Mos i lakmoni popujt e tjerë | Ruhuni nga lakmia
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
lakmia dollari

Kujdes! Mos i lakmoni popujt e tjerë duke menduar se kanë përparuar shumë në planet e kësaj bote dhe se edhe ju duhet të kishit ndjekur hapat e tyre. Dëgjoni dhe kuptojeni, se ata janë tërësisht në padije dhe pavëmendje ndaj Atij Zoti që ju thërret ju drejt Vetes. Çfarë është Zoti i tyre? Vetëm një njeri i dobët! Prandaj, ata janë lënë të shkujdesur. Unë nuk ju ndaloj nga punët dhe tregtitë e kësaj bote, por ju ndaloj t’i ndiqni ata të cilët gjithçka kanë vetëm botën. Madje gjithmonë Zotit kërkojini forcën dhe mundësinë në çdo punë tuajën, qoftë ajo për botën apo për besimin, por jo me buzë të thata; duhet të besoni me të vërtetë se çdo bekim zbret prej qiellit.

Ju do të bëheni të drejtë atëherë kur të keni ndonjë punë, ose kur të përballeni me ndonjë vështirësi, përpara se të merreni me mjetet, ta mbyllni derën e të bini te Pragu i Zotit e t’i thoni: “Kemi këtë vështirësi, o Zot, Ti përmes bekimit Tënd na e largo”. Atëherë Shpirti i Shenjtë do t’ju ndihmojë, dhe juve do t’ju hapet një rrugë nga e padukshmja.

Mëshironi veten tuaj dhe mos ndiqni ata të cilët kanë shkëputur lidhjen e tyre me Zotin dhe që kanë rënë tërësisht mbi mjetet, aq saqë as nuk thonë inshaAllah me gojë, për t’i kërkuar forcë Zotit. Zoti ju haptë sytë që të shihni se Zoti është trari i të gjitha përpjekjeve tuaja! A mund të qëndrojë çatia, nëse bie trari? Përkundrazi, edhe ajo do të rrëzohet përnjëherë dhe ka mundësi të shkaktojë edhe viktima të shumta. Në të njëjtën mënyrë, edhe përpjekjet tuaja pa ndihmën e Zotit, nuk mund të qëndrojnë. Nëse nuk do t’i kërkoni ndihmë Atij, dhe nëse nuk do ta bëni këtë si shprehi për t’i kërkuar ndihmë Atij, nuk do të gëzoni asnjë sukses. Përfundimisht do të vdisni me dëshpërim të madh.

Mos mendoni se përse atëherë popujt e tjerë kanë sukses, ndërkohë që ata as nuk e njohin Atë Zot, i cili është Zoti juaj i Përsosur dhe i Plotfuqishëm. Përgjigjja e kësaj është që për shkak se ata hoqën dorë nga Zoti, kanë rënë në sprovën e dynjasë. Atë që braktis Zotin e që dashurohet me qejfet dhe kënaqësitë e kësaj bote dhe dëshiron fort pasuritë e saj, Zoti nganjëherë e sprovon duke ia hapur dyert e botës, por duke e lënë tërësisht të varfër dhe lakuriq për nga besimi. Një i tillë, më në fund vdes vetëm në hallet e dynjasë dhe bie në xhehenemin e përjetshëm.

Dhe nganjëherë Zoti sprovon dikë duke e lënë të dështuar edhe në këtë botë. Por, kjo sprova e dytë nuk është më e rëndë sesa e para, sepse ai që gjendet në të parën, tregohet më shumë mburravec. Sidoqoftë, që të dy bien në kategorinë e atyre për të cilën thuhet “magdūbi ‘alejhim” [ata që tërhoqën zemërimin].

Burimi i lumturisë së vërtetë është Zoti. Këta përderisa janë në padijeni ndaj Atij Zoti, të Gjallë e të Qëndrueshëm, madje e shpërfillin duke i treguar shpinën, si mund të gëzojnë lumturinë e vërtetë. I bekuar qoftë ai njeri, që e kupton këtë sekret dhe është i shkatërruar ai që nuk e kuptoi.

Po kështu, juve ju duhet që të mos ndiqni filozofët e kësaj bote dhe mos t’i shihni ata me nderime. Ata kanë vetëm pamendësi. Filozofia e vërtetë është ajo që Zoti jua mësoi në Fjalën e Tij. U Shkatërruan ata që janë të dashuruar me filozofinë e dynjasë, dhe gëzuan sukses ata që kërkuan dijen dhe filozofinë e vërtetë në Librin e Zotit. Pse ndiqni rrugët e pamendësisë?! A do t’i mësoni Zotit ato që Ai nuk i di?! A do të vraponi pas të verbërve, që t’jua tregojnë rrugën ata?! O të pamend! Ai që vetë është i verbër, si mund t’jua tregojë rrugën?!

Filozofia e vërtetë gjendet përmes Shpirtit të Shenjtë, i cili ju është premtuar juve. Përmes Shpirtit ju do të arrini deri te këto dije të pastra, që të tjerët nuk do t’i arrijnë dot. Po e kërkuat me sinqeritet e vërtetësi, ju do ta gjeni atë përfundimisht. Atëherë do të kuptoni se është pikërisht kjo dije që ju qetëson zemrën, që ju jep jetë dhe që ju çon në lartësinë e bindjes. Kurse ai që vetë konsumon ngordhësirën, nga mund t’ju sjellë ushqim të pastër?! Ai që vetë është i verbër, si mund t’ju dhurojë shikimin?! Çdo urtësi e pastër zbret prej qiellit, prandaj, çfarë po u kërkoni njerëzve tokësorë?! Urtësinë e trashëgojnë vetëm ata, të cilëve u ngjitet shpirti drejt qiellit. Kurse ata që nuk e kanë gjetur qetësinë për veten e tyre, si mund t’jua gjejnë juve? Megjithatë, së pari ju duhet të pastroni zemrën, të përvetësoni vërtetësinë dhe dëlirësinë, e më pas do t’ju jepet e gjithë kjo.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp