Renditje kuptimplote e katër emrave të Zotit të përmendura në El-Fatiha

Katër emra të Zotit që përmenden në El-Fatiha janë:
- El-Hamdulil-lāhi Rabbil-‘ālemīn: Lavdia është e Allahut, Zotit të botëve
- Err-Rrahmān: të Gjithëmëshirshmit
- Err-Rrahīm: Mëshirëbërësit
- Māliki jeumiddīn: Sunduesit të ditës së gjykimit.
Mënyra siç janë renditur këto katër atribute, tregojnë bukur një kuptim shumë të lartë të rrugëtimit drejt Zotit.
Raporti i Zotit me robin dhe i robit me Zotin
Ne e dimë që Zoti i Madhërishëm ka pozitën e lartë, kurse robi e ka të ulët. Andaj, kuptojmë që nëse Zoti dëshiron t’i kushtojë vëmendje robit Ai zbret nga lart poshtë. Por nëse robi i kushton vëmendje Zotit të Madhërishëm, nga poshtë atij i duhet të shkojë lart. Duke e marrë parasysh këtë pikë, na zbulohet se këta katër emra të Zotit të Madhërishëm janë vendosur me një renditje të veçantë, të cilët na shpjegojnë rrugëtimin e Zotit drejt robit por edhe anasjelltas.
Zoti i Madhërishëm zbret drejt robit shkallazi përmes atributeve:
- Rabbil-alemin: Zoti i botëve
- Rrahman: I Gjithëmëshirshëm
- Rrahim: Mëshirëbërës
- Maliki jeumid-din: Sunduesi i kohës së gjykimit
Që do të thotë, kur Ai dëshiron të shfaqet për robin e Tij, së pari i tregon cilësinë e Zotit të botëve. Ai krijon të gjitha ato mjete, të cilat janë të nevojshme për lindjen dhe rritjen e robit të Tij të dashur. Pastaj, atij i mundëson edhe mjetet të cilat janë të nevojshme për zhvillimin e tij shpirtëror. E kur robi përfiton nga këto mjete, Zoti i jep rezultate sa më të mira dhe pas një zinxhir bekimesh që shkaktohet, vjen rezultati përfundimtar i përpjekjeve të robit. Në atë kohë, Zoti e mundëson robin ta triumfojë botën. Kështu, përmes tij shfaq cilësinë e Sundimit të Vet.
Por kur e shohim këtë rrugëtim nga krahu tjetër, pra robi dëshiron t’i kushtojë vëmendje Zotit të Madhërishëm, ai së pari duhet të krijojë cilësinë e malikut (gjykatësit) në vete. Kjo do të thotë se më së pari ai duhet të përvetësojë drejtësinë në këtë botë. Por duke qenë rob i Zotit, drejtësia e tij duhet të ketë edhe aspektin e mëshirës dhe të afvit, që do të thotë se ai nuk duhet t’i shkaktojë dëm tjetrit.
Kur robi përparon edhe më shumë, ai shfaq atributin mëshirëbërës (rrahim). Që do të thotë se njerëzit që kanë lidhje me të, ai jo vetëm i nderon, por edhe i shpërblen më shumë se sa u takon. Pra, ai fillon të krijojë në vete cilësinë e të shkaktuarit mirësi ndaj të tjerëve. Kësaj i thonë ihsan (mirësi).
Robi përparon akoma më shumë dhe fillon të shfaq cilësinë e të gjithëmëshirshmit (rrahman) të Zotit, duke u bërë mirësi jo vetëm njerëzve të vet, por edhe të tjerëve. Ndien zemërgjerësi. Si pasqyrim i të Gjithëmëshirshmit (Rrahmanit), ai ndien dashuri edhe ndaj besimtarit, edhe ndaj mohuesit, edhe ndaj atij që i ka bërë mirësi, edhe ndaj atij që nuk i ka bërë ndonjë mirësi. Kjo është gjendje që reflektohet në fjalët e Kuranit: ٳِیْتَاءِ ذِی الْقُرْبٰی “dashamirësinë si ajo që u tregohet të afërmve”. Pra, ashtu siç një nënë që i shërben fëmijës pa marrë parasysh se e ka detyrim ndaj tij ose pa pritur ndonjë shpërblim prej tij, në të njëjtën mënyrë njeriu i kësaj grade ka një dashuri amnore dhe bëhet dashamirës për mbarë njerëzimin.
Nga grada e Rrahmanit, kur robi përparon akoma më shumë, fillon të reflektojë cilësinë Rabbil-alemin (Zoti i botëve) të Zotit. Kjo do të thotë se në shikimin e tij, ai nuk sheh më vetëm individët, por gjithë sistemin dhe ai bëhet mbikëqyrës i botës. Ai përqendrohet në reformën e botës dhe arrin ta ndryshojë gjendjen e shoqërisë.
Ky rrugëtim nga lart poshtë dhe nga poshtë lart, që është përmendur në këto atribute të Zotit, fsheh sekretin e gradave të larta dhe për kërkimtarët është një mëshirë shumë e madhe.