Përse Isai a.s. do të falet pas Imam Mehdiut? | alislam.al
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Përse Isai a.s. do të falet pas Imam Mehdiut?

Pyetje: Çfarë kuptojmë nga hadithi që Isai a.s. do të falet pas Imam Mehdiut?

Përgjigje: Një ndër dëshmitë më të rëndësishme në lidhje me Isain alejhiselam është që ai qe dërguar si pejgamber (Resul) për bijtë e Izraelit dhe jo për mbarë njerëzimin. Për këtë arsye, ai nuk do jetë imami ynë, dhe domethënia e vërtetë e zbritjes së Isait alejhiselam është ardhja e një personi tjetër në këtë umet, i cili do t’i përngjajë Isait a.s., dhe ky njeri quhet Imam Mehdi. Sepse duke studiuar hadithe të tjera, ne arrijmë në përfundimin që në këtë hadith janë përshkruar dy veçori të të njëjtit person. Argumentet për këtë janë të shumta. Disa prej tyre janë si më poshtë:

Imam Ahmed bin Hanbeli (780-855) ka shënuar hadithin e mëposhtëm[1]Mesnedin e tij:

Ebu Hurejrah r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Ka të ngjarë që ai i cili jeton prej jush, të takojë Isain birin e Merjemes, i cili do të jetë Imam Mehdi, gjykatës dhe i drejtë. Ai do të thyejë kryqin, do të mbysë derrin dhe do të shfuqizojë xhizjen ndërsa lufta do të lëshojë armët e saj”.

Ky hadith na bën të qartë që Isai alejhiselam dhe Imam Mehdiu nuk janë dy personalitete të ndryshme, por bëhet fjalë për një person të vetëm, i cili karakterizohet si me cilësitë e Mehdiut po ashtu me veçoritë e Isait alejhiselam. Në qenien e tij, puqen dy detyra të ndryshme që dallohen si nga natyra po dhe nga rëndësia. Ai pagëzohet me emrin Mehdi, sepse do të pastrojë akiden (doktrinën fetare, besimin) e muslimanëve nga ndotja e shpikjeve dhe shtesave të papastra si dhe do të punojë për reformimin dhe përmirësimin e gjendjes së muslimanëve. Ai quhet Isa alejhiselam, sepse një ndër detyrat e tij është thyerja e kryqit, ose përgënjeshtrimi i doktrinave të krishtera me argumente bindëse.

Ibni Maxhai (824-887) ka shënuar hadithin e mëposhtëm, transmetuar nga Enes bin Maliku r.a. se

Enes ibn Maliku r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Gjërat do të përkeqësohen shumë, bota do të shkojë tatëpjetë dhe njerëzit do të përparojnë vetëm në koprraci e lakmi dhe Ora do t’u vijë vetëm njerëzve të këqij dhe nuk do të ketë asnjë Mehdi tjetër përveç Isait birit të Merjemes.”[2]

Imam Muslimi në sahihun e tij ka shënuar e mëposhtëm:

Xhabir Ibën Abdullahu r.a. ka thënë se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë: “Një grup prej umetit tim, do të luftojë për të vërtetën deri afër ditës së Kiametit kur Isai, biri i Merjemes, do të zbresë, dhe kryetari i tyre do t’i kërkojë për t’i udhëhequr ata në namaz, ai do të përgjigjet: “Jo, disa nga ju janë udhëheqës mbi të tjerët, dhe kjo është dhuntia e Allahut për këtë umet”.[3]

Ky hadith tregon se Mesihu do t’i nënshtrohet ligjit të Islamit. Ai do të falë namazin pas imamit të këtyre muslimanëve të përmendur në hadith, që do të thotë se ai nuk do të jetë nga bijtë e Izraelit dhe nuk do të shfuqizojë asnjë nga dispozitat e Islamit. Duhet theksuar që në këtë hadith nuk përmendet Imam Medhiu, por vetëm أَمِيرُهُمْ Amiruhum d.m.th. kryetari i tyre.

I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Si do të jetë gjendja juaj, kur do të zbresë Mesihu biri i Merjemes midis jush dhe ai do të jetë Imami juaj prej jush”.[4]

Nëse Isai alejhiselam është profet, ndërsa Imam Mehdiu është thjesht një besimtar e reformator, por jo me gradën e profetit, atëherë kush do t’i bindet Imam Mehdiut?

Fjalët “Imami juaj prej jush” kanë një kuptim shumë të qartë që ai do të jetë nga mesi juaj e jo nga ndonjë popull tjetër. Emri Ibni Merjem i referohet Imam Mehdiut tonë. Ai do të jetë nga umeti musliman e jo nga bijtë e Izraelit. Ky emër është përdorur në mënyrë simbolike për shkak të një ngjashmërie kaq të skajshme, saqë është fshirë i referuari.

Mesihu i Premtuar alejhiselam shkruan:

“Përveç argumenteve të tjera që mbështesin se Mesihu i ardhshëm, i cili është premtuar për këtë umet, do të jetë një person nga gjiri i tij, është edhe hadithi i Buhariut dhe Muslimit që përmbajnë fjalët  إِمَامُكُمْ مِنْكُمْ dhe فَأَمَّكُمْ مِنْكُمْ. Kuptimi i tyre është që ai do të jetë imami juaj dhe do të jetë nga mesi juaj. Meqë ky hadith i referohet Isait të ardhshëm, dhe fjalët ‘Hakem’ dhe ‘Adel’ që janë përdorur si cilësitë e tij dhe i paraprijnë kësaj fjalie, prandaj edhe fjala Imam i referohet atij. Pa dyshim, fjala مِنْكُمْ u ishte drejtuar sahabëve, të cilët ishin audiencë e saj, por është e qartë që asnjë prej tyre nuk deklaroi se ishte Mesih i Premtuar. Prandaj, fjala مِنْكُمْ i referohet atij personi, i cili në sy të Allahut, gjendet në rangun e sahabëve, dhe është i njëjti person i cili në ajetin vijues është cilësuar si sahab:

[وَآخَرِينَ مِنْهُمْ لَمَّا يَلْحَقُوا بِهِمْ][5]

Ajeti tregon që ky person është brumosur nga fuqia shpirtërore e të Dërguarit të Allahut, e në bazë të këtij kuptimi, ai hyn në kategorinë e sahabëve. Në shpjegimin e këtij ajeti citohet hadithi لَو كَانَ الإِيمَانُ معلّقاً بالثرَيا لَنَالَهُ رَجُلٌ مِنْ فارس (Edhe nëse besimi vendoset deri në Plejadë, disa njerëz nga Persia do ta rikthejnë atë). Meqë vendosja e paqes, pasi që toka ishte mbushur me padrejtësi, e qe boshatisur nga besimi dhe njëshmëria e Zotit, i atribuohet këtij personi persian, të cilit i janë dhënë dhe titujt Mesih i Premtuar e Mehdi, prandaj, ky njeri persian duhet të jetë Mehdi e Mesih i Premtuar dhe kjo profeci përmbushet në qenien time”.[6]

 


[1] Musned Imam Ahmed bin Hanbel, vëll. VII, f. 184-185, nr. i hadithit 9294, botuar në 1994, nga Darul Hadith, Egjipt
[2] Ibni Maxha, 4039
[3] Muslimi, 156
[4] Buhariu, Libri i profetëve, kapitull zbritja e Isait birit të Merjemes, nr. 3449
[5] Kurani Famëlartë 62:4
[6] Tuhfa Gulervija, Ruhani Khezain, Vëll. XVII, f. 114-115

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp