Renditje shumë e bukur e ajeteve të sures El-Fatiha
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e Allahut
  2. Shqiptimi dhe përkthimi
  3. Përse kapitujt e Kuranit quhen sure?
  4. Nëntë emrat e sures El-Fatiha
  5. Bibla bën profeci suren e parë të Kuranit, El-Fatiha, deri në detaje
  6. Emrat e sures El-Fatiha tregojnë tema të ndryshme të saj
  7. Bekimet e sures El-Fatiha
  8. Shtatë parime të pranimit të lutjes, të përmendura në El-Fatiha
  9. Surja më e madhe e Kuranit për nga kuptimi
  10. Zbritja e sures El-Fatiha
  11. Surja El-Fatiha është pjesë e Kuranit
  12. Surja El-Fatiha të thuhet në çdo rekat të çdo namazi
  13. Përmbledhje e komentimit të Sures El-Fatiha
  14. Kuptime leksikore të ajetit Bismil-lāhirr-Rrahmānirr-Rrahīm
  15. Bismil-lahi në krye të çdo sureje është shpallje e Zotit
  16. Argumente që bismil-lahi është pjesë dhe ajet i çdo sureje
  17. Përse bismil-lahi vjen para çdo sureje? Ja, pesë arsye
  18. Rëndësia e bismil-lahit
  19. Rreth bismil-lahit në Librat e mëparshëm dhe përgjigjja e një akuze
  20. Emri Allah është i përveçëm
  21. Përse është shtuar fjala “emër” në ajetin bismil-lah “në emër të Allahut”?
  22. Kuptime leksikore të ajetit: El-Hamdulil-lāhi Rabbil-‘ālemīn
  23. Komentim i ajetit: El-hamdulil-lāhi rabbil-ālemīn
  24. Komentim i ajetit: Err-Rrahmānirr-Rrahīm
  25. Komentim mbresëlënës i ajetit: Māliki jeumid-dīn – Sunduesi i Ditës së Gjykimit
  26. Renditje kuptimplote e katër emrave të Zotit të përmendura në El-Fatiha
  27. Kuptime leksikore të ajetit: Ijjāke na‘budu ve ijjāke neste‘īn
  28. Komentim i ajetit: Ijjāke na‘budu ve ijjāke neste‘īn
  29. Kuptime leksikore të ajetit: Ihdinas-sirātal-mustekīm
  30. Komentim i ajetit: Ihdinas-sirātal-mustekīm
  31. Kuptime leksikore të ajetit: Sirātal-ledhīne en‘amte ‘alejhim
  32. Komentim i ajetit: Sirātal-ledhīne en‘amte ‘alejhim – Një synim madhor për muslimanët
  33. Renditje shumë e bukur e ajeteve të sures El-Fatiha
Related Contents from Topics
El-Fatiha nëna e Kuranit

Po t’i hedhim një sy të vëmendshëm kësaj sureje, na del në pah edhe një aspekt tjetër i bukurive të saj dhe ai është: atributet e Zotit dhe lutjet janë renditur në atë mënyrë, saqë një pjesë i përgjigjet pjesës tjetër.

Kështu, së pari thuhet: “Lavdia është e Allahut” (El-Hamdulil-lah) dhe kjo i përgjigjet lutjes “Vetëm Ty të adhurojmë” (Ijjāke na‘budu). Kjo tregon se në momentin që njeriu vetëdijesohet se është Allahu që është përmbledhësi i të gjitha vetive të mira, ai do të shprehë vetvetishëm: “Vetëm Ty të adhurojmë”.

Atributi i radhës është “Zoti i botëve” (Rabbil-‘ālemīn) dhe kjo pjesë i përgjigjet lutjes së radhës “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” (ve ijjāke neste‘īn). Sepse robi vetëm kur të jetë i bindur se Zoti është krijuesi dhe rritësi i gjithçkaje, motivohet të thotë: Vetëm prej Teje kërkoj ndihmë.

Atributi tjetër është “I Gjithëmëshirshmi” (Err-Rrahmān) që do të thotë se Ai mëshiron pa kufi e pa dallim, dhe kjo i përgjigjet lutjes tjetër që është në vijim: “Na udhëzo në rrugën e drejtë” (Ihdinas-sirātal-mustekīm). Sepse kur njeriu shikon se Zoti i Madhërishëm ia ka plotësuar çdo nevojë, pa qenë kërkesa e tij dhe pa qenë ndonjë vepër e tij, dëshira më e madhe që mund t’i lindë në zemër është që gjithsesi të arrijë tek Burimi dhe, për këtë arsye, ai do t’i kërkojë Zotit Rrahman që t’ia mundësojë ardhjen drejt Tij.

Atributi i radhës është: “Mëshirëbërësi” (Err-Rrahīm) që do të thotë se për çdo vepër të mirë, Ai të jep shpërblimin më të mirë. Lutja e radhës i përgjigjet këtij atributi, e cila është: “Në rrugën e atyre që i bekove” (Sirātal-ledhīne en‘amte ‘alejhim), sepse është atributi Rrahim, i cili bën të mundur që veprat e njeriut të mos shkojnë kot, por të sjellin rezultate të shkëlqyera.

Pastaj vjen atributi “Sunduesi i ditës së gjykimit” (Māliki jeumid-dīn) dhe kjo i përgjigjet lutjes “jo në rrugën e atyre që tërhoqën zemërimin Tënd dhe as të atyre që devijuan” (gajril-magdūbi ‘alejhim ve led-dāl-līn). Sepse kur njeriu do të jetë i bindur se atij do t’i kërkohet llogari, gjëja e parë që i lind në zemër është frika e dështimit dhe e devijimit. Prandaj, ai që mendon rreth atributit Māliki jeumid-dīn, patjetër që do të lutet që të mos shkaktojë zemërimin e Zotit dhe të mos devijojë nga rruga e Tij.

Udhëzim që përputhet me natyrën e njeriut

Nëse u hedhim një sy me vëmendje ajeteve të kësaj sureje të shenjtë si dhe renditjes së tyre, na bëhet i qartë udhëzimi që mëson rrugëtimin shkallë-shkallë drejt Zotit të Madhërishëm.

Një qenie e caktuar mund të adhurohet vetëm për dy arsye: ose nga dashuria, ose nga frika ndaj saj. Dhe cilësitë e Veta që Zoti i Madhërishëm na ka treguar në këtë sure, na i mundësojnë të dyja këto elemente. Ka njerëz, të cilët nga natyra çmojnë dashurinë dhe mirësinë më shumë, dhe kur i shohin këto vlera te tjetri, motivohen t’i binden atij. Por ka të tjerë që nuk i përfillin shumë mirësitë dhe të tillët i bind frika. Së dyti, çdo i mençur së pari përpiqet të bëjë punën përmes rrugës së dashurisë, dhe nëse nuk e arrin në këtë mënyrë, e përdor frikën si motivim.

Në këtë sure, edhe Zoti i Madhërishëm së pari parashtroi atributet, të cilat nëse njeriu i përsiat, dashurohet me Zotin. Ai do të mendojë se Zoti që quhet Allah, është përmbledhësi i të gjithë mirësive dhe i pastër nga çdo e metë [El-Hamdulil-lah]; Ai është Krijuesi dhe Furnizuesi i çdo gjëje, që kujdeset si për ata që e besojnë, ashtu edhe për ata që e mohojnë [Rabbil-‘ālemīn]; Ai paraprakisht krijoi të gjitha ato mjete që do të ishin jetike për ne, madje edhe shumë gjëra të tjera që ne ende nuk i kemi zbuluar [Err- Rrahmān]; çdo vepër të mirë që bëjmë, Ai na e shpërblen në mënyrën më të mirë [Err-Rrahīm]. Ata të cilëve u bën përshtypje mirësia dhe dashuria e Zotit, duke i studiuar këto atribute, do të thonë vetvetishëm: “Vetëm Ty të adhurojmë”, dhe do të përkulen para Tij.

Kurse ata të cilëve nuk u bëjnë ndikim mirësia dhe dashuria dhe janë mësuar me një trajtim më të rreptë, kur shohin se si Allahu i Madhërishëm gjykon çdo gjë, aq saqë një ditë të gjithë do të paraqiten para Tij për t’i dhënë llogari për të gjitha mirësitë dhe bekimet që Ai u ka dhënë, pra, kur thellohen në atributin “Sunduesi i kohës së gjykimit” [Māliki jeumid-dīn] do të ndiejnë një frikë, saqë edhe ata në mënyrë të vetvetishme do të thonë: “Vetëm Ty të adhurojmë”, dhe do të përkulen para Tij.

Kështu që, nga këto dy kategori njerëzish, cilido qoftë, duke studiuar ajetet e para të sures El-Fatiha, do të pohojë natyrshëm: Ijjāke na‘budu “Vetëm Ty të adhuroj”. Por, pasi zbulon bukurinë dhe dashurinë e Zotit, ose madhështinë dhe sundimin e Tij, do ta konstatojë edhe pafuqinë e tij për ta arritur Atë, andaj, bashkë me këtë lutje, do t’i duhet të thotë: ve ijjāke neste‘īn “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”, sepse ai do ta kuptojë se detyrën e adhurimit nuk mund ta bëjë dot siç duhet për shkak të dobësisë së vet nga njëra anë, dhe për shkak të përkushtimit që duhet t’i kushtojë Zotit nga ana tjetër.

Kur dashuria e mbush kupën dhe edhe madhështia e Zotit mbretëron fuqishëm në zemrën e robit, natyra e tij vetë do t’i kërkojë: Ihdinas-sirātal-mustekīm “Më udhëzo në rrugën e drejtë!” Rruga e drejtë gjithmonë është më e shkurtër se rrugët e tjera. Andaj, ky ligjërim reflekton edhe dashurinë e robit që thotë: O Zot! Nuk mund të qëndroj më larg Teje, andaj, tregoma rrugën më të shkurtër, që të vij sa më shpejt drejt Teje.

Por, ata që arrijnë në oborrin Hyjnor, dihet se nuk janë të gjithë të një grade. Mund të jenë edhe njerëz të thjeshtë dhe mund të jenë edhe të veçantë. Prandaj, pas kërkesës së mësipërme, vetë natyra e njeriut do t’i kërkojë Zotit: Sirātal-ledhīne en‘amte ‘alejhim “O Zot! Më trego jo vetëm rrugën e drejtë, por rrugën e atyre që Ti i ke bekuar”. Pra, robi i kërkon Zotit që pranë Tij, ai të mos llogaritet me njerëzit e thjeshtë, por me të dashurit e Tij; duke qenë rob i dashuruar me Zotin, të bëhet edhe i dashur i Zotit (sepse grupi që është bekuar prej Zotit është ai që ka fituar dashurinë e Zotit; xhemati që gëzon vetëm bekime hyjnore në çdo hap, quhet xhemati i dashur i Zotit). Kështu që, robi kërkon dashurinë e atij niveli, që nuk ka asnjë largësi. Në këtë gradë njeriu përsoset. Largohet çdo distancë mes të dashuruarit dhe të dashurit.

Megjithatë, besimi ngaqë mbetet:  بَیْنَ الْخَوْفِ وَالرِّجَاءِ “mes frikës dhe shpresës”, njeriu në këtë gradë, pavarësisht se ka kënaqësinë më të madhe shpirtërore, ai do të dëshirojë që kjo gjendje e tij të mbetet e përhershme dhe të fitojë palëkundshmëri në këtë rrugëtim. Andaj, Zoti që është Bujar, Vetë e mësoi njeriun t’i lutet: O Zot! Bëje që pas këtij takimi me Ty, të mos ndahem kurrë prej Teje. Ndarja bëhet për dy arsye: kur i dashuri është i pakënaqur dhe e përzë atë që pretendon të jetë i dashuruar, ose vetë i dashuruari heq dorë nga dashuria. Ajeti i radhës i përmend të dyja situatat. Pra, thotë: gajril-magdūbi ‘alejhim “O Zot! Mos ndodhtë që unë të bëj ndonjë gabim dhe të Të shkaktoj zemërim” dhe thotë: ve led-dāl-līn “As mos ndodhtë që pasi të kem arritur te destinacioni i duhur, unë vetë të ftohem nga dashuria ndaj Teje, duke u dashuruar me dikë a diçka tjetër!”

Kjo është një lutje kaq e përsosur saqë, Vetë Zoti i Madhërishëm nga mëshira e Tij ia mësoi njeriut që ai të lutet pranë Tij. Kaq e përsosur është saqë asnjë fe tjetër nuk mund të sjellë të ngjashmen e saj. Mendoni, se si është paraqitur natyra e njeriut që nga fillimi deri në fund! Si kjo sure kaq e vogël ka përmbledhur ilaçin e njerëzve të gjithfarë mendimesh! Andaj, ata që dinë të kuptojnë, le të kuptojnë dhe ata që dinë të mendojnë, le të mendojnë se nuk ka fe tjetër shpëtimtare për botën përveç Islamit dhe nuk ka libër tjetër që kuron sëmundjet shpirtërore, përveç Kuranit.

Āmīn

Në hadithet e sakta (sihah) përmendet se Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. kur e përfundonte suren El-Fatiha në namaz, pra duke lexuar ajetin: gajril-magdūbi ‘alejhim ve led-dāl-līn, thoshte: Āmīn,[1] që do të thotë:

amin El-Fatiha lutje

O Allah! Na prano lutjen!

Po kështu vërtetohet nga sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta, që ndoqën praktikën profetike.


[1] Sahīh Muslim, kitāb “Es-Salāt”, bāb “En-Nehju ‘an mubāderetil-imāmi bit-tekbīri ve gajrihi”, hadithi nr. 923.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp