
Kur studioj Fjalën e Zotit në thellësi dhe shoh se si ajo parashtroi këshillat në mësimet e saj për të përmirësuar gjendjet instinktive të njeriut dhe për ta ngritur atë gradualisht drejt gjendjes së lartë shpirtërore, atëherë e kuptoj mënyrën e saj të urtë për ta udhëzuar njeriun, që së pari: Zoti dëshiron t’i mësojë njeriut të gjitha sjelljet shoqërore, siç janë sjelljet për të qëndruar me dikë, sjelljet e të ngrënit, e të pirit, e të biseduarit etj., në mënyrë që ta shpëtojë atë nga sjelljet e egra dhe ta bëjë të dallohet nga kafshët duke marrë edukatën fillestare të jetës shoqërore.
Më pas, Zoti i jep këshilla njeriut si t’i sjellë në ekuilibër gjendjet instinktive, të cilat me fjalë të tjera mund t’i quajmë morale të ulëta, në mënyrë që ato t’i shndërrohen në virtyte të larta. Por, këto dy metoda janë pjesë e një procesi të vetëm, sepse ato synojnë përmirësimin e gjendjeve instinktive, vetëm se njëra i përket fazës fillestare dhe tjetra një faze më të lartë. Zoti i Urtë parashtroi sistemin e moraleve në një mënyrë të tillë, që duke e ndjekur atë, njeriu nga një gjendje e ulët e moralit të mund të përparojë deri në gjendjen më të lartë të tij.