Vdekja e Hazret Mirza Ghulam Ahmedit, Mesihut të Premtuar a.s. dhe shpalljet rreth saj
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Vdekja e Hazret Mirza Ghulam Ahmedit, Mesihut të Premtuar a.s. dhe shpalljet rreth saj

Teolog, gjuhëtar dhe përkthyes
darul masih
Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Famëlartë:

Çdo gjë që ekziston në tokë do të zhduket dhe do të mbetet përgjithmonë vetëm Zoti yt që është shumë i Madhëruar dhe shumë i Nderuar.” (Sure Er-Rrehman, 27-28)

Para katërmbëdhjetë shekujsh Zoti i Madhërishëm, duke i dhënë vdekjen edhe Hazret Muhamedits.a.v.s. na ka treguar që çdo njeri, sado që të jetë i dashur dhe i afër ndaj Zotit, duhet të braktisë këtë botë. Por i bekuar është ai që largohet nga kjo botë e përkohshme në gjendje të tillë që vetë Zoti i thotë:

“Kthehu te Zoti yt, ti je i kënaqur me Atë dhe Ai është i kënaqur me ty! Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në Xhenetin Tim!” (Sure El-Fexhr, 29-31)

Kundërshtarët e Mesihut të Premtuar, themeluesit të Xhematit Musliman Ahmadia, pa asnjë dëshmi, kanë përhapur mjaft gënjeshtra rreth vdekjes së tij. Ai nuk ka ndërruar jetë nga kolera, por shqetësimin e dehidratimit ai ka pasur shpesh gjatë jetës së tij, që ishte për shkak të stërlodhjes mendore që bënte ai për fenë Islame. Ata që vazhdimisht rrijnë të angazhuar me punë mendore, shkrimin e librave ose punë të tjera shkencore, shpesh hasin këtë problem shëndetësor. Edhe vdekja e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ka qenë pikërisht për këtë shkak. Për këtë, do të tregojmë fakte historike në numrin e ardhshëm, inshallah. Në vijim, do të lexoni ngjarjet që ndodhën në kohën e vdekjes së tij, ngjarje këto, vetë janë një shenjë madhore e vërtetësisë së tij. Veç kësaj, do të paraqesim edhe shpalljet që Zoti i kishte dhënë rreth kësaj ngjarjeje, prej të cilave, shumica u botuan dhe u përhapen gjatë jetës së tij.

Së pari do t’i shpalosim ngjarjet e fundit të jetës së Mesihut të Premtuar a.s. sipas biografisë së tij “Hajat-e-Tejeba” (“Jeta e Pastër”).

“Udhëtimi për në Lahor dhe përsëritjet e shpalljeve rreth vdekjes

 27 prill 1908

 Në ato ditë Hazret Amma Xhan (gruaja e Mesihut të Premtuar a.s.) kishte qenë e sëmurë. Ndaj, ajo donte të shkonte një herë në Lahor që të kurohej prej ndonjë mjekeje të shquar. Hazret Mesihu i Premtuar, ndoshta për shkak të ndikimit të fshehtë të shëndetit të tij, ngurronte të nisej për udhëtim. Por, u bë gati pasi e shoqja ngulmonte. Më 26 prill, të vitit 1908, në kohën e agimit atij iu shpall“Mabash eimen az bazie rozgar”[1] (d.m.th. “Mos u trego i pavëmendshëm nga dredhia e kohës!”)

Për këtë arsye, atë ditë ai nuk udhëtoi, por, më 27 prill 1908 u nis për në Lahor. Kur arriti në Betala (një qytet i vogël rreth 16 km larg nga Kadiani) u njoftua që, për atë ditë nuk kishte vende të rezervuara në tren. Atëherë ai donte të kthehej në Kadian, por pastaj si u mendua, qëndroi po në Betala duke pritur një tren të rezervuar. U nis me tren më datën 29 prill 1908 dhe në Lahor qëndroi në shtëpinë e Khvaxha Kemaludin Sahibit, të cilën me ardhjen e tij e shndërroi si një qendër të madhe vizitorësh. Edhe ahmadianët dhe joahmadianët filluan të vinin dhe të takoheshin me të. Një joahmadian i nderuar, një princ nga Kabuli, i quajtur Princi Muhammed Ibrahim Khan, e kishte ftuar Hazurin për të ngrënë në shtëpinë e tij. Por Hazuri, për një arsye, mendoi që të mos shkonte në shtëpinë e tij. Atëherë Princi i shtroi kërkesën që Hazuri ushqimet, t’i hante në shtëpinë ku banonte por ato t’i paguante ai, ndaj i dërgoi pesëdhjetë rupi. Meqë në Lahor u vendos për një qëndrim të gjatë, atëherë Hazret Maulana Nuruddin Sahibi, Hazret Maulana Mohammad Ahsan Sahib Amrohi dhe njerëz të tjerë arritën atje. Madje edhe gazeta “Badr” u transferua përkohësisht në Lahor sa për t’i njoftuar njerëzit me lajme të reja.

Në Lahorë ishin shumë kundërshtarë që u acaruan keq pas ardhjes së Hazurit. Çdo ditë para shtëpisë së tij, sherrxhinj dhe njerëz të ligj grumbulloheshin dhe bërtisnin me fjalë provokuese dhe me sharje banale. Disa ahmadianë po zemëroheshin aq shumë saqë Hazuri i thirri të gjithë dhe i këshilloi që t’i duronin këto sharje dhe të tregohen të përmbajtur. Ai u tha: I inatosuri nuk është trim, por i tillë është ai që e gëlltit inatin dhe përmbahet. Shërbyesit i zbatuan udhëzimet e Hazurit dhe treguan mjaft durim. Njerëzit e ligj ishin të zënë me këto veprime, kurse vizitorë të nderuar i vinin Hazurit vazhdimisht dhe përfitonin. Ndërkaq më 9 maj 1908 atij përsëri iu shpall “Arrahil thummar rahil. Inna Allaha jehmilu kulla hamlin”[2] d.m.th. “Është koha e nisjes, po është koha e nisjes. Allahu do të mbartë çdo barrë.”

Ky ishte një paralajmërim që atij iu afrua koha e vdekjes, por Hazuri, me shumë durim dhe këmbëngulje, vazhdonte punën e tij pa shfaqur asnjë shenjë shqetësimi prej tij. Megjithatë, sipas praktikës së profetëve, duke iu bindur kuptimit konkret të shpalljes, ai e ndërroi vendbanimin e tij dhe tha që edhe kjo është një lloj nisjeje. Por Zoti kishte një mendim tjetër. Hazuri ndërroi shtëpinë dhe shkoi në banesën e Sejed Mohammad Husain Shah Sahibit. Pas disa ditësh erdhi lajmi i vdekjes së një ahmadiani të sinqertë, shef    stacioni, Babu Shahdin Sahibit. Atëherë njerëzit u bindën që kuptimi i asaj shpalljeje ishte në të vërtetë vdekja e Babu Sahibit. Por sipas të dhënave Hazuri e dinte shumë mirë që ajo shpallje nuk ishte për dikë tjetër.[3]

“Më 16 maj 1908, natën, ai mori një shpallje ku i thuhej: “Mëkën takija bër umr na pajdar”[4] [5]¨që do të thotë “Mos u mbështet mbi moshën e përkohshme.”

Sëmundja e vdekjes

Ndërsa Hazuri ishte i zënë në përgatitjen e fjalimit të tij “Mesazhi i Paqes” më 20 maj, të vitit 1908 atij iu shpall “Arrahil thummar rahil vël mautu kërib”[6] d.m.th. “U afrua koha e nisjes, po u afrua koha e nisjes dhe vdekja është afër.” Kjo shpallje qartazi tregonte që bëhej fjalë për vdekjen e Hazurit. Prandaj ai nuk bëri ndonjë shpjegim. Hazrat Amma xhan (gruaja e Hazurit) e mërzitur nga këto shpallje që i vinin njëra pas tjetrës i tha: “Tani të kthehemi në Kadijan” Ai iu përgjigj: “Tashmë ne do të nisemi vetëm atëherë kur Zoti do të na nisë.”[7] Siç u theksua në ato ditë Hazuri ishte i zënë me përgatitjen e fjalimit të tij “Mesazhi i Paqes” por mbas kësaj shpalljeje ai filloi të përpiqej shumë, filloi të shpejtonte në punën e tij. Më në fund, në pasditen e 25 majit, pothuajse e përfundoi atë dhe ia dorëzoi shkruesit. Të dhënat na tregojnë që Hazuri, duke menduar se nuk do ta gjente më kohën për ta përfunduar, atë e dorëzoi aq sa kishte shkruar. Mbas faljes së Iqindisë, Hazuri, mbajti një fjalim të shkurtër rreth vdekjes së Hazret Isait a.s. dhe ky ishte fjalimi i fundit i tij. Pastaj, si zakonisht, doli jashtë për shëtitjen. Një karrocë me qira ishte gati për të. Hazuri kërkoi prej Hazret Sheik Abdul Rahman Sahibit, i cili ishte një shërbyes i sinqertë i tij, që t’i thoshte të zotit të karrocës: “Ne duam të shëtisim vetëm një orë për të marrë ajër të pastër. Ai na duhet të na çoje deri atje nga ku mund të kthehemi në shtëpi brenda kohës.” Ai bëri sipas urdhrit dhe Hazuri mbas shëtitjes u kthye në shtëpi. Në atë kohë ai nuk kishte ndonjë sëmundje dalluese. Nga puna e vazhdueshme për fjalimin, ndiente pak lodhje dhe ndoshta për shkak të ndikimit të ngjarjes që do t’i vinte më pas, ndihej pak i vetmuar. Ai si i fali namazet e akshamit dhe të jacisë hëngri shumë pak ushqim dhe u shtri.

Vdekja, më 26 maj, 1908

Tani do të trajtojmë ngjarjen e vdekjes së Mesihut të Premtuar a.s. Meqenëse kjo është ngjarja e fundit në jetën e tij, është më mirë të përmenden  fjalët e të birit të Hazurit, Mirza Bashir Ahmad Sahib, i cili jo vetëm që ishte një historian i mirëfilltë, por edhe një dëshmitar i kësaj ngjarjeje. Ai thotë:

“Ora ishte rreth njëmbëdhjetë e natës kur Hazuri ndjeu nevojë që të shkonte në banjë dhe u çua për të shkuar atje. Atë shpesh e zinte barku. Kur shkoi në banjë veten e ndjeu të lodhur. Duke u kthyer e zgjoi nënën (d.m.th. gruan e tij) dhe i tha: “Më zuri barku dhe ndihem shumë i lodhur.” Ajo u ngrit menjëherë dhe u ul pranë tij. Dhe meqenëse ai ndihej mirë zakonisht kur dikush ia shtypte këmbët edhe ajo filloi t’ia shtypte. Ndërkohë ai e ndjeu se po e zinte barku prapë, ndaj shkoi për nevojë. Kësaj radhe kur u kthye ishte aq i lodhur saqë, duke u shtrirë mbi krevat nuk arriti të mbahej dhe gati u rrëzua në të. Hazret Amma xhan (gruaja e tij) tha shumë e mërzitur: “Allah! Çfarë po ndodh!” ai i tha: “Kjo është ajo që ju thosha unë.” D.m.th. tani i kishte ardhur momenti i fundit. Më pas, ai i tha: “Thirre Maulvi Sahibin(d.m.th. Hazret Maulana Nurudin Sahibin që ishte një nga më të afërmit e tij dhe njëkohësisht ishte një mjek i shkëlqyer.) dhe vijoi: “zgjoje Mahmudin (d.m.th. vëllanë tim të madh Hazret Mirza Mahmud Ahmad Sahibin) dhe Mir Sahibin” (d.m.th. gjyshin tim ose vjehrrin e Hazret Mesihut të Premtuar.) U mblodhën të gjithë dhe më pas e thirrën edhe doktor Sejed Husen Shah Sahibin dhe doktor Mirza Jakub Beg Sahibin. Në mjekimet ata u përpoqën me të gjitha aftësitë e tyre, por kush mund ta largonte fatin e caktuar prej Zoti. Lodhja po i shtohej nga çasti në çast dhe pastaj nevoja i erdhi edhe një herë dhe lodhja iu shtua aq shumë sa pulsi mezi i ndihej. Për shkak të zënies së barkut, gryka dhe goja filluan t’i thaheshin dhe ai ndiente shumë vështirësi për të folur. Por fjalët që dëgjoheshin nga goja e tij ishin këtotë tria: “Allah! I Dashuri im, Allah.” Përveç këtyre fjalëve ai nuk tha asgjë tjetër.

Kur vajti koha e faljes së mëngjesit dhe ndërkohë, kur edhe unë gjendesha pranë tij, ai me një zë shumë të dobët pyeti: “A vajti ora për faljen?” Njëri nga pasuesit e tij i tha: “Po Hazur,erdhi  ora.” Me të thënë këtë, ai për ta bërë tejamumin, preku krevatin me të dyja duart, dhe duke u shtrirë nisi faljen. Por ndërkohë i ra të fikët. Kur e mori vetën prapë, pyeti: “A vajti ora për faljen?” dhe ndërkohë iu përgjigjën“Po Hazur, vajti ora.” Ai prapë duke u shtrirë nisi faljen. Pas kësaj mbeti pothuajse i pa vetëdijshëm, por sa herë që e merrte veten dëgjoheshin po këto fjalë: “Allah! I Dashuri im, Allah” dhe lodhja  i shtohej vazhdimisht. Më në fund në orën dhjetë (të mëngjesit) ra në gjendje agonie dhe ne besuam që nuk kishte më shpresë. Deri atëherë nëna e nderuar po i lutej Zotit me shumë durim dhe nuk thoshte veçse:“O Zot! Jeta e tij kaloi në shërbimin e Islamit, Ti atij jepi edhe jetën time.” Por kur ai ra në gjendje agonie, me hidhërim të thellë dhe duke qarë ajo tha: “O Zot! Ky po na braktis tashmë, por Ti mos na braktis të lutem!” Në fund, afërsisht në orën dhjetë e gjysmë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. mori nja dy herë frymë thellë dhe pastaj i doli shpirti duke shkuar drejtë Padronit dhe të Dashurit të tij. Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi. (Kurani i Shenjtë, Sure Al-Bekare, vargu 157) Çdo gjë që ekziston në tokë do të zhduket dhe do të mbetet përgjithmonë vetëm Zoti yt që është shumë i Madhëruar dhe shumë i Nderuar.” (Kurani i Shenjtë, Er-Rehman 27,28) [8]

Mosha e Hazurit:

Në kohën e vdekjes, pikërisht sipas shpalljes prej Zotit, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka qenë në moshën 74 vjeç në bazë të kalendarit diellor dhe 76 vjeç sipas kalendarit hënor.”[9]

Paralajmërimet rreth moshës dhe vdekjes së Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Një nga shpalljet e para të Mesihut të Premtuar a.s. ishte shpallja rreth moshës së tij të cilën ai e kishte përmendur në shumë libra që u botuan kur ai ishte gjallë. Kështu për shembull në faqen 443 të librit të tij “Izalae Auham” (“Heqja e Dyshimeve”) që u botua për herë të parë u botua në vitin 1891 nga shtëpia botuese Rijad-e-Hind, Amritsër, ky fakt përmendet. Por ne do ta citojmë atë shpallje nga libri i tij “Tohfa Golërvia” që u botua në shtator 1902. Ai, duke dhënë një provë shumë të fortë mbi vërtetësinë e tij, thotë:

“Në këtë periudhë njëzetenjë vjeçare, duke u nisur nga libri “Berahin-e-Ahmadija” (libri i parë i tij, pjesa e parë e të cilit u botua për herë të parë në vitin 1880) deri më sot, unë i shkrova dyzet libra dhe afërsisht gjashtëdhjetëmijë broshura (bëhet fjalë për tirazhin), që u botuan me dëshminë dhe vërtetësinë e deklaratave të mia. Dhe ato të gjitha janë broshura të shkurtra prej meje. Në to zakonisht, unë botoja shpalljet e mia të reja. Në këtë situatë çdo i mençur mund të mendojë se si po kalon kjo kohë kaq e gjatë, duke punuar, ditë e natë me përkushtim që nga deklarata ime profetike deri më sot. Dhe Zoti, jo vetëm që më dha jetën deri tani, por më dha edhe shëndet për këto vepra dhe më dhuroi para e kohë. Në ato shpallje, praktika e Allahut të Lartësuar s’ishte që të bisedonte me mua rrallë herë, por shumica prej atyre shpalljeve janë plotë paralajmërime dhe nxjerrin në pah edhe qëllimet e këqija të armiqve. Për shembull, Zoti i Lartësuar e dinte që armiqtë do të dëshironin vdekjen time, edhe donin të nxirrnin përfundimin që ky ishte gënjeshtar, prandaj edhe vdiq shpejtë. Për këtë, Ai më përpara m’u drejtua dhe më tha: “Themanin Haulan au keribam min dhalik au tazida alaihi sinina vë tëra nëslën bëida” D.m.th. ‘Mosha jote do të jetë tetëdhjetë vjeç ose dy a katër vjet më pak ose më shumë. Dhe ti do të kesh një jetë të tillë që do të shikosh një brez të largët.’ Dhe afërsisht tridhjetepesë vjet kaluan  pas kësaj shpalljeje që u botua dhe u shpërnda në mijëra njerëz.” (Ruhani Khazain vëll. XVII, Zamima Tohfa Golërvia, f. 66)

Në shtator të vitit 1905, ai pa një ëndërr në të cilën është përmendur qartazi viti i vdekjes së tij. Për këtë ai thotë:

“Para disa ditësh e pashë në ëndërr Maulvi Abdul Kerim Sahibin, ndjesë pastë, (i cili ishte një pasues shumë i sinqertë i Hazurit që kishte ndërruar jetë) Në fillim biseduam pak, pastaj mendova se ngaqë ky është i vdekur, t’i kërkoja të lutej për mua. Atëherë unë i thashë: lutuni për mua që mosha ime të jetë aq sa të kem kohë të mjaftueshme për të kryer misionin tim. Me të thënë këtë, ai u përgjigj: “Tehsildar.” Unë i thashë: ju po më thoni atë që s’ka lidhje me të. Ju lutuni për çështjen të cilën jua kërkova. Atëherë ai pasi i ngriti duart e tij deri te kraharori dhe jo më lart, dhe tha: “Njëzetenjë.” Unë i thash: Më sqaroni. Por ai nuk më sqaroi dhe shumë herë po këtë më thoshte “Njëzetenjë, njëzetenjë.” Dhe pastaj iku.”[10]

Këtu numërori ‘njëzetenjë’ tregon moshën e misionit të Mesihut të Premtuar a.s. Sepse ai pyeti Maulvi Abdul Kerim Sahibin që të gjente kohën e mjaftueshme për të kryer misionin e tij. Dhe për këtë ai iu përgjigj “Njëzetenjë” dhe vazhdonte t’i thoshte po atë numëror. Ngjarjet që pasuan pastaj, qartazi na tregojnë vërtetësinë e kësaj ëndrre. Hazuri botoi broshurën e parë për Beatin (Betimin për t’u anëtarësuar në Bashkësinë e tij) në vitin 1888 dhe pikërisht mbas njëzetenjë vjetëve, më 26 maj në vitin 1908 ka ndërruar jetë.

Vdekja e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. nuk u paralajmërua vetëm nëpërmjet shpalljeve të lartpërmendura. Ndonëse ato të gjitha u botuan në jetën e tij dhe janë shumë të qarta dhe një i mençur që frikësohet nga Zoti nuk mund t’i shmangë, ndërsa një kundërshtar vetëm për ta kundërshtuar, mund të thoshte se ato nuk ia mbushin mendjen. Por Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka botuar një libër “Al-Vesijat” (“Testamenti”) më 24 dhjetor 1905, pra dy vjet e gjysmë para vdekjes së tij, duke i shpallur  në të ngjarjet rreth vdekjes së tij. Ai e fillon atë libër si vijon:

“Për shkak se Zoti i Madhërishëm më ka njoftuar përmes shpalljeve të përsëritura, se koha e vdekjes sime është afër, dhe se shpallja rreth kësaj çështjeje nga Ai u përsërit aq shumë, saqë më ka dridhur tërë qenien time, duke ma bërë zemrën të ftohtë ndaj kësaj bote, e konsiderova të përshtatshme që të shkruaj disa këshilla për miqtë e mi dhe për gjithë ata që duan të përfitojnë nga fjalët e mia. Në fillim, do t’ju njoftoj për atë shpallje hyjnore, e cila më paralajmëroi për vdekjen time dhe më nxiti për këtë detyrë. Së pari do ta shënoj atë që është në gjuhën arabe, pastaj do ta shkruaj edhe atë që është në gjuhën urdu.

“Largimi yt nga kjo botë është afruar dhe Ne nuk do të lëmë asnjë gjë që mund të shkaktojë turp dhe çnderim për ty. Afatit tënd të caktuar nga Zoti, shumë pak kohë i ka mbetur. Ne do t’i hedhim poshtë të gjitha akuzat dhe nuk do të lëmë asnjë shkak që mund të përdoret për të përbuzur ty. Ne kemi fuqi të tregojmë ty diçka nga paralajmërimet tona rreth kundërshtarëve ose të ta marrim shpirtin. Ti do të vdesësh në atë gjendje, që Unë do të jem i kënaqur me ty. Dhe Ne për vërtetësinë tënde do të lëmë shenja të qarta përgjithmonë. Premtimi që ishte bërë është afër. Tregoju njerëzve bekimet që Allahu t’i dha ty. Ai që përvetëson takuanë  dhe duron, Allahu nuk do t’ua humbë shpërblimin njerëzve të tillë të devotshëm”.

… Pastaj, Allahu i Lartësuar mu drejtua në gjuhën urdu dhe më dha lajmin e vdekjes sime me këto fjalë:

“Shumë pak ditë kanë mbetur. Atë ditë të gjithë do të pikëllohen. Kjo do të ndodhë. Kjo do të ndodhë. Kjo do të ndodhë. Pas kësaj do të vijë edhe ngjarja jote. Pasi të jenë shfaqur të gjitha fatkeqësitë dhe të gjitha mrekullitë e natyrës do të ndodhë ngjarja jote.”

Njohuria që më është dhënë rreth kësaj, është ajo që vdekja do ta mbërthejë tokën nga të gjitha anët. Gjithkund, do të bien tërmete që do të jenë shkatërrimtare, sikur të jetë vetë kiameti. Toka do të tundet aq shumë saqë jeta do të vështirësohet për shumë njerëz. Atëherë, atyre që do të pendohen dhe iu shmangen mëkateve, Allahu do t’u tregojë mëshirë. Pra, është e sigurt që do të ndodhin të gjitha këto gjëra, mu ashtu siç kishin paralajmëruar të gjithë profetët për këtë kohë. Por, ata që pastrojnë zemrat e tyre dhe i ndjekin rrugët që i pëlqen Allahu, nuk do të kenë as frikë e as hidhërim. Zoti, duke mu drejtuar mua, tha:

“Ti je alarmues prej meje. Unë të kam dërguar, që mëkatarët të ndahen nga ata që veprojnë mirë.” Dhe më tha: “Një alarmues erdhi në këtë botë, por bota nuk e pranoi atë. Por Allahu do ta pranojë dhe do të shfaqë vërtetësinë e tij me sulme shumë të ashpra. Unë do të të bekoj ty, aq shumë saqë edhe mbretërit do të kërkojnë bekime nga rrobat e tua.”

… Zoti më thotë se shumë fatkeqësi do të ndodhin dhe shumë gjëma do të zbresin në tokë, disa do të ndodhin para vdekjes sime dhe disa më pas. Ndërkohë, Ai do ta bëjë këtë Xhemat të përparojë me gjithë fuqi, pak me dorën time dhe pak pas meje”.[11]

 


 

[1].  Gazeta “Bedr” vëllimi 7, nr. 17 data 30 prill 1908, f. 7. Dhe gazeta “El-Hekem” vëllimi 12, nr. 29, data 22 prill 1908, f.

[2].  Gazeta “Bedr”, vëll. 7, nr. 21, data 26 maj, 1908, f. 7. Dhe gazeta “El-Hekem”, vëll. 12, nr. 35, data 30 maj, 1908, f. 1

 [3].  Biografi i Mesihut të Premtuar a.s. “Hajat-e-Tejeba” f. 346, 347

 [4].  Gazeta “Bedr”, vëll. 7, nr. 22, data 2 qershor, 1908, f. 3

 [5].      Në këtë shpallje është përmendur edhe viti i vdekjes. Sipas numërimit të Abxhedit shifrat e kësaj fjalie bëhen 1326. Pikërisht ky ishte viti i kalendarit Islamik kur Hazuri ndërroi jetën. Lavdi e Zotit!

 [6].  Gazeta “Bedr” vëll. 7, nr. 22, data 2 qershor, 1908, f. 3

 [7]  Hazret Mirza Bashir Ahmad, “Silsila Ahmedia”, f. 182

 [8]     Hazret Mirza Bashir Ahmad “Silsila Ahmedia”, f. 82-84

 [9]     Biografia e Mesihut të Premtuar a.s., “Hajat-e-Tejeba”, (“Jeta e pastër”) f. 350-356

 [10]. Gazeta “Bedr”, vëll. 1, nr. 37, data 24 nëntor, 1905, f. 2; Gazeta “El-Hekem” vëll. 9, nr. 41, data 24 nëntor 1905, f. 1

 [11]. Rruhani Khazain, vëll. 20, El-Vesijat f. 3-6

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem