Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Nga mësimet e Mesihut të Premtuar a.s

Gjatë dekadave të fundit në ShBA, prirje ndaj materializmit ka parë një rritje të ndjeshme. Studimet  tregojnë se brezat e fundit janë përqendruar në para, shfaqje të jashtme dhe famë si kurrë më parë.

Një studim i kryer nga Universiteti i Kalifornisë dhe Këshilli Amerikan për Arsimin, që anketoi më shumë se 250 mijë studentë të rinj, konstatoi se objektiva e tyre më kryesore për të ndjekur arsimin e lartë ishte fitimi i pasurisë materiale. Nga fillimi i viteve shtatëdhjetë deri në fundin e viteve nëntëdhjetë, përqindja e studentëve, të cilët ishin shprehur se qëllimi i tyre kryesor për të ndjekur arsimin e lartë ishte që të zhvillonin filozofinë e një jete kuptimplotë, ka pësuar rënie drastike nga 80% te 40%, ndërsa objektiva e të fituarit interesat materiale u rrit nga 40% te më shumë se 75%.

Kështu që shumica jonë, është duke vrapuar për të fituar më shumë pasuri, më shumë prona, makinat më luksoze dhe shtëpitë më të mëdha.  Femrat duan ta kalojnë njëra-tjetrën me veshje më të shtrenjta të modës së fundit, dhe stoli dhe unaza të gdhendura me diamante. Midis vitit 2005 dhe 2011 tregu i stolive me diamant është ka parë rritje të dyfishtë. Tregtia e stolive me diamant ka kapur shifrën 70.8 miliard dollarë. Diamantet kanë frymëzuar mjaft të dashuruar. Hijeshia dhe eleganca e imagjinuar dhe shkëlqimi i tyre u jep një tërheqje mistike, e cila josh mendjen e blerësit. Sigurisht, ka diçka magjike rreth tyre, por, sa shkëlqim buron nga mashtrimi i tregut, mbetet një çështje për t’u debatuar. Megjithatë, realiteti interesant është se pavarësisht nga obsesioni ynë me diamante dhe stoli të shtrenjta, shumica nga ne nuk mund të dallojnë origjinalin nga falsi, dhe kemi nevojë për ekspertë që të na tregojnë rreth sharmit dhe origjinalitetit të tyre.

Si mundet se diçka, të cilën as nuk e njohim a është origjinale apo false, të na falë lumturi dhe kënaqësi?  Prandaj në një analizë përfundimtare del se ndjekja jonë e materializmit, si objektiva jonë parësore, na ka lënë të zbrazët dhe të pangopur. Sipas Kuranit Famëlartë:

Clipboard01

 “E veprat e atyre që mohuan janë si një mirazh në një rrafshinë, të cilin i etshmi mendon se është ujë derisa kur t’i afrohet atij nuk gjen asgjë, por aty e gjen Allahun dhe ai do t’ia japë llogarinë e tij. Allahu është i shpejtë në llogaritje”.[1]

Një mirazh nuk mund të na shuajë etjen. Mjaft studime psikologjike kanë nxjerrë përfundimin se materializmi është lidhur negativisht me lumturinë dhe ai mund të shkaktojë shumë pasoja psikologjike siç janë depresion, narcizëm madje edhe paranojë.

Prandaj, duke përshkruar mbarësinë dhe lumturinë e vërtetë, Allahu thotë në Kuran:

Clipboard02

“Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten”.[2]

Kështu që begatia dhe lumturia e vërtetë gjenden në Zot dhe në të fituarit e spiritualitetit. Nuk ka asgjë të keqe në të pasurit ambicie për çështjet materiale derisa janë brenda caqeve, por nuk duhet të bëhemi skllevër të progresit material duke harruar Zotin, i Cili është Thesari i vërtet.

Imam Mehdiu a.s, Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia i ka vënë theksin më të madh besimit mbi Krijuesin tonë, Zotin e Plotfuqishëm dhe kontaktit me të. Ai shkruan:

“Sa i pafat është ai njeri që ende nuk di se ka një Zot, i Cili është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Parajsa jonë është Zoti ynë. Kënaqësitë tona më të larta gjenden në Zotin tonë, sepse ne e pamë Atë dhe çdo lloj bukurie e gjetëm në Të. Kjo pasuri është me vlerë ta marrësh nëse e gjen duke dhënë edhe jetën. Dhe ky rubin është me vlerë ta blesh edhe sikur të kushtojë sa e gjithë qenia jote. O të humbur, vraponi drejt këtij burimi se ky do t’jua shuajë etjen tuaj. Ky është burimi i jetës që do t’ju shpëtojë. Ç’të bëj unë? Si mund ta gdhend në zemrat e njerëzve këtë lajm të gëzuar? Me ç’daulle t’i njoftoj njerëzit se Ky është Zoti juaj? Dhe me ç’ilaçe t’ua kuroj veshët që ata të fillojnë ta dëgjojnë?”[3]

Pra, nëse dëshirojmë të jemi vërtet të lumtur, të kënaqur dhe të gëzuar, ne duhet të rivendosim dashurinë tonë në drejtimin e duhur, i cili është drejtimi kah Zoti dhe spiritualiteti.

Imam Mehdiu a.s e ka shtjelluar temën e dashurisë ndaj Zotit, në librin e tij Filozofia e mësimeve të Islamit” me mjaft hollësi. Ai shkruan:

“Një ndër gjendjet instiktive të njeriut, që lidhet ngushtë me natyrën e tij, është edhe dëshira për të kërkuar një qenie të lartë, tërheqje ndaj të cilit është e qenësishme për të. Gjurmët e këtij kërkimi fillojnë të ndihen qysh atëherë kur fëmija del nga barku i nënës, sepse menjëherë pas lindjes ai shfaq vetinë e parë shpirtërore duke u tërhequr pas nënës, dhe ushqehet natyrshëm me dashurinë ndaj saj. Pastaj, kur i zhvillohen shqisat dhe natyra e tij kthjellohet duke u shfaqur më qartë, edhe kjo tërheqje dashurie që gjendej e fshehur në natyrën e tij, tashmë shpërfaqet ndjeshëm. E pastaj ndodh që fëmija nuk e gjen qetësinë askund tjetër, përveç në prehër të nënës, dhe e gjithë rehatia e tij lidhet ngushtë me të. Po të ndahet nga e ëma apo të largohet prej saj, fëmijës i prishet qejfi dhe ai turbullohet fare. Sikur të vendosim edhe një grumbull dhuratash para tij, ai prapëseprapë lumturinë e vërtetë gjen në prehër të nënës, dhe nuk qetësohet derisa e gjen atë. Pra, çfarë është kjo forcë dashurie që i ngjallet ndaj nënës?

Me të vërtetë, kjo buron nga ajo forcë tërheqëse, që është skalitur në natyrën e fëmijës për Zotin, madje sa herë që njeriut i ngjallet dashuri ndaj diçkaje, në sfond vepron kjo tërheqje, dhe kurdoherë njeriu shfaq ndjenjat e pëlqimit, ato pasqyrohen nga po kjo tërheqje. Pra, në një farë mënyre, ai po rrotullon sende të ndryshme për të gjetur gjënë e humbur, së cilës i ka harruar edhe emrin.

Pra, dashuria e njeriu ndaj gruas, pasurisë dhe fëmijëve apo joshje ndaj një kënge të një zëri të mrekullueshëm, të gjitha këto janë përpjekje për ta gjetur atë të Dashurin e humbur”.[4]

Përpos sendeve materiale, edhe qeniet njerëzore na ngjallin ndjenjat dashurie. Zoti është Absolut, përtej kohës, hapësirës dhe trupit, ndërsa qeniet e tjera njerëzore janë të pranishëm, tani në këtë moment dhe para nesh. Kjo shkakton një dobësi njerëzore, sepse ne përqendrohemi tek ato sende të cilat janë përnjëherë të dukshme dhe të pranishme.

Clipboard03

“Ata e dinë vetëm të dukshmen nga jeta e kësaj bote, ndërsa për jetën e përtejme ata janë plotësisht të paditur”.[5]

Një herë Molvi Abdul Kerimi r.a., një pasues i Mesihut të Premtuar a.s, e pyeti atë: “A është e mundur që vet Mesihu i Premtuar të bëhet pre e reklamimit, njësoj si të tjerët?” Mesihu i Premtuar a.s  i bëri kundërpyetjen dhe i tha “A keni qenë ndonjëherë në kopshtin zoologjik?” Abdul Kerimi u përgjigj po. Atëherë, Mesihu i Premtuar a.s i tha, “Në kopshtin zoologjik gjenden kafshë të ndryshme, luanë, tigra etj. A mund ta imagjinoni ndonjërin që mendon, ‘Unë duhet të bëjë lutje të gjata këtu në kopsht zoologjik për t’i impresionuar kafshët!’ As edhe reklamuesi më i madh nuk do të bënte një plan të tillë, që të reklamohet para kafshëve. Sepse çdo njeri e di që kafshët nuk janë të llojit tonë, kështu që çështja e të reklamuarit nuk ngrihet fare. Reklamimi bëhet vetëm para atyre që janë të ngjashëm me ne. Si mundet që miqtë e Zotit, të cilët janë të përkushtuar ndaj Tij, dhe janë plotësisht të vetëdijshëm për atributet e Tij, të reklamohen para njerëzve. Kur ata i krahasojnë njerëzit e tjerë me Zotin e Plotfuqishëm, ata u duken si kafshë në një kopshtin zoologjik”.[6]

Ne duke përparuar në rrugën tonë shpirtërore dhe duke u bërë më shumë të vetëdijshëm ndaj thesarit të pashtershëm të Zotit dhe atributeve të Tij të plotfuqishmërisë, mirësisë dhe mëshirës, ne gradualisht bëhemi të ftohtë ndaj të mirave materiale dhe më të pavarur ndaj njerëzve, ndonëse, gjithmonë të shqetësuar për nevojat e tyre.

Mesihu i Premtuar a.s thotë:

“Nëse keni sy për të parë, do të shikoni se është vetëm Zoti, dhe çdo gjë tjetër është hiçgjë. Ju nuk mund ta shtrini dorën as ta palosni, përveçse me lejen e Tij. Person i vdekur (shpirtërisht) do të tallet me këtë; por do të ishte më mirë të kishte vdekur sesa ta bënte këtë përbuzje”.[7]

Ne duhet ta bëhemi të denjë për të pranuar spiritualitetin dhe të krijojmë lidhje me Zotin, siç kishte thënë Mesihu i Premtuar a.s:

“Kini etje për këtë burim, se uji vetvetiu do të gufojë prej tij. Qani sikur një fëmijë për këtë qumësht, në mënyrë që të dalë qumështi nga gjinjtë. Bëhuni të denjë për mëshirën, në mënyrë që të mëshiroheni. Tregoni ankth dhe shqetësim të thellë, që të ngushëlloheni. Përgjërohuni me këmbëngulje, që t’ju mbështesë një dorë dhe t’ju mbajë ju”.[8]

Do ta përfundoj këtë temë me një lutje nga Kurani i Famëlartë:

“Thuaj: “falja ime, sakrifica ime, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve”.[9]


E përkthyer nga revista “The Muslim Sunrise”, pranverë 2013, f. 12-13

http://muslimsunrise.com/dmddocuments/2013_spring.pdf

[1] Kurani Famëlartë 24:40
[2] Kur’ani Famëlartë 91:10
[3] Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Rruhani Khezain Vëll. 19, Keshti Nuh, f. 21-22, 2009, Londër
[4] Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Rruhani Khezain vëll. 10, Filozofia e mësimeve të Islamit, f. 363-4, 2009, Londër
[5] Kur’ani Famëlartë 30:8
[6] Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Melfuzat vëll. IV/V, f. 19-20
[7] Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Rruhani Khezain Vëll. 19, Keshti Nuh, f. 25, 2009, Londër
[8] Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Rruhani Khezain Vëll. 19, Keshti Nuh, f. 25, 2009, Londër
[9] Kurani Famëlartë 6:163

(Përgatiti: Shkëlqim Bytyçi)