Rreth zbritjes së kësaj sureje, Ibni Abasi r.a., Katade dhe Ebul-Alije thonë se është mekase, kurse Ebu Hurejra r.a., Muxhahidi, Atau dhe Zuhriu thonë se është medinase. Por, nga Kurani Famëlartë del se kjo sure u zbrit që në Mekë, sepse ajo përmendet në suren El-Hixhr dhe surja Hixhr unanimisht pranohet si sure mekase. Në suren El-Hixhr përmendet:
“Sigurisht, Ne të kemi dhënë një shtatëvargësh të përsëritur dhe Kuranin e Madhërishëm”. (El-Hixhr 15:88)[1]
El-Fatiha u zbrit edhe në Mekë, edhe në Medinë
Sipas disa dijetarëve, El-Fatiha është zbritur dy herë, herën e parë në Mekë, kurse herën e dytë në Medinë, andaj ajo është edhe mekase, edhe medinase. (Kjo përmendet në Kurtubi, duke iu referuar Tha’lebiut[2], por në komentimin e Tha’lebiut, që titullohet “Metbu’a el-xhezair” nuk përmendet ky fakt.
Ndoshta Kurtubiu e ka marrë këtë të dhënë nga ndonjë libër tjetër i Tha’lebiut). Edhe sipas meje, ky është mendimi i saktë. Është e vërtetuar që ajo është mekase dhe është provuar nga rrëfime bindëse që ajo është edhe medinase.
Pra, në realitet ka zbritur dy herë. E kur zbriti për herë të dytë në Medinë edhe Profeti Muhammed s.a.v.s. e ka përmendur zbritjen e tij në ndonjë mbledhje, si duket, disa nga të pranishmit kanë kuptuar se ajo vetëm atë ditë ka zbritur, ndërkohë, qëllimi i Profetit s.a.v.s. mund të ishte të thoshte se surja në fjalë u zbrit edhe në Medinë.
Një tjetër provë që El-Fatiha është mekase është që të gjithë rrëfimet pohojnë se ajo recitohej në namaz që nga fillimi. Ndërkohë, muslimanët që në Mekë e kishin filluar të falnin namazin, madje që në periudhën e parë.
[1] Ebū ‘Abdullāh el-Kurtubī, “El-Xhāmiu li-Ahkāmil-Kurān”, vëllimi i parë, redaktor: dr. ‘Abdullāh bin ‘Abdul-Muhsin et-Turkī, botues “Muessesetur-Risāleh”, Bejrut 1427 h./ 2006, fq. 177.
[2] Po aty, fq. 179.