Taoizmi: Lao Tzu, Tao dhe koncepti i Zotit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Statujë simbolike e Lao Tzu-së, simboli yin-yang dhe male kineze në mjegull, me mbishkrimin “Taoizmi”.

[Shënim i redaksisë: Titujt ndërmjetës në këtë kapitull janë shtuar për lehtësi leximi dhe nuk janë pjesë e tekstit origjinal të librit.]

Origjina e taoizmit dhe roli i Lao Tzu-së

Të gjitha fetë kineze e kanë prejardhjen nga i njëjti burim i lashtë përvojash shpirtërore dhe fetare të profetit të madh dhe të urtë kinez, Fu Hsi [Fuxi shqiptohet Fu Shi]. Në epokat e mëvonshme, shumë të urtë e mendimtarë të mëdhenj reflektuan mbi veprat e Fu Hsi-së dhe i studiuan ato në thellësi. Në bazë të këtyre studimeve, ata i paraqitën popullit kinez filozofi, shkenca, fe dhe mësime të reja morale. Ndër ta ishin mbreti Wan, djali i tij Cheu Kung dhe Lao Tzu, të cilët janë nderuar shumë nga populli kinez në të gjitha epokat. Mënyra e jetesës e paraqitur nga Lao Tzu (shekulli VI para erës sonë), bashkëkohës i Konfucit, njihet si taoizëm.

Çfarë është Tao në taoizëm?

Në taoizëm, e vërteta e përjetshme mishërohet në një qenie të njohur si Tao, cilësitë e së cilës janë shpirtërore dhe të shenjta, e jo materiale. Tao mund të përkufizohet me të drejtë si personifikim i virtyteve të përjetshme. Këto janë pikërisht të njëjtat cilësi që i atribuohen Zotit në Islam dhe në fetë e tjera të shpallura nga Zoti. Taoizmi e mëson njeriun t’i nënshtrohet plotësisht së Vërtetës (Tao) dhe të përpiqet ta formojë veten sipas modelit të saj. Tao është modeli, ndërsa taoizmi është rruga për të fituar afërsinë me këtë model.

Të njëjtën mënyrë trajtimi e gjejmë edhe në Kuranin e Shenjtë lidhur me marrëdhënien ndërmjet Zotit dhe njeriut:

صِبْغَةَ اللهِ ۚ وَمَنْ أَحْسَنُ مِنَ اللهِ صِبْغَةً ۖ وَنَحْنُ لَهُ عَابِدُونَ

“Përvetësoni ngjyrën e Allahut! E kush mund të jetë më i bukur sesa Allahu në ngjyrë?! Ne Atë e adhurojmë.”[1]

Mësimet e Lao Tzu-së për Taon

Në Islam, Zoti përshkruhet dhe paraqitet përmes cilësive të Tij, ndërsa qëllimi që u është caktuar muslimanëve është t’i marrin ato si shembull për të formësuar jetën e tyre. Përshkrimi që Lao Tzu i bën Taos është mjaft i ngjashëm me cilësitë e Zotit të përmendura në Kuran. Ai shkruan:

“Tao i madh është i pamatshëm. Ai është në të majtë dhe në të djathtë. Të gjitha krijesat varen prej Tij dhe kujdesi për to nuk e lodh Atë. Ai e çon krijimin deri në përfundim, pa kërkuar shpërblim. Ai ua siguron të gjitha krijesave të Tij çfarë u nevojitet, por nuk kërkon asgjë për Veten, prandaj mund të konsiderohet i vogël. Të gjitha krijesat i drejtohen Atij për nevojat e tyre, e megjithatë Ai nuk mban asgjë për Veten. Prandaj mund të quhet ‘Supremi’. Ai nuk e konsideron Veten të madh dhe pikërisht për këtë arsye është vërtet i Madh.”[2]

Në një vend tjetër gjejmë këtë përshkrim:

“E kërkon me sy, por nuk mund ta shohësh; një Qenie e tillë mund të quhet e Pangjyrë. Përpiqesh ta dëgjosh, por nuk mund ta dëgjosh; një Qenie e tillë mund të quhet e Heshtur. Përpiqesh ta kapësh, por nuk mund ta kapësh; një Qenie e tillë mund të quhet e Fshehur. Askush nuk mund ta kuptojë burimin përfundimtar të këtyre tri cilësive, por ato gjenden të bashkuara në një Qenie. Megjithëse nuk ndriçon, poshtë Tij nuk ka errësirë. Duke qenë i Pafund, Ai nuk mund të përshkruhet. Të gjitha trajtat e Tij kthehen vazhdimisht në asgjë. Prandaj mund të themi se Ai është pa trajtë; shëmbëllimi i Tij është pa formë. Ai është përtej mundësisë sonë për ta kuptuar (duke qenë më i rralli ndër të gjitha gjërat). Përpiqu të arrish fillimin e Tij dhe nuk mund të shohësh asnjë fillim. Kërko fundin e Tij dhe nuk mund të dallosh asnjë fund. Prandaj ndiq rrugët e lashta dhe përmirëso të tashmen tënde.”[3]

Po kështu, në një varg tjetër, Tao përshkruhet si vijon:

“Ai është i pandashëm dhe natyra e Tij e vërtetë nuk mund të kuptohet. I gjithë krijimi e ka origjinën prej Tij. Ai ekzistonte përpara se të krijoheshin qielli dhe toka. Ai është Një dhe i Vetëm, pa formë dhe pa tingull. Ai ekziston në mënyrë të pavarur, pa pasur nevojë për asnjë mbështetje. Asgjë nuk ndryshon tek Ai. Ai është në lëvizje të pandërprerë, por nuk lodhet kurrë. Ai mund të quhet Burimi i lindjes së universit.”[4]

Taoizmi dhe Zoti: krahasimi me Kuranin

Përshkrimi i Taos që jepet në fragmentet e mësipërme gjendet gjithashtu në ajete të ndryshme të Kuranit, të cilat, kur lexohen së bashku, përmbajnë gjithçka që përfshihet në këto citime. Figurën e Zotit, që përshkruhet në Kuranin e Shenjtë, themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, i ndjeri Hazret Mirza Ghulam Ahmadi a.s. i Kadijanit (Indi), e përmbledh me këto fjalë:

“Ai është afër, edhe pse është larg; Ai është larg, edhe pse është afër… Ai qëndron mbi të gjithë, por nuk mund të thuhet se ndokush tjetër qëndron nën Të. Ai gjendet në Arsh, por nuk mund të thuhet se nuk gjendet në Tokë. Ai është Përmbledhje e të gjitha vetive të përsosura; Shfaqje e të gjitha lavdërimeve të vërteta.”[5]

Është me vend të vihet në dukje se filozofia kineze i kishte rrënjët në fe, por me kalimin e kohës prejardhja e saj fetare u errësua. Ndjekësit e saj i përmbaheshin vetë filozofisë, por e konsideronin të panevojshme të kishin ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me burimin që e kishte ushqyer atë në të kaluarën. Si rrjedhojë, përfytyrimi për Zotin gradualisht humbi karakterin e tij personal dhe ndjekësit e Taos pushuan së kultivuari një marrëdhënie personale me Të si një Qenie Supreme, të Vetëdijshme e të Gjallë.

Ilustrim bardhezi i Lao Tzu-së me veshje tradicionale kineze, duke qëndruar nën një pishë.

LAO-TZU, siç paraqitet në letërsinë kineze

Shkurt, ashtu si konfucianizmi, edhe taoizmi, në origjinën e tij, besonte pa dyshim në një Zot të gjallë dhe personal, i cili është e Vërteta e Përjetshme. Në veprat origjinale të taoizmit ose të konfucianizmit, nuk konsiderohej e mjaftueshme që njeriu të fitonte thjesht një kuptim intelektual të Taos. Përkundrazi, i gjithë qëllimi i jetës ishte formësimi i karakterit dhe i veprimeve të njeriut sipas konceptit të Taos.

Shpallja hyjnore dhe frymëzimi në taoizëm

Megjithatë, besimi në Tao si një Krijues i përjetshëm dhe inteligjent, i shprehur në burimet origjinale të taoizmit të cituara më sipër, është errësuar me kalimin e shekujve. Por ideja e vetë shpalljes është ruajtur ende, ndonëse vetëm nën petkun e frymëzimit. Një zhvendosje e dukshme nga shpallja Hyjnore drejt frymëzimit pa origjinë Hyjnore karakterizon prirjen e mendimtarëve shpirtërorë të epokave të mëvonshme, derisa në shkrimet e tyre nuk mbetet më asnjë gjurmë e Hyjnores.

Për ta, frymëzimi u shndërrua në një dukuri krejtësisht të brendshme, e cila, përmes përsiatjes dhe meditimit të thellë, mund ta çonte njeriun te burimi i së vërtetës brenda vetes.

Depërtimi në thellësitë e natyrës së vet mund të çojë, sigurisht, në zbulimin e së vërtetës së brendshme. Por përvoja taoiste e frymëzimit, ashtu siç përshkruhet në veprat autentike taoiste, nuk është tërësisht e brendshme. Në këtë kuptim, frymëzimi ka kufizimet e veta: ai nuk mund ta çojë njeriun tek e vërteta objektive që ndodhet përtej mundësive të njeriut që përjeton frymëzimin.

Vegimi i Fu Hsi-së dhe kufijtë e frymëzimit

Taoizmi mbështetet që në themel te vegimi i madh i Fu Hsi-së. Përkufizimi i frymëzimit, sado që të zgjerohet, nuk mund të zbatohet në asnjë mënyrë për atë vegim. Kur interpretohet, ai përmban burime të tilla dijeje që, shumë kohë më vonë, do të sillnin lindjen e një numri të madh filozofish dhe shkencash kineze, mjaft të zhvilluara dhe të ndërlikuara.

Kjo mjafton për ta ilustruar çështjen që po trajtojmë. Frymëzimet nuk mund të lindin profeci. Ato nuk mund të çojnë në asnjë mënyrë drejt ngjarjeve të tilla të së ardhmes, përmbushja e të cilave dëshmon ekzistencën e një Zoti Suprem të Gjithëdijshëm.

Referenca

[1] Në origjinal, përkthimi i autorit i ajetit 2:139 të Kuranit të Shenjtë. Në këtë përkthim është përdorur teksti zyrtar shqip i Xhematit Musliman Ahmedia të Shqipërisë.

[2] DAN, L. (1969), The Works of Lao Tzyy. Truth and Nature, The World Book Company, Ltd., Taipei, Tajvan, Kinë, kap. 34, f. 17.

[3] DAN, L. (1969), The Works of Lao Tzyy. Truth and Nature, The World Book Company, Ltd., Taipei, Tajvan, Kinë, kap. 14, f. 6.

[4] DAN, L. (1969), The Works of Lao Tzyy. Truth and Nature, The World Book Company, Ltd., Taipei, Tajvan, Kinë, kap. 25, f. 12.

[5] Mirza Ghulam Ahmed, “Testamenti”, Prishtinë, 2011, f. 13;  “Al-Wasiyyat”, “Ruhani Khazain”, botimi 1984, vëll. 20, f. 310.

Keni pyetje?
Shpërndaje
Share via