Intervistë e Kalifit për gazetën Newsweek: “Çdo popull duhet të respektojë popullin tjetër”
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Intervistë e Kalifit për gazetën Newsweek: “Çdo popull duhet të respektojë popullin tjetër”

Shenjtëria juaj! Ju falënderoj që keni gjetur kohë për të folur me ne sot. Si pyetje e parë dua t’ju kërkoj që të na shpjegoni se kush janë muslimanët ahmedianë dhe përse ata dallohen nga sektet e tjera të Islamit?

Xhemati Musliman Ahmedia është një ndër 73 grupet e Islamit. Profeti i Islamit Hazret Muhammedi (a.s.) kishte paralajmëruar se në ditë të mëvonshme, njerëzit do t’i harrojnë mësimet e vërteta të Islamit. Ata nuk to të jenë më mbartës të vërtetë të Islamit. Ndonëse Kurani Famëlartë do të mbetet i pacenuar dhe në formën e tij origjinale, mirëpo ai do të keqinterpretohet nga të ashtuquajturit dijetarë.

Në këtë kohë do të shfaqet një person, me titujt “Mesih” dhe “Mehdi” d.m.th. i udhëzuar. Ai do t’i ripërtërijë mësimet e vërteta të Islamit. Ne besojmë se ai person ka ardhur dhe ai është Hazret Mirza Ghulam Ahmed nga Kadiani, themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia. Ai është Mesihu dhe Imam Mehdiu, ardhja e të cilit ishte parashikuar 14 shekuj më parë nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Pra, kjo është arsyeja pse u themelua Xhemati Musliman Ahmedia.

Muslimanët e tjerë po ashtu presin ardhjen e një reformatori në ditët e mëvonshme, siç e parashikojnë fjalët profetike. Megjithatë ndryshe nga ne, ata besojnë se Imam Mehdiu do të jetë person me vete, i cili do të jetë ndër muslimanët, ndërsa Isai biri i Merjemes do të zbresë nga qielli. Këta dy do të bashkojnë forcat për të reformuar botën. Ndërsa ne nuk e pranojmë këtë interpretim.

Ne besojmë atë që parashtron Kurani në mënyrë kategorike që Isai biri i Merjemes a.s. u është dukur sikur ishte vrarë, por, ai mbijetoi (ngjarjen e kryqëzimit) dhe mori mjekim. Më pas ai udhëtoi drejt pjesës lindore të botës dhe ne besojmë që ai vend është Kashmiri (në Indi).

Askush nuk mund të jetojë për 2 mijë vjet. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. paralajmëroi për ardhjen e Isait a.s., kjo nënkuptonte se do të vijë një person që do t’i ndjekë gjurmët dhe mësimet e Profetit të Islamit, sikur Isai a.s. kishte ardhur pas Musait a.s.

Gjatë kohës së tij, luftërat fetare do të marrin fund, pra nuk do të ketë më nevojë për konflikte fetare. Leja për të shpallur luftë fetare jepet vetëm atëherë kur kundërshtari synon të shfarosë dhe të asgjësojë besimin tuaj përmes dhunës. Pra, lejohet lufta në mbrojtje ndaj agresionit, vetëm nëse kundërshtari ka për qëllim të shkatërrojë Islamin dhe të minojë mësimet e tij, gjë që nuk po ndodh asgjëkundi. Ata që i kundërvihen Islamit, po përdorin mjetin e propagandës kundër tij, duke i drejtuar gjithfarë akuzash.

Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia deklaroi që përderisa Profeti i Islamit s.a.v.s. ka thënë në mënyrë kategorike që luftërat fetare do të marrin fund në kohët e mëvonshme. Atëherë, kushdo që shpall luftë fetare (xhihad) në emër të fesë, është destinuar të poshtërohet e të pësojë disfatë.

Kuptimi i vërtetë i Xhihadit është përpjekje e orvatje siç del edhe nga kuptimi i saj leksik. Xhihadi i parë është për të reformuar vetveten dhe për t’u bërë një musliman i vërtetë, sipas mësimeve të Islamit. Së dyti, Xhihadi është përhapja e Islamit me anë të argumenteve ashtu siç po bëjnë kundërshtarët e Islamit. Ne gjithashtu duhet të predikojmë mesazhin e Islamit, siç po bëjnë ndjekësit e feve të tjera si të krishterët apo grupet e tjera fetare. Ne mund t’i fitojmë zemrat e njerëzve dhe mund t’i kthejmë ata në muslimanë duke predikuar mësime të vërteta të Islamit.

Ky është besimi ynë dhe për këtë qëllim është themeluar bashkësia jonë, Xhemati Musliman Ahmedia.

Ka mjaft raporte që tregojnë se si muslimanët ahmedianë ende po persekutohen në disa vende të botës. Përse po ndodh kjo dhe çfarë mund të bëjmë për ta ndaluar këtë?

Ju kam treguar se dallimi i parë qëndron në çështjen e besimit. Ne besojmë se personi i cili ishe paralajmëruar nga Profeti i shenjtë i Islamit s.a.v.s. ka ardhur. Kjo profeci ka kuptim metaforik. Profecia assesi nuk nënkupton se, Isai biri i Merjemes do të zbresë fizikisht nga qielli. Muslimanët e tjerë gjithashtu na akuzojnë se ne besojmë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi është një profet, ndërkohë Muhemmedi s.a.v.s. është vula e profetëve,

dhe pas tij nuk mund të vijë ndonjë profet tjetër. Ata thonë se titulli i profetësisë tashmë është mbyllur nga Allahu. Ndërsa ne besojmë se nuk mund të mohohet asnjëri prej atributeve të Allahut. Atributet e Allahut janë të pakufishme dhe kurrë nuk mund të shfuqizohen. Zoti ka fuqi të dërgojë profet në çdo kohë.

Ne besojmë që vulë e profetësisë do të thotë, se një profet i nënshtruar mund të vijë, i cili do të ringjallë mësime të vërteta të Islamit. Atij i është titulli i profetit vetë nga Zoti dhe i Dërguari i Tij. Në një hadith, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është shprehur kategorikisht, që personi i cili do të vijë në kohë të mëvonshme si reformator do të jetë profet. Ai e ka cilësuar atë katër herë me titullin ‘profet’.

Muslimanët na akuzojnë se meqë ne besojmë se themeluesi i këtij xhemati është profet, ndërkohë i Dërguar i Allahut s.a.v.s. është profeti i fundit dhe vula e profetëve, prandaj del që ne nuk besojmë se ai është profeti i fundit dhe rrjedhimisht nuk qenkemi muslimanë. Pra, kjo është arsyeja kryesore. Megjithatë, ne argumentojmë se ju deklaroni se Isai biri i Merjemes a.s. do të zbresë nga qielli, duke pasur titullin e profetit. Kurani na tregon se ai është profet dhe ne e besojmë këtë. Nëse zbret Isai a.s., ai do të zbresë me të njëjtin titull, si profet. Pra, derisa ai do të zbresë në kohë të mëvonshme si profet i Allahut, atëherë ai gjithashtu thyen vulën e profetësisë, dhe ai rezulton të jetë profet i fundit. Ata nuk duan ta kuptojnë këtë kontradiktë për shkak të inatit dhe interesave personale të të ashtuquajtur dijetarëve, hoxhallarëve dhe fanatikëve. Për ndryshe, logjikisht ata nuk kanë asnjë argument.

Shkurt, mund të themi se themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia është një profet, mirëpo një profet i nënshtruar, i cili ka ardhur nën ombrellën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., pa asnjë ligj të ri e pa asnjë libër të ri. Pra përveç vërtetësisë së Kuranit Famëlartë dhe të Profetit Muhammed s.a.v.s., ai nuk ka ardhur me diçka tjetër. Por ata ngulin këmbë dhe thonë: jo, sido që të jetë puna, nuk mund të besojmë se dikush tjetër mund të vijë me titullin ‘profet’.

Kjo është arsyeja përse ata na kundërshtojnë. Kjo është arsyeja, përse ata na persekutojnë. Këto ditë, kjo është çështja më e nxehtë në Pakistan.

Çështja më e nxehtë është që ahmedianët besojnë se Mirza Ghulam Ahmedi, themelues i Xhematit Musliman Ahmedia, qenka profet. Kjo do të thotë, se gjoja ahmedianët kanë shkelur vulën e profetësisë së Muhammedit s.a.v.s. Sipas tyre, ahmedianët ‘minojnë’ dhe ‘shtrembërojnë’ statusin e Profetit të shenjtë të Islamit s.a.v.s., prandaj ata meritojnë dënimin me vdekje dhe meritojnë të persekutohen. Kjo është ajo që po ndodh.

Faleminderit. Tani dua t’ju pyes diçka rreth rolit tuaj. Çfarë do të thotë me qenë Kalif? Cilat janë detyrat tuaja?

Kalifi do të thotë ‘pasardhës’ pra pasardhësi i themeluesit të Xhematit Musliman Ahmedia. Prandaj titulli i tij është ‘Kalifatul Mesih’ d.m.th. pasardhës i Mesihut të Islamit. Roli i tij është i njëjtë për të cilin ishte dërguar themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia. Ai ka deklaruar se me këta dy tituj “Mesih” dhe “Mehdi”, ai ka ardhur të reformojë muslimanët dhe t’u parashtrojë atyre mësimet e vërteta të Islamit. Ai gjithashtu ka ardhur për t’u përcjellë mësimet e vërteta të Islamit njerëzve të tjerë të botës. Ai ka thënë se ka ardhur për dy qëllime kryesore:

  1. Për t’i afruar njerëzit te krijuesi i tyre.
  2. Për t’i ndërgjegjësuar njerëzit që të plotësojnë të drejtat e njëri-tjetrit.

Këto janë dy qëllimet kryesore të ardhjes së Imam Mehdiut a.s., që përbëjnë gjithashtu detyrën kryesore të pasardhësit dhe Kalifit të tij. Edhe unë po mundohem t’u përmbahem këtyre qëllimeve. Po ashtu edhe xhemati ynë po realizon këto synime anembanë botës. Pra, që të ndërgjegjësojmë krijesën ndaj detyrës së tyre karshi Krijuesit, si dhe ta vetëdijësojmë atë ndaj përgjegjësisë kundrejt njerëzve të tjerë.

Cilat janë sfidat tuaja kryesore në këtë mision?

Bota është bërë mjaft materialiste e veçanërisht vendet e zhvilluara. Njerëzit janë bërë indiferent ndaj fesë. Atyre nuk u interesohen a janë të krishterë, hebre apo budistë. Përqindja e ateistëve është rritur ndjeshëm më shumë se çdo fe tjetër. Ndjekja e fesë po tkurret në vendet e zhvilluara si dhe ato perëndimore. Prandaj, sfida kryesore na mbetet vetëdijesimi i njerëzve se ka një Krijues dhe ndërgjegjësimi i tyre se kanë detyrë ndaj Tij.

Zoti ynë është i Gjallë, i Cili furnizon dhe mbështet jo vetëm jetën tonë, por të çdo gjëje që mund të shohim në këtë botë, apo që mund të ekzistojë në një botë tjetër, të cilën nuk e njohim ne.

Si mendoni, çfarë po e shtyn njeriun modern të shkëputet gjithnjë e më shumë nga besimi në Zot?

Një ndër shkaqet e kësaj rënieje është roli i klerikëve fetarë të cilët nuk e praktikojnë vetë atë që predikojnë. Shpesh dëgjojmë për skandalet e këtyre klerikëve qofshin hoxhallarë muslimanë apo priftërinj të krishterë. Përpos këtyre shkaqeve, njerëzit janë më shumë materialistë. Lakmia e botës dhe shkëlqimi i saj po u duken më joshëse se sa të kuptojnë përgjegjësinë e tyre ndaj Krijuesit. Këto janë shkaqet kryesore.

Për këtë ne shpesh predikojmë që në radhë të parë duhet pranuar se ekziston një Zot i Cili është Krijuesi, furnizuesi dhe mbështetësi i jetës sonë. Ajeti i parë i Kuranit deklaron që Allahu është Furnizuesi dhe Mbështetësi i botëve. Nuk ka rëndësi a jeni musliman, hebre, i krishterë, budist, hindu, sik, apo nuk e ndiqni asnjë fe specifike, madje edhe ateist, që të dini se është Allahu Ai që ju furnizon. Pavarësisht se a i bindeni Atij apo jo dhe a e adhuroni apo jo, Furnizuesi juaj është Allahu.

Pra sfida kryesore na mbetet vetëdijesimi i njerëzve se kanë një Zot e një Krijues. Kur ata arrijnë ta kuptojnë këtë, ata menjëherë binden. Unë di një mizëri rastesh, kur njerëzit janë bindur se ekziston një Krijues. Kur ata u bindën për ekzistencën e një Zoti, ata pranuan edhe Xhematin Musliman Ahmedia.

Lidhur me xhematin tuaj në Angli, dua t’ju pyes a ka ndonjë arsye të veçantë përse qendra e Xhematit Musliman Ahmedia ekziston këtu?

Xhemati ynë në Angli është mjaft i vjetër dhe xhamia jonë e parë këtu ishte ndërtuar në 1924. Pra, xhemati i Anglisë është i mirëstrukturuar. Kur ligji kundër xhematit u implementua në Pakistan, dhe udhëheqësi i Xhematit Musliman Ahmedia u ndalua me ligj nga funksionet e tij madje edhe që të fliste për Islamin, atëherë ai u detyrua të largohej nga Pakistani. Duke qenë në Rabvah, Pakistan, ai nuk mund të realizonte detyrat e tij. Ai nuk mund të komunikonte me anëtarët e xhematit as në atë qytezë të vogël, pa le pastaj për ata që ndodheshin anembanë botës. Pra, autoriteti tentoi ta izolonte atë, prandaj ai u detyrua të mërgonte. Kur ai vendosi të mërgonte, zgjedhja e parë qe Anglia, sepse xhemati këtu ishte mjaft i organizuar dhe i mirëstrukturuar. Para se të formohej Pakistani, India ishte koloni angleze. Pra, kishim marrëdhënie të vjetra me popullin britanik. Veç kësaj, faktori gjuhësor ishte inekzistent. Pra, në vend që të shkonte në Gjermani dhe të mësonte gjermanisht apo në Francë e të mësonte frëngjisht, udhëheqësi i asaj kohe mori vendimin e duhur për t’u mërguar në Londër. Përpos kësaj, ai kishte në disponim një xhemat mjaft të organizuar me një strukturë të mirëfilltë. Shteti i Ganës më ka ftuar të qëndroj atje si dhe kryeministri kanadez më ka ftuar të vendosem në Kanada, megjithatë Anglia mbetet qendra jonë për të gjithë botën. Ne mund të kontrollojmë misionet tona dhe mbikëqyrim veprimtarinë tonë anembanë botës më mirë nga këtu.

Pra, ka dhe një arsye strategjike?

Po.

Si janë marrëdhëniet e Xhematit tuaj me qeverinë britanike?

Kudo që jetojnë ahmedianët, ne gëzojmë marrëdhënie të mira me çdo qeveri. Ne jemi njerëz që respektojnë ligjin e shtetit. Derisa besojmë që atdhedashuria është pjesë e besimit, ne gëzojmë raporte të mira me qeverinë në çdo vend të botës.

Dua që të jepni një mesazh për të gjithë njerëzit që po jetojnë në këtë botë të lënduar nga dhjetëra vatra konfliktesh. Në një botë e cila po përjeton krizën më të rëndë të refugjatëve pas Luftës së Dytë Botërore dhe ku po përjetojmë ekstremizëm dhe dhunë gjithnjë në rritje. Cili do të jetë mesazhi juaj?

Mesazhi im është: respektoni njëri-tjetrin dhe respektoni vlerat reciproke. Mos luani me ndjenjat fetare të njerëzve. Mos luani me emocionet e njerëzve. Mos mburrni veten para të tjerëve se jeni superior. Të gjithë njerëzit janë të njëjtë dhe të barabartë. Kombi, feja dhe ngjyra nuk mbajnë asnjë rëndësi. Nëse ju e realizoni këtë synim, mund të jetoni paqësisht në botë. Çdo shtet duhet të respektojë shtetin tjetër. Çdo komb duhet të respektojë kombin tjetër. Çdo politikan duhet të tregojë respekt për popujt e tjerë. Prandaj, nuk më pëlqen ajo që proklamon Trump-i. Ndoshta, pyetja juaj lidhet me Trump-in. Nëse ai e respekton Amerikën, edhe amerikanët do të respektohen. Por, nëse ai nuk e respekton, atëherë si kundërpërgjigje edhe shtetet e vogla do të ndjekin politikën reaksionare si dhëmb për dhëmb. Ajo që ka thënë ai për vendet e botës së tretë, janë fjalë të padenja. Aq më tepër, ai dëshiron t’i ftojë norvegjezët për të jetuar në Amerikë. A dini si janë përgjigjur norvegjezët? Ata përdorën të njëjtat shprehje për Amerikën.

Ka qenë në lajme.

Pra, i duhet të tregojë respekt e tolerancë. Kjo është e vetmja mënyrë që ai mund të mbijetojë. Çështja e përbashkët është të besojmë në një Krijues. Kjo do të krijojë paqe në botë.

Ju falënderoj sinqerisht për kohën tuaj.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp