Dy periudha të jetës së Profetit Muhammed s.a.v.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Pohimi dhe argumenti duhet të jenë nga Libri i Shenjtë
  2. PYETJA I – Cilat janë tri gjendjet e njeriut?
  3. Viti dyzet i jetës suaj mund të jetë shumë i bekuar
  4. Shpirti është krijesë
  5. Zhvillimi gradual i njeriut
  6. Kuptimi i vërtetë i Islamit
  7. Dallimi mes gjendjeve instinktive dhe morale
  8. Përgënjeshtrimi i doktrinës që ndalon therjen a mbytjen e kafshëve
  9. Tri stadet e reformimit
  10. Ardhja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në kohën më të nevojshme të reformimit
  11. Gjendjet instinktive, nëse mbahen në ekuilibër, shndërrohen në morale
  12. Moralet e vërteta
  13. Reformimi i parë – gjendjet natyrore
  14. Ndalimi i mishit të derrit
  15. Gjendjet morale të njeriut
  16. Moralet që aftësojnë njeriun për të hequr dorë nga mëkatet
  17. Pesë ilaçe për të qenë i dëlirë
  18. Moralet lidhur me mirëbërësinë
  19. Trimëria e vërtetë
  20. Vërtetësia
  21. Durimi
  22. Dhembshuria
  23. Kërkimi i një qenieje më të lartë
  24. Arsyeja pse Profeti i Shenjtë s.a.v.s. u shfaq në Arabi
  25. Mirësia e Kuranit Famëlartë ndaj botës
  26. Argumente për ekzistencën e Zotit të Madhërishëm
  27. Cilësitë e Zotit të Madhërishëm
  28. Gjendjet shpirtërore
  29. Një lutje e bukur
  30. Kuptimi i pijeve me kamfur dhe xhenxhefil
  31. Mjeti për të krijuar lidhje të përsosur shpirtërore me Zotin e Madhërishëm
  32. PYETJA II – Çfarë ndodh me njeriun pas vdekjes?
  33. PYETJA III – Cilat janë qëllimet e jetës së kësaj bote dhe si mund të arrihen ato?
  34. PYETJA IV – Cili është zbatimi praktik i Sheriatit në këtë jetë dhe pas kësaj jete?
  35. Urtësia e betimeve të Allahut në gjëra të ndryshme
  36. PYETJA V – Cilat janë mjetet për të arritur dijen dhe njohjen ndaj Zotit?
  37. Natyra e ndërgjegjes njerëzore
  38. Çfarë është shpallja Hyjnore?
  39. Folësi është i nderuar me komunikimin dhe shpalljen Hyjnore
  40. Shpallja e Zotit të Madhërishëm është mjeti për të arritur dijen e përsosur
  41. Dy periudha të jetës së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Qëllimi i luftërave të Profetit Muhammed s.a.v.s.
Related Contents from Topics
xhamia e profetit varri i profetit

Për këtë arsye, Zoti i Madhërishëm e ndau jetën e Profetit tonë Hazret Muhammed s.a.v.s., në dy pjesë.

Pjesa e parë është ajo e vështirësive, e vuajtjeve dhe e shqetësimeve dhe pjesa e dytë është ajo e fitores. Kjo, në mënyrë që, gjatë vështirësive, të shfaqen ato virtyte që mund të shfaqen vetëm në kohën e vështirësive, ndërsa gjatë ditëve të fitores dhe të sundimit, të shfaqen ato virtyte, që nuk mund të shfaqen pa pasur pushtet. Prandaj, të dyja llojet e virtyteve të Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s. u shfaqën në mënyrën më të qartë në të dyja situatat.

Nëse do ta studiojmë pjesën e vështirësive të jetës së tij, e cila shtrihet gjatë trembëdhjetë viteve të tij në Mekë, do të dalë shumë e qartë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tregoi ato virtyte, të cilat mund t’i tregonte vetëm një njeri i vërtetë dhe i përsosur gjatë vështirësive. Për shembull, i mbështetet vetëm Zotit, nuk vajton dhe nuk ankohet, nuk ngathtësohet në misionin e tij, nuk ka frikë nga askush e nga asgjë. Të gjitha këto i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ka treguar me aq bukuri, saqë shumë nga jobesimtarët e pranuan duke parë pikërisht këto virtyte tek ai dhe dëshmuan që derisa dikush nuk ka besim të plotë në Zot, nuk mund të tregohet kaq i duruar dhe i patundur ndaj vështirësive kaq të mëdha.

Pastaj, gjatë kohës së dytë, asaj të fitores, të sundimit dhe të begatisë, virtytet e larta si falja, bujaria, guximi, etj., i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i shfaqi në mënyrë aq të përsosur, saqë një mori jobesimtarësh e pranuan fenë Islame pikërisht duke parë këto virtyte tek ai. Ai u fali atyre që i shkaktuan vuajtje, u mundësoi paqe dhe strehë atyre që e kishin dëbuar nga qyteti i tij, i begatoi ata që ishin nevojtarë dhe i fali armiqtë e tij më të mëdhenj, edhe pse i kishte kapur dhe kishte fuqi t’i ndëshkonte. Duke parë pikërisht këto virtyte të tij, shumë nga ata dëshmuan se askush nuk mund të shfaqë morale të tilla, përveçse ai që me të vërtetë vjen prej Zotit. Kjo ishte arsyeja që mllefet e vjetra të armiqve të tij, u pastruan përnjëherë. Virtytin e tij më të lartë, të cilin ai e shfaqi në jetën e tij, Kurani Famëlartë e tregon në këto fjalë:

قُلۡ اِنَّ صَلَاتِیۡ وَ نُسُکِیۡ وَ مَحۡیَایَ وَ مَمَاتِیۡ لِلّٰہِ رَبِّ الۡعٰلَمِیۡنَ ﴿۱۶۳﴾ۙ 1

Thuaju atyre që adhurimi im, sakrifica ime, jeta ime dhe vdekja ime janë në rrugën e Zotit, pra janë për të shfaqur madhështinë e Tij dhe për t’u mundësuar rehati robërve të Tij, në mënyrë që ata të gëzojnë jetën nga vdekja ime.

Le të mos mendojë ndokush që dëshira për t’u flijuar në rrugën e Zotit dhe për të mirën e njerëzve, tregon se Profeti s.a.v.s., me’adhAllah,[2] si një njeri i marrë donte të vetëvritej sepse mendonte se kështu do t’u sillte dobi njerëzve të tjerë. Përkundrazi, Profeti Muhammed s.a.v.s. ishte tërësisht kundër mendimeve të padenja si ky, madje vetë Kurani e ngarkon me faj të rëndë atë që bën vetëvrasje dhe e paralajmëron të ndëshkohet. Siç thotë:

وَ لَا تُلۡقُوۡا بِاَیۡدِیۡکُمۡ اِلَی التَّہۡلُکَۃِ 3

Mos bëni vetëvrasje dhe mos e shkatërroni veten me duart tuaja. Dihet që, për shembull, nëse Haliti vuan nga dhimbja në stomak, do të ishte e kotë që Zejdi të thyejë kokën e vet me keqardhje për Halitin. Me veprimin e tij, Zejdi jo vetëm që nuk bën ndonjë mirësi, por e shkatërron veten prej budallallëkut ose gjymton trupin e vet. Mirësia do të ishte atëherë kur Zejdi t’i rrinte gati Halitit për çdo nevojë, t’i sillte ilaçin e duhur dhe ta kuronte me të gjitha kushtet e mjekësisë. Andaj, ajeti i mësipërm tregon që Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. vetëm nga dhembshuria ndaj njerëzimit u mundua kaq shumë saqë ua përkushtoi jetën dhe duke bërë lutje, duke u përcjellë atyre mesazhin Hyjnor, duke duruar mizoritë dhe sfilitjet e tyre dhe duke praktikuar çdo metodë të denjë e të urtë. Ai e kishte flijuar jetën dhe rehatinë e vet në rrugën e Zotit. Diku tjetër, Allahu i Madhërishëm pohon:

لَعَلَّکَ بَاخِعٌ نَّفۡسَکَ اَلَّا یَکُوۡنُوۡا مُؤۡمِنِیۡنَ ﴿۴﴾ 4

فَلَا تَذۡہَبۡ نَفۡسُکَ عَلَیۡہِمۡ حَسَرٰتٍ 5

A do të shkatërrosh veten duke u brengosur dhe duke u munduar jashtë mase për ta? A do të vrasësh veten duke u pikëlluar për ata se nuk po e pranojnë të vërtetën?

Kështu që, mënyra e mençur për të dhënë jetën për hir të popullit është të mundohesh e të vështirësohesh duke përdorur metodat më të dobishme për t’i sjellë dobi popullit dhe t’i përkushtosh jetën duke bërë plane pozitive për të, dhe jo, kur e shikon popullin në një hall të madh a devijim të thellë, t’i biesh murit me kokë ose të kapërdish ca kokrra të helmit striknin[6] për t’u larguar nga kjo botë përgjithmonë, duke menduar se do ta shpëtoje popullin me këtë gjest të padenjë. Kjo nuk është burrëri, por burracakëri.

Njerëzit kurajëpaktë, duke mos e përballuar vështirësinë, gjithmonë nxitohen të bëjnë vetëvrasje. Sado të justifikosh më vonë vetëvrasje të tillë, ajo pa dyshim është një shëmti e logjikës njerëzore. Për njeriun që i jep fund jetës në këtë mënyrë, ne nuk mund të besojmë se do të ishte i duruar dhe i fortë gjatë përballjes me armikun. Ai që nuk e ka gjetur mundësinë e hakmarrjes, nuk mund të themi se do të shfaqte virtyte të duhura gjatë hakmarrjes.

Derisa njeriu nuk e përjeton kohën e vështirësive, e më pas edhe kohën e fuqisë, të sundimit e të begatisë, nuk mund të shfaqen cilësitë e tij të vërteta. Ai që tërë jetën ka qenë i dobët, i varfër, i pushtuar dhe më pas vritet nga rrahjet e njerëzve mizorë, dhe nuk ka arritur kohën e sundimit, virtytet e tij nuk janë provuar dot. Për sa kohë që ai nuk u paraqit në ndonjë fushëbetejë, nuk u provua që kishte zemër trimi dhe virtytet e tij mbetën të panjohura për ne. Si mund të dimë ne se çfarë do të bënte me armiqtë e tij, po të kishte fuqi mbi ta? Nëse do të bëhej i pasur, a do t’u shpërndante pasurinë të varfërve apo do ta grumbullonte për vete? Nëse do të dilte në ndonjë fushëbetejë, a do të tregohej trim apo do t’ia mbathte?

Por në saje të mirësisë dhe bekimit të Zotit, Profeti ynë s.a.v.s. pati mundësi të shfaqte virtyte në të dyja kohët. Edhe bujaria, edhe trimëria, edhe durimi, edhe falja dhe edhe drejtësia e tij janë shfaqur në kohën e tyre në mënyrë aq të përsosur, saqë nuk mund t’ua gjejmë shembullin në faqen e dheut. Në të dyja kohët e tij, pra edhe në dobësi edhe në fuqi, edhe në varfëri edhe në pasuri, i tregoi gjithë botës se çfarë virtytesh të larta zotëronte Shenjtëria e tij. Nuk ka ndonjë virtyt njerëzor, që Zoti i Madhërishëm nuk i ka dhënë mundësi ta shfaqte atë. Trimëria, bujaria, qëndrueshmëria, falja, durimi, etj., etj., të gjitha virtytet e larta janë provuar në atë mënyrë, saqë nuk mund t’ua gjejmë dot shembullin. Po, është e vërtetë që ata që kaluan çdo kufi në mizori dhe tentuan ta asgjësonin Islamin, Zoti nuk la pa i ndëshkuar, sepse mosndëshkimi i tyre, do të thoshte që të drejtët t’i shkatërronte nga këmbët e mizorëve.


[1] “Thuaj: Sigurisht, namazi im, sakrificat e mia, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve.” (El-En’am 6:163).
[2] Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga ky mendim!
[3] “… dhe mos e shpini (veten) në shkatërrim me duart tuaja.” (El-Bekare 2:196).
[4] “A do të shkatërrosh veten se pse ata nuk po bëhen besimtarë?!” (Esh-Shu’ara 26:4).
[5] “Mos të të shkatërrohet ty jeta duke u brengosur për ta.” (Fatir 35:9).
[6] Strychnine.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp