Kujtimet e Kalifit për prillin e vitit 2003
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Kujtimet e Kalifit për prillin e vitit 2003

kalifi xhemati zgjedhjet

Kalifi (Huzuri), Allahu e ndihmoftë fuqisht, rrëfen një gamë ngjarjesh jashtëzakonisht të rëndësishme.

Ditët që pasuan ndërrimin e jetës së Hazret Kalifit të Katërt të Mesihut të Premtuar r.a. dhe para zgjedhjes së Kalifit të Pestë, ishin një sprovë për të gjithë Xhematin. Shumë është thënë dhe është shkruar për atë kohë dhe për brishtësinë e saj, por ne gjithmonë mbetëm kureshtarë të dinim se si i përjetoi Hazret Mirza Masrur Ahmedi a.t.b.a.. 15 vjet kanë kaluar në këtë kureshtje, por vetëm tani falë gazetës Al-Hakam, mora guximin për të pyetur.

Para pak ditësh, në një moment të bekuar, e pyeta Huzurin a.t.b.a. për këtë dhe Huzuri a.t.b.a. me shumë mirësi hodhi dritë mbi të. Nuk kam asnjë pretendim dhe përvojë të shpejtshkrimit, por Allahu më mundësoi të shënoja çdo fjalë që Huzuri a.t.b.a. tha në përgjigje. Në vijim është përkthimi i rrëfimit të Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Mesihut të Premtuar, rrëfim i cili shpalos ngjarjet mjaft interesante të atyre ditëve.

Kalifi xhemati

Hazret Mirza Masrur Ahmed, përpara se të bëhej Kalif

“U ktheva nga zyra ime në shtëpi, ku do të merrja vesh nga gruaja se Mijan Lukmani kishte thirrur nga Londra për të thënë se Hazret Kalifi i Katërt i Mesihut të Premtuar r.a. ndërroi jetë. Menjëherë telefonova dr. Nuri sahibin që ishte në Londër në atë kohë, sepse ai ishte këshilltar mjekësor i Hazret Kalifit të Katërt r.a.. Më konfirmoi lajmin tronditës.

Ky lajm erdhi si një tronditje e fortë. Dhimbja ishte e madhe, por ndjeshmëria e situatës kërkonte kontroll të plotë të emocioneve, pasi ishte një kohë sprove për të gjithë Xhematin. Si Nazir-e-A’la (Kryesekretar), ishte përgjegjësia ime të organizoja në vazhdim një sërë veprimtarish dhe t’i mbikëqyrja.

Thirra Sekretarin Privat të Huzurit në Londër, i cili, kuptova, se nuk ishte në dijeni të situatës. I thashë për të mbledhur të gjitha detajet dhe për të m’i dërguar sa më shpejt të jetë e mundur.

Ndërkohë thirra një takim të Komitetit Ulia, i cili përbëhej nga zyrtarët kryesorë të strukturave të Xhematit, siç janë Sadr Enxhuman Ahmedia, Tehrik-e-Xhedid etj. U dhashë udhëzime për situatën emergjente. Unë gjithashtu duhet të sigurohesha që të gjithë anëtarët e Kolegjit Elektoral të ishin të pajisur me vizat dhe gjithashtu duhet të bëja përgatitjet për udhëtimin e tyre. Atyre që u kishin skaduar vizat, sigurova të pajiseshin me vizë sa më shpejtë të ishte mundur.

Ndërkohë, më erdhën nga Sekretari Privat detajet e kohës dhe të shkakut të ndërrimit të jetës së Huzurt r.a.. Këto ia transmetova Mijan Ahmed sahibit [i ndjeri Sahibzada Mirza Ghulam Ahmad sahib] bashkë me porosinë që të përgatiste një draft për të bërë njoftimin për të gjitha xhematet në mbarë botën. Ai ma solli draftin për miratim, i cili më pas iu dërgua të gjitha xhemateve të botës dhe gjithashtu u transmetua edhe në MTA. Paraprakisht kisha porositur Sultan Mahmud Enver sahibin të bënte një njoftim formal në xhaminë Mubarak pas namazit të ikindisë.

Ajo ishte një provë e durimit. Nga njëra anë, kisha brengën e ndërrimit të jetës së Huzurit r.a. dhe nga ana tjetër kisha përgjegjësinë për të përmbushur një detyrë vendimtare që ma kishte besuar Huzuri r.a., detyrën e mbikëqyrjes së organizimit të Intikhab-e-Khilafat [të zgjedhjes së Kalifit].

Me këto emocione të përziera, u drejtova në shtëpi për t’u përgatitur për fluturimin tim për në Londër. Përgatitjet, meqë ra fjala, nuk ishin asgjë përveçse të kapja disa rroba bashkë me dokumentet e udhëtimit dhe të nisesha.

Ngaqë do të vijonin procedurat e vizës për disa nga anëtarët e Kolegjit Elektoral, u vendos që anëtarët të ndaheshin në dy grupe: një grup që do të fluturonin të njëjtën ditë dhe grupi tjetër të nesërmen, sapo të pajiseshin me vizat.

Në grupin e parë ishim unë, Mijan Khurshid sahib [i ndjeri Sahibzada Mirza Khurshid Ahmad sahib], Mijan Ahmad sahib [i ndjeri Sahibzada Mirza Ghulam Ahmad sahib] dhe Mijan Anas Ahmad sahib. Gjithsej ishim 14 anëtarë. U nisëm nga Rabvah për në Lahor [Pakistan] për të kapur avionin. Ishte një transit i shkurtër në Abu Dhabi, nga ku hipëm në avionin për në Londër.

Që nga Rabvah u kisha dhënë udhëzime për larjen dhe për qefinin e xhenazes. Kur mbërritëm në Londër, xhenazja ishte larë, ishte qefinosur dhe ishte vendosur në një arkivol. Huzurin e kishin vendosur në sallën Mahmud që anëtarët e Xhematit t’i bënin homazhe. Edhe unë, së pari i bëra homazh këtu në sallën Mahmud. Se çfarë ndien një person kur e shikon Imamin e tij në këtë situatë, nuk mund të përshkruhet në fjalë. Por, ju mund ta imagjinoni. Kështu që, imagjinoni se çfarë ishin ndjenjat e mia në atë moment.

Erdhi koha e namazit, andaj e falëm namazin në xhaminë Fazl. Në këtë kohë, trupi i Huzurit u zhvendos në një dhomë tjetër, ngjitur me sallën Mahmud. Unë shkova në atë dhomë. Ato ishin momente të çuditshme. Në dhomë ishte Huzuri r.a., unë dhe një qetësi absolute. Ishte një atmosferë sureale. Qëndrova atje, në anën e Huzurit r.a. për një kohë të gjatë, duke u lutur për Huzurin r.a..

Hazret Kalifi i Katërt i Mesihut të Premtuar r.a.. kishte lëshuar një sërë udhëzimesh shumë përpara ndërrimit të jetës së tij për një situatë të tillë të jashtëzakonshme. Një klauzolë ishte se para se të mbërrinte Nazir-e-A’la në Londër, Emiri i Xhematit të Britanisë së Madhe do të ishte si Nazir-e-Ala Shtesë për të mbikëqyrur ndërkaq organizimet e nevojshme. Pas mbërritjes, mora përgjegjësinë nga Emir sahibi i Britanisë së Madhe dhe fillova procesin për thirrjen e Kolegjit Zgjedhor, funeralin, varrimin etj.. Koha ishte e shkurtër. Shumë gjëra duhej t’i bëja dhe çdo detyrë kërkonte kujdesin dhe vëmendjen maksimale.

Me bekimin e veçantë të Allahut, çdo gjë u organizua në kohën e duhur. Ndjeva në paqe që e përmbusha detyrën. Çdo moment kaloi në lutje që Allahu t’i dhuronte Xhematit një Kalif të ri dhe se unë dhe çdo anëtar i Xhematit të arrinte t’i bindej Kalifit të ri. Çdo moment kaloi në lutje që Allahu ta mbante Xhematin të bashkuar.

Kjo gjendje, pa dyshim, është një gjendje e frikës. Kështu që, sigurisht që kishte frikë. Por kishte edhe besim të palëkundur në premtimin e Allahut që Ai do ta kthente këtë gjendjen e frikës në siguri. Andaj, kisha besimi të fuqishëm se Allahu do t’i dhuronte Xhematit një Kalif dhe se frika jonë do të zëvendësohej me paqe.

Pastaj erdhi koha e Zgjedhjes. Si anëtar, edhe unë hyra në xhaminë Fazl, e cila ishte mbushur me anëtarët e Kolegjit Elektoral. Qëndrova aty ku ishin këpucët, bashkë me Çaud’hri Hamidullah sahibin për pak kohë. Çaud’hri sahibi, si zyrtari më i lartë i Xhematit, do ta drejtonte Zgjedhjen. Kështu që, kur ai u thirr të shkonte përpara, unë u ula aty ku qëndroja, në pjesë e fundit të xhamisë.

Aureola e këtij takimi ishte e tillë, saqë nuk kisha guximin të ngrija kokën dhe të shikoja rreth e përqark dhe nuk ma lejonte as ndërgjegjja. Ishte një kohë shumë e brishtë! Teksa isha ulur me shikimin përdhe, u përmend emri im. Ndjeva frikë të menjëhershme, andaj, vetëm e ula kokën.

Kur u numëruan votat dhe u bë njoftimi, isha i sigurt se kishte ndodhur ndonjë gabim gjatë numërimit. Ajo që ndodhi pas kësaj, më bëri të dridhesha. Nuk kisha zgjidhje tjetër përveçse ta pranoja dekretin e Zotit. Më pas u zhvillua Bejti dhe lutja e heshtur.

Si ndihesha në atë moment, e gjithë bota e pa në MTA. Sikur të më kishte vendosur pesha e një mali mbi shpatullat e mia.

Ishte mesnatë, madje pas mesnate, kur shkova në shtëpinë numër 41 [aty ku qëndroja në atë kohë]. Atje në dhomë time isha unë, errësira e natës dhe bekimet e Zotit tim”.

kalifi xhemati zgjedhjet

Menjëherë pas zgjedhjes së tij si Kalif i Pestë i Mesihut të Premtuar

Huzur a.t.b.a. ndaloi këtu. Isha i magjepsur kur i dëgjoja këto detaje drejtpërdrejt nga Huzuri dhe si i tillë nuk dija të pyesja për më shumë detaje. Por në atë moment të çmuar, ndjeva se u detyrohesha më shumë lexuesve të gazetës Al-Hakam dhe kështu, mora guximin për të mbledhur disa perla më shumë. “Çfarë mendimesh ju përshkonin, Huzur, kur po niseshit nga Rabvah?” Udhëheqësi ynë i dashur me përulësinë e tij u përgjigj me një ton të ulët:

“Kaq shumë punë kisha për të bërë përpara se të nisesha, saqë nuk kam pasur shumë gjëra të tjera në mendje. Megjithatë, i thashë gruas sime që në ditën e shtatë pas Zgjedhjes, do t’i kërkoja leje Kalifit të ri për t’u kthyer. Unë gjithashtu isha i përgatitur mendërisht që Kalifi i ri i Mesihut nuk do të më ngarkonte me të njëjtën detyrë që kisha. Por isha zotuar me vete se cilado detyrë të më jepej, do ta bëja me gjithë sinqeritetin e zemrës dhe do të kthehesha”.

kalifi xhematiMendova se kaq do të dëgjoja prej tij. Por Udhëheqësi im e ndjeu kërshërinë time.

“Për këtë më pyesnit? Çfarë tjetër doni të dëgjoni?”

E tha me dashuri të madhe, dashuri që të jep guximin. E pyeta: “Jeta juaj duhet të ketë ndryshuar në mënyrë drastike pasi u bëtë Kalif. Si ndihet kjo?” Përgjigjja ishte e thjeshtë por dritëplotë.

“Ai moment ishte një kthesë e plotë në jetën time. Ajo që kisha lënë pas, mbeti aty, kurse ajo që kam përpara, me vullnetin e Allahut, është në lëvizje konstante. Unë isha një njeri i lirë, më pëlqente të mbillja fara dhe të korrja drithërat. Isha një bujk i thjeshtë. Pastaj u emërova si Nazir-e-A’la dhe prej atëherë e tutje, më duhej të përmbushja përgjegjësi administrative. Më pas Allahu më ngarkoi me këtë përgjegjësi”.

Teksa po dilja nga zyra e Huzurit a.t.b.a., isha në një botë të çuditshme ndjenjash. Por, para syve të mi ishin të korrat që kishin dalë nga farat e mbjella nga ky Kalif i madh, fara që ai vazhdon të mbjellë. Allahu gjithmonë i mbajttë këto bimë të lulëzojnë përmes erërave të mëshirës së Tij dhe bujkut të tyre i dhëntë jetë të gjatë! Amin!

(Marrë nga e përjavshmja Al-Hakam, e datës 20 prill 2018)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp