Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi (r.a.)

I biri i premtuar i Mesihut të Premtuar dhe Imam Mehdiut; shenjë e manifestimit të Allahut të Plotfuqishëm; fjala e Zotit, e cila ishte parashikuar nga Profeti Muhammedsa si dhe nga Mesihu i Premtuaras gjithashtu; yll i tillë i qiellit shpirtëror që kërkon qindra vite për t’u shfaqur një herë; njeri i Zotit i kurorëzuar me dritë që rrezaton për të rrënjosur jetën shpirtërore te pasuesit e tij e për të magjepsur ata që nuk kanë pasur fatin e ndjekjes së tij; orator me një kualitet fenomenal saqë fjalimet e tij e mbanin audiencën të vëmendshme për orë të tëra; oqean i dijës shpirtërore; zëri i kohës; gjeni i shekullit XX; njeri me aftësi madhore të lidershipit e me dhunti të shumta ishte Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedira (1889-1965), i biri i Themeluesit të Xhematit Musliman Ahmedia, Mesihut të Premtuaras dhe Kalifi i Dytë i tij. Ai u zgjodh në këtë detyrë që në moshën 24 vjeçare, kur Xhemati ende ishte në periudhën foshnjore. Në një periudhë mbi pesëdhjetëvjeçare të Kalifatit të tij, ai e rriti, mbrujti dhe e formoi Xhematin përmes udhëzimeve shpirtërore, lutjeve, lotëve, rraskapitjeve dhe gjakut të tij. Ai jo vetëm që forcoi Xhematin, themelet e të cilit ishin hedhur nga Mesihu i Premtuaras, por gjithashtu e zgjeroi atë duke inicuar projekte, organizata dhe programe të ndryshme, duke u inspiruar prej Mesihut të Premtuaras dhe duke vepruar nën udhëzimin Hyjnor. Ndër prioritetet e tij të para, për të cilin ai e kishte dedikuar veten, ka qenë përmbushja e misionit të Mesihut të Premtuaras, misionit madhor të përhapjes së Islamit të vërtetë me vlerat e tij të pacenuara në mbarë botën. Për ta arritur këtë, ai nisi Tahrik-e-Xhedid-in, nëpërmjet të cilit dërgoi, dhe vazhdon të dërgohen deri më sot, misionarë të Islamit anembanë botës. Mendjemprehtësia dhe intelekti i tij i lartë, urtësia e tij e madhe dhe, mbi të gjitha, dituria e tij e dhuruar prej Zotit e mundësuan të linte si trashëgimi një korpus të gjerë librash, fjalimesh etj, të cilat do të duan vite për të ardhur në dritë në gjuhë të ndryshme.

Kur Mesihu i Premtuara.s. bëri lutje të veçanta që Zoti i Madhërishëm t’i dhuronte një djalë për mbështetjen e Islamit, Ai i dha sihariqin e lindjes pikërisht të këtij djali, duke thënë:

 “… Unë të jap shenjën e mëshirës në përputhje me atë që më kërkove … Gëzohu se të jepet një djalë i pashëm dhe i çiltër… Ai do të jetë jashtëzakonisht i zgjuar, mirëkuptues dhe i butë nga zemra. Ai do të begatohet me dituri të dukshme dhe shpirtërore … Djalë, kënaqësi e zemrës, i lartë e fisnik, manifestim i të Parit e të Fundit, manifestim i së Vërtetës e Triumfit … Ardhja e tij është shumë e bekuar dhe do të jetë burim i manifestimit të madhështisë hyjnore…”[1]


[1] Mexhmua Ishtiharat (Përmbledhja e njoftimeve), Ishtihar (njoftimi) 20 shkurt 1886, vëll. I, f. 100-103.