[Shënim i redaksisë: Titujt ndërmjetës në këtë kapitull janë shtuar për lehtësi leximi dhe nuk janë pjesë e tekstit origjinal të librit.]
A besojnë budistët në Zot?
Përshtypja e përgjithshme që mbizotëron në botë për budizmin është se ai përbën një filozofi jete e cila, megjithëse llogaritet ndër fetë, nuk e pranon ekzistencën e Zotit. Kjo përshtypje është vetëm pjesërisht e saktë. Edhe në budizmin e sotëm është e gabuar të thuhet se asnjë budist nuk beson në Zot ose në perëndi. Megjithëse sektet mbizotëruese, mahajanët dhe theravadinët, njihen për besimin e tyre vetëm në urtësinë e brendshme përfundimtare të njeriut, të cilën Buda, paqe qoftë mbi të, e përsosi, edhe ata besojnë në shumë besëtytni dhe figura demonike, të cilat zënë vendin e Zotit për ta. Përshtypja se budistët e mohojnë Zotin është e gabuar edhe nga një këndvështrim tjetër. Siç do të tregojmë, shqyrtimi i burimeve të hershme budiste zbulon dëshmi të bollshme se budizmi filloi, si çdo fe tjetër e shpallur nga Zoti, duke vënë theksin te Njëshmëria e Zotit.
Për sa i përket pozitës së Budës (563–483 para erës sonë) ndër budistët, megjithëse ai nuk adhurohet drejtpërdrejt si hyjni, ka shumë pak ndryshim ndërmjet nderimit që budistët tregojnë ndaj Budës dhe mënyrës se si adhurohet Zoti në fetë e tjera. Ata e nderojnë dhe i bëjnë homazhe, përkulen para figurave dhe statujave të tij dhe bien në sexhde para tyre, njëlloj si ndjekësit e çdo feje tjetër idhujtare në botë.

BUDA – Siç paraqitet nga feja budiste
Realisht, pavarësisht nga mohimi në Zot nga shumica e budistëve, thellë në zemrat e tyre duket se fshihet një dëshirë për të adhuruar diçka. Pikërisht kjo shfaqet në nderimin që i bëjnë Budës. E njëjta etje e pashuar dhe e lindur për Zotin, e skalitur thellë në shpirtin njerëzor, i shtyn ta adhurojnë Atë ose, nëse jo Atë, diçka tjetër. Pikërisht për ta mbushur këtë zbrazëti, budistët e adhurojnë Budën, pa e njohur zyrtarisht si zot.
Duhet përmendur gjithashtu se në formën tibetiane të budizmit, ekzistenca e hyjnive mbinjerëzore ose e demonëve jo vetëm që përbën pjesë të pandashme të besimit të tyre, por ata besojnë me siguri edhe në komunikimin me këto qenie. Përzgjedhja e një Panchen Lama të ri, për shembull, kërkon kryerjen e shumë riteve dhe ritualeve për të marrë udhëzim nga perënditë se cili prej fëmijëve të sapolindur tibetianë duhet të bëhet Panchen Lama i ardhshëm.
Ndër sektet budiste të ashtuquajtura ateiste, pretendohet zakonisht se vetë Buda e mohoi ekzistencën e Zotit. Ata e mbështesin këtë pretendim duke iu referuar armiqësisë që panditët hindu të kohës treguan ndaj Budës. Sipas tyre, kjo armiqësi buronte kryesisht nga përçmimi që Buda tregonte ndaj perëndive të tyre. Budistët në përgjithësi nuk shqetësohen t’i analizojnë faktorët e vërtetë që shkaktuan keqkuptime dhe çuan në përndjekjen e Budës. Për ta mjafton të besojnë se Buda duhet ta ketë hedhur poshtë tërësisht idenë e Zotit.
Megjithatë, siç do ta vërtetojmë tani duke rishqyrtuar disa fakte historike dhe disa fragmente të rëndësishme nga literatura e shenjtë budiste, mund të tregohet qartë se Buda a.s. është i pafajshëm nga të gjitha këto akuza. Megjithatë, që në fillim duhet thënë se dëshmitë historike, të cilave u referohen mbështetësit e të dyja pikëpamjeve, janë në vetvete të pakta. Kjo vështirësi, sidoqoftë, mund të kapërcehet në një masë të madhe duke iu drejtuar dëshmive të tjera rrethanore.
Burimet e hershme të budizmit dhe dëshmitë e Ashokës
Filozofia, mësimet dhe praktikat budiste vazhduan të transmetoheshin vetëm gojarisht për afro pesëqind vjet pas Budës, me përjashtim të mbishkrimeve në shkëmbinj dhe stupa të bëra gjatë sundimit të lavdishëm të Ashokës (273–232 para erës sonë). Duhet mbajtur mend se Ashoka u shfaq rreth treqind vjet pas mësuesit të tij shpirtëror, Budës a.s. Ky fakt ka në vetvete rëndësi jetike, sepse këto shkrime mund të shërbejnë me siguri për ta gjykuar filozofinë dhe mënyrën e jetesës së Budës nga këndvështrimi i Ashokës. Për më tepër, në një kohë kur asgjë nga budizmi nuk ishte hedhur ende me shkrim, vetëm Ashoka la një dëshmi të shkruar për atë që ai kuptonte si mësimet e Budës. Gjithashtu, autoriteti i tij si përfaqësues i vërtetë i Budës nuk është vënë kurrë në dyshim. Prandaj, ajo që mbetet është thjesht çështje interpretimesh.
Për sa i përket historisë së jetës së Budës, edhe pse edhe ajo u shkrua shumë shekuj pas vdekjes së tij, është pranuar njëzëri nga të gjithë studiuesit, pa ndonjë kundërshtim serioz. Kjo dije duket se është përcjellë brez pas brezi. Prandaj, personaliteti i Budës dhe mënyra e tij e jetesës duket se ruajnë një vazhdimësi që nis nga vetë Buda dhe mbërrin deri në ditët tona.
Nga kjo është e arsyeshme të nxirret përfundimi se një kuptim i Budës dhe i budizmit që përputhet me këto dy burime, pra me jetën e Budës dhe me shkrimet në stupa, ka një pretendim më të fortë për t’u pranuar. Pikëpamjet që bien qartazi ndesh me to mund të hidhen poshtë me siguri. Megjithatë, nëse burimet e hershme duket se kundërshtojnë njëra-tjetrën, duhet treguar kujdes përpara se njëra të pranohet dhe tjetra të refuzohet.
Një shqyrtim i hollësishëm i biografisë së Budës zbulon se, në mënyrën e tij të jetesës, ai nuk ndryshonte nga profetët e tjerë të Zotit që u shfaqën në pjesë të ndryshme të botës. Karakteri dhe mënyra e jetesës së profetëve kanë një natyrë universale, e cila mund të dallohet edhe në jetën e Budës.
Kur vijmë te çështja e besimeve themelore të budizmit, problemet fillojnë me interpretimet e ndryshme të asaj që dihet se Buda ka thënë ose ka bërë. Ne nuk pajtohemi me pikëpamjen e përhapur se Buda ishte ateist. Ne pohojmë se budizmi ishte një fe e shpallur nga Zoti. Theksojmë se themeluesi i budizmit sigurisht nuk ishte ateist, por një njeri i ngarkuar me mision nga Vetë Zoti për të përcjellë mesazhin e Tij, në të njëjtën mënyrë siç u ngritën të gjithë të dërguarit e tjerë.
Shumica e studiuesve që shkruajnë për budizmin gjenden në vështirësi kur përpiqen të justifikojnë vendosjen e tij ndër fetë e mëdha të botës. Për ta bërë këtë, ata detyrohen ta ndryshojnë përkufizimin e pranuar universalisht të fesë, në mënyrë që ai të përfshijë edhe filozofitë dhe fetë pa Zot. Pyetja është: përse një kod sjelljeje që e nis udhëtimin e tij me mohimin e Zotit duhet të pranohet në bashkësinë e feve? Për sa i përket pikëpamjes sonë, një kundërshtim i tillë nuk mund të ngrihet. Ne e hedhim poshtë premisën se budizmi nuk kishte origjinë Hyjnore. Për ta mbështetur pohimin tonë, do t’u drejtohemi po atyre burimeve të mirënjohura ku mbështeten edhe vetë budistët dhe do të tregojmë se interpretimi ynë ka baza më të forta për t’u pranuar. E përsërisim se budizmi nuk është ndonjë përjashtim i çuditshëm ndër fetë. Përkundrazi, karakteristikat e tij themelore përputhen me ato të feve të tjera të shpallura nga Zoti.
Besimi popullor i gabuar se budizmi kishte një origjinë pa Zot u përhap kryesisht nga studiuesit perëndimorë të shekujve XVIII dhe XIX. Njohuritë e tyre për budizmin mbështeteshin kryesisht në përkthimet nga gjuha pali të literaturës budiste, të bëra nga studiues budistë, të cilët kishin lejuar që filozofia e tyre e njëanshme dhe pa Zot të ndikonte në përkthimet e tyre. Pak prej studiuesve perëndimorë e kuptonin gjuhën pali, gjuhën e materialeve burimore. Për më tepër, në vend që t’i nxirrnin vetë përfundimet drejtpërdrejt nga studimi i burimeve të besueshme budiste, ata u mbështetën tërësisht te besimet mbi budizmin që mbizotëronin ndër sektet kryesore budiste.
Në kundërshtim me këtë prirje të përgjithshme të studiuesve perëndimorë, në Indi u ngrit një zë i vetëm, ai i Hazret Mirza Ghulam Ahmedit a.s. të Kadijanit (1835–1908), i cili paraqiti një pikëpamje diametralisht të kundërt. Ai pohonte se Buda a.s. besonte fuqimisht në ekzistencën e Zotit, dhe se Vetë Zoti e kishte ngritur atë si të dërguar të Tij me një mision të posaçëm. Ai tregoi se ashtu si të gjithë profetët e tjerë të Zotit, edhe Buda a.s. besonte në ekzistencën e Satanit, si edhe në parajsë dhe në ferr, në engjëj dhe në Ditën e Ringjalljes. Pra, akuza se Buda a.s. nuk besonte në Zot është një trillim i pastër. Ajo që Buda hodhi poshtë ishte Vedanta, (domethënë doktrinat dhe besimet që gjendeshin në librat e shenjtë hindu, Vedat). Ai refuzoi besimin në shfaqjet trupore të perëndive, siç gjendeshin në hinduizëm. Ai ishte jashtëzakonisht kritik ndaj brahmanëve dhe mendonte se ata i kishin korruptuar mësimet e tyre Hyjnore përmes interpretimeve të shtrembëruara.
Zëri i Hazret Mirza Ghulam Ahmedit a.s. nuk do të mbetej i vetëm për shumë kohë. Shpejt edhe zëra të tjerë nga brezi i dytë i studiuesve dhe hulumtuesve perëndimorë të budizmit filluan të shkonin në të njëjtin drejtim. Më i shquari ndër ta ishte studiuesi i madh francez Dr. Gustav Le Bon (1841–1931), i cili shkruan:
“Fatkeqësisht, studimi i monumenteve indiane është lënë krejtësisht pas dore nga studiuesit evropianë. Specialistët e studimeve indiane, përmes të cilëve ne arritëm ta njihnim budizmin, nuk e kishin vizituar kurrë Indinë. Ata e kishin studiuar këtë fe vetëm nëpër libra. Një kthesë fatkeqe e rrethanave bëri që ata të hasnin veprat e sekteve filozofike të shkruara pesë ose gjashtë shekuj pas vdekjes së Budës, të cilat ishin krejtësisht të huaja për fenë që praktikohej në të vërtetë. Spekulimet metafizike që i kishin habitur aq shumë evropianët me thellësinë e tyre, në të vërtetë nuk përmbanin asgjë të re. Që kur librat e Indisë janë njohur më mirë, këto ide janë gjetur në shkrimet e sekteve filozofike që ishin zhvilluar gjatë periudhës brahmanike.”[1]
Deri këtu, Dr. Le Bon duket se ka plotësisht të drejtë në kritikën e tij. Por, siç bëhet e qartë nga teksti vijues, ai vetë bëri të njëjtin gabim, duke mos e nxjerrë konceptin e budizmit të vërtetë në mënyrë të rreptë nga shkrimet e stupave, të cilat nuk e paraqesin kurrë budizmin si politeist. Me fjalët e Dr. Le Bonit:
“Budizmi i dikurshëm nuk duhet studiuar në libra, por në monumente. Ajo që na tregojnë monumentet ndryshon në mënyrë të çuditshme nga ajo që mësojnë disa libra. Monumentet dëshmojnë se kjo fe, të cilën studiuesit modernë duan ta shohin si një kult ateist, ishte më politeistja ndër të gjitha kultet.”[2] dhe [3]
Është pikërisht kjo pjesë e fundit e pohimit të tij që është e gabuar, siç do të provohet në vijim.
Pas Dr. Le Bonit, një tjetër studiues i njohur, Arthur Lillie, nxori një përfundim krejtësisht të ndryshëm nga studimi i tij i kujdesshëm i mbishkrimeve në stupat e Ashokës. Ai i citon gjerësisht ato në librin e tij India in Primitive Christianity. Duhet vënë në dukje se këto mbishkrime nuk ishin gdhendur vetëm në stupat e ndërtuara posaçërisht për këtë qëllim, por janë zbuluar edhe në faqet e shkëmbinjve të mëdhenj që ndodheshin përgjatë rrugëve kryesore dhe rrugëve tregtare. Më poshtë paraqesim dy shembuj të këtyre mbishkrimeve nga përkthimet e Lillie-t.
Në bregun lindor të lumit Katak, njëzet milje larg Jagan Nathit, ndodhet një shkëmb me emrin Pardohli, mbi të cilin është shkruar:
“Të lakmosh fort gjërat (e kësaj jete) është mosbindje, po e deklaroj përsëri. Jo më pak e tillë është ambicia e mundimshme për sundim nga ana e një princi, që do të dëshironte të fitonte pëlqimin e qiellit. Pranojeni dhe besoni në Zotin (Is’ana), i cili është i denjë për bindje. Unë ju deklaroj se nuk do të gjeni asnjë mjet tjetër të krahasueshëm me këtë besim për të fituar pëlqimin e qiellit. O, përpiquni ta fitoni këtë thesar të paçmueshëm.”[4]
Is’ana, i përmendur në këtë mbishkrim, është emri i ShivDevta-s, Zotit. (Shih The Sanskrit/English Dictionary nga Shivram Apte.)
Në stupën e shtatë, i njëjti autor citon:
“Kështu foli Devanampiya Piyadasi: ‘Prandaj, që nga kjo orë, kam urdhëruar që të predikohen ligjërime fetare dhe kam caktuar praktika fetare, në mënyrë që njerëzimi, pasi t’i dëgjojë ato, të shtyhet të ndjekë rrugën e drejtë dhe t’i japë lavdi Zotit[5] (Is’ana).’”[6]
Nga këto referenca bëhet e qartë se burimet e hershme e paraqesin Budën a.s. si një besimtar të përkushtuar në Zot. (Zoti e bekoftë shpirtin e tij!)
A besonte Buda në Zot? Dëshmitë e teksteve budiste
Burimi i dytë për nga besueshmëria dhe autenticiteti është literatura budiste që u krijua pesëqind vjet pas Budës. Edhe ajo përmban dëshmi të mjaftueshme që tregojnë se Buda nuk ishte as ateist, as agnostik, por në të vërtetë besonte në Zot. Këtu u referohemi posaçërisht teksteve theravada të njohura si Tripitaka (“Tri Shportat”), të cilat, siç sugjeron edhe emri, ndahen në tri pjesë. Pjesa e parë quhet Vinaya-Pitaka (Rregullat e Sjelljes), e dyta Sutta-Pitaka (Ligjërimet mbi të Vërtetën), ndërsa e treta Abhidhamma Pitaka (Analiza e Fesë).
Në Sutta-Nipata gjendet Kapitulli për kalimin në bregun e largët,[7] ku shprehet synimi për mposhtjen e vdekjes. Buda shpjegon se lindja dhe vdekja nuk kanë më kuptim për ata që e kanë kapërcyer egon dhe kështu kanë hyrë në bashkim me Zotin. Këto fragmente mund të jenë keqkuptuar dhe ngatërruar me konceptin brahman të Mukti-së, (të çlirimit), por kjo nuk është e drejtë. Buda flet qartë vetëm për ata që, ende këtu në tokë dhe para vdekjes, e kanë kaluar tashmë në anën tjetër të pengesës. Kjo thjesht do të thotë se, sipas tij, asnjë njeri nuk mund të ketë qasje në botën tjetër nëse nuk e ka përjetuar atë që gjatë jetës së tij në këtë botë, një mësim i afërt me parimin kuranor. Ai mësonte se, duke hyrë në bashkim me Zotin, njeriu ngrihet mbi jetën dhe vdekjen dhe bëhet i përjetshëm.
Në fund të kapitullit, Pingiya, një ndjekës i Budës, përshkruan përsosmërinë e mësuesit të tij, e cila bëhet shkak që ai ta përqafojë budizmin. Pasi kishte thënë më parë se ishte dobësuar nga pleqëria dhe ishte pranë vdekjes, Pingiya e përfundon diskutimin me pohimin e mëposhtëm:
“Me siguri do të shkoj tek Ai që është i palëvizshëm, i patundshëm dhe që nuk ka të ngjashëm askund. Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Prandaj më konsideroni si dikë, mendja e të cilit është e vendosur në këtë drejtim.”[8]
Kjo tregon shpresën dhe pritjen e një dishepulli të Budës se, pas vdekjes, do të takohet me Zotin e tij, i cili përshkruhet si i palëvizshëm, i patundshëm dhe i pangjashëm. Ky është një përshkrim i Zotit që përputhet plotësisht me përshkrimin e Tij në shkrimet e tjera të shenjta.
Ekziston edhe një rrëfim tjetër interesant që jep informacion të mëtejshëm mbi besimet e Budës dhe gjendet në Sutta-Pitaka, pjesa e dytë e teksteve të Tripitaka-s, e ndarë në pesë libra që përmbajnë shumë prej dialogëve të Budës. Kryetarja e Pali Text Society në Londër, zonja T. W. Rhys Davids, ka përkthyer disa nga këta dialogë në anglisht dhe përkthimi i saj gjendet në një seri librash me titull Sacred Books of the Buddhists. Dialogu numër trembëdhjetë i vëllimit të dytë, me titull Tevigga Sutta, trajton posaçërisht pyetjen se si mund të udhëhiqet njeriu drejt Zotit.
Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Buda fillimisht hedh poshtë pretendimin se ndonjë prej klerikëve hindu të kohës së tij ishte në gjendje ta çonte njeriun te Zoti, dhe më pas e jep përgjigjen ashtu siç e kuptonte ai vetë. Rrethanat se si dhe ku u zhvillua ky dialog janë mjaft interesante.
Thuhet se dikur ekzistonte një fshat i famshëm brahman me emrin Manasakata. Ky fshat ndodhej në një vend jashtëzakonisht piktoresk, pranë një lumi të bukur. Fama e tij ishte përhapur gjerë e gjatë, sepse ishte qendër e debateve fetare brahmanike. Pesë brahmanë prej tyre dalloheshin veçanërisht dhe secili drejtonte shkollën e ideologjisë së vet fetare. Ndodhi që edhe Buda, së bashku me dishepujt e tij të zgjedhur, u ndal pranë të njëjtit lumë. Lajmi u përhap dhe njerëzit filluan ta vizitonin, që të ndriçoheshin rreth doktrinës së Budës dhe ta dëgjonin budizmin nga goja e tij.
Një herë, Vasettha dhe Bharadvaga nga i njëjti fshat, ndërsa po shëtisnin pas larjes në lumë, nisën të diskutonin një çështje fetare. Asnjëri nuk mund ta bindte tjetrin për saktësinë e pikëpamjeve të gurusë së vet. Vasettha, brahmani i ri, sugjeroi që çështja t’i paraqitej Budës për gjykim. Pasi ranë dakord, shkuan dhe ia parashtruan çështjen Budës, duke kërkuar këshillën e tij të urtë. Gjatë takimit, Bharadvaga, brahmani i ri, qëndroi i heshtur, ndërsa Vasettha i bënte pyetjet. Përpara se t’i përgjigjej pyetjes, Buda i bëri atij disa kundërpyetje.
Fillimisht pyeti: “A e ka parë ndonjëherë ndonjëri prej brahmanëve që njohin mirë Tri Vedat, Brahmën ballë për ballë?”
Përgjigjja ishte: “Jo.”
Pastaj Buda e pyeti Vasetthën nëse ndonjë prej brahmanëve ose nxënësve të tyre të shtatë brezave të mëparshëm e kishte parë Brahmën, dhe përgjigjja ishte përsëri: “Jo.”
Më pas i pyeti nëse ata vetë pretendonin se e kishin parë ndonjëherë Brahmën. Edhe një herë përgjigjja ishte: “Jo.”
Pastaj Buda e pyeti Vasetthën: nëse një njeri i lindur dhe i rritur në Manasakata do të pyetej për rrugën që të çonte në Manasakata, a do të kishte ky njeri ndonjë dyshim ose vështirësi për t’iu përgjigjur pyetjes?
Vasettha u përgjigj:
“Sigurisht që jo, Gotama! Dhe përse? Sepse, nëse ai njeri do të kishte lindur dhe do të ishte rritur në Manasakata, çdo rrugë që të çon në Manasakata do të ishte krejtësisht e njohur për të.”
Në këtë pikë Buda shpjegoi:
“Ky njeri, Vasettha, i lindur dhe i rritur në Manasakata, mund të binte në dyshim dhe vështirësi po të pyetej për rrugën drejt Manasakatës, por Tathagata,” (i ndriçuari plotësisht, duke iu referuar vetes), “kur pyetet për rrugën që çon në botën e Brahmës, nuk mund të ketë as dyshim, as vështirësi. Sepse unë, o Vasettha, e njoh Brahmën dhe botën e Brahmës, dhe rrugën që çon tek ajo. Po, e njoh atë ashtu si dikush që ka hyrë në botën e Brahmës dhe ka lindur brenda saj!”[9]
Argumenti i Budës ishte se banorët e Manasakatës duhej t’i njihnin qartë rrugët që çonin në Manasakata. Çdo njeri që pretendon se i përket Zotit duhet gjithashtu ta njohë rrugën që çon tek Ai, por kjo mund të ishte e mundur vetëm nëse ai kishte ardhur prej Zotit dhe e njihte Atë personalisht. Mirëpo përgjigjet ndaj kundërpyetjeve të Budës treguan qartë se asnjëri prej guruve nuk e kishte parë Zotin dhe as kishte ndonjë njohje personale të Tij. Prandaj, identiteti i Zotit ishte krejtësisht jashtë dhe përtej kuptimit të tyre.
Deri në këtë pikë të dialogut, argumentet e Budës mund të jenë keqkuptuar nga disa sikur Buda po deklaronte se nuk kishte Zot, sepse askush nuk e kishte takuar Atë. Në të vërtetë, përkthyesja sugjeron në hyrjen e saj se e gjithë linja e argumentimit të këtij dialogu është:
“… vetëm një argumentum ad hominem. Nëse dëshironi bashkim me Brahmën, gjë që do të ishte shumë më mirë të mos e dëshironit, ja rruga për ta arritur.”[10]
Por kjo analizë e dialogut tregon një dështim të plotë nga ana e autores për të kuptuar atë që Buda vërteton pozitivisht. Ajo tregon se si disa studiues janë ndikuar nga bindjet e murgjve budistë, të cilët e kishin keqlexuar fushatën heroike të Budës kundër rendit brahman të kohës së tij. Ajo që ai hidhte poshtë në mënyrë kategorike ishin besimet e tyre supersticioze në figura të ngjashme me perënditë, të cilat ata as i kishin parë, as kishin dëgjuar prej tyre. Por përgjigjja e Budës nuk përfundoi këtu. Ai vazhdoi të pohonte se për Tathagatën nuk mund të kishte asnjë vështirësi të tillë për të treguar rrugën drejt Zotit. Ai vazhdoi duke pohuar se vetë ai ishte ai që mund ta çonte njeriun te Zoti, sepse kishte qenë në bashkim me Të dhe kishte ardhur prej Tij.
Tashmë duhet të jetë bërë e qartë se Buda besonte në ekzistencën e një Zoti të Vetëm Suprem dhe pretendonte se kishte ardhur prej Tij. Ai e njihte Atë më mirë sesa banorët e Manasakatës njihnin fshatin e tyre ose rrugët që të çonin në të. Këtu Buda pohon për veten një jetë të komunikimit të vazhdueshëm me Zotin, një gjendje që qëndron më lart në shkallën e afërsisë me Të sesa thjesht shpallja. Shumë profetë të mëdhenj kanë bërë pohime të ngjashme se e kanë përjetuar që këtu në tokë një jetë të përjetshme me Të, përpara se vdekja t’i kalojë në jetën e botës tjetër. Të gjithë ata, të dërguarit Hyjnorë, e kanë të përbashkët këtë gjendje të përjetshme bashkimi me Zotin, dhe Buda nuk përbën përjashtim.
Buda i referohej Zotit me emrin Brahma, sepse ky ishte një term i njohur për hindutë, të cilët e përdornin për Zotin Suprem ndër perënditë e tyre. Ndërsa dialogu vazhdon, qëndrimi bëhet edhe më i qartë:
“Kur ai kishte folur kështu, Vasettha, brahmani i ri, i tha të Bekuarit:
‘Kështu më është thënë, Gotama, se Samana Gotama e njeh rrugën që çon në gjendjen e bashkimit me Brahmën. Sa mirë! Le të jetë i nderuari Gotama i kënaqur të na tregojë rrugën drejt gjendjes së bashkimit me Brahmën; le ta shpëtojë i nderuari Gotama racën e brahmanëve!’”[11]
Pasi e dëgjoi Vasetthën, Buda nuk e hodhi poshtë lutjen dhe dëshirën e tij në lidhje me Brahmën si diçka të pavërtetë ose pa kuptim. Kjo përbën dëshmi të qartë se ai miratonte atë që kishte thënë rreth Brahmës dhe bashkimit të Tij me të zgjedhurit e Vet.
Për njerëzit që i përgjigjen thirrjes së Zotit, pavarësisht nga kasta e tyre, rruga drejt Zotit u bëhet e lehtë. Kur një njeri i druhet Zotit, pasione njerëzore si zemërimi, xhelozia, paragjykimi e të tjera pushojnë së sunduari mbi të. Kur i kapërcen këto, ai ka mundësi t’i imitojë cilësitë Hyjnore dhe t’i përvetësojë ato. I gjithë ky dialog meriton vëmendje të veçantë nga ata që duan ta kuptojnë qëndrimin e Budës ndaj Zotit.
Pse u keqkuptua Buda nga ndjekësit e tij?
Atëherë, përse Buda u keqkuptua nga vetë ndjekësit e tij? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje mund të gjendet në historinë e hershme të budizmit dhe në konfliktin ndërmjet fesë së re të Budës dhe rendit më të vjetër fetar të brahmanizmit. Ata i atribuuan Budës pikëpamjet e veta, gjë jo e rrallë te kleri fetar, ose ndoshta e keqkuptuan atë me mirëbesim. Kur Buda nisi luftën kundër idhujtarisë mbizotëruese, së cilës brahmanët e kohës ishin tërësisht të përkushtuar, ai u akuzua se mohonte ekzistencën e Zotit. Kjo propagandë, e zhvilluar nga një klasë e fuqishme brahmanësh, u shpall me aq zë të lartë, saqë zëri i Budës u mbyt në zhurmën e armiqësisë së tyre.
Duke pasur parasysh vështirësitë e komunikimit dhe mungesën e mjeteve për të shkruar, nuk është aspak e pamundur që kjo propagandë jo vetëm të ketë gjetur mbështetje te hindutë, por të ketë ndikuar edhe ndjekësit e Budës. Përfundimisht, ata vetë filluan të besonin se mohimi që Buda u bënte perëndive hindu ishte i plotë. Kështu, mohimi që Gotama Buda u bënte perëndive të brahmanëve u përgjithësua dhe bëri që shumë njerëz të pohonin se ai nuk besonte në asnjë Zot.
Për sa i përket besnikërisë së tyre ndaj Budës, ajo mbeti e paprekur. Ata e kishin pranuar Budën si një mësues plot urtësi, kaq të mirë, kaq të dashur dhe kaq njerëzor. Po flasim për një epokë kur niveli i shkrim-leximit ishte tepër i ulët. Njerëzit e zakonshëm shpesh i merrnin vendimet mbi bazën e asaj që dëgjonin nga të tjerët. Prandaj, edhe vetë ndjekësit e Budës mund të jenë rrëmbyer nga kjo propagandë brahmanike. Por kjo pati pak ndikim mbi besnikërinë e tyre ndaj tij. Për ta mjaftonte që Buda ishte burimi i përsosur i urtësisë. Prandaj e nderonin dhe vazhdonin ta ndiqnin me gjithë zemër si mësuesin e tyre të dashur dhe plot urtësi. Megjithatë, dalëngadalë dhe pothuajse pa u vënë re, ky mësues i tyre, i quajtur “pa Zot”, filloi të nderohej si vetë Zoti.
Kjo nuk kishte ndodhur për herë të parë në historinë e feve. Sa herë orakujt ishin shndërruar në perëndi dhe njerëzit ishin ngritur në nivelin e hyjnive! Megjithatë, në rastin e Budës, të gjitha format e dashurisë dhe të vëmendjes së tyre vazhduan të përqendroheshin te Buda si një model njerëzor i përsosmërisë dhe ai nuk u ngrit fjalë për fjalë në konceptin mitologjik të figurave hyjnore. Për ta mjaftonte t’i vendosnin brahmanët në njërin skaj të spektrit dhe Budën në tjetrin. Në sytë e tyre, brahmanët përfaqësonin orakujt e legjendave dhe miteve, ndërsa Buda mishëronte të vërtetën, urtësinë dhe racionalitetin.
Kështu, gradualisht, budizmi mori një karakter në të cilin besimi në një zot legjendar nuk kishte më ndonjë rol. Çfarëdo prirjeje që ka në natyrën njerëzore për të besuar në Zot, ajo u mbush gjithnjë e më shumë me figurën e Budës. Kështu Buda, i cili në sytë e ndjekësve të tij të shekullit IV e kishte nisur udhëtimin thjesht si një burim i urtësisë absolute, filloi të ngrihej në një pozitë shumë më të lartë se ajo që mund të zinte një filozof i zakonshëm laik. Në rastin e tij, ai nuk mbeti për shumë kohë një simbol i thjeshtë i urtësisë tokësore, por filloi të gëzonte një respekt dhe nderim aq të lartë sa ai që u kushtohet Zotit ose perëndive në fe të ndryshme.
Këtu nuk po flasim për një periudhë të shkurtër prej disa vjetësh. Mund të jenë dashur shekuj që hija e ateizmit të hidhte magjinë e saj ogurzezë mbi një pjesë të madhe të botës budiste. Po kështu, mund të jenë dashur shekuj që budistët përfundimisht të ndërtonin një zot nga figura e Budës, pa e quajtur atë me këtë emër.
Mënyra se si sugjerojmë se ndodhi shndërrimi i budistëve nga besimtarë në Zot në një popull pa Zot nuk është thjesht hamendësim. Studimi i burimeve budiste, siç kemi treguar, e mbështet plotësisht pikëpamjen se Buda a.s. ishte besimtar në një Krijues të Vetëm Suprem. Ajo që ai hodhi poshtë ishte politeizmi. Kjo është figura e vërtetë e Budës që mbijetoi e paprekur gjatë tre shekujve të parë, pavarësisht nga përpjekjet më të mëdha të armiqve të tij.
Këtu ia kthejmë edhe një herë vëmendjen lexuesit epokës së monarkut të madh budist Ashoka, i cili sundoi mbi një perandori të gjerë budiste që shtrihej përtej kufijve të Indisë dhe përfshinte të gjithë Afganistanin. Pikërisht ai zotëron autoritetin më autentik dhe të padiskutueshëm lidhur me mësimet dhe mënyrën e jetesës së Budës. Nuk ka asnjë hije dyshimi se, sipas përshkrimit të tij, Buda ishte thjesht një i dërguar i Zotit, i cili i kishte themeluar mësimet e veta mbi shpalljen Hyjnore. Gjithçka që ai i përcolli njerëzimit ishte vetëm ajo që Krijuesi i tyre Suprem e kishte ngarkuar të përcillte. Ky është gjykimi i Ashokës, i gdhendur në mënyrë të pashlyeshme mbi shkëmbinjtë e historisë.
Nirvana në budizëm: asketizëm apo ikje nga realiteti?
Heqja dorë nga bota dhe shkëputja e lidhjeve tokësore konsiderohet në budizëm si mjeti përfundimtar për çlirimin e plotë të vetes nga ankthi dhe mjerimi. Sipas tij, duhet të jesh asket për t’i kuptuar problemet që lindin nga përplasja ndërmjet shpirtit dhe tundimeve tokësore të jetës. Nëse njeriu nuk është i pajisur me cilësi të jashtëzakonshme durimi dhe vendosmërie, kjo sfidë duket e pakapërcyeshme. Por pikërisht këtu qëndron e vetmja shpresë që ofron budizmi. Sipas tij, heqja dorë e plotë nga gjithçka që përbën jetën dhe tërheqja e plotë nga joshjet e saj është e vetmja rrugë drejt Nirvanës, paqes së përjetshme.
Prandaj, mohimi i plotë i të gjitha pasioneve pretendohet nga budistët si e vërteta absolute. Lakmia për pasuri materiale, për pushtet ose madje për dashurinë e të tjerëve, kur mbetet e papërmbushur, sjell vuajtjen dhe zhgënjimin e atij që privohet prej tyre. Po kështu, edhe urrejtja e shkatërron paqen e mendjes. Të gjitha këto forca, sipas budistëve, i dobësojnë fuqitë shpirtërore të njeriut. Theksohet gjithashtu se, meqë natyra e brendshme e njeriut nuk mund të ndryshohet dhe etja e tij për gjithnjë e më shumë nuk mund të shuhet, kënaqësia dhe përmbushja e plotë nuk mund të arrihen pa i këputur të gjitha lidhjet me materien.
Për budistët, kjo është pika e nisjes së një udhëtimi të gjatë mohimi drejt qëllimit përfundimtar të çlirimit. Njeriu duhet të mohojë gjithçka që kërkon jeta për një ekzistencë të rehatshme në kuptimin material. Është një luftë mohimi që lidhet me të pesë shqisat: mohimi i asaj që kërkojnë sytë dhe që dëshirojnë veshët, mohimi i prekjes, i shijes dhe i nuhatjes, mohimi i gjithçkaje që trazon zemrën njerëzore. Ata përpiqen të shmangin çdo rrezik varësie duke shmangur çdo rrethanë në të cilën njeriu mund të përfshihet dhe të skllavërohet nga ndikimet materiale. Shkurt, koncepti budist i paqes përmes mohimit është thjesht një emër tjetër për ikjen nga realiteti. Të jetosh është problemi, të vdesësh është zgjidhja.
Në vend që njeriu të përpiqet t’i luftojë dhe t’i mposhtë shtysat më të ulëta, duke i vënë ato nën sundimin e shpirtit, vetë shpirtit i këshillohet të tërhiqet dhe ta braktisë arenën e jetës tokësore. Gjithçka që lind nga dëshira për të kënaqur egon e njeriut konsiderohet e ulët, materialiste dhe jo fisnike, prandaj duhet të sakrifikohet për hir të së mirës përfundimtare të po asaj egoje. Paqja që arrihet përmes një ikjeje të tillë nuk është shumë më tepër se vdekja, domethënë mohimi i jetës.
Paqja mund të jetë e dy llojeve. Edhe vdekja mund të klasifikohet si paqe. Nuk është e lehtë të vihet një vijë ndarëse ndërmjet paqes dhe vdekjes. Për shembull, kompromisi me humbjen dhe dorëzimi ndaj një gjendjeje poshtërimi mund të shërbejnë si shembull. Kënaqësia e fitores dhe qetësia e dorëzimit, megjithëse ngjajnë me njëra-tjetrën, në të vërtetë janë dy skaje të kundërta. Njëra është jetë, tjetra është vdekje.
Identifikimi dhe klasifikimi i feve nganjëherë bëhet i vështirë pikërisht për shkak të këtij ngatërrimi. Çdo fe, në dukje, fton drejt të njëjtit qëllim përfundimtar të paqes dhe të kënaqësisë. Megjithatë, ka disa që parapëlqejnë një dorëzim paqësor ndaj vdekjes, në vend që të vdesin për një kauzë fisnike, dhe ka të tjera që ngrenë flamurin e një lufte të shenjtë kundër së keqes, me çdo kusht. Çdo sfidë ndaj moralit absolut përballohet me guxim dhe mposhtet plotësisht. Qetësia që vjen më pas është Nirvana e vërtetë.
Fetë si forma e degjeneruar e budizmit i këshillojnë ndjekësit e tyre ta gjejnë paqen në strehën e arratisjes. Ato mësojnë largimin nga të gjitha tundimet që mund t’i joshin njerëzit drejt dëshirave, shtysave dhe etjeve të tyre natyrore. Një budist do të tërhiqej në sigurinë e vetes së tij të brendshme, një gjendje që disa e përshkruajnë në mënyrë të paqartë si zbrazëti, ndërsa të tjerë si diçka të përjetshme dhe pa substancë. Vallë po flasin për Zotin? Njeriu mund të pyesë! Por mendimet ndryshojnë. Shumica besojnë se është një gjendje që ndahet dhe kuptohet vetëm nga ata që e arrijnë.
Nëse ajo nuk është një kthim përfundimtar te Zoti, dhe shumica e studiuesve budistë do të përmbaheshin nga pranimi i ekzistencës së Zotit në çfarëdo forme, atëherë i vetmi përkufizim i vlefshëm për këtë zbrazëti është asgjësimi absolut dhe vdekja e plotë.
Shkurt, të gjitha shtysat natyrore që lidhen me pesë shqisat dhe që përbëjnë jetën mohohen në mënyrë përfundimtare për të fituar paqen absolute ose Nirvanën. Sigurisht, jo të gjithë ndjekësit mund ta arrijnë këtë qëllim njëkohësisht, por të gjithë ndjekësit e vërtetë duhet të vazhdojnë të përpiqen hap pas hapi për ta arritur atë, ndërsa afrohen drejt buzës së greminës së asgjësimit.
Për ta ilustruar më tej këtë pikë, le të tregojmë një episod që na duket shumë i përshtatshëm për ta ndihmuar lexuesin të kuptojë çështjen e veçantë që po ngremë. Dikur në Kashmir jetonte një lypës, gjysmë mistik dhe gjysmë lypës. Ai lypte vetëm për nevojat më themelore të jetës dhe asgjë më shumë. Shpesh gjendej i humbur në meditim dhe ëndërrim, duke depërtuar thellë brenda vetes në kërkim të diçkaje. Një herë, një njeri i urtë kaloi pranë tij dhe papritur vuri re se ai nuk ishte më i njëjti njeri, sepse po shpërthente nga gëzimi dhe vallëzonte në ekstazë.
“Bac, përse ky ndryshim kaq i madh? Nuk dukesh më si i njëjti i varfër. Çfarë ke arritur?” e pyeti. “Mos vallë ke gjetur ndonjë thesar?”
“Po”, ishte përgjigjja. “Një thesar të paçmueshëm e të pakrahasueshëm! Përse të mos gëzohet njeriu kur të gjitha dëshirat i janë përmbushur?”
Pasi mori këtë përgjigje, i urti e pyeti:
“Je veshur me të njëjtat rrecka dhe copëra, i mbuluar nga koka te këmbët me pluhur si gjithmonë. Atëherë, si mund të pretendosh se të janë përmbushur të gjitha dëshirat?”
Lypësi e largoi me një lëvizje të dorës dhe, duke e vështruar me një shikim plot urtësi të thellë, tha:
“Mbaje mend këtë: dëshirat e njeriut përmbushen vetëm kur atij nuk i mbetet më asnjë dëshirë. Ky është çasti im i madh i çlirimit. Tani shko dhe më lër të vallëzoj.”
Një përgjigje e bukur, që e la të urtin krejtësisht pa fjalë. Por, kur e shohim edhe një herë, jemi të detyruar të pranojmë se përgjigjja e lypësit ishte po aq e zbrazët sa ishte e bukur. Asnjë ndryshim nuk kishte ndodhur përtej kufijve të botës së tij të vogël personale. Bota përreth ishte po ajo botë e mjerueshme e pikëllimit, e vuajtjes dhe e dhimbjes. Bota rreth tij ishte po ajo botë e tiranisë, e shtypjes dhe e despotizmit. Atij ende i duhej diçka për të jetuar: ushqimi, uji dhe ajri ishin po aq të domosdoshëm sa kishin qenë gjithmonë. Njeriu mund të çlirohet nga dëshirat, por jo nga nevojat.
Çfarëdo ndryshimi që kishte ndodhur, kishte ndodhur vetëm brenda tij. Por kush e di nëse ai do të zgjaste përgjithmonë? Ndoshta ishte vetëm një çast i shkurtër triumfi. Ndoshta në një natë të acartë, në të ftohtin ngrirës, ai do të dëshironte të kishte pak ngrohtësi përreth, disa rroba, një strehë, një vatër. Ndoshta, po të sëmurej, do të ndiente nevojën për një shërues dhe do të lutej për të. Me çfarë vendosmërie të jashtëzakonshme do t’i kapërcente sfida të tilla të realiteteve të ashpra të jetës? Vetëm një i urtë budist mund ta dijë përgjigjen.
Ishte thjesht një ndjesi subjektive përmbushjeje dhe asgjë më shumë. Në të vërtetë, ishte një dorëzim absolut ndaj gjendjes së pafuqisë. Quajeni paqe ose quajeni vdekje, me çfarëdo emri që ta quani, ajo nuk meriton të quhet Nirvana e vërtetë.
Kërkimi i paqes përmes mohimit të plotë të gjithçkaje që lidhet me jetën dhe e mbështet atë duket se ka zënë vend në të dyja fetë e mëdha indiane, hinduizmin dhe budizmin. Kjo është e barasvlershme me mohimin e luftës për ekzistencë dhe të mbijetesës së më të përshtaturve. Kur zbatohet ndaj kërkimit njerëzor për paqe, kjo mund të nënkuptojë vetëm dorëzim dhe pranim të humbjes.
Këtu nuk po diskutojmë mësimet e themeluesve të hinduizmit ose të budizmit, por vetëm po shqyrtojmë filozofitë që kanë lindur pas mijëra vjetësh rënieje. Të dyja janë larguar shumë nga origjina e tyre Hyjnore. Në të vërtetë, ato kanë ndjekur të njëjtën rrugë si mistika ose sufizmi në fetë e tjera të mëdha të botës. Në rastin e këtyre të fundit, lidhjet me besimin në Zot nuk shkëputen. Përkundrazi, brenda kuadrit të një feje Hyjnore, ata krijojnë fushën e tyre të përvojave shpirtërore subjektive, të cilat burojnë nga frymëzimi dhe jo nga shpallja.
Joga dhe Tantrat në hinduizëm dhe budizëm
Në rastin e filozofisë jogike në hinduizëm dhe budizëm, të dyja janë shkëputur plotësisht nga mësimet e tyre tradicionale, pa lënë asnjë gjurmë të origjinalit. Në vend të shpalljes, e cila ishte burimi përfundimtar i ndriçimit të Budës, në epokat e mëvonshme theksi vazhdoi të zhvendosej nga shpallja te frymëzimi, meditimi dhe ëndërrimi. Në një mënyrë të çuditshme, pavarësisht se në fillimet e tij budizmi ishte në kundërshtim të plotë me hinduizmin, më vonë të dyja u bashkuan në filozofinë dhe praktikat e jogës.
Është e habitshme që përmendja e parë e mësimeve jogike gjendet vetëm te Tantrat, dokumentet e ashtuquajtura fetare që u përpiluan të paktën pesëqind vjet pas Budës a.s. Këto dokumente ishin vetëm për sytë e një numri të vogël njerëzish që përbënin hierarkinë më të lartë budiste dhe mbaheshin në fshehtësi të rreptë nga njerëzit e zakonshëm. Për ta siguruar edhe më shumë këtë fshehtësi, ato u shkruan në një gjuhë dhe terminologji aq të koduar, saqë do të ishte e pamundur për një njeri të zakonshëm t’i kuptonte.
Shumë më vonë, përmbajtja e Tantrave u bë e arritshme për studiuesit, të cilët u tronditën kur zbuluan se kjo literaturë e ashtuquajtur e shenjtë ishte jashtëzakonisht përdhosëse dhe e pahijshme. Në të përmenden demonë dhe figura fantazmagorike të frikshme. Ajo është gjithashtu plot me gjuhë vulgare, që flet për dëshira të turpshme dhe seksuale në një mënyrë që fyen ndjeshmërinë njerëzore. Prandaj, mësimet jogike që gjenden në Tantra nuk kanë kurrfarë lidhjeje me fjalët e shenjta të Budës a.s.
Ndoshta e gjithë kjo bisedë rreth marrëzive demonike dhe vulgaritetit seksual përbëhet nga simbole dhe alegori. Ndoshta asnjë murg i gjallë nuk e njeh sekretin e një gjuhe kaq të koduar. Ndoshta hierarkia budiste e dy mijë vjetëve më parë ishte e vetmja që e shpiku këtë zhargon dhe e kuptonte domethënien e tij. Por ata kanë vdekur prej kohësh dhe bashkë me ta ka vdekur edhe epoka e Tantrave. Megjithatë, joga i ka mbijetuar gjuhës së koduar të Tantrave. Ka ende studiues që e kuptojnë dhe e zbatojnë shkencën e hollë të jogës që përmbahet në to.
Shpallja dhe frymëzimi në mësimet e Budës
Është vërtet e vështirë të vihet një vijë e prerë ndërmjet jogës siç kuptohet dhe praktikohet në hinduizëm dhe jogës siç kuptohet dhe praktikohet në budizëm. Nëse ka ndonjë ndryshim të vogël, ai i përket vetëm terminologjisë. Quajini eremitë hindu ose asketë budistë, realiteti i tërheqjes së tyre nga bota për hir të Zotit nuk ndryshon. Jepuni çfarëdo emri me të njëjtin kuptim, kjo nuk do të sillte as ndryshimin më të vogël në identitetin e tyre të shenjtë.
Çfarëdo që ata gjejnë dhe çfarëdo që e konsiderojnë ndriçim shpirtëror, asnjëra prej këtyre përvojave subjektive nuk ka qenë ndonjëherë në gjendje ta ndryshojë fytyrën e botës. Është një fyerje ndaj Budës a.s. dhe Krishnës a.s. t’i përfshish në këtë kategori. Ata ishin revolucionarë, ashtu si të gjithë profetët e tjerë të Zotit, filozofia e të cilëve për revolucionin shpirtëror dhe moral vinte nga burimi i shpalljes. Ata bënë thirrje për një luftë fisnike kundër së pavërtetës dhe së keqes. Ata i ranë borisë së një përpjekjeje heroike në jetë, e cila nuk ishte thjesht subjektive. Ishte një luftë e shenjtë e jashtme dhe aktive, që u përplas ballë për ballë me forcat e errësirës. Pasoi një luftë e ashpër për mbijetesën e më të përshtaturve. Historitë e jetës së Budës a.s. dhe Krishnës a.s. tregojnë qartë se ata i përkisnin pikërisht kësaj kategorie. Ata ishin luftëtarë, jo njerëz që kërkonin shpëtim duke i ikur jetës deri në vetëasgjësim. Fetë e tyre ishin rrjedhojë e shpalljes. Mësimet e tyre lindën frymëzim, por nuk lindën prej frymëzimit.
Sipas mënyrës se si duket se e kuptojnë shumica e budistëve të sotëm, feja e tyre është thjesht një urtësi, bud’hi, e zbuluar nga Buda përmes meditimit. Gjithçka që pretendohet për filozofinë e tyre është se ajo ishte një frymëzim i Budës.
Nga këndvështrimi i atyre që besojnë në Zot, frymëzimi nuk është gjë tjetër veçse një përvojë psikike, gjatë së cilës njeriu shpesh ndihet i lartësuar shpirtërisht. Gjatë kësaj faze lartësimi, ai përjeton një ndjesi paqeje që duket si kulmi i qetësisë. Kur kthehet nga kjo gjendje ekstaze në jetën normale, njeriu mbetet me përshtypjen e fortë se ka fituar diçka që fare mirë mund të ketë qenë vetë qëllimi i jetës ose synimi që njerëzimi përpiqet të arrijë.
Kjo përvojë psikologjike është gjithçka që ata mund të paraqesin si ndriçim shpirtëror dhe çlirim nga prangat e materies. Edhe në formën e saj më të lartë, ajo nuk mund të ndryshojë asnjë realitet objektiv dhe as t’i reformojë njerëzit e ligj. Ajo nuk mund të zhvendosë as edhe grimcën më të vogël nga bota e së panjohurës në botën e së njohurës. Nuk mund ta shndërrojë errësirën në dritë.
Frymëzimi nuk ka qenë kurrë në gjendje të nxjerrë nga varret e historisë ngjarje të panjohura të varrosura atje dhe as të kërcejë drejt së ardhmes për të kapur qoftë edhe një pamje të ngjarjeve që do të vijnë.
Nëse filozofia e mohimit absolut të vetvetes ndiqet deri në përfundimin e saj logjik, ajo do të çojë në mënyrë të pashmangshme në zhdukjen e racës njerëzore. T’ia atribuosh këtë llomotitje të frymëzimit urtësisë së ndriçuar Hyjnisht të Budës a.s. nuk i bën atij nder. Kjo nuk është kupa Hyjnore e shpalljes, prej së cilës ai piu thellë dhe u bë i pavdekshëm!
Referenca
[1] LE BON, G., GUIMET, E. (1992), Mirages Indiens: de Ceylan au Népal, 1876–1886, Chantal Edel et R. Sctrick, Paris, f. 241.
[2] Po aty, f. 240.
[3] Të dyja këto fragmente janë përkthyer besnikërisht nga libri origjinal i Dr. Le Bonit, i cili është në frëngjisht.
[4] LILLIE, A. (1909), India in Primitive Christianity, Kegan Paul, Trench, Trübner & Co., Londër, f. 85.
[5] Është jashtëzakonisht e rëndësishme të evidentohet përdorimi i fjalës “Zot” në numrin njëjës.
[6] Po aty, f. 86.
[7] NORMAN, K.R. (1992), The Group of Discourses (Sutta-Nipata), vëll. II, The Pali Text Society, Oxford, f. 112–129.
[8] Po aty, f. 129.
[9] MAX MÜLLER, F. (1881), The Sacred Books of the East, vëll. XI, Clarendon Press, Oxford, f. 186.
[10] MAX MÜLLER, F. (1992), Dialogues of The Buddha I, The Pali Text Society, Oxford, f. 299.
[11] MAX MÜLLER, F. (1881), The Sacred Books of the East, vëll. XI, Clarendon Press, Oxford, f. 186.