A ka evoluar feja nga politeizmi në monoteizëm?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Ateizmi politeizëm monoteizëm

Kohët e fundit ka dalë një libër dhe që është mjaft i popullarizuar në shoqërinë ateiste, i titulluar

“Why There is No God: Simple Responses to 20 Common Arguments for the Existence of God”

(‘Pse nuk ka Zot: Përgjigje të thjeshta për 20 argumente të zakonshme për ekzistencën e Zotit’).

Ky artikull do të analizojë argumentin që thotë se feja u zhvillua me kalimin e kohës nga politeizmi në monoteizëm, gjë që përbën pjesën më të spikatur të kapitullit të parë të librit në fjalë.

Argumenti i librit

Kapitulli fillon duke thënë se feja fillimisht u krijua nga njeriu primitiv për të shpjeguar fenomenet natyrore, megjithatë, me kalimin e kohës, pasi njohuritë e tij për shkencën u zhvilluan, ai u gjend gradualisht në situatën ku nuk kishte më nevojë t’i shpjegonte këto fenomene me perëndi të krijuara. Me fjalë të tjera, këta zota ishin një mënyrë tjetër për të thënë “nuk e dimë”. Perënditë e shumta u morën më pas në një Zot, ndërkohë që disa njerëz zgjodhën të rrinë me alternativën e parë. Sipas librit, këta njerëz fatkeqësisht tani do të adhuronin qenie imagjinare.

Përgënjeshtrimi

Në këtë argument dallohen tri pjesë:

  1. që njerëzit shpikën perëndi të ndryshme për të mbuluar paditurinë e tyre dhe adhuruan atë nga e cila ata kishin frikë,
  2. që perëndi të shumta përfunduan në besimin e një Zoti, dhe kështu monoteizmi u zhvillua nga politeizmi,
  3. dhe që besimi në Zot nuk ka asnjë bazë të provuar.

Le t’i trajtojmë të tria pjesët me radhë.

A e adhurojmë frikën tonë?

Është një teori e vogël, e bukur në fillim: njerëzve analfabetë në shkencë, që nuk mund ta kuptonin se pse fshati i tyre po goditej nga shiu a tornadot, u duhej të nxirnin një shpjegim të arsyeshëm. Kështu ata shpikën perëndi të ndryshme për të mbuluar mangësitë e tyre në dije. Grupe burrash dinakë këto ide të ngatërruara i shndërruan në fe, duke paraqitur veten si klerikë dhe duke kërkuar epërsi në shoqëritë e tyre bestytënore. Kjo ide daton deri në antikitet, dhe përmendet në veprat e Lucretius, përpara se të udhëtonte në mendimin modern evropian përmes Thomas Hobbes, David Hume, Radikalët Francezë të Iluminizmit dhe tani trumbetohet nga ateistët e sotëm.

Së pari, dhe më e thjeshta, vlen të përmendet se teori e tillë është vetëm spekulative, me shumë pak prova. Ata paraqesin një argument se tanimë ekzistojnë prova arkeologjike (siç janë pikturat e shpellave) që mbështesin këtë teori. Por kjo si provë është shumë e dobët. Mendimi njerëzor në periudhën e hershme të zhvillimit të njerëzimit është pothuajse plotësisht i paregjistruar dhe i paqartë, dhe si i tillë mbetet një bazë të dhënash jo të besueshme për të nxjerrë përfundime.

Gjithashtu, ekziston një hendek i madh kohor midis njerëzve të hershëm, të dhjetëra e mijëra vjetve të mëparshëm, dhe fesë së konsoliduar të disamijëviteve të fundit. Prandaj, “argumente” të tilla janë thjesht një përpjekje për të projektuar tek mendjet e të parëve të hershëm besimet dhe dëshirat e filozofëve ateistë. Teoria presupozon se nuk ka Zot, kurse ky “argument” nuk ka asnjë material për ta provuar atë.

Ne duhet t’i analizojmë pak themelet e kësaj teorie. Pyetja e parë është: a e adhurojmë gjithmonë atë që nuk e kuptojmë? A e kuptojnë njerëzit e sotëm materien e errët? Aspak. Megjithatë, nuk shohim njerëzit analfabetë në shkencë duke kërkuar mënyra për ta adhuruar atë.

A e adhurojmë atë që kemi frikë? Kjo do të ishte befasuese. Ebola dhe SIDA nuk ka tërhequr dot shumë adhurues. Kështu që, duhet të jetë e qartë se njerëzit nuk e adhurojnë atë që nuk e kuptojnë ose atë që i frikësohen. Atëherë, pse duhet të mendojmë që qytetërimet antike e bënë këtë gjë?

Ndoshta mund të argumentohet se kjo është sepse ne tani mbështetemi në metodën shkencore; por kjo do të jetë historikisht naive. Vetë metoda shkencore u rafinua në qytetërimin musliman dhe më pas gjatë Rilindjes Kristiane. Këto ishin kontekste thellësisht teiste.

Jeruzalemi

Jeruzalemi përmban një pasuri të madhe të historisë fetare, të rëndësishme për shumë nga fetë kryesore të botës.

Shumë shkencëtarë edhe në këtë epokë, dhe përgjatë shekujve, kanë besuar në Zot. Sidoqoftë, besimi i tyre nuk e mashtron gjykimin e tyre shkencor. Bukuria, kompleksiteti dhe projekti mbresëlënës i natyrës i çoi ata në përfundimin se ishte vepër e një Qenieje Supreme. Realisht, mendimi i tillë nuk e ndrydh zhvillimin shkencor, përkundrazi, e nxit atë. Organizimi në natyrë i shtyn shkencëtarët të gjejnë qëllimet që fshihen pas çdo aspekti të saj, duke pasur parasysh që atë e krijoi një Qenie e Ndërgjegjshme dhe Inteligjente.

Nga monoteizmi drejt politeizmit

Ajo që Kurani propozon është në të vërtetë e kundërta e asaj që thotë argumenti në fjalë i ateistëve, duke thënë se të gjitha fetë filluan me një Profet që vendosi besimin në Një Zot, dhe më pas, me kalimin e kohës, ato degjeneruan në besime politeiste. Ndjekësit e mëvonshëm më pak shpirtërorë të këtyre Profetëve, ndryshuan të kuptuarit e tyre për besimin në Zot, duke u nisur nga njohuritë e tyre të meta. Ata e ndanë Njëshmërinë e Zotit në zota të pjesëshme, ku secili prej tyre paraqitej i mishëruar nga një a disa funksionet e Tij. Kështu që, politeizmi nuk përfundon në monoteizëm. Përkundrazi, monoteizmi degjeneron në politeizëm. Sipas Islamit, kur ndodh kjo, Zoti dërgon një Profet të ri me të njëjtat parime themelore për ta rivendosur Unitetin e Zotit dhe për të larguar besimin në idhujtari.

A ka ndonjë provë për këtë teori? Po, të çdo lloji. Një shembull i përsosur që dëshmohet nga të dhënat historike, dhe konsensusi i sociologëve dhe antropologëve, është ai i Abrogjinëve të Australisë. Këto janë fise që ishin në një gjendje shumë të ulët të civilizimit. Ata duhet të kishin vepruar si një model i përsosur për të provuar supozimin ateist se njerëzit primitivë, pra, jo-shkencorë, adhurojnë gjërat e natyrës, nga të cilat frikësohen. Nëse ateistët kanë të drejtë, nuk duhet të ketë asnjë aluzion të monoteizmit për ta, vetëm politeizëm bestytënor. Por antropologët u tronditën.

abrogjinët australianë

Studimi për abrogjinët australianë e forcon edhe më shumë idenë e Kuranit, që monoteizmi vjen para politeizmit.

Hazret Mirza Tahir Ahmed r.a., Kalifi i Katërt i Xhematit Musliman Ahmedia, i cili ishte takuar dhe biseduar personalisht me abrogjinët, përshkruan gjetjet e tij:

“Në të gjitha fiset e Australisë, pa përjashtim, ekziston një besim në një Fuqi Supreme, e cila është shkaku i parë i gjithë krijimit. Përshkrimet e tyre ndryshojnë në pika të vogla dhe terminologjia e tyre varion shumë pak, por sipas konsensusit të sociologëve dhe antropologëve, ata të gjithë, pa përjashtim, besojnë në ekzistencën e shkakut të parë, të quajtur “Zot i Lartë”, një emër tjetër i Allahut, Zotit, Brahmasë, Parmatamasë, etj..

Ideja qendrore e një Krijuesi Suprem të Përjetshëm mbetet e pandryshuar nga çfarëdo besëtytnie të tjera që ata mund të kenë ushqyer. Besëtytnitë ndryshojnë nga fisi në fis, por jo besimi i tyre në një Zot. Askund në Australi sociologët nuk gjetën ndonjë provë të një evolucioni gradual të idesë së Zotit. Pikëpamjet që mbizotërojnë midis fiseve të ndryshme ndryshojnë vetëm në përshkrim.”

Kështu që, rasti eksperimental i abrogjinëve australianë hedh poshtë pozicionin ateist dhe mbështet pozicionin Islam. Shpresojmë që të gjithë ateistët të heqin dorë nga ideja e tyre, tani kur të dhënat shkencore janë në gjendje!

Në rast se ata duan konfirmim të mëtejshëm, rastet e provës retrospektive të historisë fetare janë thellësisht udhëzuese. Kushdo që ka studiuar në mënyrë të duhur besimet politeiste ndër shekuj, do të jetë i vetëdijshëm se shumë prej tyre e kanë konceptin e një Zoti Suprem, nën të cilin veprojnë perënditë e tjera. Një shembull është ai i Hindusëve që besojnë në Zotin Suprem Brahma. Ky Zot Suprem përshkruhet si më poshtë në Bhagavad-Gita, Kënga e Zotit;

“Unë jam Ai prej të cilëve u krijuan botët dhe do të shpërndahen … i Lartësuari, jam shkaku dhe mbështetësi i të gjithëve … Unë jam ushqyes i saj. Unë jam i Dijshmi dhe i Pastri… Unë jam Qëllimi, Mbështetësi, Zoti, Dëshmitari… dhe Origjina. Unë jam Jeta dhe Vdekja… i Palinduri dhe i Gjithëpushtetshmi. Burimi dhe Zoti i të gjitha qenieve, Zoti i Zotave, Sunduesi i universit …”

Pra, kjo përputhet tërësisht me teorinë e degjenerimit monoteist që Hinduizmi, feja më e vjetër, ka numrin më të madh të perëndive me fuqi të pjesëshme. Sa më shumë kohë t’i jepet një kulture fetare, aq më shumë ndjekësit e saj zgjedhin atributet hyjnore të preferuara, i mishërojnë në perënditë e pjesëshme dhe i adhurojnë në përputhje me rrethanat.

Në fakt, ekziston një fe tjetër e së kaluarës jo aq e largët që funksionon si një shembull i përsosur i mënyrës se si monoteizmi shndërrohet në politeizëm. Krishterimi ka origjinë të qartë monoteiste, dhe pasuesit e hershëm të Jezusit dihej se ishin në të vërtetë hebre, duke besuar në konceptin unitar të Zotit. Në Dhjatën e Vjetër, në Ligjin e Përtërirë 6:4 lexojmë:

“Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm.”

Dhe Profeti Jezus, paqja qoftë mbi të, deklaroi se kjo ishte në të vërtetë e para nga të gjitha urdhërimet, siç thuhet te Marku 12:29:

Dhe Jezusi u përgjigj: “Urdhërimi i parë i të gjithëve është: “Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot,”

Ideja e Trinitetit u themelua nga Pali, i cili u refuzua nga dishepujt e Jezusit siç është e regjistruar në Veprat. Ideja e Jezusit si biri i Zotit fitoi monedhën vetëm në Romë përmes ndjekësve të hershëm të Palit, të cilët themeluan Kishën e hershme Katolike. Triniteti u kodifikua zyrtarisht vetëm në Këshillin e Parë të Nikesë në vitin 325 të erës sonë (rreth 300 vjet pasi Jezusi, paqja qoftë mbi të, solli mësimet e tij monoteiste).

Ky është një shembull i qartë se si monoteizmi mund të shndërrohet në politeizëm, i regjistruar mirë në histori. Shembuj të tjerë, siç është besimi zoroastrian në Një Zot që thyhet në dy ndër shekuj është një tjetër shembull i pakontestueshëm.

Kështu që, provat historike favorizojnë konceptin Islam të historisë sesa konceptin ateist, për sa i përket historisë dhe zhvillimit të fesë. Sigurisht, koncepti që paraqet Islami shtron një pyetje: nga vjen ideja e Një Zoti? Përgjigjen e jep vetë Kurani i Shenjtë: përmes zbulesës që u bëhet Profetëve nga Zoti i Madhërishëm, të dërguar të cilët shfaqen në gjirin e çdo populli. Kurani i Shenjtë gjithashtu jep argumente të shumta për Unitetin e Zotit, të cilat janë përtej qëllimit të këtij shkrimi. Sidoqoftë, kalimi nga bota akademike në fushën shpirtërore ju lejon të bëheni njohës të këtij fakti mbi prova personale.


Harta që tregon përhapjen e feve në të gjithë botën

Imagjinata apo realiteti

Pika e fundit e argumentit në fjalë të ateistëve është: Zoti është thjesht imagjinar, dhe se njerëzit fetarë janë mashtruar për ta besuar Atë. Realisht, kjo është thjesht një tentativë për t’i përjashtuar arsyet e vërteta që Profetët dhe pasuesit e tyre kanë parashtruar vazhdimisht se pse ata besojnë në Zot.

Për shumicën e atyre që besojnë gjatë kohës së Profetëve është jo mashtrimi, por shkalla e lartë e ndershmërisë dhe e besueshmërisë së Profetëve. Një shembull i kësaj shihet te Perandori Herakli. Ai pyeti një kundërshtar të Profetit Muhammed s.a.v.s. nëse Profeti kishte gënjyer ndonjëherë. Jo, i qe përgjigjur kundërshtari. Atëherë Herakliu pohoi:

“Ai që nuk gënjen njeriun tjetër, nuk mund ta gënjejë as për Zotin.”

Sigurisht që ka arsye tërësisht intelektuale për të besuar në Zot, për të besuar në një Organizator dhe Shkak të Universit. Me ardhjen e Profetit, ky besim vendoset në baza edhe më solide. Pasuesit e tij shohin me sy sesi ai triumfon të gjitha betejat dhe arrin të mposhtë çdo armik të tij. Ata dëshmojnë përmbushjen e profecive që bën Profeti në rrethana të ndryshme. Më pas, përmes përpjekjeve shpirtërore, ata krijojnë edhe vetë kontakt të drejtëpërdrejtë me Zotin, në formë revelatash dhe ëndrrash të vërteta dhe kështu besimi u shndërrohet në përjetim personal.

Ne gjithashtu mund të shohim prova të ekzistencës së Zotit përmes prizmit të historisë, duke analizuar fillimin dhe suksesin e feve përgjatë civilizimit njerëzor.

Nuk duhet të harrojmë se të gjitha fetë kryesore janë themeluar nga individët që kishin shumë pak fuqi dhe privilegj në këndvështrimin material. Edhe atë fuqi që kishin, hoqën dorë nga ajo, për t’u rreshtuar më pas kundër pushtetit të kohës. Idetë e tyre ishin tërësisht në kundërshtim me mendimin popullor dhe kërkonin ndryshim total në mënyrën e të menduarit të njerëzve, ndryshim rrënjësor të dokeve, zakoneve dhe të kulturës së tyre. Ata u kundërshtuan nga njerëzit më të pasur dhe më të fuqishëm të vendit.

E migjithatë, përmes tyre mbiu një farë, e cila u bë një pemë e madhe, edhe në hapësirë, edhe në kohë. Kombet madhështore dhe të sukseshme në shkencë, politikë dhe ekonomi dolën nga bashkësitë ose fetë që themeluan këta individë që quhen Profetë. Ndjekësit e tyre këtë gjë e marrin si ndihmë prej Zotit, njëherësh si provë të ekzistencës së Tij.

Dikush beson a nuk beson, nuk ka rëndësi. Ajo që është e nevojshme për ateistët nëse duan të kuptojnë rrënjet e besimit fetar është përulësia, në mënyrë që të kuptojnë besimin fetar mbi bazat e veta, e jo të ulin opinionet e besimtarëve të kohërave ndryshme. Kurani Famëlartë pohon:

“Pa dyshim,  në krijimin  e qiejve dhe të  tokës  dhe në ndërrimin  e natës  e  të  ditës,  ka  shenja për  të  mençurit. Ata që  kujtojnë  Allahun  në këmbë,  ulur  dhe kur  janë (shtrirë) në ijët  e  tyre dhe thellohen  në krijimin  e qiejve dhe të tokës:  “O  Zoti ynë!  Këto  nuk  i  ke  krijuar  kot!  Ti je i Shenjtë.  Andaj,  na  shpëto  nga ndëshkimi i  zjarrit!”” (Kurani Famëlartë 3:191-192)

Related Questions by Topics
Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp