"Allahu nuk ua humb shpërblimin mirëbërësve" | Komentim i Kuranit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
miresia e kuranit kurani i shenjte

Allahu i Madhërishëm në Kuranin e Shenjtë thotë:

وَ اصۡبِرۡ فَاِنَّ اللّٰہَ لَا یُضِیۡعُ اَجۡرَ الۡمُحۡسِنِیۡنَ

“Duro, sepse Allahu nuk ua humb shpërblimin mirëbërësve.” (Kurani i Shenjtë 11:116)

Zoti i Gjithëmëshirshëm ngaqë është Mirënjohës, i Gjithëdijshëm dhe i Gjithinformuar, ka tagrin të thotë:

“Allahu nuk ua humb shpërblimin mirëbërësve.”

Për “mirëbërësit” në këtë ajet është përdorur fjala “muhsin”. Kush është muhsin? Ose çfarë do të thotë “ihsan” [fjala “muhsin” rrjedh nga fjala “ihsan”]. Këtë e pyeti vetë Xhibraili a.s. të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për t’ua mësuar sahabëve. Dhe Profeti s.a.v.s. iu përgjigj:

“ihsani është që ti ta shohësh Allahun e Madhërishëm, ose të paktën të jesh i bindur se Allahu i Madhërishëm të sheh ty.”

Kjo është një pozitë kaq e lartë saqë, nëse njeriu arrin qoftë një aspekt të saj, shpëton nga mëkatet dhe arrin pozita të larta pranë Allahut të Madhërishëm. Burimi i të gjitha veprave të mira dhe fuqia e të gjitha përparimeve dhe lartësimeve është pikërisht ky besim në Zotin e Madhërishëm.

Njeriu nuk mund të arrijë dot virtytet më të larta, derisa nuk fiton besimin me bindje në Zotin e Madhërishëm. Unë nuk mund të pranoj që edhe një ateist të mund t’i arrijë virtytet më të larta. Për sa kohë që për të nuk ka diçka konkrete që e pengon nga mëkati, për sa kohë që ai nuk ka një koncept të vërtetë të mirësisë, ai si mund të bëjë dot mirësinë e si mund të shpëtojë dot nga mëkati? E gjithë jeta e tij është pre e pashpresës dhe e dëshpërimit. Ai është i zhytur dhe i ngatërruar në lidhjet zigzage të shkak-pasojës, dhe në fund e lë botën tejet i dëshpëruar.

Kam parë të vdesë edhe besimtarin, edhe ateistin dhe vdekjet e të dyve ndryshojnë si nata me ditën. Ju them sinqerisht dhe në bazë të përvojës personale që kënaqësinë e vërtetë dhe lumturinë reale arrin vetëm e vetëm përmes besimit në Zot. Le ta provojë kush të dojë. Kjo është arsye që, që kur është krijuar bota e deri më sot, në jetën e Profetëve të Zotit apo të njerëzve të dëlirë të Tij nuk mund të gjeni dot qoftë një shembull të vetëm që dikush prej tyre të ketë bërë vetëvrasje. Shpresa e besimtarit ndaj Allahut të tij është shumë e madhe. Ai kurrë nuk mund të dëshpërohet prej Tij.

Studioni ngjarjet e jetës së tyre. Do të gjeni që atyre u ranë situata kaq të rënda që edhe toka u ishte bërë e ngushtë, por në intensitetin e sprovës kaq të madhe, ata i gjen të gëzuar, njësoj siç ishin pas sprovës. Vallë, çfarë është ajo që i mban të gjallë e të gëzuar edhe në momente që i përngjajnë vdekjes? Vetëm besimi në Allah.

Shkurt, që të jesh në grupin e “mirëbërësve” (muhsinë-ve) është shumë e vështirë, por përfundimisht pikërisht kjo do të ta largojë vështirësinë. Pozita e lartë e muhsinit, pra, që e shikon Zotin e Madhërishëm, të jepet më vonë. Kurse pozita fillestare e saj është pikërisht besimi që çdo fjalë që thua dhe çdo vepër që bën e dëgjon dhe e shikon Zoti i Gjithëmëshirshëm. Kur do ta arrish këtë pozitë, drita e zemrës sate, falë këtij besimi, do të të ndalojë përpara çdo mëkati dhe do të të shpëtojë nga “rrëshqitja”. Ky rrugëtim gradualisht do të të sjellë në pozitën, që do ta shohësh Zotin e Madhërishëm. Kjo është grada, të cilën sufistët e kanë quajtur “takim” (likā).

Më pas kur njeriu duke qenë muhsin, shpenzon në rrugën e Zotit diçka të vogël apo të madhe, Allahu i Madhërishëm ia shpërblen në mënyrën më të mirë. Kjo nuk është thjesht një besim apo dije. Kjo nuk është thjesht një histori apo përrallë. Përkundrazi, është realitet që përjetohet në çdo kohë.

Në historinë e botës, dhe këtu i referohem historisë së pastër të Profetëve, mund të gjeni plot ngjarje që vërtetojnë këtë që sapo ju thashë. Përveç kësaj, me bekimin e Zotit, jam në gjendje ta provoj këtë edhe me argumente shkencore. Por duke i lënë të gjitha këto, do të doja tju tregoj një ngjarje mbresëlënëse nga jeta e sahabëve.

Unë kam menduar për një kohë të gjatë se pse ensarët nuk gëzaun Kalifat dhe pse për herë të parë muhaxhirëve iu besua kjo trashëgimi. Edhe ndër muhaxhirët, pse pikërisht Ebu Bekr Sidiku r.a.. Ndërkohë, të gjithë ensarët treguan një besnikëri të jashtëzakonshme dhe ishte pikërisht ndihma e atyre e asaj kohe, që ua dha titullin ensar. Por cili është sekreti vallë, që ata nuk morën dot pjesë në qeverisje dhe në Kalifat? Për çfarë arsye Kalifi i Parë ishte nga kurejshët, edhe i dyti ishte nga kurejshët, edhe i treti, edhe i katërti, madje, deri në kohën a Abisidëve, kurjshët vijuan të ishin Kalifë.

Në Benu Sekike u bë një përpjekje që njëri Kalif të ishte nga ensarët dhe tjetri nga muhaxhirët, por ky propozim nuk u miratua dhe askush nuk e pranoi. Më në fund, e kam zbuluar sekretin që në skenë po vepronte pikërisht kjo cilësi e Allahut të Madhërishëm që përmendet në këtë ajet:

“Allahu nuk ua humb shpërblimin mirëbërësve.”

Çfarë kishin humbur ensarët, që ta rifitonin atë? Muhaxhirët e kishin lënë shtetin, vendlindjen, vatrën dhe shtëpinë, pasurinë dhe mjetet, madje braktisën çdo gjë që u përkiste atyre. Më së shumti që bëri këtë sakrificë ishte Ebu Bekr Sidiku r.a.. Andaj, kushdo që braktisi diçka, gjeti në këmbim diçka shumë të madhe sesa ajo që kishte lënë. Çfarë ishte ajo që ata kishin braktisur për hir të Zotit? Maksimumi disa dylym tokë. Por Zoti sa dylym ua kthyeu duke i shpërblyer? As nuk mund ta llogaritësh atë.

Andaj, është shumë e vërtetë që njeriu gëzon bekime prej Allahut të Madhërishëm në varësi të asaj që sakrifikon për hir të Tij. Sa e madhe ishte sakrifica e Hazret Ibrahimit! Por shikoni shpërblimin që mori në këmbim të saj. Vallë, çfarë kishte bërë ai? Në fund të jetës së tij pa një ëndërr, e cila edhe mund të interpretohej. Duke u bazuar pikërisht tek ajo ëndërr Hazret Ibrahimi a.s. u bë gati ta flijonte djalin e tij të ri me një sinqeritet dhe vendosmëri të palëkundur. Pikërisht pastaj si Zoti ia shtoi pasardhësit? Në mënyrë të pallogaritshme! Po nga pasardhësit e Hazret Ibrahimit a.s., Allahu i Madhërishëm dërgoi Profetin më madhështor siç ishte Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. duke e caktuar atë si Vula e Profetëve dhe si Profeti më i lartë se të gjithë Profetët e tjerë. Po në umetin e këtij Profeti, lindën mijëra e mijëra evlija, të cilët ishin shëmbëltyra të Profetëve të Bijve të Izraelit dhe lindën qindra mijëra mbretër. Derisa edhe Mesihu i Premtuar që është cilësuar si Vula e Kalifëve, erdhi pikërisht nga ky umet. Falënderojmë Allahun e Madhërishëm që ne e kemi gjetur dhe e kemi pranuar atë. Lavdia është e Allahut për këtë!

Pse ishte i gjithë ky shpërblim? Pikërisht për shkak të asaj sakrifice madhore që Hazret Ibrahimi e paraqiti përpara Allahut. Do të befasoheni, po ta mendoni për një moment këtë sakrificë. Hazret Ibrahimi ishte afërsisht njëqind vjeç. Një njeri i tillë çfarë shprese mund të ketë për të pasur fëmijë tejtër?! Djali që ishte 13 vjeç, që Allahu ia kishte dhënë kur ai ishte 84 vjeç. Nuk ishte gjë e vogël që Ibrahimi të bëhej gati ta flijonte edhe atë,. Kush mund ta bënte dot këtë sakrificë?! Mendoni pak. Pas therjes së këtij djali, ai vetë do të ishte afër fundit të jetës. Çfarë do t’i mbetej vallë! Më nuk kishte as shtëpi, as nder e as pushtet! Por o Ibrahim, paqe qoftë mbi ty, ti u bëre gati për të sakrifikuar të gjitha dëshirat, të gjitha gëzimet dhe të gjitha trashëgimitë vetëm për një shenjë të Zotit të Madhërishëm! Por në këmbim të kësaj, ti fitove atë që askush nuk fitoi dot. Vula e Profetëve lindi nga pasardhësit e pikërisht këtij Ismaili dhe Vula e Kalifëve erdhi pikërisht në umetin e Vulës së Profetëve!

O Allah! Beko Muhammedin dhe pasardhësit e Muhammedit, ashtu siç bekove Ibrahimin dhe pasardhësit e Ibrahimit! Pa dyshim, Ti je i Lavdëruar, i Nderuar!

Po kështu, shikoni sinqeritetin e Hazret Ibrahimit që ai tregoi edhe një herë tjetër. Zoti i Madhërishëm e urdhëroi duke thënë: “Nënshtorhu!” – “Të jam nënshtruar o Zoti i botëve”, iu përgjigj ai. Pra nuk tha “po, do të nënshtrohem”, por “Të jam nënshtruar”, gjë që tregon se ai nuk e kishte lënë fare dëshirën e tij në mes. Sapo Zoti ia dha porosinë, Ibrahimi e kishte zbatuar atë. Çfarë shpërblimi mori nga ky sinqeritet? U quajt “babai i umeteve”! Pra, mori shumë më shumë sesa që kishte lënë.

Në të njëjtën mënyrë, mendoni pak për jetën e Prijësit të Profetëve, pra të Profetit Muhammed s.a.v.s.. Mekasit thanë – Nëse do që të bëhesh mbret, të bëjmë mbret; nëse kërkon pasur, hajde të pasurojmë; nëse do një grua të bukur, as mos hezito! Vallë, çfarë vlere kishin këto gjëra! Por njerëzit materialistë nuk mund të shohin përtej kësaj, andaj, këto ia propozuan. Por çfarë përgjigje u dha Profeti s.a.v.s.?

– Nëse më sillni diellin në anën e djathtë dhe hënën në të majtën, prapëseprapë unë nuk mund të ndalem nga predikimi i fesë së vërtetë!

Ja Allah! Çfarë sinqeriteti është ky dhe sa besim i madh qenka ky në Allahun e Madhërishëm! Energjia e tij shpirtërore gufonte aq fuqishëm, saqë ishte gati të përballonte duke buzëqeshur të gjitha kundërshtimet, të gjitha lëndimet dhe të gjitha vështirësitëtë, të cilat si një oqean do ta mbulonin atë pas këtij refuzimi. Çfarë guximi qenka ky vallë që arriti të pështynte mbi të gjitha ato përfitime dhe qejfe, që mekasit materialistë po ia ofronin! Po Profeti s.a.v.s., duke besuar në Zot, duke pasur parasysh nderin dhe madhështinë e porosive të Tij, çfarë gjeti në këmbim të kësaj sakrifice që asnjë Profet tjetër në botë nuk e gjeti dot dhe as nuk mund ta gjejë dot ndonjë tjetër në të ardhmen? Allahu i Madhërishëm i tha:

اِنَّاۤ اَعۡطَیۡنٰکَ الۡکَوۡثَرَ

“Sigurisht, Ne të dhamë ty bollëkun në çdo gjë.” (Kurani i Shenjtë 108:2)

Sot, shikoni se Zoti i Madhërishëm atij i dha bollëk në aq shumë gjëra, që nuk mund të gjeni dot shembullin në botë. Mendoni dhe reflektoni!

Kam studiuar librat e shumë feve, biografitë e udhëheqësve dhe të Profetëve të tyre. Andaj, e them me plot bindje që asnjë popull nuk lutet në çdo kohë për udhëheqësin e tij. Por muslimanët në çdo kohë në çdo vend të botës luten duke thënë:

“O Allah! Beko Muhammedin dhe popullin e Muhammedit, begatoje dhe dërgoji atij selam!”

Kjo natyrisht e ngre në pozitë Profetin s.a.v.s. çdo çast e më shumë. Kjo nuk është thjesht teori apo hamendje. Kështu ndodh praktikisht. Sot muslimanët janë në çdo shtet të banuar të botës. Në çdo kohë qoftë në një shtet apo në një tjetër vjen koha e namazit, në të cilin muslimanët medoemos i dërgojnë salavatet Profetit duke thënë:

“Allāhumme sal-li ‘alā Muhammedin …”
(O Allah! Beko Muhammedin dhe pasardhësit e Muhammedit …)

Përveç atyre që falin namazet e pesë vakteve, ka shumë muslimanë që falin edhe namazet nafile. Sërish, ka shumë nga ata që i dërgojnë salavatet edhe jashtë namazit. Prandaj, nuk mund ta imagjiojmë dot pozitën e lartë që gëzon ky Profet i madh s.a.v.s.. Ky nder dhe kjo pozitë nuk i është dhënë asnjë udhëheqësi tjetër në botë.

(Marrë nga Komentim i Kuranit “Hakaikul-Furkan” vëll. 2, f. 378 – 382)

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp