
Një shkallë e rëndësishme për ngritjen në vepra
Pra, këtë pikë mbajeni mend mirë. Kjo është një shkallë e rëndësishme për të sjellë reformë dhe ngritje në vepra. Është e vërtetë që nuk e keni nën kontroll ardhjen e ndonjë mendimi të keq, por e keni në kontroll largimin e tij, andaj duhet ta largoni menjëherë.
Një tregim i bukur
Mesihu i Premtuaras rrëfente një tregim. Një njeri po vidhte një arkë me rrush nga një vresht, ndërkohë erdhi pronari dhe e pyeti: “Pse më merr rrushin nga vreshti im?”. “Më dëgjo një herë dhe pastaj trajtomë si të duash”, – ia ktheu ai. Pronari i tha: “Mirë, shpjegomë!”. Ai i tha: “Në fakt, një vorbull ere rastësisht më mori dhe më pruri në këtë hardhi, dhe për të shpëtuar veten, fillova të bëja manovra me duar. Nga tundimet, filluan të binin kokrrat e rrushit dhe rastësisht poshtë kishte një arkë, e cila shumë shpejt u mbush me to. Tani më thuaj se çfarë faji kam? Gjithçka ndodhi vetvetiu!”. Pronari kur e dëgjoi arsyetimin e tij, iu përgjigj: “Deri këtu s’ke faj. Pa më thuaj pak se kush të tha që ta vendosje arkën në kokë e të niseshe drejt shtëpisë sate?!” “Eh, duke dalë nga vreshti, edhe unë këtë po mendoja”, – ia ktheu ai.
Pikërisht kjo është gjendja e atij personi që ushqen një mendim të keq në zemër. Ai nuk konsiderohet fajtor se pse i ra një mendim i tillë, por quhet fajtor pse e mbart atë. Ai absolutisht nuk do të pyetet se përse i erdhi mendim i keq, por do të pyetet patjetër se përse e mbajti mendimin e keq dhe për këtë do të ndëshkohet, sepse mbartja apo heqja e tij janë nën kontrollin e njeriut. Ai i ka të gjitha aftësitë për të larguar mendimet e këqija nga zemra.
Kjo ishte metoda e parë e pastrimit shpirtëror
Pra, për pastrimin shpirtëror, më së pari është e domosdoshme që njeriu të largojë mendimet e këqija nga zemra.