A është Xhemati Musliman Ahmedia farë e anglezëve?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

A është Xhemati Musliman Ahmedia farë e anglezëve?

minarja ne Kadijan

Kundërshtarët shpeshherë ngrenë akuzën se Xhemati Musliman Ahmedia është themeluar nga kolonializmi anglez për të mbjellë përçarje, dyshime dhe pakënaqësi në zemër të muslimanëve ndaj fesë së tyre dhe për t’i shërbyer interesat e tyre kolonialiste. Sipas tyre ai është farë e mbjellë nga armiqtë e Islamit. Çfarë është përgjigjja e kësaj akuze?

PËRGJIGJE

  • Faktet historike
  • Qëndrimi i themeluesit të Xhematit Musliman Ahmedia ndaj anglezëve
  • Dijetarët e hoxhallarët muslimanë u kanë thurur lëvdata kolonialistëve anglezë
  • kundërshtarët e themeluesit të këtij xhemati e padisin atë se ishte rrezik për shtetin anglez
  • Anglezët e kanë konsideruar themeluesin e këtij xhemati si armik të tyre
  • Ndëshkimi hyjnor
  • Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia i bën thirrje Mbretëreshës Viktoria për të pranuar Islamin
  • Një pyetje drejtuar kundërshtarëve të xhematit
  • Fara e mbjellë nga Allahu i Plotfuqishëm dhe Lavdiplotë

Fakte historike

Në periudhën kur lindi themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, Muslimanët e Penxhabit jetonin nën shtypjen e rëndë dhe zgjedhën e egër të regjimit sikh (quhen ndryshe “Khalisa”). Ata u ndalonin muslimanëve praktikën e fesë Islame p.sh. thirrja e ezanit dhe kryerja e namazit etj. Pra, liria e praktikës fetare për sa u përket muslimanëve ishte në mungesë të plotë. Këtu poshtë shënojmë dy citate. Njëri i përket një jomuslimani, ndërsa tjetri një muslimani jo-ahmedian. Të dyja këto citate shpërfaqin më së miri gjendjen e asaj kohe që rëndonin jetën e muslimanëve.

Tulsi Ram, një studiues i përkatësisë hindu shkruan:

“Në fillim praktika e pushtetit sikh përbëhej nga shkatërrim dhe grabitje. Ata plaçkisnin çka u binte në dorë dhe e shpërndanin midis bashkëkombësve. Sikhët kishin një urrejtje të pashuar ndaj muslimanëve, prandaj nuk lejonin që të këndohej ezani me zë të lartë. Ata zaptonin xhamitë me forcë dhe atje këndonin grantha (librin e tyre të shenjtë) – duke e quajtur këtë praktikë ‘mautkara’. Ata ishin dhënë pas pijes. Sipas dëshmitarëve, nëse gjenin enët dheu të përdorura më parë nga ndjekësit e fesë tjetër, ata u binin enëve pesë herë me shapka dhe pastaj i përdornin për gatimet e tyre. Thënë ndryshe, duke u rënë pesë herë me shapkat e tyre, ata mendonin se tashmë i kishin pastruar ato”.[1]

Muhammad Xhafer Thanisari ka shkruar jetëshkrimin e Hazret Sejed Ahmed të Bareliut, në të cilin ai ka shkruar:

“Gjatë udhëtimit tonë në krahinën e Penxhabit, ne mbërritëm te një pus për të pirë ujë. Ne i pamë ca gra sikhe, të cilat nxirrnin ujë nga pusi. Ngaqë nuk dinim dialektin e atij vendi (ne bëmë disa shenja, dhe) duke ia afruar duart gojës, ne i treguam se kishim etje dhe donim ujë. Ato gra, duke hedhur një vështrim rreth e përqark, na thanë në gjuhën Peshto se “Ne jemi muslimane, me origjinë afgane. Ne banonim në filan krahinë apo fshat. Këta sikh vendas na kanë rrëmbyer dhe na kanë sjellë këtu me dhunë.”[2]

Përveç kësaj, enciklopedia (Encyclopaedia of Sikh Literature) është mbushur me skenat e dhunës dhe mizorisë barbare të kryera kundër muslimanëve nga dora e sikhëve. Ato përfshijnë raste të panumërta të përdhunimit të grave muslimane, të shkatërrimit të xhamive apo të shndërrimit të tyre në stallat e kuajve, të masakrimit të popullsisë muslimane vetëm se kishin thirrur ezan (thirrje për namaz). Pra, përveç heqjes së të drejtave fetare, muslimanëve u mohoheshin edhe të drejtat më themelore njerëzore. Pikërisht në këto kushte të rënda që kishin kapluar gjithë krahinën Penxhab, mbërritën anglezët gjatë viteve 1846-49 dhe duke mposhtur pushtetin sik, rivendosën rendin dhe lirinë fetare në këtë krahinë.

Qëndrimi i themeluesit të Xhematit Musliman Ahmedia ndaj anglezëve

Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s. ka përshkruar me hollësi gjendjen e asaj kohe, në të cilën shtypeshin muslimanët e Penxhabit nga regjimi totalitar i sikhëve. Ai shkruan:

“Muslimanët akoma nuk e kanë harruar atë kohë, kur ata jetonin në një ferr të tmerrshëm të ndezur nga populli sikh. Jo vetëm se sikhët kishin shkatërruar pozitën politike dhe ekonomike të muslimanëve por gjendja e tyre fetare ishte akoma më e mjerueshme. Kryerja e detyrave fetare ishte pothuajse e pamundur, madje muslimanët vriteshin vetëm se kishin kënduar ezanin. Në këto rrethana të vështira, Allahu i Lartësuar dërgoi këtë qeveri të bekuar për shpëtimin tonë njësoj si erë e mëshirës. Kjo qeveri jo vetëm se na shpëtoi nga kthetrat e mizorëve, madje vendosi paqe të gjithanshme dhe siguroi të gjitha mjetet e domosdoshme. Ajo na dha lirinë fetare që të përhapnim mesazhin e fesë sonë të bukur në mënyrën më të mirë”.[3]

“A nuk shikoni se çfarë lirie gëzojmë sot në këtë qeveri? Ne jemi të lirë në çështjet fetare dhe nuk kemi asnjë pengesë në debatet e fesë islame. Jemi çliruar nga prangosje, që përjetonim gjatë regjimit të khalsas (sikhëve). Ne i nënshtrohemi kësaj qeverie bujare, përgjegjësit e së cilës nuk na pengojnë nga debatet dhe diskutimet fetare … ndërkohë përpara ne persekutoheshim me shpatë dhe shtizë. Nuk kishim mundësi që të faleshim sipas sunetit dhe të thirrnim ezan siç na dikton sheriati. Para mizorive të tyre, përveç heshtjes s’kishim asnjë çare. Nuk kishim asnjë mënyrë për t’iu kundërpërgjigjur barbarive të tyre.

Ndërsa tani, me ardhjen e kësaj qeverie, na është kthyer paqja. … Ne kurrë nuk mund të harrojmë mirësinë e kësaj qeverie. Ajo na mbrojti pasurinë, pronat dhe jetët tona nga një tiran i dhunshëm. Sot, nën hijen e kësaj qeverie, ne jetojmë me paqe e rehati. Ne nuk jemi të detyruar më të paguajmë haraçin edhe pse nuk kishim bërë asnjë shkelje dhe as nuk burgosemi pa pasur kurrfarë kundërvajtje ligjore. Tashmë jetojmë në paqe të plotë nga çdolloj akuze a mjerimi. Na mjafton kjo qeveri nga intrigat armiqësore dhe komplotet e ndyra. Ne si mund të mohojmë favorin e këtyre mirëbërësve, kurse përpara ne silleshim poshtë-lart si endacak dhe s’kishim të drejtë të hapnim gojë për të bërë thirrje ndaj besimit të të Dërguarit të Allahutsavs.

E tillë ishte koha e khalsas (sikve) dhe periudha e errësirës dhe vuajtjes. Ishte koha, në të cilën ra numri i njerëzve fisnikë ndërkohë u shtua numri i lëpirësve. Ata na sfilitën dhe torturuan aq rëndë saqë vështirë të përshkruhen në fjalë, madje në këto rrethana na dëbuan nga vatrat tona. Me ardhjen e kësaj qeverie, ecuria e jetës sonë mori një kthesë rrënjësore, nga shtrëngimi në liri, nga stuhia në fllad, dhe për shkak të saj na u hapën dyert e lirisë. Ne fituam pavarësinë pas një kohe të gjatë mundimi e rrethimi. Ne u begatuam pasi që kishim përjetuar lloj-lloj sprovash. Ne e gjetëm këtë qeveri ashtu si shi pas thatësirës së gjatë apo shëndet pas sëmundjes. Pra, për shkak të këtyre favoreve dhe mirësive, ne jemi të detyruar t’i shprehim asaj mirënjohje më sublime dhe t’i urojmë dëshirat më të çiltra”.[4]

Themeluesi i këtij xhemati nënvizon ndryshimet dhe zhvillimet që pësoi sundimi i anglezëve dhe rrëzimi i regjimit të hinduve e sikhëve. Pra ai shkruan:

“Kam dëgjuar se fillimisht kur erdhën anglezët në Penxhab, një myezin në Hoshiarpur thirri ezan me zë të lartë. Meqë, ishte akoma fillimi dhe hindutë e sikhët kujtonin se edhe këta (anglezë) do të ndalojnë thirrjen e ezanit me zë të lartë, ose do t’ia presin dorën atij që ngacmon lopën, siç ata kishin bërë përpara. Pra, e arrestuan myezinin që thërriste ezan me zë të lartë dhe e çuan te drejtori i policisë, ndërsa një turmë njerëzish e ndiqte. U mblodhën pasanikë të mëdhenj mahaxhan[5] dhe i thanë “Zotëri! Na është prishur buka, na u ndotën enët, na zuri taksirati”. Kur anglezi dëgjoi këto fjalë, ai u befasua se vallë ezani paska aq fuqi që të fëlliqë enët dhe ushqimet. Ai e urdhëroi komisarin se derisa nuk bëhen prova nuk mund të çohej çështja në gjykatë. Kështu që, ai i tha myezinit për të thirrur ezan. Myezini ngurronte nga frika se të mos paditej sërish. Por ku u inkurajua, ai thirri ezan me gjithë fuqinë.

Drejtori tha se unë s’kam pësuar asgjë nga ezani. Ai e pyeti komisarin se a mos e kishte zënë ndonjë e keqe? Ai gjithashtu u përgjigj në mohim. Atëherë, myezini u lirua dhe iu dha leje për të thirrur ezan si të donte ai. Allahu është më i Madh. Sa e shtrenjtë është kjo liri dhe sa i madh është favori i Zotit ndaj nesh. Nëse edhe pas kësaj mirësie dhe lirie, dikush nuk shpreh mirënjohje ndaj kësaj qeverie angleze, atëherë ai nuk është veçse një mosmirënjohës dhe tradhtar që duhet përzënë nga gjiri.

Madje edhe në fshatin tonë aty ku ndodhet xhamia, ka qenë qendra e çetës së sikhëve. Ajo ishte koha e fëmijërisë, por kam dëgjuar nga njerëz të besueshëm se edhe pse kishin hyrë anglezët, sistemi i vjetër funksionoi për pak kohë. Në atë periudhë, këtu u emërua një zyrtar i ri. Bashkë me të, ishte edhe një oficer musliman, i cili kur erdhi në xhami, e porositi myezinin për të thirrur ezan. Myezini menjëherë këndoi ezan, por me zë mjaft të ulët. Oficeri e pyeti se a kështu këndonte ai gjithmonë? Myezini u përgjigj me pohim. Oficeri i tha për t’u ngjitur në çati dhe për të thirrur ezan me zërin më të lartë. Edhe pse kishte frikë, ai thirri ezan sipas urdhrit të ushtarit. Sa e kishin dëgjuar ezanin, u mblodhën të gjithë hindutë dhe e kapën myezinin. Ai i shkretë u tremb shumë dhe kujtoi se zyrtari do ta dënonte atë. Por, oficeri musliman qëndroi pranë tij dhe i tha: mos u tremb se jam me ty.

Një brahman i rreptë dhe mizor e çoi te zyrtari dhe iu ankua duke thënë se myezini na ka sjellë taksirat. Zyrtari dinte mirë se tashmë pushteti ishte ndërruar dhe ai regjim sikhë nuk ishte më. Megjithatë ai e pyeti myezinin arsyen përse kishte guxuar të thërriste ezan me zë të lartë? Oficeri doli përpara dhe tha se jo myezini, por ishte ai që kishte thirrur ezan. Kur dëgjoi këtë, zyrtari i qortoi hindutë dhe tha: Pse po bëni zhurmë. Tani lopët theren haptas në Lahor dhe ju ankoheni për ezanin! Ikni dhe futuni nëpër shtëpi”.[6]

Pas sqarimit të kontekstit historik të kësaj periudhe të errët, gjatë së cilës muslimanët përballeshin me shtypjen e egër të regjimit sikhë, ne i pyesim ata që ngrenë akuza ndaj nesh: A themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia duhet të kritikonte dhe kundërshtonte anglezët sepse ata u kishin sjellë muslimanëve lirinë fetare apo duhet ta falënderonte atë për këtë mirësi ashtu siç kishin vepruar mjaft nga dijetarët, shkrimtarët dhe liderët muslimanë?

Sigurisht, kundërshtimi ndaj sundimit anglez do të nënkuptohet përkrahje e politikës sikhe dhe në një farë mënyre si mbështetje për mohimin e të drejtave të muslimanëve. Kundërshtimi ndaj sundimit britanik, nënkupton përkrahje për ndalimin e namazit, rrëzimin e xhamive apo për t’i shndërruar ato në stallë, për ndalimin e mësimit fetar, për abuzimin dhe përdhunimin e grave muslimane, për torturën, përndjekjen dhe masakrën e muslimanëve dhe për rrëmbimin e pronave të tyre. Nëse themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia të kishte mbështetur regjimin mizor të sikhëve, atëherë sigurisht kundërshtarët e xhematit kishin të drejtë për ta akuzuar atë, por ai, shprehu mirënjohje vetëm ndaj atyre që larguan këtë regjim të egër, i cili vepronte vetëm me mizori e padrejtësi kundër muslimanëve.

E vërteta është se vetë muslimanët kanë përkrahur rrëzimin e këtij regjimi autoritar sikhë. Pra, nëse themeluesi i xhematit Musliman Ahmedia ka falënderuar Perandorinë Angleze, ai e bëri këtë vetëm për shkak të lirisë fetare për popullin musliman dhe për vendosjen e paqes në Penxhab. Ai vetë e pohon këtë, duke shkruar se:

Nuk jam aspak lajkatar i kësaj qeverie. E vërteta është që sipas Kuranit të Shenjtë është e ndaluar të bëjmë luftë fetare kundër një qeverie, e cila nuk na ndalon aspak nga feja Islame dhe nga të praktikuarit e ritualeve të Islamit dhe as nuk na sulmon për ta përhapur fenë e vet, sepse edhe ajo nuk po bën një xhihad fetar kundër nesh. Dhe kemi për detyrë t’i jemi mirënjohës”.[7]

Dijetarët e hoxhallarët muslimanë u thurin lëvdata anglezëve

Pra, nëse shkrimet e themeluesit të Xhematit Musliman Ahmedia merren si bazë për të nxjerrë “përfundimin” se ai qenka agjent anglez, vetëm se u kishte shprehur mirënjohje si një musliman i sinqertë, atëherë do të jetë një qasje më e plotë, nëse shqyrtohen edhe fjalët e dijetarëve muslimanë të asokohe.

Molvi Muhammad Hussein Batalvi

Molvi Muhammad Hussein Batalvi ishte një nga kundërshtarët e Mesihut të Premtuar a.s.. Ai shkruan:

“Sulltani i Perandorisë Osmane është një mbret musliman, por për sa i përket (mbizotërimit të) paqes shoqërore, sigurisë dhe epërsisë në administratën publike (pavarësisht nga feja) qeveria angleze nuk është më pak se krenari për ne muslimanë dhe veçanërisht për besimtarët e sektit Ahl-e-Hadithit. Kur krahasojmë këtë qeveri me të gjitha qeveritë Muslimane bashkëkohore (Osmane, Iraniane e Khurasane) Për sa i përket paqes dhe lirisë, ne padyshim krenohemi me këtë qeveri”.[8]

“Derisa gëzojnë paqe e harmoni dhe mund të kryejnë të gjitha detyrat fetare, nuk është e lejuar për muslimanët që të dalin kundër kësaj qeverie, pavarësisht se çfarë feje i përket ajo, hebre apo e krishtere. Nuk është e lejuar që ata të luftojnë me këtë qeveri apo të përkrahin disidentët ushtarakisht apo ekonomikisht. Pra, kundërshtimi dhe kryengritja kundër kësaj qeverie është haram për muslimanët e Indisë”.[9]

O vëllezër! Kjo nuk është koha e shpatës, por duhet të përdorim pendë në vend të shpatës.[10]

Sir Muhammad Ikbal

Sir Muhammad Ikbal është një figurë e njohur e botës muslimane. Ai është një dijetar, filozof, idealist i cili njihet me titullin “Poet i Lindjes”. Pas vdekjes së Mbretëreshës Viktoria, Ikbali i bën homazh me këto fjalë:

میت اٹھی ہے شاہ کی، تعظیم کے لئے

اقبال اڑ کے خاکِ سرِ راہ گزار ہو

Po ngrihet arkivoli i Mbretëreshë, prandaj o Ikbal! Bëhu hi dhe shpërndahu në rrugën e funeralit në shenjë nderimi.

صورت وہی ہے نام میں رکھا ہوا ہے کیا

دیتے ہیں نام ماہِ محرم کا ہم تجھے

Çfarë qëndron në emër, kur tragjedia është e njëjtë. Prandaj, ne të quajmë ty muajin muharrem

کہتے ہیں آج عید ہوئی ہے ہوا کرے

اس عید سے تو موت ہی آئے خدا کرے

Ata thonë “Sot është festa e bajramit”, por le të jetë.O Zot! Më mirë më marrsh shpirtin, sesa ta kem këtë bajram.

Është një fakt mjaft interesant se Ikbali qëndron në reshtin e parë të atyre kundërshtarëve, të cilët kanë akuzuar se Xhemati Musliman Ahmedia është krijuar nga anglezët, duke argumentuar se themeluesi i tij kishte lavdëruar qeverisjen e tyre. Por vetë poeti, ishte trishtuar aq shumë nga vdekja e Mbretëreshës saqë tejkalon çdo ekzagjerim të mundshëm:

اے ہند تیرے سر سے اُٹھا سایہ خدا

اک غم گسار تیرے مکینوں کی تھی، گئی

O Indi! Sot u nda Mëshira e Zotit prej tejedhe u largua një  shpirtmadhe që ngushëllonte dhimbjen e popullit tënd.

ہلتا ہے جس سے یہ رونا اُسی کا ہے

زینت تھی جس سے تجھ کو جنازا اُسی کا ہے

Sot edhe Arshi tronditet nga të çarat e përcjellësve të saj,Ky është funerali i asaj që hijesonte bukurinë Tënde.[11]

Sekti Ahle-Hadith gjithmonë ka kundërshtuar xhematin, por një ndër dijetarët e tij më të spikatur Shemsul Ulema Molana Nazir Ahmad Dehlvi shkruan:

Molana Nazir Ahmad Dehlvi

“Për të siguruar paqe në mbarë Indinë, është e domosdoshme që një fuqi e huaj të vazhdojë ta sundojë atë – pra një fuqi që nuk i përket as fesë hindu e as muslimane, pra dikush nga Perandoritë Evropiane (pra jo detyrimisht anglezët; mund të jetë kushdo deri sa është evropian). Por mëshira e pafundme e Zotit të Madhërishëm deshi që sunduesit tanë të ishin Anglezë.”[12]

Pastaj ai shkruan:

“A është kjo qeveri shtypëse dhe e pamëshirshme? Jo, kurrsesi. Zoti na faltë! (ajo është) më mirëdashëse sesa një nënë apo baba për fëmijën e tyre”.[13]

Sipas njohurisë sime, unë kam vështruar me vëmendje të gjithë udhëheqësit që sundojnë në Indinë bashkëkohore. Përfytyrimi im sillej larg e më larg [dhe kështu shtrija kërkimin tim të imagjinatës për të gjetur një sundues ideal për gjithë Indinë] duke përfshirë edhe Bermaninë, Nepalin, Afganistanin, madje duke rrethuar edhe Persinë, Egjiptin dhe Arabinë. Por, duke kaluar nga një kufi te tjetri, nuk gjeta asnjë figurë të vetme, të cilën mund të kisha pranuar si sundues në Indi (d.m.th. sipas këndvështrimit tim). Nuk ekzistonte asnjë grup shpresëdhënës, të cilin mund të kisha quajtur trashëgimtar të mundshëm të fronit. Dhe më në fund, arrita në përfundimin se vetëm anglezët ishin të denjë për të trashëguar fronin indian. Sundimi i këtij vendi është e drejta e tyre dhe ata duhet të vazhdojnë me të”.[14]

Shejh Muhammed Abduh shkruan:

“Ne duhet të shprehemi pa pasur frikë nga pakënaqësia e dikujt, se kombi anglez është i vetmi që vepron me tolerancë. Në të vërtetë ky është virtyti më i lartë që kanë trashëguar jomuslimanët nga muslimanët. A nuk shihni se sistemi i tyre e ngjason me parimin e Islamit kur ata nuk dallojnë midis feve të ndryshme”.[15]

Molnana Abdul Ala Maududi

Maulana Abul Ala Maududi është themeluesi i lëvizjes politiko-fetare Xhemati Islami. Ai vetë nuk kurseu asnjë rast për të sulmuar xhematin Ahmedia, rruga që ndiqet edhe sot nga ndjekësit e tij. Por, çuditërisht edhe ai i ka thurur lëvdata qeverisë angleze. Ai thotë:

“India ishte vendi i luftës. Padyshim, kur anglezët tentonin të mposhtnin perandorinë muslimane, atëherë ishte detyra e muslimanëve të luftonin kundër tyre dhe të mbronin vatrat e tyre ose të shpërnguleshin nga ky vend pasi që dështuan në përpjekjet e tyre.  Por, tani ata (anglezë) i kanë mposhtur dhe ligji i shtetit britanik është shtrirë në gjithë hapësirën e Indisë. Muslimanët kanë pranuar të jetojnë me pronat e tyre nën këtë regjim. Ligjet individuale e sigurojnë lirinë e veprimtarisë.

Pra, në këto kushte ky vend nuk mund të konsiderohet si një vend në gjendje lufte, sepse nuk janë cenuar apo ndaluar ligjet Islamike dhe as muslimanët nuk janë penguar në zbatimin e sheriatit. Ata nuk janë detyruar të veprojnë kundër pëlqimit të tyre as në jetën individuale apo në rendin shoqëror. Pra, nuk gjenden ato kushte sipas të cilave ky vend të konsiderohet dar-ul-herrb (vendi i luftë) për nga parimet e ligjit Islamik.”[16]

Lidhja e dijetarëve e Indisë (Nedvetul Ulemae Hind)

Edhe pse akuzohet se Xhemati Musliman Ahmedia është fara të cilën e kishte mbjellë qeveria angleze për të përçarë Muslimanët, realiteti paraqet fakte të tjera. Është fakti i njohur dhe i pranuar historikisht se Nedvetul Ulema (Institucioni teologjik më i madh i Indisë) ishte themeluar nga anglezët dhe hoxhallarët e tyre paguheshin nga buxheti shtetëror. (Një ndër dijetarët që dolën nga ky institucion ishte Sulejman en-Nedvi, kundërshtar i shquar i xhematit) Gurthemeli i kësaj qendre ishte vendosur nga një anglez. Organi i tyre zyrtar, gazeta An-Nadwah raporton rreth kësaj ceremonie me këto fjalë:

“Më 28 nëntor 1908, gurthemeli i Akademisë së Diturisë Nadwatul Ulama u vendos nga i nderuar togeri guvernator Sir John Scott Hughes K.C.S.I.E”.[17]

Pastaj duke nënvizuar qëllimet kryesore të këtij institucioni dhe duke përvijuar pikësynimet e tij, gazeta An-Nadwah shkruan:

“Edhe pse Naduah është shumë larg politikës, por meqë misioni i tij kryesor është të prodhojë ulema (dijetarë) të shkolluar, andaj është detyra kryesore e këtij lloji ulemash që të njohin mirë bekimet e kësaj qeverie dhe të promovojnë konceptin e bindjes dhe besnikërisë ndaj këtij shteti në gjithë Indinë”.[18]

Molana Zafar Ali Khan

Molana Zafar Ali Khan është gjithashtu një figurë historike e asaj kohe. Ai ishte kryeredaktor i gazetës “Zamindar”  dhe një figurë me ndikim të madh te muslimanët indianë për çështjet politike. Ai shkruan:

“Muslimanët … nuk mund të mendojnë keq për këtë qeveri (qeverinë angleze) për asnjë çast!… nëse një musliman i shkretë guxon të marrë pjesë në kryengritje kundër kësaj qeverie, atëherë ne themi me plotë gojë se ai nuk është musliman.”[19]

Ai vijon duke thënë:

“Ne jemi gati të derdhim gjithë gjakun e trupit tonë për të shpëtuar një pikëz djersi nga balli i Shkëlqesisë së Tij të mbretit tonë dhe saktësisht ashtu është gjendja e çdo muslimani indian”.[20]

Nderimet e tij, ai shpreh edhe në vjershë. Për shembull ai shkruan:

“Balli im u përkul nga besnikëria e madhe, vetëm duke dëgjuar përmendjen e Mbretit, Perandorit tonë. Aq më tepër vetë madhështia krenohet për të, Sepse ai është Perandor i tokës dhe oqeaneve. Do të jem me fat, nëse do të bekohem – edhe pse për një grimcë kohe, nga vështrimi i tij bujar”.

Këto janë mendimet e dijetarëve të asokohe që thurnin lëvdata hipokrite për Mbretëreshën, perandorin dhe qeverinë angleze. Po, të gjithë këta, pa përjashtim, ishin të angazhuar edhe në kundërshtimin e themeluesit të xhematit Musliman Ahmedia. Por sot, ndjekësit e tyre akuzojnë se themeluesi i këtij xhemati ishte agjenti i anglezëve dhe prandaj ai e ka lavdëruar. Pse nuk thonë të njëjtën gjë në rastin e këtyre dijetarëve që kaluan çdo kufi në lavdërimin e asaj qeverie. A mos është ky qëndrim hipokrit?

Anglezët (të krishterët) janë “dexhall i pritur”

E vërteta është se nëse themeluesi i xhematit Musliman Ahmedia lavdëron qeverinë angleze për drejtësinë dhe vlerat e saj për të drejtat njerëzore si dhe për vendosjen e lirisë fetare për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim, ai gjithashtu nuk u tremb aspak për të deklaruar me argumente të qarta se është populli anglez, me të cilin përmbushen paralajmërimet e “Mesihut dexhall”. Ai shpalli këtë para syve të botës pa u frikësuar nga askush. Duke treguar përcaktimin e dexhalit dhe jaxhuxhit dhe ma’xhuxhit, ai shkruan:

“Dijeni… Allahu ju udhëzoftë… këta janë dy emra që u përkasin dy popujve që dallohen për nga përkatësia e tyre në këtë kohë. Ata janë në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe janë kombi rus e kombi anglez dhe vëllezërit e tyre. Për sa i përket dexhalit, pra ata janë priftërinjtë dhe misionarët e Biblës të cilët pështjellojnë gënjeshtrën me të vërtetën dhe mashtrojnë.”[21]

Ai shtjellon këtë çështje duke shkruar:

“Kush mund të llogaritë dëmin që iu shkaktua Islamit dhe shkallën e abuzimit që kanë bërë ndaj vërtetësisë e drejtësisë. Këto ngatërresa nuk ishin shfaqur kurrë gjatë trembëdhjetë shekujve pas hixhretit, por në fundin e shekullit trembëdhjetë u shfaq një grup i dexhallit, i cili vazhdon të përhapet. Sipas priftit Heker, numri i personave të pagëzuar në Indi ka arritur shifrën pesëqind mijë dhe parashikohet se në çdo 12 vjet 100 mijë persona do të konvertohen në fenë krishtere, në fenë e cila kërkon që një njeri i thjesht të pranohet si zot.

Nuk është fakt i panjohur për njerëz të ditur se një mori muslimanësh apo më saktë një shumicë muslimanëve nga shtresa e varfër, janë mashtruar nga priftërinjtë vetëm me bukë dhe rroba. Ata që nuk u mashtruan me bukë, janë nënshtruar nëpërmjet femrave. Ndërsa ai që shpëtoi këto mashtrime, është ndikuar nga filozofia agnostike e ateiste, dhe mijëra të rinjtë muslimanë kanë rënë pre e kësaj filozofie. Ata përbuzin namazin dhe tallen me agjërimin, ndërsa shpalljen hyjnore e konsiderojnë si një ankth i rëndë. Për ata që s’mund të shkolloheshin me filozofinë angleze, botoheshin tregime e përralla, të trilluara vetë nga priftërinjtë, në të cilat përdorej gjuha ironike dhe satira e mprehtë ndaj Islamit. Veç kësaj, ata botuan një mizëri librash kundër Udhëheqësit tanë, të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe i përhapën gjerësisht midis popullit.

Deri tani janë përkthyer një sërë librash në gjuhë të ndryshme dhe janë shpërndarë në botë. … Vetëm në këto 21 vite të fundit, kanë shpërndarë më shumë se 70 milionë libra falas për të përhapur doktrinat e tyre të shtrembra. I gjithë ky me qëllim që ndjekësit e fesë Islame të largohen prej tij dhe t’i besojnë natyrës hyjnore të Jezusit. Allahu Ekber!(Zoti është i Madh) Nëse për kombin tonë, këta ende nuk janë dexhall në shkallën më të qartë, dhe nëse populli musliman nuk ndien nevojën e Mesihut të vërtetë për të përgënjeshtruar këto doktrina, atëherë çfarë do të jetë e ardhmja e këtij kombi?”[22]

Si është e mundur se një njeri, të cilin “e ka ngritur” shteti anglez, siç sajojnë kundërshtarët e xhematit, të angazhohet në kundërshtimin e anglezëve, priftërinjve dhe të misionarëve në mënyrë që t’i shpallë qëllimet e tyre mashtruese e devijuese?

Kundërshtarët e themeluesit të këtij xhemati akuzojnë se ai bën rrezik për shtetin anglez

Elementi më enigmatik dhe paradoksal i kësaj çështjeje qëndron në faktin se hoxhallarët kundërshtues nëse ngjallnin frymë urrejtjeje tek shumica e muslimanëve kundër themeluesit të Xhematit Musliman Ahmedia, duke u thënë se ai lavdëron anglezët, ndërsa në skajin tjetër ata vetë në qëndrimin hipokrit nuk kursenin asnjë fjalë lavdëruese për anglezët për të fituar pëlqimin e tyre. Përpos këtyre dy qëndrimeve të skajshme, mbetet edhe një kënd tjetër në këtë figurë trekëndëshi, pra ata nxisnin qeverinë angleze kundër Hazret Mirza Ghulam Ahmedita.s. duke e lajmëruar fshehurazi apo haptazi se ky njeri paraqit rrezik të madh për qeverinë e tyre. Derisa ai pohon se është Imam Mehdi, qeveria angleze nuk duhet t’u besojë fjalëve të tij. Ai është Mehdi gjakderdhës që është ngritur për të shpartalluar shtetin anglez.

Në këtë kontekst citojmë disa fragmente:

I pari: Muhammed Husejn Batalvi në revistën e tij “Isha’atus Sunnah” ku ai e paralajmëron shtetin anglez për rrezikun që vinte nga themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia me këto fjalë.

“Ai që vërteton mashtrimin e tij, është fakti se me të vërtetë ai nuk i nënshtrohet asnjë qeverie jomuslimane.  Prandaj qeveria nuk duhet të mashtrohet prej tij, përkundrazi duhet të ketë kujdes prej tij, përndryshe kemi frikë që ky Mehdi Kadijani do t’i shkaktojë kësaj qeverie të tilla dëme që nuk i kishte sjellë as Mehdiu i Sudanit”.[23]

Munshi Muhammed Abdullah paralajmëron qeverinë angleze dhe e nxit për të marrë masa të rrepta kundër themeluesit të këtij xhemati, duke thënë:

“Ai nxit ndjekësit e tij kundër kësaj qeverie duke sjellë argumente nga Kurani”.[24]

Faktikisht, si pasojë e këtyre pretendimeve të rrema dhe krejtësisht të pabaza, njerëzit morën përshtypje shumë të gabuara. Gazeta Civil & Military Gazzette ishte një prej tyre, e cila iu nënshtrua verbërisht kësaj fushate akuzash. Kjo ishte ndër gazetat më prestigjioze të asokohe që botohej në gjuhën angleze, madje konsiderohej zëdhënëse e politikës angleze në Penxhab. Kjo gazetë një herë në kryeartikullin e saj, kërkoi që qeveria të vepronte kundër Mirza Ghulam Ahmedita.s.. Ajo deklaroi se ky njeri ishte tejet i rrezikshëm dhe pohimet dhe deklaratat e tij për paqe dhe mirëkuptim ndërfetar nuk duhen besuar si dhe ai mund të bënte rrezik për shtetin anglez.

E vërteta është se të gjitha këto shpifje, akuza dhe kritika ndaj tij e detyruan themeluesin e Xhematit Musliman Ahmedia të sqaronte qëndrimin për shtetin anglez dhe shtjellonte besimet dhe pohimet e tij në këtë kontekst.

Nëse themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia kishte lavdëruar anglezët, vetëm për shkak të mirësjelljes dhe favorit të tyre ndaj popullit musliman, dijetarët dhe hoxhallarët reaguan duke e akuzuar se ai nuk është veçse një farë të cilën ka mbjellë shteti anglez për të përçarë Muslimanët.

Realiteti është se sjellja e tij ishte përmbushja e një detyre fetare sipas hadithit të të Dërguarit të Allahuts.a.s se “ai që nuk është mirënjohës ndaj njerëzve nuk mund të jetë i tillë as ndaj Allahut”. Por, kur vjen fjala për besimet e tyre të devijuara dhe mbështetjen e tyre për përhapjen e fesë krishtere, ai reagon duke e qortuar fuqimisht po këtë qeveri, ndërsa dijetarët muslimanë menjëherë duke ndryshuar tonin i drejtohen shtetit dhe i thonë: Ky është armiku i pushtetit dhe tenton për përmbysjen e tij. Tani mbetet vetëm një çështje për të adresuar: Cili qëndrim është i drejtë dhe i pëlqyer prej Zotit? Qëndrimi i dijetarëve apo i themeluesit të Xhematit Musliman Ahmedia?

Anglezët e kanë konsideruar themeluesin e këtij xhemati si armik i tyre

Është fakti i njohur se anglezët nuk e shikonin me sy të mirë themeluesin e xhematit, për shkak të deklaratës së tij se ishte Imam Mahdi. Së dyti, anglezëve nuk u pëlqenin mbrojtja e fuqishme që Mirza Ghulam Ahmedia.s. i bënte Islamit dhe kritika dhe qortimi i hapur që ai u bënte doktrinave të gabuara të krishtere si dhe kundërshtimi i priftërinjve.

Qëndrimi i themeluesit të xhematit rrezikonte fuqimisht prospektin për të pagëzuar gjithë Indinë dhe si rrjedhim ëndrrën për të sunduar Indinë për gjithmonë. Për këtë arsye policia angleze e përgjonte fshehurazi veprimtarinë e tij, sidomos pas debatit që ai bëri me priftin Abdullah Atham, një nga figurat më kryesore të krishtere në atë kohë. Këtë fakt e ka pranuar vetë gazeta “Civil & Military Gazzette” përmes qëndrimit të saj ndaj themeluesit të xhematit si nënkuptohet nga titulli i kësaj teme që ajo botoi kundër tij. Titulli thotë “I marrë fetar dhe i shkalluar” dhe shkruan:

“Në Penxhab jeton një njeri fetar që vuan nga çrregullime mendore. Ai njihet si i shkalluar dhe banon në krahinën e Gurdaspur-it. Veten e quan musliman dhe pretendon se është Mesih i Premtuar. Me të vërtetë ai është i çmendur dhe ka luajtur nga mendtë dhe tani është nën përgjimin e organit të sigurisë. … Në fakt ky zotëri nga Kadijani është nën mbikëqyrjen tonë prej disa vjetësh. Ne sigurisht përkrahim këtë qëndrim, duke u mbështetur nga njohuria jonë personale rreth personalitetit dhe veprimtarisë së tij. Siç kemi parë, fuqia dhe ndikimi i tij janë gjithnjë duke u rritur, të cilat në të ardhmen e afërt do të na detyrojnë për ta këqyrur me më shumë kujdes.”[25]

E gjithë kjo shpjegon se qeveria angleze e përgjonte atë fshehurazi dhe gazeta i kishte rënë kambanës së rrezikut qysh atëherë duke e krahasuar me Mehdiun nga Sudani.

A është kjo sjellja e këtij njeriu, të cilin, sipas kundërshtarëve të xhematit, e kishte caktuar vetë qeveria angleze për të realizuar komplotet e tyre keqdashëse ndaj Islamit? Si mund të arsyetohet se ai, të cilin e ka “mbjell shteti anglez” siç thonë kundërshtarët e xhematit, të jetë nën përgjimin e policisë për të mbikëqyrur lëvizjet e veprimet e tij? Madje vetë liderët e krishterë, për shkak të ballafaqimit të fuqishëm që u bënte ai, e urrejnë aq shumë, saqë ngrenë padi në gjykatë duke e akuzuar për komplot vrasje, si një mënyrë për të mos i bjerë më në qafë dhe për të hedhur atë në qelinë e burgut.

Ndëshkimi i Allahut

Me të vërtetë, është mrekullia e fuqisë së Allahut që Ai hakmerret për xhematin e Tij dhe nxjerr të vërtetën nga goja e armiqve. Në fakt kjo është vetëm një akuzë që sekte të ndryshme kanë ngritur njëri-tjetrit duke e quajtur “farën e anglezëve”. Gazeta Çattan (në urdisht) shkruan për sektin barrelvijeh:

“Ata kanë nxjerrë vendim se anglezët janë Ulul-amrr (ata që drejtojnë punët e shtetit) dhe India është vendi islamik. Pastaj kjo farë e cila ishte mbjellë vetë nga anglezët u shndërrua në një lëvizje fetare.”[26]

Revista Tufan (urdu) shkruan rreth vehabive (selefëve):

“Duke përdorur çdo lloj mashtrimi dhe taktike, anglezët mbollën lëvizjen nexhedi (apo vehabije) edhe në Indi, dhe e ndihmuan me favorin e tyre me qëllim që ajo të përhapej dhe lulëzohej.”[27]

Thirrje Mbretëreshës Viktoria për të pranuar Islamin

Themeluesi i xhematit Musliman Ahmedia gjithmonë ndoqi rrugën e drejtë, dhe me gjithë kurajë mbrojti të vërtetën dhe kurrë u tremb nga kësisoj shpifjesh. Argumenti më i fortë për ta vërtetuar këtë, është fakti se në vitin 1893 ai iu drejtua Mbretëreshës Viktoria të Anglisë se sa i përket besimit ajo ishte në gabim, dhe i duhej të pendohej dhe të pranonte fenë Islame. Ai i shkroi një letër të gjatë, ku veç të tjerat i tha:

“O Mbretëresha e nderuar dhe madhështore! Unë habitem se pavarësisht nga lartësia e mirësisë, diturisë dhe mençurisë, ti ke mohuar fenë Islame. Ti nuk e vështron atë, ashtu siç gjykon çështjet madhështore. Ti e ke parë në një natë të errët, ndërsa tani ka lindur dielli … ti pse nuk e shikon atë në dritën e diellit?

O Mbretëresha madhështore! Zoti të ka bekuar me epërsi mbi gjithë botën, tani duhet të mendosh për mbretërinë tjetër, të pendohesh dhe të përkulesh para Zotit të Vetëm, i Cili nuk ka asnjë bir dhe që nuk ka asnjë partner në gjithësi. Tregoje vetëm madhështinë e Tij. A ju bëni zota të tjerë përveç Tij, të cilët nuk kanë krijuar asgjë, përkundrazi ata vetë janë të krijuar? Nëse ke dyshime rreth Islamit, atëherë jam këtu që të të tregoj ty provat e vërtetësisë së tij. O Mbretëreshë! Pendohu! Pendohu! Dhe dëgjo! Dëgjo! … O Mbretëresha e vendit! Pranoje Islamin që të shpëtosh”.[28]

Ky është dallim midis themeluesit të xhematit Musliman Ahmediaa.s. dhe dijetarëve të tjerë. Pra, ai përmbushi çdo detyrë ashtu siç duhej. Nëse ai i falënderoi anglezët, ata në të vërtetë meritonin mirënjohjen e muslimanëve. Por ai gjithashtu i kundërshtoi kur u takonte të qortoheshin. Ndërsa dijetarët nuk vepruan kështu. Ata trembeshin nga zemërimi i anglezëve dhe u mungonte guximi i besimit dhe dinjiteti i vërtetë i Islamit. Megjithatë, njeriu që doli përpara për të përmbushur këtë detyrë fetare u përball me sharjet dhe akuzat e dijetarëve.

Një pyetje drejtuar kundërshtarëve të xhematit

Xhihadi që nisi themelues i xhematita.s. kundër priftërinjve dhe doktrinave të shtrembra, u vlerësua edhe nga muslimanët e paanshëm. Ata gjithmonë vlerësuan e çmuan shërbimet dhe arritjet e tij për fenë Islame.  Kur Hazret Mirza Ghulam Ahmedia.s. ndërroi jetë, Ebul Kelam Azad, një dijetar i famshëm indian i bëri homazh me këto fjalë:

“Lartësia e Mirza sahibit, pavarësisht nga mospajtimi me disa nga pohimet dhe besimet e tij, u ka shkaktuar muslimanëve, pra muslimanëve të arsimuar me mendimet e ndriçuara, ndjesinë se një lider i madh i tyre është ndarë nga jeta dhe kështu përfundon mbrojtja e fuqishme e Islamit me kundërshtarët jomuslimanë që lidhej me të. … Kjo rezistencë e fuqishme mposhti goditjet e të krishterëve, që faktikisht ishin nën mbrojtjen e qeverisë angleze, faktikisht ajo ishte mbështetje kryesore e tyre. Kështu shpëtuan mijëra muslimanë, madje qindra mijëra nga mësymjet e krishterimit, pra nga një kërcënim real. Megjithatë, vetë magjia e krishterimit u zhduk duke humbur si tym në ajër. I ndjeri ndryshoi rrënjësisht mënyrën e mbrojtjes së Islamit dhe të mundurin e shndërroi në triumfues”.[29]

Mirza Hejret Dehelvi, kryeredaktor i gazetës “Kerzen Gazzette” shkroi një temë ku përmendi shërbimet madhështore që themeluesi i xhematit i bëri Islamit. Ai thotë:

“Shërbimet e çmueshme e të ndjerit, të cilat ai i bëri Islamit në ballafaqim me arjat dhe të krishterët, janë vërtetë për të lavdëruar. Ai ndryshoi krejtësisht mënyrën e debatit dhe themeloi zhanrin e një literature të re në Indi. Jo vetëm duke qenë musliman, por edhe si një studiues unë e pranoj faktin se asnjë nga liderët e mëdhenj e lëvizjes Arja (Arya Samaj) apo nga priftërinjtë nuk guxonin të hapnin gojën përpara tij. Literatura e tij frymëzuese është unike në madhështinë e saj. Librat që ai shkroi duke sfiduar krishterimin dhe sektin arija dhe argumentet bindëse me të cilat ai u drejtohej kundërshtarëve jomuslimanë, deri tani ne nuk e kemi parë askënd që t’u përgjigjej atyre”.[30]

Tani, ne pyesim kundërshtarët tanë, të cilët akuzojnë se Xhemati Musliman Ahmedia është krijuar nga anglezët për të përçarë muslimanët dhe themeluesi i tij ishte agjenti i shtetit anglez, se si shpjegohet se gjatë gjithë jetës ai iu kushtua vetëm misionit për mbrojtjen e Islamit, për epërsinë e të Dërguarit të Allahuts.a.s., për vërtetësinë e Kuranit Famëlartë, dhe u angazhua ditë e natë për përgënjeshtrimin, mposhtjen dhe asgjësimin e përpjekjeve të priftërinjve dhe misionarëve të krishterë që ata ushtronin në Indi nën patronazhin e shtetit anglez? Për çfarë arsye ai shkruan libra të tërë duke asnjanësuar ngrehinën e trinitetit dhe duke e hedhur në hava? Si dhe përse ai i mbylli gojën dhe i prishi planet e tyre? Pse i gjithë komploti i kishës pësoi një dështim të plotë duke shkaktuar kthimin e priftërinjve në Angli? Pse dijetarët e tjerë muslimanë nuk arritën këtë qëllim? Pse Zoti zgjodhi vetëm ‘agjentin e anglezëve’ për të mbrojtur Islamin dhe e ndihmoi fuqimisht kundër sulmeve dhe akuzave të armiqve ndërsa të ashtuquajturve dijetarë dhe mbrojtësve të Islamit, nuk u dha këtë përkrahje?

Fara e mbjellë nga Allahu i Plotfuqishëm dhe Lavdiplotë

Pra, në mënyrë të përmbledhur mund të themi se themeluesi i xhematit Musliman Ahmedia nuk është aspak agjent i anglezëve dhe as ky xhemat nuk është fara e shtetit anglez, por e vërteta është se atë e ka caktuar vetë Allahu i Plotfuqishëm dhe këtë xhemat e ka themeluar me dorën e Tij dhe e ka mbështetur fuqimisht me ndihmë hyjnore. Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia shkruan:

“Bota nuk më njeh por Ai që më ka dërguar më njeh mua. Ky është gabimi i tyre dhe disfata e plotë që kërkojnë shkatërrimin tim. Unë jam ajo pemë, të cilën Allahu i Madhërishëm ka mbjellë me dorën e vet. O njerëz! Dijeni mirë se më shoqëron ajo dorë që do të qëndrojë besnik deri në fund. Nëse burrat tuaj dhe gratë tuaja, të rinjtë tuaj dhe të moshuarit tuaj, të miturit tuaj dhe të rriturit tuaj, nëse të gjithë këta mblidhen për të bërë lutje për shkatërrimin tim, derisa nga sexhdet e shumta t’u kalben hundët dhe t’u mpihen gjymtyrët, po edhe në këtë situatë, Zoti nuk do t’i përgjigjet lutjes suaj dhe Ai nuk do të ndalet derisa nuk kryen punën e Tij.

Nëse nuk më përkrah askush nga njerëzit, atëherë engjëjt e Allahut do të më ndihmojnë mua. Nëse ju do të fshihni pohimin atëherë mundet që gurët të dëshmojnë për mua. Prandaj mos i bëni keq vetes suaj. Gënjeshtarët kanë tjetër fytyrë ndërsa të sinqertët kanë tjetër. Allahu nuk e lë asnjë çështje të pavendosur. Pra siç ka gjykuar Allahu përpara midis të dërguarve dhe kundërshtarëve, po kështu Ai gjithashtu do të vendosë këtë herë. Me të vërtetë, ardhja e profetëve ka stinën e vet dhe largimi i tyre ka kohën e vet. Prandaj të dini mirë se as unë nuk kam ardhur pakohë dhe as nuk do të largohem pakohë. Mos luftoni me Zotin! Nuk keni mundësi të më shkatërroni mua”.[31]

[1] Tulsi Ram, Sher-e- Punjab, botuar në 1872
[2] Molvi Muhammed Xhafer Thanisari, Suanih-e-Ahmedi, f. 24, Bilali Steam Press, Ambala, Indi
[3] Mirza Gulam Ahmed, Tablig-e-Risalet, 10 korrik 1900, vëll. 9, f. 1-2.
[4] Mirza Ghulam Ahmed, Rruhani Khezajn, El-Bilagh, vëll. 13, f. 442, 450-53, botuar në 1963.
[5] mahaxhan
[6] Mirza Ghulam Ahmed, Rruhani Khezajn, Ruidad Xhelsae Dua, vëll. 15, f. 608-10.
[7] Mirza Ghulam Ahmed, Arka e Nuhut, f.131, f. 75, Tiranë, 2020.
[8] Isha’atus-Sunnah, vëll. 6, nr. 10, f. 292-293.
[9] Isha’atus-Sunnah, vëll. 6, nr. 10, f. 287.
[10] Isha’atus-Sunnah, vëll. 6, nr. 12, f. 365.
[11] Bakiyat-e-Iqbal, hartuar nga Sayyed Abdul Wahid Mu’ini, M.A. (Oxon), f. 74-92, botuar në 1966, nga Aina-e-Adab, Anarkali, Lahore, Pakistan.
[12] Majmu’a, (Ligjëratat e Maulana Nazir Ahmad Dehlvi), f. 4-5, botuar më 1890.
[13] Si më sipër f. 19.
[14] Si më sipër f. 26.
[15] El-Islamu uen-nesranijjah (Islami dhe Kristherimi ) f. 265, 1902.
[16] Err-Rriba, Abul A’la Maududi, f. 77.
[17] An-Nadwah, dhjetor 1908, f. 4.
[18] An-Nadwah, vëll. 5, korrik 1908 f. 1.
[19] Gazeta Zamindar, Lahor, 11 nëntor, 1911.
[20] Gazeta Zamindar, 23 nëntor 1911, Lahor.
[21] Mirza Ghulam Ahmed, Ruhani Khazain, Aine Kemalati-Islam, vëll. 5, f. 459-460.
[22] Mirza Ghulam Ahmed, Ruhani Khazain, Izala-e-Auham, Vëll. 3 f. 364-365.
[23] Gazeta ‘Isha’atus Sunnah’ vëll. 16, f. 4, viti i botimit 1893.
[24] Shehadete Kur’ani, f. 20.
[25] Gazeta “Civil & Military Gazzette” botimi i datës 24 tetor 1894.
[26] Gazeta ‘Çatan’ Lahor, 15 tetor 1963.
[27] Revista “Tufan” Pakistan, 7 nëntor 1962.
[28] Mirza Ghulam Ahmed, Ruhani Khazain, Aine Kemalati Islam, vëll. 5, f. 530-534.
[29] Gazeta “Vekil” Amritsar, Qershor 1908.
[30] Gazeta “Curzon Gazzette” Delhi,1 qershor 1908.
[31] Mirza Ghulam Ahmed, Ruhani Khazain, Tuhfe Golervije, vëll. 17, f. 12-13.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp