekxhek etj., por tani promovohen lojëra nga më të rejat në formë videosh. Këto luajnë një rol shumë të rëndësishëm për t’ua shtuar oreksin dhe përqendrimin njerëzve në bixhoz. Sipas një studimi, 3% të njerëzve kanë krijuar varësi ndaj bixhozit deri në sëmundje. Kjo sëmundje quhet bixhoz ose kumar patologjik. Çfarëdo mendimi të keni rreth bixhozit, po shtohet çdo ditë e më shumë numri i njerëzve që përfshihen në të.

SHBA zë vendin e parë në biznesin e lojërave të fatit. Edhe sikur e heqim fitimin e bixhozit, gjatë vitit 2016, vetëm në Amerikë kumarxhinjtë kanë humbur më shumë se 116 miliardë dollarë. Los Vegasi i Amerikës ishte qendra kryesore e bixhozit, por tani ishulli Makau (Macau) i Kinës ia ka zënë vendin. Pra, bixhozi po përhapet shumë në Kinë dhe në Lindjen e Largët. Jo vetëm burrat, por edhe gratë po përfshihen në masë. 57% të atyre që luajnë bixhoz përmes internetit në Amerikë, janë gratë. Pas Amerikës dhe Kinës, kumari luhet më së shumti në Itali dhe Australi.[1], [2], [3]

bixhozi kazino macau

Kazino në qytetin Macau, Kinë

Sa më shumë që bixhozi po përhapet në masë, aq më fort ngrihet pyetja: Cilat janë dobitë dhe dëmet e tij? Tanimë po bëhen studime edhe në fushën e mjekësisë dhe të psikologjisë, për të ditur se çfarë ndikimi sjell bixhozi në psikologjinë e njeriut.

Në këtë kontekst, kjo çështje mund të studiohet edhe në këndvështrimin e fesë dhe do të ketë rëndësinë e vet, kur kërkohet se çfarë udhëzimesh kanë dhënë fe të ndryshme në lidhje me bixhozin. Pra, librat e feve të ndryshme si e trajtojnë bixhozin dhe nëse japin ndonjë mësim në lidhje me të, cili është ai? Pasi i kemi në dorë studimet e fundit rreth bixhozit, analiza se sa shumë është i dobishëm udhëzimi i fesë në lidhje me të, është shumë e rëndësishme. Në rreshtat vijues, do t’ju sjellim pikërisht këtë analizë.

Fe të ndryshme rreth bixhozit

Më së pari do të përmendim mësimin e Kuranit Famëlartë, i cili thotë:

bixhozi alkooli lojerat e fatit“Të pyesin ty për alkoolin dhe kumarin. Thuaj: “Nga to ka (edhe) mëkat të madh, edhe dobi për njerëzit. Por mëkati prej tyre është më i madh sesa dobia e tyre”. (Kurani Famëlartë 2:220)

Dhe në një ajet tjetër thotë:

bixhozi alkooli lojerat e fatit bixhozi alkooli lojerat e fatitO ju që besuat! Sigurisht, dehësja, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fatit janë ndyrësi nga vepra e djallit. Prandaj, ruhuni nga ajo, që të keni sukses. Me anë të dehëses dhe të bixhozit, djalli do që të fusë armiqësi dhe urrejtje mes jush dhe t’ju pengojë nga përmendja e Allahut dhe nga namazi. Andaj, a po hiqni dorë (nga ato)? (Kurani Famëlartë 5:91-92)

Këto ajete tregojnë se bixhozi ka më shumë dëme sesa dobi. Dhe sikurse alkooli, edhe bixhozi nxit ndjenjat e armiqësisë dhe të urrejtjes te njerëzit. Është interesante që këto ajete jo vetëm që e dënojnë bixhozin, por edhe pirjen e alkoolit njëkohësisht.

Le të shohim edhe fetë e tjera se çfarë udhëzimi japin për bixhozin. Për sa i përket Biblës, ajo nuk jep asnjë udhëzim për kumarin ose bixhozin. Por Hinduizmi e përmend disa herë në literaturën e tij. Duke treguar dëmet e bixhozit, Rigveda citon një kumarxhi të humbur, i cili vajton gjendjen e vet:

Për hir të atij zari, që njëra anë e ka të sigurt fitoren, gruaja më mban larg, nëna e saj më urren.
I mjerë, që nuk gjej asnjeri që të më japë ngushëllim.
Si një kalë i shtrenjtë që u plak dhe u mek, nuk shoh asnjë përfitim tjetër që bëri kumari.
Atë që e leckosi kumari, atij ia joshin gruan të tjerët.
Babai, nëna dhe vëllezërit për të thonë: “Nuk e njohim. Kapeni dhe merreni me vete!”
Por kur vendos të mos luaj më, shokët më largohen duke më lënë të vetmuar.
Kur zari zeshkan hidhet në tryezë, si një vashë e hareshme, ai lëshon tringëllimë.
E unë nis të kërkoj vendimin e takimit (kazino).
Kumarxhiu kërkon kumarhane, vërtitet, trupi gjithë zjarr. “A do të kem fat sot?!”
Zari ia shton dëshirën akoma më shumë, por fitimet e tij ia dorëzon kundërshtarit.
Zaret padyshim janë të armatosura me grepa joshëse. Të mashtrojnë, të lëndojnë dhe të brengosin thellë.
Ato së pari i japin dhurata fitimtarit, pastaj e shkatërrojnë! …

O zar! Më bëj shok mua! Ki mëshirë ndaj meje! Mos më sulmo me ashpërsinë tënde!
Inati dhe zemërimi t’u ftofshin ty dhe ti, o zar zeshkan, gjetsh ndonjë gjah tjetër përveç meje![4]

Siç është e qartë nga këto vargje, që Rigveda përmend dëme të tmerrshme të bixhozit, gjithashtu, edhe “Mahabharatha“, historia e shenjtë e hinduve, sjell në formë ngjarjesh, pasoja shkatërruese të bixhozit. Sipas kësaj historie, Durjodena, i biri i Mbretit Dretrashtra, ftoi në kumar Judishtrin, duke u bërë xheloz nga përparimi i tij dhe i vëllezërve të tij Pandavat. Durjodena thuri një kurth që në vend të tij, bixhozin ta luante daja e tij, Shakuni. Judishtri verbohet nga pasioni i lojës dhe fut në lojë, pasurinë, bagëtitë, qeverisjen, vëllezërit dhe më në fund edhe gruan e tij dhe i humb gjithçka. Armiqësia që lindi nga kjo lojë, shkaktoi luftën Mahabharatha.[5]

bixhozi zarKëto ngjarje me të vërtetë tregojnë se Hinduzmi pranon dhe përmend dëme shkatërruese të kumarit dhe ne do të shpresonim se kjo fe do ta ndalonte atë. Por përkundrazi, Aturveda sjell një tjetër pamje të kumarit. Ajo mëson lutje se si kumari të bëhet i mbarë. Pra në një farë mënyre, ajo nxit ithtarët e saj të luajnë bixhoz. Kjo është një kontradiktë që nga njëra anë të renditen pasoja kaq shkatërimtare të bixhozit, dhe nga ana tjetër t’u mësohen njerëzve lutjet se si bixhozi të bëhet fitimtar dhe “i bekuar”. Në Aturvedë, i drejtohet hyjneshës Apsara, që ajo të sigurojë fitore dhe pasuri në bixhoz. Apsara është hyjnesha e reve dhe ujërave në mitologjinë indiane. Këto vargje janë:

E suksesshmja, fitimtare, lojtare me aftësi Apsara! Ajo Apsara që bën fitimet në lojën e zarit, asaj po i lutem!
Lojtarja e aftë Apsara që spastron dhe grumbullon lëvizjet! Ajo Apsara që merr fitimet në lojën me zar! Asaj po i lutem!
Ajo që vallëzon me zare, duke marr fitimet përmes tyre, kur ajo dëshiron të na sigurojë fitoren përmes magjisë së saj! Le të na vijë e bagatshme dhe ata (kundërshtarë) të mos arrijnë të na e marrin pasurinë![6]

Po kështu, në Aturvedë, duke iu drejtuar hynit të zjarrit “Agni”, mësohet kjo lutje që të ketë fitim në bixhoz:

Si rrufeja që vazhdimisht godet papërballueshëm pemën, kështu do ta godas edhe unë kumarxhiun në mënyrë të papërballushme me zaret e mia!
Pavarësisht në janë të vëmendshëm ose jo, pasuria e këtyre njerëzve, pa rezistencë, do të mblidhet nga të gjitha anët, pra, fitimi brenda duarve të mia!
I lutem me nderim (perëndisë) Agni, që ka pasurinë e vet! Le të na grumbullojë këtu fitimet! Unë të siguroj (pasuri) për veten time, sikur me qerre që fitojnë garën. T’i këndoj me gëzim e t’i thur lavde Marutsit!…

Fitimi është depozituar në dorën time të djathtë, fitorja në të majtën time. Më lini të bëhem pushtues i bagëtisë, kuajve, pasurisë dhe arit!
O zare, luaj luaj, fitimprurës, si një lopë qumështore! Më lidhni me një brez të fitimit, si filli që lidhet me harkun![7]

Studimet e fundit rreth bixhozit

Këto ishin mësime që gjenden në Islam dhe Hinduizëm. Në këtë kohë, shkencëtarët studiojnë imtësisht ndikimet që sjell bixhozi në sjelljet, prirjet dhe moralin e njeriut. Po dalin në pah fakte çdo ditë e më befasuese. Njeriu i sotëm është në gjendje t’i analizojë mësimet e fesë duke i ballafaquar me faktet shkencore. Zhvillimi i statistikës bëri të mundur studimet që analizojnë deri në detaje mendjen dhe psikologjinë e njeriut përballë ndikimeve të bixhozit. Në bazë të kritereve të ndryshme, është bërë ndarja e shkallës së varësisë ndaj bixhozit.

Bixhozxhijtë që kanë krijuar varësi, aq saqë nuk e frenojnë dot veten për të derdhur paratë dhe për të harxhuar kohën e tyre për bixhoz, pavarësisht se e dëmtojnë edhe veten, edhe të afërmit, quhen bixhozxhij problematik (Problem gambler). 1 deri në 5 për qind i popullsisë në vende të ndryshme janë të prekur nga bixhozi problematik.

Megjithatë, kjo nuk është shkalla më e lartë e varësisë ndaj bixhozit. Bixhozi patologjik është ai që varësit e tij nuk mund të kontrollojnë aspak dëshirën e tyre të madhe për të luajtur bixhoz dhe, për shkak të tyre, lindin probleme të rënda individuale dhe shoqërore.

Siç thamë më herët që Kurani Famëlartë pohon që sikurse alkooli, edhe bixhozi ka edhe dobi, edhe dëme, por dëmet e tyre janë më të mëdha sesa dobitë. Pikërisht për këtë arsye, Islami i ndalon të dyja. Në lidhje me bixhozin, studiuesit e sotëm e kanë ngritur këtë pyetje: më shumë ka dobi, apo dëme? Një studim i bërë në Alberta (të Kandasë) e trajton pikërisht këtë çështje. Dobitë e bixhozit që këta studiues renditën ishin:

  • Nga biznesi i bixhozit, qindra mijëra njerëz punësohen
  • Bixhozi vetë prodhon mundësi të reja për biznes.
  • Shteti fiton taksa nga ky biznes.

Krahas tyre, rreshtuan edhe statistikat e kriminalistikës që shkaktohet nga bixhozi, dhe sipas tyre, dëmet nuk qenkan më shumë se dobitë.[8]

A shkakton bixhozi krime?

Studimet nxjerrin dëme nga më të ndryshmet që shkakton bixhozi. Njëra prej pyetjeve kryesore e këtyre studimeve ka qenë: “varësia ndaj bixhozit a e nxit njeriun për të bërë krime apo jo?”. Sipas të dhënave të marra nga vende të ndryshme, rezultoi që 50% të kumarxhijve që kishin shkallën e varësisë deri në bixhoz problematik, kanë qenë me precedent penal. Dy e treta e tyre ishin të tillë që precedenti i tyre lidhej drejtpërdrejt me varësinë e tyre ndaj bixhozit. Pra, ishin të përfshirë në ndonjë rrëmbim, vjedhje etj, që të gjenin paratë për bixhoz ose për të larë borxhin e krijuar nga bixhozi.[9],[10],[11]

Sipas një studimi tjetër, kur janë krahasuar të burgosurit me njerëzit e lirë, numri i bixhozxhive patologjik ishte shumë më i madh në burg sesa te ata që ishin të lirë.[12]

Sipas një studimi të gjerë që u bë në Mbretërinë e Bashkuar, njerëzit që krijojnë varësi ndaj bixhozit deri në bixhoz problematik ose bixhoz patologjik janë shumë të prirur për të përdorur armë zjarri, në krahasim me njerëzit e tjerë.[13]

Bixhozi dhe dhuna

Për sa i përket lidhjes së bixhozit me dhunën, është shumë e rëndësishme të studiohet jeta e të rinjve nga 14 deri në 16 vjeç. Në Finlandë u realizua një studim i tillë. Sipas të dhënave të tij, 47% e të rinjve të kësaj moshe, kishin luajtur bixhoz në gjashtë muajt e fundit. Kurse 2.3% prej tyre ishin kaq të varur saqë e luanin përditë. 13% prej tyre ishin të tillë që patën shqetësime të rënda. Për shembull, ranë në borxhe ose u grindën me të afërmit e tyre për shkak të bixhozit. Sa më shumë që dikush kishte ves për të luajtur bixhoz, aq më shumë ai ishte i prirur për të qenë i dhunshëm.[14]

Gjithashtu, sipas një studimi tjetër doli në pah që më shumë se 50% prej atyre që kanë rënë në bixhozin problematik, ushtrojnë dhunë ndaj bashkëshorteve të tyre.[15]

Dhuna bixhozi

Photo by Melanie Wasser on Unsplash

Në një studim të bërë në Kanada në shkallën kombëtare, u zbulua që njerëzit që kanë rënë në bixhozin patologjik, në krahasim me njerëzit e tjerë, ushtrojnë dhunë jashtëzakonisht shumë ndaj grave dhe fëmijëve të tyre.[16]

Po ashtu, bixhozxhijtë janë jashtëzakonisht shumë të shkujdesur ndaj edukimit dhe kujdesit të fëmijëve të tyre.[17] Për këtë arsye, fëmijët e prindërve që luajnë bixhoz kanë më shumë probleme shoqërore dhe arsimore sesa të tjerët. Dhe këta fëmijë janë më të prirur për të konsumuar duhan, pijet alkoolike dhe drogë.[18],[19],[20]

Përse u përmend bixhozi bashkë me alkoolin?

bixhozi alkooliAjetet e Kuranit Famëlartë që përmendëm në fillim të temës, që të dyja flasin për bixhozin dhe alkoolin duke i renditur bashkë. [Këto ajete u zbritën para 1400 vitesh]. Në kohën tonë është bërë studimi se cila është arsyeja mjekësore që një që konsumon alkool, shpesh herë vijon ta konsumojë atë dhe nuk arrin të përmbahet. Po ashtu, i njëjti studim është bërë edhe në lidhje me bixhozin, se cila është arsyeja që bixhozxhinjtë nuk kënaqen duke luajtur vetëm një apo dy herë, por vijojnë të luajnë bixhoz. Këto studime zbuluan faktin interesant që në të dyja rastet, truri i njeriut lëshon në shumicë një element kimik që quhet Dopamine (Neuromediator), i cili në disa pjesë të trurit shkakton një ndjenjë kënaqësie aq të madhe, saqë personi i ndikuar nga ajo, del jashtë kontrollit dhe nuk e reziston dot veten para alkoolit apo bixhozit, madje jepet edhe më shumë pas tyre.[21]

(Marrë nga e përmuajshmja “Muwazna Mazahib”, korrik 2018; përktheu nga origjinali: Samad Ahmed Ghori)

Bibliografi

[1] https://www.casino.org/gambling-statistics/
[2] Online Casino and Online Gambling: I’ll Bet You Didn’t Know These Facts! By Guest Author: Casino News, 12 Feb 2017.
[3] https://www.gamblingsites.com/blog/15-things-you-didnt-know-about-online-gambling-11655/
[4] Rigveda Hymn XXXIV. Eng Translation by Ralph T.H. Griffith. Përkthim në shqip nga përkthyesi i këtij artikullit.
[5] Mahabharatha. I përkthyer nga Naim Ahsan, Botuesi Nigar Shat, 2002, f. 72-82.
[6] The Sacred Books of the East, Edited by F Max Muller, Published by Vanguard Books Lahore, Vëll 42, f. 149-150.
[7] The Sacred Books of the East, Edited by F Max Muller, Published by Vanguard Books Lahore, Vëll 42, f. 150-151.
[8] Arthur J., Williams R., & Belanger Y. (2014). The Relationship between legal gambling and crime in Alberta. Canadian Journal of Criminology and Criminal Justice, 56(1), 49-84.
[9] Blaszczynski, A., McConaghy, N., & Frankova, A. (1989). Crime, antisocial personality, and pathological gambling. Journal of Gambling Behavior, 5(2), 137-152.
[10] Potenza, M. N., Steinberg, M. A., McLaughlin, S. D., Wu, R., Rounsaville, B. J., & O’Malley, S. S. (2001). Gender-related differences in the characteristics of problem gamblers using a gambling helpline. American Journal of Psyshiatry, 158, 1500-1505.
[11] Schwer, R. K., Thompson, W. N., & Nakamuro, D. (2003, February). Beyond the limits of recreation: Social costs of gambling in southern Nevada. Paper presented at the Annual Meeting of the Far West and American Popular Culture Association, Las Vegas, Nevada.
[12] Corinne May-Chahal. Leslie Humphreys. Alison Clifton. Brian Francis. Gerda Reith. Gambling Harm and Crime Careers. J Gambl Stud (2017) 33:65-84.
[13] Roberts A, Coid J, King R, Murphy R, Turner J, Bowden-Jones H, Du Preez KP, London J. Gambling and violence in a nationally representative sample of UK men. Addiction. 2016 Dec;111 (12): 2196-2207.
[14] TIINA RÄSÄNEN & TOMI LINTONEN & SUSANNA RAISAMO & ARJA RIMPELÄ & ANNE KONU. Gambling, violent behavior and attitudes towards violence among adolescent gamblers in Finland. NORDIC STUDIES ON ALCOHOL AND DRUGS, VOL. 32. 2015. P 465-473.
[15] Suomi A, Dwoling NA, Thomas S, Abott M, Bellringer M, Battersby M, Koziol-McLain J, Lavis T, Jackson AC. Patterns of Family and Intimate Partner Violence in Problem Gamblers. J Gambl Stud. 2018 Mar 26. doi: 10,1007/s10899-018-9768-9. [E-pub ahead of print]
[16] Tracie O. Afifia, *, Douglas A. Brownridgeb, Harriet MacMillanc, Jitender Saree. The relationship of gambling to intimate partner violence and child maltreatment in nationally representative sample. Journal of Psychiatric Research 44 (2010) 331-337.
[17] Gerstein, D.R., Volberg, R.A., Toce, M.T., Harwood, H., Palmer, A., Johnson, R., Larison, C., Chuchro, L., Buie, T., Engelman, L. & Hill, M.A. (1999). Gambling impact and behavior study: Report to the National Gambling Impact Study Commission. Chicago, IL: National Opinion Research Center at the University of Chicago.
[18] Lorenz, V. & Yaffee, R. (1988). Pathological gambling: Psychosomatic, emotional and marital difficulties as reported by the spouse. Journal of Gambling Behavior, 4, 13-26.
[19] Jacobs, D. F., Marston A. R., Singer, R. D., Widaman, K., Little, T. & Veizades, J. (1989) Children of Problem Gamblers. J Gamb Beh, 5, 261-268.
[20] Patrick Anselme and Mike J. F. Robinson. What motivates gambling behavior? Insight into depamine’s role. Ront Behav Neurosci. 2013; 7:18.
[21] Di Chiara G. Alcohol and dopamine. Alcohol Health Res World. 1997; 21(2):108-109.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp