Kurani dhe kozmologjia: universi dhe trupat qiellorë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Kopertina e librit Revelation, Rationality, Knowledge and Truth pranë titullit “Kurani dhe kozmologjia”, me ilustrime të universit, planetëve dhe trupave qiellorë.

[Shënim nga redaksia: Ky kapitull është publikuar më parë edhe në tri pjesë tematike: Zgjerimi i universit dhe Big Bangu, Rrotullimi i Tokës, dhe Lëvizja e Diellit dhe trupave qiellorë. Titujt ndërmjetës në këtë kapitull janë shtuar për lehtësi leximi dhe nuk janë pjesë e tekstit origjinal të librit.]

Në kohën kur u shpall Kurani i Shenjtë, botëkuptimi i njerëzve për kozmosin, për natyrën dhe për lëvizjet ose moslëvizjet e trupave qiellorë ishte tepër primitiv dhe i mangët. Sot nuk është e njëjta gjendje, pasi në epokën tonë dija e njeriut për universin është avancuar dhe zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme.

Big Bengu dhe koncepti i zgjerimit të universit

Disa nga teoritë në lidhje me krijimin e universit, tanimë janë verifikuar si fakte, ndërsa disa të tjera ende janë duke u eksploruar. Koncepti se universi është duke u zgjeruar, i përket kategorisë së parë dhe është pranuar botërisht nga komuniteti shkencor si ‘fakt’. Për herë të parë ky zbulim u bë nga Edvin Hubble në vitet 1920. Megjithatë, rreth trembëdhjetë shekuj para kësaj, kjo përmendej qartazi në Kuran:

big bangu vrima e zeze kuraniDhe qiellin e krijuam Ne me fuqinë Tonë [ejdin] dhe Ne vazhdimisht e zgjerojmë atë.[1]

Duhet mbajtur parasysh se koncepti i zgjerimit të vazhdueshëm të universit është ekskluziv i Kuranit. Asnjë shkrim i Shenjtë Hyjnor nuk e ka përmendur atë, qoftë tërthorazi ose me shenjë. Zbulimi se gjithësia vazhdimisht po zgjerohet është me rëndësi të madhe për shkencëtarët, sepse ndihmon për të krijuar një kuptim më të saktë se si universi u krijua fillimisht. Gjithashu, shpjegon qartazi procesin fazë pas faze të krijimit, në atë mënyrë që përputhet me konceptin e Big Bengut. Kurani shkon më tej dhe përshkruan gjithë ciklin e fillimit dhe të fundit të universit, madje edhe të rikthimit të tij përsëri në një fillim të ngjashëm si më parë. Hapi i parë i krijimit siç përmendet në Kuran, është pikërisht ai që quhet Big Beng. Kurani i Shenjtë pohon:

big bangu vrima e zeze kuraniAta që mohuan a nuk kanë parë se qiejt dhe toka kanë qenë të mbyllura (retkan) dhe Ne i hapëm ato (fetakna) dhe çdo gjë të gjallë krijuam përmes ujit?! A nuk besojnë?![2]

Është domethënëse që ky ajet u drejtohet veçanërisht jobesimtarëve, ndoshta duke nënkuptuar, se zbulimi i sekretit të përmendur në këtë ajet do të bëhej nga ata, duke u siguruar kështu një shenjë të vërtetësisë së Kuranit.

Në këtë ajet fjalët retkan (masë e mbyllur) dhe fetakna (Ne hapëm), mbajnë mesazhin qendror të të gjithë ajetit. Fjalorët autentikë të gjuhës arabe[3] japin dy kuptime të fjalës retkan, që kanë rëndësi të madhe për temën në diskutim. Një kuptim i saj është “të mbledhurit e diçkaje dhe infuzioni pasues në një entitet të vetëm” dhe kuptimi i dytë është “errësirë totale”. Të dyja këto kuptime janë të zbatueshme dhe japin domethënie thelbësore. Të marra së bashku, ato tregojnë pamje të saktë të veçorisë së një vrime të zezë.

Vrima e Zezë

VRIMA E ZEZË është një masë me madhësi kolosale, e shembur për shkak të gravitetit. Ajo fillon me shembjen e yjeve masive që mund të jenë 15 herë më të mëdha se dielli, ose edhe më shumë. Përmasa gjigante e tërheqjes së gravitacionale të saj me drejtim nga brenda, bën që yjet të shemben në madhësi shumë të vogla. Tërheqja gravitacionale me drejtim nga brenda përqendrohet më tej duke rezultuar shembjen e mëtejshme të të gjithë lëndës në një supernova. Në këtë fazë, tullat themelore të materies, siç janë molekulat, atomet etj., fillojnë të shtypen në një masë të papërshkrueshme të energjisë. Kështu krijohet ai moment në kohë-hapësirë, i cili quhet horizont kufi (ang. event horizon). Tërheqja gravitacionale e vrimës së zezë bëhet aq e fuqishme, saqë tërheq të gjitha format e rrezatimit, duke mos lënë as dritën të shpëtojë. Ajo që pason është një errësirë ​​totale, e cila i jep asaj emrin vrimë e zezë. Kjo na kujton njërin prej kuptimeve të fjalës retkan që ka përdorura Kurani që është pikërisht “errësirë totale”. Ky quhet singularitet, i cila qëndron përtej horizont kufirit.

Një vrimë e zezë kur krijohet, rritet me shpejtësi sepse fillon t’i tërheqë edhe yjet e largëta me përqendrimin progresiv të energjisë gravitacionale të saj. Është llogaritur se masa e një vrime të zezë mund të rritet deri në njëqind milionë herë më shumë se masa e diellit. Ndërsa fusha e saj e gravitetit zgjerohet, më shumë lëndë nga hapësira tërhiqet drejt saj me një shpejtësi të afërt me atë të dritës. Në vitin 1997 një provë vëzhguar sugjeronte se në galaktikën tonë ekziston një vrimë e zezë prej 2.000.000 masa diellore. Por llogaritjet e tjera tregojnë se në universin tonë mund të ketë shumë vrima të zeza me madhësi deri në 3.000.000.000 masa diellore.[4] Në një përqendrim kaq të fuqishëm të tërheqjes gravitacionale edhe yjet e largëta lëkunden dhe humbin ankorimin e tyre për t’u gllabëruar nga një grykës i një magnitude të tillë. Kështu procesi i kuptimit retkan përfundon duke rezultuar në sigularitetin që është edhe i mbyllur plotësisht, dhe që është edhe errësirë totale.

Vrima e bardhë

Në përgjigje të pyetjes se si universi u krijua fillimisht, dy teoritë më të fundit janë dy teori të ndryshme për Big Bengun. Ato pretendojnë se universi ishte nisur nga një singularitet, i cili papritmas shpërtheu duke çliruar masën e bllokuar, duke shkaktuar përsëri në krijimin e një universi të ri nga horizont kufiri. Ky agim drite që mbin nga horizont kufiri, quhet vrimë e bardhë.[5],[6]. Një nga dy teoritë në lidhje me zgjerimin e universit parashikon që universi i krijuar në këtë formë do të vazhdojë të zgjerohet përgjithmonë. Kurse tjetra pretendon se zgjerimi i universit, në një pikë të caktuar kohe, do të përmbyset sepse tërheqja gravitacionale e brendshme do të mbizotërojë. Përfundimisht, e gjithë lënda do të tërhiqet përsëri për të formuar ndoshta një vrimë të zezë gjigante. Me sa duket, Kurani mbështet pikëpamjen e dytë.

Duke folur për krijimin e parë të universit, Kurani përshkruan qartë përfundimin e tij në një tjetër vrimë të zezë, duke lidhur fundin me fillimin dhe duke kompletuar kështu gjithë ciklin e historisë së kozmosit. Kurani deklaron:

big bangu vrima e zeze kuraniDitën kur Ne do ta palosim qiellin, siç dorëshkrimet palosen rrotull (boshtit).[7]

Mesazhi i qartë i këtij ajeti është se universi nuk është i përjetshëm. Ai flet për një të ardhme kur qiejt do të palosen, në një mënyrë të ngjashme siç papiruset palosen rrotull boshtit. Përshkrimet shkencore që ilustrojnë krijimin e një vrime të zezë, ngjajnë shumë me atë që Kurani paraqet në ajetin e mësipërm. (Shihni fig. 1).

vrima e zeze

Vrima e zezë përfundimtare – Ilustrim grafik
Imazhi në këtë faqe ilustron pikëpamjen shkencore se si vrima e zezë përfundimtare mund të gllabërojë gjithçka që mund të ketë mbetur në univers. Lënda e mbetur nga çdo anë, siç i afrohet horizont kufirit, ngjeshet në një formë shiriti, ku, përpara se të zhytet në gropë, rrotullohet rreth saj, sepse rrotullohet edhe vetë gropa. Kjo ju krijon në mendje pamjen e personit që rrotullon papirusin ose pergamenë rreth boshtit, siç përmendet në ajetin e cituar.


UNIVERSI DUKE U FUNDOSUR
یَوۡمَ نَطۡوِی السَّمَآءَ کَطَیِّ السِّجِلِّ لِلۡکُتُبِDitën kur Ne do ta palosim qiellin, siç dorëshkrimet palosen rrotull (boshtit). (Kurani i Shenjtë 21:105)

Sa më shumë që lënda nga hapësira bie në një vrimë të zezë, siç është e përshkruar më sipër, ajo shtypet për t’u kthyer në një formë çarçafi, nën presionin e madh që krijohet nga forcat gravitacionale dhe elektromagnetike. Ngaqë epiqendra e vrimës së zezë rrotullohet vazhdimisht rreth vetes, edhe çarçafi i lëndës masive, sapo t’i afrohet, fillon të mbështillet rreth saj, para se të zhduket përfundimisht në sferën e së panjohurës.

I njëjti ajet i Kuranit vazhdon:

big bangu vrima e zeze kurani… Ashtu siç e nisëm krijimin e parë, Ne do ta përsërisim atë. Është një premtim që kemi marrë përsipër. Ne patjetër do ta bëjmë këtë.[8]

Pas shembjes përfundimtare të universit në një vrimë të zezë, ajeti i mësipërm sjell premtimin e një fillimi të ri. Zoti do të rikrijojë universin, siç Ai e ka bërë më parë. Universi i shembur do të dalë në dritë sërish nga errësira e vet dhe i gjithë procesi i krijimit do të fillojë përsëri (shih fig. 2). Kjo palosje dhe shpalosje e universit duket të jetë një fenomen i vazhdueshëm, sipas Kuranit të Shenjtë.

vrima e bardhe big bangu

UNIVERSI DUKE RILINDUR
کَمَا بَدَاۡنَاۤ اَوَّلَ خَلۡقٍ نُّعِیۡدُہٗ ؕ وَعۡدًا عَلَیۡنَا ؕ اِنَّا کُنَّا فٰعِلِیۡنَ ﴿۱۰۵﴾
… Ashtu siç e nisëm krijimin e parë, Ne do ta përsërisim atë. Është një premtim që kemi marrë përsipër. Ne patjetër do ta bëjmë këtë.
(Kurani i Shenjtë 21:105)
Në pjesën e mbetur të ajetit të cituar më sipër, Zoti shpall që universi që u zhyt në vrimën e zezë patjetër do të rilindë. Imazhi në këtë faqe tenton të japë një pamje se si universi do të rilindë përmes një vrime të bardhë, duke shpërthyer në një ditë të re. Vrima e bardhë është një term shkencor që aplikohet pikërisht për një ndodhi të tillë. (RONAN, C.A :, (1991) Historia Natyrore e Universit. Transworld Publishers Ltd., Londër.)
Prezantimi mund të mos jetë aq i saktë nga ana shkencore, por kemi dhënë një pamje piktoreske për të krijuar idenë e një universi duke rilindur.

Koncepti Kuranor i fillimit dhe i fundit të krijimit, pa dyshim, është i jashtëzakonshëm. Nuk do të ishte më pak e habitshme nëse kjo zbulesë do t’i shpallej një personi shumë të arsimuar të epokës sonë bashkëkohore, por do të habiteni nga fakti se kjo dije shkencore kaq e avancuar, në lidhje me fenomenin e përsëritur të krijimit, iu zbulua një njeriu të pashkolluar në shkretëtirën arabe, më shumë se katërmbëdhjetë shekuj më parë nga sot.

Lëvizja dhe rrotullimi i Tokës, e përmendur në Kuran

Le t’i drejtohemi një aspekti tjetër të përshkrimit të kozmosit nga Kurani, që lidhet me lëvizjen e trupave qiellorë. Karakteristika më goditëse e këtij përshkrimi ka të bëjë me mënyrën se si e përshkruan lëvizjen e Tokës, pa kundërshtuar në dukje pikëpamjen mbizotëruese të njerëzve të asaj kohe. Të gjithë shkencëtarët dhe fetarët e asaj kohe unanimisht ishin dakort në besimin e tyre se Toka ishte e palëvizshme, ndërsa trupat e tjerë qiellorë si dielli dhe hëna rrotulloheshin vazhdimisht rreth saj.

Në këtë sfond, lëvizja e Tokës e pëshkruar në Kuran mund të mos jetë e dallueshme për lexuesin e zakonshëm, por për një studiues të kujdesshëm, mesazhi është i qartë dhe i goditur. Nëse Kurani do të kishte pohuar shkurt dhe qartë se Toka është e palëvizshme dhe se trupat qiellorë si dielli e hëna rrotullohen rreth saj, atëherë edhe pse njerëzit e asaj kohe mund të mbeteshin të kënaqur me këtë përshkrim, por njerëzit e epokave të mëvonshme do ta kishin trajtuar si një provë të paditurisë së autorit të Kuranit. Ata do të thoshin me të madhe se një pohim të tillë nuk mund ta bëjë Qenia Supreme dhe e Gjithëditur.

Ndryshe nga përshkrimi i trupave të tjerë qiellorë që ka bërë Kurani duke deklaruar lëvizjen e tyre, për Tokën Kurani bën deklaratën vijuese:

Ti sheh malet dhe mendon se ato janë të palëvizshme, kurse ato po lëvizin sikur lëvizin retë. (Kjo) është mjeshtëria e Allahut, i cili nguliti fort çdo gjë.[10]

Pohimi që malet janë në lëvizje të vazhdueshme, ka vetëm një përfundim logjik: edhe Toka po rrotullohet bashkë me to. Por, falë shprehësisë mjeshtërore të Kuranit, kjo fjali kaloi pa u vënë re nga njerëzit e asaj epoke. Si gjithë të tjerët, ata kishin përshtypjen se Toka ishte e palëvizshme dhe kjo përshtypje e rreme e tyre nuk u sfidua aq fort nga ky ajet (varg). Po të kishin lexuar me kujdes pjesën e fundit të këtij ajeti, nuk do të kishin asnjë hapësirë për ndonjë keqkuptim, sepse ajo i bën lavdatë të përjetshme aftësisë krijuese të Zotit, duke thënë se Ai ka krijuar të gjitha gjërat e universit me një qëndrueshmëri të tillë, që ato nuk mund të zhvendosen nga vendi i tyre. Dhe çdo gjë që nuk mund të zhvendoset, kurrë nuk mund të hidhet me katapultë për të fluturuar vetëm, duke dalë nga orbita e Tokës.

Përveç kësaj, në shumë ajete të tjera të Kuranit, malet janë emërtuar si revasije, që do të thotë “të rrënjosura fort në tokë”:

levizija e tokes ratacioni ne kuranAi krijoi qiejt pa ndonjë shtyllë që mund ta shikonit dhe vendosi male të ngulitura (revasije) në tokë, që t’ju sigurojnë ushqim, dhe në të krijoi çdolloj gjallese. Dhe Ne zbritëm ujë prej qiellit dhe nxorëm në këtë (tokë) çdolloj çifti të nderuar.[11]

Gjithashtu thotë:

levizija e tokes ratacioni ne kuranDhe krijuam malet e ngulitura (revasije) në tokë, që ato t’u sigurojnë atyre ushqimin. Në to bëmë edhe rrugë të gjera, që të udhëzohen.[12]

Diku tjetër pohon:

levizija e tokes ratacioni ne kuranDhe Ai vuri malet e ngulitura (revasije) në tokë që ato t’ju furnizojnë, dhe (vuri) lumenj dhe rrugë, që ju të udhëzoheni.[13]

Kështu që, Kurani Famëlartë arrin ta zbulojë këtë fakt në atë mënyrë që njohuria mbizotëruese e asaj kohe të mos sfidohej hapur. Me gjasë, ajetin 89 të sures En-Neml, shumëkush mund të ketë besuar si një ngjarje të ardhshme të lidhur me ditën e apokalipsit, por siç e thamë më herët, ky interpretim i gabuar absolutisht nuk mund të pranohet për arsyet si vijojnë:

  1. Ajeti qartazi flet në kohën e tashme dhe jo në kohën e ardhshme. Pjesëza (و) “ue” e përdorur në këtë ajet fjalë për fjalë mund të përkthehet si “ndërsa” dhe jo vetëm si “dhe”, që kuptimi të jetë, “ju mendoni se malet janë të palëvizshme, ndërsa ato po lëvizin”. Prandaj, është e papranueshme që këtë pjesë të ajetit ta kufizojmë vetëm me të ardhmen.
  2. Për të parë një ngjarje të tillë, që siç besohej se do të ndodhte vetëm në të ardhmen, nëse njeriu do të zhvendosej në një distancë të sigurt, qoftë në një planet tjetër, si mund të mendonte që malet të ishin të palëvizshme, ndërkohë që do t’i shikonte ato duke fluturuar në hapësirë?! Prandaj, nuk ka vend për një përkthim a interpretim të tillë. Po kështu, do të ishte qartësisht i gabuar edhe interpretimi që megjithëse njerëzit sot i konsiderojnë malet si të palëvizshme, ato nuk janë kështu sepse në të ardhmen kanë për të fluturuar. Nëse sot njeriu i shikon malet të palëvizshme, ai kështu do t’i shohë ato përherë. Çështja nuk është që njeriu mendon se malet janë të palëvizshme, se përndryshe Kurani do të kishte thënë “Ju dini që malet janë të palëvizshme, siç ato me të vërtetë janë, por në të ardhmen nuk do të jenë më të tilla”. Kjo nuk është aspak ajo që thotë Kurani.
  3. Në pjesën e fundit të këtij ajeti, lëvdata për qëndrueshmërinë e krijimit të Zotit është prova përfundimtare që malet, edhe pse po lëvizin, janë të ngulitura fort.

Vlen të theksohet se komentuesit e hershëm kanë heshtur përpara kuptimit të vërtetë të këtij ajeti, gjë që tregon se ishte shumë e vështirë për ta që ta interpretonin.

Kurani zbuloi lëvizjen e diellit dhe të gjithë trupave qiellorë

Kurani i Shenjtë gjithashtu deklaron se të gjithë trupat qiellorë janë duke lëvizur në mënyrë të pandërprerë dhe se asnjëri prej tyre nuk qëndron i palëvizshëm: Ai thotë:

Secili noton në një orbitë (të vet).[14]

Kjo deklaratë gjithëpërfshirëse mbulon të gjithë universin, ku edhe sistemi ynë diellor nuk bën përjashtim. Përveç kësaj, ka shumë ajete të tjera që flasin për lëvizjen eliptike të të gjithë trupave qiellorë. Por njëkohësisht ato përmendin edhe lëvizjen e tyre drejt fundit të tyre të përcaktuar. Më poshtë janë disa nga ajetet që mbulojnë të dyja temat:

Allahu është Ai që ngriti qiejt pa ndonjë shtyllë që mund ta shihnit, më pas u vendos mbi Fron, dhe vuri në shërbim diellin dhe hënën. Çdo gjë lundron për një afat të caktuar. Ai planifikon çështjen (dhe) shpjegon shenjat që ju të bindeni për takimin me Zotin tuaj.[15]

A nuk ke parë që Allahu fut natën në ditë; fut ditën në natë, dhe nënshtroi diellin dhe hënën. Secili lundron drejt një afati të caktuar. Sigurisht, Allahu është i Gjithinformuar për gjithçka që bëni?![16]

Ai fut natën në ditë; fut ditën në natë, dhe nënshtroi diellin dhe hënën. Secili lundron drejt një afati të caktuar. Ky është Allahu, Zoti juaj; i Atij është sundimi. Kurse ata që thirrni ju në vend të Allahut, nuk zotërojnë as sa një cipë të farës së hurmës.[17]

Ai krijoi qiejt dhe tokën me vërtetësi. Ai bën natën të mbulojë ditën dhe e bën ditën të mbulojë natën. Ai nënshtroi diellin dhe hënën. Secili lundron për një afat të caktuar. Dëgjoni! Ai është i Plotfuqishmi, Falësi.[18]

Lëvizja e veçantë e diellit, e përmendur në Kuran

Le t’i drejtohemi një zbulese tjetër mahnitëse të Kuranit në lidhje me një lëvizje specifike të diellit, e cila nuk përmendet askund tjetër. Ajeti i 39-të i sures së 36-të deklaron:

Dielli lundron për te ndalesa e tij përfundimtare. Ky është caktimi i të Plotfuqishmit, të Gjithëdijshmit.[19]

Ky ajet qartazi flet për një pikë në hapësirë që do jetë vendi i pushimit përfundimtar të diellit. Ndonëse ky ajet flet vetëm për lëvizjen e diellit, ajetet vijuese të së njëjtës sure, përfshin tërë universin në të njëjtin drejtim specifik:

Dielli lundron për te ndalesa e tij përfundimtare. Ky është caktimi i të Plotfuqishmit, të Gjithëdijshmit. Edhe hënës i kemi përcaktuar stacione, derisa ajo bëhet si degë e hollë e një hurme të vjetër. As diellit nuk i lejohet ta parakalojë hënën dhe as natës ta parakalojë ditën.[20]

Sikur të ishte vetëm dielli që lëvizte në një drejtim të caktuar, ajeti pasues nuk do të pohonte që dielli dhe hëna ruajnë me përpikëri distancën e tyre të ndërsjellë. Ata as nuk do të afrohen kurrë dhe as do të largohen nga njëri-tjetri. Ky caktim është i pandryshueshëm deri në kohën e tyre të përcaktuar. E gjithë kjo tregon qartë se si dielli ashtu edhe hëna po udhëtojnë në një drejtim.

Sërish, kjo lëvizije nuk është vetëm e diellit dhe e hënës. Të gjithë trupat qiellorë, siç përshkruan Kurani, lundrojnë pa bërë zhurmë. Përveç kësaj, ka shumë ajete në Kuran që tregojnë se trupat qiellorë janë të lidhur bashkë me disa lidhje të padukshme. Prandaj, nëse njëri prej tyre bën lëvizje ndryshe nga lëvizja e tij orbitale dhe eliptike, do t’u duhet të gjithë trupave të tjerë qiellorë të ndryshojnë kursin, për të ruajtur ekuilibrin e tyre të ndërsjellë.

Dhe Ai është që krijoi natën dhe ditën, diellin dhe hënën. Secili lundron në një orbitë (të vet).[21]

As diellit nuk i lejohet ta parakalojë hënën dhe as natës ta parakalojë ditën. Dhe secili lundron në një orbitë (të vet).[22]

Ky është një stil unik i Kuranit që shënjon edhe lëvizjen e Tokës në boshtin e saj.

Njerëzit e kohës kur janë zbritur këto vargje, nuk mund të kuptonin siç duhet mesazhin themelor të tyre. Ata nuk mund të nxirnin dot përfundimin që nëse malet janë duke lëvizur, edhe Toka është duke lëvizur bashkë me to. Ata as nuk mund ta kuptonin dot idenë se nëse dielli po lëviz në një drejtim specifik, i gjithë universi gjithashtu duhet të jetë në lëvizje në të njëjtin drejtim. Vizioni që i gjithë universi është në lëvizje në hapësirë është një ide që ndoshta nuk është konceptuar plotësisht as nga shkencëtarët bashkëkohorë. Megjithatë, një studim i thelluar i Kuranit na zbulon se i gjithë kozmosi po lëviz drejt një pike të caktuar të hapësirës. Nëse kjo analizë është e saktë, atëherë nuk mbetet gjë tjetër veçse të përfytyrojmë që të gjitha 180 miliardë ose më shumë galaktika, nga të cilat sistemi ynë planetar nuk është veçse një pikë e vogël, po lëvizin sikur dielli në një drejtim të caktuar.

DIKU TJETËR NË KËTË KAPITULL, kemi folur për mundësinë e një vrime të zezë gjigande gjithëgllabëruese, e cila arrin të tërheqë gjithë lëndën e universit në singularetitin e saj.

Kështu që, kemi konkluduar se sipas Kuranit çështja e universit është një çështje që hapet e mbyllet. Në momentin e Big Bengut gjithësia filloi të zgjerohej pothuajse me shpejtësinë e dritës. Në fund, ajo përsëri do të tërhiqet në një gropë, të cilën e quajmë vrimë të zezë.

Për sa i përket konceptit të një vrime të zezë të fundit universale, ai bazohet në teorinë e Big Bengut, që mbështetet plotësisht edhe nga Kurani. Sidoqoftë, disa shkencëtarë propozojnë rastin e një universi të hapur. Ata besojnë se universi do të vazhdojë të zgjerohet pafundësisht, derisa lënda hapësinore të bëhet e hollë, e rrallë dhe të largohet aq shumë, saqë do të kapërcejë fushën gravitacionale të qendrës së universit. Ky skenar nuk lë hapësirë ​​që universi të rikrijohet dhe të ribëhet. Kurani e refuzon kategorikisht këtë koncept dhe pohon fuqishëm se universi shpërtheu nga një singularitet, dhe po në një singularitet tjetër, ai do të fundoset përsëri. Uniteti i Zotit dhe shpërthimi i gjithë krijimit dhe kthimi i krijimit përsëri tek Uniteti i Zotit, nuk mund të shprehej më bukur sa vijon:

Innā lil-lāhi ve innā ilejhi rāxhi’ūn
Sigurisht, jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.[23]

Referencat

[1] Kurani i Shenjtë 51:48.
[2] Kurani i Shenjtë 21:31.
[3] LANE, E.W. (1984) Arabic—English Lexicon. Islamic Text Society, William & Norgate, Cambridge.
[4] Space Telescope Science Institute. (1997) Press release no. STScI-PR97-01, Baltimore, Maryland, USA.
[5] RONAN, C. A. (1991) The Natural History of the Universe. Transworld Publishers Ltd., London.
[6] Reader’s Digest Universal Dictionary. (1987) The Reader’s Digest Association Limited. London.
[7] Kurani i Shenjtë 21:105.
[8] Kurani i Shenjtë 21:105.
[10] Kurani i Shenjtë 27:89.
[11] Kurani i Shenjtë 31:11.
[12] Kurani i Shenjtë 21:32.
[13] Kurani i Shenjtë 16:16.
[14] Kurani i Shenjtë 21:34.
[15] Kurani i Shenjtë 13:3.
[16] Kurani i Shenjtë 31:30.
[17] Kurani i Shenjtë 35:14.
[18] Kurani i Shenjtë 39:6.
[19] Kurani i Shenjtë 36:39.
[20] Kurani i Shenjtë 36:39-41.
[21] Kurani i Shenjtë 21:34.
[22] Kurani i Shenjtë 36:41.
[23] Kurani i Shenjtë 2:157.

Shpërndaje
Keni pyetje?
Share via