
صِرَاطَ الَّذِیۡنَ اَنۡعَمۡتَ عَلَیۡہِمۡ ۬ۙ
غَیۡرِ الۡمَغۡضُوۡبِ عَلَیۡہِمۡ وَ لَا الضَّآلِّیۡنَSirātal-ledhīne en‘amte ‘alejhim
gajril-magdūbi ‘alejhim ve led-dāl-līn.
“Në rrugën e atyre që i bekove, që nuk tërhoqën zemërimin dhe që nuk devijuan”. (El-Fatiha 1:7)
أَنْعَمْتَ en‘amte
Vjen nga ٳنعام in’am, që do të thotë të jap bekim dhe të jap diçka shtesë.[1]
Kjo fjalë përdoret atëherë kur marrës të bekimit janë njerëzit.[2] Për shembull, nuk thuhet që filan njeri bekoi kalin ose lopën, por thuhet se filan njeri bekoi filanin.
الْمَغْضُوب El-Magdūbi
Vjen nga ٵَلْغَضَبُ el-gadabu që do të thotë:
“Furia e gjakut në zemër që shkaktohet nga mendimi për të ndëshkuar”.
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“Ruhuni nga zemërimi sepse ai është një shkëndijë që ndizet në zemrën e birit të Ademit. A nuk keni parë kur dikush zemërohet, i fryhen damarët dhe i skuqen sytë?”[3]
“Dhe kur kjo fjalë i atribuohet Allahut të Madhërishëm, nënkupton vetëm ndëshkimin, pa vetitë e tjera”.[4]
Andaj, gajril-magdūbi ‘alejhim u referohet atyre, që Zoti i Madhërishëm ua cilësoi veprat të këqija dhe vendosi t’i ndëshkojë.
وَلَا الضَّآلِّیْن Ve led-dāl-līn: as të devijuarit,
Vjen nga ضَلَّ dal-le, që do të thotë devijoi nga rruga e drejtë dhe kjo folje përdoret si antonim i fjalës hidajet. ضَلَال Dalal përdoret për çdo veprim që bie ndesh me rrugën e drejtë, veprim i cili bëhet qoftë me vetëdije a pavetëdije, qoftë i vogël a i rëndë.[5]
Një kuptim tjetër i fjalës ضَلَّ dal-le është të përqendrohesh në një punë të caktuar. Në Kuranin Famëlartë thuhet:
اَلَّذِیۡنَ ضَلَّ سَعۡیُہُمۡ فِی الۡحَیٰوۃِ الدُّنۡیَا
“Ata që përqendruan gjithë përpjekjen e tyre vetëm në jetën e kësaj bote”.[6]
Kuptimi i fjalës dal-le në ajetin e sures Ed-Duha
Po këtë kuptim e ka kjo fjalë në ajetin:
وَ وَجَدَکَ ضَآلًّا فَہَدٰی
“Dhe ty të gjetëm të zhytur a të përqendruar (në dashurinë Tonë), andaj të udhëzuam (drejt Nesh)”.[7]
Edhe në gjuhën urdu përdoret në kuptimin “i përhumbur”. Për shembull, thuhet se filani këto ditë rri si i përhumbur, që do të thotë se rri i zhytur në një mendim të caktuar. Kjo si shprehje përdoret edhe në gjuhën angleze. Me këto referenca, dua t’ju them se kjo është si shprehje që reflekton një karakter të natyrës njerëzore dhe si e tillë shumë gjuhë e kanë pranuar atë. Në ajetin: “Ty të kemi gjetur të përhumbur dhe të udhëzuam” fjala ضَلَّ dal-le pikërisht këtë kuptim ka.
Pra, Profeti Muhammed s.a.v.s. ishte i zhytur në dashurinë ndaj Zotit dhe gjithnjë rrinte i përhumbur dhe këtë e pëlqeu Zoti i Madhërishëm. Dashuria e Profetit s.a.v.s. tërhoqi dashurinë e Zotit. Me një fjalë, i dashuruari nga përhumbja e vet e arriti dashurinë e Zotit. Por duhet ditur që fjala ضَلَّ dal-le, përgjithësisht përdoret në kuptimin negativ. Për të pasur kuptim pozitiv, ajo ka nevojë për një kontekst, sikundër në këtë ajet, ku thuhet: فَھَدٰی “e udhëzoi ose e përudhi”.
[1] Sa‘īd el-Khūrī esh-Shertūnī, “Akrebul-Mevārid fī Fusahil-‘Arabijjeti vesh-Shevārid”, vëllimi i dytë, zëri: nūn-‘ajn-mīm (نعم), Kum 1403 h./ 1983, fq. 1321.
[2] Er-Rāgib el-Isfahānī, “Mufredāt Elfādhul-Kurān”, redaktor: Safvān Adnān Dāvūdī, botimi i katërt, boton: “Dārul-Kalem”, zëri: nūn-‘ajn-mīm (نعم), Damask, 1430 h./ 2009, fq. 815.
[3] Ibn Ebī Shejbeh, “Musannef”, vëllimi VIII, redaktor: Usāme bin Ibrāhim bin Muhamed, botues “El-Fārūk el-Hadītheh”, Kajro 1429 h./ 2007, kitāb “El-Edeb”, bab “Mā dhukire fil-gadabi mimma jekūluhu er-rexhul”, hadithi nr. 25788, fq. 387.
[4] Er-Rāgib el-Isfahānī, “Mufredāt Elfādhul-Kurān”, redaktor: Safvān Adnān Dāvūdī, botimi i katërt, boton: “Dārul-Kalem”, zëri: gajn-dād-bā (غضب), Damask, 1430 h./ 2009, fq. 608.
[5] Po aty, fq. 509.
[6] El-Kehf 18:105.
[7] Ed-Duha 93:8.