
Emri El-Fatiha i kësaj sureje ka edhe një veçanti. Ai gjendet si profeci edhe në libra të shenjtë të mëparshëm. Kështu, në vargun e dytë të kapitullit 10 të librit “Zbulesa” thuhet:
“Ai kishte në dorë një libërth të hapur dhe vuri këmbën e tij të djathtë mbi det dhe të majtin mbi dhe, dhe thirri me zë të madh si një luan që vrumbullon; dhe, si bërtiti, të shtatë bubullima bënë të dëgjohej ushtima e tyre”.[1]
Këtu gjejmë në formë profecie edhe emrin, edhe numrin e ajeteve të sures El-Fatiha. Përkthyesi duke mos ditur kuptimin e vërtetë të profecisë, fjalën hebraike “futuha” e përktheu “libër i hapur”, ndërkohë “futuha” nuk ishte gjë tjetër, veçse “fatiha” [edhe fatiha do të thotë hapje]. Shtatë bubullimat që janë përmendur në këtë profeci, u referohen shtatë ajeteve të kësaj sureje. Dijetarët e krishterë e pranojnë unanimisht që në këto vargje të librit të Zbulesës është parashikuar ardhja e dytë e Mesihut dhe kjo është plotësisht e vërtetë. Fjalët e profecisë tregojnë që surja në fjalë do të jetë e kyçur deri në kohën e ardhjes së Mesihut, pra shpjegimi i saj do të zbulohej në kohën e Mesihut të Premtuar. Kështu, në vazhdim të librit të Zbulesës thuhet që një zë qiellor iu drejtua të dërguarit dhe e porositi:
“Vulosi gjërat që thonin të shtatë bubullimat dhe mos i shkruaj.”[2]
…
Profecia për ajetin e parë të sures El-Fatiha
Ka edhe një arsye tjetër që tregon se përse Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim vjen para çdo sureje, e cila është që në Bibël përmendet një profeci për ardhjen e një profeti të ngjashëm me Musain a.s., ndaj të cilit Zoti do të kishte një sjellje të veçantë. Bibla thotë:
“Unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj. Dhe do të ndodhë që, nëse dikush nuk i dëgjon fjalët e mia që ai thotë në emrin tim, unë do t’i kërkoj llogari”.[3]
Sipas kësaj profecie, për të ngjashmin e Musait a.s. ishte caktuar që sa herë që ai do të sillte fjalët e Allahut të Madhërishëm, do të pohonte shprehimisht “Unë këtë po jua them në emër të Zotit të Madhërishëm dhe jo nga ana ime”. Pra, kjo profeci kërkonte që çdo sure e Kuranit të fillonte me bismil-lahin [Në emër të Allahut …], në mënyrë që të përmbushej profecia e Hazret Musait a.s. në njërën anë dhe, në anën tjetër, t’u jepej argument hebrenjve dhe të krishterëve se ata që nuk do ta dëgjonin këtë libër, sipas shpalljes së Musait a.s., do të tërhiqnin ndëshkimin e Zotit.
Vërtetësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
… përse ky ajet është vendosur para çdo sureje, është përsëri një thënie e Biblës, që thotë:
“Por profeti që pretendon të thotë në emrin tim një gjë për të cilën unë nuk e kam urdhëruar ta thotë, ose që flet në emër të perëndive të tjera, ai profet do të vritet”.[4]
Sipas këtij vargu biblik, çdokush që gënjen në emër të Zotit duke thënë se është i dërguar, Zoti do ta shkatërrojë atë. Me bismil-lahin para çdo sureje, hebrenjtë dhe të krishterët në veçanti dhe të gjithë të tjerët në përgjithësi ballafaqohen me argumentin se suksesi dhe përparimi i Profetit Muhammed s.a.v.s. edhe pas ekzistencës së një ligji të tillë të Zotit, tregon se çdo gjë që tha ai, ishte prej Zotit të Madhërishëm. Përndryshe, ai duhej shkatërruar. Shkurt, duke sjellë bismil-lahin para çdo sureje, sidomos hebrenjtë janë cilësuar plot 114 herë si fajtorë, dhe po aq herë Profeti Muhammed s.a.v.s. është cilësuar si profet i vërtetë. Po të ishte bismil-lahi vetëm në fillim të Kuranit, nuk do të sigurohej ky përfundim.
(Dy pjesë të shkëputura nga: Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Komentim i Sures El-Fatiha“, Tiranë, 2018, f. 14 dhe f. 42-44)
[1] Zbulesa 10:2-3. Bibla, Dhjata e Re, përkthyes dhe botues: “Shoqata Shqiptare e Biblës (The Albanian Bible Society)”, Tiranë, korrik 1995, fq. 293.
[2] Zbulesa 10:4. I njëjti botim.
[3] Ligji i Përtërirë 18:18-19. I njëjti botim, fq. 202.
[4] Ligji i Përtërirë 18:20. I njëjti botim.