Urtësia dhe mençuria e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. | Alislam.al
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Urtësia dhe mençuria kanë një rëndësi të madhe në Islam. Kur mendimet dhe idetë ndërtohen në themelin e këtyre tipareve, ato fitojnë një vlerë dhe peshë të veçantë. Duke u privuar prej urtësie, njeriu bëhet pre i lehtë i mashtrimit, ndërsa mendimet dhe veprimet e tij bëhen të përcipta, të nxituara dhe të paarsyeshme. Për shkak të rëndësisë së këtyre vetive, besimtarët e jobesimtarët, të pasurit apo të varfrit, pushtetarët apo të pushtuarit, të mëdhenjtë apo të vegjlit, të gjithë duan t’i përvetësojnë ato. Madje, njeriu ndihet i lumtur dhe i vlerësuar nëse konsiderohet i urtë dhe i mençur në sjelljet dhe veprimet e tij.

Çfarë është urtësia?

Fjala اَلْحِكْمَةؙ el-Hikmetu që i përgjigjet kuptimisht kësaj dukurie është përdorur 20 herë në Kuran, ndërsa atributi i Zotit اَلْحَكِيْمُ   el-Hekim është përdorur plot 97 herë. Fjalori i famshëm i arabishtes “Ekrebul Mevarid” për fjalën اَلْحِكْمَةؙ el-Hikmetu parashtron këto kuptime: drejtësi, dituri, maturi, ajo që i kundërvihet injorancës, vendosja e diçkaje në vendin e duhur, veprimi i drejtë dhe i duhur.[1]

Urtësia është aftësia e të menduarit dhe të arsyetuarit, që tregon njohurinë dhe dijen e gjerë. Urtësia paraqet një qëndrim të thekur, të ekuilibruar dhe të përmbajtur, që parashikon rrjedhimet dhe pasojat e çdo veprimi. Urtësia i referohet shkallës më të lartë të diturisë dhe veprimit, me të cilën njeriu vendos gjërat ashtu siç duhet. Ajo nënkupton të ecim përpara me vendosmëri aty ku duhet ose të tërhiqemi e t’u shmangemi cekëtinave, nëse kërkon situata.

Urtësia sipas Kuranit Famëlartë

Kjo veti fisnike është e përgjithshme, megjithatë duke ndjekur rrugën e lavdishme të Profetit s.a.v.s., besimtarët përfitojnë më shumë prej saj. Allahu i Madhërishëm ka thënë:

Urtësia

“Ai ia jep urtësinë kujt të dojë dhe atij që i është dhënë urtësia, i është dhënë mirësi e madhe. Vetëm të mençurit e kuptojnë”.[2]

Profetët vijnë në këtë botë si mësues, andaj edhe Allahu i Madhërishëm u dhuron me bujari pjesë nga urtësia. Lidhur me Hazret Lukmanin a.s., Kurani thotë:

Urtësia

“Me të vërtetë, Ne i dhamë Lukmanit urtësinë (duke i thënë): “Falënderoje Allahun! Ai që falënderon, e bën për të mirën e vet dhe, ndërsa ai që mohon, ta dijë se vërtet Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për lavdërim”.[3]

Duke treguar dhuntitë e Jusufit a.s., Allahu thotë:

“Kur ai (Jusufi) arriti moshën e pjekurisë, Ne i dhamë urtësi dhe dituri dhe ne kështu i shpërblejmë mirëbërësit”.[4]

Ndërsa duke përshkruar cilësitë e Daudit a.s., Allahut thotë:

Urtësia

“Allahu i dha atij pushtetin e urtësinë dhe ia mësoi atë që deshi”.[5]

Duke parashtruar rregullat e thirrjes drejt Islamit, Kurani nënvizon urtësinë si një ndër parimet e domosdoshme. Ai porosit:

Urtësia

“Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë vetëm Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, e di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë”.[6]

Duke reflektuar mbi kuptimet e fjalës urtësi, arrijmë në përfundim që çdo argument që jepet në mbrojtjen e Islamit, duhet:

  1. të jetë i arsyeshëm, bindës dhe i provuar,
  2. të bazohet në parimin e drejtësisë,
  3. të paraqitet me gjakftohtësi dhe logjikë,
  4. të burojë nga Kurani Famëlartë,
  5. t’i përshtatet nivelit intelektual të bashkëbiseduesit,
  6. të jetë i vërtetë dhe fakt i pamohueshëm
  7. dhe t’u përgjigjet rrethanave dhe temperamentit të dëgjuesit.

Urtësia në sunetin e Profetit a.s.

Ndër të gjithë të dërguarit e Allahut, ai i cili fitoi pjesën më të madhe nga kjo dhunti e madhe, është prijësi ynë i dashur Muhammedi el-Mustafa (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të). Padyshim, asnjëri nuk ka lënë gjurmët aq të thella në jetën njerëzore në të gjitha sferat e saj, sa Profeti Muhammed s.a.v.s. Allahu e vërteton këtë duke deklaruar që:

Urtësia

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të bukur për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e kujton shpesh Allahun”.[7]

Kurani përcakton detyrat e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. me këto fjalë:

Urtësia

“Është Ai që u dërgoi analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, që ai t’u lexojë shpalljet e Tij, t’i pastrojë ata, t’u mësojë librin dhe urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë”.[8]

Kur hedhim vështrim mbi jetën e tij fisnike, na bëhet e qartë se ai ishte një personalitet tejet i urtë, i mençur dhe i matur. Zoti i Lartësuar e kishte begatuar me një mendjemprehtësi të rrallë dhe me një zgjuarsi të jashtëzakonshme. Jeta e tij personale, si dhe ajo shoqërore, në të gjitha dimensionet e saj karakterizohej nga urtësia. Pas marrjes së detyrës hyjnore të profetit, i duhet të kalonte përmes rrethanave të ndryshme të jetës. Nëse në një anë, ai kaloi periudhën e vështirësisë dhe persekutimit me durim e qëndrueshmëri duke shfaqur urtësi e mençuri, në anën tjetër, kur triumfoi mbi Mekën dhe u bë sundues i mbarë Arabisë, ai në vend të hakmarrjes, vendosi paqen duke marrë vendime urtiplota me një largpamësi të madhe.

Duke duruar vuajtjen dhe mundimet e mosbesimtarëve mekas, ai vendosi të mërgohej në Medinë. Padyshim, ky udhëtim ishte bërë sipas urdhrit të Zotit dhe mbështetjes së Tij, por përzgjedhja e shoqëruesit, përzgjedhja e kohës dhe itinerarit, caktimi i zëvendësit të tij në Mekë, pra bashkërendimi i të gjithë elementëve të këtij udhëtimi historik me një mençuri shembullore, dëshmon për intuitën e tij të thellë dhe mendjemprehtësinë e rrallë.

Për shkak të persekutimit dhe trysnisë së vazhdueshme të kundërshtarëve, Profeti s.a.v.s.  iu desh të udhëhiqte luftërat mbrojtëse. Edhe në këto luftëra, masat e marra dhe arritjet e tij, si përzgjedhja fushëbetejës, vigjilenca ndaj ushtrisë kundërshtare, vendosja e masave të sigurisë, forcimi i muslimanëve me besim pavarësisht nga numri i vogël dhe nga mungesa e mjeteve luftarake, zmbrapsja poshtëruese e armikut, shmangia e gjakderdhjes, humbja minimale e jetës, etj., të gjitha këto pohojnë dhe argumentojnë për planifikimin e drejtë, zbatimin e shkëlqyer dhe organizimin e suksesshëm të taktikave luftarake. Me të vërtetë, ai ishte njeriu më i mençur, më i urtë dhe më largpamës i të gjitha kohërave.

♦ Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje

Këto veti shfaqeshin edhe në ligjërimin dhe metodat e tij të thirrjes, të cilat ishin gjithnjë të urtiplota dhe mbresëlënëse. Zoti i kishte falur një aftësi të veçantë për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme në mënyrën më të pëlqyeshme. Këto veti janë udhërrëfyese dhe shëmbëllime të përkryera për mbarë botën.

Drejtësia shembullore e Profetit në vendosjen e Gurit të Zi

Ngjarja e vendosjes së Gurit të Zi është mjaft e famshme, e cila dëshmon për mençurinë e tij. Thuhet se kur Kurejshët e Mekës, gjatë rindërtimit të Qabes, mbërritën në vendin e Gurit të Zi, ndezi një mosmarrëveshje e ashpër midis fiseve lidhur me çështjen se cili prej tyre do të vendoste Gurin në vendin e tij. Çdo fis e konsideronte këtë si çështje nderi dhe krenarie. Këmbëngulja e fiseve e kishte acaruar grindjen deri në kacafytje. Sipas traditës së kohës së injorancës, disa prej tyre duke zhytur gishtat në një enë të mbushur me gjak, u betuan se do të pranonin vdekjen, por nuk do të lejonin që këtë nder ta merrte fisi tjetër. Kjo zënkë e vonoi ndërtimin e Qabes për disa ditë, derisa Ebu Umeja bin Mughejra sugjeroi se ai që hyn i pari në Qabe të nesërmen, le ta gjykojë këtë çështje.

Urtësia

Qabeja, Shtëpia e Zotit në Mekë, të cilën e vizitojnë muslimanët gjatë haxhit apo umrasë. Foto nga Acizane Nacizane CC BY 2.0 me anë të Wikimedia Commons

Të nesërmen ndaj të gdhirë, ata prisnin për të parë se kush hyn i pari, dhe ja Hazret Muhammedi s.a.v.s. hyri brenda. Me të parë atë, të gjithë thirrën njëzëri “el-Emin, el-Emin” e pohuan unanimisht se “Jemi të gatshëm për gjykimin tënd”. Kur ai u afrua, ata iu rrëfyen gjithë çështjen dhe i kërkuan një vendim të drejtë. Profeti s.a.v.s. me ndihmën e Zotit, gjykoi aq bukur midis tyre saqë prijësit Kurejsh u mahnitën nga drejtësia e tij. Ai shtriu çarçafin e tij dhe vuri Gurin e Zi mbi të, dhe pastaj i dha secilit nga prijësit Kurejsh një cep të çarçafit dhe i porositi të ngrinin çarçafin. Kështu, ata bashkërisht e ngritën çarçafin dhe askujt nuk i mbeti hatri. Kur u afruan pranë vendit, ai vetë e ngriti Gurin dhe e vuri në vendin e tij”.[9]

Hakmarrja për Bilalin r.a.

Edhe hakmarrja e tij kishte urtësi dhe mençuri. Bilalira ishte një skllav me ngjyrë në Mekë. Si pasojë e pranimit të Islamit, pronari i tij e tërhiqte zvarrë nëpër rrugicat e Mekës dhe i shkaktonte sfilitje të rënda. Kur u çlirua Meka, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., për t’ia shuar Bilalit zjarrin e hakmarrjes, gjeti një zgjidhje të mençur. I Dërguari i Allahut a.s. deklaroi se kushdo që qëndron nën flamurin e Bilalit, do t’i jepet amnisti.

Kalifi II r.a.  rrëfen këtë ngjarje në këtë mënyrë:

“Elementi më i rëndësishëm i kësaj ngjarjeje është flamuri i Bilalit. Kur dhjetë mijë ushtarë muslimanë hynë në Mekë për të çliruar Mekën, me siguri Bilalit i kishte rënë ndërmend, se sot do të hakmerrej një nga një të gjitha shkelmat e goditjet, dhe do të kompensohej për të gjitha rrahjet e tij. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. deklaroi se ai që hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit, është i falur, ai që hyn në Qabe është i falur, ai që dorëzon armët është i falur, ai që mbyll dyert e tij është i falur, me siguri Bilali r.a. duhet të kishte menduar se ai po fal të gjithë vëllezërit e tij, dhe mirë po bën, por unë nuk kam marrë hak.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. vështroi se sot vetëm një njeri mund të lëndohet nga deklarata e amnistisë, dhe ai është Bilali, sepse ata që po i fal, nuk janë vëllezërit e tij. Askush nuk ka hequr aq shumë vuajtje sa ai. Ai deklaroi se unë do të hakmerrem për të, dhe do të hakmerrem në atë mënyrë që nuk cenon statusin e profetësisë sime, dhe e qetëson shpirtin e Bilalit. Profeti urdhëroi të vendosej flamuri i Bilalit, të lajmërohen të gjithë ata prijës mekasë të cilët hidheshin me këpuca mbi gjoksin e tij, të cilët duke e lidhur me litar e tërhiqnin zvarrë, të cilët e detyronin të shtrihej në rërë përvëluese, që nëse ata duan të shpëtojnë jetën e tyre dhe të familjes e të fëmijëve të tyre, atëherë të mblidhen nën flamurin e Bilalit.

Unë mendoj se që kur është krijuar kjo botë, që kur njeriu ka fituar pushtetin, dhe qëkur njeriu është bërë i gatshëm për t’u hakmarrë për të keqen ndaj tij, askush nuk ka parë një hakmarrje të tillë.

Kur do të vendosej flamuri i Bilalit në fushën e Qabesë, kur ata prijës arabë të cilët e shtypnin me këmbët e tyre dhe i thoshin thuaj që Muhammedi është gënjeshtar, kur të gjithë ata vinin me vrap duke kapur përdore fëmijët dhe gratë e tyre nën flamurin e Bilalit, atëherë si flijohej shpirti i Bilalit r.a. për Muhamedin s.a.v.s..

Urtësia

Sigurisht, Allahu u bëri mirësi besimtarëve kur ngriti midis tyre një të dërguar nga gjiri i tyre; (i cili) ua reciton ajetet e Tij, i pastron dhe ua mëson librin dhe urtësinë, ndërkohë, ata, deri më parë ishin në humbje të hapët.[10]

Aftësia për të kuptuar nevojën e hallexhiut

Allahu i Madhërishëm i kishte dhënë aftësi për të kuptuar menjëherë shqetësimin e hallexhiut, dhe për këtë arsye nevojtarët i vinin shpesh për t’u gjetur derman halleve të tyre. Duke zgjidhur problemin e tyre, ai kujdesej veçanërisht për të ruajtur ndjenjat dhe dinjitetin e tyre.

Ebu Hurejra r.a. ishte një prej Ehlus-Sufah[11] i cili qëndronte në sheshin e ngjitur me xhaminë e Profetit s.a.v.s. në Medinë. Këta sahabë gjatë gjithë kohës mësonin fenë prej Profetit s.a.v.s. Për të fituar nga shoqërimi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Ebu Hurejra r.a. gjithmonë qëndronte në xhami. Ai ka rrëfyer një hadith të gjatë,[12] të cilin po citoj këtu në fjalët e Hazret Kalifit të Dytë r.a. Ai shkruan:

“Ebu Hurejrah r.a. rrëfen që një herë ai kishte mbetur pa bukë për disa ditë. Kur kaloi shtat vakte në këtë gjendje, nuk duroi më dhe shkoi pranë derës së xhamisë. Rastësisht, aty kaloi Ebu Bekri r.a. Ebu Hurejrah r.a. i kërkoi t’i shpjegonte një ajet, i cili bëhej fjalë për të ushqyer të varfrit. Ebu Bekri r.a. kujtoi se ndoshta ai me të vërtetë nuk e dinte kuptimin e ajetit, prandaj, ia shpjegoi dhe eci më tutje. Ebu Hurejrah r.a. sa herë që u përmendte njerëzve këtë ngjarje, thoshte me pezmatim: “Ebu Bekri gjoja sikur dinte Kuranin më shumë se unë?! Unë e pyeta kuptimin e këtij ajeti që atij t’i kujtohej se çfarë thirrjeje bën ky ajet dhe të më ushqente mua”. Pastaj, kaloi edhe Omeri r.a. Ebu Hurejrah r.a. thotë: “E pyeta edhe atë për kuptimin e këtij ajeti. Edhe ai ma dha shpjegimin dhe kaloi”. Sahabët urrenin t’i kërkonin dikujt diçka për ndonjë nevojë. Ebu Hurejrah r.a. pa që s’kishte gjasa të gjente ndonjë ushqim pa ia kërkuar ndonjërit. I dëshpëruar dhe i rraskapitur nga uria, gati do të binte, se s’kishte më forcë për të duruar më tej. Ndërsa po largohej nga dera e xhamisë, atë e thirri një zë i ëmbël. Ktheu kokën dhe pa që i Dërguari i Allahut s.a.v.s., i buzëqeshur, po e thërriste nga dritarja e shtëpisë: “A je i uritur?”, e pyeti Profeti s.a.v.s., “Po”, u përgjigj ai. Profeti tha: “Edhe unë s’kisha gjësendi në shtëpi për të ngrënë, por tani na dërgoi  dikush një tas qumësht. Shko dhe shiko në xhami, në mos ka ndonjë njeri të uritur si puna jonë”.[13]

Kështu i Dërguari i Allahut s.a.v.s. jo vetëm që ia kuptoi dhe zgjidhi hallin Ebu Hurejras r.a. por i dha një mësim të vyer që t’i mbështetej gjithmonë Zotit dhe t’u jepte epërsi vëllezërve të tij, edhe kur ndodhej në vështirësi.

Edukimi shpirtëror i muslimanëve

Mënyra se si Profeti s.a.v.s. zgjidhte problemet ishte mjaft e urtë dhe e mençur. Shembulli më adekuat i këtij aspekti është ngjarja e shpërndarjes së plaçkës pas luftës së Hunejnit. Sipas rrëfimeve, në këtë luftë kishte marrë pjesë një numër i madh ushtarësh të cilët ishin muslimanë të rinj ose që nuk kishin pranuar Islamin ende. Në shpërndarjen e plaçkës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. atyre u dha epërsi mbi muslimanët e vjetër, madje disave prej tyre u dha nga njëqind krerë devesh. Përderisa Profeti nuk u kishte dhënë asgjë muslimanëve të Medinës (ensarëve), disa prej tyre u ankuan se ai ka shpërndarë gjithë pasurinë mes fisit Kurejsh, e neve nuk ka përfillur aspak, edhe pse gjaku i armikut ishte ende i freskët në shpatat tona që kemi ngritur në mbrojtje të Islamit. Kur Profeti s.a.v.s. mësoi këtë, ai shprehu keqardhje, dhe thirri ensarët në një çadër, ku nuk ndodhej askush tjetër përveç tyre. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu drejtua: “A është e vërtetë kjo që kam dëgjuar rreth jush”? Ata iu përgjigjën: “O i Dërguar i Allahut! Asnjëri nga krerët tanë nuk ka thënë një gjë të tillë, por këto janë fjalët e disa të rinjve tanë mendjelehtë që kanë hidhëruar Profetin e Allahut”. Profeti s.a.v.s. tha:

“Sigurisht, plaçkat u kam dhënë atyre, të cilët sapo kanë dalë nga mosbesimi, me qëllim që të forcohen në Islam. O grupi i ensarëve! A nuk ishit ju të devijuar dhe Zoti ju përudhi përmes meje? A nuk ishit të përçarë dhe Zoti ju bashkoi zemrat nëpërmjet meje? A nuk ishit në skamje, dhe Zoti ju pasuroi e begatoi nëpërmjet meje?” Teksa Profeti s.a.v.s. po thoshte këto fjalë, ensarët i përgjigjeshin “Allahu dhe i Dërguari i Tij na kanë bërë mirësi të mëdha”. Profeti s.a.v.s. i pyeti: “O grupi i ensarëve! Përse nuk po përgjigjeni? Ata i thanë: “O Profet! Çfarë t’ju përgjigjemi? Të gjitha këto janë mirësitë e Zotit dhe të Dërguarit të Tij ndaj nesh”. Profeti s.a.v.s. u tha: “A nuk jeni të lumtur që njerëzit po marrin me vete bagëtitë dhe të mirat materiale, ndërsa ju po merrni të Dërguarin e Allahut në shtëpitë tuaja? Po të mos kishte ndodhur hixhreti, edhe unë do të isha pjesëtar i ensarëve. Nëse njerëzit ecin nëpër lugina të tjera, unë do të eci në luginën e ensarëve. Ensarët i ngjanë asaj veshjeje që gjithnjë mbetet e ngjitur me trupin, ndërsa njerëzit e tjerë i ngjajnë asaj veshje që mbulon trupin e njeriut nga jashtë”. Atëherë Ensarët iu shprehën njëzëri “O i Dërguari i Allahut! Jemi të kënaqur se nga kjo ndarje, kemi fituar të Dërguarin e Tij s.a.v.s.”.

Urtësia

Xhamia el-Aksa në Jeruzalem, foto nga Jonathan Jacobi, CC-BY-SA-3.0 me anë të via Wikimedia Commons

Largpamësia e Profetit në çështjet delikate

Trakti i Hudejbijes mban një rëndësi të veçantë në jetën e Profetit s.a.v.s. Ai shënon hapjen e një kapitulli të ri në historinë e Islamit, duke u dhënë fund luftërave midis mosbesimtarëve të Mekës dhe muslimanëve. Kjo periudhë e qetë dëshmoi që fuqia e Islamit qëndron në paqe e jo në konflikt. Në vitin e 6-të pas hixhretit, Profeti a.s. kishte parë një ëndërr që ai i bënte tavaf Qabes. Kjo ëndërr është përmendur edhe në Kuran[14]. Ndonëse, ajo lajmëronte për një fitore paqësore mbi Mekën, Profeti s.a.v.s. për ta përmbushur atë, u nis drejt Mekës tok me një mijë e pesëqind muslimanë. Mohuesit e Mekës nuk donin assesi që Profeti s.a.v.s. dhe muslimanët të vizitojnë Qaben, prandaj ata e fortifikuan qytetin.

Gjendja e amullt nxiti dialogun mes përfaqësuesve të mohuesve dhe të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Pas negociatave të gjata midis dy palëve, në një situatë të nderë, erdhi Suhejl bin Amri si përfaqësues i fundit i mekasve për të hartuar dhe nënshkruar kushtet e marrëveshjes midis muslimanëve dhe mekasve.

Gjatë marrëveshjes ndodhën dy ngjarje interesante. Pasi të dyja palët ranë dakord për kushtet, Profeti s.a.v.s., duke diktuar fjalët e marrëveshjes, tha: “Në emër të Zotit, të Gjithëmëshirshmit dhe Mëshirëplotit”. Suhejli e kundërshtoi dhe tha: “Ne e njohim Zotin, por nuk e njohim të gjithëmëshirshmin dhe mëshirëplotin. Marrëveshja po bëhet ndërmjet ne të dyve, andaj duhen respektuar fetë e ne të dyve”. Profeti Muhammed s.a.v.s e pranoi dhe më pas diktoi vetëm fjalët “Në emër të Zotit, bëhet marrëveshje…”.

Pastaj, Profeti s.a.v.s kur tha fjalët “marrëveshja ndërmjet Muhammedit të Dërguarit të Allahut dhe Suhejlit”, Suhejli përsëri e kundërshtoi duke thënë: “Po të të pranonim si të dërguar të Allahut, nuk do të kishim luftuar me ju!” Profeti s.a.v.s. tha “Daç pranoni daç mohoni, unë jam i Dërguari i Allahut. Por meqë jam edhe Muhammedi i biri i Abdullahut, prandaj mund të shkruani edhe kështu dhe diktoi “Muhammedi, i biri i Abdullahut”.

Ngaqë Profeti s.a.v.s. pranonte çdo gjë që i thoshin mekasit, sahabëve u digjeshin zemrat nga pikëllimi dha u nxehej gjaku nga zemërimi. Madje, Omeri r.a. erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A jemi të drejtë ne?” “Po”, u përgjigj Profeti s.a.v.s. Pastaj Omeri e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A nuk ju ka treguar Zoti që ne do të bëjmë tavafin e Qabes?” Profeti s.a.v.s. përsëri u përgjigj: “Po”. Omeri e pyeti: “Përse atëherë keni bërë këtë marrëveshje sot?” Profeti s.a.v.s. tha: “Omer, Zoti i Lartësuar me të vërtetë më kishte thënë që ne paqësisht do të bëjmë tavafin e Shtëpisë së Zotit, por nuk më kishte thënë se do ta bëjmë patjetër sivjet. Ishte interpretimi im për ta bërë sivjet”.

Fillimisht muslimanët ishin të pakënaqur nga moslejimi i tavafit të Qabes si dhe nga kushtet e marrëveshjes, që u dukeshin plotësisht në anën e mekasve. Por, në rrjedhën e kohës, ata kuptuan dobitë e saj, që nuk do të kishin arritur kurrë në një gjendje të tendosur.

Për herë të parë, pas 19 vjetësh, mekasit ndërprenë konfliktin ushtarak ndaj muslimanëve. Në kushtet e paqes Islami u përhap katërçipërisht me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe fitorja e Islamit u bë realitet. Kjo marrëveshje tregon vizionin largpamës të Profetit s.a.v.s., i cili me gjithë pakënaqësinë e muslimanëve, hapi shtegun për fitoren përfundimtare të tyre ndaj mohuesve.

Fjala e fundit

Me porositë e tij urtiplota dhe veprat frymëzuese, Profeti Muhammed, paqja e mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbetet modeli më i përsosur për të gjithë njerëzit në të gjitha kohërat. Kush mund të përshkruajë më bukur cilësitë e këtij Profeti madhor përveç shërbëtorit të tij të përulur Hazret Mesih i Premtuar a.s. Ai shkuran:

“Unë gjithmonë e shikoj i mahnitur këtë Profet arab, emri i të cilit është Muhammed (mijëra e mijëra selavate e selame qofshin mbi të). Sa i lartë është statusi i tij! Nuk mund të arrihet skaji i pozitës së tij të lartë dhe nuk është në aftësinë njerëzore që të perceptojë fuqinë e ndikimit të tij shpirtëror. Mjerisht, bota nuk arriti të njihte pozitën e tij ashtu siç i duhej. Ai është trimi që rivendosi teuhidin e Allahut (njëjësinë e Tij) në botë, që prej kohësh ishte zhdukur. Ai iu përkushtua Zotit me dashurinë më të skajshme ndërsa shpirti i tij u shkri pas njerëzimit nga dhembshuria. Prandaj, Allahu, që dinte mirë të fshehtën e zemrës së tij, i dha epërsi mbi të gjithë profetët, të parët dhe të mëpastajshmit dhe ia përmbushi të gjitha dëshirat e tij në këtë jetë. Vetëm ai është burimi i çdo mirësie, ndërsa, personi që pretendon për ndonjë epërsi që ka, por nuk pohon mirësinë e Profetit s.a.v.s, ai nuk është njeri por është pjellë e djallit, sepse çelësi i çdo epërsie dhe thesari i çdo urtësie i janë dhënë atij. Ai që nuk i afrohet pragut të tij është i humbur përjetësisht. Çfarë jemi ne dhe ç’është rëndësia jonë? Do të jemi mosmirënjohës ndaj këtij bekimi nëse nuk pohojmë se njëjësinë e vërtetë e kemi gjetur përmes këtij profeti. Njohjen e Zotit të Gjallë e fituam nëpërmjet këtij Profeti të Përsosur dhe dritës së tij. Nderi i madh i komunikimit me Zotin tonë, përmes të cilit ne e shikojmë fytyrën e Tij, na u dha përmes këtij Profeti Madhështor. Rrezet e këtij dielli të hidajetit (udhës) bien mbi mua si dritë dhe ne do të mbetemi të ndriçuar për aq sa qëndrojmë përpara saj”.[15]

Urtësia

O Zot! Lartësoje Muhammedin dhe popullin e tij, ashtu siç e madhërove Ibrahimin dhe popullin e tij! Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar dhe i Nderuar!

O Zot! Bekoje Muhammedin dhe popullin e tij, ashtu siç e bekove Ibrahimin dhe popullin e tij! Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar dhe i Nderuar!


[1] Said el-Khusi esh-Shertuni, “Akrebul-Mevarid fi Fus’hil ‘Arabijjeti vesh-Shevarid, vëll. I, botuar nga Mekteba Ajetullah el-Uzma, Kum, Iran, 1983, f. 219

[2] Kurani Famëlartë 2:270

[3] Kurani Famëlartë 31:13

[4] Kurani Famëlartë 12:23

[5] Kurani Famëlartë 2:252

[6] Kurani Famëlartë 16:126

[7] Kurani Famëlartë 33:22

[8] Kurani Famëlartë 62:3

[9] Hazret Mirza Bashir Ahmed ra, Siret Khatemun-Nebijjin, f. 109

[10] Kurani Famëlartë 3:165

[11] Ehlus-Sufah ose banorët e sheshit, ishin sahabët e Profetit a.s., të cilët pas mërgimit në Medinë, nuk ishin pritur nga askush. Duke qenë të huaj në Medinë, ata u strehuan në një shesh pranë xhamisë së Profetit s.a.v.s. Ata ishin rreth tetëdhjetë dhe duke mos pasur asnjë mjet të ardhurash, kalonin jetën në varfëri ekstreme. Ata i kushtuan jetën adhurimit të Zotit, disiplinës shpirtërore dhe shoqërisë së Profetit s.a.v.s. burim: Islamic Encyclopedia

[12] Sahih el-Bukhari, nr. i hadithit 6452

[13] Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmed r.a., Jeta e Muammedit, botuar nga Islam International Publications, Tiranë, 2013, f. 277-278

[14] Kurani Famëlartë 48:28

[15] Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., Hakīkatul Uehi, Rruhani Khezain, vëll. XXII, botuar nga Nazarat Ishaat Rabwah Pakistan, 2009, Londër, f. 118-119

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp