Ahmeditë a janë muslimanë apo jomuslimanë? Kush e vendos?
Gjykimi i Kuranit të Shenjtë dhe i Profetit Muhammed s.a.v.s.
Shpesh në rrjetet sociale por edhe nga minberet e hoxhallarëve dëgjojmë njerëzit që deklarojnë me vendosmëri “Ahmeditë nuk janë muslimanë” “kadijanitë janë qafirë” etj., dhe duke argumentuar ata pretendojnë se ahmeditë nuk besojnë te Vula e Profetit Muhammed s.a.v.s..
Tri arsyet që pretenduesit zakonisht japin, janë:
- I gjithë umeti musliman ka shprehur konsesus për këtë çështje.
- Kështu u deklarua nga Organizata e Konferencës Islame (OIC) dhe në parlamentin e Pakistanit në vitin 1974 nga një qeveri e zgjedhur demokratike
- Deklarata personale të hoxhallarëve që gjenden nëpër YouTube a rrjetet e tjera sociale
Pastaj shtrohet pyetja: Cila nga këto më lart ka autoritetin t’i shpallë ahmedianët si jomuslimanë? Nëse i gjithë ummeti musliman apo parlamenti i një vendi ose një individ i papërmbajtur ju deklaron se “jeni qafir”, “nuk jeni musliman” ose “jeni më i keqi i jomuslimanëve”, kjo a ka ndonjë vlerë juridike a shpirtërore?
Përgjigja për të gjitha këto pyetje është JO!
Vendimi se një person është musliman apo jo, vjen vetëm nga Allahu i Lartësuar.
Vendimi i Kuranit të Shenjtë
Allahu i Madhërishëm në Kuranin e Shenjtë thotë:
قَالَتِ الۡاَعۡرَابُ اٰمَنَّا
“Beduinët thanë: “Ne besuam”
Pra, kështu pohonin arabët e shkretëtirës për besimin e tyre. Allahu i Lartësuar vijon:
قُلۡ لَّمۡ تُؤۡمِنُوۡا وَ لٰکِنۡ قُوۡلُوۡۤا اَسۡلَمۡنَا وَ لَمَّا یَدۡخُلِ الۡاِیۡمَانُ فِیۡ قُلُوۡبِکُمۡ
“Thuaj, “Ju nuk keni besuar; por thoni (vetëm), “e kemi pranuar Islamin”, sepse besimi nuk ka hyrë ende në zemrat tuaja”.” (Kurani Famëlartë 49:15)
Domethënia e këtij ajeti është sa e qartë, aq tërheqës. Vetë Zoti i Madhërishëm që di gjithçka që fsheh zemra e njeriut, pohon se arabët e shkretëtirës kanë bindje se ata janë besimtarë, por besimi i vërtetë nuk u ka hyrë ende në zemrat. Pavarësisht nga ky fakt, Zoti porosit Profetin Muhammed s.a.v.s. të mos i shpall ata si jomuslimanë, përkundrazi, t’u thotë që ata të thonë vetëm “jemi muslimanë”, ose “kemi pranuar Islamin”.
Shkurt, edhe njerëzit e tillë për të cilët Zoti i Madhërishëm është në dijeni se nuk u ka hyrë besimi akoma, gëzojnë të drejtën prej Zotit të quajnë veten muslimanë. Ky është kujdesi i lartë për të cilin Kurani Famëlartë porosit Profetin Muhammed s.a.v.s. si dhe muslimanët e tjerë që ta kenë, kur duan të deklarojnë për një person tjetër nëse është apo jo musliman.
Sërish nga Kurani, le ta shohim këtë temë, në një kontekst tjetër.
Duke iu referuar gjendjes së luftës, edhe për ata njerëz të cilët thjesht thonë “selam”, Kurani Famëlartë nuk na lejon t’i themi “nuk je besimtar”. Dihet që në raste të tilla, edhe armiku mund të hiqet duke u treguar si besimtar. Zoti i Madhërishëm thekson se nëse nuk do të veprojmë në përputhje me këtë porosi dhe do të quajmë “jo-besimtar” kë të duam sipas gjykimit vetjak, para Zotit do të jemi ndjekës të dëshirave të kësaj bote. Le ta ndjekim ajetin konkret:
“O ju që besuat! Kur të udhëtoni në rrugën e Allahut, sigurohuni, dhe ai që ju dërgon selam, mos i thoni: “nuk je besimtar”. Kërkoni pasurinë e jetës së kësaj bote, atëherë tek Allahu ka plot bekime. Kështu ishit ju më parë, pastaj Allahu ju ka bërë mirësi, prandaj, sigurohuni. Sigurisht, Allahu është i Mirinformuar për atë që bëni.” (Kurani Famëlartë 4:95)
Vendimi i Profetit Muhammed s.a.v.s.:
Duke vepruar në bazë të këtij mësimi, kur u bë regjistrimi i popullsisë nga Profeti i Shenjtë s.a.v.s. në Medinë, ai dha udhëzimet si më poshtë:
حدثنا محمد بن يوسف, حدثنا سفيان, عن الأعمش, عن أبي وائل, عن حذيفة رضى الله عنه قال قال النبي صلى الله عليه وسلم “اكتبوا لي من تلفظ بالإسلام من الناس”. فكتبنا له ألفا وخمس مائة رجل
“Hazret Hudhejfa r.a. rrëfen se Profeti i Shenjtë s.a.v.s. tha:
“Shkruani emrat e atyre njerëzve që deklaruan se janë muslimanë.”
Atëherë, ne shkruam një mijë e pesëqind burra.”
(Sahih Bukhari, Kitabul-xhihad, bab kitabetil-imanin-nas
[https://sunnah.com/bukhari/56/265])
Asnjë udhëzim shtesë nuk gjendet këtu, përveç një kriteri të vetëm: deklarata individuale e vetë njerëzve. Pra, me fjalë të tjera, Profeti s.a.v.s., i porositi sahabët:
“Nëse njerëzit quajnë veten muslimanë, llogaritini muslimanë!”
Duke zgjeruar përkufizimin e muslimanit, njëherë Profeti Muhammed s.a.v.s. gjithashtu tha:
“Ai që falet si ne, kiblen tonë e merr si kiblen e vet dhe ha mishin që therim ne, është musliman dhe është në përgjegjësinë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Prandaj, mos mashtroni në lidhje me përgjegjësinë e Allahut”.
(Sahih el-Buhari, kitab “Es-Salat”, bab “Fadli istikbalil-kibleti”, hadithi nr. 391.)
Këtu Profeti i Shenjtë (salallahu alejhi ue selem) ka shpjeguar çështjen dhe na mësoi shkurt dhe shqip: një person nëse falet si muslimanët e tjerë, ka të njëjtën kible (drejtim) gjatë namazin, pra Qaben e Shenjtë, dhe ha të njëjtin ushqim hallall si muslimanët e tjerë, ai person është musliman. Kjo porosi na jep një kornizë të qartë në përcaktimin se kush është musliman dhe kush nuk është.
Kush e vendos?
Si përfund, mund të pohojmë:
- Asnjë ixhma a konsensus i umetit nuk është i vlefshëm nëse është kundër porosive të mësipërme që gjenden në Kuran dhe hadithe.
- Asnjë parlament nuk ka autoritetin të shpallë dikë qafir a jomusliman.
- Asnjë hoxhë a përdorues i mediave sociale nuk ka autoritetin të deklarojë si qafir a jomusliman dikë që e quan veten musliman.
Autoriteti për të shpallur dikë musliman ose jomusliman qëndron vetëm tek Allahu, ose tek ai të cilit, Vetë Allahu i Madhërishëm i ka shpallur, pra i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Prandaj, ne i pyesim të gjithë ata njerëz që i shpallin ahmeditë si qafirë a jomuslimanë:
A ju ka shpallur Zoti juve dhe ju ka informuar drejtëpërdrejt se ahmedianët nuk janë muslimanë?
Pyetësor për ahmedianët
Tani, le të analizojmë nëse ahmeditë dalin në përputhje me përkufizimin e muslimanit siç thuhet në Kuranin e Shenjtë dhe në hadithet e Pejgamberit a.s.. Bazuar në burimet e lartëpërmendura, këto janë pyetje që mund t’u bëhen ahmedive:
- A deklarojnë ahmeditë: “Jemi muslimanë”?
- A thonë ahmeditë shehadetin “Lā ilāhe il-lall-llāh Muhammedun resūlull-llāh? Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut”?
- A luten ose a falen ahmeditë sikur muslimanët e tjerë?
- A drejtohen ahmeditë nga e njëjta Kible si muslimanët e tjerë, pra drejt Qabes së Shenjtë?
- A hanë ahmeditë mishin e therur hallall, siç hanë muslimanët e tjerë?
Përgjigjja që jep çdo ahmedian për këto pyetje është vetëm PO. Përtej këtij kriteri, nuk ka asnjë autoritet në këtë botë që mund t’i shpallë ahmeditë si jomuslimanë.
Po ai që bën sikur është musliman?
Ka edhe nga ata që në mesin e hoxhallarëve si dhe të ndjekësve të tyre që pohojnë: “Ahmeditë ose kadijanitë bëjnë sikur janë muslimanë, por në të vërtetë nuk janë, prandaj, nuk duhet pranuar deklarata e tyre!”
Duhet theksuar se në porositë e mësipërme të Kuranit dhe të Profetit Muhammed s.a.v.s., në mënyrë të drejtëpërdrejtë jo e jo, as edhe tërthorazi nuk përmendet që muslimanët të gjykojnë se çfarë kanë në zemër të tjerët në lidhje me besimin e tyre. Kjo çështje duhet lënë mes personit dhe Zotit.
Madje, gjatë një beteje, Hazret Osama bin Zejdi r.a., njëri prej sahabëve të Profetit s.a.v.s., ishte duke luftuar me një jomusliman dhe, në dyluftim e sipër, arriti ta mposhtte kundërshtarin. Ishte gati ta vriste, kur kundërshtari tha:
“Lā ilāhe il-lall-llāh (Nuk ka zot tjetër pos Allahut)!”
Nisur nga ideja se ai vetëm për të shpëtuar veten nga vdekja e thoshte se është musliman dhe se ai nuk qe i sinqertë, Hazret Osama r.a. e vrau atë.
Më vonë, ai vendosi të kërkonte udhëzim vetë nga Profeti Muhammed s.a.v.s. nëse kishte vepruar drejt apo jo. Fjalët e Hazret Osamës janë regjistruar në Sahihun e Imam Muslimit si më poshtë:
“Ia tregova ngjarjen Profetit s.a.v.s. dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më pyeti:
“Ai e tha Lā ilāhe il-lall-llāh-un, prapëseprapë e vrave?!”
“O i Dërguari i Allahut”, iu përgjigja “ai e tha vetëm nga frika e armës (sime).”
“Pse nuk ia çave zemrën për të ditur nëse e thoshte nga zemra apo jo!”, më tha i Dërguari i Allahut s.a.v.s..
Ai i përsëriti këto fjalë kaq shumë herë, saqë desha sikur të bëhesha musliman atë ditë (e. jo më parë, që të mos ndodhte kjo ngjarje).
Sahih Muslim, Kitabul-Iman, Bab Tahrimi katlil-kafir
[http://sunnah.com/muslim/1/183]
Me fjalë të tjera, Profeti Muhammed s.a.v.s. u ndiej shumë i shqetësuar nga veprimi i Hazret Osamës r.a. dhe i shprehu pakënaqësinë e tij vazhdimisht.
Në dritën e këtyre porosive të qarta, ne pyesim të gjithë ata që nxitohen për të shpallur ahmeditë si qafirë a jomuslimanë:
A nuk e keni frikë Allahun, që çështjen e një personi që deklaron të jetë musliman, ta merrni ju përsipër e të mos ia lini Allahut?!