Jeta dhe veprat e Hazret Kalifit të Dytë r.a. në sy të intelektualëve
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Jeta dhe veprat e Hazret Kalifit të Dytë r.a. në sy të intelektualëve

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi r.a.

Sot do të cek disa aspekte të profecisë rreth lindjes së Musleh Mo’udit (Reformatori i premtuar). Siç çdo ahmedian është në dijeni se çdo vit mbahen tubime të posaçme, për të kremtuar përmbushjen e kësaj profecie. Kjo profeci ishte shpallur më 20 shkurt të vitit 1886, në të cilën Mesihu i Premtuar a.s. u njoftua për lindjen e një djali, i cili do të jetë i pajisur me cilësi të ndryshme. Megithatë, para se të them diçka rreth kësaj teme, dua t’i përgjigjem pyetjes së disa fëmijëve, apo të rinjve. Ata thonë se derisa nuk lejohet të festojmë ditëlindjen, pse përkujtomë ditëlindjen e Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedit r.a.? Për ta sqaruar këtë çështje, kam thënë edhe herë të tjera, dhe dua të them edhe tani se nuk festojmë kurrsesi ditëlindjen e Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedit, përkundrazi tubimet tona mbahen thellësisht për të kujtuar përmbushjen e profecisë. Për ta mbështetur këtë argument, dua të shtoj se Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi, Kalifi II kishte lindur më 12 janar 1889. Në ato shtëpi, ku nuk diskutohen tema të tilla, vetë prindërit duhet ta lexojnë dhe t’u tregojnë fëmijëve se çfarë është profecia rreth birit të Premtuar. Kjo është një profeci madhështore, të cilën e kishin parashikuar profetët e mëparshëm sipas shkrimeve të lashta, dhe të cilën Allahu ia kishte shpallur Mesihut të Premtuar a.s. në përputhje me profecinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Kjo është një profeci e gjatë, unë do t’ju lexoj vetëm fillimin e saj.

Kalifi i dytë

Me anë të shpalljes së Allahut të Lartësuar, i Gjithëmëshirshmi, Fisniku, i Shenjti, i Plotfuqishmi për të bërë çdo gjë, m’u drejtua me anë të shpalljes dhe tha:

“Allahu Mëshirëplotë, Fisnik, i Lartësuar dhe i Madhërishëm, i Cili zotëron fuqi për të bërë gjithçka që Ai dëshiron (qoftë i Lavdëruar dhe u lartësoftë emri i Tij), m’u drejtua përmes shpalljes dhe tha:- “Unë të dhuroj një shenjë mëshire në përputhje me atë që më ke kërkuar. Unë kam dëgjuar përgjërimet e tua dhe i kam pranuar lutjet e tua nëpërmjet mëshirës Sime dhe ta kam bekuar udhëtimin tënd (të Hoshiarpurit dhe të Ludianës). Të jepet shenja e fuqisë, mëshirës dhe të afërsisë Sime. Të dhurohet shenja e bekimit dhe mirësisë dhe të dorëzohet çelësi i fitores dhe i triumfit. O triumfues! Paqja qoftë mbi ty. Kështu tha Zoti që ata, që lakmojnë pas jetës së amshueshme, të lirohen nga kthetrat e vdekjes dhe ata, që janë të mbyllur në varr të dalin jashtë dhe që epërsia e Islamit dhe pozita e fjalës së Zotit t’u shfaqet njerëzve dhe që e vërteta të ngadhënjejë me të gjitha bekimet e saj dhe gënjeshtra të zhduket me të gjitha prapësitë e saj. Ai bëri kështu, që njerëzit të kuptojnë se Unë jam i Plotfuqishëm, dhe bëj si më pëlqen dhe që njerëzit të binden se Unë jam me ty. Po ashtu, që ata që nuk besojnë në qenien e Zotit dhe mohojnë e përgënjeshtrojnë Zotin, fenë e Tij, librin e Tij dhe të dërguarin e Tij të shenjtë, Profetin e zgjedhur, Muhammedin (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), të shohin një shenjë të qartë dhe që të zbardhet sjellja e keqbërësve.

U gëzofsh dhe do të të dhurojmë një djalë të pashëm dhe të çiltër. Do të të japim një djalë të zgjuar dhe të bukur, i cili do të jetë pinjolli dhe pasardhësi yt”.

Në vijim, janë përshkruar disa nga cilësitë e këtij djali, të cilat tani do t’ju rrëfej. Ai tha: “Ai do të jetë shumë mendjemprehtë dhe me një zgjuarsi të jashtëzakonshme, dhe do të jetë i pajisur me dije të dukshme e të padukshme. Pastaj tha se ai do të çlirojë njerëzit nga robëria”.[1]

Këto janë vetëm disa nga fjalët e kësaj profecie të gjatë. Ne jemi dëshmitar që sipas afatit që Mesihu i Premtuar a.s. kishte shpallur për përmbushjen e saj, i lindi një djalë, i cili mishëroi dhe trupëzoi secilën nga 52 veçoritë, të përshkruara në këtë profeci. Unë kam zgjedhur vetëm 2-3 aspekte të kësaj profecie, ndërkohë çdo ditë nga periudha e lavdishme 52 vjeçare e kalifatit të Kalifit II r.a. shfaq përmbushjen e saj.

Kundërshtarët tanë, të cilët nuk pajtohen me deklaratën tonë, mund të pretendojnë se është e natyrshme që ahmedianët të argumentojnë për përmbushjen e kësaj profecie, por a ka dëshmi konkrete që mbështet këtë pohim. Kjo është veç kokëfortësia e kundërshtarëve, për ndryshe, siç kam thënë, secila ditë nga periudha e Kalifit të dytë r.a. është një argument i qartë.

Tani, do t’ju citoj disa dëshmi nga shkrimet e personaliteteve të shquara e të njohura të Azisë jugore, të cilët edhe pse nuk kishin lidhje me Xhematin Musliman Ahmedia, kanë folur me paanshmëri për kontributet e Kalifit të Dytë.

Molana Ghulam Resul Mehr

Molana Ghulam Resul Mehri (13.04.1895 – 16.11.1971) është një personalitet i tillë i shquar. I lindur në 1885 në qytetin Xhalender, ai ishte një studiues, shkrimtar, letrar, gazetar dhe historian. Ai punoi për gazetën “Zemindar” dhe më vonë themeloi gazetën “Inkilab” nga Lahori bashkë me Shejh Abdul Maxhid.

Ai pati një takim me Shejh Abdul Maxhid më 25 dhjetor 1966 në Lahor dhe gjatë bisedës u shpreh se kontributet e Kalifit II nuk janë trajtuar siç duhet në ndonjë vepër letrare të xhematit. Ai u shpreh:

“Ne e kemi parë nga afër dhe kemi zhvilluar takime të shumta me të. Kam biseduar me të, edhe për çështjet personale. Për popullin musliman, figura e tij ishte mishërimi i sakrificës. Njëherë, më duhej ta takoja atë urgjentisht, në mes të natës, për të folur për një çështje të rëndësishme. Unë ende nuk kam harruar atë udhëtim dhe përshtypjet e tij i kam akoma parasysh. I dhembej njerëzia dhe ndiente keqardhje për të tjerët. Kurdo që diskutohej për interesat e muslimanëve apo për zhvillimin dhe përparimin e tyre, mendimet dhe sugjerimet e tij praktike, na jepnin frymëzim e kurajë. Në raste të tilla, shikonim sesi ai përpëlitej dhe vuante nga ndjenjat kombëtare. Unë nuk kam parë kurrë se ai të ketë shprehur diçka që lidhej me ndarjet sektare. Mirza sahibi i nderuar ishte jashtëzakonisht i mençur. (Këto cilësi, pra të qenit i mençur dhe i zgjuar janë përmendur edhe në profeci, për të cilat dëshmon një jo-ahmedian). Unë nuk parë asnjë nga liderët politik apo fetarë në Indi apo në Pakistan, i cili orientohej gjithnjë nga politika praktike. Këshilla të qarta, pa asnjë lloj interesi dhe një planveprim që bazohej gjithmonë në hapa të drejtë, ishte veçoria e tij. Lajmin e vdekjes së tij, e kam pritur me keqardhje të thellë. Unë i kam shkruar z. Ismail Panipati për ngushëllim dhe në atë letër, i kam dhënë të drejtën për të botuar ato fjalë ngushëlluese rreth Mirza sahibit.

Unë shpreh keqardhje se muslimanët nuk e kanë vlerësuar figurën e Hazret sahibit. Pavarësisht rrethanave të vështira që i ngjanin një furtune apo një shtrëngate të furishme, unë nuk e kam parë kurrë Mirza sahibin në gjendje dëshpërimi apo pikëllimi. Brenda në zemër, nuk i shuhej kurrë shpresa. Ne shkonim për ta takuar, të zhytur në gjendje pashprese e pikëllimi, dhe kur dilnim nga takimi, na dukej sikur retë e dëshpërimit janë zhdukur, dhe suksesi në qëllim na dukej plotësisht i arritshëm. Ai gjithmonë fliste me argumente bindëse dhe fliste vetëm për ato çështje që ishin të realizueshme. Nuk na përkrahte vetëm me fjalë, por na ofronte çdo lloj ndihmese dhe sakrifice, e cila na ngjallte ndjenjat guximi dhe kuraje”.[2]

Lala Kanwar Sain

Lala Kanwar Saini (27.02.1928–16.02.1931) ka qenë kryetari i parë i Gjykatës së Lartë në Kashmir. Ai ishte djali i Lala Bhim Sainit. Pasi që dëgjoi fjalimin e Hazret Kalifit II r.a. mbi temën “Pozita e arabishtes në botën e gjuhëve”, shprehu fjalë falënderuese në fjalimin e tij, mbajtur në gjuhën angleze. Ai shprehu mendimet e tij me këto fjalë:

“Kur erdha të dëgjoj ligjëratën, mendova se tema do të trajtohej me të njëjtën ngjyrë si bëjnë njerëzit e kohës së vjetër. Thuhet se njëherë i pyetën një arab arsyen pse gjuha arabe ishte e përsosur. Ai iu përgjigj se ka tri arsye për përsosmërinë e saj, e para, se jam vendas i Arabisë. Së dyti, se ajo është gjuha e Kuranit të Shenjtë. Së treti, sepse ajo është gjuha që do të flitet në xhenet. Kështu, kam menduar se ndoshta këto lloj argumentesh do të paraqiten për të përkrahur përsosmërinë e gjuhës arabe, megjithatë ligjërata që u mbajt u përgjigjej kritereve intelektuale e filozofike. Unë e siguroj zotin Mirza Sahib se kam dëgjuar me vëmendje dhe përqendrim të plotë, çdo fjalë të ligjëratës së tij dhe e kam shijuar me kënaqësi dhe kam përfituar shumë prej saj. Shpresoj që mbresat dhe kënaqësia e kësaj ligjërate do të mbeten në zemrën time për një kohë të gjatë”.[3]

Për sa i përket arsimit të përgjithshëm, Hazret Musleh Maudi r.a. nuk kishte kryer as shkollën fillore. Megjithatë Allahu i Madhërishëm i kishte dhuruar njohuri të gjerë ashtu siç i kishte premtuar, dhe çdokush që e njihte, mbetej i mahnitur nga personaliteti i tij.

Përshtypjet e një prifti amerikan

Le të dëgjojmë përshtypjet e një prifti amerikan. Shejh Ismail Panipati shkruan: “Maulvi Umerdin Sahib nga Shimla një herë më rrëfeu një ngjarje. Ai tha se në vitin 1914, vetëm disa muaj pasi Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmed sahibi ishte zgjedhur si kalif, një prift i njohur nga Amerika mbërriti në Kadian. Ai ishte një dijetar dhe studiues i madh dhe madje krenohej për diturinë e tij. Me të mbërritur në Kadian, ai na shtroi disa pyetje fetare të cilat ishin shumë të rëndësishme dhe të vështira. Ai gjithashtu tha se ka ardhur atje nga Amerika dhe këto pyetje i ka shtruar në mënyrë të përsëritur në çdo kuvend të muslimanëve, por deri më atëherë, asnjë nga dijetarët apo ulematë më të shquar të muslimanëve nuk ka arritur t’i jepte një përgjigjej bindëse. Ai tha se ka ardhur në Kadijan posaçërisht për t’ia shtruar këto pyetje kalifit tonë që të shikonte se si do t’u përgjigjej Kalifi atyre pyetjeve.

Ato pyetje ishin aq të ndërlikuara dhe të çuditshme, saqë duke i dëgjuar ato unë u binda se Hazret Sahibi ishte ende shumë i ri dhe nuk kishte marrë ndonjë arsim formal teologjik. Ai është shumë i ri nga mosha dhe njohuria e tij është gjithashtu shumë e kufizuar. Pra, ai kurrë nuk do të jetë në gjendje t’u përgjigjet atyre pyetjeve dhe kështu ky rast do të ulë pozitën e xhematit Ahmedia në sy të tjerëve. Nëse Huzuri nuk do të arrijë t’u përgjigjej atyre pyetjeve, ky prift amerikan, kur do të kthehet në vendin e tij, do të propagandojë në të gjithë botën se Kalifi i ahmedianëve nuk di asgjë dhe që ai nuk mund të qëndrojë kurrë përballë krishterimit. Unë isha shumë i shqetësuar për këtë situatë dhe jam munduar ta pengoj takimin e tij me Huzurin, duke shpresuar që prifti të kthehet ashtu pa takim, por nuk ia dola në këtë përpjekje.

Amerikani këmbënguli që ai patjetër do të takojë Kalifin. Unë nuk kisha çare tjetër, prandaj shkova te Huzuri dhe i thashë se ka ardhur një prift amerikan dhe dëshiron t’i bëjë disa pyetje. E pyeta se çfarë duhet të bënim tani? Por Huzuri më tha pa asnjë ngurrim që ta sjellja për takim. I detyruar nga situata, më duhet ta sillja te Huzuri. Unë duhet të shërbeja gjithashtu si përkthyes për bisedën mes tyre. Ai po fliste në anglisht, ndërsa Huzuri po i përgjigjej në urdu dhe unë po e përktheja këtë bisedë mes tyre.

Pas një bisede të shkurtër formale, prifti amerikan i shtroi Huzurit pyetjet e tij, dhe unë i përktheva në urdu. Huzuri i dëgjoi të gjitha pyetjet me shumë qetësi dhe më pas i dha menjëherë përgjigje aq të kënaqshme dhe bindëse saqë mbeta i habitur. Unë nuk besoja aspak se Huzuri mund të jepte përgjigje aq të urta, të plota dhe të argumentuara. Kur ia tregova këto përgjigje në anglisht priftit amerikan, edhe ai u habit dhe tha se nuk kishte dëgjuar kurrë një bisedë kaq të arsyeshme dhe një fjalim kaq të argumentuar nga goja e një muslimani. Më tha, përnjëmend, kalifi juaj është një dijetar i madh dhe zotëron një botëkuptim të thellë mbi botën fetare. Pasi shprehu këto fjalë, ai me mirësjellje ia puthi dorën Huzurit dhe u kthye”.[4]

Kjo është mënyra e përmbushjes së kësaj profecie. Një prift që e konsideronte veten dijetar të madh, pranoi epërsinë e Islamit.

Hazret Musleh Maud r.a. ka shkruar një libër që titullohet: “Raporti Nehru dhe interesat e muslimanëve”. Një kritik ka shkruar rreth këtij libri si më poshtë: “Paria e shoqërisë muslimane është shumë mirënjohëse për këtë udhëzim të duhur të Huzurit. Po ashtu, qarqet politike të muslimanëve si dhe liderët e shquar muslimanë kanë përshëndetur këtë kontribut me lëvdata dhe fjalë falënderuese. Imami i Xhematit Ahmedia ka udhëzuar muslimanët në një kohë kritike e vendimtare”.

Disa njerëz i shkruan Hazret Myfti Muhammed Sadik sahibit se është vetëm Xhemati juaj që realizon veprat konkrete dhe praktike. Sistemi i organizuar në xhematin tuaj është i pashembullt.

Përshtypjet e një intelektuali nga Kalkuta

Një ahmedian i sinqertë i Kalkutës, z. Daulat Ahmad Khan sahibi, B.A.L.L.B., njëherazi zëvendës redaktor i gazetës ‘Sulltan’, botoi një analizë mbi këtë libër në gazetën e tij në gjuhën bengale. Ai gjithashtu përktheu librin në Bengalisht, dhe bashkë me analizën e tij, e botoi në një formë të bukur, dhe e shpërndau masivisht në mes të qytetarëve bengalë. Një intelektual i shquar joahmedian u impresionua kaq shumë, pasi që lexoi analizën e tij mbi Raportin Nehru, saqë i shkroi një letër Sekretarit për Përparimin e Islamit. Ai shkroi:

“Kam dëshirë të madhe, ta takoj të nderuar Hazret Kalifin dhe ta vizitoj atë, sepse kam respekt të veçantë për të. Ju lutem, përcillni përshëndetjet e mia Hazret sahibit, dhe gjithashtu kërkoni që të pranojë urimin prej një shërbëtori sepse ai po mbron Islamin në mënyrë heroike, në një ndër rrethanat më të rrezikshme. Ai jo vetëm që ndriçon muslimanët në çështjet fetare, po ashtu po i udhëzon në çështjet politike. Unë kam lexuar pikëpamjet e të nderuarit, në lidhje me Raportin Nehru, dhe kjo vetëm më ka shtuar respektin dhe pozitën e tij të lartë, në sytë e mi. Ashtu siç unë e nderoj atë si një dijetar i jashtëzakonshëm, kam filluar ta çmoj atë si një politikan i zoti”.[5]

Lëvdata nga gazeta “Sijaset”

Gazeta “Sijaset” botohej nga Lahori. Ajo në botimin e saj të 2 dhjetorit 1930, shkroi:

“Nëse i lëmë mënjanë dallimet dhe mospërputhjet fetare, veprimtaria e të nderuarit Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmed në fushën letrare, vlen të çmohet dhe lëvdohet jo vetëm nga vëllimi i punës, por edhe nga dobishmëria e saj. Duke njësuar dhe bashkuar drejtimin politik të bashkësisë së tij, tok me interesat e muslimanëve të tjerë, ai ka themeluar një plan veprimi, dhe përmes udhëheqjes së tij e ka zbatuar në një mënyrë aq të suksesshme, saqë ka tërhequr lëvdata dhe përkrahje nga çdo musliman i sinqertë dhe i paanshëm. Një botë e tërë pranon largpamësinë e tij politike. Ai ka realizuar një punë të lavdishme, në lidhje me mobilizimin e muslimanëve kundër Raportit Nehru, në dorëzimin e pikëpamjes islame përpara komisionit ‘Sajmen’ (Simon), për të trajtuar çështjet bashkëkohore në mënyrë të argumentuar sipas botëkuptimit të Islamit dhe për të publikuar shkrime për të drejtat e muslimanëve, të bazuara në prova dhe argumente bindëse. Ne po shoshitim dhe analizojmë veprën e tij në gjuhën angleze, që shërben si kritikë e mirëfilltë ndaj funksionit të komisionit Sajmen. Studimi i kësaj vepre të zbulon horizontin e tij gjerë të njohurisë. Ai përdor një stil të thjeshtë e bindës bisedor dhe ka një ligjërim objektiv.”[6]

Përgëzimi nga gazeta “Rijaset”

Hazret Kalifi II r.a. mbajti një fjalim mbi situatën politike në Irak, i cili u transmetua në “All India Radio” në Lahore më 25 maj 1941. Në prapaskenë qëndronte pushtimi i Irakut nga Gjermania dhe Italia gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gazeta e famshme sikh në Delhi, “Rijaset”, më 2 qershor 1941, botoi analizën e mëposhtme mbi këtë fjalim. Gazeta shkroi:

“Një ndër tiparet e dobëta më karakteristike që gjendet në popujt e robëruar, të cilët pushtohen nën zgjedhën e huaj, është se populli i tyre është i privuar nga guximi i së vërtetës morale dhe sjellja lajkatare, mashtrimet, gënjeshtrat dhe qëndrimi prej frikacakut dallohen qartësisht në karakterin e tyre kombëtar. Ndonëse Rashid Aliu i Irakut, mund të jetë në kahun e gabuar, sipas qëndrimit të qeverisë britanike apo të popullit britanik, dhe ndoshta ai gabon duke shpallur luftë kundër qeverisë britanike, por askush nuk mund të mohojë se ky njeri po lufton për të fituar lirinë dhe pavarësinë politike për vendin e tij. Ai kurrsesi nuk mund të akuzohet për tradhtinë apo veprimtarinë armiqësore ndaj atdheut të tij. Por, nëse shikoni karakterin e guvernatorëve dhe liderëve të vendit tonë të robëruar e të pushtuar, se kur flasin për guvernatorin e Irakut, Rashid Ali, ata e quajnë tradhtar. Cilido lider që shpreh mendimin e tij për luftën, para së gjithash e akuzon Rashid Aliun për tradhti dhe më pas fillon bën bismillah për deklaratën e tij. Karakteri dhe sjellja e këtyre udhëheqësve dhe qeveritarëve të Indisë, është aq i degraduar dhe poshtëruar nga skllavëria, saqë kur bëjnë lajka dhe lëvdata të gënjeshtërta, u duket sikur po i shërbejnë vendit dhe shtetit. Guximi moral i udhëheqësit të Xhematit Musliman Ahmedia të Kadianit në krahasim me këtë lajkatari të shkalluar të guvernatorëve dhe udhëheqësve tanë, nxjerr në pah dukshëm vendosmërinë e tij morale dhe lartësinë e karakterit. Qëndrimi i tij i guximshëm dhe deklarata e tij e qartë, që ai shprehu në fjalimin e tij në radio, do të pritet me interes dhe kënaqësi të madhe. Kjo është përpjekja e tij për të çliruar kombin nga robëria”.[7]

Molana Muhammed Ali Xhoher

Molana Muhammad Ali Jauhar (Xhoher) (10.12.1878 – 04.01.1931) lindi në Rampur, të Indisë, në 1878 dhe ndërroi jetë në 1931. Ai themeloi gazetën javore “Comrade” nga Kalkuta. Ai gjithashtu nisi gazetën ‘Hamderd’ në Delhi në gjuhën Urdu. Në vitin 1923, ai u zgjodh kryetari i Konferencës Kombëtare e Indisë. Në vitin 1931, ai udhëtoi në Londër për të marrë pjesë në Konferencën e Tryezës së Rrumbullakët dhe më 4 janar ai ndërroi jetë po aty.[8]

Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmed

Kontributet e Hazret Musleh Maudit për themelimin, zhvillimin dhe në secilën fazë të ndërtimit dhe konsolidimit të Pakistanit, janë të spikatura. Ndonëse sot kundërshtarët shtrojnë pikëpyetje në lidhje me kontributet e ahmedianëve, paraardhësit e tyre njohin dhe vlerësojnë shërbimet e tyre. Mevlana Muhamed Ali Xhoher sahibi botoi përshtypjet e tij në gazetën ‘Hamdard’ më 26 shtator 1927. Ai shkroi:

“Do të ishte mosmirënjohëse të mos përmendej emri i të nderuarit Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmed dhe të bashkësisë së tij të organizuar në këto rreshta. Ai i ka kushtuar gjithë vëmendjen e tij mirëqenies së të gjithë muslimanëve pa marrë parasysh bindjen e tyre. Në këtë kohë, këta zotërinj (d.m.th. Mirza Bashiruddin Mahmudi dhe xhemati i tij) në njërën anë janë të interesuar për të mbrojtur interesat politikë të muslimanëve, dhe nga ana tjetër, ata janë angazhuar me përkushtim të plotë në organizimin dhe ekonominë e muslimanëve. Ky është karakteri i ahmedianëve dhe ajo kohë nuk është e largët, kur modeli i këtij komuniteti të organizuar të Islamit do të shërbejë si shembull për botën muslimane në përgjithësi dhe në veçanti për ata zotërinj që ngrenë slogane ndonëse të zjarrta për mbrojtjen e Islamit, nga mimberet e xhamive, por të cilat nga brenda janë parulla të zbrazëta e demagogjike.”[9]

Këta hoxhallarë lëshojnë slogane të zbrazëta nga foltoret e mëdha dhe pretendojnë me patos se janë udhëheqës fetarë, por nga brenda këto janë vetëm fjalë boshe pa asnjë përmbajtje. Ju do të shikoni se këta njerëz do të jenë pishtar të së ardhmes. Do të vijë dita, dhe ju do ta shihni”.

Ky është mendimi i dijetarëve të drejtë. Dijetarët e sotëm që i quajnë ahmedianët si armiq të Pakistanit dhe tradhtarë të Islamit, duhet ta shohin fytyrën e tyre në pasqyrë, dhe të kërkojnë se kush dhimbset për Islam, ahmedianët apo këta të ashtuquajturit hoxhallarë.

Sjed Habib

Sjed Habib Sahib është gjithashtu një personalitet i shquar. Ai lindi në 1891. Sjed Habiti ishte një gazetar i famshëm dhe i shquar i gjuhës urdu. Ai ishte emëruar kryeredaktor i revistës ‘Phul’ dhe ‘Tehzbi Nisvan’. Ai themeloi gazetat ‘Nukush’, ‘Sijaset’ dhe të përditshmen ‘Ghazi’. Sjed Habibi shquhej për gazetarinë e tij të guximshme. Ai vdiq në vitin 1951.[10]

Më 25 korrik 1931 ishte themeluar Komiteti Kombëtar Indian për Kashmirin dhe Hazret Kalifi II r.a. ishte emëruar unanimisht kryetari i parë i këtij komiteti nga të gjithë muslimanët. Megjithatë, pas një kohe, ai dha dorëheqjen nga presidenca e këtij komiteti. Sjed Habibi botoi një shkrim në gazetën e tij ‘Sijaset’ në Lahor më 18 maj 1933. Ai shkroi:

“Në dijeninë time, përkundër kualifikimeve të tyre të larta, si dr. Ikbali, ashtu edhe Malik Berket Alu, të dy nuk mund ta përmbushin këtë detyrë. Madje, botës do t’i bëhet e qartë se ata, të cilët kishin zgjedhur Mirza Bashiruddinin në krye të këtij komiteti, në kohën kur situata e Kashmirit ishte tejet kritike, pavarësisht nga dallimi në bindjet fetare, kishin bërë zgjedhjen më të mirë dhe kishin garantuar në këtë mënyrë suksesin e misionit. Në atë kohë, nëse Mirza Sahibi nuk do të zgjidhej për shkak të dallimeve në bindjet fetare, kjo lëvizje do të kishte dështuar plotësisht dhe populli i ndjerë musliman do të kishte pësuar një humbje të rëndë. Për mendimin tim, largimi i Mirza Sahibit është i barabartë me vdekjen e komitetit. Me pak fjalë, tani së shpejti bota do të mësojë vlefshmërinë e zgjedhjeve tona. Tani do të dihet se çfarë pune ka realizuar Mirza Sahibi dhe çfarë pune bën dr. Ikbali dhe komiteti i tij pa Mirza sahibin”.[11]

Pastaj, bota dëshmoi se çfarë ndodhi. Gjithçka është e dokumentuar. Ai pse e bëri këtë? Sepse ai dhimbsej për çlirimin e një populli të robëruar dhe ai duhej të ishe shkaku i lirisë së tij. Ndonëse, ai dha dorëheqje nga presidenca, ai nuk ndërpreu angazhimet në komitet. Ai bëri gjithë këtë për shkak të ndjenjës së dhembshurisë që vijoi ta frymëzonte atë për të ndihmuar në çfarëdo mënyre që mundej, dhe historia e dëshmon këtë.

Molana Abdul Maxhid Derijabadi

Pastaj është Mevlana Abdul Maxhid Derijabadi (16.03.1892-06.01.1977). I lindur në vitin 1892, ai qe një shkrimtar i shquar i letërsisë urdu në Indi. Ai ishte gjithashtu një studiues, kritik letrar dhe interpretues i Kuranit. Pas vdekjes së Hazret Kalifit II r.a., Mevlana Abdul Maxhidi shkroi në në gazetën e tij “Sidke Xhedid” në Luknau më 18 nëntor 1965, si në vijim. Ai shkroi:

“Cilatdo qofshin bindjet e tij, Allahu i shpërbleftë për përpjekjet e tij në përhapjen botërore të Kuranit dhe për përcjelljen dhe mbartjen e mësimeve të Kuranit anembanë botës”.

Abdul Maxhid Darijabadi

Molana Abdul Maxhid Darijabadi

Ai vetë ishte interpretues i Kuranit dhe po shkruan këto rreshta për Hazret Kalifin II r.a. dhe po lutet për të që Zoti ta mësirojë atë falë kontributeve të tij ndaj Kuranit. Ai shkruan më tej:

“Interpretimi, shpjegimi dhe qartësimi i fakteve dhe njohurive kuranore që ai ka bërë si dijetar, gëzon një status të lartë dhe të dalluar”.[12]

Shikoni se si një interpretues i Kuranit, i cili vjen nga radhët e muslimanëve, po dëshmon se interpretimi, shpjegimi dhe qartësimi i fakteve dhe njohurive kuranore që Kalifi II r.a. ka bërë në cilësinë e një dijetari, ka një pozitë të dalluar.

Pavarësisht dallimeve në interpretimin dhe botëkuptimin e Islamit, dhe edhe pse ai e konsideronte veten në anën e drejtë, ai prapëseprapë pranoi dhe lëvdoi kontributet e Hazret Musleh Maudit ndaj Kuranit dhe Islamit. Derisa Allahu i Madhërishëm kishte premtuar se do ta mbushte atë me diturinë lëndore dhe shpirtërore, kush mund t’i zbulonte faktet e dijes si ai në epokën e tij, por edhe ata që vijnë më vonë do të frymëzohen nga dituria e tij, që të mbeten në rrugë të drejtë.

Allama Muhammed Ikbal

Edhe pse paraqiten shumë mendime kundër xhematit në emër të Allama dr. Muhammed Ikbalit (09.11.1877-21.04.1938), por historia ruan edhe mendimet e tij pozitive rreth xhematit. Më 24 mars 1927 u mbajt një mbledhje në Lahore, e cila u drejtua nga Alama Ikbali. Hazret Musleh Maudi r.a. mbajti një fjalim në këtë mbledhje. Kur Ikbali u ngrit për të mbajtur fjalimin mbyllës, ai tha se kishte kohë që nuk kishte dëgjuar një fjalim kaq informues dhe të pasur në Lahor. Ai gjithashtu shprehu kënaqësinë e tij që Mirza sahibi kishte bazuar fjalimin e tij plotësisht në vargjet e Kuranit. Pastaj tha:

“Unë nuk dua të zgjas aspak fjalimin tim, që të mos humbet shija që kam marrë nga ky fjalim”.[13]

Allama dr. Muhammad Ikbal

Prof. Sjed Abdul Kadir

Prof. Sjed Abdul Kadiri ishte pedagog në departamentin e historisë dhe dekan i Kolegjit Islamia në Lahor. Në vitin 1919, Hazret Musleh Maudi r.a. mbajti një ligjëratë para studentëve të këtij instituti arsimore mbi temën “Historia e fillimit të përçarjeve në Islam”. Ky ligjërim ishte fenomenal që nxirrte në pah anët e fshehura të historisë islame. Prof. Sjed Abdul Kadiri, i cili drejtonte këtë seancë, shprehu mendimin e tij me këto fjalë. Ai tha:

Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi

Prof. Sjed Abdul Kadiri (mbrapa me syze).

“Djali intelektual i një babai mendimtar të shquar. Emri i Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedit, është një garanci e mjaftueshme se ky fjalim do të ishte një fjalim shkencor, intelektual me përfundim objektiv. Ka shumë pak historianë, të cilët kanë mundur të zbulojnë rrënjën e mosmarrëveshjeve që u shfaqën në periudhën e Hazret Uthmanit r.a. apo të kenë kuptuar shkaqet reale pas kësaj lufte të parë civile në Islam, që u shoqërua me ngjarje të përgjakshme. Hazret Mirza sahibi jo vetëm që ka arritur të kuptojë shkaqet e kësaj fatkeqësie, pra të luftës civile, por ai i ka përshkruar edhe kronologjinë e ngjarjeve në mënyrë shumë të qartë dhe në mënyrë të pandërprerë, për shkak të të cilave institucioni i Kalifatit u rrethua nga trazirat për një kohë të gjatë. Mendoj se të interesuarit pas lëndës së historisë islame, nuk do të kishin parë kurrë një punim të tillë, të argumentuar dhe të logjikshëm.”[14]

Edwin Samuel Montego

Edwin Samuel Montego (06.02.1879-15.11.1924) ishte Ministri për çështjet indiane në Parlamentin Britanik si dhe mbante përgjegjësi si Sekretari i Shtetit për Indinë. Pra, bëhej fjalë për vitet 1917-1918 kur Subkontinenti Indian pra India dhe Pakistani sundoheshin nga fuqia kolonialiste britanike. Gjatë kësaj periudhe ai shkoi për një vizitë zyrtare në Indi për të vlerësuar situatën në vend. Me këtë rast, Hazret Kalifi II r.a. i dërgoi një udhëzim të qartë dhe të detajuar për zgjidhjen e çështjeve të Indisë në formën e një fjalimi që i drejtohej ministrit të Indisë. Këto këshilla iu dorëzuan atij në Lahor, dhe i lexoi Hazret Sir Zafarullah Khan sahibi. Hazret Musleh Maudi r.a. mbajti takim me ministrin dhe ia shprehu mendimet e tij. Z. Montego shënoi detajet në lidhje me këtë fjalim këshillat e Huzurit në ditarin e tij, i cili u botua pas vdekjes së tij me titull “Një ditar indian”. Poshtë shënimit të datës 15 nëntor 1917, gjejmë këtë përshkrim:

Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi

Edvin Samuel Montagu

“Delegacioni i katërt përbëhej nga ahmedianët, të cilët bëjnë pjesë në bashkësinë muslimane. Këta muslimanë besojnë në unitetin e njerëzimit dhe besojnë në të gjithë të dërguarit e Zotit. Ai lexoi një dokument të gjatë të shkruar nga Shenjtëria e Tij. Ky dokument ishte më i mirë se të gjitha dokumentet që na u prezantuan. Propozimet e tij në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv dhe legjislacionin ishin më objektive nga të gjitha grupet e tjera, dhe me siguri ishin hartuar në mënyrë tejet profesionale dhe pas shumë diskutimesh.”

Fjalët aktuale të shënimit fundor janë si më poshtë

“He has a good mind and had carefully thought out his constitutional scheme”.[15]

Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi

An Indian Diary (Një ditar indian)

Ai është tejet i mprehtë nga mendja dhe ka dhënë një skemë kushtetuese, të përgatitur me shumë vëmendje dhe thellësi”.

Këto janë fjalë të një politikani të përgatitur dhe profesional, i cili flet për një person të paarsimuar sipas kritereve të kësaj bote. Kjo do të ndodhte, sepse Allahu i Madhëruar e ka përshkruar në profeci se do të pajiset me njohuri të brendshme dhe të jashtme.

Çaudri Muhammed Ekber Khan Batti

Çaudri Muhammed Ekber Khan Batti ka shërbyer pranë Gjykatës së Lartë si avokat. Ai shkruan:

“Nuk do të ishte e pavend, nëse rrëfej një ngjarje. Redaktori i të përjavshmes ‘Pares’ Lala Kerem Chend, bashkë me disa gazetarë të tjerë mori pjesë në xhelsa Salanën e Kadijanit. Pasi u kthye prej andej, ai shkroi disa artikuj njërin pas tjetrin, në të cilët shkroi për udhëheqjen largëpamëse dhe rreth personalitetit të Hazret Mirza Bashiruddin Mahmudit. Kjo gjë i zemëroi kundërshtarët e xhematit. Ata filluan të ankoheshin tek unë se deri tani kishin menduar se Zafarullah Khani qe një njeri i madh, pasi ishte anëtari i Këshillit Ekzekutiv të Vojsroit atëkohë, por statusi i tij përballë Mirza Bashiruddin Mahmood Ahmedit si një nxënës i vogël. Për çdo çështje, Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi ka një mendim më të mirë se Zafarullah Khani dhe paraqet argumente më të mira. Ai ka aftësi të jashtëzakonshme administrative. Një njeri i tillë mund ta çojë vetëm pa asnjë vështirësi një popull në lartësi.

Pas ndarjes së Indisë, Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmed Sahib kishte mbajtur disa fjalime në kolegjin juridik mbi perspektivat e zhvillimit të vendit. Në këto fjalime, ai shpjegoi disa pika përmes grafikut me anë të hartave dhe tabelave si një pedagog i shquar universitar. Më kujtohet një pikë se ai tha se ishte për të ardhur keq që para ndarjes së vendit nuk u kushtohej vëmendje ishujve që shtrihen përgjatë bregut të Indisë. Lakshdip, Sarandip dhe Baladip etj. Popullsia e këtyre ishujve bregdetar është kryesisht e varur nga muslimanët dhe rëndësia e tyre nga pikëpamja e mbrojtjes është shumë e lartë. Pas dëgjimit të fjalimeve, përshtypja e përgjithshme te të pranishmit ishte se ata shprehën keqardhje që përse gjatë procesit të ndarjes nuk kishin konsultuar dhe bashkëpunuar me Kalifin. Fanatizmi fetar dhe hipokrizia jonë e tepruar na privuan që të përfitonim nga aftësitë e Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedit për interesat kombëtarë. Një gjykatës më shprehu në bisedë private se, me gjithë elokuencën dhe njohurinë e tij, ai nuk ishte aspak i njohur me këto probleme që nuk lidheshin me drejtimin e tij, megjithatë pas dëgjimit të mendimeve të Mirza Mahmud Ahmedit, ai mbeti i habitur dhe mësoi për herë të parë njohurinë e vërtetë rreth koncepteve islame”.[16]

Pra, ishte Hazret Kalifi II r.a., i cili parashtroi mendimin më të qartë për themelimin e shtetit pakistanez. Madje edhe më vonë, përmes mendimeve të tij intelektuale, ai ndriçoi mendjet e njerëzve të arsimuar. Ata u habitën nga statusi i tij, dhe vetja u dukej si një nxënës fillestar për dijen e tyre të mangët rreth atyre çështjeve.

Gazeta “el-Umran”

Gazeta “el-Umran” nga Damasku, më 10 gusht 1924, botoi një shkrim me titullin “Mehdi në Damask” gjatë kohës kur Hazret Musleh Moudi vizitoi atje. Gazeta shkruan:

“Kur u publikua lajmi për vizitën e tij në Dar el-Kilafa, shumë dijetarë dhe studiues nga Siria erdhën për të biseduar dhe për të debatuar me të rreth misionit të tij. Sipas gazetës, ata shkuan për ta takuar atë, dhe e gjetën si një dijetar të madh, një studiues të thellë, një njohës të mirë të botës fetare, të historisë dhe të filozofisë, dhe një lëvrues të zellshëm të filozofisë dhe metodologjinë e ligjit hyjnor. Ata gjetën një personalitet të shquar dhe dalluar. Gjeti një figurë të njohur”.[17]

Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi

Gazeta el-Umran nga Damasku, Siri

Kjo është dëshmia e një gazete arabe.

Hazret Kalifi i Dytë r.a. u përpoq të paralajmëronte dhe ndërgjegjësonte muslimanët përmes fakteve në kontekstin fetar dhe historik, jo vetëm në kohën kur kurdiseshin planet për krijimin e shtetit të Izraelit por dhe më pas kur ky plan ishte realizuar me themelimin e një shteti. Në këtë kontekst, ai shkroi një libërth me titullin ‘‘ اَلْکُفْرُمِلَّةٌ وَّاحِدَةٌ ’’ (El-Kufru Miletun Vahidetun) [Mosbesimi është një popull i vetëm]. Ky shkrim u përhap gjithashtu në Lindjen e Mesme për t’i vetëdijesuar arabët dhe botën muslimane që të jenë të kujdesshëm në zhvillimet politike. Shumë gazeta arabe vlerësuan dhe çmuan këtë shkrim. Në këtë shkrim, Hazret Kalifi II r.a. kishte shprehur shqetësimet dhe frikët e tij, si dhe kishte paralajmëruar nga pasojat e atyre zhvillimeve, gjë që po shihen sot si realitet, sidomos sot në kohën e luftës. Uroj që muslimanët t’i kushtojnë vëmendje edhe tani.

Lidhur me këtë shkrim, gazeta e njohur arabe “Esh-Shura” nga Bagdadi, në Irak botoi një temë të hollësishme në botimin e saj të 18 qershorit 1948. Po ashtu gazeta “El-Ahbar” nga Damasku vlerësoi këtë vepër. Ky është një libërth, që duhet lexuar edhe nga ahmedianët, që t’u shtohet dija dhe njohuri.[18]

Serdar Shauket Hajat Khani

Serdar Shauket Hajat Khani (1915-1998) ishte një prej figurave kryesore të luftës për pavarësinë e Indisë. Ai shkruan në librin e tij “The Nation that lost its Soul” (Kombi që humbi shpirtin):

Sirdar Shaukat Hajat Khan

“Një ditë mora një mesazh nga Lideri i Madh (Muhammed Ali Xhinah). Mesazhi thoshte kështu: ‘Shauket! Kam mësuar se ju do të shkoni në Batala, e cila është pesë milje larg nga Kadiani. Duhet të shkoni edhe në Kadijan dhe përcillni këtë kërkesë Hazret Mirza sahibit që të na ndihmojë me lutjet dhe mbështetjen e tij që të përmbushim ëndrrën e shtetit Pakistan’. Kështu, kur përfundova takimet e mia në Batala, shkova në Kadian rreth mesnatës. Hazret Sahibi në atë kohë po pushonte. E njoftova se kam ardhur për t’i përcjellë mesazhin e Liderit. Ai zbriti menjëherë dhe më pyeti se cilët janë urdhrat e Liderit. Unë thashë se ai ka nevojë për lutjet dhe mbështetjen tuaj. Hazret sahibi u përgjigj se ai po lutet vazhdimisht për misionin e tij që nga fillimi dhe sa i përket ndjekësve të tij, d.m.th. ahmedianëve, asnjë ahmedian nuk do të kandidojë kundër partisë së tij ‘Lidhjes Muslimane’ dhe nëse dikush nuk i bindet këtij urdhri, do të humbë krejt mbështetjen e Xhematit. Megjithatë, ne do të mbështesim kandidatin e Lidhjes Muslimane.

Si rezultati i këtij takimi, Mumtaz Daultana (20.02.1916 – 30.01.1995) mundi një ahmedian Nevab Muhammed Dinin në zonën zgjedhore të Sialkotit me një diferencë të thellë. Banorët e Kadianit ndoqën urdhrat e kryetarit të tyre dhe votuan masivisht për fitoren e Mumtazit në vend të ahmedianit Muhammed Dini.”

Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi

Sjed Mumtaz Daultana

Dua të shtoj këtu se ky Mumtaz Daultana është i njëjti person, në qeverinë e të cilit shumë vite më vonë në 1953, u ndërmor fushata anti-ahmediane. Pavarësisht se ahmedianët vazhdojnë tu japin mbështetje, këta njerëz kurdo që gjejnë mundësi, nuk ndalojnë sjelljen e tyre për të dëmtuar e shkatërruar xhematin. Më tej, Shauket Hajati shkruan:

“Kur arrita në Pathankot, Lideri i Madh më urdhëroi të takoj edhe Mevlana Maududin. Ai ishte vendosur në një kopsht ngjitur me fshatin e Çaudri Niazit. Kur i përcolla mesazhin e Liderit Mevlana Maududit për t’u lutur për Pakistanin dhe për të na mbështetur, ai u përgjigj se si mund të lutet për “Napakistan” (d.m.th për një vend të fëlliqur). Për më tepër, ai më pyeti se si mund të krijohet Pakistani derisa çdo person që jeton në Indi nuk kthehet në fenë islame”.[19]

Sipas vizionit të themeluesit të Xhematit Islami, Pakistani nuk duhet të krijohej derisa secili banor i Indisë të bëhet musliman dhe sipas kësaj teorie, as sot Pakistani nuk ka të drejtë të ekzistojë. Serdar Shauket Hajati shkruan: “Ky ishte vizioni i themeluesit të Xhematit Islami dhe në anën tjetër shikoni vizionin e Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedit. Sot, politikanët e Pakistanit dhe të ashtu quajtur udhëheqësit fetarë, që nuk kanë asnjë qasje me historinë e vendit, i quajnë ahmedianët tradhëtar dhe armiq. Ndërsa ahmedianët si në të kaluaran po ashtu edhe sot janë të gatshëm të ofrojnë çdo sakrificë për atdheun e tyre. Allahu e shpëtoftë Pakistanin nga këta shtypës që sundojnë vendin!

Gazeta “Meshrik”

Pastaj, vlen të përmendet një arritje tjetër e Hazret Kalifit të Dytë që tregon dhembshurinë e tij ndaj muslimanëve. Në vitin 1923, ai shpalli Xhihadin kundër lëvizjes hinduiste ‘Shudi’. Nën udhëheqjen e një hindu radikal, të cilin e quanin Shudha Anend, kjo lëvizje synonte kthimin e të gjithë muslimanëve në Indi, në fenë e paraardhësve të tyre, pra në fenë hinduiste. Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi r.a. dërgoi grupe të predikuesve njëri pas tjetrit në rajonin  Melkana, ku përqendrohej edhe lëvizja Shudi. Në lidhje me këtë, gazeta “Meshrik” nga Gorakhpuri, më 29 mars 1923, botoi këtë shkrim:

“Fjalimet dhe shkrimet e vazhdueshme të imamit dhe udhëheqësit botëror të Xhematit Ahmedia kanë ndikuar thellë dhe fuqimisht te ndjekësit e tij. Sot, ky komunitet qëndron në krye të këtij Xhihadi. Ndonëse Xhemati Ahmedia nuk ka pasur asnjë nevojë të dilte në përkrahje të këtij grup muslimanësh të rinj, pasi ata nuk kishin asnjë lidhje me xhematin e tyre, por vetëm prej faktit se këta banorë të Malkanës kanë lidhje me Islamin, Imami i Xhematit Ahmedia u prek në sedër për hir të Islamit. Disa nga fjalimet dhe shkrimet e tij, janë aq të fuqishme se të ngjallin rrëqethje në trup se ka akoma burra që janë të gatshëm të flijohen në emër të Allahut. Nëse dijetarët tanë kanë frikë se ndoshta Xhemati Musliman Ahmedia do t’i përhapë bindjet e tyre të veçanta, atëherë le të dalin në mejdan, apo të mbushin xhematlinjtë e tyre me një devotshmëri e gatishmëri të tillë për hir të Islamit.

Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmad r.a.

Po ashtu, nëse muslimanët kanë frikë se ndoshta ahmedianët do të përhapin besimet e tyre nën petkun e Islamit, atëherë ata që të gjithë le të bashkohen në mënyrë konsensuale dhe të formojnë një grup të bashkuar. Ata duhet të motivojnë vullnetarët të sakrifikojnë çdo gjë për hir të Islamit, njësoj si ahmedianët, pra të ushqehen me miell drithërash dhe bishtajoret dhe të përkushtohen plotësisht për të mbrojtur Islamin. Një përkushtim dhe disiplinë të tillë, ne shohim tek anëtarët e Xhematit Ahmedia. Po shohim ndershmërinë, përkushtimin vetëmohues ndaj përmbushjes së zotimit dhe bindjen e plotë ndaj Imamit të tyre. Ahmedianët janë shkrirë në një trup të vetëm. Prandaj, duhet të bashkoheni edhe ju dhe të tregoni shembuj të tillë sakrificash. Ndershmëria dhe besnikëria ishin tiparet e muslimanëve, por sot me to identifikohen ahmedianët. Bujaria dhe bamirësia e Xhematit Ahmedia, së bashku me ndershmërinë, dëlirësinë dhe rregullsinë në çështjet financiare janë tipare të spikatura dhe të lavdishme. Pra, kjo është arsyeja pse këta njerëz po realizojnë veprat madhore pavarësisht mungesës së të ardhurave”.[20]

Kjo ishte dhimbja që e mundonte në zemër, të cilën ai e transformoi në një lëvizje të veçantë brenda Xhematit dhe mobilizoi gjithë anëtarët në një mënyrë apo tjetrën për këtë detyrë. Kjo është arritje, të cilën e kanë çmuar dhe vlerësuar edhe ata jashtë Xhematit.

Mian Muhammad Shafi

Mim Shin sahibi ishte një gazetar dhe politikan i famshëm në Pakistan. Emri i tij letrar ishte Mim Shin ndërsa emri i tij origjinal ishte Mian Muhammed Shefi. Pas vdekjes së Hazret Musleh Moudit, ai shkroi në rubrikën e tij që titullohej “Ditari nga Lahori’’ si në vijim:

Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi

Sir Mian Muhammed Shefi

“Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi, pasi mori detyrën e Kalifit në vitin 1914, organizoi komunitetin e tij si dhe e ktheu bordin ekzekutiv të xhematit (pra Sadr Anxhumen Ahmedia) në një institucion aktiv dhe të gjallë. Kjo tregon aftësinë e tij të jashtëzakonshme në fushën administrative. Edhe pse nuk posedonte asnjë diplomë universitare, ai kishte lëvruar dijen dhe njohurinë e tij përmes studimit në mënyrë private se meritonte me çdo të drejtë titullin “Alama” (Dijetari i madh). Një herë, gjatë një interviste, ai më shprehu se i kishte fituar zotërimin e gjuhës angleze vetëm duke lexuar rregullisht ‘Gazetën Civile dhe Ushtarake’. Sipas tij, ai vazhdoi ta lexonte këtë gazetë çdo ditë rregullisht, derisa ajo u mbyll nën pronësinë e Khavaxha Nazir Ahmedi. Mirza Sahibi ishte një orator shumë elokuent dhe një mjeshtër i prozës. I ndjeri përdori çdo mjet dhe mundësi pa ngurrim që mund të përçonte zhvillimin e Xhematit në lartësi të reja. Nga pikëpamja e Xhematit, ishte arritja e tij e madhe që pas ndarjes së nënkontinentit, kur ai u detyrua të largohej nga Kadiani, ai themeloi një qendër të dytë në Rabvah, në Pakistan”.[21]

Gazeta “The Light”

Gazeta “The Light” (Drita), është organi zëdhënës i grupit Lahori, të cilët nuk besojnë në Kalifatin Ahmedia. Kjo gazetë botoi një lajm pas vdekjes së Hazret Musleh Maudit me titullin “A great Nation builder” d.m.th. një shtetformues i madh. Më datën 16 nëntor 1965, gazeta botoi këtë shkrim:

“Me vdekjen e imamit të Xhematit Ahmedia, Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi, i ka ardhur fundi një jete plot me ngjarje e zhvillime, e cila është e pasur me arritje dhe vepra të panumërta me rezultate të jashtëzakonshme e largpamëse. Ai qe një gjeni dhe një person që dominonte fushën e dijes, shkencës dhe të arteve të ndryshme, që posedonte një fuqi të pakrahasueshme vullneti e veprimi. Gjatë gjysmëshekullit të fundit, nga dituria apo fusha intelektuale e deri te shtrirja dhe konsolidimi i rrjetit për përhapjen e fesë, dhe për më tepër tek udhëheqja politike, vështirë se ka ndonjë fushë a zhanër mendimi dhe veprimi në të cilën i ndjeri nuk ka lënë një gjurmë të thellë të figurës së tij të rrallë e multidimensionale. Një rrjet qendrash për përhapjen e islamit në mbarë botën, xhamitë e ndërtuara në çdo skaj të botës, ekzekutimi i bujshëm i një plani për përhapjen e Islamit gjerësisht e masivisht në Afrikë dhe për të çrrënjosur misionet e krishtera që gjendeshin prej shekujsh në atë kontinent, të gjitha këto janë vepra madhore të aftësisë organizuese dhe ndërtuese të të ndjerit. Këto plane do të qëndrojnë si një monument i qëndrueshëm dhe i paharrueshëm për aftësinë e tij organizative dhe punën e palodhshme. Vështirë të gjejmë një shembull tjetër nga historia e njerëzimit përgjatë dekadave të fundit, ku ndonjë udhëheqës tjetër të ketë dëshmuar se meritonte dhe gëzonte një dashuri dhe besnikëri kaq të zjarrtë nga ndjekësit e tij. Po ashtu, manifestimi i kësaj dashurie dhe përkushtimi të zjarrtë nga pasuesit e tij nuk u kufizua vetëm gjatë jetës së tij, por me të njëjtin intensitet dhe fuqi u shpreh edhe pas vdekjes së tij, kur 60 mijë njerëz nga të gjitha anët e vendit erdhën për t’i dhënë homazhin e fundit Imamit të tyre të ndjerë. Në historinë e Xhematit Ahmedia, emri i Mirza Sahibit do të vazhdojë të jetojë si një ndërtues i madh i kombit, i cili, me gjithë vështirësitë e rënda, ndërtoi një Xhemat të bashkuar dhe e bëri atë një forcë që nuk mund të më injorohet”.[22]

Pavarësisht nga dallimet në bindje, kjo gazetë e grupit disident të xhematit, nuk mund të qëndronte pa shprehur se Hazret Musleh Mou’di r.a. ishte një lider i madh. Kjo është një dëshmi dhe shprehje e zemërgjerësisë së tyre.

Përveç këtyre ka akoma shumë komente dhe mendime, që të tjerët kanë lënë për të. Përveç kësaj, ai ka këshilluar dhe udhëzuar xhematin në përgjithësi dhe muslimanët në veçanti për çështje të ndryshme. Ka një sërë artikujsh, fjalimesh dhe librash që janë shpërndarë në vëllime të tëra. Disa janë botuar dhe disa janë në prag të botimit. Vetëm kolona e fjalimeve të tij përbëhet nga 35 vëllime. Hutbet e tij shtrihen në 27 vëllime. Pavarësisht kësaj veprimtarie të madhe letrare, ai nuk kishte ndjekur ndonjë shkollë, medrese, kolegj apo universitet. Njohuria e tij e gjerë dhe e pakrahasueshme rreth Kur’anit ishte një dhuratë prej Allahut. Vetëm mbi këtë pikë, kanë komente të shumta nga personalitete të shquara jashtë-xhematit. Disa prej tyre, ju kam rrëfyer gjatë viteve të kaluara. Kohët e fundit, janë zbuluar shënimet e tij mbi interpretimin e Kuranit, si dhe komentimet e Kuranit, që janë përmendur në fjalime dhe shkrime të tij. Të gjitha këto nuk janë shtypur ende dhe janë pothuajse dy herë më shumë se 10 vëllimet e Tefsir Kabirit. Edhe ato do të shtypen së shpejti, në dashtë Allahu. Të gjitha këto janë dhuntitë prej Allahut. Në këtë mënyrë, Allahu e përmbushi profecinë rreth birit të premtuar, dhe ky parashikim përbën një prej profecive më të mëdha për vërtetësinë e Mesihut të Premtuar a.s. dhe është një mjet për të ngritur nivelin e besimit tonë. Shumë libra janë botuar edhe në gjuhën angleze. Ata që nuk dinë urdu duhet të përpiqen të përfitojnë nga këto thesare dijesh. Allahu na mundësoftë të gjithëve të përfitojmë nga kjo pasuri intelektuale.

Thirrje për lutje

Këto ditë, në Pakistan ka nisur një valë e re kundërshtimesh kundër Xhematit. Një numër i madh politikanësh dhe klerikësh që humbën zgjedhjet ose nuk gjetën rezultatet e dëshiruara, po sulmojnë sërish ahmedianët për të shkaktuar trazira dhe kaos në vend. Kjo ka qenë gjithmonë metoda e tyre se sa herë dështojnë në aspiratat politike, kërkojnë të fitojnë famën dhe të mbeten në vëmendje të medias, duke hapur frontin kundër Xhematit Ahmedia. Po përsërisin të njëjtën metodë, siç kanë bërë në të kaluarën për qëllimet e tyre egoiste. Prandaj, kudo që jetojnë ahmedianët, duhet të tregojnë më shumë kujdes. Po ashtu, ata duhet t’i kushtojnë shumë rëndësi edhe lutjeve dhe veprave bamirëse. Allahu i ruajttë ahmedianët kudo që të jenë!

Lutuni shumë për ahmedianët e Jemenit. Allahu ua lehtësoftë gjendjen edhe atyre! Shumë prej tyre janë mbyllur në burg. Allah i liroftë sa më shpejt! Lutuni edhe për Palestinezët, Allahu i mëshiroftë dhe i çliroftë ata nga shtypja e fuqive të mëdha!

Në Ganë, prej ditës së djeshme po zhvillohet Xhelsa Salana. Nesër ditën e shtunë, do të jetë dita e fundit e xhelsës. Lutuni që tubimi i tyre të përfundojë me sukses në çdo mënyrë. Kjo xhelse po zhvillohet në vitin jubilar, pra në 100-vjetorin e themelimit të Xhematit në Ganë. Nesër, në dashtë Zoti, do të transmetohet drejtpërdrejt edhe fjalimi im nga ky tubim. Allahu e bekoftë këtë ngjarje në çdo aspekt![23]

_________________________________________________

[1] “Aina Kemalate Islam”, Ruhani Khazain, vëll. V, f. 647.
[2] Revista mujore “Khalid” Numri special Sjeduna Musleh Mou’d, qershor-korrik 2008, f. 325-326.
[3] I marrë nga “Tarikhe Ahmedijet”, vëll. VI, f. 181.
[4] I marrë nga “Tarikhe Ahmedijet”, vëll. IV, f. 163-164.
[5] I marrë nga “Tarikhe Ahmedijat”, vëll. V, f. 71-72.
[6] I marrë nga “Tarikhe Ahmedijet”, vëll. V, f. 219.
[7] I marrë nga “Tarikhe Ahmedijet”, vëll. VIII, f. 239-244.
[8] I marrë nga “Molana Muhammad Ali Johar – Jeta dhe veprat” nga dr. Nadeem Shafeek Malik, f. 15,30-33, 41-45,48.
[9] “Tarikhe Ahmedijet”, vëll. IV, f. 622.
[10] I marrë nga “Jarane Kuhun”, nga Abdul Mexhid Salik, nën temën “Sjed Habib”, f. 189-200.
[11] Revista mujore “Khalid”, numri special “Musleh Mau’d, qershor-korrik 2008, f. 323-324.
[12] Si më lart, f. 879.
[13] Gazeta “Alfazl”, 15 shkurt 1999, f. 6.
[14] I marrë nga gazeta “Alfazl”, 15 shkurt 2002, f. 13.
[15] I marrë nga gazeta „Alfazl”, 18-27 shkurt 2020, f. 54.
[16] Gazeta “Alfazl International”, 16-22 shkurt 2019, f.3.
[17] E përditshmja “Alfazl”, 17 shkurt 1972, f. 10.
[18] I marrë nga “Tarikhe Ahmedijet”, vëll. 12, f. 391-393.
[19] I marrë nga libri “Gum Geshtei Kaum”, nga Sirdar Shauket Hajati, e botoi Jang Publishers, Lahore, në dhj. 1995, f. 195.
[20] Maulvi Abdul Manan Shahidi, “Mesihe Mau’d a.s. aur Xhemati Ahmedia, Insafpesend Es’hab ki nezer mein”, f. 261-262.
[21] E përditshme “Alfazl”, 11 dhj. 1965, f. 5.
[22] „Tarikhe Ahmedijet“, vëll. XXIII, f. 182.
[23] E përditshme “Alfazl Intenational”, 15 mars 2024, f. 2-8.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp