Bekimet e kalifatit në Xhematin Musliman Ahmedia | Rrëfime emocionuese
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Bekimet e kalifatit në Xhematin Musliman Ahmedia | Rrëfime emocionuese

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Bekimet e kalifatit në Xhematin Musliman Ahmedia

Kur Allahu i Madhërishëm e njoftoi Mesihun e Premtuar a.s. se i ishte afruar koha, që ai do të ndahej nga kjo botë, ai iu drejtua xhematit të tij dhe tha:

“…Zoti shfaq dy lloj fuqish: së pari, Ai e shfaq dorën e fuqisë së Tij përmes të Dërguarve të Tij dhe së dyti, pas vdekjes së të dërguarit, kur besimtarët përballen me vështirësi të mëdha, dhe armiku ndihet i fuqishëm, duke menduar se tani gjithçka ka përfunduar dhe është i bindur se tani ky Xhemat (bashkësi) do të zhduket nga faqja e dheut, madje edhe vetë anëtarët e Xhematit fillojnë të frikësohen e të lëkunden, duke u ndier të dobët e të papërkrahur, madje disa të pafat prej tyre bëhen gati për t’u bërë renegatë, atëherë Allahu për të dytën herë e shfaq fuqinë e Tij madhështore dhe e merr Xhematin nën kujdesin e Tij, që ishte gati të rrëzohej. Ndaj, ai që duron deri në fund, e sheh këtë mrekulli të Zotit. Kështu kishte ndodhur në kohën e Hazret Ebu Bekr Sidikut r.a., kur vdekja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. u konsiderua e parakohshme, shumë beduinë injorantë e braktisën fenë, madje edhe sahabët e Profetit, të goditur nga pikëllimi i vdekjes së tij, u bënë si të çoroditur. Atëherë, Allahu e ngriti Ebu Bekër Sidikun r.a. dhe e shfaqi për të dytën herë fuqinë e Tij. Kështu, duke e përmbushur premtimin e Tij të dhënë në Kuranin Famëlartë, Zoti e shpëtoi Islamin, që dukej se po rrëzohej. Ai thotë:

  وَلَيُمَكِّنَنَّ لَهُمْ دِينَهُمُ الَّذِي ارْتَضَىٰ لَهُمْ وَلَيُبَدِّلَنَّهُم مِّن بَعْدِ خَوْفِهِمْ أَمْنًا ۚ

Pas frikës, prapë Ne do t’i vendosim fort ata. (24:56)

Kështu ndodhi edhe në kohën e Hazret Musait a.s., kur ai kishte ndërruar jetë gjatë rrugës, në mes të Egjiptit dhe Kananit, para se t’i çonte Bijtë e Izraelit deri në vendin e caktuar. Ata filluan ta vajtonin. Për dyzet ditë rresht, siç është përmendur në Tevrat, Bijtë e Izraelit vajtuan për vdekjen e papritur të Hazret Musait a.s.”.

Pastaj thotë: “Të dashur miq! Përderisa praktika e Zotit kështu ka qenë që nga fillimi, që Ai të shfaqë dy fuqi të madhështisë së Tij, në mënyrë që t’u shkatërrojë dy gëzime të rreme kundërshtarëve, atëherë nuk është e mundur që edhe kësaj radhe Zoti ta ndryshojë këtë praktikë të vjetër. Kështu që, mos u pikëlloni e as mos t’ju lëshojnë zemrat tuaja nga ajo që po ju them, sepse është e domosdoshme për ju ta shihni edhe fuqinë e dytë të madhështisë së Tij. Ardhja e saj është më e mirë për ju, sepse ajo do të jetë e përhershme dhe nuk do të përfundojë deri në Ditën e Gjykimit. Por ajo fuqi e dytë nuk mund të ndodhë para se unë të largohem. Pasi unë të kem shkuar, atëherë Allahu do t’jua dërgojë juve fuqinë e dytë të madhështisë së Tij, që do të mbetet përgjithmonë me ju. Kështu është premtuar nga Allahu edhe në “Berahine Ahmedia” dhe ky premtim nuk është për mua, por është për ju, siç thotë Allahu: Unë do ta bëj këtë Xhemat, që janë pasuesit e tu, mbizotërues mbi të gjithë të tjerët deri në Ditën e Gjykimit. Pra, është e pashmangshme dita kur ju do ta shihni largimin tim, në mënyrë që, pas asaj, t’ju vijë dita e premtimit të përhershëm. Zoti ynë është Ai që mban premtimet e Tij dhe është shumë Besnik dhe shumë i Vërtetë. Ai do t’ju tregojë të gjitha ato që ju ka premtuar. Edhe pse këto janë ditët e fundit të botës dhe shumë fatkeqësi pritet të ndodhin, megjithatë, është e domosdoshme që kjo botë të vazhdojë të ekzistojë, deri sa të përmbushen të gjitha ato gjëra, të cilat Allahu jua ka premtuar.

Unë erdha nga Allahu si një manifestim i Fuqisë së Tij dhe jam mishërim i Fuqisë së Allahut. Pas meje do të vijnë persona të tjerë, që do të jenë manifestim i dytë i Fuqisë së Tij.”

Zoti i Madhërishëm dëshiron t’i tërheqë drejt Teuhidit, të gjithë ata që kanë nefs të pastër, qoftë ata të Evropës, qoftë të Azisë dhe t’i mbledhë robërit e Tij nën fenë e vetme. Ky është qëllimi i Zotit, për të cilin më ka dërguar mua. Prandaj, ndiqeni këtë qëllim, por me butësi, moral dhe duke u angazhuar në lutje.”

(Hazret Mirza Ghulam Ahmed, Testamenti, Islam International Publications, Prishtinë, 2011, f. 7-9, ISBN: 978-1-84880-253-7)

Kur ndërroi jetë Mesihu i Premtuar a.s., Allahu i Madhërishëm e bashkoi Xhematin në dorën e Hazret Hakim Mevlana Nurudin, si Kalif i Parë. Ndonëse disa kishin shpresuar se i gjithë kontrolli do të mbetet në duart e komitetit qendror, megjithatë Hazret Kalifi i Parë me duart e hekurta asgjësoi intrigën e tyre.

Hakim Maulvi Nurudin

Pas vdekjes së Hazret Kalifit të Parë r.a., u zgjodh Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi si Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar. Edhe gjatë zgjedhjes së tij si Kalif, disa persona të cilët e konsideronin veten më eprorë nga ana intelektuale e mendore, tentuan të shkaktonin pështjellim. Ata u munduan që nëse nuk e ndalonin dot plotësisht zgjedhjen e kalifit, të paktën ta shtynin atë për disa muaj, dhe kështu të fitonin kohë të mjaftueshme për të mbjellë ndasi e përçarje në radhët e xhematit. Megjithatë, sipas premtimit të Tij, Allahu i Madhërishëm e bashkoi grupin e besimtarëve në një dorë të vetme dhe kundërshtarët e kalifatit dhe hipokritët pësuan sërish disfatë e dështim. Allahu i Madhërishëm e bekoi këtë kalifat, i cili zgjati 52 vjet që shënoi hapjen e qendrave të Xhematit në vende të ndryshme të botës dhe përforcimin e strukturës organizative të xhematit.

Kalifi i dytë

Pas vdekjes së kalifit të Dytë, nisi periudha e Kalifatit të Tretë dhe Hazret Mirza Nasir Ahmedi u zgjodh kalifi i tretë i Mesihut të Premtuar.

Kur ai ndërroi jetë, Allahu e caktoi Hazret Mirza Tahir Ahmedin, në detyrën e Kalifit të Katërt të Mesihut të Premtuar.

Hazret Mirza Tahir Ahmad

Kur ndërroi jetë Hazret Kalifi i Katërt, Allahu më caktoi mua në këtë detyrë, dhe pavarësisht dobësive dhe mangësive të mia, Ai vazhdoi xhematin e tij në rrugën e përparimit, ashtu siç i kishte premtuar Mesihut të Premtuar a.s.. Edhe gjatë kësaj periudhe, kundërshtari bëri çdo përpjekje për të shkaktuar përçarje në xhemat, për ta asgjësuar atë dhe për t’i frikësuar anëtarët e tij. Disa ahmedianë ranë dëshmorë ndërsa disave u janë bërë lloj-lloj ngasjesh, megjithatë Allahu u ngjalli ahmedianëve besinkërinë ndaj Kalifatit, besimin dhe bindjen gjithnjë e më shumë. Qofshin ahmedianët e Azisë, apo të Europës, Amerikës ose të Afrikës, secili prej tyre ushqen një lidhje të pashkëputshme me Kalifatin, e cila mund të krijohet vetëm nga Allahu i Madhërishëm. Njeriu nuk ka fuqi të ngjallë një lidhje kaq të sinqertë dashurie e besnikërie, që ekziston te anëtarët e xhematit ndaj Kalifit dhe në zemrën e Kalifit ndaj xhematit. Në cilin do vend, që shkoj, dëshmoj shembuj të gjallë të kësaj lidhjeje. Këto nuk janë fjalë boshe, madje sot përmes objektivit të kamerës këto përjetime ruhen dhe transmetohen në ekranin e MTA-së. Duke i parë këto pamje emocionuese, edhe kundërshtari ka filluar të pranojë se mbështetja e vërtetë e Zotit është me ne.

Përveç kësaj, unë marr qindra mijëra letra çdo mua, në të cilat, njerëzit shprehin besnikërinë dhe devotshmërinë e tyre ndaj xhematit. Zoti vetë po i bashkon zemrat e njerëzve me kalifatin dhe u ngjall në zemër dashurinë dhe lidhjen me kalifat.

Ngjarje mbresëlënëse e emocionuese nga vende të ndryshme

Sot, dua të ndaj disa letra me ju, të cilat dëshmojnë se si Allahu po i prin njerëzit drejt vërtetësisë së Mesihut të Premtuar dhe si po i bind ata që udhëheqja shpirtërore e Kalifatit, e themeluar në xhemat, pas vdekjes së Mesihut të Premtuar a.s. gëzon një mbështetje të veçantë prej Tij.

Tenzani

Një Mualim nga rajoni Mwanza e Tenzanisë ka shkruar që një ditë pas namazit të sabahut, bashkë me Imamin, dolëm për të vizituar anëtarët e xhematit. Kur u kthyem para namazit të drekës, gjetëm një zonjë, e cila na priste te shkallët e xhamisë. Kur e përshëndeta, ajo më tregoi se kishte ardhur për të kërkuar lutje. Ndoshta, ajo kujtonte se edhe ne bëjmë rukje apo selavate siç bëjnë muslimanët e tjerë, meqë është një praktikë mjaft e përhapur në Afrikë. Imami ynë i tregoi mësimet e xhematit, dhe në fund bëri një lutje solemne për të. Ajo grua tregoi se ajo shikon shumë ëndrra, dhe shpesh i shfaqet një njeri zeshkan me mjekër të gjatë dhe i shpjegon fenë njësoj siç i kishte shpjeguar Imami tani. Pas këtij rrëfimi, i treguam rreth Xhematit Ahmedia, dhe prezantuam fotografitë e Mesihut të Premtuar a.s. dhe të kalifëve të tij. Ajo tha se ai zotëri i cili i shpjegon fenë i ngjante Mesihut të Premtuar a.s. ose Kalifit të Dytë r.a.. Pak më vonë, kjo zonjë pranoi xhematin së bashku me tre fëmijë të tjerë.

Kalimantan, Indonezi

Abdullah sahibi është banor i Kalimantanit, pra të provincës perëndimore të Indonezisë. Ai ka pranuar xhematin së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Në vitin 2019, ai zhvilloi kontakt me xhematin dhe filloi të frekuentonte xhaminë. Imami ynë i kishte lënë shumë përshtypje, pasi ai ishte shumë ndryshe nga hoxhallarët e tjerë. Por, raporti i afërt me imamin tonë, i solli edhe pasojat, në formën që hoxhallarët lokalë dhe banorët e lagjes nisën akuzat ndaj tij, e përjashtuan nga xhamia e tyre. Pastaj, ai na tregoi një ëndërr, se e shikon veten të rrëmbyer nga vorbulla, i cili gati po e fundoste me veten. Por, papritmas aty shfaqet një njeri i plakur, i cili ishte veshur në një mantel dhe mbante një shkop. Imami ynë i tregoi fotografinë e Mesihut të Premtuar a.s., në të cilën ai gjithashtu mban një shkop në dorë. Ai me zë të dridhur tha “Ky është ai njeri, i cili më kishte nxjerrë nga vorbulla me shkopin e tij”. Pastaj, edhe djali i tij pa gjithashtu një ëndërr dhe iu shfaqën disa persona, që u kishin hedhur mantel krahëve. Imami ynë i tregoi fotografinë e Mesihut të Premtuar a.s. dhe të kalifëve të tij. Djali u habit, sepse ata që i kishte parë në ëndërr ishin Kalifi i tretë, i katërt dhe unë. Ai i tha: “Unë i kam parë të gjithë këta në ëndërr”. Pra, Allahu i kishte treguar të gjithë kalifët e Mesihut të Premtuar a.s., sikur e ka shpjeguar se sistemi i Kalifatit, i vendosur në xhemat, pas vdekjes së Mesihut të Premtuar a.s. është një sistem i pandërprerë. Kjo familje, e cila kishte zbuluar të vërtetën përmes ëndrrave, tashmë ka pranuar Xhematin. Kjo ngjarje, edhe njëherë konfirmon faktin që nëse njeriu është i sinqertë në gjetjen e së vërtetës, Allahu i Madhërishëm, gjithashtu e mbështet atë.

Barru, Indonezi

Amiri i Indonesizë ka shkruar që Barruja është provinca jugore e vendit. Njëherë, teksa imami ynë po udhëhiqte namazin e sabahut në xhami, një person iu bashkua xhematit. Pas namazit, ai tregoi se kishte ardhur për të takuar një të afërm nga ana e gruas së tij. Gjatë bisedës, ai tregoi për jetën e tij të kaluar, që ishte plotë me vuajtje e halle. Ai tregoi më tej se njëherë gjatë kësaj faze të vështirë të jetës së tij, kishte parë në ëndërr se është takuar me një plak të thinjur, i cili mbante një çallmë të bardhë. Ky burrë i vjetër i kishte thënë që nëse hidhte para në kutinë e sadakasë, pas namazit të sabahut, për 40 ditë rresht, atij do të zhdukeshin vështirësitë. Ky person veproi ashtu siç ishte porositur në ëndërr. Ai tregoi se në ditën e 20-të, filloi të zgjidheshin vështirësitë e tij. Fitoi punë dhe mundësi të ndryshme. Pastaj tha: “Ka gati 3 muaj, që e kam parë sërish këtë plak të thinjur në çallmë të bardhë në ëndërr, i cili më mori me vete, për të sjellë fruta nga mali. Ai gjithashtu më porositi t’ua rrëfeja këtë ëndërr vetëm atyre personave, të cilët dallohen për pastërtinë shpirtërore”. Pas kësaj bisede, imami ynë i tregoi fotografitë e kalifëve të Mesihut të Premtuar a.s.. Ky person tregoi me gisht fotografinë e Kalifit IV dhe tha: “E kam parë pikërisht këtë njeri”. Pastaj, ai bëri bejat dhe pranoi xhematin Musliman Ahmedia.

Mali, Afrikë

Imami nga shteti i Malit ka shkruar për Znj. Seraxhi se është një grua e devotshme. Nëse mëson që xhemati po organizon ndonjë program për përhapjen e fesë islame në fshatrat përreth, ajo i porosit fëmijët e saj, që ta çojnë atë me biçikletë atje. Ajo ka treguar se para se të pranonte xhematin, shpesh dëgjonte dy zëra në ëndërr. Zëri i parë ishte recitimi që unë bëj në fillim të hutbes, pra me shehadetin dhe fatihanë. Ndërsa, zëri i dytë ishte ai i Imam Muadhit, i cili shërben si misionar në atë vend. Ajo nuk kuptonte se çfarë zërash ishin ata, që i shfaqeshin në ëndërr. Por, tani më vonë, kur radioja e xhematit nisi transmetimin, ajo dëgjoi hutben time si dhe recitimin në fillim. Ajo gjithashtu dëgjoi programe të tjera, dhe menjëherë kuptoi që ishin këta zëra, që ajo dëgjonte vazhdimisht në ëndërr. Kështu, kjo e nxiti atë të pranonte Ahmediatin.

Kamerun

Një djalosh Abdurrahman Bela nga shteti i Kamerunit ka shkruar ngjarjen e pranimit të Xhematit. Ai shkruan se para disa viteve, kishte parë dy zotërinj të vjetër në ëndërr dhe njëri prej tyre e kishte pyetur: “Me çfarë merresh ti?” Unë i thashë: “Unë punoj me motoçikletë në qytet, marr pasagjerë nga një vend dhe i çoj ata ku dëshirojnë dhe kështu siguroj të ardhurat”. Personi tjetër më tha: “Lëre motoçikletën, dhe udhëhiqi njerëzit në namaz!” Kështu, unë nisa të udhëheq namazin dhe më doli gjumi. Pas disa ditësh, takova një djalosh, i cili shpërndante fletushka në rrugë, dhe ato i përkisnin xhematit Musliman Ahmedia. Kur i lexova me vëmendje ato fletushka në shtëpi, pashë edhe një fotografi të Mesihut të Premtuar a.s.. Unë dallova menjëherë, sepse ai ishte njëri prej atyre burrave, që më kishin dalë në ëndërr. Pastaj, unë u lidha me mualim sahibin dhe kjo lidhje u forcua gjithnjë e më shumë. Pastaj, mora edhe literatura të tjera nga xhemati. Megjithatë, nuk arrita ta gjeja fotografinë e personit tjetër, që kisha parë në ëndërr. Ai personi tjetër ishte kalifi i tanishëm. Ndonëse ia kisha dëgjuar emrin, por nuk kisha shumë njohuri rreth tij. Megjithatë, personi i cili më kishte porositur për të falur namazin, ishte pikërisht kryetari aktual i Xhematit. Zoti ia bekoi aq shumë fjalët, saqë pas vdekjes së Kryeplakut, fshati më caktoi mua, si pasardhësi i tij. I ndjeri kryeplak nuk kishte ndonjë trashëgimtar, prandaj sipas testamentit të tij, unë u zgjodha kryeplaku i ri. Unë jam i bindur që këtë nder kam fituar vetëm për shkak të xhematit.

Guinea-Bissau

Kryemisionari i Guinea-Bissaut ka shkruar për znj. Aishe Marija. Ai shkruan që dy djemtë e saj kishin pranuar xhematin. Vëllai i znj. Aishes gjithmonë ka kundërshtuar xhematin. Megjithatë, ai gjithashtu kujdesej për familjen e saj, dhe e furnizon rregullisht. Pas anëtarësimit në xhemat nga djemtë e saj, ai e paralajmëroi atë, që derisa djemtë e saj nuk tërheqin dorë nga xhemati, ai nuk do ta ndihmojë atë, madje do të ndërpresë çdo lloj raporti me ta. Znj. Aishe u brengos nga situata dhe bisedoi me djemtë dhe u kërkoi për t’u larguar nga xhemati. Por, ata të dy iu përgjigjën prerazi se u mjafton vetëm Zoti, dhe nuk do të largoheshin kurrë nga xhemati. Pas përgjigjes së tyre, ajo u merakos akoma më shumë. Nuk po kuptonte se çfarë të bënte. Ajo thotë: “Pas dy ditësh, kam parë një ëndërr që e shoh veten shumë të shqetësuar dhe po qaja me ngashërim. Atëherë, iu shfaq një burrë i thinjur, i veshur në të bardha, i cili i afrohet dhe pyet arsyen pse po qaja. Unë i kallëzoj gjithçka që më kishte ngjarë. Ai më ngushëlloi dhe tha “Mos u mërzit! Djemtë e tu do të jenë gjithmonë faqebardhë”. Pas këtyre fjalëve, më doli gjumi. Zemra më ishte qetësuar. Të nesërmen, ajo shkoi te imami ynë dhe ia tregoi ëndrrën. Kur misionari ynë i tregoi fotografinë time, ajo e njohu menjëherë dhe tha: “Ky është ai njeri, i cili më kishte dalë në ëndërr dhe më kishte ngushëlluar”. Tashmë ajo është një ahmediane e përkushtuar, dhe merr pjesë gjithmonë në aktivitetet e organizatës së grave “Lexhna Imailah”.

Keni

Bahati është një qytezë në rajonin Nakaru të Kenisë. Në këtë rajon krishterimi është feja mbizotëruese dhe vetëm në këtë qytezë ka më shumë se 550 kisha, ndërsa muslimanët ahmedianë kanë vetëm një qendër. Njëherë një musliman vizitoi qendrën tonë dhe u bashkua në namaz. Pas përfundimit të namazit, ai tregoi se quhej Muhamed Abdi dhe ishte banor i vendit. Kishte mësuar vetëm para disa ditësh për qendrën tonë, dhe tashmë kishte ardhur për t’u falur. Aty, ai mësoi për xhematin Musliman Ahmedia, por nga sjellja dhe biseda e tij, u evidentua se ai mbante qëndrime kundër xhematit. Një ditë, kur e takoi Mualimi ynë, ai i tha: Pavarësisht kemi dallime, megjithatë jeni vëlla musliman, prandaj jeni mirëpritur në qendrën tonë dhe mund të vini lirisht për t’u falur. Nëse keni pyetje, apo rezervime, mund t’i shpreni lirisht e pa ngurrim dhe no do të mundohemi t’ju japim përgjigje e sqarime. Mualimi ynë gjithashtu vazhdoi të lutej për të, që Allahu t’ia çelte zemrën për xhematin. Ai shkruan: “Pas disa ditësh, ky person, pra Muhammed Abdiu erdhi në banesën time. Kur hyri brenda, në MTA jepej fjalimi i kalifit. Ai e dëgjoi me vëmendje për një kohë të gjatë. Kur përfundoi hutbeja, ai më tha se dëshironte të anëtarësohej në xhemat. Unë u habita se ky person deri tani ka kundërshtuar xhematin, dhe si mundet që ai të ketë ndryshuar kryekëput kaq shpejt. Unë e pyeta për arsyen, pse donte të pranonte Xhematin. Ai më tha: “Mbrëmë, më kishte dalë gjumi, prandaj shkova në oborr. Kur pashë qiellin, m’u duk diçka që shkëlqente, dhe ajo më la shumë përshtypje. Ndërsa tani, kur erdha për t’ju takuar dhe kam dëgjuar hutben e Kalifit, më ra ndërmend pamja e mbrëmshme dhe sikur ajo m’u plotësua tani. Tani, dua të anëtarësohem në xhemat, me gjithë familjen time. Kjo është padyshim një mrekulli, sesi Allahu ia shfaqi një kundërshtari vërtetësinë e Ahmediatit, dhe i ngjalli një lidhje besnike me kalifatin. Sigurisht, kjo është përtej fuqisë njerëzore.

Kamerun

Sulejman sahibi është një mësues në shkollë, në qytetin Merva në Kamerun. Ai kishte parë programet e MTA-së në rrjetin kabllor, në të cilin Kalifi i Pestë u përgjigjej pyetjeve të fëmijëve. Një fëmijë, i kishte shtruar pyetje në lidhje me luftën midis Ukrainës dhe Rusisë dhe Kalifi i ishte përgjigjur në mënyrë mjaft të qartë dhe të kuptueshme. Ndër të tjerash, ai kishte thënë se ai u kishte shkruar letra presidentëve të vendeve të fuqishme. Ai i kishte paralajmëruar që nëse nuk vendosin paqen në botë, dhe nuk sundojnë me drejtësi, bota me shpejtësi do të përfshihet në situata jashtëzakonisht të rrezikshme. Ai shkruan më tej: “Kur dëgjova fjalët e Kalifit, vendosa të kontaktoj dikë prej xhematit. Një ditë, po transmetohej hutbeja e Kalifit në gjuhën lokale në ekranin e Televizorit. Aty u shfaq edhe numri i presidentit lokal dhe unë e thirra menjëherë. Kështu, lexova literaturën e xhematit dhe sidomos librin e Kalifatul Mesih me titullin “Kriza botërore dhe rruga drejt paqes”. Unë u binda për vërtetësinë e Xhematit dhe u anëtarësova në të”. Mualim sahibi gjithashtu ka komentuar që ai është tashmë një anëtar mjaft aktiv i Xhematit.

Sierra Leone

Misionari ynë nga Sierra Leoni shkruan që Z. Ibrahim nuk ishte kundërshtar i xhematit, por as nuk e kishte pranuar xhematin. Ai kishte dëgjuar hutbet e mia në MTA dhe kishte nisur të thoshte hapur që propaganda e hoxhallarëve bazohet vetëm në shpifje. Ai thoshte: “Unë e kam dëgjuar vetë Imamin e Xhematit, dhe ai i referohet vetëm Kuranit Famëlartë, përmend të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe citon hadithe. Madje, shehadeti i ahmedianëve është i njëjtë me shehadetin tonë. Përderisa, gjithçka që bëjnë ata përputhet me Islamin, si mundet vallë që xhemati i tyre të etiketohet si i rreme dhe mashtrues. Pak ditë më vonë, ai pranoi xhematin dhe tashmë është një anëtar i devotshëm, i cili kontribuon rregullisht edhe financiarisht.

Trinidad

Amiri i Trinidadit shkruan që znj. Sherida dhe bashkëshorti i saj ishin anëtarësuar në xhemat në vitin e kaluar. Ajo gjithashtu ftoi dy motrat e saj jomuslimane si dhe fqinjët e tyre në shtëpi për të ndjekur Xhelsa Salanën e Britanisë në televizor. Të ftuarit ishin mjaft impresionuar nga organizimi i Xhelsës dhe sidomos kishin pëlqyer fjalimet e mia. Ato pranuan që vetëm Xhemati Ahmedia përfaqëson Islamin e vërtetë, dhe nëse të gjitha grupacionet islame bëhen si Xhemati Ahmedia, Islami do të bëhet feja mbizotëruese në botë. Kur e pa kalifin, Znj. Sherida u emocionua dhe nisi të qante. Ajo ndiente sikur të gjendej nën këmbët e tij. Ndonëse bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë, ajo ka lënë amanet që shtëpia e saj do të kalojë në pronësinë e xhematit.

Kirgistan

Në Kirgistan një banor lokal z. Sultan Atakhanov shkruan që bashkëshortja dhe djali i tij kishin pranuar xhematin. Unë kam nisur të frekuentoj në qendrën e xhematit nga 2017. Kur unë dhe bashkëshortja ime udhëtonim drejt qendrës së xhematit me veturë, gjatë gjithë rrugës që ishte afërsisht 12 km., dëgjonim hutben e Kalifit. Sa herë që dëgjoja këto hutbe, ndieja një përjetim të veçantë. Përfundimisht, në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit, saktësisht më datën 2 maj të këtij viti, kam vendosur të anëtarësohem. Kam dashur gjithmonë t’ju shkruaj historinë time, por kam hasur impenjime të tjera. Ndonëse kam shkruar në mënyrë të përmbledhur, por atë që ndiej thellë në shpirt, nuk mund të përshkruaj në fjalë. Në çdo falje, i lutem Allahut të më shtojë dijen rreth Islamit dhe çdo e xhuma më çel diçka të re për mua.

Paraguai

Znj. Liza nga Paraguai shkruan: “Allahu ka zgjedhur rrugë të ndryshme për të udhëzuar njerëz. Rrugëtimi im drejt Islam-Ahmediatit ka zanafillën në kohën e pandemisë Korona. Meqë kisha kohë të lirë, vendosa të mësoja një gjuhë të re, dhe kështu fillova mësimet e gjuhës arabe Online. Përmes arabishtes, mësova për herë të parë gjëra të reja rreth Islamit dhe fillova studimin e Islamit. Një dite kur hapa Fejsbukun, më kishte ardhur një ftesë në inboks për pjesëmarrjen në një aktivitet të xhamisë që titullohej “Torta dhe Islami”. Unë u regjistrova për këtë program, dhe u paraqita me përpikëri, ku u takova me Imamin dhe bashkëshorten e tij. Në fillim, kisha pikëpyetje, që ndoshta në xhami lejohet vetëm hyrja e arabëve, por atë që mësova rreth Islamit, ishte krejtësisht ndryshe nga ato prisja. Unë mësova, që Islami nuk lejon asnjë imponim në çështjen e fesë dhe ai simbolizon vetëm paqen e sigurinë. Atë mbrëmje, kur dola nga xhamia, kisha një Kuran në dorë. Pastaj, kam ruajtur kontakte me gruan e Imamit. I kam shtruar pyetje të ndryshme dhe kam frekuentuar në kursin javor. I vura vetes një synim që të mësoja komplet namazin përmendsh. Kështu kaluan dy muaj dhe çdo ditë mendoja vetëm rreth Islamit. Një ditë, bashkëshorti im erdhi për të më marrë nga xhamia dhe gjatë rrugës po i tregoja ato që kisha mësuar deri atëherë. Bashkëshorti im më tha “Pse nuk e pranon Islamin?” Unë heshta dhe nuk munda t’i përgjigjesha. U emocionova dhe kisha lot në sy. Natyrisht, kisha vetëm një dëshirë ta bëhesha muslimane, por nuk kisha guxim për të marrë vendim kaq të madh. Megjithatë, kam vendosur përfundimisht të bëhem muslimane. Kam studiuar më shumë rreth Xhematit dhe kërkova përgjigje për pyetjet e mia. Kam dëgjuar rregullisht hutbet e Kalifit dhe u binda që jam në rrugë të drejtë dhe gëzojmë udhëzimin e vërtetë. Kemi një udhëheqës, i cili kujdeset për ne, i cili na udhëheq dhe lutet për ne”. Vetëm disa muaj pas anëtarësimit të saj, bashkëshorti i saj gjithashtu pranoi xhematin, dhe ata janë tashmë anëtarë të sinqertë dhe aktivë të xhematit.

Kongo Kinshasa

Ahmed Batatu sahibi jeton në një qytezë të vogël, afër qytetit Bukavu, në Kongo Kinshasa. Ai kishte pranuar xhematin bashkë me 8 anëtarë të familjes. Pastaj ai vazhdoi të përhapte thirrjen e xhematit, dhe falë përpjekjeve të tij, 62 persona u anëtarësuan në xhemat. Ai vetë tregon se arsyeja kryesore që e shtyu atë për të pranuar xhematin, ishte figura qendrore e Kalifit dhe sistemi i xhematit. Amir sahibi i cili po i mëson Kuranin online, shkruan: “Para se të pranonte xhematin Musliman Ahmedia, ai ishte një musliman suni. Ai shpesh i bënte pyetje vetes, përse sunitët përhapin gjithmonë urrejtje dhe përse ata janë të ndarë e të përçarë në kaq shumë grupe? Nëse ata kanë të drejtë, përse u mungon një udhëheqës, të cilët t’i bindeshin? Gjatë kësaj dileme, ai u lidh rastësisht me MTA-në dhe kështu me hutbet e Kalifit. Një zë i brendshëm i thërriste se Mirza Ghulam Ahmedi është i vërtetë dhe zëri tjetër i kundërvihej duke thënë, përse të gjithë muslimanët i quajnë qafirë? Ai u miqësua me një ahmedian në Tanzani dhe më vonë edhe në Francë krijoi miqësi me një ahmedian. Kështu, ai kontaktoi imamin e atij rajoni Muzemil sahibi. Pas studimit dhe leximit, ai vendosi të anëtarësohej në xhemat dhe pastaj bëri tabligh në atë vend dhe u bë shkak për shtimin e xhematit.

Kongo Kinshasa

Amiri i xhematit nga Kongo Kinshasa ka shkruar për znj. Mwani Teebo, e cila është 82 vjeçe dhe është anëtare e xhematit Uvira. Ajo ishte lindur si muslimane por në moshën 42 vjeçare, kishte pranuar krishterimin, pasi djali i saj ishte pastor në një kishë. Një ditë, kishte dëgjuar përkthimin francez të fjalimit të Kalifit dhe pastaj telefonoi menjëherë në qendrën e xhematit dhe shprehu dëshirën për t’u anëtarësuar në xhemat. Ajo i ka lënë amanet djalit, që kur do të vdesë, xhemati Musliman Ahmedia do të udhëheqë xhenazen e saj.

Kamerun

Kryesmisionari i Kamerunit ka shkruar për Omer Zubejr sahibin, i cili jeton në Maroua. Ai kishte ardhur për herë të parë në 2022 për të marrë pjesë në Xhelsa Salana. Ai i tregoi Mualimit tonë, historinë si e kishte pranuar Xhematin. Ai tregoi se kishte mësuar rreth Xhematit Musliman Ahmedia përmes MTA-së. Ai nisi të dëgjonte hutbet e Kalifatul Masih dhe pas çdo hutbeje, i shtohej dituri dhe i forcohej lidhja me xhemat. Kur në hutben e parë të nëntorit 2021, Hazret Kalifatul Mesih mbajti hutben mbi temën e Tehrik-e-Xhedidit, iu qartësua që një xhemat i themeluar nga vetë Zoti, mund të ofrojë sakrifica të tilla shembullore për hir të Islamit. Kjo më qetësoi zemrën dhe unë me bindje të plotë, u anëtarësova në xhemat. Unë jam shumë i lumtur dhe i bindur që vendimin që kam marrë.

Waterloo, Sierra Leone

Misionari ynë nga Waterloo, Sierra Leone ka shkruar që e kishte ftuar Alfa sahibin për të dëgjuar hutben time në MTA. Ai erdhi me familje dhe kishte marrë përshtypje shumë të mira. Pas dëgjimit të hutbes, e gjithë familja që përbëhet nga 8 anëtarët, ka pranuar xhematin. Tashmë, pas anëtarësimit, ata marrin pjesë në detyrat e xhemat me përkushtim të madh. Ai ka kontribuuar vullnetarisht gjatë gjithë kohës në renovimin e xhamisë. Ai gjithashtu agjëron vullnetarisht dhe organizon iftare për të tjerët.

Bangladesh

Sekretari i Tabligut ka shkruar që Bilal sahibi punon në një shtypshkronje. Kur mësoi për xhematin, ai nisi të frekuentonte xhaminë tonë qendrore. Aty shpesh ai dëgjonte hutbet e mia. Pas pak kohe, ai pranoi xhematin, por bashkëshortja nuk u anëtarësua. Ata kishin 7 vjet në këtë martesë, por nuk kishin asnjë fëmijë. Ai i tha bashkëshortes që t’i shkruanin kalifit një letër për lutje, që Zoti t’i bekojë me fëmijë. Kështu, ai e bindi bashkëshorten që në këtë mënyrë, le të provonin edhe pranimin e lutjes. Ata shkruan një letër lutjeje. Vetëm pas disa muajsh, bashkëshortja e tij mbeti shtatzënë, madje ajo është e bindur se kjo është pranimi i lutjes së Kalifit. Tashmë, edhe ajo është anëtarësuar në xhemat.

Belgjikë

Amir sahibi i Belgjikës shkruan për një maroken, i cili pas një kohe të gjatë studimi, ka pranuar xhematin. Ai tregon se që nga fëmijëria, ai qëndronte në shoqërinë e dijetarëve. Por, kur nisi të dëgjonte hutbet e Kalifit, ai shprehet se ato janë jo vetëm tefsiri i Kuranit Famëlartë, por ia afrojnë njeriun Allahut dhe tani ka tjetër emocione që ai përjeton gjatë namazeve. Zoti i ka treguar edhe ëndrra të vërteta. Ai vetë dëshmon me sy të përlotur, se Ahmediati ia ka ndryshuar plotësisht jetën.

Kenema, Sierraleone

Murabbiu i xhematit nga Kenema, Sierraleone shkruan se në një vend ishin mbledhur më shumë se pesëqind njerëz dhe njëri prej tyre u ngrit dhe tha: “Vetëm ahmedianët e ndjekin Islamin e vërtetë. Ne i urrejmë ata, por ata thonë gjithmonë të vërteten. Nëse diçka është e bardhë, ata e quajnë të bardhë, por diçka është e zezë, ne i quajmë të bardhë, dhe kjo është arsyeja pse na mungon sinqeriteti dhe bashkimi”. Pastaj, u ngrit një imam dhe u tha të pranishmëve: “Po të dëgjoni hutbet e Kalifit të ahmedianëve, do të mësoni vetëm mësime të vërteta të Islamit. Unë vetë nuk besoj në ahmediat, por çdo të premte, dëgjoj hutben e kalifit të tyre. Edhe nëse ju dëgjoni, do të dini se cilat janë mësime të vërteta të Islamit dhe nuk do të dëshironi të përfundojë hutbeja”.

Misionari nga rajoni Mushaka shkruan që ai kishte shkuar në bankë dhe kur përfundoi punën, shkoi në një restorant për të ngrënë bukë. Në televizorin kryesor, jepej MTA-ja dhe të pranishmit po ndiqnin ritransmetimin e hutbes sime. Misionari ynë shkoi te menaxheri dhe e pyeti për të, dha ai tha se ata shpesh ndjekin këtë kanal, pasi aty jepen në përgjithësi emisione mjaft të mira, që janë të dobishme për ne dhe pëlqen shumë. Pra, edhe kjo tregon se si Allahu po përhap mesazhin e xhematit anembanë botës dhe po shfaq rëndësinë e Kalifatit mbi të tjerët.

Mali

Omer Muadh sahibi është misionar në Mali. Ai shkruan se Xhala sahibi kishte pësuar fraktura në dyja këmbët në një aksident. Ai ishte munduar mjaft për mjekimin e tyre dhe kishte provuar edhe mjekësinë alternative, por edhe pse kishin kaluar disa muaj, kockat nuk po lidheshin si duhej te nyjat. Nga kjo gjendje, ai dhe të afërmit kishin humbur çdo shpresë dhe besonin se ato nuk do të lidheshin kurrë. Një ditë, ai pa një ëndërr që Hazret Kalifi i Pestë është lutur për të, ndërsa ai pas çdo lutjeje, ka thënë amin. Çfarë ndodhi më tej, këtë e rrëfen ai vetë dhe thotë: “Pasi që u zgjova, thashë amin dhe i fërkova këmbët aq sa më arrinin duar. Zoti më kishte mëshiruar dhe më kishte shfaqur një mrekulli. Ai më zhduki gjithë dëshpërimin, i cili më kishte kapluar këmbë e krye dhe ato kocka që nuk lidheshin deri tani, nisën të bashkohen. Sot, falë bekimit të Zotit, jam mirë e shëndoshë. Asnjëri nuk mund të dyshojë se kam pasur fraktura në këmbë”. Pra, Zoti edhe në këtë mënyrë, i përforcon lidhjen e anëtarëve me Kalifatin.

Kongo, Kinshasa

Amiri i Xhematit Kongo, Kinshasa shkruan që përveç stacionit tonë të radios, hutbeja ime e së xhumasë dhe emisionet e tjera javore me tematikat edukative e misionare transmetohen rregullisht në 23 radiot lokale FM. Këto programe shpërndahen edhe në televizionet lokale të Bandundus dhe ata po marrin përshtypjet dhe komentet mjaft pozitive. Një ditë, ai takoi një mjek vendas, i cili beson në fenë krishtere. Ai i tha: “Unë dëgjoj hutben e kryetarit tuaj. Ai shpjegon temat në një mënyrë mbresëlënëse. Unë kam një kërkesë: Ju duhet ta përktheni fjalimin e tij, edhe në gjuhën lokale, me qëllim që sa më shumë njerëz të përfitojnë prej tij”.

Allahu i Madhërishëm po krijon mjete për përhapjen e Islam-Ahmediatit. Jo vetëm ahmedianët, por tani edhe jo-ahmedianët po kërkojnë që zëri i Kalifit të përcillet te njerëzit. Në këtë mënyrë po lëvrohet toka dhe do të vijë dita, kur zemrat e njerëzve do të çelen për këtë thirrje dhe ata do të jenë në gjendje ta kuptojnë Islam-Ahmediatin. Në këtë mënyrë, premtimi i Allahut me Mesihun e Premtuar a.s. se bekimet e kalifatit janë të pashtershme, vijon të përmbushet çdo ditë në mënyra të çuditshme, dhe përfytyrimi i njeriut nuk mund ta perceptojë përmasat e saj. Këto ngjarje nga jeta e anëtarëve dhe të atyre që nuk janë në xhemat, mrekullitë e Allahut, mbështetja e Tij e fuqishme për Kalifatin Ahmedia, i cili erdhi pas vdekjes së Mesihut të Premtuar a.s., për të kthyer botën në një popull të vetëm, të gjitha këto janë dëshmi të pamohueshme të vërtetësisë së tij.

Fjala e fundit

Sot, vetëm Xhemati Musliman Ahmedia po punon ditë e natë nën udhëheqjen e Kalifatit, në mbarë botën për ecurinë dhe përhapjen e Islamit. Fitoret e xhematit në këtë përpjekje, pavarësisht rrethanave rënduese e të pafavorshme. A nuk quhet kjo dëshmi e gjallë të praktikës së Zotit? Por, këtë nuk e sheh dot, ai të cilit i janë verbuar sytë.

Në dashtë Allahu, sipas premtimit hyjnor dhe profecisë së të Dërguarit të Allahut, Kalifati që vjen përmes rrugës profetike, është nisur në kohën e Mesihut të Premtuar a.s. dhe do të vijojë deri në ditën e kiametit. Ky sistem do të vazhdojë përgjithmonë, dhe keqdashësi nuk mund t’i sjellë asnjë dëm.

Ne duhet të forcojmë besimin tonë dhe të mbetemi gjithmonë të lidhur me kalfiatin Ahmedia dhe të mos kursejmë asnjë sakrificë në vendosjen dhe ngritjen e tij. Allahu na e mundësoftë!

(E përditshmja El-Fazl (Urdu), botimi i datës 16 qershor 2023)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp