Isai biri i Merjemes dhe Imam Mehdiu nuk janë dy persona të ndryshëm
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Isai biri i Merjemes dhe Imam Mehdiu nuk janë dy persona të ndryshëm

Ne besojmë që Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s. është Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu, ardhja e të cilit ishte paralajmëruar nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia ka bërë këtë deklaratë në mënyrë të përsëritur. Në “Hutben e shpallur” ai deklaroi me këto fjalë:

“O njerëz! Unë jam Mesih nga umeti i Muhammedit dhe jam Ahmed Mehdi”.[1]

Megjithatë, muslimanët në përgjithësi besojnë që Mesihu biri i Merjemes dhe Imam Mehdi janë dy persona të ndryshëm, të cilët së bashku do të luftojnë kundër mosbesimtarëve për triumfin dhe mbizotërimin e Islamit. Megjithatë, ky mendim nuk përputhet me Kuranin Famëlartë, i cili me anë të argumenteve të shumta, deklaron qartë se Mesihu biri i Merjemes ka ndërruar jetë si çdo profet tjetër, dhe ai nuk do të kthehet më kurrë në tokë. Ndonëse, ardhja e Imam Mehdiut në kohë të mëvonshme, është një çështje që pranohet unanimisht nga të gjitha grupet muslimane, ekzistojnë kontradikta dhe mospërputhje të dukshme midis tyre. Prandaj, mënyra më e drejtë për t’i shqyrtuar këto hadithe është që ato të ballafaqohen e të përqasen me peshoren hyjnore të Kuranit Famëlartë. Kështu, mund të qëmtojmë dëshmi konkrete, që mund të ndriçojnë rrugëtimin tonë kah e vërteta.

Këtu po citoj tri thënie të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për ardhjen e Mesihut birit të Merjemes dhe Imam Mehdiut. Imam Buhariu r.a. ka shënuar një transmetim të Ebu Hurejres r.a.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Si do të jetë gjendja juaj, kur do të zbresë Mesihu biri i Merjemes midis jush dhe do të jetë Imami juaj prej jush”.[2]

Hadithi i mësipërm tregon qartë që Mesihu i biri i Merjemes do të jetë nga umeti i Muhammedit a.s. e jo jashtë tij.

Ebu Hurejrah r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: Si do të jetë gjendja juaj, kur Biri i Merjemes do të zbresë midis jush, dhe do të jetë Imami juaj prej jush?”.[3]

Është interesant se edhe këtë hadith na e ka përcjellë Ebu Hurejra r.a. فأمكم منكم  është një fjali që përbëhet nga grupi foljor. Folja أمّ në kohën e kryer e thjeshtë i referohet një kryefjale që duhet të jetë shprehur në më parë në ligjërim, e cila është Biri i Merjemes. Në këtë mënyrë, në hadithin e mëparshëm të Buhariut, nga fjalët وَإِمَامُكُمْ مِنْكُمْ  nënkuptohet përemër “ai” d.m.th. Biri i Merjemes.

Ebu Hurejrah r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Ka të ngjarë që ai i cili jeton prej jush, të takojë Isain birin e Merjemes, i cili do të jetë Imam Mehdi, gjykatës dhe i drejtë. Ai do të thyejë kryqin, do të mbysë derrin dhe do të shfuqizojë xhizjen ndërsa lufta do të lëshojë armët e saj”.[4]

Ky hadith tregon qartë që rimëkëmbja e Islamit lidhet me ardhjen e Mesihut të Premtuar, i cili do të marrë udhëzim prej Allahut prandaj do të titullohet Imam Mehdi. Ai do t’i gjykojë me drejtësi mosmarrëveshjet e muslimanëve dhe do të ndërpresë luftërat fetare. Duke paraqitur argumente të pathyeshme në debatet fetare, ai do të rrëzojë doktrinat e krishtara, ndërsa me anë të frymës së shenjtë, ai do të mbysë shpirtrat e liga dhe do t’ua ngjallë njerëzve tiparet hyjnore.

Përfundimisht, për t’i vënë kapak kësaj teme, citojmë hadithin e Ibni Maxhës:


Enes ibn Maliku r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Gjërat do të përkeqësohen shumë, bota do të shkojë tatëpjetë dhe njerëzit do të përparojnë vetëm në koprraci e lakmi dhe Ora do t’u vijë vetëm njerëzve të këqij dhe nuk do të ketë asnjë Mehdi tjetër përveç Isait birit të Merjemes”.[5]

Pra, si përfundim del qartë që Isai biri i Merjemes është emri simbolik i atij reformatori, i cili do të vijë 14 shekuj pas Muhammedit s.a.v.s., njësoj siç erdhi Isai biri i Merjemes pas Musait a.s. Ai do të jetë një shërbëtor besnik i Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe në çdo çështje do të ndjekë gjurmët e tij. Ai do t’u japë fund konflikteve të përgjakshme fetare dhe me anë të argumenteve dhe shenjave të qarta, do t’i japë fitore Islamit.


[1] “Hytbja e shpallur”Ruhani Khezain, vëll. XVI, 2008, Pakistan, f. 61
[2] Buhariu, Libri i profetëve, kapitull zbritja e Isait birit të Merjemes, nr. 3449
[3] Muslimi, Libri i besimit, kapitull: zbritja e Isait birit të Merjemes, nr. i hadithit 155e
[4] Musned Imam Ahmed bin Hanbel, vëll. VII, f. 184-185, nr. i hadithit 9294, botuar në 1994, nga Darul Hadith, Egjipt
[5] Ibni Maxha, 4039

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp