Shpëtimi i Krishtit nga kryqëzimi, nga vdekja e mallkuar

Samad Ghori

Samad Ghori


Më shumë rreth autorit

Ngjarja e kryqëzimit të Jezusit a.s. konsiderohet si pikëreferim për fetë kryesore të botës. Si e tillë, ajo pa dyshim është një ndër ngjarjet kryesore të historisë së njerëzimit. Në rreshtat vijues, do të sjellim faktet biblike dhe të logjikshme, të cilat qartazi provojnë atë që tha Kurani Famëlartë para 14 shekujve:

Por, ata as nuk e vranë, as nuk e kryqëzuan, por ashtu u është dukur”. (Kurani Famëlartë 4:158)

Para se ta shpalosim këtë temë, duhet të dimë se çfarë besojnë dhe si e shohin hebrenjtë e të krishterët ngjarjen e kryqëzimit dhe si e paraqet Kurani Famëlartë.

Besimi i hebrenjve rreth kryqëzimit të Jezusit a.s.

Hebrenjtë besojnë se Isai nuk ka qenë profet, por gënjeu në emër të Zotit dhe, si i tillë, ai ishte i mallkuar. Në Dhjatën e Vjetër, në të cilën besonin edhe hebrenjtë si dhe Hazret Isai dhe ndjekësit e tij, është shkruar:

“…sepse ai që rri varur, është i mallkuar nga Perëndia…” (Ligji i Përtërirë – Kapitulli 21:23)

Pikërisht për të provuar se Jezusi qe i mallkuar, ata bënë një komplot, ta kryqëzonin atë që kishte ardhur si shpëtimtar i tyre dhe një herë e përgjithmonë ta provonin se ai nuk qe Mesih nga Perëndia, por duke patur vdekje në kryq, vetë sipas fjalëve të Perëndisë, ishte i mallkuar nga Ai. Hebrenjë, duke u lidhur me romakët, sipas mendimit të tyre, e kryqëzuan, i dhanë fund jetës së tij, dhe pas vdekjes së tij, ata e hodhën në një varrë. Sipas tyre, më vonë ndjekësit e Jezusit e morën trupin e tij, e zhdukën dhe përhapën lajmin se ai u ringjall dhe u ngjit në qiell. Ky është besimi i hebrenjve në përgjithësi lidhur me kryqëzimin e Krishtit.

Besimi i të krishterëve

Të krishterët e sotëm mendojnë se Jezusi ka qenë biri i Zotit. Pas mëkatit të bërë nga Ademi, i gjithë njerëzimi ishte mëkatar dhe askush nga njerëzit nuk kishte mundësi ta çlironte njerëzimin nga ky mëkat i trashëguar. Të gjithë profetët dhe njerëzit e thjeshtë që lindën pas Ademit, sipas tyre, ishin pjesëtarë të barabartë në mëkatin e Ademit, edhe pse vetë nuk e kishin bërë. Më në fund, sipas tyre, Zoti dërgoi të birin e vet, që jetoi tridhjetë vjet në këtë tokë dhe duke përjetuar dhimbjen disaorëshe dhe vdekjen e mallkuar treditore, ua mori të gjitha mëkatet besimtarëve të tij, siç e thotë Shën Pauli në Dhjatën e Re:

Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne duke qenë se është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru” (Galatasve, kapitulli 3:13)

Pra, sipas të krishterëve, Jezusi pati vdekje në kryq në ditën e premte, pastaj ndjekësit e tij arritën ta merrnin trupin e tij dhe e vendosën në një varr (që më shumë i ngjante një dhome) dhe pastaj të dielën, Krishti u ringjall dhe takoi disa nga ndjekësit e tij dhe, duke u dhënë premtimin që do të vinte përsëri në ditët e vona për të shpëtuar të krishterët, u ngjit në qiell dhe u ul në anën e djathtë të të atit.

Besimi i një pjese të muslimanëve të sotëm

Hazret Isai ka qenë vetëm një profet dhe sipas shumicës së muslimanëve të sotëm, ai nuk u var fare në kryq, por në vend tij, një njeri tjetër që mrekullisht iu përngjau atij, u morr nga romakët dhe u kryqëzua. Ndërsa vetë Isai, u ngjit i gjallë në qiell dhe qëndron edhe sot diku atje, për t’i rikthyer planetit tokësor përpara kiametit. Muslimanët e tillë nuk kanë asnjë fakt të vetëm, as nga Kurani, as nga hadithet e Profetit Muhammed s.a. për ta provuar këtë ngjitje spektakulare të Isait a.s.. Se si e besojnë ri-ardhjen e tij fizike, u mbetet atyre të provojnë me argumente.

Besimi i Xhematit Musliman Ahmedia

Xhemati Mysliman Ahmedia, pavarësisht se është një xhemat musliman, lidhur me çështjen ngjitjes fizike të Hazret Isait, nuk e ndan mendimin me pjesën tjetër të muslimanëve që u përmend më sipër. Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s. provoi nga Kurani, Bibla, thëniet e Profetit Muhammed alejhiselam dhe thëniet e dijetarëve të mëparshëm të Islamit, se Hazret Isai u var në kryq, qëndroi disa orë në të, por nuk pati vdekjen e mallkuar, madje pasuesit e tij e morën, ndërkohë hebrenjtë dhe romakët besonin se ai kishte vdekur. Më pas dishepujt e çuan në një dhomë, e kuruan për tri ditë dhe ai u shërua nga plagët e kryqëzimit. Pastaj, sipas premtimit të vet që gjendet në Bibël, ai udhëtoi drejt Lindjes për të udhëhequr fiset e humbura izraelite, të cilat gjenden në një pjesë të Afganistanit, Kashmirit dhe në veri të Indisë.

Faktet Biblike që vërtetojnë shpëtimin e Krishtit nga Kryqëzimi

Më poshtë do të japim përmbledhtas disa argumente historike vetëm nga Bibla, që vërtetojnë qartas shpëtimin e Jezusit a.s. nga kryqëzimi, të cilat i ka treguar Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu:

Shenja e Jonës

Jezusi paqja e Zotit qoftë mbi të, ishte një i dërguar i Zotit dhe si i tillë, ai dha një paralajmërim para se të ndodhte kryqëzimi. Kur hebrenjtë i kërkuan Jezusit ndonjë shenjë, ai u dha paralajmërimin e ngjarjes së kryqëzimit. Le ta ndjekim këtë profeci në librin e Mateut të Dhjatës së Re:

Atëherë disa skribë dhe farisenj e pyetën duke thënë: “Mësues, ne duam të shohim ndonjë shenjë prej teje”. Por ai duke iu përgjigjur u tha:

“Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona. Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës”. (Mateu 12:39-40)

Bibla dhe Kurani janë shumë të qartë dhe njëzëri në përmendjen e faktit se Jona kur u fut në barkun e peshkut ishte i gjallë, atje qëndroi i gjallë dhe i gjallë doli prej tij. Nëse Jezusi kishte vdekur në kryq, atëherë ai u fut i vdekur në tokë dhe qëndroi i vdekur në të dhe doli me një jetë tjetër prej saj, dhe në këtë mënyrë, profecia e tij do të dalë e rreme. Pra, sipas profecisë, ai duhet të hynte i gjallë në tokë, të qëndronte i gjallë në të dhe i gjallë duhet të dilte prej saj, në mënyrë që të përmbushej e vetmja shenjë që ua premtoi hebrenjve.

Lutja e Jezusit për t’i shpëtuar kryqëzimit

Jezusi, para së të dorëzohej te romakët, gjithë natën e kaloi duke iu lutur Zotit, në një vend që quhej Gjetsemani. Përgjërimet e tij të dhimbshme janë përmendur në Bibël. Në një moment ai i lutet Zotit:

“Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!”. (Marku 14:36)

Si mund ta sakrifikonte Zoti i Mëshirshëm robin e tij duke mos ia larguar kupën e dhimbshme të kryqëzimit. Përkundrazi, Ai ia dëgjoi përgjërimet dhe gërshetoi një plan të përsosur, kundër komplotit të hebrenjve.

Gruaja e Pilatit sheh një ëndërr

Pilati ishte ai që drejtonte kryqëzimet, jo si mbret, por thjesht si një nëpunës i mbretit. Zoti komunikoi me gruan e Pilatit dhe e nxiti që ta ndalonte Pilatin nga kryqëzimi i Jezusit. Bibla thotë:

“Dhe ndërsa ai po rrinte në gjykatë, gruaja e tij i çoi fjalë: “Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij””. (Mateu 27:19)

Ëndrra e gruas së Pilatit ishte pikërisht shkaku kryesor, që e detyroi Pilatin të justifikonte pafajësinë e Jezusit dhe pastaj të bënte një plan të fshehtë për ta nxjerrë atë të gjallë nga kryqi. Për ta realizuar këtë, ai lidhet me dy dishepujt e sinqertë të Jezusit: Nikodemin dhe Jozefin nga Arimatea.

Dashamirësia e Pilatit ndaj Jezusit

Pilati e pyeti: “Ç’është e vërteta?”. Dhe, si foli këtë, doli përsëri para Judenjve dhe u tha atyre: “Unë nuk po gjej në të asnjë faj! Por ndër ju është zakon që unë t’ju liroj dikë për Pashkë; a doni, pra, që t’ju liroj mbretin e Judenjve?”. Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: “Jo këtë, por Barabanë!”. Por Baraba ishte një kusar. (Gjoni 18:38-40)

Pilati ishte vendosur të bënte çmos për ta liruar Jezusin. Por, frika nga Cezari e detyroi të bënte çdo gjë në mënyrë të fshehtë:

Që nga ai moment Pilati kërkoi ta lironte; por Judenjtë bërtisnin, duke thënë:

“Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit; kush e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit”. (Gjoni 19:12)

Masat e fshehta nga Pilati për ta shpëtuar Jezusin

Kështu, Pilati do të merrte të gjitha masat për ta liruar Jezusin nga kryqëzimi në njërën anë dhe, në anën tjetër, për t’i bindur hebrenjtë se Jezusi u kryqëzua me sukses. Por, nëse e shohim këtë ngjarje nga këndvështrim shpirtëror, edhe pse protagonisti kryesor na del Pilati, por mbrapa tij, pa dyshim, vepronte dora e Zotit, i cili kishte marrë përsipër t’i pranonte lutjet të robit të Vetë. Jo më kot ishte zgjedhur dita e premten si kohë për kryqëzimin e Jezusit, sepse vetëm atë ditë, ai mund të qëndronte sa më pak kohë në kryq, madje vetëm deri në pasdite. Dita tjetër (e shtuna) ishte Sabbat, një ditë e shenjtë që fillonte nga perëndimi i diellit dhe, sipas tyre, asnjëri nuk mund të lihej në kryq atë ditë. Pilati mban afër dy dishepujt e sinqertë të Jezusit: Nikodemin dhe Jozefin nga Arimatea, të cilët bëjnë çdo gjë të mundshme për ta mbajtur Jezusin në vetëdije.

Kohëzgjatja e kryqëzimit

Në Perandorinë Romake, kriminelët zakonisht liheshin disa ditë në kryq, sepse minimumi i kohës që duhej për të vdekur në kryq, siç tregon një dokumentar i BBC-së, ishte 24-28 orë. Realisht, njeriu nuk vdes nga plagët e kryqëzimit, por nga bllokimi i frymëmarrjes, që shkaktohet nga qëndrimi i zgjatur me krahët e tij që ia shtrëngon vazhdimisht gjoksin, ndërsa plagët i shtojnë dhimbje gjithnjë e më shumë. Kjo mënyrë ekzekutimi përdorej që t’i jepej fajtorit një dënim sa më i dhimbshëm. Madje, nëse i kryqëzuari tregohej i fortë, i thyenin edhe kockat për t’i shtuar dhimbje akoma më shumë. Me rastin e Jezusit, kryqëzimi ndodhi shumë ndryshe nga të tjerët, madje edhe nga bashkëkryqëzuarit e tij.  Sipas Biblës, Jezusi qëndroi vetëm nga 3 deri 6 orë në kryq:

“Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan.” (Marku 15:25)

Sipas Ungjillit të Mateut, deri në orën nëntë, Jezusi kishte dhënë jetën:

Rreth orës nëntë, Jezusi briti me zë të lartë duke thënë: “Eli, Eli, lama sabaktani?”. Domethënë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?”. (Mateu 27:46)

Dishepujt donin ta merrnin trupin e Jezusit sa më shpejt. Kur e zbritën nga kryqi, Pilati tregohet dyshues nëse Jezusi me të vërtetë ka vdekur:

“Dhe Pilati u çudit që tashmë kishte vdekur”. (Marku 15:44)

Pilati u sigurua nga centurioni për vdekjen e tij. Por, ky ishte po ai centurion që më parë kishte pohuar:

“Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!” (Marku 15:39)

Më pas, trupi i Jezusit u mor dhe u vendos në një varrë që ishte si një dhomë dhe ishte dhuruar nga Jozefi i Arimateas.

Jezusit nuk i thyen kockat edhe pse del gjak dhe ujë nga trupi i tij

Ushtarët, pra, erdhën dhe ia thyen kërcinjtë të parit dhe pastaj edhe tjetrit që ishte kryqëzuar me të; por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë. (Gjoni 19:32-34)

Pra, ushtarët vetëm Jezusit nuk ia thyen këmbët dhe kujtuan se kishte vdekur, ndërsa në të vërtetë, ai ishte në gjendje të fikët. Por, një nga ushtarët, rastësisht e shpoi në brinjë me një heshtë, dhe atij, menjëherë, i doli gjak e ujë, të cilët nuk janë aspak shenjat e vdekjes, madje janë tregues shumë të qartë të jetës.

Termet dhe stuhi e mbulojnë vendin e ngjarjes

Siç e thamë, ishte zgjedhur dita e premte për kryqëzimin e Jezusit, në mënyrë që ai të nxirrej sa më shpejt, përpara se të perëndonte dielli. Realisht, të gjitha këto ishin mjetet e Zotit, i cili i kishte dëgjuar lutjet e të dërguarit të Tij dhe nuk mund ta linte që ai të pësonte një vdekje të mallkuar. Në Bibël shkruhet se atë ditë kishte rënë edhe stuhi e termet. Në një kohë të vrenjtur si kjo, njerëzit me siguri duhet të kenë shpejtuar për të besuar se dielli u kishte perënduar. Kështu që, edhe ushtarët duhet të kenë shpejtuar për t’i nxjerrë të kryqëzuarit sa më parë, që të mos cenonin shenjtërinë e sabbatit. Pra, Zoti i Lartësuar, kishte krijuar mjetet e shpëtimit të tij si në Tokë, ashtu edhe në qiell.

Ilaç për plagët e Jezusit

Nikodemi, një pasues i sinqertë i Jezusit, vizitoi vendin ku ishte lënë trupi i Jezusit. Por, çuditërisht, ai shkon atje me një sasi të mjaftueshme barnash:

Por erdhi Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind funtesh. (Gjoni 19:39)

Mirrë dhe aloe janë barnat, të cilat, sidomos romakët dhe grekët përdornin për plagët. Një sasi e tyre prej pesëdhjetë kilogramësh, nuk kishte tjetër funksion veçse ta shëronte Jezusin sa më shpejt.

Shfaqja e dytë e Jezusit

Të dielën, Jezusi shfaqet i gjallë dhe del përpara disa nga pasuesit e tij, të cilët në fillim nuk e besonin dhe mendonin sikur të ishte shpirti i tij. Por ai ua tregon shenjat e plagëve të tij, madje nga uria, ha dhe pi bashkë me ta. Në qoftë se Jezusi ishte ringjallur dhe tashmë kjo ishte një shfaqje mbinjerëzore, çfarë kuptimi kanë shenjat e plagëve të tij dhe nevojat e tij për të ngrënë e për të pirë si gjithë njerëzit e tjerë?! Së dyti, nëse ai tashmë kishte fituar një jetë mbinjerëzore, pse fshihej dhe përpiqej të largohej nga hebrenjtë? Për të, ky duhet të ishte pikërisht momenti për t’ua treguar gjithë mohuesve triumfin e tij.

Jezusi nuk mund të ishte i mallkuar

Sikundër e sqaruam në fillim nga Dhjata e Vjetër dhe ajo e Re se qëllimi i kryqëzimit të Jezusit ishte që të provohej se ai ishte i mallkuar nga Zoti. Të krishterët shumë lehtë thonë se Krishti pranoi vdekjen e mallkuar për t’ua hequr pengesat e ligjit të mallkuar (të Dhjatës së Vjetër), por harrojnë se çfarë do të thotë me të vërtetë një vdekje e mallkuar.

Hazret Mirza Ghulam Ahmed, Mesihu i Premtuar dhe themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia thotë:

“Jezusi duhet t’i shpëtonte vdekjes së kryqëzimit, edhe për arsyen se Libri i Shenjtë thotë se ai që kryqëzohet është i mallkuar. Kuptimin e mallkimit, qoftë për një çast, në asnjë mënyrë nuk mund t’ia ngjitësh një njeriu kaq të shenjtë si Isa Mesihu, pasi kjo është një padrejtësi shumë e madhe. Sipas të gjithë gjuhëtarëve, kuptimi i mallkimit lidhet me zemrën. Kështu, i mallkuari quhet ai, të cilit i nxihet zemra, duke u larguar nga Zoti, aq sa nuk gëzon as mëshirën e Zotit, as dashurinë e Tij, as njohjen e Tij dhe ai njeri shpirtërisht bëhet bosh, i verbër dhe i shurdhër, si djalli vetë. I mallkuari është ai që është kryekëput i mbushur me helmin e mosbindjes dhe që nuk ka asnjë grimë drite nga drita e Zotit, të cilit i shkëputen të gjitha lidhjet e besnikërisë ndërmjet atij dhe Zotit, duke krijuar në mes tyre zemërim, urrejtje dhe armiqësi. I mallkuari është armiku i Zotit dhe Zoti është armiku i tij, sepse në çdo veti, ai i ngjan djallit … A mund të mendojmë se Mesihut të mund t’i kishte ardhur ndonjëherë një kohë e tillë?!” (Mirza Ghulam Ahmed, “Mesihu në Indi” f. 15)

Por faktet nga Bibla flasin ndryshe. Për ta shpëtuar robin e Vet, Zoti kishte gërshetuar një plan të përsosur, kundër planit të judainve:

  • Zoti i jep Jezusit lajmin e sigurimit e shpëtimit të tij, siç e kishte shpëtuar dikur edhe profetin Jona;
  • I jep mundësi që të lutej tërë natën për shpëtimin e tij;
  • Njofton gruan e Pilatit për pafajësinë e Jezusit nëpërmjet ëndrrës, nëpërmjet mjetit të Tij të komunikimit;
  • I zgjon ndërgjegjen Pilatit për të bërë çmos për shpëtimin e Jezusit;
  • Zgjidhet pikërisht dita e premte për kryqëzimin e Jezusit, në mënyrë që ai të qëndrojë vetëm disa orë në kryq;
  • Jezusit nuk ia thyen kockat;
  • Zoti shkakton termet e stuhi nga qielli;
  • Ai i frymëzon Jozefin dhe Nikodemin për të planifikuar marrjen e Jezusit dhe kurimin e tij;

dhe një sërë faktorësh të tjerë, a nuk tregojnë vallë, se Zoti e kishte marrë përsipër shpëtimin e Jezusit shpirtlartë nga vdekja e mallkuar?!!!

Kjo pikërisht deklaron Kurani Famëlartë në lidhje me këtë ngjarje:

kryqëzimi“Dhe ata i përgatitën një kurth, por edhe Allahu përgatiti një kurth. Allahu është strategu më i mirë.” (Kurani Famëlartë 3:55)

Në fund, ndër shumë ajete të Kuranit, do të doja të paraqitja vetëm një pjesë të vogël nga kapitulli i katërt i Kuranit Famëlartë që ngre perdet nga ky mister, duke pohuar qartazi se hebrenjtë as e vranë Isain, as e kryqëzuan, por atyre u është dukur ashtu dhe Allahu e ngriti atë drejt Vetes, që do të thotë e shpëtoi nga vdekja e mallkuar dhe e lartësoi shpirtërisht. Kurani Famëlartë thotë:

“Dhe për deklarimin e tyre (e hebrenjve): Ne e vramë Mesihun Isain, birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut. Por, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur; dhe ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij me siguri që gjenden në dyshim për të; ata s’kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm janë në hamendje. Ata me siguri nuk e kanë vrarë atë. Përkundrazi, Allahu e ngriti drejt Vetes. Dhe Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. (En-Nisa 4:158-160)

Në këto ajete thuhet se hebrenjtë as nuk e vranë Hazret Isain a.s. dhe as nuk qenë të suksesshëm që ta kryqëzonin atë.

“…por u është dukur ashtu…”.

Pra, Isai u var në kryq, por nuk ndërroi jetë në kryq dhe shpëtoi nga kryqëzimi. Në arabisht fjala “salaba”, sipas të gjithë fjalorëve të famshëm të gjuhës arabe, do të thotë: “Var dikë në kryq derisa ai të vdesë, t’i hiqet palca e tij.” Po ashtu, kryqëzimi njihet si një lloj pushkatimi. Ashtu siç një njeri që qëllohet me plumba, por, për ndonjë arsye nuk vritet, nuk quhet i pushkatuar, në të njëjtën mënyrë, Jezusi nuk mund të quhet i kryqëzuar, për sa kohë ai i shpëtoi kryqëzimit. Ose, për shembull, nuk themi “filani u mbyt”, për një njeri që vetëm ishte zhytur në ujë, por nuk vdiq. Kështu që, edhe fjalët “ai u kryqëzua” përdoreshin vetëm për atë njeri që kryqëzohej, i thyheshin kockat, ai lihej për ditë të tëra deri sa të vdeiste përfundimisht. Pjesa vijuese e ajetit në fjalë e thekson këtë fakt: “Ata me siguri nuk e kanë vrarë atë.” Qëllimi kryesor i kryqëzimit ishte që Jezusi të pësonte një vdekje të mallkuar. Kurani deklaron se pikërisht këtë qëllim hebrenjtë nuk e kishin arritur.

Pastaj vjen pohimi i Allahut:

“Përkundrazi, Allahu e ngriti drejt Vetes. Dhe Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.”

Duhet të dimë se ngritja e njeriut në Kuranin Famëlartë gjithmonë është përmendur me kuptimin e ngritjes shpirtërore, pra, në statusin e tij. Veç kësaj ngritja drejt Allahut nuk mund të konceptohet si një ngritje fizike, pasi për ta provuar këtë, së pari duhet të përcaktojmë drejtimin fizik të Allahut të Madhërishëm.

Profeti Muhammed, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, në një hadith, thotë :

“Kur robi përulet, Allahu e ngre atë në qiellin e shtatë.” (Kenzulummal, vol. 2, f. 52)

Jezusi i shpëtoi kryqëzimit. Faktet biblike janë të qarta. Kurani nuk ndalet vetëm këtu, por hedh dritë edhe mbi jetën e tij të mëtejshme, duke thënë:

 “Dhe birin e Merjemes dhe nënën e tij e kemi bërë një shenjë, dhe u kemi dhënë strehim në një vend të lartë me plot lugina e burime me ujë të rrjedhshëm”. (El-Muminun 23:51)

Profeti Muhammed s.a.v.s. raportohet të ketë thënë:

“ Allahu, i Lartësuari i shpalli Isait a.s.: – “O Isa,  vazhdo të lëvizësh nga një vend në tjetrin në mënyrë që të mos persekutohesh pasi të të njohin”. [Kanzulummal, kapitulli 1 në vëllimin 3 faqe 158]

Vetë Hazret Isa a.s. e pranon se ai ishte i ngarkuar për t’u kujdesur për “dele” (fise) të humbura të Izraelit. Është provuar historikisht se 12 fise izraelite rreth gjashtëqind vjet pas Hazret Musait, kanë lëvizur drejt Afganistanit, dhe Indisë së veriut. Prandaj, Hazret Isa a.s. e vazhdoi misionin e tij dhe jetoi në Indi në mbretërinë me male të Kashmirit.

Në vazhdim, lexoni:

7 argumente të pathyeshme nga Kurani përvdekjen e Hazret Isait a.s.

 

Kuptimi i vërtetë i ajetit: “Ata as nuk e vranë atë, as nuk e kryqëzuan, por ashtu u është dukur”

 

Argumente nga hadithet e Profetit Muhammed s.a. për vdekjen e Hazret Isait a.s.

 

Shpërndaje