
Shtrohet edhe një pyetje tjetër: Bismil-lah si lutje duhet të ishte: “Lexoj Kuranin me ndihmën e Allahut…” por është: “Lexoj me ndihmën e emrit të Allahut”. Pra, pse i është shtuar fjala “emër”? Përgjigjet me hollësi vijojnë:
1) Në arabisht, parafjala bi, përveç kërkimit të ndihmës, përdoret edhe për t’u betuar. Po të ishte vetëm باللہ bil-lahi, mund të lindte dyshim për lexuesin se kërkohet ose bëhet betimi me këto fjalë. Për ta larguar këtë dyshim, kësaj lutjeje i është shtuar edhe fjala ٳسم ism “emër”.
2) Zoti i Madhërishëm është i Padukshëm dhe Ai njihet vetëm përmes cilësive të Tij, ndaj është shtuar fjala “emër”. Edhe cilësitë Rrahman i Gjithëmëshirshëm dhe Rrahim Mëshirëbërës kanë të njëjtin funksion, pra të thuash: i kërkoj ndihmë Allahut në saje të cilësive të Tij Rrahman dhe Rrahim.
3) Na është tërhequr vëmendje se emrat e Allahut janë të bekuar dhe se ne duhet të thellohemi në ta.
4) Kurani Famëlartë është thesar i kyçur. Kur dikush hyn në një shtëpi a institucion, ku hyrja nuk është e lirë për çdokënd, ai duhet të paraqesë para personave të sigurisë një leje të lëshuar nga pronari ose shefi, ose t’u thotë se më kërkon shefi juaj. Edhe policia kur hyn për të kontrolluar ndonjë shtëpi, u thotë banorëve se po hyjnë në emër të shtetit dhe po u konfiskojnë këtë ose atë pasuri. Kështu që, me shtimin e fjalës “emër”, edhe në ajetin konkret është thënë se ai që lexon Kuranin, pasi të lexojë bismil-lahin, u kërkon engjëjve të përcaktuar për shërbimin e Kuranit: “Zoti i Madhërishëm Vetë më dha urdhër ta lexoj këtë sure, andaj më hapni derën e kuptimeve të saj”, dhe me fjalë të shkurtra, lexuesi bën dua duke thënë: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit, lutem që të më hapet ky thesar”. Dihet që ai që thellohet në Kuranin Famëlartë me këtë përkushtim, me këtë urdhër të Zotit të Madhërishëm, do të përfitojë nga dijet e tij. Por ai që nuk i kushton rëndësi emrit të Allahut dhe urdhrit të Tij, madje e lexon me inat për të krijuar akuza, nuk do t’i hapen thesaret e tij.
5) dhe 6) Fjala “emër” u referohet dy profecive të Biblës që janë përmendur në vargun 18 dhe 20 të kapitullit 18 të librit Ligji i Përtërirë, të cilat i kam shpjeguar nën pyetjen: Përse bismil-lahi vjen para çdo sureje? Dhe urtësia është që sipas këtyre dy profecive, Profeti i premtuar do t’u lexonte njerëzve Fjalën e Zotit me emrin e Tij. Pra, për të tërhequr vëmendjen e lexuesve te këto profeci, ishte e nevojshme që bismil-lahit t’i shtohej fjala “emër”.