Profeci rreth "Reformatorit të Premtuar" | Fjalimi i së xhumasë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Profeci rreth “Reformatorit të Premtuar”

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Këto ditë Xhemati Musliman Ahmedia, po zhvillon mbledhje për të hedhur dritë mbi profecinë e Musleh Mo’udit r.a. (Reformator i Premtuar). Mesihu i Premtuar a.s. duke u njoftuar nga Allahu i Madhërishëm kishte botuar një profeci më 20 shkurt 1886, lidhur me lindjen e një djali, i cili do të ishte pajisur me tipare të ndryshme. Administrata e xhematit zhvillon këtë mbledhje të përvjetshme në vende të ndryshme. Në disa vende ky takim zhvillohet pikërisht më 20 shkurt, ndërsa në vende të tjera në data të përafërta.

Qëllimi i kremtimit të 20 shkurtit

Qëllimi pas kremtimit të kësaj dite lidhur me Mesleh Mo’udin r.a. dhe pas organizimit të një ceremonie të posaçme, qëndron në përmbushjen e një profecie madhështore të Mesihut të Premtuar a.s. Sigurisht, kjo veprimtari nuk ka asnjë lidhje me datëlindjen e Hazret Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedit, Kalifit II r.a. Po bëj këtë sqarim sepse të rinjtë e xhematit, të rritur në Perëndim, nganjëherë pyesin që derisa kremtohet datëlindja e Kalifit II r.a., përse nuk përkujtohet datëlindja e kalifëve të tjerë. Le të sqarohet që kjo ditë nuk lidhet me datëlindjen e Kalifit II r.a. sepse ai ka lindur më 12 janar 1889.

Profecia rreth birit të Premtuar

Pas këtij sqarimi, do t’ju parashtroj profecinë rreth birit të Premtuar në fjalët e Mesihut të Premtuar a.s. Po ashtu do t’ju tregoj se shkrimet e tij të mëvonshme vërtetojnë se Mesihu i Premtuar a.s. gjithashtu besonte se kjo profeci do të përmbushet në personin e Hazret Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedit r.a. Këtë mendim ka pasur edhe Hazret Kalifi I r.a. si dhe disa personalitete të tjera të Xhematit. Kjo profeci shpalos tipare dhe veçori të ndryshme të birit të Premtuar të cilët u përmbushën fill e për pe në personin e Kalifit II r.a. Do t’ju cek disa mendime e vlerësime të personave të ndryshëm lidhur me personalitetin e Kalifit II r.a.

Fillimisht, po ju parashtroj fjalët e kësaj profecie:

“Allahu i Gjithëmëshirshëm, i Shenjtë, Bujar, i Lartësuar dhe i Plotfuqishëm (u madhëroftë lavdia e Tij dhe u lartësoftë emri i Tij) m’u drejtua përmes shpalljes dhe tha:-

“Unë të jap shenjën e mëshirës sime në përputhje me atë që më ke kërkuar. Kam dëgjuar përgjërimet e tua dhe t’i kam pranuar lutjet me anë të mëshirës. Kam bekuar udhëtimin tënd (në Hoshiarpur dhe Ludiana). Një shenjë e fuqisë, mëshirës dhe afërsisë sime të jepet ty. Të dhurohet shenja e mirësisë dhe dashamirësisë, dhe të dorëzohet çelësi i fitores dhe mbizotërimit.

O Fitues! Paqja qoftë mbi ty. Kështu foli Zoti që ata që lakmohen për jetën e kësaj bote, të çlirohen nga kthetrat e vdekjes dhe ata që janë shtënë në varr të dalin prej tij. (Zoti dha këtë shenjë) që epërsia e Islamit dhe madhështia e fjalës së Tij t’u manifestohet të gjithë njerëzve, dhe të mbizotërojë e vërteta me bekimet e saj dhe të arratiset gënjeshtra me ligësitë e saj. Që njerëzit të kuptojnë se Unë jam i Plotfuqishëm dhe bëj siç më pëlqen dhe që ata të kuptojnë se Unë jam me ty. Pra, ata që nuk e besojnë Zotin, dhe përgënjeshtrojnë fenë, Librin dhe të Dërguarin e Tij të shenjtë Muhammed paqja dhe mësira e Allahut qofshin mbi të, të gjejnë një shenjë të qartë dhe të qartësohet rruga e mëkatarëve.

Prandaj, gëzoju që do të të jepet një djalë i pashëm dhe fisnik. Do të të dhurohet një djalë i zgjuar, që do të pinjolli yt dhe do të rrjedhë prej teje. Emrat e tij janë Emanuel dhe Bashir. I është dhënë Shpirti i shenjtë dhe ai është i pastër nga çdo ligësi. Ai është nuri i Allahut. I bekuar është ai që vjen nga qielli. Atë e shoqëron mirësia që do të zbresë bashkë me të. Madhështia, fisnikëria dhe pasuria do ta karakterizojnë atë. Ai do të vijë në këtë botë dhe do t’u shërojë sëmundje njerëzve me anë të cilësive të tij të Mesihut dhe bekimeve të shpirtit të shenjtë. Ai është fjala e Zotit sepse mëshira dhe nderi i Zotit e kanë mbrujtur me fjalën e madhështisë.

Ai do të jetë jashtëzakonisht i zgjuar e mendjemprehtë dhe i butë nga zemra. Ai do të pasurohet me dituri materiale dhe shpirtërore. Ai do të kthejë tri në katër (kuptimi i këtij nuk është i qartë). Është e hënë, e hëna e bekuar. Djali, kënaqësia e zemrës, shumë i lart, fisnik, manifestimi i të Parit dhe të Fundit, manifestimi i të Vërtetit dhe të Lartit; sikur vetë Zoti ka zbritur në tokë. Ardhja e tij është shumë e bekuar dhe do të jetë burimi i manifestimit të madhështisë hyjnore. Vini re! Po vjen një dritë, të cilën Zoti ka stërpikur me aromën e pëlqimit të Tij. Ne do t’i ngjallim frymën Tonë dhe ai do të strehohet në mbrojtjen e Zotit. Ai do të rritet shpejt dhe do të bëhet mjeti i lirimit të atyre që janë të prangosur. Fama e tij do të përhapet katërçipërisht dhe popujt do të bekohen përmes tij. Atëherë ai do të ngrihet në vendbanimin e tij në parajsë. Kjo është një çështje e vendosur”.

[Ishtihar (njoftim) 20 shkurt 1886, Mexhmua Ishtiharat (Mbledhja e njoftimeve), vëll. I, f. 100-103, Londër]

Dëshmia e Mesihut të Premtuar a.s.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka komentuar rreth kësaj profecie në lidhje me Hazret Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedin r.a. Ai shkruan:

Kur djali im i parë ndërroi jetë, hoxhallarët e thjeshtë bashkë me mbështetësit e tyre si dhe disa të krishterë e hindu gëzuan pamasë. Por derisa profecia e shpallur më 20 shkurt 1886 në fletushkën e gjelbër paralajmëronte për vdekjen e disa djemve të mi në moshë të njomë, duhej që ndonjë djalë të ndahej nga jeta në fëmijëri. Mirëpo, njerëzit nuk pushuan së kritikuari. Zoti atëherë më dha myzhde për një djalë tjetër dhe kjo profeci është dhënë në faqen 7 të këtij njoftimi me këto fjalë:

“Do të të jepet një Beshir tjetër që do të quhet edhe Mahmud”.

Ndonëse, ai deri më tani pra 1 shtator 1888, nuk ka lindur, por sipas premtimit të Zotit, ai do të lindë patjetër brenda afatit. Qielli dhe Toka mund të lëvizen nga vendi, por premtimi i Zotit nuk mund të shtyhet.”

Pastaj në librin Hakikatul Vehi, Mesihu i Premtuar a.s. deklaron përmbushjen e profecisë. Ai shkruan:

“Sipas kësaj profecie, që u kumtua në faqen 7 të fletushkës së gjelbër më lindi një djalë në janar 1889 i cili u quajt Mahmud. Me mirësinë e Zotit, ai jeton dhe sot dhe është 17 vjeç tani”.

Dëshmia nga Kalifi I r.a.

Mesihu i Premtuar a.s. ka shkruar lidhur me këtë edhe në vende të tjera, por dua t’ju parashtroj një dëshmi nga Kalifi I r.a.

Autori i abetares së Kuranit “Jesernal Kuran” Pir Menzur Muhammed sahibi ka shkruar se e kam takuar Kalifin I r.a. afërsisht 6 muaj para se të ndërronte jetë. Unë i thashë që duke lexuar disa prej njoftimeve të Mesihut të Premtuar a.s. sot kam kuptuar që Mijan sahibi (Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedi) është biri i premtuar. Kalifi I r.a. u përgjigj “Unë e kam ditur këtë qyshkur. A nuk keni vënë re se si sillem me të me një respekt të veçantë dhe i shpreh konsiderata të larta”. Më pas unë i shkrova fjalët e tij në një letër, dhe i kërkova për të nënshkruar për vërtetim. Hazret Kalifi I r.a. shkroi: Unë vërtetoj se këto fjalë i kam thënë Pir Menzur Muhammedit. Pastaj vuri firmë “Nurudin, 10 shtator 1913.”

Pasditen e së nesërmes shkova sërish në shtëpinë e Hazret Kalifi I r.a., teksa ishte shtrirë në krevat. Unë zura të shtypja këmbët. Pas një heshtjeje, ai m’u drejtua dhe tha “Mos e publiko këtë çështje tani por prit derisa të shfaqet kundërshtimi (d.m.th. kjo profeci përmbushet me personin e Hazret Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedi r.a.)

Ëndrrat e ahmedianëve për Kalifin II r.a.

Ghulam Husejn sahib beu i fshatit nga Sialkoti shkroi një letër Hazret Kalifit II r.a. pas deklaratës së tij se është Musleh Mo’udi r.a. Ai shkroi:

“I dashur prijës, udhëheqës dhe udhërrëfyes Hazret Kalifatul Masih II Musleh Mo’ud (Allahu ju ndihmoftë fuqimisht)

E falënderoj Allahun pasi që kam lexuar gazetën el-Fadl të datës 30 janar. Elhamdulilah që Zoti më bëri realitet ëndrrën time. Duhet të mbani mend që unë gjatë jetës së Kalifit I r.a. ju kisha përgëzuar në zyrën e gazetës “el-Fadl” në praninë e të ndjerit Shadi Khan i Sijalkotit që Allahu më ka treguar në ëndërr që pas Kalifit I r.a. ju do të zgjidheni si Kalif. Allahu ju dhurojë sukses dhe do t’ju zbresë shpallje. Këtë ëndërr i kisha treguar edhe Kalifit I r.a. dhe ai u gëzua pamasë dhe e vërtetoi këtë. Ai gjithashtu theksuar që kjo është arsyeja përse po i bëhet kaq shumë kundërshtim. Këtë ëndërr ia kisha treguar edhe të ndjerit Hamid Shah. Elhamdulilah që Huzuri tashmë ka deklaruar për të qenë Musleh Mo’ud, ndërkohë unë isha bindur qysh në kohën e Kalifit I r.a. se ju jeni Musleh Mo’ud dhe Kalifi i Allahut.

Sufi Mutiurrahman sahib Bengali në një letër drejtuar Kalifit II r.a. pas deklaratës së tij për të qenë Musleh Mo’ud, kishte shënuar një ëndërr që e kishte parë pothuaj 24 vjet përpara. Ai shkruan:

“Këtë ëndërr e kisha parë afërsisht 24 vjet përpara dhe ju kisha përshkruar me hollësi. Por tani që i nderuar Kalifi ka deklaruar se është Musleh Mo’ud, zemra më është mbushur me bindje se kjo ëndërr lidhej me këtë profeci. Kisha parë në ëndërr se janë mbledhur njerëzit për namazin e bajramit, ndërsa Mesihu i Premtuar a.s. i veshur me një pallto të gjelbër mbante hutbe nga një tribunë e lartë. Pasi që përfundoi hutben, unë iu afrova për ta përshëndetur. Kur ia zgjata dorën, u habita sepse ai nuk qe Mesihu i Premtuar a.s., por i nderuar Huzuri (d.m.th. Hazret Kalifi II).

Këtë ëndërr ia kam kallëzuar kapiten dr. Bedrudin sahibit dhe vëllait tim Molvi Zilurrahman sahibit i cili shërben si misionar në Bengal. Molvi Zilurrahman sahibi më shkroi që ju keni parë përmbushjen e profecisë lidhur me Kalifin II r.a. se ai do të shëmbëllejë ty në mirësi dhe dashamirësi.”

Po kështu Shejk Muhammed Ismail sahib Sarsavi ka rrëfyer se kemi dëgjuar disa herë nga Mesihu i Premtuar a.s. se djali ardhja e të cilit është paralajmëruar në profeci është Mahmudi. Unë ndonjëherë lutem veçanërisht për të, sepse ai ushqen sedrën për çështjen e fesë.

Deklarata e Hazret Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedit r.a. se është ‘Biri i Premtuar’

Derisa ai nuk u njoftua nga Zoti, ai nuk deklaroi se është Musleh Mo’ud, madje ai bërë këtë deklaratë vetëm kur mori urdhër të prerë nga Zoti. Ndër të tjerat, ai njoftoi se disa anëtarë të xhematit, duke parë përmbushjen e disa tipareve për birin e premtuar në profecinë e Mesihut të Premtuar a.s., pohonin se ajo profeci ishte për mua. Megjithatë, unë gjithmonë jam përgjigjur që derisa Allahu i Madhërishëm nuk më jep një urdhër për ta shpallur këtë, nuk do të shprehem vetë. Përfundimisht, erdhi dita kur Zoti më shtyju për të publikuar këtë pohim.

Hazret Kalifi II r.a. në një mbledhje madhështore në Hoshiarpur, deklaroi publikisht:

“Sipas urdhrit të Zotit, unë deklaroj solemnisht që në përputhje me profecinë e Mesihut të Premtuar a.s. Zoti më ka cilësuar si biri i premtuar, i cili do të përçojë emrin e Mesihut të Premtuar a.s. deri në skajet e botës”.

Ndërsa në takimin që u zvhillua në Lahor, ai deklaroi:

“Betohem në emër të Allahut, të Vetmit dhe Mposhtësit, shpifja ndaj të cilit është tipari i personave të poshtër, të cilët nuk mund t’i shpëtojnë dot ndëshkimit të Tij të ashpër. Betohem që Zoti më ka njoftuar përmes shpalljes në këtë qytet të Lahorit, në shtëpinë e avokatit Sheik Beshir Ahmed, e cila ndodhet në Temple Road se profecia për Musleh Mo’udin është përmbushur përmes meje dhe unë jam ai reformator i premtuar, nëpërmjet të cilit Islami do të përhapej deri në skajet e botës dhe do të vendosej fuqimisht njëshmëria e Zotit”.

Mesihu i Premtuar a.s. në profecinë e birit të premtuar ka shpalosur më shumë se pesëdhjetë tipare. Këto tipare u manifestuan bindshëm në personin e Kalifit II r.a., të cilat i dëshmuan dhe i vërtetuan të gjithë, qofshin miq apo kundërshtar.

Përmbushja e profecisë: “popujt do të bekohen përmes tij”

Sjed Ebul Fersh el-Hasani i Damaskut pas vdekjes së Kalifit II r.a. i bëri një homazh me këto fjalë. Ai shkruan:

“Vdekja e Hazret Amirul Muminin Kalifatul Masih II r.a. na ka hidhëruar dhe brengosur tej mase. Kjo dhimbje ka prekur thellë çdo ahmedian. Xhemati i Damaskut është tronditur veçanërisht nga ky lajm i hidhur, sepse ai është themeluar nga dora e vetë Kalifi II r.a dhe kujdesur dhe rritur nga vëmendja dhe shpirtërorja e tij. Kjo farë e mbjellë prej tij, sot është shndërruar në një pemë të lulëzuar. Myzhdeja prej Zotit u përmbush sepse popujt fituan bereqet përmes tij. Ne kemi fituar bekime të panumërta të të Madhit Zot falë lutjes së përshpirtshme dhe përkujdesjes së veçantë ndaj nesh. Kujtoj me mall që kurdo i kam kërkuar lutje për ndonjë hall, kam dëshmuar shenjat e pranimit si shpirtërisht ashtu edhe materialisht. Fjalët e Zotit e përshkruajnë mrekullisht personalitetin e tij: Drita po vjen, po ajo dritë të cilën Zoti ka stërpikur me aromën e pëlqimit të Tij.

Gazeta el-Fazl e datës 27 korrik 1944, ka botuar një ëndërr. Shkrimi ishte dërguar nga Muhammed Muhel sahibi. Ai ka shkruar se një i afërm i tij Muhammed Ekrem sahibi, i cili ende nuk ishte anëtarësuar në xhemat, kishte parë një ëndërr një natë para se të mbërrinte Hazret Kalifi II r.a. në Nevabshah në 1936. Ai kishte parë në ëndërr që një person, hipur në luan, po vinte drejt pazarit të unazës, nga stacioni hekurudhor. Kur iu afrua, vura re që ajetet e Kuranit ishin shënuar mbi trupin e tij. Unë i pyeta të pranishmit se kush ishte ai? Ata më treguan se ai ishte Mirza Mahmud Ahmedi nga Kadiani. Pastaj kur pyeta se çfarë është ai, më thanë se ishte veliullah më i madh i kohës (d.m.th. i dashuri i Allahut).

Dëshmia e një jo-ahmediani “Manifestimi i së vërtetës”

Kjo profeci e Mesihut të Premtuar a.s. është vërtetuar edhe nga joahmedianët. Një dëshmi e tillë është dhënë nga një dijetar i njohur musliman Molvi Samiullah Khan sahib Faruki. Ai në një shkrim titulluar “Manifestmi i së vërtetës” ka shkruar:

“Ai (d.m.th. Mesih i Premtuar a.s. – përkthyesi) u njoftua ‘Unë do të caktoj një person për xhematin tënd nga pasardhësit e tu. Unë do t’ia dhuroj afërsinë dhe shpalljen time. Përmes tij do të triumfohet e vërteta, dhe shumëkush do ta përqafojnë atë’. Vështrojini fjalët e kësaj profecie dhe lexojini rishtas, e pastaj përgjigjuni: a nuk është përmbushur kjo profeci? Kalifi i tanishëm ishte shumë i ri, kur u përmbush profecia. Mirza sahibi nuk kishte lënë asnjë testament që ta caktonte Kalifin e tij pasardhës. Madje, zgjedhja e kalifatit do të vendosej me votën e shumicës. Në këtë mënyrë Hakim Nurudin sahibi u zgjodh Kalifi i Parë në përputhje me pëlqimin e shumicës.

Pas zgjedhjes së tij si Kalif i parë, kundërshtarët kritikuan ashpër saktësinë e profecisë për birin e premtuar, duke akuzuar që po të ishte e vërtetë kalifi duhet të ishte djali i tij. Megjithatë pas vdekjes së Hakim sahibit, Mirza Bashirudin Mahmud Ahmed sahibi u zgjodh Kalifi i dytë. Rritja e vrullshme e xhematit gjatë periudhës së tij është e habitshme. Numri i ahmedianëve gjatë kohës së Mirza sahibit (d.m.th. Mesihut të Premtuar a.s.) ishte shumë i vogël, madje edhe në periudhën e Kalifit I nuk shënoi një rritje të dukshme. Por, gjatë kohës së këtij kalifi ahemdiati ka mbërritur në vendet më të skajshme të botës. Opozita e kundërshtarëve për t’iu kundërvënë rritjes së Ahmediatit gjatë kësaj periudhe janë shtuar si kurrë më parë. Mirëpo, sipas të gjitha gjasave, pritet që numri i ahmedianëve në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë, do të dyfishohet nga ai i vitit 1931. Shkurt mund të themi që zgjedhja e tij në krye të xhematit, dhe më pas zhvillimi i jashtëzakonshëm i Xhematit vulos vërtetësinë e profecisë së Mirza sahibit.

Dëshmia e një jomuslimani për vërtetësinë e profecisë

Kryeredaktor i gazetës “Rengin” Z. Arxhun Sing sahibi, ndjekës i fesë sik duke komentuar mbi profecinë e Mesihut të Premtuar a.s. ka shkruar që Mirza sahibi kishte bërë një profeci në 1901, kur Mirza Bashirudin Mahmud Ahmed sahibi ishte ende një fëmijë i vogël. fjalët e profecisë janë si në vijim:

d.m.th. “M’u dha myzhde se do të kesh një djalë, i cili do të jetë i dashuri Im. Unë do të largojë çdo errësirë përmes asaj hëne, dhe do të përmbys një botë të tërë. Kjo nuk është thjesht një myzhde por ushqim për shpirtin tim. I shenjtë është Zoti që ka poshtëruar kundërshtarët e mi.

Sigurisht, kjo profeci është e jashtëzakonshme. Në 1901 Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedi nuk shquhej si një dijetar a studiues i madh dhe ai ende nuk kishte treguar aftësinë e tij për çështjet politike. Andaj, kjo deklaratë që djali yt do të shquhej për këto apo ato aftësi, tregon se këtu vepron një fuqi shpirtërore. Dikush mund të thotë se meqë Mirza sahibi kishte themeluar një kult fetar përmes disa deklaratave, prandaj kishte paramenduar që pas tij, një ndër djemtë e tij me siguri do të merrte drejtimin e këtij kulti, prandaj kjo profeci nuk ka vlerë. Kjo është një akuzë e pabazë dhe plotësisht e pasaktë, sepse Mirza sahibi nuk ka vënë asnjë kusht për Kalifin që ai duhet të tjetër patjetër nga fisi i tij apo nga pasardhësit e tij. Prandaj, Kalifi i tij i parë ishte një person i cili nuk kishte asnjë lidhje farefisnore me Mirza sahibin. Mundej që edhe pas vdekjes së Molvi Hakim Nurudin sahbit, Kalifi të zgjidhej dikush tjetër. Molvi Muhammed Ali sahibi Amiri i xhematit të Lahorit, ishte kandidat për kalifatin, po shumica mbështeti Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedin, dhe kështu ai u zgjodh Kalifi II i xhematit.

Këtu lind pyetja: Nëse Mirza sahibi nuk gëzonte asnjë fuqi shpirtërore, atëherë si vallë ai mësoi se do të ketë një djalë me këto cilësi? Kur Mirza sahibi publikoi këtë profeci, ai kishte tre djem, dhe ai lutej për secilin prej tyre, megjithatë profecia në fjalë flet vetëm për një djalë. Ne kemi parë që çdo gjë ndodhi ashtu siç parashikonte profecia dhe ai shkaktoi një revolucion shpirtëror në botë.

Mjetet që dispononte xhemati në atë periudhë nuk ishin si sot. Ndonëse xhemati edhe sot ka mjete të kufizuara, megjithatë kemi kushtet më të mira. Pra, edhe në ato rrethana me ndihmën dhe mbështetjen e Zotit, xhemati u themelua në më shumë se pesëdhjetë vende dhe pothuaj në çdo kontinent to botës. Përhapja e Islamit në këtë mënyrë ishte fryti i udhëheqjes së lavdishme të Kalifit II r.a. në përputhje me profecinë e Musleh Mo’udit.

Përmbushja e profecisë: Epërsia e Islamit…

Një ndër qëllimet e ardhjes së birit të premtuar ishte që epërsia e Islamit dhe madhështia e fjalës së Zotit t’u shfaqet njerëzve. Molvi Zafer Ali Khani, një lider i famshëm i subkontinentit indian, poeti i flaktë dhe kryeredaktori i gazetës “Zemindar” pranon vërtetësinë e kësaj profecie. Ai duke iu drejtuar ndjekësve të tij, tha:

“Dëgjoni me vëmendje. As ju e as vartësit tuaj, nuk t’i bëni ballë Mirza Mahumdit deri në ditën e kijametit. Mirza Mahmudi mbështetet në Kuran dhe zotëron dijen e Kuranit, ndërsa ju as në ëndërr nuk e keni lexuar atë. Mirza Mahmudi gëzon një xhemat, që është i gatshëm për të sakrifikuar gjithçka vetëm me një urdhër. Mirza Mahmudi ka misionarë që zotërojnë njohuri të thellë në fusha të ndryshme, dhe kanë ngritur flamurin në çdo vend të botës.

Hasan Nizami i Delhi ka përshkruar figurën e Musleh Mo’udit r.a. me këtë fjalë. Ai shkruan:

“Ai sëmuret shpesh, por sëmundjet nuk ia pengojnë dot veprimtarinë. Duke punuar me qetësi dhe vendosmëri përballë kundërshtimit të stuhishëm, ka vërtetuar trimërinë dhe burrërinë e racës mugale. Mënyra e shkëlqyer e punës gjithashtu dëshmon këtë. Zotëron dije dhe kuptim të thellë në çështjet shpirtërore. Posedon njohuri të gjerë në fushën e politikës, po ashtu analizon mirë taktikat e luftës (d.m.th. në ballafaqimin e mendimeve me anë të pendës)”.

Përmbushja e profecisë: të prangosurit do të gjejnë liri

Profecia për birin e premtuar njoftonte se të prangosurit do të gjejnë liri nëpërmjet tij. Kjo pjesë e profecisë është përmbushur në disa mënyrë, dhe kjo gjë ka çuditur çdokënd.

Lëvizja për pavarësinë e Kashmirit është një dëshmi e pamohueshme në këtë aspekt. Suksesi i kësaj lëvizjeje i takon Komitetit Indian për Kashmirin. Ky komitet i famshëm ishte themeluar pas thirrjes së Musleh Mo’udit r.a. dhe liderëve të mëdhenj të muslimanëve si Sir Zulfikar Ali Khani, dr. Sir Muhammed Ikbal, Khvaxha Hasan Nizami nga Delhi, Sjed Habib kryeredaktor i gazetës “Sijaset” etj. Ky komitet u themelua më 25 korrik 1931 në Shimla dhe si kryetar i tij i parë u zotua Hazret Kalifi II r.a. Falë udhëheqjes së tij të suksesshme, muslimanët e Kashmirit të cilëve u mohoheshin të drejtat themelore të njeriut dhe kishin mbetur si skllevër, filluan të jetonin në liri dhe ua pranuan të drejtat politike dhe shoqërore. Për herë të parë u themelua parlament në shtet dhe pas vendosjes së lirisë së shprehjes, muslimanët gjetën përfaqësimin e duhur. Media muslimane duke u bërë homazh kontributeve të tij të çmuara, shkroi:

“Në atë kohë Kashmiri gjendej në një udhëkryq historik. Njerëzit, pavarësisht dallimeve ideologjike, e zgjodhën Mirza sahibin si kryetar i komitetit. Për të garantuar suksesin e punës, ata kishin bërë zgjedhjen më të mirë. Në qoftë se, nuk do të zgjidhej Mirza sahibi kryetar i komitetit për shkak të dallimeve fetare, ishte e sigurt që kjo lëvizje do të dështonte dhe do të shpërbëhej”.

Një politikan i famshëm dhe dijetar i shquar i askohe, Molvi Muhammed Ali Xhoher ka shkruar më 26 shtator 1927:

“Do të jetë mosmirënjohje a madhe, nëse nuk e përmendim Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedin dhe xhematin e tij të organizuar. Pavarësisht mospërputhjes ndërmjet mendimeve fetare, Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedi i ka kushtuar gjithë vëmendjen e tij mirëqenies së muslimanëve. Këta zotërinj, nëse po interesohen për çështjet politike të muslimanëve, janë angazhuar me përkushtim të plotë për organizimin, ekonominë dhe edukimin e tyre. Ajo ditë nuk është larg, kur veprimtaria e gjallë dhe e frytshme e kësaj bashkësie do të jetë shembullore për grupet e tjera muslimane në përgjithësi dhe veçanërisht për ata që lëshojnë slogane demagogjike e të zbrazëta nga minberi i xhamisë.

Përmbushja e profecisë: do të pasurohet me dituri materiale dhe shpirtërore

Molana Abdyl Maxhid Deriabadi ishte një komentues i njohur i Kuranit dhe kryeredaktori i gazetës “Sidke Xhedid”. Ai botoi një shkrim të veçantë që i kushtoi Musleh Mo’udit r.a. si homazh për kontributet e tij ndaj Kuranit Famëlartë. Ai shkroi:

“Allahu e shpërbleftë për përçimin e dijeve të Kuranit anembanë botës, për përpjekjet e tij të guximshme dhe këmbëngulëse në përhapjen e Islamit në shkallë të përbotshme. Komentimi dhe shtjellimi i çështjeve të Kuranit të bëra në mënyrë shkencore e akademike, shquhen për lartësinë e tyre.

Dëshmia e një prifti të krishterë

Në vitin 1914 një prift amerikan mbërriti në Kadian. Ai shtroi disa pyetje fetare para ahmedianëve. Këto ishin pyetje mjaft të rëndësishme. Këto pyetje u kishte bërë shumë dijetarëve, por ende s’kishte marrë një përgjigje bindëse. Tashmë, kishte ardhur në Kadian që t’i bënte ato pyetje Kalifit për të parë si do të përgjigjej ai.

Molvi Umerdin ka shkruar se pyetjet ishin aq të ndërlikuara dhe të çuditshme saqë u binda që i nderuar Kalifi nuk mund t’u përgjigjej atyre. Unë po mendoja se Kalifi është shumë i ri në moshë. Ai nuk kishte marrë arsimin fetar në mënyrë institucionale, aq më tepër nuk kishte njohuri të gjithanshme. Prandaj, mospërgjigjia e atyre pyetjeve, do të cenojë rëndë emrin e xhematit dhe do ta çnderoj Kalifin në sy të botës. Prifti duke u kthyer në Amerikë do të propagandojë kundër xhematit se Kalifi i tyre nuk di asgjë, dhe nuk mund të ballafaqohet me ideologjinë krishtere etj.

Unë isha shumë i shqetësuar, dhe u mundova në çdo mënyrë që ai ta mos takonte Kalifin. Mirëpo, prifti ngulte këmbë se nuk do të largohet pa e takuar Kalifin. U detyrova të shkoja te Huzuri dhe i thashë se ka ardhur një prift nga Amerika dhe ka dëshirë t’ju bëjë disa pyetje. Kalifi m’u përgjigjej sakaq “Silleni këtu”. Sidoqoftë, unë e shoqërova deri te Kalifi dhe qëndrova aty si ndërmjetës për bisedën e tyre. Pas një bisede formale, prifti parashtroi pyetjet e tij. Kalifi dëgjoi me vëmendje e pastaj u përgjigj në mënyrë aq të përsosur, saqë mbeta i mahnitur nga elokuenca e tij. Nuk besoja se Kalifi mund të jepte përgjigje aq bindëse dhe të argumentuara kaq mrekullisht. Kur i përktheva ato, edhe prifti u impresionua dhe u shpreh papritur “Unë kurrë nuk kisha dëgjuar një bisedë kaq racionale dhe bindëse. Jam i bindur se udhëheqësi juaj është një dijetar i madh, i cili i ka studiuar gjerësisht të gjitha fetë e botës”. Pastaj ai puthi me nderim dorën e Kalifit dhe kërkoi leje për t’u kthyer.

Ligjërata për “Sistemin ekonomik të Islamit”

Në shkurt 1945, Hazret Musleh Mo’udi r.a. mbajti një ligjëratë mbi temën “Sistemi ekonomik i Islamit”. Pas përfundimit të ligjëratës, kryesuesi i sesionit Lala Ramçand Maçedna sahibi mbajti një fjalim të shkurtër para audiencës dhe u shpreh “Veten e konsideroj me fat që pata mundësi për të dëgjuar një ligjëratë kaq të çmuar. Unë jam shumë i kënaqur se lëvizja e Ahmediatit po përparon me shpejtësi. Kalifi i nderuar ka shpalosur çështje mjaft të rëndësishme dhe të panjohura për mua. Unë kam përfituar shumë nga kjo ligjëratë dhe shpresoj që edhe ju keni fituar nga informacioni i gjithanshme. Kam kënaqësinë që në këtë sesion, pjesëmarrësit nuk janë vetëm muslimanët por edhe jomuslimanët, një treguese ogurbardhë që marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy komuniteteve po përmirësohen. Unë kam biseduar me disa miq të nderuar që i përkasin këtij xhemati. Ata përfaqësojnë atë Islam, që është mjaft i përshtatshëm dhe i dobishëm për këtë vend. Unë kam pasur një mendim të cekët se ligjet dhe normat e Islamit mbrojnë vetëm të drejtat e muslimanëve, dhe nuk u kushton vëmendje popujve jomuslimanë. Por, duke dëgjuar fjalën e Imamit të Xhematit Ahmedia, kam mësuar se Islami mëson barazinë shoqërore. Jam shumë i lumtur dhe këtë mesazh do ta ndaj me miq të mi që nuk janë muslimanë, dhe do të pyes që përse të respektojmë një Islam të tillë? Ju keni dëgjuar fjalimin e Huzurit që zgjati dy orë e gjysmë, me vëmendje dhe përqendrim të plotë. Ju përgëzoj për këtë sjellje të shkëlqyer. Po të gjendej këtu ndonjë evropian, ai do të habitej se sa shumë ka përparuar India. Ju falënderoj për vëmendjen dhe interesimin tuaj. Po ashtu, në emrin tim personal si dhe në emër të gjithë të pranishmëve i shpreh mirënjohje më të thellë dhe konsiderata më të larta Imamit të Xhematit Ahmedia për një ligjëratë kaq informuese.

Epërsia e komentimit të Kuranit nga Kalifi II r.a.

Ekther Urinvi, përgjegjës për departamentin e gjuhës Urdu në universitetin e Patna-së ka rrëfyer një ngjarje personale lidhur me Tefsir Kebirin. Ai shkruan:

“Njëherë i dhurova disa vëllime të Tefsir Kebirit prof. Abdyl Manan Bedil sahibit, ish-përgjegjës të departamentit të gjuhës perse në Universitetin e Patna-së dhe drejtorit aktual të Kolegjit Shebina në Patna. Ai ishte aq i impresionuar pas leximit të tyre, saqë ato vëllime u dha disa dijetarëve të Medresesë Arabe “Shemsul Huda”. Një ditë ai i ftoi ata për një bisedë. Njëri prej tyre u shpreh që nuk kemi parë tefsir të tillë në gjuhën perse. Kur prof. Abdyl Manani sahibi pyeti për tefesiret në gjuhën arabe, nuk u përgjigj asnjëri. Pas pak heshtjeje, një dijetar tha që në Patna nuk mund të gjejmë të gjitha tefsiret në gjuhën arabe. Një gjykim i drejtë mund të japim pas vlerësimit përfundimtar të komentimeve nga Egjipti dhe Siria. Profesori u foli për komentimeve të vjetra në arabisht dhe konstatoi që tefsiri i Mirza Mahmudit është i pakrahasueshëm dhe shembulli i tij nuk mund të gjendet në asnjë gjuhë. Ju mund t’i porosisni tefsiret bashkëkohore nga Egjipti apo Siria, dhe mund të ulemi sërish për këtë bisedë pas disa muajsh. Ky pohim nga profesori u bëri shumë përshtypje të gjithë dijetarëve.

Kurejshi Abdurrahman sahibi ka rrëfyer një ndodhi që hedh dritë mbi diturinë dhe njohurinë e Musleh Mo’udit r.a. Asokohe Kalifi II r.a. ndodhej në Seker, dhe anëtarët e xhematit vinin bashkë me miqtë e tyre joahmedianë për ta takuar Huzurin. Një ndër vizitorët shiste mend dhe hiqej si i ditur. Kur mbërriti ai, Huzuri gjendej i rrethuar nga miq të ndrysëm që i shtronin pyetje, ndërkohë Huzuri u përgjigjej. Por, ky njeri sikur kishte qepur gojën, dhe nuk fliste fare. Kështu përfundoi takimi dhe ai nuk tha asnjë fjalë. Unë e pyeta se përse nuk kishte bërë pyetje. Ai u përgjigj menjëherë se të flisje diçka këtu, ishte njësoj të zbuloheshe para të tjerëve. Ai ishte një kundërshtar i përbetuar i Xhematit por gjatë gjithë asaj kohe ai mbeti i magjepsur nga biseda e Huzurit dhe u shpreh që lëre pyetjen, aty ishte vështirë të ruaje besimin.

Lala Kerem Çend, kryeredaktor i gazetës së përjavshme “Paras” bashkë me disa gazetarë vizituan Kadianin. Ata u impresionuan nga personaliteti i Kalifit r.a. dhe botuan një shkrim në gazetë. Ai shkroi:

“Ne kujtonim se Zafruallah Khani është njeriu më i madh. Meqë ishte anëtar i këshillit ekzekutiv të Vajsrajs. Por ai është si një nxënës para Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedit. Për çdo çështje, ai kishte pikëpamje më të drejta dhe të argumentuara. Ai është një person me aftësi të jashtëzakonshme dhe një lider i tillë mund të udhëheqë çdo vend drejt shkallës më të lartë të zhvillimit.

Një studiues, i cili kishte marrë pjesë në Xhelsa Salana në Kadijan, ka shprehur përshtypjet e tij për Musleh Mo’udin r.a. dhe për ndjekësit e tij me këto fjalë:

“Ndër të tjerat, kam vënë re se e gjithë kjo bashkësi, kjo mizëri dhe grumbull njerëzish, lëviz me gishtin e këtij udhëheqësi fisnik. Duke vështruar figurën e Udhëheqësit të Xhematit Musliman Ahmedia, kam mbërritur në përfundimin që ai ka dhunti të rrallë me pendë, një elokuencë të jashtëzakonshme dhe aftësi të theksuar udhëheqjeje”.

Përshtypjet e një dijetari musliman rreth “Tefsire Kebirit”

Alama Nijaz Fatehpuri, pas studimit të “Tefsir Kebirit” ka komentuar me këto fjalë:

“Po studioj këto ditë vëllimin e tretë të Tefsiri Kebirit dhe e vështroj me vlerësim të lartë. Nuk ka dyshim që ai (Kalifi II r.a. – përkthyes) ka paraqitur një këndvështrim krejtësisht të ri. Ky tefsir është i pari për sa i përket zhanrit të tij, sepse ai gërsheton mrekullisht argumenteve racionale dhe tekstuale. Njohuria e tij e gjerë, botëkuptimi i thellë, zgjuarsia e jashtëzakonshme dhe argumentimi i mrekullueshëm, të gjitha këto shfaqen qartësisht në çdo fjalë. Shpreh keqardhjen se përse nuk e kisha gjetur më parë, e sikur të gjeja të gjitha vëllimet e tij. Dje po lexoja komentimin e sures Hud. Më pëlqeu jashtë mase mendimi juaj për Lutin a.s. dhe nuk  mund të mos shpreh konsideratat e mia më të larta për shpjegimin tuaj për ھولاء بناتی d.m.th. këto janë bijat e mia. Ju keni argumentuar në një mënyrë krejtësisht ndryshe nga komentuesit e mëparshëm. Zoti ju ruajttë”.

Përfundim

Përshtypjet e çdo personi, qoftë dashamirës apo kundërshtar, që ai krijonte duke takuar Musleh Mo’udin r.a. ishin të jashtëzakonshme. Tiparet dhe veçoritë e tij e habisnin çdokënd. Prandaj, çdo mbledhje apo takim ku përmendet kjo profeci apo arritjet e shkëlqyera të Musleh Mo’udit r.a. manifeston vërtetësinë e kësaj profecie. Allahu na mundësoftë të lutemi gjithmonë për ngritjen e shkallëve shpirtërore të Musleh Mo’udit r.a. Ne gjithashtu duhet të reflektojmë mbi gjendjen tonë. Përparimi i xhematit kërkon që çdo anëtar të përmirësojë aftësitë e tij dhe ta përdorë atë për hir të xhematit. Vetëm kështu mund të shohim xhematin, duke ecur me shpejtësi në rrugën e përparimit. Allahu na mundësoftë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp