Jeta e Hazret Kalifit të Dytë r.a.| Dokumentar i shkurtër
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Jeta e Hazret Kalifatul Masih II r.a. – Dokumentar i shkurtër

Ajo ishte dita më e trishtueshme për xhematin Musliman Ahmedia, sepse sot kishte ndërruar jetë themeluesi i tij Hazret Mirza Ghulam Ahmed Kadijani a.s. Në këtë moment të dhimbshëm, një ndër djemtë e tij, ndenji pranë shtratit të tij dhe u zotua që

“edhe nëse të gjithë të largohen prej teje, dhe mbetem plotësisht i vetmuar, unë prapëseprapë do të qëndroj i vendosur pranë teje, dhe do t’i bëjë ballë çdo kundërshtimi dhe sulmi që i bëhet misionit tënd”.

Historia dëshmoi që ky djalë përmbushi besnikërisht çdo fjalë të këtij zotimi mallëngjyes, që ai kishte dhënë në atë kohë të vështirë.

Ai mund të përshkruhet si robi i përkushtuar i Zotit, oqeani i dijes materiale e shpirtërore, zëri elokuent i kohës, një gjenial i madh i shekullit XX, mishërimi i të gjitha cilësive për një udhëheqës të denjë etj. Këto janë vetëm disa prej epiteteve të Hazret Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedit r.a. birit të Premtuar të Hazret Mirza Ghulam Ahmedit a.s., Imam Mehdihut a.s.

Musleh Ma’ud – Reformator i premtuar

Ai ishte një reformator, ardhja e të cilit ishte premtuar vetë nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe Mesihu i Premtuar a.s. Ishte vetëm 25 vjeç, kur u zgjodh Kalifi i dytë i Mesihut të Premtuar a.s. Gjatë periudhës së tij të kalifatit, që zgjati më shumë se pesëdhjetë vjet, ai u kujdes për nevojat dhe zhvillimin e xhematit. Ai e rriti dhe e çoi më përpara, duke e shndërruar këtë ndërmarrje hyjnore nga një bimë e brishtë në një pemë gjigante, degët e së cilës janë përhapur sot anembanë botës. Me anë të udhëzimeve të tij shpirtërore, lutjeve të përshpirtshme dhe përpjekjeve të stërmundimshme ai përçoi xhematin drejt rrugës së lavdishme.

Biri i premtuar i Imam mehdiut a.s.

Jeta e tij përmbushi çdo aspekt të asaj profecie madhështore që Mesihu i Premtuar a.s. kishte shpallur përmes një njoftimi në 1886. Duke u frymëzuar prej Zotit, Hazret Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedi r.a. fortifikoi kështjellën shpirtërore të xhematit, themelet e të cilës ishin hedhur nga Mesihu i Premtuar a.s. Duke nisur një sërë projektesh, programesh dhe organizatash, ai zgjeroi strukturën e xhematit.

Themelimi i Tehrik-e-Xhedidit dhe përhapja e Xhematit

Për të stimuluar nivelin moral e shpirtëror të anëtarëve dhe për të përçuar mesazhin e xhematit në të gjitha skajet e botës, në vitin 1934 Hazret Kalifi II r.a. paraqiti arkën e Tehrik-e-Xhedidit. Kjo skemë i dha xhematit një frymë dhe një energji të re. Rezultati më i shkoqitur i kësaj skeme ishte shtrimi i rrjetit të qendrave misionare anembanë botës. Me një rritje graduale përgjatë viteve, sot degët e xhematit po lulëzohen në më shumë se dyqind vende të botës.

Komentimi i Kuranit

Hazret Muslehi Ma’udi r.a. u përkushtua për të vendosur mbizotërimin absolut të Fjalës së Zotit në botë.

Në moshën adoleshente, ai përjetoi një ngjarje të çuditshme shpirtërore. Iu paraqit një engjëll në keshf (vegim) dhe ia mësoi komentimin e sures el-Fatiha. Në këtë mënyrë, atij iu dhuruan njohuria e thellë dhe kuptimi i gjerë i Kuranit nga Allahu i Lartësuar. Të gjitha fjalimet, diskurset dhe shkrimet e tij rrotullohen rreth këtij boshti dhe shpalosin perlat e Kuranit.

Vepra e tij më mbresëlënëse është padyshim Tefsire Kebir, një komentim i mrekullueshëm i Kuranit Famëlartë që shtrihet në më shumë se dhjetë mijë faqe. Çdo individ që mund të ketë studiuar me vëmendje qoftë një pjesë të vogël të këtij komentimi, do të dëshmojë që nëse dikush tjetër do të botonte vetëm një pjesë të tij, do fitonte një pozitë të posaçme ndër figurat më të spikatura të botës fetare.

Thirrje për dedikimin e jetës në shërbim të fesë

Hazret Musleh Ma’udi r.a. nuk u ndal vetëm me hartimin e këtij komentimi dhe me shpërndarjen e tij, por kishte një dëshirë të zellshme për të përçuar Kuranin anembanë botës. Ai u bëri thirrje të rinjve të xhematit, që të dedikojnë jetën për trajnimin fetar në institucionin misionar të Xhematit “Xhamia Ahmedia”.

Ai u bëri thirrje prindërve, që të dedikojnë fëmijët e tyre për hir të Islamit. Kështu u përgatit një brez dijetarësh, që jo vetëm i druheshin Zotit, por me anë të dijes dhe veprave të tyre ua përcollën mesazhin jetëdhënës së Kuranit të gjithë popujve të botës. Si fryti i sakrificave të tilla vetëmohuese, fjala e Zotit rrezaton sot katërçipërisht.

Shërbimi i Islamit dhe kontributi për të drejtat e muslimanëve

Një ndër tiparet më eminente të jetës së tij, i cili shkoqitet dallueshëm dhe zotëron mbi çdo gjë tjetër qe dëshira e tij e flaktë për t’u solidarizuar me muslimanët dhe për t’i përkrahur ata. Madje, nuk është ekzagjerim, nëse themi se e gjithë veprimtaria e tij, planet, programet, skemat dhe punët e tij të palodhshme përqendroheshin vetëm në dobi të Islamit.

Hazret Kalifi II r.a. u bëri thirrje ahmedianëve që të luten përulësisht për mirëqenien e të gjithë muslimanëve të botës, të cilët rrethoheshin nga rreziqet e ndryshme. Në një situatë të tillë pra kur u nda India në 1947, ai mbajti fjalime të shumta, dhe nga çdo platformë mbrojti kauzën e muslimanëve.

Huzuri ishte prekur thellë nga gjendja e mjerueshme të muslimanëve të Kashmirit, të cilët shtypeshin mizorisht dhe u mohoheshin të drejtat e tyre nga një regjim despotik hindu. Ai u zgjodh kryetari i parë i Komitetit Indian për të drejtat e Kashmirive, i cili ishte themeluar nga personalitete të shquara muslimane të Penxhabit.

Liderët e ndryshëm i kërkonin këshillat për çështje të ndryshme politike. Disa prej tyre kanë pohuar që Hazret Kalifi II r.a. u erdhi në ndihmë muslimanëve të Kashmirit në momentin më jetik.

Për shkak të raporteve të mira me qeveritë në Indi dhe Pakistan, Hazret Kalifi II r.a. gjithmonë mundohej t’u jepte zgjidhje mosmarrëveshjeve të tyre. Mirëpo, ai nuk e kufizoi veten, vetëm në këtë fushë, por shtroi nevojën e bashkimit të mbarë muslimanëve dhe theksoi që pavarësisht vendit, ngjyrës, përkatësisë etnike apo shkollës së tyre fetare, muslimanët duhet të bashkojnë forcat për një qëllim dhe një të ardhme të përbashkët.

Ai shprehu ndjenjat e flakta në dashurinë ndaj vendeve të shenjta të Islamit në Lindjen e Mesme, kur u kanosej rreziku në Luftën II Botërore. Ai ua kujtoi me këmbëngulje muslimanëve arabë detyrën ndaj mbrojtjes së këtyre vendeve dhe u bëri thirrje të unifikohen për këtë qëllim madhor.

Ai theksoi që çështja e Palestinës u takon të gjithë muslimanëve. Në fjalimet e tij, ai iu drejtua muslimanëve për të sakrifikuar bashkërisht për kauzën e palestinezëve.

Ndarje nga jeta

Shkurt, ai u dha muslimanëve këshilla të arta dhe urtiplota, të cilat nëse do t’i kishin vënë në zbatim, do t’u kishin gjetur zgjidhje problemeve të shumta dhe do të kishte marrë fund mjerimi i tyre.

Më 8 nëntor 1965, Xhemati u trondit kur mësoi që udhëheqësi i tyre i dashur Hazret Kalifi II r.a. (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka ndërruar jetë. Çdo anëtar i Xhematit ishte pllakosur nga dhimbja e ndarjes.

Veçoritë dalluese të Hazret Kalifit II r.a dhe arritjet e tij të lavdishme në fusha të ndryshme të përpjekjes njerëzore, lidhen ngushtë me ringjalljen e besimit dhe mbizotërimin e Islamit mbi të gjitha fetë e tjera. Këto veti e shquajnë atë si një ndër figurat më ndikuese dhe më të ndritshme në kronikën e ripërtëritjes së Islamit në ditë të mëvonshme.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp