
Të gjitha suret e Kuranit fillojnë me بِسۡمِ ٱللهِ ٱلرَّحۡمَـٰنِ ٱلرَّحِيمِ Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim, përveç sures Bera’et (Et-Teube), por pohimi më i saktë rreth saj është që ajo nuk është sure më vete, por është pjesë plotësuese e sures El-Enfal, andaj, ajo nuk fillon me bismil-lah të ri.
Në Sunenin e Ebu Davudit përmendet një rrëfim nga Abdullah Ibni Abasi r.a., i cili thotë:
“Pa zbritjen e bismil-lahit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk e quante shpalljen si sure të re”.[1]
Pra, pas përfundimit të një sureje, surja e re fillonte të zbritej me zbritjen e bismil-lahit. Këtë rrëfim e sjell edhe Hakimi në Mustedrekun e tij.[2]
Ky hadith tregon se para çdo sureje të re, zbriste bismil-lahi dhe fundi i sures së vjetër kuptohej vetëm kur zbriste bismil-lahi i një sureje të re. Andaj, kur nuk zbriti bismil-lahi para sures Bera’et, nënkuptohet që ajo nuk është ndonjë sure e re, por është pjesë e sures El-Enfal.
Ky hadith gjithashtu provon se bismil-lahi që përmendet para çdo sureje, çdo herë ishte shpallur prej Zotit dhe si i tillë, ai është pjesë e Kuranit dhe jo diçka shtesë.
Rreth bismil-lahit disa dijetarë menduan se ai nuk është pjesë e çdo sureje, por vetëm e sures El-Fatiha, ndërsa disa të tjerë thanë se ajo nuk është pjesë e asnjërës prej sureve të Kuranit. Por kjo nuk është e saktë. Këtë e hedh poshtë, në radhë të parë, hadithi që u citua më lart. Së dyti, ka shumë hadithe të tjera, në të cilat i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bismil-lahin e quajti si pjesë të sureve të Kuranit. Për shembull, lidhur me faktin se ai është pjesë e sures El-Fatiha, Darekutniu sjell një rrëfim nga Ebu Hurejre r.a., i cili thotë:
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“Kur recitoni El-Hamdulil-lah-in, thoni edhe Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim, sepse El-Fatihaja është nëna e Kuranit, nëna e Librit dhe Shtatëvargëshi i përsëritur, ndërkohë Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim është njëri prej ajeteve të saj”.[3]
Këtë rrëfim e ka sjellë edhe Imam Buhariu në librin e tij “Tarih”.[4]
[1] Sunen Ebī Dāvud, kitāb “Es-Salāt”, bāb “Men xhehere bi bismil-lāhirr-rrahmānirr-rrahīm”, hadithi nr. 788.
[2] Ebū ‘Abdullāh el-Hākim en-Nīsābūrī, “El-Mustedrek ‘alā es-Sahīhajn”, kitāb “Es-Salāt”, bāb “Et-Te’mīn”, hadithi nr. 845.
[3] Sunen Dārekutnī, kitāb “Es-Salāt”, bāb “Vuxhūb kirāeti bismil-lāhirr-rrahmānirr-rrahīm fis-salāti ve xhehri bihā ve ikhtilāfir-rivājāti fī dhālike”, hadithi nr. 1175.
[4] Ebū et-Tajjib Siddīk bin Hasan, “Fet’hul-Bejān fī Mekāsidul-Kurān”, vëllimi I, redaktor: ‘Abdullāh ibn Ibrāhīm el-Ensārī, botues “El-Mektebetul-‘Asrijjeh”, Bejrut 1412 h./ 1992, fq. 38.