Bindja ndaj Kalifatit të vërtetë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Allahu i Madhërishëm, në Kuranin Famëlartë ka premtuar vendosjen e Kalifatit për besimtarët, por njëkohësisht ua ka kërkuar muslimanëve të plotësojnë disa kushte dhe kritere. E gjithë kjo përmendet në suren En-Nur. Kështu, më lejoni ta filloj temën pikërisht me përkthimin e ajeteve të Kuranit Famëlartë, ku Zoti i Madhërishëm thotë:

kurani-024-056Ata bënin be e rrufe që po t’i urdhërosh, ata patjetër do të dalin (për përballje). Thuaju: “Mos bëni be, por tregoni bindje të plotë. Allahu pa dyshim është i Informuar për gjithçka që bëni”. Thuaj: “Binduni Allahut dhe binduni të Dërguarit. E nëse ktheheni, do të mbani përgjegjësinë për aq sa jeni të ngarkuar dhe ai do të ketë përgjegjësinë për aq sa është i ngarkuar. E nëse do t’i bindeni, do të gjeni udhëzimin. Kurse i Dërguari ka përgjegjësinë vetëm që të përcjellë mesazhin qartazi”. Allahu u ka premtuar atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, se do t’i bëjë patjetër kalifë në tokë, ashtu siç i ka bërë kalifë ata që ishin para tyre. Ai do t’ua përforcojë fenë e tyre, të cilën e ka pëlqyer për ta dhe do t’ua shndërrojë frikën e tyre në siguri. Ata do të më adhurojnë Mua dhe nuk do të Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që tregohen mosmirënjohës edhe pas kësaj, pikërisht ata janë të pabindur. Mbajeni namazin, jepni zekatin dhe binduni të Dërguarit, në mënyrë që të mëshiroheni.[1]

Në këto ajete, Zoti i Madhërishëm në mënyrë të theksuar ka porositur besimtarët që të tregojnë bindje të plotë ndaj (1) Zotit, (2) të Dërguarit të Tij dhe (3) Kalifëve të tij. Duke sqaruar se çfarë do të thotë bindja, Zoti thotë se bindja nuk është që të bësh be e rrufe se do të luftosh me armikun dhe do ta shkatërrosh atë etj. etj., por që t’i ndjekësh porositë e të Dërguarit me vëmendje e t’i zbatosh ato siç duhen.

Hazret Arbaz Ibni Sarija r.a. tregon:

Njëherë i Dërguari i Allahut s.a. mbajti një ligjëratë kaq emocionuese, saqë sytë na u përlotën dhe zemrat na u frikësuan. I thamë: O i Dërguari i Allahut! Duke dhënë këtë këshillë, po i ngjani atij që këshillon përpara se të largohet. Na jepni udhëzim që t’i përmbahemi rrugës së drejtë”. I Dërguari i Allahut s.a.s. tha: Unë po ju lë ju në një rrugë kaq të ndriçuar, saqë edhe nata e saj është e barabartë me ditën. Përveç fatligut, askush nuk mund të devijojë. Por, kushdo që do të jetojë midis jush, do të shikojë përçarje të madhe. Atëherë, juve ju duhet të ndiqni praktikën time të njohur dhe të ndiqni praktikën e kalifëve të udhëzuar. Binduni imamit, edhe sikur ai të jetë një skllav me ngjyrë. Kapeni fort këtë besim. Besimtari i shëmbëllen devesë që ka gojëzën. Ajo ecën aty ku e drejton.[2]

Edhe ky hadith na kërkon bindje të plotë ndaj të Dërguarit dhe kalifëve të drejtë. Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, thotë:

“Kalifati i parë i drejtë (pas Profetit Muhammed s.a.s.) u ndërpre vetëm kur muslimanët e lëshuan bindjen. Ata u privuan nga kalifati i vërtetë atëherë, kur refuzuan t’i binden kalifatit. Disa prej muslimanëve filluan të thoshin se bejtin (besëlidhjen) e tyre ata e kushtëzojnë me disa kushte. Njëri prej kushteve kryesore të tyre ishte që kalifi i kohës të hakmerrej me vrasësit e Hazret Osmanit r.a. … Pavarësisht se në atë kohë ishin gjallë shumë sahabë, por kur e refuzuan bindjen e pakushtëzuar ndaj kalifatit, u privuan nga ai. Dhe ngaqë vendosjen e kalifatit e ka marrë përsipër vetë Zoti i Madhërishëm, pas daljes së muslimanëve nga bindja, ata dështuan në çdo përpjekje për ta rivendosur kalifatin. Kalifati u shndërrua në mbretëri”.[3]

Sot pas 14 shekujsh, gjendja e muslimanëve pa udhëheqës është aq mjerane, saqë edhe dijetarët e sotëm të përçarë nuk ngurrojnë ta shprehin këtë mjerim. Dikush thotë se situata është e njëjtë që ka qenë me hebrenjtë në kohën e Hazret Isait, për të cilën Zoti thotë në Kuran:

“Ata i zuri poshtërimi e mjerimi dhe ata morën zemërimin e Allahut”.[4]

E dikush tjetër thotë se vetëm Imam Mehdiu ose Kalifati mund t’i shpëtojë muslimanët. Një dijetar i tillë (Maulana Abul Kalam Azadi) me mall shprehet:

 “Duhet zbatimi i plotë dhe pa asnjë lloj ngurrimi i të gjitha porosive që burojnë nga Kurani dhe praktika e Profetit. Të gjitha gjuhët të jenë memece e të flasë vetëm gjuha e tij (e Kalifit). Të gjitha mendjet të jenë të çaktivizuara, e të punojë vetëm mendja e tij. Njerëzit të mos kenë as gjuhë e as mendje, por të kenë zemrat që vetëm pranojnë; duart që vetëm veprojnë. Nëse nuk e kemi këtë, atëherë ka vetëm një turmë, një mizëri, një lukuni të egrish ose një pirg gurësh, por nuk ka as xhemat, as komb e as bashkësi. Janë vetëm tulla, por jo mur; vetëm gurë, por jo mal; vetëm pika ujë, por jo lumë; vetëm hallkat që hallakaten e shkatërrohen, por jo zinxhiri që mund të ndalë anije të mëdha”.

Sot, muslimanët lëngojnë nga trazirat e brendshme e të jashtme. Jo vetëm që nuk ka qetësi, por atyre nuk u duket as shpresë në fund të tunelit. A do të ishte ky vallë, fati i popullit më të bekuar, që sipas Kuranit është edhe populli përfundimtar?! Kurrsesi jo. Në fakt, Zoti ka përmbushur premtimin e tij duke dërguar Imam Mehdiun dhe Mesihun e Premtuar, në kohën e duhur. Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia pohoi:

Jam ai ujë që vjen në kohë prej qiellit
Jam ajo dritë e Zotit, që ndriçon tërë botën [5]

Sot, uji dhe drita shpirtërore e Islamit po përhapet në botë pikërisht nga Xhemati i tij. Sepse pikërisht në këtë Xhemati u përmbush profecia e Profetit Muhammed s.a.s., në të cilën ai kishte thënë se “Kalifati në rrugën e profetizmit do të rivendoset”.[6]

Frika përmes Kalifatit Ahmedia vijon të kthehet në siguri. Deri më tani pesë kalifët e tij, njëri pas tjetrit, e udhëhoqën Xhematin dhe u angazhuan tërësisht në përmbushjen e misionit të përhapjes së Islamit. Ajo që u mbetet muslimanëve është që të pranojnë zgjidhjen e bekuar që ka dërguar Zoti i Madhërishëm, sepse pikërisht në bindje ndaj planit hyjnor, qëndron jeta e besimtarëve. Po të lexojmë Kuranin me vëmendje, edhe sprova e parë për njeriun ka qenë pikërisht atëherë, kur Zoti krijoi një kalif të Tij në tokë dhe urdhëroi të gjithë që t’i binden atij. Të gjithë engjëjt si dhe ata që kanë pasur vetitë engjëllore, iu binden menjëherë. Kurse i vetmi që nuk iu bind, ka qenë Iblisi.

Çdo profet i Zotit është Kalif i Tij dhe çdo kalif i drejtë është kalif i kalifit të Zotit. Dhe siç ju thashë më parë, për gjendjen aktuale të muslimanëve, zgjidhja prej Zotit ka qenë pikërisht ardhja e Imam Mehdiut. Hazret Profeti Muhammed s.a.s. thotë:

“Kur ta shikoni, binduni atij, edhe sikur t’ju duhet të zvarriteni barkas maleve të mbuluara me borë, sepse ai është Mehdiu, Kalifi i Allahut”.[7]

Pra, sot muslimanët ahmedianë janë ata fatlumë që gëzojnë një kalif, të cilit i binden. Kjo sigurisht na rrit shumë në përgjegjësi.

Hazret Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

“Gjendja juaj në dorën e Imamit duhet të jetë si ajo e të vdekurit në dorën e atij që i lan trupin. Të gjitha synimet dhe dëshirat tuaja duhet të jenë të vdekura dhe ju të lidhni veten me Imamin në atë mënyrë, siç vagonët lidhen me lokomotivën. Pastaj vërejeni, se a do të dilni përditë nga errësira apo jo”. Ai vijon: “Kjo epokë ju ka ardhur pas 13 shekujsh dhe nuk do të përsëritet deri në kiamet. Prandaj, jini mirënjohës për këtë bekim, sepse mirënjohja juaj do t’ju shtojë bekimin akoma më shumë”.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

“Kalifati do të thotë që, kur Kalifi thotë ndonjë fjalë, duhet të lini mënjanë çdo plan, çdo mendim dhe çdo punë tjetër dhe të kuptoni se tashmë vetëm ai plan, ai mendim dhe ajo punë është e dobishme që kërkohet nga Kalifi i kohës. Derisa nuk lind ky shpirt tek anëtarët e Xhematit, çdo hytbe është e kotë, çdo plan është i gabuar dhe çdo punë është e dështuar”.

Anëtarët e Xhematit Musliman Ahmedia prej më shumë se një shekulli janë të bashkuar në dorën e Kalifatit dhe kështu, miliona njerëz përditë po përfitojnë nga bekimet madhore që vijnë nga bindja ndaj kalifatit. Do t’ju tregoj vetëm disa ngjarje.

Sir Zafrullah Khani është një personalitet i njohur edhe në Xhematin tonë, edhe në arenën ndërkombëtare. Ai ka arritur sukseset më të larta në jetën dhe profesionin e tij. Ai ka qenë President i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, pastaj edhe President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por njëherësh ka qenë edhe ahmedian i devotshëm. Kur dikush e pyeti sekretin e sukseseve të tij, ai iu përgjigj menjëherë:

“Because through all my life, I was obedient to Khilafat”,

domethënë, “Sepse gjatë gjithë jetës sime, i jam bindur Kalifatit”.

Hazret Mirza Tahir Ahmedi tregon një ngjarje që i ndodhi gjatë kohës së Kalifit të Tretë. Ai rrëfen:

“Kjo ndodhi në kohën kur Bangladeshi ishte përfshirë në trazira të mëdha. Atëherë ai quhej Bengali lindor. Unë gjendesha në Keraçi (Pakistan). Hazret Kalifi i Tretë i Mesihut të Premtuar r.a. më ngarkoi me një detyrë dhe më dha urdhër që të shkoja menjëherë në Bangladesh. Kur mora informacionet për biletat, më thanë se të gjitha vendet ishin të rezervuara. Madje, ata thanë se 20 udhëtarë janë në pritje, e jo të bëhej fjalë për ndonjë vend të lirë. Më thanë se nëse do të lirohej ndonjë vend, ata do t’u jepnin njërit prej 20 udhëtarëve që ishin në pritje. Unë u thashë: “Dikush shkon a nuk shkon, nuk më intereson. Unë patjetër do të shkoj, sepse kam marrë urdhrin e Kalifit!” Kështu, unë shkova në aeroport ku pashë radhën e udhëtarëve që po prisnin. Pas pak kohe u bë njoftim se avioni ishte nisur. Me të dëgjuar këtë, të gjithë ata që prisnin, u larguan dhe aty nuk mbeti askush tjetër, përveç meje. Më pas, në aeroport dhanë një njoftim të dytë: “Ka akoma një vend të lirë. Ai që ka biletën, le të vijë”. Shkova dhe u thashë: “Unë kam biletën”. Më thanë: “Shko me vrap se avioni pret vetëm një person”.

Në kohën kur u bënë zgjedhjet për Kalifin e pestë dhe Hazret Mirza Masrur Ahmedi u zgjodh unanimisht si Kalif, ai ende ishte në xhaminë Fazl të Londrës, një xhami që mezi mban 100 veta, por përjashta ishin afërsisht 11 mijë ahmedianë, të cilët në atë natë dimri dhe në ato orët e vona, prisnin me padurim të dëgjonin për herë të parë zërin e Kalifit të porsazgjedhur. Kalifi mbase iu drejtua atyre që ishin në xhami dhe u tha: “Uluni!”, por përmes mikrofonit ky urdhër u dëgjua edhe përjashta, atëherë, ajo që dëshmoi bota ishte e habitshme: 11 mijë veta përnjëherë ranë përdhe. Bota e pa e habitur këtë pamje që transmetohej Live.

Karakteristika e anëtarëve të Xhematit Ahmedia është që ata ngrihen dhe ulen me një shenjë të Imamit të tyre, njësoj siç ndodhte gjatë kohës së Profetit Muhammed s.a.s.. Njëherë, kur Ebu Sufjanit i ishte mundësuar të dëshmonte një pamje të tillë sesi mijëra muslimanët i bindeshin Profetit Muhammed s.a.s., ai ishte shprehur:

“Kam parë edhe oborrin e Kisrasë, edhe oborrin e Kejserit, por asnjë popull nuk kam parë kaq flijues për udhëheqësin e tij sesa popullin e Muhammedit të flijojë veten ndaj tij”.[8]

Më 28 maj 2010, dy xhamitë e Xhematit në Lahor të Pakistanit, u sulmuan nga terroristët dhe mbi 90 ahmedianë që po falnin namazin e xhumasë, u martirizuan nga dora e pamëshirshme e armikut. Atëherë, Kalifi ynë na dha mësimin e durimit dhe na porositi që të mos bëjmë asnjë lloj sabotimi apo proteste, madje të qajmë hallin vetëm para Zotit tonë. Miliona ahmedianë që ishin të shpërndarë në 200 vende të botës, edhe pse ishin tejet të brengosur, nuk ndërmorën asnjë protestë. Nuk thyen asnjë xham. Nuk dogjën asnjë flamur dhe nuk i morën hak askujt. Duke iu bindur Kalifit të tyre, të gjitha brengat ata iu paraqitën vetëm Zotit dhe Mbrojtësit të tyre të vërtetë.

Pikërisht në librin “Testamenti”, ku Hazret Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar a.s. bëri profecinë e vendosjes së Kalifatit në Xhemat, duke iu drejtuar anëtarëve të Xhematit, thotë:

“Mos mendoni se Zoti do t’ju lërë të prisheni. Ju jeni një farë që është mbjellë nga dora e Zotit në tokë. Zoti thotë se kjo farë do të shtohet, do të lulëzojë dhe nga çdo anë do të dalin degët e saj dhe do të bëhet një pemë e madhe. I bekuar është ai që beson fjalën e Zotit dhe nuk frikësohet nga sprovat që has në mes. Sepse edhe sprovat janë të domosdoshme, në mënyrë që Zoti t’ju sprovojë se kush është i vërtetë në deklaratën e tij e kush është gënjeshtar. Ai që do të lëkundet nga ndonjë sprovë, Zotin nuk mund ta dëmtojë aspak dhe fatkeqësia e tij do ta çojë atë deri në xhehenem. Për të, më mirë do të ishte të mos lindte. Por, të gjithë ata që do të durojnë deri në fund, edhe pse do të përballen me vështirësi tronditëse, ngjarje të stuhishme dhe popuj do t’i përqeshin e shpotitin, madje edhe bota do të sillet shumë e inatosur me ta, përfundimisht do të fitojnë dhe atyre do t’ju hapen dyert e bekimeve.

Zoti m’u drejtua mua dhe më tha që unë ta njoftoj Xhematin tim se ata që besuan në atë mënyrë, saqë në besimin e tyre nuk ka asnjë përzierje të kësaj bote dhe që nuk janë ndotur nga hipokrizia dhe frika, madje besimit të tyre të mos i mungojë asnjë nivel bindjeje, të tillët janë të pëlqyerit e Zotit dhe Ai thotë se vetëm të tillët janë ata, hapi i të cilëve është hapi i vërtetë”.[9]


 

[1] Kurani Famëlartë 24:54-57.

[2] حديث صحيح ، وقد رواه الإمام أحمد وأبو داود والترمذي وابن ماجه ، وصححه الألباني والأرنؤوط بِمجموع طُرُقـه

[3] Marrë nga fjalimi i xhumasë i Hazret Kalifit të Pestë të Mesihut të Premtuar, i mbajtur më 27 maj 2011.

[4] Kurani Famëlartë 2:62.

[5] “Berahin-e-Ahmedia” vëll. 5, f. 115.

[6] Musned Ahmedi, vëll. 6, f. 285; Musned En-Numan Ibni Beshir, nr. i hadithit 18596, Bejrut, 1998.

[7] Sunen Ibni Maxha, vëll. V, nr. 4084, shtypshkronja “Darussalam”, Riad, 2007.

[8] Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 92.

[9] “Testamenti”, Prishtinë 2011, f. 12

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp