
Disa njerëz, disa mëkate të caktuara i quajnë të mëdha dhe disa të tjera i konsiderojnë të vogla dhe kështu, nuk bëjnë shumë kujdes për t’u ruajtur nga këto të fundit. Po, nga Kurani Famëlartë mësojmë se mëkatet nuk janë të mëdha apo të vogla në këtë kuptim. Sipas Kuranit, mëkat i vogël është ai që njeriu e mendon, por nuk e bën. E, kur e bën, ajo vepër njihet si mëkat i madh. Njerëzit vetë i kanë sajuar termat segira dhe kebira (të mëdha e të vogla) për mëkatet. Në këtë kuptim Kurani në asnjë vend nuk i ka ndarë ato. Andaj, nuk duhet të kujtoni asnjë mëkat si të vogël sepse duke e nënvlerësuar, do të shkujdeseni ndaj tij.
Një tregim i bukur
Thuhet se një njeri që e quante veten trim të madh, një herë kishte shkuar te një tatuazhist dhe i kërkoi që t’i pikturojë një luan në krahun e tij. Sa filloi tatuazhisti punën, atij i dhembi. Ai e pyeti: “Çfarë je duke pikturuar?” “Po vizatoj veshin e djathtë të luanit”, – iu përgjigj tatuazhisti. “Po sikur të mos e vizatosh veshin, a do të më mbetet luani?” – e pyeti klienti. Ai iu përgjigj me pohim. “Atëherë, lëre veshin dhe vazhdo me pjesën tjetër”, – i kërkoi ai. Tatuazhisti ashtu bëri dhe filloi të vizatonte pjesën tjetër. Por trimit në fjalë i dhembi përsëri dhe ai sërish e pyeti: “Po tani, çfarë po vizaton?” Ai tha: “Veshin e majtë”. “Po sikur ta lësh edhe këtë, a do të mbetet luani?” – e pyeti trimi. “Po”, – ia ktheu tatuazhisti. “Atëherë lëre edhe këtë e vazhdo me pjesën tjetër” – i kërkoi ai.
Në këtë mënyrë, çdo herë kur i dhembte, ai i kërkonte tatuazhistit të mos e vizatonte atë pjesë, derisa në fund tatuazhisti i tha: “Tanimë nuk ka mbetur asnjë pjesë e luanit. Më mirë ik se nuk je për këtë punë”. Kjo është gjendja e veprave të disa njerëzve. Duke nënvlerësuar punët që u duken të vogla, ata i lënë pa bërë të gjitha dhe në fund nuk u mbetet asnjë punë. Kështu që, së pari dua t’ju them se asnjë punë nuk është e vogël dhe së dyti, një vepër bëhet shkak për veprën tjetër. Ashtu siç një ligësi shkakton ligësinë tjetër, në të njëjtën mënyrë edhe një vepër e mirë bëhet shkak i një vepre tjetër të mirë. Andaj, nuk duhet ta quajmë të vogël asnjë vepër, qoftë e mirë apo e keqe.
Cili është mëkati më i madh?
Rrëfehet se Hazret Enesira, duke iu drejtuar muslimanëve që kishin ardhur pas largimit të të Dërguarit të Allahutsa nga kjo botë, kishte thënë:
“Sot ju bëni disa gjynahe duke i quajtur të vogla. Por gjatë kohës së të Dërguarit të Allahutsa kryerja e atyre gjynaheve konsiderohej si vdekje”.
Po ashtu, dëshmohet edhe në hadithet, që një herë, i Dërguari i Allahutsa po kalonte pranë varrezës. Për dy varre u tha sahabëve që ata persona po ndëshkoheshin për shkak të gjynaheve, të cilat në dukje ishin të vogla, por në të vërtetë ishin të mëdha. Ishin të vogla sepse të vdekurit, gjatë jetës së tyre, lehtësisht mund të shpëtonin nga ato dhe ishin të mëdha sepse po ato i kishin shpënë në xhehenem. Njëri prej tyre nuk kujdesej për pikat e urinës që binin në trupin e tij gjatë urinimit dhe tjetri ishte përgojues.[1]
Pra, asgjë nuk është e vogël. Po, diçka mund të jetë e madhe apo e vogël në kuptimin relativ. Por, një gjë që njeriu e bën ose mund ta bëjë, sado e madhe të jetë, është e vogël për të. Në të njëjtën mënyrë, diçka të caktuar që njeriu nuk e bën ose nuk arrin ta bëjë, sado e zakonshme të jetë ajo, për të është e madhe. Për shembull, një njeri falet, agjëron, jep zekat, bën edhe haxh, por nuk ruhet nga sharjet kur flet. Mbase ne do të çuditemi se përse ai nuk heq dorë nga sharjet, por ai nuk i lë. E, kur nuk mund t’i lërë sharjet, atëherë pikërisht heqja dorë nga ato është një punë e madhe për të.
Kështu që, një mëkat është i madh, kur njeriu është i prangosur në të dhe nuk heq dot dorë prej tij. Po ashtu, pikërisht është e madhe ajo mirësi, të cilën njeriu nuk e përvetëson. Mesihu i Premtuaras ka shpjeguar se njeriu nuk shpërblehet për një vepër që e bën natyrshëm. Por njeriu që ruhet nga një ligësi, për të cilën nefsi i tij i thotë ta bëjë dhe ai është edhe i aftë ta bëjë, shpërblehet. Për shembull, një njeri që nuk ka epshe, nëse thotë se nuk bën kurvëri, kjo nuk është ndonjë vepër e mirë për të. Po, nëse ai heq dorë nga përgojimet, kjo mund të jetë vepër e mirë. Nëse dikush heq dorë nga një ligësi që ka, atëherë bën mirësi, sepse pikërisht ajo ishte mëkat i madh për të.
[1] Tirmidhiu, Ebuabut-taharah, bab et-teshdid fil-baul.